• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Harresa e krimeve komuniste sjell përsëritjen e tyre

November 20, 2017 by dgreca

48 Repishti

* Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzja e “harresës”./

*! Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem./

NGA SAMI REPISHTI*/

Jam dakord me thanjen e të ndjerit Argjipeshkv, Imzot Rrok Mirdita, se “…edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndoshë përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të ketë nji proces purifikimi të guximshëm të vetëdijes historike; një ndërgjegjsim individual e kolektiv i shqiptarëve, i identitetit të tyre si popull dhe si njësi e organizuar në shtet të pavarur…” Menjifjalë, duhet të tejkalojmë pengesat që trashëguam nga e kaluemja jo e largët, me ndërtimin e nji Shqipërie pa komplekse, të lirë dhe dinjitoze. Pakë ditë ma parë, lexova në mediat gjermane lajmin se nji grup prokurorësh gjermanë po përgatisin listat e nazistëve, ish-roje të kampeve të çfarosjes, megjithëse kanë kalue 70 vjet; ma riu ashtë 87- vjeçar, ma plaku 96, “…sepse kishin dijeni për tmerrin e vrasjeve të organizueme në masë, dhe e dinin se të burgosunit, të cilët përballeshin me fatin e tyne, si të pafajshëm dhe pa mbrojtje, vriteshin për arsyet ma shnjerëzore që mund të imagjinohen;… si pjesëtarë të grupit të rojeve të burgut ata kanë kontribue në ekzekutime… tue ditë mirë se ç’ndodhte, dhe me vullnet kanë mbështetë këto akte barbare…”. Le të shtrojmë nji pyetje për të gjithë: Supozojmë se kriminelët fashistë, nazistë dhe komunistë kanë persekutue, arrestue, burgosë dhe ekzekutue pjestarë të familjes suej. “Fajtori” smuret; para se vdes dëshiron të ju takoj e kërkon falje nga ju për krimet e kryeme Mendoni mbi enormitetin e krimit të kryem dhe për rrjedhimet e aktit tuej. Në nji rast të këtill ekstrem, ashtë falja e fajit nji opsion për ne që mbijetuem? Cili do të ishte reagimi i viktimës së vdekun? Klasa të tana të popullsisë kanë qenë objekt sulmi e çfarosje fizike nga regjimet kriminale: në Shqipëri, kleri katolik shqiptar dhe intelektualët e formuem në universitetet perëndimor u çfarosën! Simon Wiesenthal, ndjeksi ma kambëngulës i kriminelëve nazistë, në korrik 1995, i shkruente Presidentit W.J.Clinton: “Ngjarjet në Bosnje, ashtu si na paraqiten nga shtypi këto ditë, me të gjithë krimet serbe kundër njerëzimit- pastrimin etnik, therjen si kafshë të popullsisë civile të të gjitha moshëve, dhunimin masiv të grave myslimane- në se nuk përbajnë Holokaust, janë përsëritje e shumë nga krimet e tij…. Unë besoj se dënimi i fajtorit do të baj efektin e vet. SHBA kanë mundësi….me ba publike të gjitha krimet që janë krye, që ata të mos kalojnë në harresë, dhe kriminelët të mos i shpëtojnë dënimit…”. Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzja e “harresës”. Si mund të vendoset paqa sociale në mes të kriminelit dhe viktimës, marrëdhanjet e maparëshme, nji jetë “normale”, në nji botë ku kujtimet e llahtarisë diktatoriale janë aq të thella?

“Nuk due të dal nga burgu” më thonte nji koleg, “tre vllazën të vramë dhe dy të burgosun… U shue familja e ime!”. Si mund të pranojmë që akoma sot kriminelët të rikujtojnë me nostalgji regjimin e krimit, vazhdojnë “dënimin” e viktimave, mbrojnë aktin kriminel të tyne ose të prindëve të tyne, e që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e regjimit të “hurit e të litarit” dhe e justifikojnë me shprehje se “koha”, kjo e panjohun që nuk lejon pushim për meditim, shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për brezënitë e ardhme, totalisht? Nji fat i përbashkët na bani të gjithëve të barabartë….(por jo bashkëfajtorë!) Kjo gjendje nuk u pranue nga komunistët, as edhe kur ne vdisshim e varroseshim në burgje e kampe pune çfarosje. Para nji situate të këtillë, si mund të mendoj viktima se Zoti na ka krijue të gjithëve të barabartë? Si ashtë e mundun që të gjithë, viktima e kriminelë jemi krijue nga e njajta “baltë”? Krimineli nuk mund të jetë vëlla e motër e ime…; përndryshe, nuk ekziston krimi mbi tokë, as pafajsia e plotë! Sepse ashtë e pamundun për viktimën me besue në Krijuesin kur gjysma refuzon me pranue gjysmën tjetër- si njeri me të drejta të barabarta, dhe ecën kështu në vazhdën e krimit pa bremje ndërgjegjeje. Duket sikur Zoti ashtë në vakanca…! Gjatë viteve të burgimit tim dridhesha nga ideja e vdekjes, e varrosjes pa ceremoni, në nji gropë plot baltë, vetëm ose me viktima tjerë si unë. Pa lule! Pa lutje! Pa dritë që ndritë errësinën time të përjetëshme, dhe si thotë poeti: “Pa flutura shumëngjyrëshe që vallëzojnë rreth vorrit tim të frikshëm…”! Jetojmë në ditë të vështira, dhe kjo më frikëson! Jetojmë në nji botë ku në shumë vende pakicat shtypëse sundojnë me egërsi për arsye të shumicës së frikësueme dhe inaktive. Kjo shumicë pa inisiativë, me shpirtin e vramë dhe zemrën e coptueme, ka vetëm nji dëshirë: me vdekë në paqë. Ideja e Problemi i përgjegjsisë së gjithë “atyne” që përkrahën dhe mbajtën regjimin komunist në kambë nuk do të zgjidhet ndoshta asnjiherë në vendin tonë, sepse “atyne” u mungon aftësia me kuptue dekadencën morale ku kanë ra, me kuptue përpjestimet frikësuese të shtypjes që mbretnoi. Shumica prej “atyne” kufizohen tue përsëritë: “ashtu ka qenë koha”, “kështu bajnë të gjithë” fraza të preferueme të turmave të pa tru… ose “unë zbatoi ligjin”, “ç’të thotë ligji…”- edhe kur vriten të pafajshmit e zhduken pa gjurmë (sic!). Megjithate, nji gja ashtë e sigurt: asnjeni prej “atyne” që ndihmuen vullnetarishtose u detyruen me u bindë- nuk do të jetë në gjendje me “shkundë” përgjegjsinë për qëndrimin e tyne gjatë periudhës 45- vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk ashtë “fajtor”, ai/ajo duhet të ndiejë veten të turpnuem… Viktimat e persekutimeve komuniste duhet të qëndrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët dhe kështu ashtë edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë! “Harresa” e krimeve të kryeme ashtë nji fenomen që vetëm koha mbulon, edhe të kaluemen tonë, pa mëshirë! Mbetet gjykimi i aktit, dhe mundësia e faljes se tij.

Falja e aktit ashtë nji gjest vullnetar vetëm për vuejtësit e krimit, kategoria e vetme dhe e privilegjueme, e aftë racionalisht dhe e paisun moralisht, me falë fajin. Vetëm vuejtësit e krimit kanë të drejtën me i përgjegjë kësaj pyetjeje, vetëm viktimat e së kaluemes së errët. Kush tjetër ka autorizimin politik ose moral? Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës, kur ai/ajo nuk ka pësue mbi kurriz tmerret e torturës që nuk durohen e që nuk mund të “harrohen”. As vetë “mbreti” i vendit të martirizuem…! Falja e fajit për ata që seriozisht e ndiejnë efektin e “fajit kolektiv” ashtë e mundun, megjithëse vula e turpit mbetet e pashlyeshme. Ashtë heshtja e tyne që i dënon! Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem. Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse nuk duhet të lejojmë humbjen e aftësive tona me veprue të lirë në nji botë të lirë që mbrojtëm me aq shumë sakrifica. Sot, “harresa” për ne ashtë abandonimi i autoritetit ligjor dhe moral të viktimës pa lejen e viktimës; puna e jonë duhet të zhvillohet në këte kontekst. Viktimat e terrorit të kuq gjetën guxim të mjaftueshëm me përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këte qëndrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkelqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje! Fatkeqsi! Por “harresa”- dhe ndoshta edhe “falja e fajit” nuk ashtë vetëm “personale”. Asnji nuk gëzon të drejtën me falë fajin në emën të nji viktime. Nuk duhet ta lejojmë. (Nji proverb francez thotë se na jemi shumë të fortë me durue fatkeqsitë e tjetrit). Ky ashtë nji imperativ kategorik i shoqënisë shqiptare, sidomos i viktimave. Sepse ajo diktaturë synonte seksione të mëdha të demokracisë në vendin tonë. Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk ashtë arma e jonë; drejtësia, po! Sot, ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen e hakmarrjen. Sot, kemi shpresë se do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh. Sepse edhe na, viktimat, kemi nevojë për paqën tonë të humbun. Si mund të arrijmë këtë pikë kaq të vështirë? Ndoshta….nëse jemi të bindun që “pajtimi” do të kthejë elementin njerëzor te ne, të gjithë ne, dhe vlerat tona etike. Unë nuk kam arrijtë akoma plotësisht këte bindje. Prandej jetoj i shqetësuem, nuk harroj, dhe do të vazhdoi “me kujtue” deri në fund krimin komunist. Unë, ishi burgosuni, që përbuza urrejtjen e hakmarrjen…!

*Fjalë e mbajtur në ceremoninë e hapjes së “Ditëve të Kujtesës” 16-23 nëntor 2017, organizuar nga IDMC dhe KAS në Tiranë, aktivitet ky që synon përballjen e shoqërisë shqiptare me të shkuarën komuniste.

Filed Under: Analiza Tagged With: e krimeve komuniste, harresa, Sami repishti, sjell përsëritjen e tyre

Në 44-vjetorin e vrasjes nga UDB-ja e poetit dhe atdhetarit Alush Canaj

February 11, 2016 by dgreca

HARRESA KURRË S`DO TË BIE MBI POETIN ALUSH CANAJ. AI DO TË JETË I PËRHERSHËM/
Natën e 14 shkurtit 1972 pasi kishte dalë nga një qeli burgu i dërmuar nga dhuna fizike e psiqike, me dorën e fshehur ia mbushën gotën e helmit në shtëpinë vet. Dhe e vranë poetin Alush Canaj. Pastaj, në hotelin Evropa të qytetit, (Kristali i sotëm), autorët e krimit : Selim Brosha,Naip Hoxha,Ismail Mustafa e Muharrem Halili, festonin vrasjen e poetit duke pirë raki kumbulle me këpucë të një lavireje- këngëtare jo shqipfolëse, që i argëtonte me këngë të Shumadisë./
Shkruan: AVDUSH CANAJ/
U bënë 44 vjet kur ndodhi krimi makabër në Gjilan që tronditi gjithë Kosovën.Pikërisht në natën e 14 shkurtit të vitit 1972 UDB-ja vrau me gotën e helmit poetin dhe atdhetarin Alush Canaj që ende nuk kishte shijuar 20 pranverat e jetës, kishte 19 vjet e 6 muaj e 9 ditë.Një tragjikë e llojit të vetë që dinë ta bëjnë vetëm kriminelët ordinerë, me skenar e regji. E vranë sepse poeti që po vinte për të hyrë me hapa të sigurt në letërsi, ( punë këtë që e kishte nisur qysh në moshën 13 vjeçare), më një zë të veçantë prej një liriku të ndjeshëm, po i këndonte Tokës së vet, Atdheut të robëruar, ëndërronte lirinë dhe diellin e buzëqeshur mbi qiellin e Kosovës me plagë.Përmes vargjesh të qendisura me figura, i këndonte Nënës, asaj dashurie të madhe, prej së cilës na kishin ndarë padrejtësisht.Ishin të vetmit në botë që nuk guxonim të takoheshim me të e të mëndonim për të,për Nënëmadhën tonë, na kishin vënë në mes kufirin gjemborë të vdekjes.Dhe, pikërisht kjo, ishtë bërë shkas që poeti flokëkaqurel si prej dielli, të përcillej në çdo hap nga lakejtë e UDB-së, edhe në gjimnaz,edhe në orët letrare që aq mrekullisht i udhëhiqte e tubonte gjithë të rinjët e qytetit,edhe në shoqëri me shokët, edhe në kinema, edhe kur shkonte diku mysafir.Gjithkund. E, lakejë, për fat të keq kishte shumë, sa edhe qenë.
Ishtë simbol i zgjimit , atdhetar i flakët e intelektual i rrallë që kishte informacione për gjithçka.
Vargjet e tij bënin jehonë qiellit të errësuar të Kosovës.Mësoheshin përmendësh nga të rinjët të cilët e donin dhe e respektonin .Ishin këto poezitë Shqiponja e maleve,Skënderbeu, Për ty lapidar, Nëna Shqipni, Te Tirana e ndonjë tjetër.Ky ishte Alush Canaj, poeti që po hynte në letërsi me shpirtin e lirisë, por trazonte njerëzit besnik të UDB-së gjakpirëse, ata që kishin shpirtin te xhelati. U egërsuan si bishat të etura për gjak se te ai po e shihnin një rreze drite e pas tij atë diellin e madh të lirisë. Aq i bënte poetit me buzëqeshje rrezëllitëse e krenari si lisat, s`ndalej dot, kryente misionin e vet prej poeti dhe atdhetari, kishte vendosur që këtë punë ta qoj deri në fund, përkundër maltretimeve fizike e psiqike që po i bënte ndaj tij UDB-ja.
Fatalja ishte një letër nga Beogradi ku studionte shkencat politike, dërguar një shokut të bankës së gjimnazit, Mehmetali R., ku Beogradin e përshkruant si qytet të zi, e jo të bardhë siç e kishte emrin.” Ky qenka vetë korbi”. S`kishte faj Alushi, kishte thënë një të vërtetë të pamohueshme, i tillë ishte kryeqyteti i Jugosllavisë së Titos prej nga shkruheshin gjithë skenarët në dëmë dhe kurriz të shqiptarëve në Kosovë. Kjo letër po e bënte udhën e vet duke u lexuar dorë më dorë nëpër orët e mësimt në gjimnaz, derisa një ditë ia prish terezinë profesorit të gjuhës shqipe Haxhi V., dhe ky e dërgon atje ku duhet, në UDB.Pas kësaj, shtohen edhe më shumë dhuna mbi poetin, e kishin bërë edhe një argument më shumë në dosjen e tyre për Alushin, i cili tani më e kishte lënë Beogradin dhe ishte regjistruar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe, mezi priste të hyj në provime për të shkëlqyer.
Natën e 14 shkurtit 1972 pasi kishte dalë nga një qeli i dërmuar nga dhuna fizike e psiqike,me dorëb e fshehur ia mbushën gotën e helmit në shtëpinë vet. De e vranë poetin Alush Canaj. Pastaj, në hotelin Evropa të qytetit, (Kristali i sotëm), autorët e krimit : Selim Brosha,Naip Hoxha,Ismail Mustafa e Muharrem Halili, festonin vrasjen e poetit duke pirë raki kumbulle me këpucë të një lavireje- këngëtare jo shqipfolëse, që i argëtonte me këngë të Shumadisë.
Në agun e ditës së re, shpirti i Alushit u ngjit lart, në hapësirën qiellore.Atje është edhe sot e s`mund ta prek askush, na lexon vargjet që na vijnë poshtë te ne si cicërimë zogjsh.
Ata që ndihmuan në këtë akt makabër, duhët të ulin kokën.Duhet t`i brejë ndërgjegjja deri në vdekje.
Përgatiti dy përmbledhje për botim, por s`arriti t`i shoh të botuara, as ta shijoj lirinë e ëndërruar.
Harresa kurrë s`do të bie mbi të.Do të jetë i përhershëm. Të këtillë e bënë vepra e tij Valsi veror, janë vargjet e tij brilante me aromë dashurie. Është emër që ka hyrë në panteonin e letrave shqipe e të Atdheut. Është emër që duhet të jetë në ballë të ndonjë shkolle të qytetit apo të ndonjë rruge ose institucioni. Këtë e meriton poeti dhe atdhetari Alush Canaj.
Në këtë ditë kujtimi për të, u sjellim disa nga poezitë e tij të panjohura deri më sot për lexuesit,të gjetura nëpër fletorët e tij.

ALUSH CANAJ

TE TIRANA

Te Tirana,
Nana,
edhe motër Zana.

Atë dimër na ndanë
e lisat i vranë.

Më s`mund të duroj,
andej do t`fluturoj,

aty ku e kam Nanën,
e motrën time, Zanën,
Mëmdheun,
Skënderbeun.

Nëse ujku me vjen pas
do ta vras.

(1970)

NANA

Si dielli, si hana
Nana.

Si pranvera te thana
Nana.

Si rrezja në tëbana
Nana.

Krua i gëzimeve tona
Nana.

(1970)

HARABELI

Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s` shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në token e lavdisë,
n`zemër të Ilirisë.

(1970)

DO T`BËHEMI RRUFE

Korbat mbushën qiellin,
retë zuren diellin.
Ia vunë zingjirët mirë,
të kemi veç errësirë.
Të na marrin si delet,
emri të na shkelet.
Në tokën e Arbërisë
pa rrezet e lirisë.
S`durojmë dot ne,
Do t`bëhemi rrufe.

(1970)

MARGARITA
Ti je ylli
i agimit tim,
ti je drita
e ditës sime,
ti je dielli
i jetës për mua,
ti je rrita
e këngës së zemrës,
lumturia,
bukuria:
Margarita.

(1970)

Avdush CANAJ

NË HETUESI

E kishin futur në një qeli të errët dhe ai priste.Priste të hynte dikush që ta merrte në pyetje. Kokën mbante lart, s`i luante as qerpiku. S`kishte bërë asgjë të keqe e as s`i kisht kujt borgj.
Sakaq dera e hekurt u hap.Hyri një njeri me mantel të zi si prej korbi.Edhe republikën në kokë e kishte të këtillë. U ul pranë tij.Nxori një cagare nga pakoja.Ia qiti tymin.Ishte vetë udbashi.
Ti je ai poeti që po flitet?- e pyeti.
Për kë po flitet nuk e di, por unë jam Alush Canaj. Shkruaj poezi e tregime për fëmijë.
Pasi thithi tymin me afsh e pjesën tjetër e qiti si nga shpella e tij,shllunga-shllunga, udbashi iu drejtua:
Për kë shkruan, or poet?
Për çdo gjë që më mundon, i tha dhe e shikoi në sy. I kishte të enjtur, të mavijosur.Sigurisht kishte pirë gjithë natën me cerberët e vet.
Përshembull, çka të mundon ty?- e provokoi
Liria, i tha shkurt
Si ?!- u çudit udbashi, s` e kishte pritur këtë përgjigje të drejtë. E thithi edhe një herë cigarën dhe e hudhi në dyshemenë e betontë,pastaj menjeherë e vuri këmbën në qafën e saj.Ia nxori shpirtin.
Liria, zotëri.Ajo na mungon. Atë s` e kemi.
Çka don ti, brinat, a?
Jo brinat, ato i kanë dikush tjetër, por lirinë siç e kanë gjithë popujt e tjerë. Të jemi zot në shtëpinë tonë e jo qiragji.
Sipas kësaj ti nuk qenke zot në shtëpinë tënde?
Jo.
E kush na qenka?
Beogradi.
Ai u tmerrua me këtë përgjigje. I ra tavolinës me grusht.
Ti me këtë poe e kërkon Shqipërinë, ë? Xhaxhi Enverin, ë?
Deshi ta qetësoi.
Mos u ngut.Nuk thashë kështu.
Ta lexova mendimin.Mos mendo se ne nuk dimë asgjë.Të gjitha i dimë. Edhe çka mendoni. Ti po e kërkon Shqipërinë këtu. Po e kërkon edhe përmes vjershave të tua. Po i lexojmë ne.Po na tregojnë. Po na zbërthejnë metoforat e simbolet e tua. I kemi na njerëzit tanë për këto punë.
Sa për këta të fundit, e di që i keni.Poezitë e mia janë të hapura, i lexoj nëpër orët letrare, i gjeni nëpër faqet e revistave.Flasin për dashurinë e nënës, Atdheut, tokës…
Po, po, për nënën Shqipëri .
Për nënën time, zotëri. Unë kam nënë.Nuk jam jetim.
Udbashi u zemërua.Damarin e zemërit ia pa në ballë.
Ore, ti, poet, edhe unë kam nënë, por nëna ime e ka emrin Jugosllavi e babai Tito. Edhe ti duhet të jesh kështu, a më kupton?-iu afrua të veshi.
S` të kuftoj. Unë ndryshe jam. Nëna ime është Vaxhideja, amvise, e ,baba Jonuzi, punëtor në Kombinatin e Duhanit.
Don të thuash se je irrident, nacionalist. E do Shqipërinë e jo vendin ku jeton e ha bukë.
U mbrojt.
Jam shqiptar, por tokën time e dua.
Do të thotë Shqipërinë. A ke qenë ndonjë herë atje?
Një buzëqeshje e dielltë iu shfaq në sy.
Ta merr mendja se kam qenë.
E si e kishe, pra, atë nënën tënde?- udbashit iu çel fytyra. Zemërimi i kishte ikur.Tashti i kishte rënë telit ku duhet. Do të gradohej për këtë që e kishte zbuluar tek viktima e tij, pa ndihmen e askujt.
Ishte për mrekulli. Zonjë e rëndë. U çmalla me të. U kënaqa. Si me nënën më. Në prehërin e saj të ngrohtë. Natën e benim ditë.
E Xhaxhi si ishte? Je pa me të?
Si jo. I forte. Çelik. Me grushtin lart.
Fërkoi duart me një buzëqeshje të zgërdhirë si prej ujku.
Eh, tashti me tre drejt, si arrite deri atje? Në çmënyrë? Kush të ndihmoi?
Shumë lehtë, zotëri. Nëpër atë kufirin gjemborë të vdekjes.
Nuk të diktuan qentë?!
Kisha me vete pipër. Dhe kalova pa një therrë në këmbë. Shkova tek Nënëmadhja jonë.
Dhe?
Kur hapa sytë, jorgani te këmbët. Ishte vetëm një ëndërr e mirë, asgjë më shumë, zotëri .
Udbashi u çart. Ulurinte si ujk i uritur. Thirri xhelatët.
Drama e trishtimit filloi.

Filed Under: ESSE Tagged With: ALUSH CANAJ, Avdush Canaj, harresa, UDB-ja

HARRESA

January 15, 2015 by dgreca

Nga Grigor Nosi/Nuk do të shkruaja për atë kohë të zezë, sepse tashmë arkitektët e Holokaustit Kuq jo vetëm që nuk u dënuan, por me mburrje drejtojnë jetën politike të vendit. Duke lexuar një shkrim për jetën e disidentit Klement Islami, thellë në shpirt më zgjoi zëri vajtues i një vajze të re nga Durrësi që më lutej, “Doktor do të ma prisni këmbën? Të lutem doktor shëromë se jam vajzë e re”!
Ishte viti 1977, kur unë u caktova të punoj në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit si mjek stazhjer. Spitali Kirurgjik sapo ishte ndërtuar dhe pranë tij ndodhej Spitali Psikiatrik i Elbasanit. Dy ndërtesat e mëdha ndaheshin nga njëra-tjetra me një hendek të cekët dhe aty-këtu me gardh të shembur për tokë. Për Spitalin Psikiatrik flitej nën zë se shërbente edhe si vend izolimi për individe të veçantë, kundërshtarë të regjimit. Fjalët kishin qarkulluar se mjekë të përzgjedhur nga sigurimi i shtetit abuzonin me dashje me këta pacientë që fati i kishte mbyllur pa dëshirën e tyre atje në atë ferr.
“Si ju quajnë”? e pyeta vajzën e re që qante me dënesë nga dhimbja. Me një zë, i cili dilte i fragmentuar dhe ngashërues më tha, “Zana, Zana Dhroso”. “Shtrije këmbën”! i thashë dhe fillova t’i prek gjurin e fryrë dhe të skuqur nga infeksioni. Sa herë që unë takoja në të, vajza kafshonte fort buzët e thara dhe të coptuara në mes nga medikamentet e shumta që kishte marrë. “Do të durosh pak”! i thashë dhe pasi i injektova anastezinë lokale e hapa plagën dhe futa fitilat për të kulluar infeksionin masiv që ishte mbledhur rreth gjurit. Kur mbarova së pastruari plagën masive një zë i mekur dhe lutës me tha, “Doktor do të ma prisni këmbën?… Të lutem mos ma prisni… jam vazë e re. Është e dyta herë që më bëjnë apses”. “Jo”, i thashë “do të shërohesh”. Duart e brishta me gishtat elegantë e të gjatë shtrënguan fort duart e mija në shenjë mirënjohje.

Mjekët e vjetër e dinin se çfarë e shkaktonte atë lloj apsesi masiz edhe unë e kisha dëgjuar që pacientëve të sjellur me vendim gjyqi i injektonin rrëshirë pishe me qellim që t’i paralizonin dhe kështu të mos kishin mundësi të largoheshin nga spitali burg. Mua nuk më ishte dhënë rasti të shikoja nga afër apo të kuroja një të tillë, keshtu i trazuar thellë në shpirt ia tregova babait, doktor Stiliano Nosit, i cili ma pohoji me dhimbje. Ai e njihte babanë e Zanës, doktor Dhroson e më këshilloi të kujdesesha në veçanti për të dhe unë ashtu bëra, e kurova edhe pasi ajo u kthye në Spitalin Psikiatrik.
Ndërsa po kaloja shtegun që ndante dy spitalet për të bërë viziten e radhës ndesha me Zanën dhe babanë e saj të ulur në stolin e vetëm që ndodhej me pamje nga udha. Doktor Dhroso, një burrë fisnik i thyer nga mosha dhe dhimbja për të bijën, me zë të butë e lutës me mbuloi me urata për kujdesin që kisha treguar ndaj vajzës tij. Sytë i përloteshin herë pas here ndërsa fërkonte duart e Zanës që dridheshin pa kontroll. Impresioni i dy fatkeqëve më shtyu të mësoj përse e kishin mbyllur në atë spital burg vajzën e re nga Durrësi.
***
Në gjimnaz kishte ndodhur një njgjarje që nuk ishte dëgjuar më pare në Durrës. Një nxënëse kishte hequr nga muri portretin e përbindëshit E. Hoxha dhe e kishte përplasur në çimenton e klasës duke e bërë copë-copë në prani të nxënësve. Vajza heroinë, që postkomunizmi e ka lënë në harresë ishte Zana Dhroso …

Filed Under: Editorial Tagged With: Grigor Nosi, harresa

PËRSE TË LANË NË HARRESË, O ATË I PAVARËSISË?

September 19, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*

                 1.

Ismail Qemali ,”Plaku i Vlorës”,ati  i  shpalljes së pavarësisë kombëtare një shekull më parë  pas një mungese  rikthehet  në institucionet e shtetit shqiptar  me portretin e tij.

Dje Ismail beu rikthehet në ato institucione për të cilat nuk  la kancelari  të huaj për  12 vjet  me radhë pa shkelur për të arritur një shtet shqiptar?!Figura e Ismail Qemalit është lënë në harresën e madhe dhe të përhershme. Vepra  e tij citohej thjeshtë nëpër dokumente shkollore ndërsa thjeshtë tregohej një fotografi. Për babain  e kombit nuk ka pasur një libër të plotë historik,nuk ka pasur asnjë shtatore të tijën. Dhe askush nuk është kujtuar që portreti i tij të vendosej në institucionet e këtij shteti për gati 101 vjet.

                   2.

Portretet, që kanë zbukuruar për 100 vjet institucionet ku rrinin shtetarët shqiptarët kanë qenë vetëm ato të shtetarëve,  që kanë sunduar këtë vend .Zogu  pasi vendosi si sundim monarkinë e vendosi portretin e tij. Te ëikipedia  gjejmë  këtë paragraf që flet për fotografin e monarkut shqiptar  te “Shpallja “Mbret’i Shqiptarëve:”Çdo dyqan dhe kafe vari në mur foton e tij, nëse nuk bënte kështu merrte një gjobë prej 50 frangash. Edhe myslimanët e devotshëm duhej të tejkalonin kundërshtimin e tyre ndaj riprodhimit të imazheve njerëzore dhe të blinin një portret standard…”“Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog.

Fotografia e Hoxhaës   nisi të vendosej sapo PKSH doli nga ilegaliteti duke mbizotëruar në cdo institucion deri në vitet ‘90. Nuk mund të qëndronte larg kësaj tradite Berisha. Portreti i tij u pa në institucionet vendit deri nga fillimi i vitit të trazirave,vitit 1997. Pas kësaj periudhe dhe me këmbimin e  pushtetit ,nëpër institucione u vendos portreti i Mejdanit. Katër vite qëndroi portreti i Mojsiut nëpër institucionet e shtetit shqiptar. Portreti i Topit do të kishte  po atë  gjatësi kohore. Ndërsa Nishanit presidentit aktual do ti zgjaste vetëm 1 vit,koha kur portreti i tij do të zbukuronte institucionet e shtetit.

Pas kësaj për të kujtuar figurën, që udhëhoqi Rilindjen Kombëtare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë  portreti i tij rikthehet në institucionet shqiptare. Ky rikthim ngrohu shumë zemra me një arsye gati të thjeshtë.

Ismail Qemali është arkitekti i Pavarësisë Shqiptare, është Babai i Kombit  dhe që shqiptarët jo se janë mërfilli nacionalist por ndenja kombëtare i kanë ndoshta pak më tepër kombet e tjerë por që çuditërisht , figurat kryesore të tij shpesh janë gjendur të arkivuara ose të lëna në harresën madhe.

                3.

Por për atin  e kombit Ismail Qemali deri më sot nuk ka pasur as një monument të tij . Vepra ku gjendet plaku i Vlorës është monumenti i pavarësisë në Vlorë. Ky monument u ndërtua në 60 vjetorin e shpalljes së pavarësisë në qytetin e Flamurit.

Ismail Qemali dhe patriotët  e tjerë shqiptarë u   përjetësuan në një monument në qendrën e sheshit historik të Flamurit. Studiuesit e shumtë kanë përkrahur idenë se aty është ngritur flamuri në ditën e pavarësisë. Aty është vepra me dinamike, një monument punuar me bronz i njohur si Monumenti i Pavarësisë. Një masiv bronzi ,17 m e lartë,përfunduar në 28 nëntor 1972, Monumenti u gatit nga tre skulptorë shqiptarë  Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri.

Në qytetin tij  Vlora, Ismail Qemali  ka pasur vetëm dy buste të cilat nuk kanë pasur ndonjë shkëlqim artistik apo ndonjë realizim të arrirë. Busti i tij vendosur në një shkollë 9 vjeçare  edhe sot mbanë emrin etj në Vlorë ,si dhe busti në bronz i vendosur përpara universitetit të Vlorës ku edhe ky institucion mbanë emrin e tij.

Monument i skulptorit Zeqir Alizoti,do të jetë i pari ku figura e patriot të shquar të përjetësohet në një monument të vetën në sheshin e Skelës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë kombëtare . Lidhja që krijohet këtu është edhe historike. 7 metra  .Shtatorja, e Plakut të Vlorës  ka një piedestal prej 2.7 metrash dhe pjesa tjetër e trupit të Ismail Qemalit  është 4.2 metra.

Ja një fakt të  përmendur për këtë rast:Petro Luarasi shkruan kështu tek komentet e gazetës Panorama:përgatitjen e librit : “Ismail Qemali” – Përmbledhje dokumentesh 1838 – 1919., Tiranë 1982) ..se libri i pare biografik për Ismail Qemalin është botuar në Shqipëri nga Skënder Luarasi në vitin 1962, pas peripecish 10 vjeçare dhe censurimit të mbi 40 faqeve. Regjisori i shquar Viktor Gjika në artikullin “Kur ëndrra bëhet film” ( gjendet ne internet ne) shkruan se si lindi ideja e krijimit të filmit artistik “Nëntori  i Dytë” (i shfaqur me 1982) kushtuar Pavarësisë, këtij evenimenti madhor të historisë sonë. “Angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedent. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tablo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për çudi, edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi

                                  4.

Në njëzet vjet e demokracisë shqiptare  shikimi për figurën e Ismail Qemalit ka qenë por jo në atë masë dhe nivel që duhet .Harresa e të gjithë pushteteve të mëparshëm për figurën e tij në institucionet e shtetit shqiptar mund të cilësohet një harresë pse jo edhe e qëllimshme. Shtetarët e vegjël mendonin se me veprat e tyre ja kishin kaluar edhe Ismail Qemalit, mirëpo jo vetëm që u gabuam por këtë  e kanë kuptuar të gjithë kur  janë rrëzuar nga pushteti.

Emrat e tyre i përpiu harresa        sepse ata si të gjithë shtetarët  dhe vdekatarët janë të përkohshëm në punesat e tyre. Ku emri dhe vepra e plakut të Vlorës dhe ku emri dhe vepra e këtyre shtetarëve të këtyre 100 vjetëve. Emri  i  plakut të Vlorës është në të gjithë fjalët dhe lakimet shqipe kudo ku ndodhen shqiptaret .Ai është i pranishëm në të gjithë zemrat, që rrahin shqip. Për ta kuptuar këtë besojmë ti rikthehemi 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku milionat e shqiptarëve në Vlorë, Shqipëri e kudo thirrën emrin e tij dhe krenoheshin me veprën e tij. Kështu, që nuk mund ti mungonte institucioneve të shtetit, portreti i tij.

 

*Master. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ati i Pavaresise, Gezim Llojdia, harresa, Ismail Qemali

SFIDAT E GJUHËS SHQIPE NË ÇAMËRI PËRBALLË GODITJES DHE HARRESËS

November 13, 2012 by dgreca

Nga Namik Selmani/

Gjuha shqipe ka qenë dhe mbetet edhe tani, në shekullin XXI si një nga ngërçet më të mëdha midis shtetit grek e popullsisë shqiptare që e ka përdorur dhe e përdor atë, qoftë në kufirin e saj administrativ, qoftë edhe për atë masë shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që dikur jetonin fizikisht në territorin administrativ të këtij shteti dhe që në vitet 40 të shekullit të kaluar u dëbuan me forcën e bajonetës, me plumbat e armëve dhe me pishtarët zjarrvënës e djegur drejt shtëpive, oxhaqeve, ullinjve, objekteve të kultit islam, të pronave të tyre stërgjyshore për t’i dëbuar më tej drejt kufirit administrativ të shtetit shqiptar. Marrëdhëniet e gjuhëshkruesve dhe gjuhëfolësve shqiptarë me shtetin grek nuk kanë qenë probleme thjesht gjuhësore ose më thjesht teknike, por që kanë buruar nga një politikë e qartë spastruese, nacionaliste, ndaj asaj popullsie myslimane apo edhe të krishtere për të mos e ushtruar asnjëherë lirisht mësimin e gjuhës amtare shqipe në fshatrat e qytetet e Çamërisë duke gjetur sa e sa arsye absurde për ta bërë një gjë të tillë që bie në kundërshtim me sa e sa ligje ndërkombëtare të asaj kohe, por edhe të atyre që sot Greqia i ka firmosur në disa Konventa Ndërkombëtare.

Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare që në hapat e parë të aktivitetit të tij kulturor e ka patur në qendër të vemendjes këtë problem. Kuptohet me gjendjen që është krijuar në këtë krahinë me një popullsi myslimane, të dëbuar me forcë që para më se 67 viteve dhe, me një popullsi ortodokse që është greqizuar edhe më shumë me atë moto absurde që ka qenë e vazhdueshme se “çdo ortodoks është grek” është me shumë pikëpyetje, me shumë udhëkryqe.

Para se të trajtojmë me hollësi të gjithë dukuritë dhe problematikën shumë të ndërlikuar të gjuhës shqipe në Greqi ia vlen që shkurt të tregojmë për origjinën e gjuhës shqipe dhe për vendin që ajo ka zënë dhe zë ende në komunikimin gjuhësor të kombeve në Ballkan.

Duke e parë si problem politik duhet thënë pak se cila është origjina e shqipes në krahasim me gjuhët e Ballkanit e sidomos me atë greke. Për këtë na vijnë në ndihmë shumë albanologë shqiptarë, por sidomos të huaj, duke përfshirë këtu edhe vetë studiuesët grekë të shekujve të kaluar

Gjuha shqipe që flasin çamët, sipas albanologut danez Pedersen, është një nga dialektet më të pastra të shqipes. Enciklopedia e Madhe greke e botuar më 1923, jep këto karakteristika për çamët: “Çamët janë shtatlartë, flokëzinj, të shkathët, luftëtarë, të zgjuar, krijues, të besës dhe shumë besimtarë në fenë e tyre islame. “

Çamët ishin të shpërndarë edhe në vise të tjera të Greqisë veriperëndimore, jashtë kufijve që përmendëm më lart. Më herët poeti ynë kombëtar do ta vlerësonte me një himnizim të dukshëm për gjuhën që është përdorur në Çamëri me vargjet lapidarë të poemës së tij “Bagëti e bujqësi” “Dallandyshe bukuroshe që thua milëra fjalë/ Eni vjen pej Çamërie/me këtë gluhë Perëndie

Mes studiuesve të shumtë që merren me këtë gjuhë do të veçonim një studiues të përmasave evropiane që edhe sot vazhdon të na befasojë me studimet e tij për këtë gjuhë. Para pak kohësh mes shumë librave shkencorë të fushës së gjuhësisë dhe historisë, ai botoi librin për historinë e sankrishtes si pararendësja e gjuhës së ilirëve. Është ndër librat e pakët që bëhet për këtë gjuhë të lashtë e që vërteton edhe origjinën e gjuhës shqipe të Çamërisë nga gurra e madhe e gjuhësisë ballkanike. Quhet Niko Stillo

Profesor Niko Stillo është çam ortodoks që jeton në Gjermani. Ka lindur në një fshat të Prevezës (Greqi). Është larguar në moshën 20 vjeçare nga Greqia dhe ka shkuar në Itali, ku ka kryer studimet për statistikë. Më pas ka jetuar në Gjermani ku ka kryer studimet për Pedagogji dhe Ekonomi. Ka “mbetur” në Gjermani ku është marrë me gjuhën e vjetër shqipe, me shkrimet e vjetra në shqip dhe me Etruskologjinë. Ai hedh mendimin se në Greqi sot jetojnë rreth 70 000 shqiptarë çamë këta janë të grumbulluar kryesisht në dy prefektura, ajo e Thesprotisë dhe ajo e Prevezës. Çamëria është më e madhe. Në Thesproti janë 35 mijë shqiptarë kristianë ortodoksë dhe myslimanë. Preveza ka 30 mijë shqiptarë. Në total përafërsisht 70 mijë shqiptar të Çamërisë.
Teza e tij që ai e mbron edhe shkencërisht është se gjuha shqipe është nga të parat në Mesdhe. Kjo ishte një nga gjuhët e para dhe të gjitha mbishkrimet e gjetura etruske ishin të shkruar në gjuhën shqipe.
Ai mendon se etruskët ishin një pjesë e gjuhës shqipe. Po ta shohim sot një copë nga ai vend thonë Toskanë që janë etruskët. Toskë kemi dhe në Shqipëri. Toskanë do të thotë anë e toskëve.
Ai ka bërë një libër për historinë e Shën Arvanitasve, të cilin e ka nxjerrë para disa viteve Ministria e Kulturës së Kosovës në Universitetin e Prishtinës. Ky libër ka një tekst nga një mumje që është sot në Zagreb, e cila kishte brenda saj një tekst me 12 faqe i cili ishte i shkruar i gjithi në gjuhën shqipe. Kush kupton çamërisht, e kupton perfekt pasi është gjuhë çame.

Ai hedh me shumë të drejtë mendimin që, s’i thotë edhe vetë, përkrahet nga një numër i madh intelektualësh dhe njerëzish të thjeshtë se sa më parë duhet të hapen shkolla shqipe në zonat ku ka një popullsi të tillë që do të ishte edhe një shprehje e qartë e reciprocitetit të dy shteteve, një normë sa morale aq edhe juridike apo edhe politike në kohët që po jetojmë ku vihen shumë firma në letra traktatesh, por jo gjithmonë bëhen realitet në praktikë. A do ta pranonte shteti grek hapjen e shkollave në shqip? A do t`i ndiqnin këto shkola apo nuk janë të dëshirueshme për nxënësit e vegjël e të rritur?
Për shkollat është një problem gjuha shqipe në programin mësimor, ashtu siç hyn gjuha e huaj. domosdoshmërisht duhet të futet edhe shqipja në ato vende ku ka shqiptarë. Para Niko Stillos prejardhjen e gjuhës shqipe e ka bërë shumë mirë një nga personalitet më të spikatur të kulturës arvanitase me një vepër kaq madhore që quhet “Fjalori i Marko Boçarit”. Në fjalorin e Marko Boçarit janë nxjerrë shumë fjalë që i gjen në çamërisht. Shumë fjalë në fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe dhe shumë fjalë të tjera nga fjalorë të tjerë.

Për këtë botim kanë shkruajtur shumë akademikë shqiptarë e të huaj dhe kanë vlerësuar për seriozitetin shkencor të tij
Natyrisht tezën e prejardhjes së gjuhës greke nga gjuha shqipe nuk e pranojnë qarqet greke, por kjo është e vërtetë.

Një tjetër studiues i gjuhës shqipe në Çamëri Jani Sharra shkruan në një nga veprat e tij: “Gjuha e folur në Kastrizë ishte shqipja gjuhë, e cila trashëgohej deri në 10-vjeçarin e viteve 1940-1950. Kjo gjuhë trashëgohej nga njëri brez në tjetrin dhe sado që përdorimi i saj ka keqtingulluar, ende flitet edhe në ditët në vijim. Për gjuhë të shkruar përdornin greqishten, të cilën e flisnin një pakicë dhe e shkruanin edhe ca më të pakët. Ata dalloheshin për mungesën e gramatikës, të rregullave sintaksore dhe të drejtshqiptimit. Madje herë pas here përdornin fjalë shqipe, gjë që duket në dorëshkrime e testamente e pohuar edhe nga Panajotidhi. Porse edhe në gjuhën e folur shqipe ishin futur shumë fjalë greqisht si dëshmohet jo vetëm nga përdorimi i tyre deri më sot, por edhe nga vendemërtimet, këngët, urimet përrallat, të cilat trashëgimia popullore i ruajti ashtu si i mori nga thellësia e shekujve” Nëse do të bënim një koment të shkurtër të kësaj thënieje do të thonim se Kastriza, për të cilën flet ky studiues, ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite një lloj simboli i problematikës i evoluimit dhe i të ardhmes së gjuhës shqipe në Greqi Një qëndrim i tillë nuk është vetëm gjuhësor, por edhe si pjesë e politikës së tyre të brendshme e të jashtme, ishte shqiptuar edhe më parë me popullsinë arvanitase që edhe sot pas qindra vitesh e ka ruajtur gjuhën shqipe me shumë dashuri si shenjë e identitetit të tyre kombëtar, edhe pse para kishin një administratë që përherë e ka penguar një gjë të tillë dhe e ka goditur me të gjitha mënyrat e mundshme.

Që kur popullsia e pjesës më të madhe të Çamërisë u përfshi në territorin administrativ të Greqisë, politikanët e këtij shteti e kishin projektuar prej kohësh idenë famëkeqe të MEGALIDHESË dhe bënë të gjithë përpjekjet diplomatike, ushtarake, kulturore që të zhduknin identitetin kulturor të kësaj popullsie ka filluar edhe për presionin e madh ushtarak, kulturor që ajo ushtronte në këtë zonë.

Në Çamëri, për shkak të rrethanave gjithmonë tejet të vështira, mund të flitet për shkrimkëndimin shqip dhe jo për shkollën shqipe. Shteti osmano-turk, më parë, dhe shteti grek, më pas, nuk lejuan asnjëherë që shkolla shqipe në Çamëri të ishte një institucion i vërtetë zyrtar, i mbajtur dhe i mbrojtur prej tyre. Përkundrazi, edhe kur formalisht e lejonte ligji, praktikisht mësimi dhe shkolla shqipe pengohej dhe ndalohej me mënyra nga më të ndryshmet. Edhe kur hapeshin me stërmundime ekonomike dhe sakrifica jetësh, herë ndaleshin në hapat e parë, dhe, herë të tjera, mbylleshin fare, pa arritur në ndonjë sistem arsimor, pak a shumë të rregullt dhe të plotë. Për këto arsye, arsimimi kombëtar në Çamëri, kryesisht, ka qenë për të mësuar shkrim-këndimin shqip, dhe, pak e rrallë, për të marrë dituritë në gjuhën amtare.

Edhe sot e kësaj dite të gjithë biografët e arsimit shqip në Çamëri kujtojnë ditën e parë të shkollës së parë shqipe më 1908 që ishte vërtet një festë e bukur, por që nuk do të ishte kaq e bukur vazhdimi i saj. Shumë e shumë pengesa të panumërta do t’i dilnin asaj në këto vite. Më 25 gusht 1908, në qytetin e Filatit, u hap shkolla e parë shqipe në Çamëri. Në telegramin, e botuar te gazeta “Liria”, shkruhet: “Me gas të madh u apim sihariqin se sot çelëm me shumë lavdi një shkollë shqipe dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht.
Mësuesi i shkollës së parë shqipe të Filatit ishte Musa Demi, figurë e shquar e historisë kombëtare. Një ish nxënës i kësaj shkolle e ka përshkruar, kështu, ditën e parë të mësimit shqip: “Në oborrin e shtëpisë ishin mbledhur shumë banorë të qytetit dhe nga fshatrat përreth, përfaqësues të administratës turke. Hymë në një nga dhomat e shtëpisë që ishte caktuar për klasë mësimi. Nuk kishte as banga dhe as dërrasë të zezë. Ne u ulëm nëpër disa çilte që ishin shtruar rreth e rrotull dhomës. Në faqen e murit ishte vendosur një flamur i vogël me shqiponjën me dy krerë në mes.
Është flamuri ynë, na tha mësuesi Musa Demi, dhe e lëmonte me kujdes. Ishim gjithësej 25-30 nxënës ditën e parë të shkollës. Musa Demi na shpërndau Abetaret dhe na tha se me atë do të mësonim të shkruanim dhe të lexonim shqip ( H. Isufi Musa Demi dhe qëndresa çame 1800- 1947, faqe 32-33). Shkolla shqipe u hapën edhe në qytetet e tjera: Paramithi, Prevezë, Margëllëç, Konispol si dhe në fshatrat: Mazrek, Koskë, Janjar, Lopës, etj.”

Çamëria gjatë gjithë historisë, deri në Traktatin e Londrës (1913) ka qenë pjesë përbërëse natyrore e hapësirës shqiptare, prandaj të gjitha proceset historike,shoqërore dhe kulturore kanë patur po atë ecuri dhe po ato karakteristika dalluese, që kanë patur edhe në trevat e tjera shqiptare. Kështu, edhe zanafilla dhe përhapja e shkrim-këndimit dhe e shkollës shqipe në Çamëri kanë qenë pjesë përbërëse e atij procesi të gjerë që përftoi shkollën shqipe në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe të përpjekjeve për pavarësi. Një kahje tjetër, përgjithësisht, rrënuese, morën proceset historike, shoqërore dhe kulturore në Çamëri, pasi kjo krahinë shqiptare u përfshi në shtetin grek pa asnjë të drejtë të identitetit politik, kulturor dhe arësimor.

Megjithatë, përpjekjet si për shkrim-këndimin, ashtu edhe për shkollën shqipe kanë qenë të vazhdueshme, të mundimshme gjer në sakrificë dhe vetëmohim. Përhapja e shkrim-këndimit dhe e shkollës shqipe në Çamëri, gjatë Rilindjes Kombëtare, hasi në të njëjtat pengesa e vështirësi, dhe, po ashtu, pati të njëjtën ecuri e mbarëvajtje, të paktën, si në krejt Shqipërinë e Jugut. Përballë popllisë shqiptare të Çamërisë ishte një shtet i organizuar që e pengonte me shume mjete këtë gjë duke e kuptuar në praktikë rolin e madh të zgjimit të kombit shqiptar.

Janë me dhjetra e dhjetra fakte që dalin nga arkivi dhe kujtesa e njerëzve bashkëkohës për atë goditje të madhe që i bëhej gjuhës shqipe në Çamëri. Në librin e botuar nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Shqipërisë me titull “Dokumenta për Çamërinë“ mund të gjesh shumë burime që e vërtetojnë një gjë të tillë. Në të ka letërkëmbime diplomatike, ka kërkesa fshatarësh, kronika të kohës, kërkesa për t’u dhënë ndihmë ekonomike mësuesve nga Mbretëria shqiptare, raporte për vështirësitë e mësimit të gjuhës në fshatra të veçanta apo edhe në mbarë kraihnën e Çamërisë, informacione që vinin nga terreni i fshatrave çame, protesta, detaje të spikatur njerëzore që tregojnë qendresën e çamëve për të mbajtur të gjallë gjuhën e brezave të tyre.

Nëse do ta quanim një betejë mësimin e gjuhës shqipe, ajo kishte në këtë periudhë tre fronte njëherësh. Në njërën anë ishin përpjekjet e kërkesat e vazhdueshme të popullsisë autoktone çame për t’i kërkuar qeverisë greke hapjen e shkollave të mirëfillta shqipe në qytetet e fshatrat e Çamërisë. Në anën tjetër ishin përpjekjet e qeverisë shqiptare që brenda mundësive të saj diplomatike, politike të ndihmonte për zgjidhjen e këtij problemi.

Në një anë tjetër ishte edhe faktori ndërkombëtar që po bëhej përherë e më tepër shtysë për këtë problem

Që pas viteve 1912 –1914 qeveria greke nisi përpjekjet për shkombëtarizimin e këtyre trojeve Në arkivat e kohës të bie në sy një nga deklaratat që përmendej shpesh kur çamët bënin kërkesat e tyre për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën shqipe ‘Në qoftë se doni të mësoni shqip shkoni gjetkë se këtu s’keni vend! Kjo deklaratë kaq antikombëtare përmendëte më zë të lartë nga qeveritarët grekë të të gjithë shkallëve në të gjitha fshatrat e qytetet e krahinës së Çamërisë.

Në datën 27 shkurt 1936 rreth 80 burra të popullsisë myslimane të qytetit të Filatit i dërgojnë një letër kërkesë Kryetarit të qeverisë greke në Athinë. Një kërkesë normale për statusin e shtetasit grek, por e pajustifikueshme për qeveritarët grekë që e shihnin me syrin e njerkës çdo kërkesë të popullsisë shqiptare.Ndërmjet të tjerash ata shkruanin në letër“……paraqesim lutjen e nxehtë që e ndërshmja Qeveri të na lejojë çeljen e shkollave shqiptare private,shpenzimet të mbajtjes së të cilave do të rëndojnë (mbi neve) dhe të cilat shkolla do të jenë në kontrollin e shtetit….” Një kërkesë sa njerëzore aq edhe e thjeshtë për t’u realizuar.

Jo thjesht për rastësi, por disa ditë më vonë Konsulli i Legatës Mbretërore Shqiptare në Athinë z.Xhaferr Vila, i drejtohet Ministrit të punëve të Jashtme në Tiranë se po përpiqej pranë qeverisë greke për çeljen e shkollave shqipe në mbarë Çamërinë.

Kërkesa e fshatarëve dhe e Konsullit qarkullonte nga njëra zyrë e qeverisë greke në tjetrën duke u bashkuar me dhjetra e dhjetra kërkesa të çamëve të Paramithisë, të Margëllëçit, të Arpicës që kishin të njëjtin qëllim. Heshtja e zvarritja ndiqnin njëra tjetrën. Mesazhi ishte i qartë. Në kushtet e kësaj heshtjeje të plotë e të një sabotimi të qartë të mësimdhënies së gjuhës shqipe qeveria greke nuk merrte përsipër që të hapte jo vetëm shkolla shtetërore në krahina etnikisht të pastra shqipfolëse, por ajo nuk jepte miratimin edhe aherë kur këto shkolla do të mbaheshin krejtësisht me të ardhurat e popullsisë vendase.

Si për ironi të kësaj gjendjeje aspak të favorshme për shqiptarët çamë, nga burimet diplomatike të kohës merret vesh se Despoti i Janinës Spiridoni nga vajtjeardhjet e tij të shpeshta në Athinë kishte siguruar një fond të konsiderueshëm për të hapur në Manastirin Velev në kodrat e Kalbaqit, shumë afër kufirit shqiptar dy shkolla normale me të gjitha mjetet e duhura si orendi, kushte për fjetje, bursa të plota për nxënësit, etj. Nxënësit e tyre vinin nga shkollat greqishtfolëse të Shqipërisë së Jugut.

Ishin vitet kur vazhdonin me shpejtësi përpjekjet politike e diplomatike për të larguar me të gjitha mënyrat këtë popullsi autoktone nga trojet e saj. Ishte koha kur vazhdonin me shpejtësi shpronësimet për një shumë qesharake vetëm e vetëm për ta varfëruar krahinën e Çamërisë e pastaj ata të mos e kishin si një problem të parë hapjen e përhapjen e shkollave shqipe. Në trevat çame ende ishte në fuqi Traktati i Lozanës që detyronte shkëmbimin e popullsisë mysline për në Turqi.

Në vitet 30 në Paramithi, Filat, Margëllëç e Gumenicë nxitej e përsëritej një ritual tepër poshtërues në lokalet ku ishin pronarë grekët. Kur hynte ndonjë klient i ri çam para se të merrte porosinë, kamarjeri grek në mënyrë tepër cinike, e pyeste në se kishte para që të paguante kafenë që do të pinte. Përballë këtyre kërkesave sa normale aq dhe të domosdoshme urrejtja dhe dinakëria greke nxirrte nga arkivi i saj forma të drejtpërdrejta apo dhe të stërholluara për të mbytur me çdo kusht zërin çam në mbrojtje të gjuhës shqipe.

Në muajin maj 1936 rrihet rëndë Sulejman Taka nga Galbaqi e Shuko Tare me dy djemtë e tij, sepse kërkuan të hapej shkolla shqipe në Picar. Në Kalbaq rrihen masivisht mjaft fshatarë, sepse kanë shprehur ndjenja kombëtare shqiptare. Ndërkohë propoganda e qeverisë greke nxitonte që të shprehej se “ata që duan shkolla shqipe janë njerëz intrigantë që duan të prishin vendin…” Kjo u vazhdua me një shpifje se gjoja “shqiptarët e Çamërisë armatosen për të bërë kryengritje”

Fletoret shqiptare të kohës “Besa”,Vatra” e ‘Arbëria” në vitin 1936 e më tej iu desh të bënin mjaft shkrime për të hedhur dritë në këto përpjekje dashakeqe të qeverisë e qarqeve antikombëtare greke si dhe të të një pjese të konsiderushme të shtypit grek. Për fat të keq këto mendime përforcoheshin drejpërdrejt edhe nga Kryeministri grek i kohës. Një vendim i tillë i jepte dorë kontrolleve e bastisjeve të shumta që bëheshin në familjet e patriotëve të shquar ku dyshohej se kishin libra,gazeta në gjuhën shqipe. Kjo gjë ndodhi në muajin shtator 1936 në Paramithi ku pas kontrollit u gjetën mjaft libra shqip që u dogjën

Një mënyrë tjetër që përdorej për të mos lejuar në asnjë mënyrë hapjen e shkollave shqipe ishte argumenti i reciprocitetit të këtij problemi me qeverinë shqiptare. Kështu nga një dokument arkival i kohës mësojmë se shkollat shqipe në Çamëri do të hapeshin po qe se do të hapeshin shkolla greke në Himarë e gjetkë. Kjo ishte vërtet absurde se shkolla greke funksiononte prej vitesh në këtë qytet .

Kur zyrtarët shqiptarë ia kërkonin këtë gjë kryeministrit grek Metaksa, ai thoshte se “….kemi vështirësi financiare për hapjen e shkollave..”Ishte e qartë, fare e qartë. Popullsia autoktone çame krahas shpronësimit, krahas përjashtimit masiv nga administrata publike i ndalohej të mësonte shqip. Nëse presioni i madh i popullsisë vendase dhe ai i qeverisë shqiptare e bënte në ndonjë rast punën e tij, qeveria greke e gjente shtigje të tjerë dinakërie. Caktonte në mënyrë arbitrare mësues të paaftë që nuk kishin mbaruar studimet për gjuhën amtare dhe që shtyheshin që të thonin se gjoja ‘çamët hiqnin dorë vullnetarisht nga mësimi i gjuhës shqipe e donin vetëm gjuhën greke”.

Një gjë e tillë u bë edhe objekt i një Promemorieje të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 2 prill 1936. Duke marrë shkas nga emërimi i 5 mësuesve shtetas shqiptarë grekofonë në 5 fshatra të Çamërisë ky këshill“vendosi që Përfaqësitë tona në Greqi të bëjnë demarshe me qëllim që të emërohen si mësues të gjuhës shqipe ndër shkollat e Çamërisë shqiptarët prej race, gjuhe e origjine…”

Me gjithë punën e makinës propogandistike e shtetërore greke familjet e përhapnin gjuhën fshehurazi me abetare të ardhura nga Shqipëria. Kudo në dasma, familje, kuvende flitej shqip e vetëm shqip.

Mungesa e shkollave shqipe në krahinën e Çamërisë që më 1913 e deri më 1944 kur edhe u bë dëbimi me forcë i popullsisë myslimane dhe shtetit grek e bënte shumë më të lehtë greqizimin e kësaj krahine duke e njësuar popullsinë me besimin ortodoks të kësaj zone me kombësinë greke janë bërë mjaft përpjekje nga ana e shtetit shqiptar apo edhe të vetë përfaqësuesve të fshatrave e qyteteve me popullsinë çame për të patur arsimin në gjuhën shqipe në këtë krahinë. Ky nivel shkollimi që ishte përherë në kuotën zero është pranuar edhe nga vetë kryeministri Venizollos në Lidhjen e Kombeve në vitin 1925 kur ai pranon se nuk ka shkolla të minoritetit në Greqi.

Mbas përfundimit të luftës greko – turke u nënshkrua marrëveshja e Lozanës më 1922, që parashikonte këmbimin e minoritetit turk në Greqi, me grekët e Azisë së Vogël. Qeveria greke me paturpësinë më të madhe i quante çamët muslimanë minoritet turk, duke iu mohuar kështu identitetin kombëtar shqiptar. Çamët refuzuan të bëhen plaçkë tregu në këtë pazar të ndyrë. Duke hasur në kundërshtimin energjik të tyre qeveritarët grekë vunë në përdorim thikën dhe dhrahminë. Të ndjekur me armë dhe me mashtrime, shpërngulën me lot në sy nga vatrat e tyre rreth 30000 çamër. Ata u vendosën në Anadoll, e sidomos në krahinën e Izmirit. Çamët, që mbetën brenda kufijve të mbretërisë greke, iu nënshtruan represioneve të panumërta. Kjo shtypje mori përmasa të pakrahasueshme kur më 1936, në krye të shtetit grek u vendos diktatori Joan Metaksai. Në këtë kohë në Çamëri filloi një proces i egër helenizmi.

Filloi zëvendësimi i emrave të katundeve me emra greke. Kështu p.sh. katundi i Varfaj u quajt Parapatamo, Arpica u quajt Perdhika, Picari u quajt Aites, Spatari –Trikos ( trikoryfo ) etj. Vështirë që të gjesh një ndërrim të tillë kaq masiv të emrave të fshatrave dhe të vendbanimeve të tjera vetëm e vetëm se ato ishin shqiptare. U ndërruan dhe emrat e lumenjve, fushave, maleve dhe çdo gjë që mbante emra shqip u zëvendësua me fjalë greke. U ndalua mësimi i fesë islame nëpër mejtepe dhe medrese. U ndalua komunikimi në gjuhën shqipe në gjykata, në ushtri dhe në zyrat qeveritare. U vendosën taksa shumë të larta dhe ua morën një pjesë të pasurisë së patundëshme. Nga kisha greke, predikohej hapur se ata çamër që do të konvertoheshin në ortodoksë do gëzonin të gjitha të drejtat dhe do të përjashtoheshin nga taksat. Një nga mjetet më te fuqshme që ndihmoi në këtë shkombëtarizim ishte edhe mohimi i gjuhë amtare që çamët flisnin në trojet tyre stërgjyshore që kur kishin nisur jetën e tyre Unë do shtoja disa toponime qe edhe sot thirren si para 67 vjeteve si Plazhi Prapa Mali, Lagja Shkallë në Margëllëç, Burimi i Arapit etj.

Në vitin 1936 në bazë të marrëveshjeve dypalëshe mes shtetit grek e atij shqiptar të dyja palët detyroheshin që të realizonin në praktikë parimin e reciprocitetit që përfshinte shumë e shumë detyrime mes palëve. Janë me dhjetra e dhjetra akte që vërtetojnë se shteti grek asnjëherë nuk i respektoi këto detyrime po me një brutalitet diplomatik dhe me manovra të fshehta kërkonte që të zvarriste sa më shumë në kohë e në zbatimin këtë zbatim marrëveshje. Janë me dhjetra dokumenta të arkivit historik e atij diplomatik të asaj kohe që e vërtetojnë këtë gjë.

Nuk është aspak çudi që nëpër arkivat e shtypit evropian në vitet 20-20 të shohim gazetat angleze, franceze, greke që merreshin me problemet e gjuhës shqipe në Çamëri. Që më 1928 kur pushteti grek ishte bërë shumë i pranishëm në këtë krahinë gazeta angleze “The Times” shkruan një artikull me titull “Dielli nuk mbulohet me shoshë” ku shkruhet për shkeljen e të drejtave të njeriut për gjuhën shqipe në Krahinë. Një letër e dërguar nga Filati në Londër përmend ndër të tjera “Arsimi?” është një fjalë e thatë, e cila në veshët e pakicës shqiptare të Çamërisë tingëllon ëndërr. Nuk lejohet çelja e asnjë shkollë shqipe. Pakica shqiptare është e detyruar të vazhdojë jetën e saj nën errësirën e maskës së“qytetërimit grek”. Për të mos u zgjatur në dhjetra e dhjetra shkrime korrespondenca, kërkesa, ankesa për këtë plagë që kullonte dhimbje.

Duke u trajtuar si pjesa më e dhimbshme e arsimt tonë kombëtar u bënë përpkejkej që të bëhej një ndihmë me madhe duke u hapur një konvikt në Sarandë.

Përballë këtyre pengesave të pakapërcyeshme, për të ndihmuar, sadopak, arsimimin në gjuhën amtare, shteti shqiptar kishte hapur në Sarandë, nga fundi i viteve 20-të të shekullit XX, konviktin “Çamëria”, me afro 100 nxënës, që vinin, kryesisht, nga ajo trevë. Shumica e mësuesve të lartpërmendur, si edhe dhjetra mësues të tjerë familjarë, që u mësonin vetiakisht të tjerëve shkrim-këndimin shqip, kishin kryer, pikërisht, shkollën e konviktit “Çamëria”në Sarandë. E tillë, ndriçuese, por edhe sakrifikuese dhe e dhimbshme ka qenë historia e shkrim-këndimit shqip, në Çamëri, sikurse ka qenë edhe fati i vet popullatës së saj. Ajo, natyrisht, është pjesë përbërëse e historisë së arësimit kombëtar, në të cilën është edhe ndihmesa e vyer e të gjithë atyre që e përhapën me përkushtim, sidomos në atë trevë të martirizuar për qenien shqiptare.

Duke e parë në vështrimin politik vërtet çuditesh se si ka mundësi që sot shteti ynë që ka mundësi më të mëdha financiare, diplomatike dhe një numër të madh nenesh të të drejtave të Njeriut të mos bëhet më shumë.

Në 19 janar të vitit 1936 Xhemil Frashëri, kryekonsulli shqiptar në Janinë, i drejtonte një letër Fuat Asllanit që në atë kohë ishte Ministër i Punëve të Jashtme në Tiranë. Në zyrë një ditë më parë i ishte paraqitur një mësues i moshuar shqiptar i quajtur Spiro Iliadhi nga Dhërmiu i Himarës. Që prej 4 vjetesh ai ishte shumë i sëmurë dhe ishte në pension. Ai i kishte treguar konsullit se e kishin thirrur që të jepte mësimin e gjuhës shqipe në Çamëri. Natyrisht ai e kishte pritur me një gëzim shumë të madh me një pyetje retorike:“E cili mësues i Jugut të Shqipërisë nuk do të donte të ishte mësues i gjuhës shqipe në Çamëri?”

Duke biseduar më një ish nxënës çamë të atyre viteve në Greqi nga krahina e Çamërisë, u tmerrova kur më thoshte për mësimet në shkollën greke të fshatit Vërselë na vjen një fakt tronditës. Mësimi i çdo dite nuk niste me përshëndetjen e zakonshme, por me një pyetje që godiste si me sëpatë në psikologjinë e fëmijëve të vegjël: “Kush ka folur shqip nga ju dje???” Një cinizëm që nuk kërkon koment!!!

***

Duke bërë një lloj përfundimi nga ky studim do ta themi se problemi i gjuhës shqipe në Greqi vazhdon që të jetë kompleks paksa edhe i vështirë. Në zgjidhjen e tij përfshihen disa faktorë që kanë rëndësinë dhe vlerën e duhur, por që në tërësi formojnë atë ngërç që duhet zgjidhur sa më parë, sepse bëhet fjalë për identitetin tonë kombëtar. Një identitet që është po kaq i rëndësishëm edhe për ekzistencën e kombit tonë në vitet e shekujt që do të vijnë më tej. Brenda kësaj problematike janë natyrshëm edhe sugjerimet organizative për zgjidhjen e tyre po aq sa janë edhe detyrat e secilit prej nesh për të.

Së pari, edhe pse në pamje të parë, kemi të bëjmë me një problem kulturor, gjuhësor apo edhe teknik, kjo është një fushë me probleme të ndryshme që janë në varësinë ndërshtetërore. Midis shtetit grek e atij shqiptar duhet të vendosen Ura të tilla komunikimi që problemi i gjuhës shqipe në Greqi të ndërtohet mbi baza të forta të reciprocitetit. Vetë shteti shqiptar në Kushtetutën e tij në vitet e demokracisë dhe më tej Projektligjin arsimor për Arsimin Parauniversitar ndër të tjera thuhet: “Arsimi bazë synon që çdo nxënës të formohet me ndjenjën e atdhetarisë. Ligji i vë qeverisë organizimin e gjuhës amtare dhe të kulturës shqiptare për fëmijët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, në përputhje me standartet e konventave ndërkombëtare”

Komenti është i tepërt. Qeveria jonë fare mirë mund të kujdeset edhe për fëmijët shqiptarë të Australisë, të Kanadasë, të Gjermanisë, por kjo gjë është më konkrete, më e dukshme, më e detyrueshme për Greqinë e për Italinë ku fëmijët shqiptarë të emigracionit të ri tani janë bërë mbi 20 vjeç. Sa herë shteti ynë ka ngulur këmbë në institucionet e shtetit grek për ta bërë sa më shpejt e sa më mirë padyshim edhe sa më cilësisht mësimin e gjuhës amtare shqipe hapjen e shkollave jo në nivelin e kurseve gati si dikur “kurset e analfabetizmit”.

Së dyti, nëse shteti shqiptar nuk e bën si duhet këtë trysni diplomatike, tek shteti fqinj në një kohë që të drejta arsimore të minoritetit grek në Shqipëri megjithëse janë të standartit më të lartë evropian në ekonomi, në një arsim masiv dhe cilësor, për të hapur shkollat shqipe në Greqi. Sa nota diplomatikë janë bërë për këtë qëllim?. Sa interpelanca kanë bërë deputetët qofshin të pozitës apo të opozitës për këtë reciprocitet të domosdoshëm që duhet të ekzistojë për këtë qëllim? A ka një fond të caktuar të shtetit pë të dhënë sa më shumë libra literaturë të ndryshme në çdo kohë kësaj popullsie që duket se është bërë edhe viktimë e këtij indiferentizmi, për të mos thënë më shumë?

Nuk e dimë se ç’do të kishte bërë një shtet si Anglia, Franca, SHBA, po qe se do të kishte në një vend të caktuar jashtë kufijve të tij rreth 500 000 banorë të gjuhës së tyre për të kërkuar atë të drejtë universale që ka e duhet të ketë çdo komunitet emigrantësh në botë.

Së dyti, do të ngre këtu rolin e madh të intelektualëve shqiptarë këndej e matanë kufirit greko-shqiptar. Është shumë e vërtetë që ideatorët, ose më mirë idealistët e kanë dërguar më parë shoqërinë njerëzore, aq më tepër për një problem shumë të ndjeshëm si është gjuha amtare.

Në historinë e kombit tonë gjen shumë raste që shprehin sakrificën e patriotëve shqiptarë qoftë të fesë myslimane apo edhe të krishterë për të përhapur gjuhën shqipe ne trojet tona amtare në Greqi e që sot mbase mund të duken edhe të pabesueshme

Vetë shkollat e para shqiptare në Çamëri kanë qenë shembulli më i qartë i kësaj dashurie e në të njëjtën kohë i sakrificës së patriotëve të kohës për të përhapur gjuhën edhe kur ata s’kishin aleatë të tillë si shteti amë në financë, në kualifikimin arsimor të personelit mësimdhënës etj Sot mungon aksioni kombëtar për këtë gjë.

Po le ta lëmë një çast historinë. Në kohën që po jetojmë janë disa mësues emigrantë që, për hir të së ardhmes së fëmijëve të tyre, të fëmijëve të tjerë po bëjnë përpjekje për të siguruar ndonjë abetare, për të siguruar ndonjë mjedis ku fëmijët në ditët e pushimit të fundjavës të bëjnë diçka për këtë gjë. Megjithatë nuk është e vështirë që duket se intelektualët kanë një lloj pajtimi me gjendjen ose edhe një farë thyerjeje përballë kësaj harrese dhe goditjeje që i bëhet gjuhës amtare në të dy shtetet pavarësisht se me çfarë motivi bëhet.

Edhe pse shumë herë thuhet nën zë po duhet memduar edhe për një kërkesë për popullsinë ortodokse në Çamëri, në territorin e Thesprotisë duke u nisur nga kërkesat e vetë banorëve të kësaj zone. Ende atje nuk ka një organizim të saktë të qartë. Nuk është e vështirë që të kuptosh këtë gjë si një lloj hezitimi nga ndikimi negativ që bën shteti ndaj kësaj popullsie. Në librin “Niko Stillo” të Laurant Bicës tregohet për një aktor të njohur nga Tirana që kishte shkuar më gruan për mjekim në Janinë në vitin 1998 për të kuruar djalin e tyre të sëmurë. Në një moment të vëshirë për djalin e për vetë ata, dëgjuan infermjeren greke që iu foli shqip: “Mos u bëni merak për djalin se jam u!” Ata mbetën të pagojë. “Pse dini shqip ju?” – e kishte pyetur aktori.” “Po,-i ishte përgjigjur infermjerja,- po e kemi të ndaluar të flasim këtë gjuhë. Edhe u jam shqiptare e Janinës që jetoj kutu prej shumë vitesh“.

Kemi dëgjuar në këto vitet e fundit apo edhe në këto 20 vjet kur informacioni ka ardhur më shpejt e i pacensuruar se në radhën e protestave që bëhen në Greqi pak ka ose aspak të tilla që të ngrihen për të hapur shkolla shqipe si një e drejtë demokratike e secilit qytetar të një bote demokratike.

Kjo po bëhet në ditët tona në mënyrë shumë vullnetare. Në një mbledhje që u bë me një grup mësuesësh dhe drejtuesësh të mësuesve shqiptarë në Greqi, u vu re një gatishmëri, por edhe një pamundësi e tyre për të përballuar të gjitha problemet financiare që ka kjo punë në kohët që po jetojmë. Mjafton të përmendim disa mendime të tyre që të kuptojmë edhe problematikën e saj.

Është fjala për dërgimin e 1000 abetareve të gjuhës shqipe në Greqi e 500 librave të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve.

Jovan Mëhilli, kryetar i Grupit të Mësuesve Emigrantë në Greqi Jam një nga mësuesit mësimdhënës të shqipes (falas) në këtë vend fqinj, drejtues i Këshillit Pedagogjik të Mësuesve Emigrantë në Greqi. Nga sa keni dëgjuar nga televizionet dhe në shtyp (të cilët unë gjej rastin t’i përshëndes dhe t’i falenderoj), ne kemi trajtuar disa probleme për fëmijët tanë në Greqi. Të gjithë këta kanë shprehur dëshirën dhe vullnetit që të kontribojnë për fëmijët që patën fatin të shkojnë të vegjël ose të lindin atje dhe që duan të mësojnë gjuhën e nënës, gjuhën shqipe. Rreth 120 mijë fëmijë në Greqi po e humbasin këtë gjuhë. Jetmir Saliaj: I ri aktivist. Pasi u njohëm nga mediat për situatën e krijuar të emigrantëve në Greqi, fëmijët e të cilëve nuk mund të mësojnë këtë vit pasi nuk kanë libra, për të zhvilluar një vit shkollor, për mua ishte e pafalshme. Në këtë rast, nuk mund të qëndroj indiferent, pasi rreth 120 mijë nxënës shqiptarë nuk kanë se si të mësojnë shqip, për shkak se institucionet shtetërore në Greqi veprojnë në mënyrë antishqiptare. Kërkesat e Këshillit Pedagogjik të Mësuesve Shqiptarë në Greqi ishin për buxhetin e shtetit diçka qesharake, modeste, por të papërballueshme për xhepat e emigrantëve.
Sot unë kam kënaqësinë t’i afroj zotit Jovan Mëhilli si Kryetar i Këshillit 1000 abetare, dhe 500 libra të gjuhës shqipe, për vitin e parë të dytë dhe të tretë në mënyrë që shkollat shqipe në Greqi jo vetëm që të mos mbyllen, por falë punës të Këshillit Pedagogjik të zgjerohen sa më shumë të jetë e mundur. Çdo shqiptar është ndjerë i fyer ndaj rrezikut që i kanoset gjuhës shqipe dhe heshtjes së shtetit shqiptar. Shpresoj që vitet e ardhëshme të mos jetë më e nevojshme një situatë e tillë, pasi besoj se do të ndërgjegjësohen qytetarët e këtijë vendi por sidomos institucionet shtetërore që të bëjnë detyrën e tyre kushtetuese që shpesh e harrojnë, kur vjen fjala për të drejtat kombëtare shqiptare. Unë shpresoj që të bëj më shumë për emigrantët në vitet në vazhdim. Sot nuk është mirë që për fëmijët shqiptarë të diskutohet dhe të vihet në diskutim nëse duhet të mësojnë shqip apo jo. Jam thellësisht i indinjuar dhe shpresoj që të bëjmë të gjithë më shumë për emigrantët.Zhaneta Prenka mësuese në një nga shkollat në Tiranë:
E falenderoj zotin Jovan që i përkushtohet me kaq vlera dhe me kaq shumë rëndësi gjuhës së bukur shqipe. Unë jam mësuese dhe shikoj se kur vijnë fëmijë nga Greqia flasin shumë pak gjuhën shqipe nuk dinë që ta shkruajnë. Të gjitha këto janë realitet por e ndjej të domosdoshme që kur fëmijët na vijnë nga Greqia nga klasat e para vijnë me një moral shumë të rënduar, sepse përballen përpara fëmijëve që në arsimin parashkollor mësojnë më shumë. Ata e dinë që të gjithë alfabetin e gjuhës shqipe, por të dallojnë dhe të shkruajnë vetëm shkronjat e mëdha. Dhe të folurit e kanë të vështirë. Do të ishte mirë që edhe prindërve t’ua lehtësonim pak punën me fëmijët e tyre. Sepse që të shkollojnë fëmijët dhe të kthehen në atdhe duhen të humbin vendin e punës atje. Duke njohur realitetin ndërmjet mediave, punës të madhe që bëjnë prindërit, të cilët jetojnë në emigracion.
Unë si mësuese do të dhuroj nga 10 programe për secilën klasë për lëndën abetare dhe gjuhës shqipe.. Kjo është diçka e vogël, por mendoj se ka vlera.
Albert Zholi: Sot duhet t’u biem kambanave të alarmit. Afërsisht në 68 vende të botës janë rreth (1 324 000 emigrantë), 600 mijë fëmijë emigratësh të cilët pas 10 vjetësh do të duhet të kenë përkthyes në vendin e tyre. Ata do të jenë emigrantë në Shqipërinë e tyre. Mbi 50 % e fëmijëve shqiptarë janë në emigracion. Shqipëria po plaket, ndërsa familjet e reja shqiptare në emigracion po rionjnë vendet ku punojnë dhe jetojnë. Shtesa e familjeve shqiptare në emigracion është 2.1 fëmijë për familje kur në Itali është 1 fënijë për familje ndërsa në Greqi 1.1. Nismën që kanë marrë mësuesit e Athinës e mbështes duke dhuruar 120 libra nga 12 botimet e mia për të mbështetur nismën e mësuesve në emigracion. .
Jovan Mëhilli: Në emër të këshillit dhe në emër të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, ju drejtohem duke ju thënë shumë faleminderit të gjithëve për ndihmesën tuaj. Ai komb që investon për diturinë, nuk vdes kurrë. Unë po iki me një besim shumë të madh dhe e kam pasur këtë besim, sepse në Shqipëri ka burra zonja, të rinj dhe ato që do të na ndihmojnë në këtë nismë. Dua të theksoj se të rinjtë janë afruar shumë për të ndihmuar në këtë problem…

Nëse për arsye të ndryshme gjuha shqipe ka patur si bashkëudhëtare mbijetesën e saj, në Greqi ajo ka patur si pjesë të jetës edhe sfidën e goditjes më të rëndë. Nganjëherë edhe më të fortë se shkopinjtë që kanë rënë në troat e refugjatëve që kanë kaluar nga malet për të siguruar një punë dhe kafshatën e bukës. Përballë një të vërtete shumë të saktë, të njohur se shqipja është një gjuhë shumë e lashtë në kohët që jetojmë ajo në këtë vend ende nuk e ka gjetur vendin e merituar Me këtë rast duhet thënë me gojën plot se edhe organizatat joqeveritare të të Drejtave të Njeriut në të dy vendet respektive nuk e kanë bërë detyrën e tyre në drejtim të sensibilizimi të kësaj çështjeje aq delikate në jetën e një individi e të një shoqërie. Ka protesta për bllokimin e doganave për operacionet “Fshesa” për keqtrajtimet e emigrantëve, por nuk ka për këtë problem të mprehtë.

Ndoshta duhet kritikuar këtu edhe një ngathtësi apo një heshtje e pajustifikuar e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si një institucion që mbron vlerat kulturore e arsimore të qytetarëve shqiptarë në botë. Asnjë reagim nga Akademia si grup apo edhe si individë të veçantë për këtë problem.

Pikërisht këtu besoj se duhet të dalë edhe roli dhe përgjegjësia shumë e madhe e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare që e ka në pjesën më të rëndësishme të programit të tij këtë gjë. Nuk është vetëm shtrimi i problemeve që e shqetësojnë gjuhën tonë amtare në Greqi, por duhen dhënë edhe rrugët e zgjidhjes së saj që deri tani kanë qenë të mjegulluara ose nuk kanë ekzistuar fare.

Literatura për studimin e temës

1. Hoxha Ibrahim- “Enciklopedia jugshqiptare” ( Pjesa e parë dhe pjesa e dytë) Tiranë 2008, 2010

2. Dragoi Nuri. “Shqiptarët grekët” Tiranë , 2009

3. Meta Beqir- “Shqipëria dhe Greqia 1949-1990- Paqja e vështirë” Tiranë , 2004

4. Selmani. Namik –“Trokitje në Dodonë”-Tiranë 2006

5. Fjalori i Marko Boçarit” përgatitur nga Niko Stillo-2010, Tiranë

6. Hako. Hulusi. “ Ç’na mësojnë tekstet shkollore për kombin?” Tiranë , 2011

7. Lauraet Bica – Niko Stillo. – Tiranë

8. Dokumente për Çamërinë 1912-1939 (Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) Përgatitur nga Kaliopi Naska

9. Isufi Hajredin . “ Musa Demi” – Tiranë , 2006

Filed Under: Kulture Tagged With: Cameria, gjuha shqipe, harresa, namik Selmani, sfidat

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT