• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova synon të arrijë marrëveshje në Ballkan

September 27, 2018 by dgreca

Thaçi nuk ndalet-Editorial në „Financial Times“/

 1-thaci

Shkruan: Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës*/

Këtë vit Kosova festoi 10 vjetorin e pavarësisë së saj. Është kohë e përshtatshme për festë dhe reflektim për popullin tonë dhe aleatët tanë. Kosova është një demokraci e re, e qëndrueshme dhe e begatë, që synon të bashkohet me BE-në dhe NATO-n si shumica e fqinjëve dhe partnerëve të saj. Por, rruga përpara është e gjatë dhe e mbushur me pengesa.

Ne besojmë që Kosova është treguar një partner i besueshëm ndaj BE-së. Ne i ndajmë të njëjtat qëllime. Jemi angazhuar në mënyrë aktive në dialog me Serbinë, një proces që unë jam krenar që e udhëheq për shumë vite. Atyre që u kujtohen luftërat e tmerrshme të viteve 1990, do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj përpjekjeje. Kosova ka qëllime dhe pritshmëri të qarta nga përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu duhet ta çojë Kosovën dhe Serbinë drejt njohjes formale të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të plota diplomatike me njëra-tjetrën. Kosova duhet të ketë një rrugë të qartë, të barabartë dhe të papenguar të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.

Kosova do ta ruajë sistemin e tanishëm politik si një republikë unitare. Ajo është efektive në integrimin e të gjitha komuniteteve dhe siguron se ata mund të udhëheqin jetën e tyre të përditshme. Ne nuk do të shqyrtojmë eksperimente që do të bënin rrëmujë nga rendi kushtetues.

Deri sa Kosova dhe Serbia të zgjidhin dallimet e tyre, ne nuk do të jemi në gjendje t’i bashkohemi BE-së. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme për mua që të arrijmë një traktat ligjor të detyrueshëm të paqes me Serbinë. Njerëzit e Kosovës do të kenë një të ardhme më të ndritur dhe më të mirë si pjesë e familjes së madhe euroatlantike.

Për Kosovën nuk ka alternativë ndaj anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne nuk kemi një Plan B, as nuk jemi duke e kërkuar një të tillë. Dritarja e mundësisë për të arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e hapur, por ajo është duke u zvogëluar. Potenciali për të tjerët për të përfituar nga vakumi dhe paqartësitë është i madh. Për këtë arsye unë jam angazhuar sërish me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje kreative që do të sjellin një marrëveshje të drejtë dhe përfundimtare. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme që mbulon dy dallimet aktuale dhe pikat potenciale të konfliktit të ardhshëm. Ne nuk do të pranojmë marrëveshjet e përkohshme apo vazhdimin e status quo-s.

Një çështje tensioni mbetet kufiri midis dy vendeve tona. Është shkruar shumë për këtë javëve të fundit. Disa prej tyre edhe gjëra të panevojshme nxitëse. Dëshiroj të qartësoj këtu diçka. Historia e Ballkanit nuk është ajo e marrëveshjeve, por e mosmarrëveshjeve. Ne kemi një shans për të ndryshuar këtë kurs.

 

Ashtu siç i kemi vendosur kufijtë tanë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të duhet të adresojë kufijtë tanë shtetërorë. Duke vepruar kështu, ne besojmë se çdo korrigjim kufitar duhet të bazohet në parimet e forta të ligjeve ndërkombëtare dhe vlerave tona të përbashkëta.

Së pari dhe më kryesorja, një korrigjim kufitar nuk duhet të bazohet në parimin e ndarjes etnike. Ne nuk duam të ndajmë dy popujt tanë. Është e panevojshme të thuhet se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të shoqërohet me garanci të forta për mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të të gjitha komuniteteve që mbeten në vendet tona përkatëse, duke përfshirë ruajtjen e monumenteve fetare.

Së dyti, ne nuk po kërkojmë të krijojmë kushtet për ndryshimin e kufijve kudo në rajon, si shembull me Shqipërinë, pavarësisht asaj që disa thonë. Kosova kurrë nuk ka qenë precedent. Ajo do të mbetet si një rast Sui Generis. Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane. Ligji ndërkombëtar i lejon shtetet sovrane të përcaktojnë kufijtë e tyre, siç ato e shohin të arsyeshme, dhe vendimet tona nuk kanë asnjë ndikim ndaj ndonjë shteti tjetër.

Aktualisht, tensioni mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i lartë. Historia e BE-së tashmë ka treguar se kufijtë e rënë dakord së bashku me një vizion të përbashkët të një të ardhmeje paqësore dhe bashkëpunuese mund t’i bëjnë kufijtë shtetërorë më pak të rëndësishëm. Ne duam që ky model të funksionoj edhe për ne. Një kufi i pranuar reciprokisht, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë përfundimtare, do t’i lejojë Kosovës dhe Serbisë të hedhin themelet për një marrëdhënie më të hapur dhe një të ardhme më paqësore.

 

*Ky editorial i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është botuar në „Financial Times“.

Filed Under: Editorial Tagged With: Editorial, Financial Times, Hashim Thaci

Korrigjimi paqësor i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

September 16, 2018 by dgreca

Editorial nga Presidenti/1 thaçiShkruan: Hashim Thaçi*/

Unë jam i sigurt se në politikën kosovare, tek qytetarët e Kosovës, nuk ka aspak dyshim se ne, si udhëheqës institucionalë të Kosovës, duhet të punojmë bashkë me qëllim që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore, t’i japim fund bisedimeve me Serbinë, duke nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Ne kemi luftuar kundër okupimit të dhunshëm nga Serbia dhe kemi fituar lirinë në qershorin e vitit 1999. Kjo histori është e njohur për të gjithë ne, sepse ka bashkuar të gjithë shqiptarët dhe Kosovën me Perëndimin, në radhë të parë me SHBA-në, Aleancën Veriatlantike dhe BE-në.

Ne, së bashku me aleatët tanë, arritëm ta bëjmë Kosovën shtet në shkurtin e vitit 2008 dhe prej atëherë jemi njohur nga 116 shtete anekënd botës.

Megjithatë, të gjithë ne e dimë fare mirë se stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE.

Në këtë mënyrë, Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian.

Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosëm njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë.

Shumë prej jush mund të thonë që si shtet kemi merituar që rrugëtimi ynë drejt OKB-së, NATO-s dhe BE-së të jetë më ndryshe, më i lehtë, më i shpejtë dhe të mos varej më nga marrëveshja paqësore me Serbinë. Keni të drejtë në këtë qëndrim tuajin, por ja që realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis. Ju mund të thoni përsëri se Kosova tashmë i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme. Unë përsëri pajtohem me ju. Por, realiteti është edhe më kokëfortë se argumentet tona. Njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik. Dikush mund të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe brenda këtyre kufijve. Edhe unë dua të njëjtën gjë. Por, a mendoni se ne do ta bindim Serbinë ta bëjë një gjë të tillë së shpejti? Fatkeqësisht, jo. Po BE-ja dhe aleatët tanë të fuqishëm: SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e shumë të tjerë, a mendoni se do ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën? Përsëri, jo. Nuk kanë mundur ta bindin të bëjë një gjë të tillë deri më sot dhe nuk mund të garantojnë se do ta bëjnë nesër apo në të ardhmen e afërt. Si rezultat, përgjegjësia mbetet tek ne.

Për ta arritur këtë qëllim, unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Kam pritur kundërargumente racionale, por deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë.

Tashmë të gjithë e dimë që Kosova është trajtuar përherë si rast i veçantë apo ‘Sui Generis’, në ndërmarrjen e madhe ndërkombëtare të zgjidhjes së çdo procesi rreth saj. Në këtë kontekst, lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë. Dilemat vendore dhe ndërkombëtare i kanë shoqëruar të gjitha këto procese. Kështu, në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë. Por, këto shqetësime dolën të pasakta. Gjithashtu, një shqetësim tjetër i madh ishte frika nga eksodi masiv i komunitetit serb që jeton në Kosovë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe ky paragjykim doli i gabuar.

Kosova tani është shtet i pavarur dhe ne jemi në fazën përfundimtare të shtetndërtimit. Por, edhe tani ka dilema, njësoj sikurse më herët. Çuditërisht, në kohën kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët, sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, si mundësi e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po e përsëris: korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, të cilat do ta njohin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra.

Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë.

Kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë në këtë debat, por atyre që prodhojnë vetëm zhurmë dhe panik, me keqardhje u them se janë të gabuar.

Në ditët e kaluara kam pasur takime shumë të rëndësishme me politikanët kryesorë të shteteve fqinje të rajonit. Së pari takova Ilir Metën, Presidentin e Shqipërisë, pastaj në Podgoricë u prita nga Millo Gjukanoviq, Presidenti i Malit të Zi, si dhe në fund bisedova në Shkup edhe me Zoran Zaevin, Kryeministrin e Maqedonisë.

Në të gjitha këto bisedime miqësore dhe të sinqerta, ua bëra me dije synimin tonë për marrëveshjen me Serbinë, duke i dhënë fund armiqësisë mbi njëshekullore dhe duke ruajtur stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe qëllimin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe miqësinë me të gjitha vendet e rajonit.

Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia, i siguron bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, duke forcuar kështu stabilitetin dhe mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan.

Prandaj, skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket stabilitetit të kësaj ane të Evropës.

Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfolët me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdorej në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë.

Koha e luftërave dhe konflikteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

* Derguar nga Zyra e presidentit te Kosoves

Filed Under: Editorial Tagged With: Editorial, Hashim Thaci, i kufijeve, korrigjim paqsor

Thaçi ecën vetë….

August 17, 2018 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në muajin shtator ku do t’i shpalosin idetë e tyre se si të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë./

Nga Shkëlqim Hysenaj/*


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbetur i vetëm në iniciativën për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk e ka mbështetjen e partive politike, as në pushtet e as në opozitë.
Thaçit i duhet mbështetja e partive politike pasi çdo marrëveshje eventuale ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të duhet të votohej në Parlament.Vende mbështetëse të Kosovës, siç janë Britania dhe Gjermania, janë deklaruar kundër një ideje të mundshme për shkëmbim apo ndryshim të kufijve në Ballkan.Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se presidenti, përmes kësaj ideje, ka përçuar një mesazh të dëmshëm për vendin.
Hoti thotë se janë të koordinuara deklarimet e personave të caktuar në Prishtinë dhe Beograd që promovojnë idenë e shkëmbimit të territoreve.“Propozimi kontrovers i presidentit për korrigjim kufijsh, i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kamotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës. Ky propozim po ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një Qeveri dhe Kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës”, thotë Hoti për Radio Evropa e Lirë.
Promovimi i idesë së korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve nga presidenti Thaçi, sipas Hotit nga LDK-ja, e ka futur ne qorrsokak diplomacinë kosovare dhe ka rezultuar me stopim të plotë të integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, ku ka qenë e mundshme, si dhe ka stopuar plotësisht njohjet e reja.Për shkëmbimin e territoreve, presidenti Hashim Thaçi, në asnjë formë nuk do ta ketë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja e këtij subjekti politik, Arbërie Nagavci, thotë se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese kur ka folur për shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh.
“Përveç deklarimit të partive opozitare, madje edhe individë nga partitë e koalicionit, së fundi kemi edhe deklarimet e kancelares Merkel dhe vendeve të BE-së, të cilat e bëjnë të qartë se prekja e kufijve në Ballkan, do të sillte konflikte të reja dhe kjo është krejtësisht e papranueshme. Andaj besojmë se ky është një tregues për Thaçin që t’i mbyllë këto deklarime, madje as të mos mendojë në këtë drejtim. Përndryshe, ai mban përgjegjësi edhe penale dhe bën tradhti ndaj vendit”, thekson Nagavci.

Në kohën kur presidenti Thaçi prezantoi idenë për ndryshim kufijsh, Partia Socialdemokrate kërkoi nga subjektet opozitare mbështetje për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohej për temat e dialogut si shkëmbim i territoreve, ndarja e Kosovës apo autonomia për veriun.

Shef i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, kishte thënë duhet ndalur përpjekjet e presidentit, pasi sipas tij, presidenti Thaçi nuk është legjitim për të dialoguar me Serbinë.

Qëndrimi i partive në pushtet

Ndonëse presidenti Thaçi u paraqit në shumë konferenca, në të cilat foli për idenë e korrigjimit të kufijve, ai nuk tregoi asnjëherë se çka duhet të japë Kosova për ta bërë pjesë të saj Preshevën, thotë Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate.

“Nëse ai dëshiron të merret seriozisht nga partitë politike, qytetarët e vendit, ai duhet të dalë dhe të tregojë se çfarë po dëshiron të marrë, përkatësisht ai ka treguar se çka dëshiron të marrë, por të tregojë drejt çka duhet dhënë për atë. Pastaj populli vlerëson a është patriot ky apo nuk është patriot. Aktin e marrjes, bashkëngjitjes së Preshevës po e shet si patriotizëm, por nuk po tregon assesi se çka duhet dhënë për të”, thotë Sherifi.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, ish-partinë e presidentit Hashim Thaçi, thonë se pavarësisht se cilat mund të jenë rrethanat e bisedimeve në Bruksel, me Serbinë, nuk duhet të diskutohet asnjëherë për territorin e Kosovës. Megjithatë, Xhavit Haliti nga PDK-ja, thotë se deri tani nuk ka asgjë zyrtare përveç deklarimeve të presidentit Thaçi.

“Unë mendoj se Kosova është njohur ndërkombëtarësh sipas Pakos së Ahtisarit dhe GJND-së. Mendoj në këtë vendim duhet mbetur konsistent që së pari marrëdhëniet tona të ndërtohen mbi bazën e kësaj. Që do të thotë edhe Serbia ta njohë Kosovën e pavarur dhe të tjerat pastaj janë çështje terciare, për të cilat mund të merremi vesh. Për territorin e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, nuk mund të vendosë më Serbia dhe nuk duhet as të diskutohet sa i përket çështjes së Kosovës dhe çështjes së interesave të Serbisë në Kosovë”, deklaron Haliti.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj ideja për ndërrim të kufijve, ndarje ose shkëmbim të territoreve, do të thotë luftë.

Kundërshtimin më të fuqishëm idesë së ndryshimit të kufijve ia ka bërë kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka thënë se nuk mund të ketë lëvizje kufijsh në Ballkan, duke veçuar faktin se vendet e rajonit kanë të ardhme evropiane.

“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe është i paprekshëm”, ka thënë Merkel këtë javë.

Edhe Ambasada Britanike në Kosovë e ka kundërshtuar lëvizjen e kufijve.
“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në muajin shtator ku do t’i shpalosin idetë e tyre se si të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se marrëveshja përfundimtare do të arrihet deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.(*Sipas RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: ecen vete, Hashim Thaci

Thaçi: Jo ndarjes – Po bashkimit të Preshevës me Kosovën

August 2, 2018 by dgreca

1 Thaci interviste

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se ideja e tij nuk nënkupton as shkëmbim territoresh, ndërsa korrigjimi i kufijve sipas tij nuk paraqet ndonjë efekt domino për Kosovën apo rajonin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se ideja e tij nuk nënkupton as shkëmbim territoresh, ndërsa korrigjimi i kufijve sipas tij nuk paraqet ndonjë efekt domino për Kosovën apo rajonin.

Zëri i Amerikës: Zoti president, javëve të fundit është hapur debat për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Ju keni përjashtuar ndarjen por keni shprehur mundësinë e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Çfarë nënkupton korrigjimi?

Presidenti Thaçi: Definitivisht e ritheksoj edhe sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush, nuk mund të imponohet ndonjë ndarje e Kosovës, por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi të vetëdijshëm që shënimi i kufirit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë, apo korrigjimi i kufijve. Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se ne duhet që definitivisht në procesin e dialogut që do të ndodhë në të ardhmen, të punojmë që së bashku edhe me akterët ndërkombëtarë të vëmë kufirin Kosovë-Serbi. Tani kur në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë ndarja dhe e ritheksoj shumë fuqishëm se diçka e tillë as që do të mund të hidhet në tavolinë nga Beogradi, që është një kërkesë e hershme e tyre. Por, ajo që mund të them, në kuadër të korrigjimit të kufijve tani më unë kam pritur në zyrën time përfaqësuesit e luginës së Preshevës të cilët e kanë bërë kërkesën dhe e kanë institucionalizuar në adresë të Kosovës, që të drejtën e tyre të deklaruar në vitin 1992 për t’iu bashkangjitur Kosovës si luginë e Preshevës, është diçka reale ,është një kërkesë e tyre e prezantuar tek unë të cilën definitivisht veç kam vendosur që pas kërkesës së tyre, do ta hedh në tryezën e dialogut në mënyrë që çështja e tyre të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Do të jetë shumë e vështirë, kjo kërkesë e tyre do t’i komplikojë dhe rëndojë edhe më tepër procesin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, mirëpo ndjejë obligim moral, kombëtar, demokratik, kushtetues dhe ligjor diçka të tillë ta prezantojë në tavolinë.

Zëri i Amerikës: Nëse ju e hidhni në tavolinë çështjen e luginës së Preshevës, a prisni që të njëjtën gjë ta bëj edhe Serbia për veriun e Kosovës?

Presidenti Thaçi: Diçka e tillë ende nuk është dëgjuar nga askush, kërkesa për ndarje është e vazhdueshme jo vetëm në vitet e fundit, por është kërkesë historike e Serbisë,që i takon shekullit të kaluar. Unë e theksoj atë që unë do të ndërmarr, që do të thotë në kuadër të korrigjimit të kufijve, t’i themi shumë qartë jo ndarjes dhe po bashkimit të Preshevës me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Si do të mund të ndodh një gjë e tillë?

Presidenti Thaçi: Mendoj se të gjithë janë dëshmitarë që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë duke punuar me seriozitetin më të lartë për finalizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke punuar me përgjegjësi më të larta kushtetuese, ligjore por edhe vizionin e qëndrueshmërisë së të ardhmes mendoj se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të përmbyllet me njohjen reciproke, që Kosova nuk do të ketë pengesa për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, vlerësoj se vetëm me këtë përfundim do të mund të ketë kuptim ajo marrëveshje. E ritheksoj, do të jetë një proces shumë i rëndë, i vështirë, i dhimbshëm por dua të shpresoj që të jetë fitues me një marrëveshje të balancuar të të dy palëve dhe që një marrëveshje e dyanshme e palëve të përfshira në proces do të jetë e pranueshme edhe për Bashkimin Evropian, edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për NATO-n. Një marrëveshje e vullnetshme e dyanshme e palëve Kosovë-Serbi, do të jetë e parezistueshme në kuptimin e pranueshmërisë edhe prej faktorit ndërkombëtar dhe askush nuk mund dhe nuk do të del kundër.

Zëri i Amerikës: Duke përfshirë këtu edhe nëse mund ndodh edhe shkëmbim territoresh ose diçka të tillë?

Presidenti Thaçi: Unë nuk fola as për shkëmbim as për ndarje. Fola për korrigjim të kufijve dhe në kuadër të këtij procesi mendoj që mund të gjendet zgjidhje nëse ka vullnet të mirë, vullnet të dyanshëm, ka përgjegjësi për të ardhmen. Ne jemi dëshmitar të pozicionit shumë të qartë të Bashkimit Evropian se ata po punojnë për modernizim dhe reformim të BE-së dhe se asnjë vend nuk do të mund të lëviz drejt së ardhmes evropiane pa i kryer obligimet veta dhe tejkalu problemet e ndërsjella. Mendoj se korrigjimi i kufijve dhe e vullnetit të dyanshëm, nuk paraqet ndonjë efekt domino për neve, nuk paraqet hapjen e kutisë së Pandorës, nuk e humb karakterin shumë etnik të Kosovës por e ruan atë karakter dhe se në asnjë rrethanë nuk paraqet luftë, përkundrazi kjo përpjekje dhe ky angazhim paraqet paqe, qëndrueshmëri afatgjatë dhe fqinjësi të mirë në mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, do të thotë që ideja është që Kosova tani siç është plus lugina e Preshevës?

Presidenti Thaçi: Definitivisht, unë i njoh aspiratat e Beogradit sikurse i njohin edhe të tjerët. Për fat të keq në Kosovë më shumë po flitet për ndarje dhe kërkesën e Beogradit se sa integrimin e Preshevës dhe të drejtës së tyre. Unë mbaj pozicionin se ajo çka është në interesin e shtetit të Kosovës duhet ta shtyjmë përpara dhe të mos sensibilizojnë dhe dominojnë temat e diskutimit idetë e Beogradit në Kosovë siç po ndodhë nga disa individë apo grupe të ndryshme. Prandaj është momenti që të gjithë së bashku; partitë politike, parlamenti, presidenca, qeveria, shoqëria civile, mediat të punojmë që në një periudhë të shkurtër kohore katër deri në gjashtë muaj, definitivisht të arrijmë marrëveshjen përfundimtare, historike në mes të Kosovës e Serbisë që do të nënkuptonte njohjen formale nga Serbia për Kosovën, njohjen reciproke, por edhe të shmangen të gjitha pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Përse do të pranonte Serbia një marrëveshje të tillë?

Presidenti Thaçi: Ne duhet të shikojmë kah perspektiva euro-atlantike si Kosovë. Kosova pa marrëveshje me Serbinë definitivisht është e qartë nuk mund të anëtarësohet as në NATO as në Bashkim Evropian. Gjithashtu, Serbia pa marrëveshje me Kosovë nuk do të mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane, prandaj unë dua të besoj në udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë që do të dominojë arsyeja dhe përgjegjësia e frymës dhe shpirtit evropian mbi ngatërresat lokale që i takojnë shekullit të kaluar.

Zëri i Amerikës: Zoti president, a e keni mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për idenë tuaj për korrigjim të kufijve?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj që, dhe e them me përgjegjësi të lartë se një marrëveshje lokale Kosovë-Serbi, një marrëveshje e vullnetit të mirë e dyanshme e pranueshme nga të dyja palët definitivisht nënkupton që askush nuk do të mund të dal kundër dhe nuk do të dal as Bashkimi Evropian, as NATO-ja dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, të gjithë do të jenë në mbështetje të një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të dy shteteve, Kosovë-Serbi, që nënkupton paqe, qëndrueshmëri dhe e ardhme euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Kosova nuk e ka të shtrirë tërësisht autoritetin në veri të Kosovës po ashtu lugina e Preshevës ndodhet në Serbi?

Presidenti Thaçi: Unë nuk dua të bëj paralele. Atë që mund ta them është që unë kam takuar udhëheqësit e luginës së Preshevës, janë sjellur në mënyrë të përgjegjshme, kanë institucionalizuar kërkesën në adresë të Prishtinës, të shtetit të Kosovës, për të futur në procesin e dialogut të drejtën e tyre të shprehur me vullnetin e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, dua të potencoj po ashtu se ne po punojmë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel edhe për pjesën e veriut. Ka ndodhur proces i rëndësishëm posaçërisht sa i përket integrimit në polici, në sistemin e drejtësisë, lëvizjes së lirë, të funksionimit të doganave, të kufirit, prandaj do të vazhdohet të punohet në drejtim që të mos ketë problem dhe tërë ky proces të jetë paqësor, mirëkuptues dhe suaza të lojës së drejtë të aspektit reciprok.

Zëri i Amerikës: Zoti President, vëzhguesit thonë që deklaratat tuaja ditëve të fundit po sjellin paqartësi të shumta, ndërsa kanë shtuar edhe shqetësimet që tashmë mund të jetë arritur një marrëveshje ndërmjet jush dhe presidentit Vuçiç. Si u përgjigjeni ju pohimeve të tilla?

Presidenti Thaçi: Definitivisht as që është hedhur në tavolinë ndonjë letër e shkruar apo ndonjë ide sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Deri më tani kanë ndodhur dy takime, do të thotë jemi vetëm në fazën fillestare dhe procesi që ka filluar nga muaji shtator do të jetë shumë më dinamik. Mendoj se idetë e mia vetëm kanë qartësuar procesin, ajo e korrigjimit të kufijve realisht është një realitet që ne duhet të ballafaqohemi herët apo vonë, kush e injoron tregohet naiv në politikë sepse i kemi katërqind kilometra të kufirit Kosovë-Serbi që duhet të merremi dhe të përmbyllim një herë e përgjithmonë. Askush me paqartësi kufitare nuk të pranon, as në NATO as në Bashkim Evropian, pra ajo që po shikoj unë është ajo që nuk po shikohet në rrafshin e vizionit por të politikave populiste, elektorale, problematike dhe të konflikteve. Kështu që jam në favor të arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe natyrisht se pres rezistencë të fuqishme nga Beogradi, pres një kokëfortësi prej tyre, por edhe ata duhet të përcaktohen, duan integrime evropiane apo duan të mbesin peng i së kaluarës së tyre paranojake në raport me Kosovën. Nëse duan të mbesin peng i politikës së vjetër të tyre në raport me Kosovën, atëherë e kanë të humbur edhe Kosovën edhe perspektivën evropiane. Unë jam i bindur që të gjitha forcat që duan paqe dhe stabilitet do të punojnë. Kosova do të jetë unike, bashkërisht edhe do të lëvizim drejt finalizimit të kësaj marrëveshjeje që përmbyll edhe një padrejtësi historike të së kaluarës dhe hap perspektivë për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në Serbi politikanët tashmë hapur po flasin për idenë e ndarjes së Kosovës, si u përgjigjeni?

Presidenti Thaçi: E ritheksoj, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush nuk mund të imponohet ndarja e Kosovës, pikë. E di që presidenti Vucic është i pandreqshëm në raport me Kosovën, e ndoshta edhe politika krejt e Beogradit, por këto ide u takojnë shekujve të kaluar dhe këto ide të prezantuara me të vërtetë janë për të ardhur keq dhe të parealizueshme.

Zëri i Amerikës: A shqetësoheni për ndonjë trazirë në rast se vazhdohet kështu me idetë për ndarje dhe shqetësimet rreth tyre?

Presidenti Thaçi: Deri sa ka vullnet për të diskutuar, deri sa të tregohet përgjegjësi për të dëgjuar njëri tjetrin, përderisa mund të arrihet një ujdi e vullnetit të mirë në mes të palëve, atëherë e gjithë kjo sjell paqe, sjell stabilitet, mirëkuptim, fqinjësi të mirë dhe perspektive euroatlantike. Unë punoj që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, të jetë një marrëveshje e shpirtit evropian, euroatlantik, që do të nënkuptonte stabilitet rajonal dhe paqe definitive, përfundimtare në Ballkanin Perëndimor. Ata që flasin për luftë, flasin në të vërtetë për të hedhur pengesa krejt të panevojshme në procesin e bërjes së paqes në mes dy vendeve tona dhe në tërësi në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti President, janë ngritur shqetësime kohëve të fundit lidhur me atë se a po ndryshon qasja e partnerëve ndërkombëtar kundruall Kosovës?

Presidenti Thaçi: Unë nuk mendoj se ka ndryshuar qasja e partnerëve tanë karshi Kosovës. Ekziston një mbështetje e fuqishme e Bashkimit Evropian. Ne sapo morëm rekomandimin për liberalizimin e vizave që Kosova ka përmbushur në tërësi kriteret për liberalizim, mbështetja e SHBA-ve është e fuqishme, është e njëjtë, mbështetja e NATO-s është e njëjtë, por një gjë është e vërtetë, sot bota po na shikon dhe vështron nga afër, sot SHBA-të, Bashkimi Evropian, NATO, duan të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne nëse vazhdojmë kështu mos të mendoj dikush në Kosovë që do të mund ta pengoj Serbinë në të ardhmen evropiane, nëse Kosova bojkoton dialogun, Serbia do të lëvizë përpara. Ne jemi dëshmitarë të lojërave politike që ndodhën në Maqedoni, 27 vite vonesë për t’u anëtarësuar në NATO. Në moment që arritën marrëveshjen Maqedoni-Greqi iu erdhi ftesa për NATO. Ne nuk kemi kohë për të humbur për shkak të politikave individuale, interesave grupore, populiste apo edhe zërave të luftës. Ne duhet të punojmë për mirëkuptim, paqe, stabilitet dhe frymë evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti President një pyetje të fundit, si mendoni ta bëni bashkë spektrin politik në këto bisedime?

Presidenti Thaçi: Ne do të punojmë fuqishëm që të jemi sa më të bashkuar që është e mundur. Kështu kemi qenë në Ramboulliet, kemi fituar, kështu kemi qenë në Vjenë, kemi fituar, prandaj unë jam i bindur që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, Kosovës do të ia përshpejtojë rrugëtimin euroatlantik, prandaj të gjithë e di që janë dëshmitarë për të lëvizur më shpejt për tu anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian. Nuk do të lejojmë edhe më tutje të ndodhin gabime siç ka ndodhur me shtyrjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës në vitin 2014 e që sot do të ishim pjesë e partneritetit për paqe, apo nuk do të lejojmë që të vonohemi sikur që u vonuam për demarkacionin me Malin e Zi dhe sot do ta kishim përmbyll procesin e liberalizimit të vizave, pra kemi humbur për ushtri katër vite e tri vite për liberalizim të vizave. Do të punojmë shumë fuqishëm që të krijojmë unitet sa më të gjerë të mundshëm, por edhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë individë apo parti të caktuara pulitke të mbajnë peng këtë proces të së ardhmes së Republikës së Kosovës. Tek e fundit, do të punoj që çështja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi të përmbyllet përmes deklarimit të qytetarëve të Kosovës, përmes referendumit.

Filed Under: Interviste Tagged With: bashkim me Kosoven, Hashim Thaci, Lugina e Presheves, zeri i amerikes

Qoftë i bekuar shteti i Kosovës përjetë dhe mot!

February 16, 2018 by dgreca

Jubileu i parë i shtetit të Kosovës/

1 Newborn Prishtina

Shteti i Kosovës është një rrëfim i suksesshëm dhe krenar i gjithë kosovarëve. Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë të gjithë ne që kemi privilegjin, nderin dhe përgjegjësinë për të qenë në shërbim të këtij shteti dhe të qytetarëve të tij.

Kryeministri-i-Kosoves-Hashim-Thaçi-ARKIV1-525x350

Editorial i Hashim Thaçit, Presidentit të Kosovës/

Dita më e rëndësishme në historinë e Kosovës është 17 shkurti i vitit 2008. Në këtë ditë u lind shteti i Kosovës dhe kështu të gjithë ne-qytetarët e lirë të këtij vendi, u bëmë me shtëpinë tonë të përbashkët shtetërore, u bëmë shtetas të Kosovës.

Secili prej nesh e kemi një rrëfim tonin individual dhe familjar se çka bëmë atë ditë shumë të ftohtë të dimrit, si i kaluam ato orët para se të mblidhej Kuvendi i Kosovës, në seancën e paharrueshme të tij, si iu gëzuam çastit kur me Deklaratën e miratuar në Kuvend, ne vendosëm për fatin tonë, një herë e përgjithmonë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur.

Ishte ai çasti më i lumtur për të gjithë ne si popull, çast i përjetësisë për qytetarët e këtij vendi që, si rrallë ndonjë vend tjetër në këto anë të Evropës, e ka të mbushur historinë me tragjedi, me vuajtje, me heroizma dhe me dashuri për atdheun.

Me pak fjalë, ju, qytetarët e Kosovës, shfaqët mendimin më të sinqertë, më të bukur, më të dashur, atë 17 shkurt, kur thatë një herë: ‘Bac u kry’, duke iu referuar Komandantit legjendar ,Adem Jasharit, dhe pastaj, ‘Edhe unë kam shtet’, që i rrinte mirë trashëgimisë së Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës.

Dhjetë vjet në jetën e një individi, të një familje janë shumë, gjithsesi shumë, ndërsa në jetën e përbashkët të një populli, të një shteti, ato mund të kenë peshën vendimtare për fatin e tij, ato mund të paralajmërojnë saktësisht të ardhmen e tij, siç është rasti me ne në Kosovë.

Kam pasur nderin më të madh në jetën time, që të dielen e 17 shkurtit të vitit 2008, në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në respektim të një historie të lavdishme të këtij populli, në paralajmërim të ardhmënisë së ndritshme të këtij vendi, të shpall shtetin e Kosovës.

E di mirë që pa qytetarët e Kosovës, pa atë vullnetin e paparë të tyre për të flijuar gjithçka për lirinë e këtij vendi, mbi të gjitha, jetën e tyre, ne kurrë nuk do të mbërrinim te krijimi i shtetit të Kosovës.

Ky shtet është një rrëfim i suksesshëm dhe krenar i të gjithë neve. Secili prej qytetarëve të tij ka hise në bërjen e këtij shteti.

Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë të gjithë ne, që jemi në ballë të institucioneve të Republikës së Kosovës, që kemi fatin, privilegjin, nderin dhe përgjegjësinë për të qenë në shërbim të këtij shteti dhe të qytetarëve të tij.

E di mirë, po ashtu, që ne të gjithë, kurrë nuk do të mbërrinim ta përcaktonim fatin tonë, të bëheshim të lirë dhe ta krijonim shtetin e Kosovës pa ndihmën e madhe politike, ushtarake, ekonomike e, mbi të gjitha, njerëzore dhe miqësore të SHBA-së dhe të shteteve të tjera kryesore perëndimore.

U bëmë bashkë një herë në të gjithë në Kosovë, e pastaj, edhe me SHBA-në, me Evropën, me botën e lirë dhe demokratike, për ta bërë këtë popull, këtë vend, këtë Kosovë, këtë shtet të lirë dhe demokratik.

Liria dhe shteti i Kosovës janë në realitet vlera supreme të qytetërimit evropian dhe perëndimor.

Kosova dhe populli i saj, sot e kësaj dite, janë qytetarët dhe shteti më pro-amerikan, më pro-evropian, më pro-perëndimor në këtë anë të botës.

E për këtë fakt jemi krenarë.

Këto dhjetë vitet e para të ekzistencës së shtetit të Kosovës, mund t’i matim gjithqysh apo mund të ketë shumë njësi matëse për këtë dekadën e parë të shtetit të Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 114 shtete, në mesin e tyre edhe shtetet më të rëndësishme të Perëndimit dhe të Evropës.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi të drejtën tonë për të qenë shtet. Në vitin 2012 përfunduam periudhën e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në vitin 2013 kemi nënshkruar Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke hapur kështu udhë për integrimin e plotë të veriut të vendit në sistemin politik dhe juridik të Kosovës.

Në vitin 2015 nënshkruam Marrëveshjën e Stabilizim Asociimit (MSA-në) me Bashkimin Evropian.

Demokracia në Kosovë ka lëshuar rrënjë të thella dhe ne tani jemi në gjendje t’i mbajmë zgjedhjet e lira vetë, si ato për pushtetin qendror, ashtu edhe ato për pushtetin lokal, të cilat janë shembull për rajonin.

Kemi krijuar institucione të qëndrueshme në të gjitha nivelet. Kemi shërbimin intelegjent, policinë dhe doganën më të mira në këto anë të Evropës. Kemi një FSK të shkëlqyeshme që së shpejti do të marrë detyrat dhe misionin e një ushtrie të mirëfilltë moderne.

Kemi shënuar në vazhdimësi një zhvillim ekonomik që është më i larti në këtë pjesë të Evropës. Kemi avancuar shumë marrëdhëniet ndëretnike në shtetin e Kosovës. Kemi ruajtur të pacenuar trashëgiminë e tolerancës ndërfetare në Kosovë.

Kosova merr pjesë në të gjitha garat sportive në botë. Sportistët valëvisin me krenari flamurin e Kosovës në të katër anët e rruzullit tokësor. Majlinda Kelmendi fitoi medalen e parë të artë olimpike dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios.

Kosova i ka dhënë Evropës dhe botës këngëtare të famshme, ka bërë filma të çmuar në gjithë botën. Lista e arritjeve dhe e sukseseve në shtetin e Kosovës dhe të shtetit të Kosovës, është shumë e gjatë. Kjo na bën të gjithëve krenarë.

Por, edhe kur shënojmë jubileun e parë të shtetit të Kosovës, ne duhet të jemi të sinqertë ndaj njëri-tjetrit dhe të themi që duhet për të bërë edhe më shumë që në Kosovë të fuqizohet rendi dhe ligji, që të sigurohet mirëqenia sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës, që shteti i Kosovës të jetë konkurrent në të gjitha aspektet e mundshme ekonomike në Ballkan dhe në Evropë.

Të gjithë ne e dimë mirë që kemi merituar të ecim më shpejt kah Bashkimi Evropian, që tashmë do duhej të ishim anëtarë të OKB-së dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare, të nënshkruhej Marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Sidoqoftë, e dimë kah do të ecim në javët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kemi vullnetin, vendosmërinë, sigurinë, besimin dhe shpresën që na bashkon të gjithëve në synimet tona.

Jam i sigurt që dhjetë vitet e kaluara kanë qenë vitet më të rënda, më sfiduese, më të vështira për shtetin e Kosovës, por njëlloj kanë qenë vitet e krenarisë sonë të përbashkët.

Jam edhe më i sigurt që ata që jetojnë këtu, në atdheun tonë që është shtet prej 17 shkurtit të vitit 2008, pas dhjetë vitesh apo në shkurtin e vitit 2028, kur ta festojnë ditëlindjen e njëzet të Republikës së Kosovës, do të shohin që Kosova ka ecur para me hapa të mëdhenj, që është bërë anëtare e OKB-së, e BE-së, e Paktit NATO, që ka një demokraci të qëndrueshme, që është bërë një shtet me stabilitet afatgjatë ekonomik dhe social, i cili, mbi të gjitha, ofron dinjitet dhe krenari për qytetarët e vet.

Gëzuar ditëlindjen e dhjetë të shtetit të Kosovës!

Qoftë i bekuar shteti i Kosovës përjetë dhe mot!

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe mot!, Hashim Thaci, Qoftë i bekuar, shteti i Kosovës përjetë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT