Nga Harilla Koçi/.-Rreth 1 vit më parë, persona të panjohur vodhën Kishën e Gjithë Shenjtorëve në Himarë, një objekt kulti me një histori rreth 300 vjeçare, ndër më të ruajturit dhe të mirëmbajturit në shkallë vendi.Kisha e Gjithëshenjtorëve, që ndodhet në Himarë Fshat, disa dhjetra metra larg rrugës kombëtare dhe pranë Kështjellës, ka qenë disa herë objekt i tentativave për grabitje. Vetëm gjatë vitit 2012, është tentuar vjedhja e saj edhe në dy raste të tjera. Këtë rradhë, objekt i vjedhjes ishin 9 kolona të ikonostasit që mendohet se i përket shekullit XVIII. Ky ikonostas, është ndër të paktët e këtij lloji origjinalë në shkallë vendi, çka i jep atij vlerra të veçanta e të jashtëzakonshme. Ai ishte bërë pjesë e një restaurimi, së bashku me vetë kishën, në vitet 1999-2000, sipas një projekti të Kishës Ortodokse Autoqefale. Kjo ngjarje, shtron nevojën e ruajtjes dhe rivlerësimit të objekteve të kultit në rrethin e Vlorës, të cilat cilësohen si resurse të jashtëzakonshme në funksion të turizmit religjioz, që po njeh zhvillime të jashtëzakonshme sot. Aq më tepër që, rajoni i Vlorës, numëron dhjetra objekte të tilla, disa prej të cilave unikale. Specialisti Gentian Stratobërdha, thotë për ATSH-në se, objektet e vjetra të kultit, si pjesë e “arkivës” së monumenteve historike në rrethin e Vlorës, përbëjnë vlera të veçanta për zhvillimin e turizmit religjioz në këtë zonë. Sipas studiuesve, kjo kategori e turizmit po shtrihet me mjaft intensitet por, për zhvillimin e saj kërkohen investime për mirëmbajtjen apo restaurimin e objekteve respektive.
-Objektet e kultit, emrat e piktorëve të shquar shqiptarë-
Monumentet e kultit dhe ato historike flasin për madhështinë e arkitekturës, afreskat dhe ikonat, punimet e gurit, punimet e drurit etj. “Në secilin prej këtyre objekteve, gjatë periudhave të ndryshme kanë punuar piktorë dhe mjeshtra, që kanë përjetësuar artin e kohës kur kanë jetuar”, thotë prof.dr.Bardhosh Gaçe. Ai përmend dy nga piktorët e shquar europianë, Mikelin e Vlorës që ka lënë disa nga pikturat e rralla në kishat e Napolit dhe të Venecias, si dhe David Selenicasin, që, siç shkruhet në afreskat e malit Athos në Greqi, ishte me origjinë nga Vlora. Sipas tij, piktori i madh shqiptar Onufri, në shek. XVI ndërtoi dy kisha në Jonufër, në njërën prej të cilave ai grumbulloi 9 piktorë të vegjël, të cilët, si nxënës të tij prodhonin ikona dhe mësonin në fushën e pikturës murale.
Nga ana tjetër, arkeologu i njohur italian Pietro Marcone, që në vitin 1929 ka bërë gërmime në zona të ndryshme të Vlorës, ka shkruar mes të tjerash se, “Veprat e artit që ruhen në Shqipëri kanë një rëndësi të madhe… por ato kanë një vlerë të madhe edhe për historinë botërore të arteve, ato do të plotësojnë boshllëqet në zinxhirin e zhvillimit të artit mesjetar në Shqipëri”.
Aktuaisht, në zonën e Himarës, gjenden mjaft kisha, një pjesë e madhe e të cilave rrezikojnë të shemben, për shkak të mungesës së investimeve për riparimin e tyre.
Specialistët ngrenë shqetësimin e mungesës së investimeve në këto objekte, të cilat rrezikojnë të shkatërrohen duke shytur në harresë vlera të jashtëzakonshme të krijuara në shekuj.
“Këto kisha që evokojnë një histori shumëshekullore, përfaqësojnë vlera të mëdha për zhvillimin e turizmit religjioz, që është mjaft i përhapur sot dhe ku ne mund të konkurrojmë me sukses me vende të tjera të rajonit”, thotë specialistja Mirela Koçi. Sipas saj, objektet e kultit që u përkasin periudhave të hershme qindravjeçare, veçanërisht kishat dhe manastiret, duhet të shndërrohen në një potencial real për këtë kategori turizmi. Aktualisht, ka një shembull shumë kuptimplotë; manastiri i Zvërnecit dhe kisha e Shën Mërisë në këtë objekt, apo Kisha e Vasiliqisë në Porto Palermo(Himarë), që janë shndërruar në destinacione turistike dhe përfshihen në paketat që ofrojnë agjensitë për turistët e huaj
Vlora është e pasur me vlera të tilla, çka premton për një perspektivë optimiste të turizmit. Kjo reflektohet edhe në faktin se, mjaft prej tyre me vlera të spikatura arkeologjike e etnokulturore, kanë përftuar statusin e veçantë nga shteti shqiptar si Monumente Natyrore apo Monumente Kulture. Në rajonin turistik të Vlorës në këtë listë objektesh përfshihen 77 të cilat përfaqësojnë vlera të rralla shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, kulti dhe turistike.(Ne Foto: Kisha e Shen Merise se Athalit ne Himare Foto Harilla Koçi)