THAÇI: ROLI I SHBA, BESIM DHE GARANCË PËR KOSOVËN/
-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për shtyp në 20 Korrik 2018, ku i është përgjigjur edhe interesimeve të korrespondentit të akredituar në Kosovë të Gazetës DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA: Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special
-Nga arkivi i Gazetës DIELLI: Grupi i Unitetit dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 30 Qershor 2020/ Nëse akuza ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vërtetohet dhe ai jep dorëheqje, ashtu si ka paralajmëruar, dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të dobësohet. Kështu të paktën ka vlerësuar gazetari britanik dhe eksperti për Ballkan, Tim Judah, që ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, të cilwn e transmeton sot media në Kosovë.
Sipas Judah, nëse Thaçi jep dorëheqje, palët nuk do të kenë negociues me forcë të njëjtë. Judah ka vlerësuar se është pak e besueshme që takimi i anuluar i Uashingtonit në fund të mbahet për shkak të situatës së paqartë lidhur me Thaçin dhe pasi zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen.
Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mundësinë e dorëheqjes Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar në mbrëmjen e djeshme kur nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi javën e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.
“Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë.
Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë.
Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Roli i SHBA, besim dhe garancë për Kosovën”, ishte titulli i raportimit të gazetës DIELLI – organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. për të cilën në një konferencë shtypi para dy vitesh, në 20 Korrik 2018, ka folur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur për dialogun nga korrespondenti në Prishtinë.
“Natyrisht, kemi pasë edhe konsulta me autoritetet amerikane paraprakisht në Bruksel”, bëri të ditur presidenti Thaçi, në konferencën për shtyp.
Presidenti i Kosovës tha se, në dialogun me Serbinë roli i Bashkimit Evropian është udhëheqës, por pa garancë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të NATO-s natyrisht si një ekipë e përbashkët ndërkombëtare, nuk ka as marrëveshje, as funksionim, as implementim.
“Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
PYETJA E KORRESPONDENTIT NË KOSOVË TË GAZETËS DIELLI:
Z. President pyetja vjen nga Gazeta DIELLI në SHBA, më e vjetra ne gjuhën shqipe në botë, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica. Po, edhe si një kronist i zhvillimeve në Kosovë shumë vite, do kujtoja fillimisht sot vitin 2005, takimin e parë të Grupit të Unitetit më 6 tetor, ku ishte qëndrimi se i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia…Përsëri po flitet për një kompromis, sa shoh në deklaratat nga Beogradi pretendohet zhbërja e pavarësisë së Kosovës në një proces bisedimesh. Ju vazhdimisht mbroni pavarësinë që është vullnet i shumicës së popullit të Kosovës. Keni deklaruar se ka pak hapësirë për kompromis brenda shtetit të pavarur të Kosovës, duke nënkuptu për të drejtat e serbëve të Kosovës. Si i komentoni këto qëndrime?
PËRGJIGJA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, HASHIM THAÇI:
Të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantura plotësisht me Dokumentin e Presidentit Ahtisaari, janë më të afirmuara se të çdo komuniteti tjetër në Evropë, ata janë qytetarë të Kosovës, ju kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë të jemi afër tyre.
Kosova shumëetnike është vizioni i së ardhmes evropiane.
Pse jemi në dialog apo në negociata. Jemi për hirë të së ardhmes evropiane, sepse është mesazh i qartë i gjithë lidershipit evropian, por edhe qëndrim i Bashkimit Evropian se pa normalizim të raporteve të vendeve përkatëse në Ballkanin Perëndimor, pa fqinjësi të mirë dhe pa i tejkaluar problematikat që i kanë, nuk mund të lëvizin asnjëra drejt Bashkimit Evropian. Dhe për Kosovën, në këtë rast, as drejt perspektivës në NATO. Prandaj, ne nuk e kemi atë luks që të rrimë, të shikojmë dhe të vazhdojmë me këtë gjendje të status quo-së.
Jemi dëshmitarë që për shkak të demarkacionit tre vite kemi pritur një lajm të mirë (për liberalizimin e vizave), lajmi i djeshëm ka mund të publikohet tre vite më herët, apo minimum dy vite e gjysmë.
Andaj, sa më tepër hezitojmë ne, sa më tepër i frikësohemi hapave të rëndësishëm çmimi bëhet edhe më i madh për Kosovën.
Tekefundit, mua më intereson dhe i gëzohem integrimit evropian të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, po unë përfaqësoj shtetin e Kosovës, mua më interson dhe punojmë që të lëvizim më shpejtë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Mirëpo, edhe në Samitin e Sofjes pozicioni i Bashkimit Evropian ishte shumë i qartë: E para, modernizimi i Bashkimit Evropian, e dyta reformimi dhe pastaj zgjerimi. Dhe, është edhe mesazhi tjetër që ka qenë shumë i qartë, ato vende që aspirojnë të ardhmen evropiane duhet t’i zgjidhin problemet e tyre mes veti.
Tash në këtë klimë të favorshme që është krijuar në rajon, në veçanti pas marrveshjes së Maqedonisë dhe Greqisë, mendoj, dhe ju e patë, që menjëherë pas asaj marrëveshje erdhi ftesa për Maqedonië për NATO.
Ne nuk duhet të biem viktimë e politikave ditore, e politikave elektorale, e populizmit, apo edhe e ndonjë zëri nacionalist.
Nëse është aspiratë dhe është e lidershipit të Kosovës e ardhja evropiane duhet të marrim guximin, duhet të jemi bashkë dhe duhet të fitojmë këtë betejë për të ardhmen evropiane siç e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë.
Nëse është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe është mbi 95 për qind për të ardhmen evropiane dhe NATO-n, atëherë ne nuk guxojmë si lidership ta vonojmë të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Nuk e kemi atë luks, duhet të marrim thjeshtë përgjegjësitë që na takojnë, për të lëvizë më shpejtë.
E di se ndokush mund të thotë se më mirë pa marrëveshje sesa me marrëveshje jo të lehtë me Serbinë. Unë mendoj se duhet të arrijmë marrëveshje në një proces të rëndë të negociimit me Serbinë. Më së lehti është me qëndru në një vend dhe me akuzu të tjerët, por sot, përgjegjësi shtetërore dhe lidershipi është me qenë aty ku zhvillohet debati, ku zhvillohet dialogu, ku zhvillohen negociatat dhe ku merren vendimet, dhe në asnjë rrethanë spaktatorë. Lehtë është të jeshë në tribuna, po shumë vështitë është të jeshë në fushë dhe në veçanti të shënosh.
Prandaj, është momenti që njerëzit me të vërtetë të zbresin nga tribunat dhe të futen në fushen e debatit, të dialogut, të negocimit dhe të marrjes së përgjegjësive.
Anëtarësimi në NATO është në interesin e të gjithëve, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, pse ta vonojmë ne.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në interesin e të gjithëve, pse ta vonojmë ne.
E ritheksoi edhe një fakt, ne kemi humbur shansin në 2014-tën për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, kur e kemi pasur pajtueshmërinë e plotë të NATO-s dhe të gjithë partnerëve, për shkak të politikave populiste apo elektorale të një spektri të caktuar politik.
Dhe shikone tash, e kemi humbë atë momentumin e mbështetjes së plotë dhe unike ndërkombëtare të miqëve tanë dhe tash as atë mbëshetje s’mund e rikthejmë, sepse bota po ndryshon. Dhe ne menojmë që gjithë bota vrapon pas nesh dhe na shikon neve dhe mendon se çka mendojmë ne.
Ne duhet të ecim me kohë dhe ndonjëherë të pretendojmë të jemi edhe më të shpejtë.
Dhe të jemi të sigurtë se nëse jemi të përgjegjshëm, nëse ne jemi unikë, nëse ne jemi ata të cilët i kryejmë obligimet që i kemi marrë para qytetarëve në përputhshmëri me vizionin tonë euroatlantik ia lehtësojmë edhe mbështetjen miqëve tonë.
Për aq sa ne ngatërrohemi këtu, atëherë edhe mbështetja ndërkombëtare do jetë shumë më e zbehtë.
Po, një gjë është e qartë, pa normalizim të raporteve me të gjithë fqinjët, kësaj radhe me Serbinë, sikurse edhe Serbia pa normalizim me Kosovën, nuk ka të ardhme evropiane. Nuk ka marrëveshje, do jemi humbës të gjithë. Ka marrëveshje, mund të ketë kritika, po do jemi fitues të gjithë.
Tek e fundit, kritika ka pasë edhe për Rambuje, edhe për Vjenë, edhe për procesin e Brukselit. Dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare ka opinionin kritik. Nuk ndodhë kjo vetëm në Kosovë apo në Serbi. Ka kritika edhe në Serbi në raport me presidentin Vuçiç, ka kritika edhe këtu, ka kritika edhe për marrëveshje ndërkombëtare që shtete përkatëse i bëjnë me njëra-tjetrën, ju jeni dëshmitarë vetë, por kur zgjedhesh bartës i institucioneve dhe zgjedhesh lider i një partie politike ke përgjegjësi me dalë përtej opinionit populist elektoral, me marrë vendim në interes të shtetit që përfaqëson.
Dhe, mendoj se kjo veç po ndodhë në Kosovë, hapi i parë është bërë me prezencën e gjithë bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës në Bruksel.
Unë i besoj frymës afruese, bashkuese dhe të bashkëpërgjegjësive, por në të njëjtën kohë, me ndodhjen, me arritjen e marrëveshjes dhe njohjen formale nga Serbia për Kosovën, anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, atëherë duhet të marrin kredi të gjithë, sepse të gjithë janë meritorë. Ne jemi bartësit e institucioneve, do jemi në të ardhmen e afërt edhe nëpër kryeqendrat e ndryshme evropiane dhe botërore, kështu që do jetë një proces dinamik dhe do jetë një proces gjithpërfshirës.
NGA ARKIVI I GAZETËS DIELLI: GRUPI I UNITETIT DHE DEKLARATA E PAVARËSISË SË KOSOVËS
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi të dielën e 17 Shkurtit historik 2008, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.