• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E Ç’MUND TE PRITET MË TEPËR NGA KËTA POLITIKANË!

November 16, 2016 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

                 ‘Nëqoftëse e fitoj luftën, historinë e bëj vetë’, shprehej Hitleri kur e akuzuan se do të dënojë historia për krimet që po bënte dhe sidomos për bombardimet nëpër qëndra sanitare, spitale etj. Pra, diktaturat vetëm kështu veprojnë dhe asnjëherë nuk pyesin për rregulla dhe ligje ndërkombëtare. Ato e deformojnë gjithashtu historinë, herojtë i bëjnë tradhëtarë dhe anasjelltas dhe si e tillë të njëjtën gjë bëri edhe regjimi komunist, i cili manipuloi, sipas interesit, të gjitha ngjarjet e zhvilluara si gjatë lufte, ashtu edhe më mbas. Ata nuk e quajtën dhe vazhdojnë akoma të mos e quajnë tradhëti prishjen e marëveshjes së Mukjes,  e cila i ndau përfundimisht shqiptarët në dy grupe dhe shkaktoi atë luftë vëlla vrasëse, ose Luftë Civile, siç e ka përcaktuar edhe historiani Uran Butka në librin e tij. Ata patriotët e nderuar dhe me emër si Mehdi Frashëri, Lef Nosi e ndonjë tjetër, të cilët edhe nëqoftëse përkohësisht bashkëpunuan me pushtuesin, e bënë vetëm për interesa të kombit, por nuk bënë ndonjë tradhëti, siç e tillë mund të quhej marëveshja që bëri Enver Hoxha  mbas lufte, që për interesa pushteti, deshi t’ia bashkëngjisë Shqipërinë Federatës Jugosllave. Por komunistët asgjë nuk pranojnë, bile as krimet e bëra gjatë dyzet e pesë viteve kur ata ishin në pushtet, të cilat nuk qenë pakë, por një masakër e pa ndërprerë dhe sistematike, e cila mbeti e egër dhe e pamëshirshme deri në fund.

Por mirë ai regjim ishte diktatorial dhe siç thamë, vetëm kështu dinte të vepronte, sepse ata nuk kishin as humanizëm, as besë dhe as moral,  por ç’ndodhi në nëntëdhjetën dhe mbas shëmbjes së tij? Në Gjermani, përshëmbull ndaj nazizmit dhe kriminelëve të luftës u organizua Gjyqi i Nurenmbergut ku morën dënim me vdekje apo burgim sipas fajit, mjaft gjeneralë dhe oficerë të lartë, bashkëpuntorë të Hitlerit. Ashtu ndodhi  edhe në Itali apo Japoni. Po a u bë një gjë e tillë edhe tek ne dhe pse jo? Sepse Partia demokratike e ardhur qysh në fillim në pushtet me shprehjen se të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës, deshi që ta shperndajë atë tek gjithë shqiptarët dhe ky qe zhgënjimi i parë, sidomos e shtresës së persekutuar, e cila i kishte ende të freskëta pasojat e atij regjimi, si dhe kujtimin e familjareve të vrarë, të pushkatuar apo të vdekur nëper burgjet dhe kampet e internimit. Mashtruese është gjithashtu edhe shprehja e socialistëve, të cilët thonë se ne jemi ndarë njëherë e mirë me ish partinë e punës dhe nuk na lidh me të më asgjë, por në realitet që të dyja gënjëjnë, sepse jo vetem mentalitetin, por edhe veprimet që bëjnë, tregojnë se janë ende besnikë ndaj idealeve të baballarëve të tyre. Reagimi i menjëhershëm i një pjese nga ata ndaj dekororimit që presidenti i republikës u beri gjashtëdhjet e tetë të pushkatuarve  nga M. Shehu gjatë periudhës së luftës në Lushnjë, është një shëmbull se ata nuk pranojnë kurrë t’u cenohen liderit e tyre shpirtërorë. ‘Po pse t’i fryhet edhe njëherë atij zjarri’, u shpreh për këtë ngjarje zoti Klosi dhe ai ka ndofta të drejtë, sepse ato veprime si hapja e dosjeve, dënimi i krimeve të komunizmit, kthimi i pronave etj, duhej të ishin kryer me kohë dhe deri sa nuk janë bërë, e quajnë atë kapitull të mbyllur. Po si ato mund të kryheshin, kur zyrtarët nëpër institucionet kryesore, në parlament, pedagogë si personi që përmëndëm pak më lart e deri historianët nga të cilët pritej të zbardhej historia, qenë me shkolla partie apo marksiste- leniniste. Duke i hedhur keto ngjarje për t’i diskutuar “Masat’, siç po shohim shpesh nëpër studiot televizive, është një tjetër mënyrë e vjetër dhe e trashëguar, e cila më shumë ka për qëllim t’i futë edhe njëherë shqiptarët me njëri me tjetrin në grindje, se të zgjidhin gjë. E ç’mund të pritet atëhere nga këta politikanë, që të flasin me seriozitet për ngjarje të ndodhura shtatëdhjet e ca vjet më parë, kur ka mjaft aktuale, po aq të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë e të Kombit Shqiptar dhe asgjë nuk po bëjnë. Por, që të mos mbetemi vetëm me argumenta dhe konkluzione, të cilat për lexuesin shqiptar janë bërë aq bajate dhe po aq të mërzitëshme, t’i përmbahemi edhe njëherë shprehjes së thënë në fillim të këtij artikulli, që historinë e bëjnë fituesit dhe fitues në realitet si në dyzet e katrën ashtu edhe në nëntëdhjetën, janë po e njëjta palë, me të njëjtin mentalitet dhe me pak modifikime, me të njëjtin program, prandaj shqiptarët, nëqoftëse e ndjejnë veten të zhgënjyer, të ofenduar apo edhe të mashtruar, demokracia ua jep atë të drejtë që të veprojnë, ndryshe kështu do vazhdohet edhe për njëzet e pesë vjet të tjera dhe të njëjtin histori që është shkruar këtu e shtatëdhjet e ca vjet përpara, do dëgjojmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: C'mund te presesh, Hasan Kostreci, nga politikanet, tane

MAKINA E MBULUAR

December 28, 2015 by dgreca

Tregim nga Hasan KOSTRECI/
Gjatë jetës njeriu kalon shumë ndodhira, por disa prej tyre të ngelin në mëndje dhe kurrë nuk harrohen. Kjo që po tregoj është e shumë dekadave përpara, kur unë isha në atë kohë djalë i ri dhe punoja si mësues në rrethin e Gramshit…..
Qe një ditë e ftohtë Janari dhe qielli i nxirrë tregonte se së shpejti do t’ia niste shiu. Nga qëndra e qytetit të Elbasanit, deri tek Ura e Shkumbinit, sëbashku me Vasilin, të shoqen e tij, Zamirën si dhe djalin gjashtë vjeçar, Gjergjin, e morëm gati me vrap dhe nga që u djerrsitëm, u mbështetëm mbas një peme që të mbroheshim, sadopak prej erës që vinte nga gryka e lumit. Kthenim kokën herë pas here mbrapa që të shihnim mos vinte ndonjë makinë, por deri tani asgjë.
– Nëna më gatoi ca petulla që t’i kishim për rrugës, prandaj dhe u vonova – u justifikua gruaja e shokut tim dhe na nxorri përpara një gazetë të bërë si kaush.
– Do presim edhe ca, ndryshe do e lemë për nesër – u përgjigj Vasili.
– Ti edhe mundesh, sepse dy orët e para i ke bosh, kurse mua më duhet që të jem patjetër në orën tetë në shkollë – e kundërshtoi Zamira.
– Nuk i ke edhe aq mirë punët me drejtorin. Ç’farë ka ai me ty? – e pyeti ai.
– Ndonjëherë mirësjelljen, ju burrat, e keq kuptoni – iu përgjigj ajo dhe nuk e zgjati më atë bisedë.
Ata kishin gati dhjetë vjet martuar, patën bredhur për një kohë fshatrave dhe vetëm këto dy vjetët e fundit qenë transferuar në qëndër, por për kohën që flas, Gramshi ishte një qytet fare i vogël; vetëm me një rrugë kryesore, katër a pesë dyqane, një restorant, një kinema gjithashtu të vogël, ku banorët dhe sidomos mësuesët, shumica të ardhur, shkonin për të parë ndonjë film, që disa herë ndërpritej, si dhe shtëpia e kulturës, ku ata e kishin të detyruar të aktivizoheshin. Bile Zamirën, nga që kishte zë dhe këndonte bukur, e patën futur të merrte pjesë edhe në estradën e krijuar rishtaz, ndërsa djalin, nga që ende s’i kishte mbushur gjashtë vjeçët, e çonin në kopësht.
– Po vjen, më duket, një zis me targë Elbasani, por qënka i mbuluar – tha Vasili dhe i doli përpara – jemi për Gramsh – iu drejtua ai shoferit, i cili kur e uli shpejtësinë dhe ndaloi, e njohëm që ishte xha Sotiri i uzinës së Çekinit, një burrë i moshuar, i gjatë dhe me flokë të thinjura.
– Vëndet përpara deri në Gostimë, i kam të zënë – tha ai dhe u drejtua më shumë nga çifti – por nëqoftëse qëndroni dot mbrapa, hipni – shtoi dhe zbriti e hapi pak cepin e mbulesës prej mushamaje që të shikonin.
– Si thua? – iu drejtua Vasili të shoqes.
– Kam hall më shumë për djalin se mos turbullohet, por tjetër nuk kemi për të gjetur, prandaj hipim – iu përgjigj ajo dhe e ndihmuar nga i shoqi, një dorë e vuri tek spondi, ndërsa me tjetrën mbajti fustanin, që prej erës, iu ngrit përpjetë. Mbas saj hipën djalin dhe në fund unë me Vasilin.
– Vetëm ju lutem, mos bëni zhurrmë dhe rrini qetë – na porositi shoferi dhe u orvat sikur të na thoshte edhe diçka tjetër, por Vasili e ndërpreu.
– Mos kij fare merak – i tha ai dhe atëhere xha Sotiri uli përsëri mbulesën, i lidhi dy cepat mirë që të mos hapeshin dhe u largua.
Në karroceri qe errësirë dhe një llambushkë e vogël e vendosur në krye, bënte fare pak dritë. Duke ecur dhe u mbajtur me kujdes anash u ulëm në disa dërrasa të vendosura paralel, të cilat shërbenin si sedilje, por era e pluhurit të rrugës përzierë me gazin e pa djegur që vinte prej skapamentos dhe nuk kishte nga dilte, të zinte frymën. Mbasi u ambientuam sadopak, vumë re se në krye dhe të ulur me fytyrë nga ne, ishte edhe një çift, ndofta burë e grua, të cilët po rrinin në heshtje.
Makina, nga që ishte e lartë, kur u nis, lëkundej shumë dhe nëpër gropa, të dukej sikur nga çasti në çast do përmbysej. Përjashta shiu filloi të binte i rrëmbyeshëm dhe në vëndet ku mbulesa e mushamasë qe e grisur, futej edhe brënda.
– Si ndjehesh? – e pyeti përsëri Vasili të shoqen.
– Deri tani mirë, por më vonë, nuk di – iu përgjigj ajo dhe mbështeti kokën tek supi i tij, ndërsa djali nga që u mërzit, nisi të vijë vërdallë e të luajë. Unë, për një moment, mbylla sytë dhe fillova të mendohem.
– Palltua që qepe tek rrobaqepësi, të rrinte bukur – dëgjova Vasilin që i pëshpëriti në vesh të shoqes dhe ajo si shpërblim për komplimentin, i afroi atij buzët që ta puthte.
Shiu përjashta akoma vazhdonte dhe duke goditur mbi mbulesën e mushamasë, të krijonte një farë melankolizmi, por njëkohësisht të bënte edhe për gjumë.
– Ai xhaxhi atje nuk më le që të kaloj edhe në rreshtin e fundit – e prishi atë heshtje i biri i tyre, Arbeni, i cili u ankua për çiftin në ballë që po e pengonin të luante.
– Po a e dëgjove shoferin, kur na porositi që të mos bëjmë zhurrmë? – i tha atij e ëma dhe u mundua ta ulë, por ai nuk e dëgjoi.
– Hajde, se do të vë të dëgjosh një muzikë të bukur – u orvat këtë herë Vasili dhe nxorri nga çanta një radio me bateri nga ato që kishin filluar kohët e fundit të montoheshin në Durrës dhe kur djali dëgjoi zërin e Prashqevi Simakut të shoqëruar nga një kor fëmijësh, u afrua dhe sëbashku me to filloi të këndojë edhe vetë. Prej bubullimave dhe rrufeve që shkreptinin përjashta, nuk kishte rrezik që t’i dëgjonte kush, bile as shoferi përpara, prandaj filluam edhe neve me zë ta shoqërojmë, ndërsa vetëm çifti në ballë, për çudi, nuk bënte as dhe një lloj reagimi, por vetëm na vështronin dhe qëndronin në heshtje.
– Ç’pate? – e pyet e ëma mbas pak djalin, kur ai nisi përsëri të luajë, por diku u pengua dhe ra.
– Mos kalo edhe njëherë këtu! – iu drejtua fëmijës këtë herë burri i ulur në fund, që deri tani pat qëndruar në heshtje, por e ngriti zërin si shumë, sa habiti edhe prindërit.
– Fëmijë është fundja dhe nuk duhet që të mërzitemi – ndërhyri Zamira, por kur i vajti atij pranë dhe u përkul ta ngrinte, shtangu dhe iu muarr fryma, sepse shtrirë përpara këmbëve të saj, pa një arkivol të vogël, që të linte të kuptoje se ishte i një fëmijë.
– Çfarë ke? – e pyeti Vasili dhe fiku radion, por në këtë moment edhe makina kish ndalur dhe kur shoferi hapi fundin e mbulesës së mushamasë dhe në karroceri hyri drita, edhe ai u habit, kur në duart e çiftit që u ngritën për të zbritur, pa një arkivol të vogël mbuluar përsipër me një copë të kuqe. E humbëm edhe ai dhe unë njëkohësisht dhe nuk dinim ç’të bënim, por meqënëse për të kërkuar falje, nuk ishte momenti, u hodhëm menjëherë në tokë dhe sëbashku me xha Sotirin, i ndihmuam që të ulnim xhenazenë.
– Fëmija juaj? – i pyeti ata i pari Vasili dhe të dy u dhamë atyre dorën.
– I plasi apandesiti dhe infeksioni qe aq i madh, sa doktorët thanë, që nuk i bëhej dermani – na u përgjigj këtë herë gruaja dhe ia dha përsëri të qarit.
– Të rroni vetë dhe të na falni, për pakujdesinë që treguam – u tha gjithashtu edhe Zamira dhe me sy të përlotur, i përqafoi , por kur ktheu kokën, ndeshi me vështrimin e shoferit, cili, diçka, si duket kuptoi dhe heshti.
– Ta shpërblefshim në gëzime – iu drejtuan ata burrë e grua xha Sotirit, kur po ndaheshin dhe i shoqi u mat që ta paguante, por shoferi e kapi nga dora dhe e ndaloi.
– Në asnjë mënyrë – e kundërshtoi ai. Blijini diku qirinj dhe lutjuni për mua.
U rreshtuam sa ishim, përfshirë edhe dy pasagjerët e ulur përpara dhe dorë më dorë e kaluam arkivolin deri tek një karrocë që priste më tutje. Qe një moment tepër emocional, sa edhe Arbenin i vogël, mori një qëndrim serioz dhe s’po fliste. Vetëm mbasi ata u larguan, ndezëm të katërt nga një cigare dhe në heshtje po i pinim.
– Duhet të na kishe thënë – I tha xha Sotirit, Zamira, kur hipëm në kabinë dhe u nisëm.
– Kishit me vete edhe djalin dhe mendova se nuk do ndjeheshit mirë – iu përgjigj ai mbas një heshtje dhe psherëtiu – por Zoti, për diçka që s’e di dhe e bën pa dashje, të fal dhe nuk ta quan mëkatë – shtoi dhe si të krishterë, përjashtuar mua, megjithëse besimi fetar në atë kohë qe i ndaluar, bënë me dorën e djathtë kryqin.
Shiu në këtë moment pat ndalur, qielli u hap, por rrëketë e zbritur nga mali, e kishin dëmtuar mjaft rrugën ku po kalonim, prandaj duke u lëkundur sa majtas djathtas makina e lartë dhe e mbuluar e uli shpejtësinë dhe po ecte ngadalë…..

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hasan Kostreci, MAKINA E MBULUAR, Tregim

“JEMI TË ZGJEDHUR NGA POPULLI”

November 15, 2015 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/
Kemi më tepër se shtatëdhjet vjet që e përdorim si shumë fjalën popull dhe, për fat të keq, i kemi ngarkuar atij mbi kuriz mjaft mëkata, të cilat në fakt nuk i meriton, sepse pikërisht në emër të tij u bënë gjithë ato krime gjatë periudhës komuniste dhe sa herë që diktatura do arrestonte, internonte apo pushkatonte dikë, shprehej ‘Në emër të popullit’, por një gjë e tillë faktikisht po ndodh edhe sot, kur politikanët për t’u mbrojur ndaj akuzave që u drejtohen atyre, justifikohen se na kanë zgjedhur populli, të cilin kur u duhet e vlerësojnë dhe e quajnë të pagabueshëm dhe kur jo, ato që ata thonë, i quajnë thashetheme. Pra, nuk di kë t’u marrësh për bazë, por një gjë ama dihet, se jo vetëm atëhere, por edhe sot, populli ka mbetur vetëm një simbol që e shprehur në gjuhën popullore ‘Ka hapset e Kashtës’.
Është atëhere i mposhtur, i manipuluar, apo i pa aftë për të çfrytëzuar potencialin që ai ka? Në diktaturë edhe mund të ç’fajësohet, sepse ajo qe e egër dhe nuk të linte të reagoje për asgjë. Një protestë, përshëmbull, mbahet mënd nga të burgosurit në tetëdhjet e treshin në kampin e Spaçit, të cilën regjimi diktatorial i atëhershëm, e ndëshkoi rëndë dhe u pushkatuan disa vetë; Një tjetër gjithashtu, po nga të burgosurit në “Qafën e Barit” në tetëdhjet e katrën, por rinia e sotme duhet të kuptojë, se ato qenë me pasoja jo vetëm për individin, por edhe për gjithë rrethin e tij familjar, ndërsa sot jemi në demokraci dhe protesta është e lejuar dhe e mbrojtur nga shteti me ligj, por nga që nuk kemi eksperiencë, nuk para i përdorim, bile as atëhere, kur duhet. Do ishte me vënd, përshëmbull, të kishim protestuar, për dënimin qesharak që iu bë ish bllokmenëve, të cilët patën kryer krime të rënda dhe lyer duart me gjak; S’protestuam gjithashtu as kur u vodh thesari i shtetit, ngjarje që bëri bujë, por u kalua në heshtje; Për llustracionin që aq shumë u përfol, por asnjëherë nuk u realizua; Për dekriminalizimin që vazhdon akoma edhe sot të diskutohet, për vjedhjen përsëri të bankës së shtetit; për drogën që po transportohet, bile edhe me aviona, për korrupsionin me Çesin, e të tjera raste si këto dhe për t’u justifikuar, qeveritarët shprehen, se ua kemi lënë në dorë prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa kur akuzohen si të pa përgjegjëshëm ata vetë, mbrohen, se jemi të zgjedhur nga populli. Por a mund të vazhdohet në këtë mënyrë, kur problemet dhe hallet e këtij vëndi, më shumë janë duke u diskutuar nëpër emisionet televizive si “Al Pazar”, “Fiks Fare”apo “Portokalli”, se sa në parlament, ku ka vetëm oratori, ofendime ndaj njëri tjerit dhe aspak rendiment.
Por e keqja është se edhe populli tani është pajtuar me këtë gjëndje dhe s’po i bën më përshtypje. Si duket, persekucioni i gjatë komunist, na ka ndrydhur aq shumë shpirtërisht, sa megjithëse kanë kanë kaluar njëzet e ca vjet, ende s’po e marim dot veten, por ai regjim nuk na ndrydhi vetëm shpirtin dhe shpërbëu karakterin, por mposhti tek njerëzit njëkohësisht edhe kurajon, vyrtut, i cili nëqoftëse në diktaturë, sadopak egzistonte, sot është, pothuajse shuar fare. Pesimizmi, gjithashtu, ka përfshirë gjithandej dhe sidomos rininë, e cila mëndjen e ka vetëm tek emigrimi, por ky fenomen është i gabuar, sepse, ashtu siç u provua edhe në nëntëdhjetën, demokracia që u fillua aq mirë nga ata, mbas largimit të tyre, mori drejtim tjetër dhe gjithçka u fashit. Pra, kombi pa gjakun e ri, nuk mund të egzistojë apo të bëjë progres, prandaj e përsëris, që gjenerata e re jo vetëm ta dijë e ta vlerësojë këtë gjë, por edhe të ndjejë njëkohësisht përgjigjësinë që ajo ndaj Atëdheut dhe kombit të vet, ka. Në dhjetorin që vjen mbushen plot njëzet e pesë vjet nga lëvizja studentore, e cila tronditi themelet e diktaturës dhe shëmbi komunizmin, prandaj guximi i asaj gjenerate, jo vetëm që nuk duhet të harrohet, por përkundrazi të kujtohet e të merret si shëmbull sakrifice dhe vendosmërie. E ngjajshme nga uniteti, por jo në të njëjtat kushte, ishte edhe protesta që u organizua para disa vitesh për të mos pranuar armët kimike që presupozohej të hynin në Shqipëri dhe pati sukses. Prandaj, kur populli ka unitet dhe është i bashkuar, edhe demokracia, sigurisht ecën më mirë, ndryshe, të ndarë dhe të veçuar sipas partive, siç aktualisht jemi, të kujton “luftën e klasave’ që diktatura komuniste përdorte dikur, për të na ndarë dhe bërë armiq me njëri tjetrin. Të shkëputemi, pra, njëherë e mirë nga mashtruesit, matrapazët dhe të korruptuarit, të cilët po e shkatërrojnë këtë vënd dhe t’i bashkohemi pjesës së ndershme të shoqërisë, asaj që e ka të trashëguar dhe me prova dashurinë për Kombin dhe Atëdheun e vet. Nëqoftëse lëvizja e dhjetorit, që përmëndëm më lart, s’e pati të mjaftueshme eksperiencën për ta përfunduar atë mision që nisi deri në fund, këto njëzet e pesë vjet, kemi mësuar shumë gjëra që nuk i dinim, të cilat duhet të na vlejnë, për të mos i përsëritur ato gabime edhe njëherë. Kërkesat e studentëve të universiteteve publike, nëqoftëse janë të arësyeshme, nuk ka asgjë rë keqe që protestojnë, bile edhe të përkrahen, sepse në një vënd demokratik, siç jemi ne, këto janë të zakonshme dhe krejt normale.

Filed Under: Komente Tagged With: “JEMI TË ZGJEDHUR, Hasan Kostreci, nga populli

SHQIPËRIA MBETET SI GJITHMONË NJË MODEL I VEÇANTË

October 29, 2015 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/ New York/
Është pak për t’u habitur, sepse ashtu siç edhe diktatura komuniste tek ne ishte krejt ndryshe nga vëndet e tjera të lindjes, d.m. thënë brutale, e egër dhe mjaft primitive, ashtu edhe demokracia siç po duket në këto njëzet e pesë vjet jo vetëm që nuk ngjan si e tillë, por nga dita në ditë e më shumë komplikohet, sa ka vënë në siklet jo vetëm neve si popull, por edhe të huajt, të cilët megjithëse mundohen e bëjnë çmos për të na prurë në binarë, është e pa mundur. Pra, vazhdojmë me modelin tonë ‘alla shqiptarçe”, ku mashtrimi, hipokrizia dhe konfuziteti janë si në politikë, ashtu dhe në popull.
Komentet për këtë situatë të krijuar, janë të ndryshme, por jo të gjitha qëndrojnë. Një pjesë, përshëmbull, na fajsojnë neve si komb, që nuk jemi të zotë apo të aftë të bëjmë shtet dhe duke përmëndur një shprehje të Konicës thënë në periudhën mbas Shpalljes së Pavarësisë, se “Shqipërinë e bëmë, po hajde të bëjmë shqiptarët”, duan të justifikojnë bëmat e diktaturës dhe të idhullit të tyre, Enverit, që nuk ishte ai që e prishi këtë popull, por kështu ngahera kemi qënë, po në realitet ata harrojnë se kombi ka vetëm një elitë, e cila do kohë që të krijohet, por kur ai e vrau dhe e azgjësoi atë deri në rrënjë, turma e mbetur, si atëhere, ashtu edhe sot, sigurisht, nuk bën dot shtet.
Po pse kjo situatë mbeti e njëjtë edhe mbas rënies së komunizmit? Sepse ikja në nëntëdhjetën e një pjese të mirë të shqiptarëve, pasojë edhe kjo e atij regjimi, për kombin tonë të vogël, ishte e dëmshme, sepse u largua rinia, por edhe pjesa më antikomuniste e shoqërisë dhe vëndi i mbetur, tashmë jo vetëm i varfër dhe i përgjysmuar, por edhe pa një forcë të mjaftueshme për t’u përballur me elementin pasardhës të diktaturës, të cilët edhe pse të rinj dhe të shkolluar brënda apo jashtë vëndit, për prejardhjen dhe genia nga vinin, trashëgonin të njëjtin mentalitet dhe duke u eleminuar edhe ato pak pjesmarrës prej ish familjeve të persekutuara, apo të porsa liruarit nga internimet e gjata dhe burgjet komuniste, demokracia mbeti në duart e po asaj klase ose të pasardhësve të tyre dhe si rjedhim atë që populli shqiptar kishte vite e dekada me radhë që priste, nuk erdhi.
Kanë kaluar, megjithatë shumë vite nga atëhere, janë bërë disa herë zgjedhje parlamentare, lokale apo presidenciale dhe ne vazhdojmë të jemi indiferentë në këtë proces, një ves i mbetur nga koha e komunizmit, sa që në periudhë votimesh nuk impenjohemi fare të dallojmë intelektualin nga injoranti; të ndershmin nga matrapazi dhe demokratin nga ai që shtiret si i tillë e deri sa ky fenomen do vazhdojë kështu e nuk do ndryshojë, e keqja asnjëherë nuk do na ndahet dhe bashkë me të edhe korrupsioni, vjedhjet (një herë thesari dhe njëherë tjetër banka e shtetit) apo të tjera skandale si këto.
Të dyja partitë e mëdhaja, por edhe të tjerat, duke mos patur kontradita ideollogjike, luftën që bëjnë, është vetëm për pushtet dhe kush të pasurohet më shumë dhe 97 ta, që na çoi në atë luftë civile dhe vëlla vrasëse, e cila na kushtoi qindëra të vrarë dhe disa vjet të kthyer mbrapa; 21 Janari i 2011 tës përsëri mbas katër vjetësh apo të tjera si këto; grindjet, mosmarrveshjet që shohim në parlament çdo ditë; akuzat dhe fjalori i pistë që përdoret, kanë po njëjtin motiv, por duke u bërë të padurueshme dhe të bezdisëshme, popullit i ka ardhur aq shumë në majë të hundës, sa jo vetëm që ka hequr dorë nga politika, por edhe të shprehet se “Shqipëria kurrë nuk ka për t’u bërë”, por kjo është e gabuar, sepse në këtë mënyrë neve përsëritim të njëjtin gabim që bëmë në nëntëdhjetën, kur ndërruam vetëm sistemin, por jo edhe elementin.
Në pamje të parë, duket sikur këtë shtresë s’e lidh asgjë me të kaluarën, por në realitet nuk është kështu, sepse edhe historinë e gënjeshtërt të shkruar në atë kohë, e ruajnë me fanatizëm dhe nuk duan ta ndryshojnë, por edhe çdo datë përkujtimore që ka lidhje me atë periudhë, përpiqen ta festojnë, duke mos harruar edhe portretin e diktatorit, këtë vit, bile edhe i bashkëshortes së tij dhe të gjitha këto e të tjera, të bëjnë të dyshosh për rrugën që kemi filluar dhe ku po shkojmë, sepse një popull të varfëruar, ashtu si dhe në komunizëm, nuk është e vështirë ta manipulosh e ta përdorësh si të duash.
Akuzojmë Europën që s’do të na pranojë në gjirin e saj dhe nuk akuzojmë veten për drogën që ka mbytur vëndin nga jugu në veri dhe çudia, kur në lajmet e mbrëmjes mburremi për mijrat e rrënjëve të kanabisit të shkulura, sikur këto të ishin duaj me grurë apo misër. Themi që Europa s’na pranon, po a nuk janë më shumë se një miljon shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje dhe nga që vazhdohet akoma të ikin, tregon se edhe këtë pjesë të mbetur, qeveria dhe Shteti Shqiptar nuk është në gjëndje t’i mbajë.
Tendenca, në zgjedhjet lokale që kaluan, për të nominuar edhe ndonjë person të ndershëm dhe me reputacion, dështoi dhe kjo, sepse ashtu si dikur, nuk vlerësohet edhe aq personaliteti i njeriut dhe ndershmëria, por disa ‘cilësi’të veçanta, të cilat kërkoheshin edhe në komunizëm.
Për gati pesëdhjet vjet shpresuam se ajo diktaturë një ditë do binte dhe ra, por a do vazhdojmë po aq gjatë të presim edhe për një demokraci të vërtetë! Atë sistem, ç’është e vërteta, fillimisht e shëmbën të tjerët, ndërsa ne vetëm se i ndoqëm nga pas, ndërsa për situatën e krijuar, është vetëm detyrë e jonë dhe s’ka kush tjetër të na ndihmojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, model i vecante, shqiperia

KUR PRISHET TRASHËGIMIA

March 15, 2015 by dgreca

Atdhe të patëm Nënë, na u bëre Njerkë…/
NGA HASAN KOSTRECI/
Nuk kam ndërmënd ta analizoj shkencërisht, se ç’është trashëgimia, sepse edhe sikur, s’do mundesha dot, por më shumë nga ana teorike dhe nga që njerëzimi e njeh prej kohësh këtë fenomen, është munduar gjithmonë që ta aplikojë. Një bujk, përshëmbull, e di mirë, se për të patur rendiment në një kulturë të caktuar, fillimisht zgjedh farën dhe sa më e shëndetëshme të jetë ajo, aq edhe më shumë ka garanci prodhimi. Një blegtor gjithashtu, për të patur një lopë apo dele që të japin sasi sa më të mëdha qumështi, mishi apo lesh, duhet që ato të jenë racë dhe për ta arritur këtë, zooteknika përdor metodën e kryqëzimit. Po a zbatohet ky ligj edhe tek njerëzimi? Sigurisht që po dhe çdo shtet, për të patur një shoqëri jo vetëm të fortë e të shëndetëshme, por edhe mirë të arësimuar dhe intelektuale, investon dhe në botë sot njihen mjaft kombe që janë më të avancuar nga të tjerët dhe ne i marrim ato si modele, përshëmbull ai englez, gjerman, francez, amerikan apo suedez dhe pikërisht nga këta, kanë dalë dhe dalin vazhdimisht edhe njerëz të ditur apo personalitete të fushave të ndryshme, si nga arti, shkenca, fizika apo inxhineria, të cilët me kontributin e tyre, i kanë dhënë botës zhvillim dhe përmirësuar mjaft jetën njerëzimit, por me avancimin e teknollogjisë, modifikimin e mjeteve të ndryshme, përfshirë këtu edhe ato të transportit që sot janë bërë tepër moderne dhe të shpejta, ka ndikuar ndjeshëm edhe në qarkullimin apo në lëvizjen masive të njerëzve, fenomen ky qe sot është bërë i pashmangëshëm, por problemi nga kjo nuk është edhe aq, sepse në këtë mënyrë janë duke u përzierë racat, se sa tek niveli i tyre i ndryshëm dhe sa më i theksuar që të jetë ky, aq më i vështirë bëhet edhe unifikimi, por për Shqipërinë, ky fenomen, pra, pëzjerja e racës, as nuk ka egzistuar dhe as nuk egziston, prandaj që të justifikohemi për këtë shoqëri aktualisht të prishur, duhet që fillimisht ta kërkojmë tek vetja, por edhe tek historia jonë, e sidomos tek politika, e cila, siç dihet, më shumë ka punuar për të na prurë në këtë gjëndje, se sa për te bërë një komb të edukuar, me vlera dhe cilësor.
Pushtimi pesëqind vjeçar Osman, pavarësisht se si pozicion gjeografik jemi në Europë, na pengoi, që të përfitonim edhe ne, sadopak, nga zhvillimi i saj, por megjithatë edhe pse të arësimuar dhe punësuar në atë perandori, mjaft intelektualë, që ne i kemi quajtur Rilindas, menduan edhe për vëndin e tyre dhe ishin ato përpjekje, që bënë të mundur të realizoheshin disa nga ato ngjarje aq të rëndësishme, të cilat më vonë çuan edhe në Shpalljen e Pavarësisë, por rreziqet për Shqipërinë nga një coptim i mundëshëm, sidomos gjatë Luftës Ballkanike dhe të Parë Botërore, përsëri nuk rreshtën, prandaj si Kongresi i Lushnjës më 1920, i cili vulosi përfundimisht edhe kufijtë e Shtetit Shqiptar me të gjitha institucionet, ashtu edhe ‘Mbretëria’, që shënoi shkëputjen njëherë e përgjithmonë nga oreienti, qenë mjaft të domosdoshëme, por të gjitha këto e të tjera, të cilat shkurtimisht përmënda, ndikuan mjaft njëkohësisht edhe në përhapjen në popull të ndjenjës së shqipëtarizmit, e cila sa vinte e po rritej dhe shprehjet ‘Atëdhe’ apo ‘Komb’ nuk ishin më nocione, por diçka e shenjtë, për të cilat, po të ishte nevoja, duhej edhe sakrifikuar dhe me këtë motiv, duke mos e kuptuar se më shumë po përkrahnin një regjim gjakatar, i cili do i vinte kazmën Shqipërisë, se sa po i shërbenin vëndit, me vetëdije, por të mashtruar, ata iu bashkuan Nacional Çlirimtares. Ndershmëria, besa dhe karakteri në atë kohë egzistonin dhe ishin të theksuara tek çdo shqiptar, por prapambetja dhe injoranca ishin ende në masë dhe kjo na kushtoi, sepse vakiumi që përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, la, i hapi rrugë virusit të kuq, i mbirë fillimisht në Rusi dhe nëpërmjet Jugosllavisë, pa dëshirën tonë, hyri edhe tek ne dhe me parrullën bolshevike se ‘Do të shkatërrojmë Botën e Vjetër’ dhe ‘Do të ndërtojmë një Botë të Re’, enveristët e ardhur në dyzet e katrën në pushtet, azgjësuan jo vetëm gjithë atë shtresë intelektuale, patriote dhe fisnike, e cila, siç thamë, punoi aq shumë për çështjen shqiptare, por zhduku njëkohësisht edhe atë trashëgimi të krijuar në vite e dekada dhe arësyeja, sepse ai regjim nuk donte popull, por një turmë që qorrazi t’i shërbente vetëm interesave të partisë dhe diktatorit.
Patriotizmi dhe fisnikëria nuk janë nocione, por vyrtute, të cilat kryesisht trashëgohen, edukohen dhe kultivohen dhe ashtu si nuk mund të shkruash një poezi, të pikturosh një tabllo, apo të kompozosh një këngë, pa patur jo vetëm ndjeshmërinë e një artisti, por edhe ambient familjar apo shoqëror, ku je rritur pak a shumë të tillë, ashtu edhe demokrat nuk mund të bëhesh, pa patur një prejardhje apo traditë dhe fakti që në nëntëdhjetën dhe mbas rënies së diktaturës, ato vyrtute i kërkuam përsëri, por nuk i gjetëm, tregon se ato ishin shkulur me rrënjë dhe nuk egzistonin më. Injoranca pra, historikisht na ka kushtuar dhe kjo, siç thamë edhe më lart, qe edhe një nga arësyet që përqafuan komunizmin dhe pastaj e pësuam; Nga padija dhe injoranca, duke rrëzuar një bust, menduam gjithashtu se shëmbëm edhe diktaturën dhe po nga injoranca kemi njëzet e pesë vjet, që s’po jemi në gjendje të seleksionojmë apo të zgjedhim çka dhe kush i duhet Shqipërisë. Diktatura komuniste me injorancë e ngriti dhe e ndërtoi atë regjim dhe me shofera, karrociera dhe mjelëse lopësh, e përfundoi, por mos ndofta i njëjti fenomen po ndodh edhe sot në demokraci, sepse sikur ajo farë, të cilën në nëntëdhjetën e kërkuam, por na mungonte, të ishte mbjellë, sadopak përsëri, mbas në çerek shekull tranzicion, do kishim me siguri të tjera redimente dhe shoqëria nuk do ishte kjo që aktualisht kemi sot.
Shqiptarët si brënda ashtu edhe jashtë atëdheut për situatën ku ndodhemi, janë mjaft të shqetësuar, por kurrë nuk do të dëshëronim që të humbasin durimin e të kalojnë në pesimizëm, sa të pranonin një shprehje të Shekspirit përdorur tek tragjedia ’Magbeth;
Atëdhe të patëm Nënë, na u bëre Njerkë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Atëdhe të patëm Nënë, Hasan Kostreci, na u bëre Njerkë.

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT