• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDUE PËRLLESHI- NJË LUFTËTAR I SHQUAR I SHQIPËRISË ETNIKE

August 16, 2016 by dgreca

2 Ndue Perlleshi

Nga Harry BAJRAKTARI/

Zbulimi i shtatores së Ndue Përlleshit në Klinë më 17 Gusht, si dhe organizimi i një Akademie përkujtimore për këtë luftëtar dhe figurë të shquar kombëtare, ku hapësira e tij e veprimit si kryengritës kundër pushtimit serb në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj, shtrihej në Lugun e Drinit dhe në pjesët tjera të Dukagjinit, Llapushës e Drenicës, rikujton një periudhë tejet të rëndësishme të historisë sonë kombëtare në përpjekje për krijimin e Shqipërisë etnike. Kjo shtatore e ngritur në Sheshin “Ndue Përlleshi” në qendër të Klinës ka një mesazh madhor, se e ardhshmja ka perspektivë vetëm duke respektuar të kaluarën, të gjithë ata që ranë në mënyra dhe vende të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e tokave shqiptare. Ndue Përlleshi me grupin e tij nga viti 1944 e derisa ra heroikisht në vitin 1949 në Iballe të Shqipërisë, luftoi forcat pushtuese serbe në Kosovë dhe komunizmin, si një të keqe që do të ngulfate perspektivën shqiptare.

Ndue Përlleshi, i lindur në Paskalicë të Lugut të Drinit, do të ndjekë traditën e luftëtarëve të kësaj ane kundër pushtuesve të shumtë në tokat tona. Ai iu kundërvua politikës serbe shfarosëse ndaj shqiptarëve dhe udhëheqësit të Brigadës së Shtatë, Shaban Haxhisë që dërgonte dhunshëm luftëtarët tanë në Frontin e Sremit dhe në frontet tjera jashtë Kosovës. Më 1945 me guerilën e tij ishte në krah të Shaban Polluzhës dhe rëniën e tij në Terstenik bashkë me Mehmet Gradicën, e përjetoi si një tragjedi të rëndë kombëtare. Nga kjo periudhë, kur Lufta e Drenicës u shua me gjak, në anën e Lugut të Drinit, në Llapushë dhe në hapësirat tjera të Dukagjinit me kryengritësit e tij, vazhdoi rezistencën kundër ushtrisë serbe dhe forcave komuniste. Në këto përpjekje për lirinë e Kosovës, ai bashkëpunoi ngusht me krerët e tjerë të forcave nacionaliste shqiptare, sidomos me shkodranen e famshme Marie Shllakun, Ukë Sadikun, Mehmet Agë Rashkocin, profesor Ymer Berishën, ndërsa gjatë pushtimit italian kishte njohur e bashkëpunuar me Abaz Kupin, Mark Gjon Markun, Muharrem Bajraktarin, Bajraktarin e Vranocit në Lug të Baranit dhe personalitete te tjera nacionaliste të asaj periudhe. Në këtë kohë Ndue Përlleshi kishte qenë kryetar komune në disa vende të Dugkagjinit dhe në Has.

Pasi një numër i luftëtarëve të tij në vjeshtën e vitit 1945 kishte rënë në luftën e ashpër të Jellovcit, përkatësisht në Çeli, ku ishte plagosur edhe Marie Shllaku, Ndue Perlleshi dhe nacionalistetët tjerë të NDSH-së e kishin të vështirë të rezistonin kundër forcave të shumta të OZN-ës, të cilat ndihmoheshin edhe nga të mobilizuarit e dhunshëm civilë.

Ky luftëtar dhe patriot i shquar i anës së Lugut të Drinit, duke qenë i rrezikuar nga forcat serbe të OZN-ës, kalon në Shqipëri, por atje përballet me forcat e sigurimit të Enver Hoxhës dhe bie heroikisht në Bjeshkët e Iballës.

Shtatorja e këtij luftëtari në sheshin e qytetit të Klinës ka një domethënie dhe një porosi, se duhet të punojmë më shumë që ta forcojmë shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe viset shqipetare ne Ballkan.

Harry Bajraktari

New York, 2016.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i Komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

1 Ceta e Ndue Perlleshit

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: harry bajraktari, luftetar i shquar, Ndue Perlleshi, Shqiperise Etnike

“Vëllezërit turq”

July 19, 2016 by dgreca

Opinion nga Harry Bajraktari/ Nju Jork/

 Ajo që mua më nxiti t’ i shkruaj këta pak rreshta ka të bëjë me një fakt tjetër se si dhe në ç’ mënyrë reagun disa shqiptarët rreth këtyre ngjarjeve: Në Shqipëri, në Prishtinë, në Prizren, në Preshevë, në Shkup dhe në ndonjë qytet tjetër në trojet tona u dëgjuan shprehje dhe zëra të habitshëm: “Jemi bashkë me vëllezërit turq dhe të gatshëm të luftojmë për Turqinë “, si dhe thirrje të ngjashme me përmbajtje vëllezërore në mbrojtje të saj.

Nga historia dihet se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan dhe një popull shumë i veçantë, i cili s’ ka asnjë vëlla në këtë planet, asnjë prejardhje të përbashkët me ndonjë popull tjetër, pos që ka fqinjësi me shtetet që e rrethojnë dhe marrëdhënie miqësore, ekonomike e diplomatike me shumë vende të botës, e në këtë kontekst edhe me Turqinë. Ne nuk jemi vëllezër as me turq as me grekë as me tjerët dhe këto thirrje nga disa zëra, tash këto ditë, me rastin e ngjarjeve në Turqi, por edhe më herët, janë për të ardhur keq, të dëmshme në aspektin e identitetit kombëtar, të pakuptimta në aspektin logjik dhe absurde në kontekstin interpretues. Një pushtues në të kaluarën, të jetë edhe jopushtues nuk mund të jetë vëllezër me ne ngase nuk kemi prejardhje dhe trung të njëjtë. Vëllezëria përcaktohet në bazë të kombit e jo siç pretendojnë disa klerikë shqiptarë të infektuar nga radikalizmi islamik. Shqiptarët u përkasin tri besimeve me të cilët jemi vëllezër mes veti si shqiptarë myslimanë , si shqiptarë katolikë dhe si shqiptarë ortodokës dhe këtu përfundon vëllazeria e jonë. Nuk shkon përtej për asnjë milimetër.
Ne nuk mund të luftojmë as për turq, as për grekë dhe as për fqinjët tanë të cilët gjatë historisë na sollën aq shumë vuajtje dhe zaptim të territoreve tona. Me kushtetutën e Shqipërisë dhe të Kosovës në çfardo rrethana që mund të ndodhën këto dy shtete, kemi detyrim me forcë të mbrojmë atdheun dhe popullin tonë, jo siç thonë pretenduesit e “vëllezërve turq”. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që t’ i përparojmë shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe territoret tjera shqiptare. Kjo është kauza jonë, e jo e atyre që i thërrasin vëllezër ata të cilët s’ i kemi e as që kanë të bëjnë me kombin tonë.
E dimë të gjithë se sa është dëmtuar imazhin ynë në botë nga radikalizmi islamik i disa klerikëve tanë dhe ky radikalizëm çoi grupe e individë të luftojnë në Siri e Irak për shtetin islamik-terrorist( ISIS). Një gjë e humbur dhe e pakuptimtë për kombin tonë dhe për logjikën e njeriut të shëndoshë.
Çështja e shqiptarëve në Turqi dhe shpërngulja e tyre atje, është pasojë i një historie të dhunës dhe terrorit serb nga Lidhja e Prizrenit e këndej.

Post scriptum: Këtu nuk është fjala për minoritetin turk që jeton në Kosovë dhe Maqedoni.

*Autori është bisnesmen dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, opinion, Vëllezërit turq

TË SHTYHET RATIFIKIMI I MARRËVESHJES ME MALIN E ZI DHE AJO E BASHKËSISË SË KOMUNAVE SERBE DERI NË ZGJEDHJET E REJA

July 13, 2016 by dgreca

Opinion Nga Harry Bajraktari/

Nga koha kur u nënshkruan dy marrëveshjet nga Qeveria e Kosovës: ajo( më 25  Gusht  2015) për formimin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, ka kaluar po thuaj një vit i plotë. Këto dy marrëveshje kontestuese krijuan një krizë të thellë politike e cila vazhdon edhe sot mes institucioneve dhe opozitës. Kuvendi i Kosovës, si organ më i lartë legjislativ, për shkak të kësaj situate, shpeshherë dramatike, nuk ishte funksional. Lidhur me  nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve, opozita reagoi dhe tërheqi vërejtjen në vazhdimësi se me to shkelej kushtetuta dhe cenohej territori i Republikës së Kosovës. Për kaq kohë, krahas debateve të ndara e deklaratave kundërthënëse, nuk u gjet asnjë mënyrë e mundshme që këto dy projektligje të trajtoheshin bashkarisht në Parlamentin e Kosovës dhe të vendosej në bazë të argumenteve e kritereve profesionale,  e jo njëanshëm siç pretendohet me politikë të presioneve. Çështja e kufirit me Malin e Zi e në të ardhmen edhe me Serbinë, nuk mund të jetë dhe s’ do të duhej të jetë sferë ndikuese e politikës, e pazareve dhe presioneve, por çështje e ballafaqimit të argumenteve të bazuara në të dhëna konkrete. Rreth demarkacionit me Malin e Zi, kanë dalë fakte nga opozita dhe nga njerëz të tjerë të shkencës që merren ngusht me këtë fushë , se brenda territorit të Malit të Zi, mbetet një pjesë e tokave të Kosovës. Kjo marrveshje diskutuese e vijës kufitare me Malin e Zi, duke marrë parasysh situatën e krijuar, nuk do të duhej të jetë objekt procedimi në Kuvend për ratifikim, aq më parë nga kjo legjislaturë e tashme, sepse mendoj që kjo e ka humbur besimin tek qytetarët  për një gjë kaq të rëndësishme për Kosovën dhe shtetin tonë. Ratifikimi i këtyre dy marrëveshjeve do të duhej të shtyhej deri në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme. Do të ishte jo produktive dhe shumë e dëmshme për Kosovën që në këtë atmosferë politike dhe të presionit të brendshëm e të jashtëm të bëhet ratifikimi i këtyre dy dokumenteve për Republikën e Kosovës.

Nuk është vetëm opozita parlamentare (Vetëvendosja, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën) që po reagon kundër ratifikimit të vijës kufitare me Malin e Zi, e cila pritet të qitet në Kuvend, por kjo po kundërshtohet edhe nga një numër i deputetëve të PDK-së dhe LDK-së si dhe nga disa organizata të shoqërive civile. Kjo flet më së miri për dyshimet se Malit të Zi po i jipet një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës së Kosovës.

Mendoj se institucionet tona nuk do të duhej të bien pre e presioneve të jashtme, qofshin ato edhe nga aleatët dhe miqtë tanë, që ne të marrim vendime që nuk janë në përputhshmëri me parimet kushtetuese dhe të dëmshme për Republikën e Kosovës.

Bashkësia Evropiane nuk do të duhej ta lidhë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Vendosja e vijës kufitare është një çështje shumë më e thellë sesa mund të mendohet për ekzistencën e shtetit të Kosovës, prandaj ngutja e procedimit të këtij projektligji për ratifikim nga qeveria e Kosovës në Kuvend, pa dyshim do të krijojë shqetësime të mëdha në mjediset tona qytetare.

Fqinjësia e mirë ndërshtetërore me Malin e Zi mund të jetë stabile vetëm me ndarje të drejtë të vijës kufitara, ku asnjëra palë nuk do të dyshonte në palën tjetër. Në të kundërtën këtë fqinjësi do ta përcjellin probleme e ngarkesa të vazhdueshme. Këto probleme më së miri e dinë shqiptarët, të cilët u sprovuan në etapa të ndryshme historike.

Mendoj se ratifikimi i Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe i Bashkësisë së Komunave serbe, duhet të prolengohet deri në zgjedhjet e ardhshme ku deputetët e Kuvendit, të zgjedhur nga vota e lirë e popullit në bazë të argumenteve dhe kritereve profesionale do të merrnin vendimin e drejtë për ratifikimin e tyre. Me zgjedhjet e reja  do t’ i jipej shansi popullit që ai të vendos për këto dy çështje kapitale të shtetit të tonë.

Ky parlament dhe kjo qeveri, pas gjithë asaj çka ka ndodhur nga nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve kontestuese nuk do ta kenë mbështetjen e popullit për ratifikimin e tyre. Prandaj, në këtë kontekst, kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme.

Përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sipas kritereve relevante, është me rëndësi të veçantë për të dy shtetet si element stabiliteti për integrimin e tyre në Bashkësinë Evropiane dhe në proceset integruese të NATO-s. Kosovës dhe Malit të Zi i duhet një vijë kufitare stabile dhe e pranueshme nga qytetarët e dy vendeve. Dyshimet  dhe çështjet kontestuese kufitare lënë kriza pas, bashkë me pasoja në marrëdhënjet e fqinjësisë mes Kosovës dhe Malit të Zi. Duke u nisur nga kjo situatë e krijuar, dhe sipas bindjes sime, shtyrja e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe e Bashkësisë së Komunave serbe deri në legjistraturën e re, do të ishte zgjidhja më reale dhe më e mirë. Kështu, në këtë mënyrë, do të krijohej hapësirë më e volitshme për një rishqyrtim më të plotë dhe të argumentuar të vendosjes së vijës kufitare në mes dy shteteve- Kosovës dhe Malit të Zi.

 

New York

12 Korrik, 2016

 

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, komunat serbe, Te shtyhet ratifikimi me Malin e Zi

BINAK ALISË IU DHA TITULLI ” KALORSI I URDHËRIT TË SKENDERBEUT”

April 20, 2016 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/

Në rezidencën e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, sot në Tiranë dekoroi Binak Alinë me titullin ” Kaloresi i Urdhërit të Skenderbeut”, pas vdekjes.”Në vlerësim të figurës së tij të shquar si prijës popullore te kryengritjeve antiosmane të Malësisë së Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në vitet 1840- 1880, atdhetar e përfaqësues i Malësisë së Gjakovës në Lidhjen e Prizrenit, si dhe për rolin e çmuar si pleqnar i mençur, ndërmjetës e pajtues i shumë gjaqeve e mosmarrëveshejeve në gjithë Veriun e vendtit dhe Kosovë”, thuhet në tekstin e mirënjohjes.

***

Binak Alia njihet për veprimtarinë e tij në Malësinë e Gjakovës, në Kosovë dhe përgjithësisht në Shqipërinë e Veriut, si aktivist politik e juridik, pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit dhe në shumë kuvende të tjera, ku janë marrë vendime të rëndësishme lidhur me fatin e shqiptarëve. Zgjuarësia dhe mendjemprehtësia e tij natyrore do ta vendosin në krye të një epoke dhe në krye të kuvendit, duke pasur parasysh suksesin e tij në fushën e drejtësisë zakonore dhe si udhëheqës e organizator i shumë kryengritjeve kundër ushtrive Osmane. Ishte në krye të Kuvendit të Junikut, ku lëshoi thirrjen historike për pajtim mes shqiptarëve para se të fillonin kryengritjet e mëdha kundër Perandorisë Osmane.

Binak Alia njohu mirë mentalitetin e njerëzve dhe karakterin e fiseve karshi njëri- tjetrit dhe kur hynte një “gjykatore”, nuk dilte pa e përfunduar paqjen. Ky burrë i Bujanit të fisit Krasniqe të Malësisë së Gjakovës, personifikonte shpresën e madhe të këtyre njerëzve të ndrydhur me shekuj nga ushtria osmane dhe ushtritë e tjera pushtuese.Familja e Binak Alisë, që do të marrë mbiemrin Mulosmanaj, nga i dyti i tyre Ali Mula, ka një histori përplot luftëra të zhvilluara në periudha të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Mulosmanajt që përbëjnë një familje të madhe atdhetare nga Fangu i Malësisë së Gjakovës, me një strukturë tradicionale, luftuan trimërisht kundër Perandorisë Osmane para Lidhjes së Prizrenit, më 1845, 1862,  pas Lidhjes më 1881, 1910 dhe në betejat përfundimtare më 1912, kur Shqipëria fitoi Pavarësinë, kundërshtoi me kryengritje të armatosur hegjemonizmin serb e malazez ndaj territoreve shqiptare, fashizmin, nacizmin dhe së fundmi komunizmin, duke rënë në fushëbetejë shumë personalitete të kësaj dere të madhe të Mulosmanajve- të fisit Krasniqe.

Karakteri, trimëria, humanizmi, veprimi dhe tradita e saj ka bërë që shumë figura (Binak Alia, Shaban Binaku, Mic Sokoli, Ali Binaku, Zeqir Halili…), me veprat e tyre madhore kombëtare ta ngrisin famën në një vlerë të fiqishme kombëtare. Gjyshi i Musli Mulosmanajt, Shaban Binaku për veprimtarinë e tij kombëtare në vitin1910 u var në litar në Gjakovë nga xhonturqit së bashku me Avdullah Hoxhën. Rrallë mund ta gjesh një familje me kaq figura nga një trung që aq gjatë e me aq guxim t’ i ketë kundërshtuar armiqtë e shumtë të Shqipërisë.

***

Dekorimi i Binak Alisë nga presidenti Nishani, për këtë figurë historike, është edhe një mirënjohje, një respekt për gjithë atë që ai bëri për çështjen kombëtare, për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, për gjithë ato familje të gjaksuara dhe dhe për pajtimin e atyre që ndodheshin në  konflikt në mes veti.

***

Me rastin e dekorimit të Binak Alisë, Musli Mulosmanajt, i cili në emër të familjes e mori këtë dekoratë të lartë nga presidenti Nishani, i uroj shumë sukses si atij ashtu edhe familjes Mulosmanaj në SHBA dhe në Fanga të Bujanit.

***

Musli Mulosmanaj është prijësi dhe trashëgimtari më i njohur sot i familjes së Binak Alisë, një burrë i përkushtuar pas Shqipërisë etnike dhe Monarkisë Mbretërore, i cili me dashuri të jashtëzakonshme kultivon traditat, ndjenjën dhe virtytin e të parëve të tij. Musli Mulosmanaj është djali i madh i Çelë Shabanit, stërnip i Binak Alisë e nip i Shaban Binakut, oratorit më të njohur të kuvendeve kombëtare për lirinë e Shqipërisë.  Musli Mulosmanaj njihet si antisllav e antikomunist. Në New York ka mbajtur kontakte me të gjitha organizatat nacionaliste që ideal dhe përkushtim kishin bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët demokratik.

Së bashku me Hysen, Can dhe Abedin Mulosmanaj, iu bashkuan Organizatës Kombëtare, Lëvizja e Legalitetit (OKLL).

Në vitin 1986 mori detyrën e kryetarit të Degës së Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit për New York dhe New Jersey, që ishte një ndër degët më të mëdha në botën e lirë shqiptare. Ka qenë për 23 vjet anëtar i “Vatrës” në New York.

Është i lidhur shumë me Kosovën. Atje kaloi 17 vjet.  Ka përcjellë të gjitha ngjarjet dhe ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.  Mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat që u organizuan në New York dhe Washington kundër politikës hegjemoniste serbe dhe kundër diktaturës së E. Hoxhës në Shqipëri.

*Harry Bajraktari

New York

20 Prill, 2016

* PS: Autori është veprimtar e biznesmen i shquar shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

E falenderojme qe e dergoi per Diellin.

Filed Under: Komunitet Tagged With: BINAK ALISË IU DHA TITULLI " KALORSI I URDHËRIT TË SKENDERBEUT", harry bajraktari, Musli Mulosmanaj

KOSOVA PARA ÇDO GJËJE

March 11, 2016 by dgreca

Nga Nga Harry Bajraktari/*

Gjendja e sotme politike në Kosovë është komplikuar, jo vetëm për shkak të problemeve të shumta të pazgjidhura politike e ekonomike, por më tepër për shkak të mos gadishmërisë për t’u përballur me to, dhe për të vepruar bashkarisht për të mirën e vendit. Krizën e këtyre problemeve e thelloi edhe më tej nënshkrimi i dy marrëveshjeve nga ana e qeverisë së Kosovës për asociacionin e komunave serbe dhe ndarja e kufirit me Malin e Zi, ku opozita akuzoi se me to shkelej kushtetuta dhe dëmtohej shtetësia dhe territori i Kosovës. Lidhur me asociacionin, siç dihet, është dhënë një vlerësim i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa pë vijën kufitare presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga po formon një komision ndërkombëtar për rishikimin e përcaktimit të kufirit Kosovë- Mal i Zi.

Për kaq kohë sa po zgjatë kjo krizë politike kundërthënëse dhe tash së fundit edhe me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme, nuk pamë ndonjë vullnet sado të vogël mes pozitës dhe opozitës për të gjetur një rrugë të përbashkët për të mirën e shtetit të Kosovës dhe popullit të saj. Përkundrazi gjendja e vijës ndarëse ka eskaluar edhe më tej dhe   s’ dihet se deri ku do të shkojë. Këto kundërthënie të ashpra në mes institucioneve dhe opozitës, ku asnjëra palë nuk lëviz nga pozicioni apo të themi nga status quo-ja, flet për një diskurs të pa pranueshëm në kuptimin e shtetndërtimit, zhvillimit dhe demokratizimit të Kosovës, e cila po kalon ditë të vështira qe një kohë. Përgjegjësinë për këto dy marrëveshje e kanë qeveria dhe institucionet shtetërore, të cilat nuk vepruan në bazë të parimeve kushtetuese dhe në mënyrë më transparente, por për situatën e krijuar s’ mund të amnestohet as opozita me disa veprime të saj. Ata (pozitë-opozitë) që ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të saj, pa tjetër duhet të ulën në një tryezë, pa marrë parasysh mos durimet mes tyre, dhe me një bashkëpunim të gjejnë rrugën e humbur. Në të kundërtën kjo krizë do të prodhojë kriza të tjetra, të cila mund të jenë të rrezikshme për Kosovën.

***

Nga kjo del se politikën tonë po e dominojnë interesat partiake, individuale e klanore, të cilat veprojnë brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Kjo është fatkeqësia më e madhe që po i ndodh popullit të Kosovës. Pozita në pushtet dhe opozita që e kontrollon këtë, kanë një qëllim interesi: këta që ndodhen në pushtet me çdo kusht të mbesin aty ku janë pa marrë parasysh punën e tyre të mirë apo të keqe, lëshimet apo shkeljet e sistemit ligjor, korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe opozita që është jashtë, me çdo kusht ta marrë pushtetin, me votë apo pa të. Ky mentalitet i politikës sonë nuk është i tashëm, është i hershëm dhe i vjetër. Mjafton ta shikojmë historinë dhe të bindemi.

Për të qenë  edhe më keq, kemi ardhur në një situatë të atillë, do të thoshja, tepër të rëndë, ku në vend se të merremi me zhvillimin e shtetit për të cilin populli ynë u sakrifikua aq shumë, po merremi me njëri- tjetrin dhe kjo po bëhet kryesisht për interesa partiake, individuale e grupore në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sikur kjo energji e harxhuar kundër njëri -tjetrit, të shfrytëzohej kundër politikës agresive serbe dhe sikur kjo energji të orientohej për shtet-ndërtim, për ofrim të projekteve ekonomike, për një demokraci dhe qytetërim evropian, Kosova do të ishte në një pozicion më të volitshëm në kontekst të politikës dhe zhvillimit të brendshëm dhe prestigjit të saj në politikën e diplomacinë ndërkombëtare. Ne si popull, i shkelur me shekuj nga armiqtë e hershëm dhe të vonshëm, do të duhej të ishim shembull për të tjerët në Ballkan, e jo me përcjellje të krizave të një pas njëshme institucionale. Mentaliteti dhe vetëdija që politika dhe pushteti të shfrytëzohen për perfitime personale, grupore e klanore po e mbysin shpresën e këtij populli dhe në të njëjtën kohë po tekurret perspektiva evropiane e Kosovës, që është jetike për përparimin e saj. Nëse kthehemi e shikojmë prapa nga përfundimi i luftës e këndej ose nga pavarësia e këndej, rrallë ose hiq s’ do të gjesh pushtetarë, politikanë që kanë kaluar nëpër institucione shtetërore, politikanë të partive, kryetarë komunash, madje edhe deputetë që nuk kanë përfituar në mënyra të ndryshme, dikush më shumë e dikush më pak, sipas pozitës dhe mundësisë, në një mënyrë apo tjetër të gjithë. Mjafton ta vështrosh listën e agjencionit kundër korrupcion rreth pasurimit të këtyre njerëzve nga një vit në tjetrin. Natyrisht, s’ mund të ketë konsolidim të shtetit nëse interesat individuale e partiake dominojnë interesat e përgjitshme. Ky është problem më i madh dhe dëshpërues për popullin kur të gjithë këta pasurohen nga politika, duke i krijuar favore vetvetes. Nëse shikohet nga ky kënd mund të vish në një përfundim se e tërë politika jonë është  zhytur në këtë pellg.

Me këtë rast dua të përdor një mendim të filozofit anglez Thomas Hobbes, thënë disa shekuj më parë që mund të koincedojë me situatën aktuale të shqiptarëve sot : “Nëse dy njerëz dëshirojnë të njëjtën gjë, ata kthehen në armiq me njëri-tjetrin, pasi, që të dy, nuk mund të gëzojnë atë në të njëjtën kohë”. Pra, kjo më së miri e shpjegon vetëdijen tonë. Për fat të keq ky mentalitet ende syndon kokat e njerëzve të politikës sonë si në Kosovë, në Shqipëri, tek shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe tek ata të Luginës së Preshevës. Pak besohet se kjo luftë kaq e ashpër dhe shumëherë e pa arsyshme bëhet për çështej kombëtare, për ngritjen e shtetit dhe perspektivën e shqiptarëve në Ballkan dhe në Evropë. Parlamentet tona janë shndërruar në arenë konfliktesh dhe qerim hesapesh. Kështu, populli po mbetet peng i këtyre interesave personale, i grupacioneve politike dhe të tjerëve. Pushtetet janë ndërruar edhe në Kosovë, dhe në Shqipëri, por gjendja ka mbetur e njëjtë në kuptimin e ndërrimit të mentalitetit. Nuk mund të ketë ndryshime derisa të mos avancohet përgjegjësia ndaj shtetit dhe përgjegjësia ndaj zbatimit të së drejtes ligjore dhe politikës gjyqësore. A mund t’i besosh frazës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, se të gjithë janë të barabart para ligjit?! Për shumë kënd kjo tingëllon si një eutopi.

Acarimi i situatës në një shkallë kaq ekstreme ku nuk mund të funksionojë normalisht organi më i lartë legjislativ i shtetit- Kuvendi i Kosovës, në mungesë të dialogut dhe të refrizimit të ndërsjellë, është më tepër se një alarm për politikanët tonë. Vetëm me biseda të shëndosha mund të lëvizin gjërat përpara dhe në asnjë mënyrë me refuzim dhe me inate e xhelozi. Kosova ka nevojë t’ u rikthehet zgjidhjeve të problemeve në interes të popullit: Zhvillimit ekonomik, realizimit të projekteve të vogla dhe të mëdha ku do të mund të inkuadroheshin të rijntë tanë të pa punë, tërheqja e investitorëve të huaj dhe ecja drejt NATO -s dhe Evropës, e jo konfliktet dhe interesat individuale e grupore.

*Autori është veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: harry bajraktari, KOSOVA PARA ÇDO GJËJE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT