Nga Grigor Nosi/Nuk do të shkruaja për atë kohë të zezë, sepse tashmë arkitektët e Holokaustit Kuq jo vetëm që nuk u dënuan, por me mburrje drejtojnë jetën politike të vendit. Duke lexuar një shkrim për jetën e disidentit Klement Islami, thellë në shpirt më zgjoi zëri vajtues i një vajze të re nga Durrësi që më lutej, “Doktor do të ma prisni këmbën? Të lutem doktor shëromë se jam vajzë e re”!
Ishte viti 1977, kur unë u caktova të punoj në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit si mjek stazhjer. Spitali Kirurgjik sapo ishte ndërtuar dhe pranë tij ndodhej Spitali Psikiatrik i Elbasanit. Dy ndërtesat e mëdha ndaheshin nga njëra-tjetra me një hendek të cekët dhe aty-këtu me gardh të shembur për tokë. Për Spitalin Psikiatrik flitej nën zë se shërbente edhe si vend izolimi për individe të veçantë, kundërshtarë të regjimit. Fjalët kishin qarkulluar se mjekë të përzgjedhur nga sigurimi i shtetit abuzonin me dashje me këta pacientë që fati i kishte mbyllur pa dëshirën e tyre atje në atë ferr.
“Si ju quajnë”? e pyeta vajzën e re që qante me dënesë nga dhimbja. Me një zë, i cili dilte i fragmentuar dhe ngashërues më tha, “Zana, Zana Dhroso”. “Shtrije këmbën”! i thashë dhe fillova t’i prek gjurin e fryrë dhe të skuqur nga infeksioni. Sa herë që unë takoja në të, vajza kafshonte fort buzët e thara dhe të coptuara në mes nga medikamentet e shumta që kishte marrë. “Do të durosh pak”! i thashë dhe pasi i injektova anastezinë lokale e hapa plagën dhe futa fitilat për të kulluar infeksionin masiv që ishte mbledhur rreth gjurit. Kur mbarova së pastruari plagën masive një zë i mekur dhe lutës me tha, “Doktor do të ma prisni këmbën?… Të lutem mos ma prisni… jam vazë e re. Është e dyta herë që më bëjnë apses”. “Jo”, i thashë “do të shërohesh”. Duart e brishta me gishtat elegantë e të gjatë shtrënguan fort duart e mija në shenjë mirënjohje.
Mjekët e vjetër e dinin se çfarë e shkaktonte atë lloj apsesi masiz edhe unë e kisha dëgjuar që pacientëve të sjellur me vendim gjyqi i injektonin rrëshirë pishe me qellim që t’i paralizonin dhe kështu të mos kishin mundësi të largoheshin nga spitali burg. Mua nuk më ishte dhënë rasti të shikoja nga afër apo të kuroja një të tillë, keshtu i trazuar thellë në shpirt ia tregova babait, doktor Stiliano Nosit, i cili ma pohoji me dhimbje. Ai e njihte babanë e Zanës, doktor Dhroson e më këshilloi të kujdesesha në veçanti për të dhe unë ashtu bëra, e kurova edhe pasi ajo u kthye në Spitalin Psikiatrik.
Ndërsa po kaloja shtegun që ndante dy spitalet për të bërë viziten e radhës ndesha me Zanën dhe babanë e saj të ulur në stolin e vetëm që ndodhej me pamje nga udha. Doktor Dhroso, një burrë fisnik i thyer nga mosha dhe dhimbja për të bijën, me zë të butë e lutës me mbuloi me urata për kujdesin që kisha treguar ndaj vajzës tij. Sytë i përloteshin herë pas here ndërsa fërkonte duart e Zanës që dridheshin pa kontroll. Impresioni i dy fatkeqëve më shtyu të mësoj përse e kishin mbyllur në atë spital burg vajzën e re nga Durrësi.
***
Në gjimnaz kishte ndodhur një njgjarje që nuk ishte dëgjuar më pare në Durrës. Një nxënëse kishte hequr nga muri portretin e përbindëshit E. Hoxha dhe e kishte përplasur në çimenton e klasës duke e bërë copë-copë në prani të nxënësve. Vajza heroinë, që postkomunizmi e ka lënë në harresë ishte Zana Dhroso …