• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Inauguohet Presidenti i ri Hashim Thaçi

April 8, 2016 by dgreca

-Presdenti Thaçi mori raportin e parë të FSK-së, komandant i përgjishëm i së cilës është. Ishte ky raporti për gatishmërinë e Gardës së Nderit për ceremoni, ku  më pastaj u intonua Himni i Shtetëror i Kosovës/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Prill  2016/ Në Sheshin Skënderbej të Prishtinës, nisi para mesditës ceremonia shtetërore e inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, ku marrin pjesë edhe Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta  e përfaqësues tjerë të Shqipërisë dhe mëse 1000 të ftuar nga vendi dhe bota.Presidenti i ri Hashim Thaçi, i betuar dje në seancën solemne të Kuvendit ku është zgjedhur në seancë të jashtëzakonshme në 26 shkurt,  dhe Presidentja që ka përfunduar mandatin pesëvjeçar, Atifete Jahjaga, parakalojnë para Gardës së Nderit në shesh, ku është edhe Filharmonia e Kosovës. Simbolika dorëzimit të detyrës Presidentit të ri është një kopje solemne e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themeltar të shtetit.

Presdenti Thaçi mori raportin e parë të FSK-së, komandant i përgjishëm i së cilës është. Ishte ky raporti për gatishmërinë e Gardës së Nderit për ceremoni, ku  më pastaj u intonua Himni i Shtetëror i Kosovës.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pas betimit Presidenti Thaçi  është shprehur se ky është një moment i krenarisë, i përgjegjësisë dhe i veçantë në jetën tij.

“Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tre dekadat e fundit. Jam angazhuar në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jam i nderuar që jam pjesë udhëheqëse e të gjitha vendimmarrjeve për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern të Kosovës. Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se edhe në detyrën e re si President i Republikës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.

 “Të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese”, ka vijuar Thaçi.

Duke folur për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.

Ceremonia e inaugurimit të presidentit të Republikës së Kosovës zhvillohet në hapësirën e dedikuar vetëm për të ftuarit, siç thekson edhe njofimi i dërguar nga Policia, e cila bën të ditur se ka masa të shtuara të sigurisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Pas betimit në Kuvend, Hashim Thaçi ka zhvilluar aktivitetet e para si President i Republikës së Kosovës dhe në mbrëmjen e djeshme ka pritur në Presidencë drejtorët politikë dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit, të cilët marrin pjesë edhe në ceremoninë e sotme të inaugurimit.

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit e uruan Presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re dhe i shprehën përkrahje në angazhimin e tij për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në NATO dhe BE.

Shtetet e Kuintit u përfaqësuan nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, nga drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst, pastaj nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcilwham. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin edhe i dërguari i posaçëm i MPJ-së gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet, si dhe ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese.

Në takim me përfaqësuesit më të lartë të shteteve të Kuintit për rajonin tonë, Presidenti Thaçi theksoi se do të jetë garantues i respektimit të Kushtetutës, funksionimit të institucioneve të shtetit dhe promovues i dialogut ndërpartiak dhe ndëretnik.
“Do të jem garantues i funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Si president unifikues do të promovojë dialogun ndërpartiak dhe ndëretnik”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se i mirëpret liderët e të gjitha partive politike dhe se do të lehtësojë dialogun dhe komunikimin mes tyre. Presidenti Thaçi theksoi se do të përkrahë fuqizimin e drejtësisë dhe sundimit të së drejtës.

Ndërkohë, sot ka edhe axhenda të tjera takimesh të paralajmëruara. Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan përgjegjës për Çështjet Europiane, Hoyt Yee, në vizitën në Kosovë, pas  pjesëmarrjes nga ora 11:00 në ceremoninë e inaugurimit e pranim-dorëzimit të detyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas axhendës së dërguar nga Ambasada e SHBA, do ketë takime të veçanta me kryeministrin Isa Mustafa (ora 13:40), me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç (14:30), kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli (15:15) dhe me Presidentin Hashim Thaçi (16:00).

Ndërsa njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës bën të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme pret në takime të veçanta edhe drejtorin e Divizionit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Andrea Orizio; kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, İsmail Kahraman; drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerim pranë Ministrisë së Jashtme britanike, Fiona Mcilwham. Takimet zhvillohen para dhe pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, ku do jenë të gjithë së bashku në Sheshin Skënderbe, në të cilin janë bërë të gjitha përgatitjet për t’i pritur rreth 1000 të ftuar.

***

KUSH ESHTE HASHIM THACI?

Hashim Thaçi – Biografi

Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.
Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).
Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për President të Kosovës.
Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999.
Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Si Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresmenë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Karriera politike
Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.
Më 1991, Thaçi zgjidhet prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku jep kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.
Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.
Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.
Hashim Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.
Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016.
Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.
Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.
Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Përvoja akademike

Hashim Thaçi ka diplomuar në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet post-diplomike në fushën e Historisë së Evropës Juglindore dhe Shkencave Politike i ka bërë në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996 – 1998).

Të dhëna personale

Thaçi flet gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane.
Është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skenderajt.
Jeton në Prishtinë, Kosovë, me gruan Lumnijen dhe djalin Endritin.

 

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Hashim Thaci, i ri, Inauguohet Presidenti

Kosova me President të ri – Hashim Thaçi sot dha betimin, nesër inaugurohet

April 7, 2016 by dgreca

-Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit:Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia/

Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 7 Prill 2016/ “Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi”, ishte në axhendën e seancës soleme të Kuvendit kosovar, sot nga ora 11:00.

Ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Presidentin dhe Kushtetutën e vendit, presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka dhënë betimin para deputetëve.

Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, u shpreh Thaçi gjatë betimit në Kuvend.

Për të përcjellë nga afër këtë akt, pas të cilit presidenti i ri i vendit do të fillojë mandatin e tij, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.

E pranishme gjatë zhvillimeve të kësaj mbledhjeje ishte edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga.

Nuk ishin të pranishëm deputetët opozitarë, VV, AAK dhe Nisma.

Mbledhja filloi me ceremoninë e betimit, e më pas është intonuar himni shtetëror.

Pas kësaj, presidenti i ri i vendit, Thaçi, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë përshëndetëse, për mes së cilës shpalosi objektivat dhe përqendrimin në punën e tij gjatë mandatit.

Me këtë rast, Presidenti Thaçi tha: “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot është një moment i veçantë në jetën time. Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë. Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit”.

 Jam angazhuar, tha ai në vijim, në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke shprehur konsideratën e tij për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit, Presidenti Thaçi, me këtë rast theksoi e vlerësoi sakrificën legjendare të komandantit Adem Jashari, si dhe kontributin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti i ri i Kosovës foli më pas edhe për aspiratat e vendit, duke nënvizuar përpjekjen për integrimin në strukturat evropiane dhe në NATO.

Ai foli po ashtu edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideroi si të pa alternativë, duke theksuar se, “të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por, nuk do ta përsërisim”.

Presidenti Thaçi u zotua se do të luaj rol unifikues për arritjen e konsensusit të spektrit politik dhe të qytetarëve, ndërsa u shpreh i lumtur se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Ai vlerësoi lart edhe faktin se Kosova është rreshtuar në Bllokun Antiterrorist në botë.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i ri i vendit Thaçi, tha:

“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euro-atlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, biznesin dhe me iniciativat e lira. Do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Në fund, kreu i Kuvedit, Kadri Veseli, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Presidentit Thaçi, ai po ashtu, falënderoi Presidenten në largim, Atifete Jahjaga, për kontributin e deritanishëm në rolin e saj si Presidente.

Presidentja në fund të mandatit, Atifete Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje,  detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit sot në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.

Sipas Ligjit për Presidentin, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.

 Poashtu  me Ligj përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.

Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit,  i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.

Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014,  sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.

Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.

Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016,  pasi Kushtetuta prcakton se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi dje mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme, të cilat poste i mbante presidenti i zgjedhur.

Më parë, gjatë karrierës politike, Hashim Thaçi ishte i zgjedhur tre herë kryeministër i Kosovës. Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe u rizgjodh pas fitores së dytë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
Nga marsi 1999 deri në janar të vitit 2000, Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës (Qeverisë së Unitetit).

Në 12 dhjetor 2014, kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Isa Mustafa, me të cilin nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje të Kosovës, duke dhënë kështu edhe mesazhin si dy liderë të partive më të mëdha kosovare se, rivaliteti politik edhe kur është më i madhi i mundshëm nuk është armiqësi dhe përtej interesave partiake edhe mund t’i bëjë bashkë për interesat madhore të shtetit, kombit e të ardhmes zhvillimore dhe euroatlantike.

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur pikërisht para katër viteve, në 12 dhjetor 2010.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, PDK, tre herë fituese e zgjedhjeve, para koalicionit të tanishëm me LDK ishte edhe dy herë të tjera në koalicion-bashkëqeverisje me këtë parti, si dhe me AKR-në, por asnjëherë deri tash nuk e kishte Presidentin në ndarjen e posteve.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Hashim Thaci, presidenti, sot dha betimin

Hashim Thaçi, në karrigen e Presidentit

April 7, 2016 by dgreca

Atifete Jahjaga i ka treguar rrugën për në zyrën e re, pasardhësit të saj Hashim Thaçit.Edhe pse dëshirë e këtij të fundit ishte të niste punën nga ndërtesa e re e presidentit, duket se do t’i shtyhet ndërrimi i zyrës.Jahjaga e ka shoqëruar Thaçin deri në zyrën e tij të re, duke i dorëzuar kështu edhe ‘çelësat’ e presidencës.

Me të hyrë në zyrën e presidencës, Thaçi është ulur në karrigen e presidentit, duke nisur kështu zyrtarisht mandatin e të parit të vendit. /KosovaPress/

Betohet si President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë sot betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke filluar zyrtarisht mandatin pesëvjeçar të Presidentit të Kosovës. Ai gjatë betimit tha se tërë fuqinë e tij do t’ia kushtojë ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Thaçi: Tërë fuqinë time do ia kushtoj ruajtjes së Pavarësisë

“Betohem se tërë fuqinë time do të ia kushtoj ruajtjes së Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Sigurimit të lirive dhe të drejtave njerëzore tërë qytetare. Respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje dhe përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia, betohem“, ka lexuar Thaçi tekstin e betimit.

Në këtë seancë solemne ishin të pranishëm shumë ambasadorë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, por jo edhe opozita, disa deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe ish-kryeministri i Kosovës dhe bashkëpartiaku i Hashim Thaçit, Bajram Rexhepi. Derisa aty shiheshin përfaqësues të familjes Rugova, munguan përfaqësuesit e familjes J ashari dhe Haradinaj.

Pas betimit, presidenti Thaçi para deputetëve ka thënë se ky është një moment i krenarisë, i përgjegjësisë dhe moment i veçantë në jetën tij.

Thaçi: Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetarë

“Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar. Tani do të jem në detyrë të re, me përgjegjësi të re për një Kosovë të re demokratike, evropiane dhe multi-etnike. Kam shpresë dhe besim në vendin tonë dhe në qytetarët tanë, kam besim të plotë në Institucionet e Kosovës, në Parlament dhe në Qeverinë e Kosovës kam besim se do të vazhdohet me qeverisje të mirë. Si president do të jem garanc i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësuesve i interesave të Kosovës. Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetarë, përfaqësues i gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje, race apo gjinie. Të nderur qytetar të Kosovës, më lejoni që të falëndero j presidenten Jahjaga për punën e saj të shkëlqyer që ka bërë në këto 5 vite si simbol i unitetit politik dhe qytetarë”, tha ai.

Thaçi ka theksuar se edhe në detyrën e re si President i Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.

Ai është zotuar se do t’i afirmojë më tutje vlerat sublime të Deklaratës së Pavarësisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, qëllimi dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO si dhe miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Thaçi ka përmendur se shteti i Kosovës është njohur nga 119 vende të botës, është anëtarësuar në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, kurse, në ditët në vijim Kosova pret rekomandimin për liberalizimin e vizave, ku qytetarët e Kosovës si gjithë evropianët do të lëvizin lirshëm.

Thaçi:Këtë detyrë do ta vazhdojë në komunikim me qytetarët

“Sot Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti ne rajon. Kosova po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me gjitha vendet e rajonit. Shteti i Kosovës është i zotuar të vazhdoi dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë proces e kemi pasur dhe kemi mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë. Të dy vendet dhe popujt tanë kanë të kaluar të hidhur mes vete. Të kaluarën ne nuk mund ta ndryshojmë por jemi të zotuar të mos e përsërisim. Ta ndërtojmë të ardhmen bazuar në vlerat tona tradicionale më të mira dhe standarde euroatlantike. Të dy vendet duhet të punojnë që të anëtarësohemi sa më shpejtë në BE, duke lehtësuar njëra-tjetrën dhe jo duke e penguar. Dialogu nuk ka alternativë por tani duhet të ketë një dinamikë të re dhe energji të re vendimmarrëse dhe implementuese. Si president i vendit edhe sa i përket dialogut do ta punojmë për nderimin e një konsensusi sa më të gjerë qytetarë. Kosova do të punojë në mënyrë ma aktive për tu bërë anëtare e nismave rajonale evropiane dhe ato botërore. Kosova do të punoj ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që të bëhet anëtare e OKB’së. Kosova është pjesë aktive e bllokut anti-terrorist në botë. Do të jemi të pa kompromisë kundër fundamentalizmit dhe çdo elementeve ekstremist kudo dhe kurdo që paraqiten. Jam i vetëdijshëm që të jesh president i Kosovës është nder dhe përgjegjësi politike, kombëtare dhe kushtetuese. Këtë detyrë zotohem se do ta vazhdoj në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me ju“, ka thënë ai.

Ai shtoi se do të përmbyllin procesin e formalizimit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si force multietnike e standardeve euroatlantike.

Thaçi: Do ta përfaqësojë unitetin e popullit

“Ne jemi krenar për tà « kaluarën tonë heroike. Shumë breza u sakrifikuan për të ardhur këtu ku jemi sot dhe sot kujtojmë përpjekjet për liri të Presidentit Ibrahim Rugova, dhe sakrificën legjendare të Komandantit Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të Lirisë. Sot nga ky vend edhe njëherë shpreh konsideratën më të lartë për të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës…me angazhimet e mia do të respektoj kushtetuan dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike, gjithmonë do nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, bizneset dhe iniciativat e lira. Si kreu i shtetit do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, Kosova sivjet për herë të parë do të marrë pjesë në lojërat olimpike dhe po punohet që sa më shpejtë të anëtarësohemi në UEFA dhe FIFA.

Ndërkohë, derisa betohej Thaçi, dy të dyshuar kanë hedhur sfera xhami (klikera), duke thyerë pikërisht xhamat e sallës plenare të Kuvendit të Kosovës. Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët më pasu intervistuan nga prokurorja.

Pas përfundimit të cermonisë, Jahjaga e ka shoqëruar Thaçin deri në zyrën e tij të re, duke i dorëzuar kështu edhe ‘çelësat’ e presidencës. Me të hyrë në zyrën e presidencës, Thaçi është ulur në karrigen e presidentit, duke nisur kështu zyrtarisht mandatin e të parit të vendit.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentja në largim Atifete Jahjaga kanë bëre pranim dorëzimin e detyrës.

Jahjaga ja ka dorëzuar karrigen e saj presidentit të ri Hashim Thaçit.

Filed Under: Komente Tagged With: Hashim Thaci, në karrigen e Presidentit

Perse e ndeza nje fishekzjarr ne Astoria kur u zgjodh Thaci President?

March 2, 2016 by dgreca

Opinion Nga Illo Foto, Astoria/ New York/

Me daten 26  Shkurt, ne ora 2  PM, nga ekrani televiziv  mesova se Hashim Thaci  u zgjodh president i  Kosoves. U gezova pa mase, per  zgjedhjen e  Thacit , ne postin me te larte te  Republikes kosovare. Ndeza nje fishekzjarr ne  oborrin e pallatit tim, ketu ne  Astoria te  NY. U spjegova fqinjve se pse e shpertheva  fishekzjarrin dhe me  justifikuan  perpara  autoritit te lagjes.Banoret e pallatit im multienik  jane me origjine  nga  Koreja, Meksika dhe  India.  E njohin historine e Kosoves,  Rugoven ,  Adem Jasharin dhe   Hashim Thacin.

Une, si prejardhje ,i perkas  Shqiperise  londineze . Nuk me ka pyetur kush se ku doja te lindja.  Duke qene  brenda  Shqiperise natyrale,  kam  te drejten  ta quaj veten shqiptar etnik, ashtu sic edhe jam realisht. Hashimi eshte  presidenti i  atdheut  tim , qe e  kam  simpatizuar dhe dua me shume, nga te tere  politikanet postkomuniste  te  kombit shqiptar, kudo qe jane.

Hashimi vjen nga rreshtat e luftetareve te lirise , si  pak  nga personalitet politike te periudhes postkomuniste  te Shqiperise natyrale. Koleget e tij ne  Shqiperi dhe kudo ne  Ballkan , pothuaj  jane produkt i shkolles komuniste.Hashimi ka shkollim ne emigracion dhe ne  Prishtine .  Ai  eshte kalitur ne lufte  dhe ka dominuar te tere  qeverrisjen postkolioniale te  Kosoves , qe  nis nga viti 1999.

Si drejtus i strukturave shteterore , Hashim Thaci ka manifestuar  koherence dhe  realizem , ne drejtimin e ekonomise . Ai ka kembngulur   dhe ja ka arritur  , qe ekonomia e  Republikes te orientohet drejt fizionomise  prodhuse – bujqesore . Hashimin  e kemi pare  ne fushat e prodhimit bujqesor  te Kosoves , midis traktoristeve , kombajnerve , fermerve , grumbullusve , perpunusve te prodhimit bujqesor . Keto dalje ne publik , Hashimi nuk i ka bere per show , por per pune . Bujqesia eshte trajtuar  me seriozitetin , qe meriton si dega me  e rendesishme e  ekonomise prodhuse .

Bujqesia e  Kosoves , ka bere perparime  progresive dhe te dukshme  ne  keto 16 vite te ketij Shekulli . Prodhimi i pergjithshem bujqesor , ne Kosove eshte me i  larte se sa  ne  Kosoven e parapavaresise , kur ne shumicen e vendeve postkomuniste nuk eshte arritur niveli i prodhimit bujqesor te  realizuar ne Diktature .  Toka e Kosoves punohet , cdo vit , cep me cep .  Ne  Shqiperi prodhimi  i pergjithshem bujqesor  aktual eshte  gati  3 here me i ulet se ne vitin 1990, duke lene jasht qarkullimit ekonomik gati 25 % te tokes are .

Ka disa vite , qe ne Kosove  realizohen  rendimente te kulturave bujqesore progresivisht ne rritje .   Vitin ne vijim  Kosova realizoi rendimentin me te larte te  grurit  midis shteteve te  Ballkanit . Eshte e afert dita , qe  Kosoven do ta kemi nje shtet me bujqesi  te nivelit zvicerian dhe  francez . Aktualisht  ne Kosove punohet per sipermarrje te  permasave te medha komlekse bujqesore . Aty  po shofim  ferma bujqesore te natyres  te fermave  , qe ngriti  H. Fulltz ne  Shqiperi , ne vitet 30 te shekullit 20 .

Arritjet bujqesore te sejcilit vend postkomunist  jane terapi antikrize , por kete fakt  pak pushtetare  e kane  njohur realisht .   Raporti import – export i ushqimeve  eshte me i zbutur ne  Kosove se sa ne  shtetet  ballkanike . Jane keto arsye , qe me entusiazmojne per  zgjedhjen e   Thacit, si kryetar i shtetit te  Kosoves .  Kam   shume  besim se  do ta coje  Kosoven ne maja te  reja te zhvillimit ekonomik dhe  qytetar .

Si shumica dermuse e  shqiptarve  ne te tera trevat , i vleresoj  te tere lideret aktuale partike kosovare , per patriotizem  te pa  diskutushem . Grindjet pozite –opozite rrjedhin nga kenveshtrimi i  problemeve ndershteterore me  Serbine.Kemi pare nje Kryetar  Komune  , ne krye te protestes , qe shkaterronte objekte publike  te bashkesise , qe qeverriste .  Marrdheniet me  Serbine fqinje ,   e pare nga  jashte , sic eshte rrasti im , duhet te  zgjidhet  me bisedime tripalshe . Nuk mundet  Kosova te  zgjidhi  problemet  e vetme . Kosova nuk ka  me kohe per te humbur .  Opozita lipset te  formuloi alterrnative  paqesore , ne politiken e  jashtmme . Ne fund te  fundit , platforma e saj nuk mund te vlei me shume se sa votat, qe ka marre nga  populli . Terheqja nuk eshte dobesi, por kulture .

Hashimi eshte kritikuar  per  te meta  ne drejtim dhe ne mardheniet me opoziten.  I permbahem parimit , qe  nuk ka njerez te pa gabushem .  I vleresoj  keto kritika  dhe kam besim se do t’i vleresoi  vete  Ashimi, per te miren e tij dhe te se arthmes se ndritur te  Kosoves tone te dashur  .

Une  kam analizuar politikat bujqesore te  shtetit  dhe kam bere propozimet perkatese , per ndryshimin e gjendjes .  Librat e mi  kane gjetur zbatim te perpikte ne Kosove, prandaj e  quaj veten kosovar dhe Hashimin e respektoj si  Presidentin tim  te perjetshem .

Filed Under: Opinion Tagged With: Astoria, Hashim Thaci, Illo Foto, presidenti im

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT NE SHTETRRETHIM THELLON KRIZEN

February 27, 2016 by dgreca

Analistët skeptikë se zgjedhja e presidentit zbut krizën/

Zgjedhja e presidentit të Kosovës nën tensione e protesta, nga analistë të çështjeve politike vlerësohet në mënyra të ndryshme.Analisti i çështjeve politike Halili Matoshi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se kjo mënyrë e zgjedhjes së presidentit të Kosovës mund të thellojë krizën politike e cila aktualisht është në vend

“Zgjedhja e zotit Thaçi për kryetar të shtetit, në shtet rrethimë, pa opozitë në Kuvend e thellon krizën edhe ashtu të gjatë në vend dhe kurrë nuk do të bëjnë shef të mirëfilltë të shtetit, por ai do të mbetet shef i pjesës më fanatike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe i disa deputetëve të paqëndrueshëm dhe lehtë të shantazhuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thekson Matoshi.

Duke e komentuar votimin që kanë bërë deputetët e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjen e presidentit, Matoshi ka theksuar se vendi ka deputetë jo serioz.

“Shihet se Kuvendi i Kosovës është i përbërë nga njerëz jo kredibil, qytetarët e Kosovës kanë votuar njerëz të paqëndrueshëm, madje edhe injorantë, sepse prej raundit të parë, të dytë e të tretë pati aq shumë lëvizje qesharake, një herë voton, herën tjetër nuk votojnë, kjo është qesharake për një deputet serioz”, thekson Matoshi.

Sa i përket partive politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, Matoshi ka theksuar se duhet të shkëputen nga aktet e dhunës.

Në anën tjetër Analisti i çështjeve politike, Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se edhe përkundër rrethanave të tensionuara gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, është pozitive për vendin përmbyllja e këtij procesi.

“Populli i Kosovës më në fund ka ditur të menaxhojë vetveten dhe këtë situatë tejet të rëndë. Ajo çka do të thosha është që në këtë ditë në përgjithësi duhet t’i jemi falënderues popullit dhe policisë së Kosovës, që duke u përmbajtur dhe duke u përpjekur të menaxhojë situatën, arriti të pengojë manifestimin e dhunës që do t’i bënin dëm të madh Kosovës”, thekson Hasani.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Hasani ka theksuar se Kuvendi i Kosovës,si asnjëherë më parë ka arritur ta menaxhojë situatën në mënyrë më të matur politikisht.

Përfundimisht, shton zoti Hasani jeta institucionale është e lënduar, por do të arrijë të marrë veten.

“Urojë që presidenti i ri i Kosovës të marrë vetveten dhe të jetë sinonim i unitetit, sinonim i politikës së unifikimit dhe i ndërtimit të jetës së mëtejme të jetës institucionale në Kosovë”, shton Hasani.

Procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës është bërë nën tensione të shtuara politike dhe përplasje të dhunshme në Prishtinë.

Hashim Thaçi ka arritur të marrë votat e nevojshme për President të Kosovës vetëm në rrethin e tretë të votimit.

 

Luljeta Krasniqi- Veseli

Filed Under: Opinion Tagged With: Hashim Thaci, nuk e zbut krizen, Zgjedhja e persidnetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT