Nga Albert R. HABAZAJ*/
Akoma është e pabesueshme për ne që zgalemi i Vlorës e petriti i Çamërisë nuk fluturon më. Është vërtet e pabesueshme që pena e krijimit të ndjeshëm kombëtar nuk shkruan më, sepse ndihet që shkruan në trajtë tjetër, hyjnore. Ajo po shkon gati pesë vjet që prehet e qetë, krenare e me dinjitet për mijëra faqe të botuara me art të spikatur, me ndjenja të dhembshura e të ëmbla njerëzore. Akoma jemi të pezmatuar nga sjellje e nxituar e natyrës me atë dift burrë, siç thuhet nga anët tona, në Labëri. Ndihemi si ajo fija e barit pas tramundanës nga kjo gjëmë, ndaj rrimë kokëulur nga që na dhemb ikja e tij, edhe pse pesë vjet na duken si pesë minuta, por ne mbjellim besim në arën e tij të krijimit dhe atdhedashurisë, se do të vijojmë rrugën e bukur e fisnike atje ku ai e la. Pikërisht sot, me një cigare në buzë, buzë detit të dashur të tij, detit tim të pazvendësueshëm, buzë detit tonë me lule e furtunë, ndërsa tymi i duhanit bëhet rè, mendoj:…
Vlora, Çamëria, krijuesit shqiptarë e sidomos ata vlonjatë, të shtunën e 2 gushtit 2008, e përjetuan keq me ligështim, sepse na iku një shkrimtar i dëgjuar, një mik serioz, që dinte të këshillonte dhe të vlerësonte me drejtësi e përpikmëri. Për të lehtësuar sadopak dhembjen e papërballueshme të familjes dhe të të afërmëve për njeriun më të dashur të tyre edhe shkrimtarët e artistët e Vlorës erdhën të trishtuar e të hidhëruar nga kjo ndodhi tronditëse. Fadil Zeqiri ishte një emër në Vlorë, ishte një respekt e një dinjitet kryelartë i krijimit tonë.
Fadil Zeqiri u lind në Kaicë të Paramithisë së Çamërisë, më 15. 07. 1937. Ishte natë e shtunë, kur iku. Nuk kemi pse të kujtomë ditëikjen e tij se ai është përsëri me ne. Shovinistët grekë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vranë prindërit dhë shumë të afërm të tij. Mbeti jetim dhe kështu detyrohet të vijë në Shqipëri,siç dihet me shumë e shumë vëllezër, motra, fëmijë të braktisur, pleq e plaka të rrënuara.
U strehua në Sarandë, në jetimore. Katër ditë udhëtoi për në Durrës e pastaj shkoi në Tiranë, ku dhe u rrit e u edukua në Shtëpinë e Fëmijës. Kreu Shkollën e Mesme “Skënderbej” dhe më pas, në Bashkimin Sovjetik, studioi për Marinë Detare. Pesë vjet i bëri atje, nga të cilat tre në Riga të Lituanisë dhe dy në Azerbaxhan për ABD dhe Marinë të Përgjithshme. Te “Shtegtimi i fundit” , aq mallëngjyes, prekës e jetësor, shkrimtari përshkruan jetën e tij. Ai kishte qejf të shkruante natën, pa e hequr cigaren nga buza dhe natën iku, jo si i vdekshëm, por të vijojë misionin hyjnor të Krijimit atje…
Duke qenë nga ushtarakët e parë me arsim të lartë e të plotë jashtë shtetit, kur u kthye në Shqipëri, iu ngarkuan detyra të rëndësishme, të cilat i realizoi të gjitha me faqe të bardhë. Emri i tij ka qenë nderi i Sazanit, Karaburunit, Orikumit, Vlorës e Babicës, ku shërbeu me përkushtim e devotshëri në funksion të forcave detare shqiptare. Pa u shkëputur nga puna studioi për Letërsi si dhe thelloi studimet duke përfunduar dhe Fakultetin Juridik.
Për shumë vite ka qenë pedagog në Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë.
Ishte kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës “Çamëria”, anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare – Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, ku ka qenë i ndjeshëm qëndrimi i tij kombëtar, në shërbim të rritjes së ndjenjës së atdhedhashurisë dhe respekimit deri në adhurim të simboleve të ndritura kombëtare si Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, Hasan Tahsimi, Elena Gjika, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini e gjithë ata pishtarë drirëbërës për të orientuar shqiptarët në rrugën e diturisë, e lirisë, mirësisë e vëllazërisë, se vetëm ajo na sjell përparim.
Fadil Zeqiri mbahet mend dhe si një notar i shkëlqyer. Rekordet e tij janë të rregjistruar nga juritë sportive të kohës e shtypi ia ka evidentuar emrin e kampionit që po formatohej deri në plotësim të mishërimit të emrit tjetër të tij Miku i Detit.
Edhe vitet e fundit ai nuk ndahej nga deti; çdo mëngjez herët, ashtu shtatlartë,trupdrejt, me gjoksin përpara e ballin paralel me horizontet blu, do ta vije re (ndoshta në vetvete edhe me një xhelozi dashamirëse).
Ai mbetet në kujtesën tonë Zgalem i detit të Vlorës.
Cilësia e Fadilit, e cila na bën ne përherë ta nderojmë, është fakti se ai ishte një shkrimtar i mirë, i palodhur për fjalën e pastër, të bukur e atdhetare shqipe, qe njeri i lartë dhe një nga përfaqësuesit më të dalluar që doli nga gjiri i ushtrisë si shkrimtar me profilin e tij krijues. Fadil Zeqiri ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh nga viti 1965. Ai ka debutuar kryesisht në prozë, por ka shkruar dhe poezi, skenarë filmash, ekranizuar a botuar sidomos për interesa të ushtrisë, në radhët e së cilës kaloi tërë jetën, qysh nga fëmijëria e derisa mbushi moshën e doli në pension. Në prozë ka nxjerrë në dritë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” nëntë libra dhe konkretisht: “Midis dallgëve të oqeanit”, “Me vështrim nga deti” – tregime, “Shtegëtimi i fundit” – roman, “Nëndetësja 61” – roman, “Dhembi i tretë” – tregime, “Udhëtim në një hambar” – tregime, “Shënjestra dhe manushaqja” – tregime, monografinë “Ilia Dashi”, kushtuar heroit nga Poro e Myzeqesë së Vlorës, që, për të shpëtuar anijen “Sami Frashëri” nga zjarri i shpërthyer papandehur, u turr, së bashku me shokët, në mes të flakëve dhe mbeti simboli më i lartë me uniformën e marinarit përjetësuar aq me dashuri e dhembshuri nga shkrimtari i njohur Fadil Zeqiri .
Vëllimi poetik “Dallgët e zemrës” është i veçantë, sepse është i vetmi i botuar me vjersha nga autori në gjallje të tij dhe është i vetmi i botuar në vitet e kërkimit të demokracisë.
Kjo për tre arsye: e para, se shkrimtari ynë s’dinte, s’mundëte e s’donte të kërkonte sponsorë për botimin, – natyrë kjo e një krijuesi të vërtetë, pa pikël fryrje tullumbacore; së dyti, shëndeti nuk e ndihmoi; së treti: iu grisën shumë ëndërra, shumë ideale të larta, të pastra, të bukura…
Në 120 faqe libër, botuar nga “Triptik, Vlorë, më 2006 – n, janë 47 vjersha e poema, ku e para është një himn për flamurin e shqiptarëve nga Preveza në Tivar, nga Presheva në Kep të Gjuhëzës, kudo ku flitet shqip, ku ka djep e varr shqiptari. Vjersha e fundit është “Kënga e borizanit”, me idenë që vetë autori, ne të gjithë duhet të jemi ushtarë të lirisë e demokracisë; vargjet tona, shpirti ynë, dallgët e zemrës që dalin me duf, mall, me maraz e besim të jenë kënga e borizanit të ditëve që presim, të së vërtetës Demokraci.
Me romanet “Nëndetësja 61” dhe“Shtegëtimi i fundit” është nderuar edhe me çmime kombëtare. Ka botuar shumë herët në shtypin letrar të kohës, që nga gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, apo në faqet letrare të “Zërit të Rinisë” dhe në ato të profilit ushtarak si gazeta“Luftëtari”, revista“10 korriku”, si dhe të tjera të asaj kohe si “Ylli”, “Gruaja shqiptare” etj. Një pjesë e krijimeve të tij janë botuar dhe në përmbledhje me grup autorësh, kryesisht me temën e mbrojtjes, që nxirrte Ministria e Mbrojtjes në ato kohë. Një pjesë e mirë e vëllimit të fundit, që zgjodhi për përgatitjen e librit “Dallgët e zemrës” poeti tjetër çam, i talentuari Xhemil Lato, që ka qenë emigrant në Itali, janë nxjerrë nga dy antologjitë poetike të botuara nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë e konkretisht nga përmbledhja me grup autorësh “Me ritmin e jetës ushtarake”, viti 1966 dhe “Shqiponjat vigjëlojnë”, viti i botimit 1969, etj.
Natyrisht autori F. Zeqiri ka dhe poezi të tjera, të shkruara më vonë, përfshi dhë vitet e pensionit, të cilat i shtohen “ritmeve ushtarake” të kohës së rinisë për ta plotësuar sadopak përmbjedhjen modeste “Dallgët e zemrës”.
Përveç se është nderuar me çmime të ndryshme lokale e kombëtare, Fadil Zeqiri është rekomanduar për studim nëpër shkollat e vendit, në periudha të ndryshme kohore, kryesisht në ciklin tetëvjeçar.
Ai është i përfshirë, së bashku me 22 shkrimtarë të tjerë, dhe në Antologjinë “Tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë”me tregimin mbresëlënës e kuptimplotë “Kuajt laramanë”, botuar në Vlorë, më 2006. Sipas profesor Bardhosh Gaçes, Fadil Zeqiri mbetet simboli i njeriut të penës për Çamërinë. Së bashku me Bilal Xhaferin, Namik Manen, Shefki Hysën, Xhemil Laton, Fatime Kullin, Skënder Beqirin, Mojsi Dalipin,Thabit Beqirin, Shaban Shabanin, Vjollca Staron, Mirela Dautin e pena të holla të ndjenjës artistike e shpirtit atdhetar i japin ngjyra të bukura e aromë të freskët Kopështit Kombëtar të Krijimit .
Siç shkruan në fund të librit me vjersha Fadil Zeqiri “Gjakun dhe këngën Atdheut” ia dha dhe Vlora, Atdheu, Krijimi ia ktheu shkrimtarit të mirë, njeriut korrekt dhe ushtarakut serioz me nderim në përcjelljen e merituar deri në paharrim ndaj vlerës njerëzore qytetare që mban emrin e lartë: FADIL ZEQIRI…
Kaluan pesë vjet. Më kujtohet fjala e lamtumirës që mbajti Astrit Muho: “… Në Itali u nda nga jeta, familja, fisi, kolegët…dhe tani do të mbështesë shpatullat në tokën nënë të Vlorës, që e ka patur shumë për zemër dhe kaloi 2/3 e jetës së tij plotë kënaqësi, dinamizëm dhe dinjitet njerëzor. Edhe këtë trashëgim të mirë prindëror e humbi qysh në moshë fare të re…”
Dhe tani, kur kaloj ndërmend subjektin e romanit “Shtegëtimi i fundit”, rrëmbushem; se isha i vogël, atëherë kur e lexova e kam qarë. Ata lotë dhe tani më dhembin.
Në ekranin e kujtesës ruajmë aftësitë intelektuale, si në drejtimin ushtarak dhe atë letrar (në prozë, në vargje, në monografitë, skenarët e filmave e në vjersha për fëmijë). I formuar mirë në teorinë e praktikën ë artilerisë, ai kudo që jepte mësim (si para studentëve dhe para marinarëve) përdorte një metodikë shumë efikase, që e adhuronin të gjithë. Njeri me intelekt të rrallë dhe i përgatitur më së miri, i ekuilibruar, korrekt dhe shumë njerëzor në komunikim me njerëzit, si në punë, familje e shoqëri – ky është portreti qytetar i tij. Profili krijues i tij fisnikërohet nga përkushtimi, serioziteti dhe ndihma me shpirt e besim për talentet e reja. Ishte viti 1996. Sapo kisha botuar vëllimin modest poetik “Nata me hënë” , tek “Naim Frashëri”. Katër faqe mendime me makinë shkrimi shkroi i bardhi Fadil Zeqiri dhe m’i dha me mirësjellje dhe vlerësim të lartë. Nuk i kërkova gjë, s’ mund t’i kërkoja. Ai ishte i madh, qe idhull për mua. Ato fletë të zverdhura nga koha i ruaj si visare në arkivin tim, se kanë mendimin e freskët, inkurajues e të vërtetë të krijuesit të formatuar…
Duke lidhur jetën me bijën fisnike të Beqirajve, lindën e edukuan tre fëmijë, të cilët me punë të pastër e sjellje të mirë qytetare ecin pa u shmangur sadopak nga gjurmët e prindërve të tyre. Sefiana Beqiri (Zeqiri), motra e Marubit të Çamërisë e Vlorës, fisnikut Skënder Beqiri dhe Fabit Beqir energjikut, e përballon krenarisht dhembjen për Fadilin, për atë nur që i iku asaj e të gjithëve ne. E përballon me ballin lart, si burrneshë, sepse tre fëmijët e tyre: Elma, Petriti e Rudina e vijojnë rrugën e babait të tyre denjësisht dhe të tre janë me universitet e kanë emrin e tyre të përveçëm në jetë.
…E këtu buzë detit, me sytë sa dy rruzuj loti për Fadil Zeqirin, dëgjoj një këngë, një kryekëngë, që më ngre peshë e më ndez me zjarr Atdheu:
“O ju djemtë e Çamërisë/ kudo jeni që jetoni/ Amanet’ i Perëndisë:/Çamërinë mos e harroni!”
Edhe Fadil Zeqiri nuk e harroi Çamërinë sa qe e jetoi. Ai e dinte që do të vdiste. Por amaneti i perëndisë e shpuri atje, në vendlindje. Bëri fotografi, filmoi me kamerë gurët e Çamërisë, rrënjët e shëndosha të gjakut të pastër, varret e të parëve, u çmallua me Çamërinë, por dallgët e zemrës nuk iu prehën. Loti i dhembjes bëhet gur e guri kërkon themelin të ringrihet e të mbahet muri i ndërtesës së lashtë qytetërimformuese. Epiri s’është një emër historik, ai është simbol i historisë botërore dhe Perëndi e Historisë Shqiptare. Në këtë prush ngjeu penën e shkroi Fadili, për këtë ideal të lartë rrahu zemra e tij, sepse, siç thotë dhe kënga: “Unë e dua Çamërinë/ barabar’ me shpirtin tim – ë”, edhe i paharruari Fadil Zeqiri e deshi shumë Çamërinë dhe s’e ndërrronte me asnjë tjetër në botë.
Vlorë, e mërkurë, 22 Maj 2013
*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë