• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERA DHE EDI 

August 23, 2023 by s p

Hazir MEHMETI 

Tregim/

Nga dritarja e avionit dukej dëbora si një jorgan i mëndafshtë që mbulonte rrafshin e Kosovës. Tani po largohemi. Secili nga ne do bartë me vete kujtimet e atyre gjithfarë kishte parë e përjetuar nga qëndrimi në Kosovë. Një javë, dy javë, më shumë. Apo, udhëtarët e parë që nuk e kishin përjetuar asnjëherë shkëlqimin e qiellit mbi shtëllunga resh. Ndër ta edhe Edi i vogël. Vaji i tij që nga nisja përcillej me muzikën e Shubertit në bordin e avionit sikur të ishte shkruar pikërisht për këtë ditë. Thellë, poshtë reve vezulluese, sigurisht, qanin edhe të afërmit e Edit nga shqetësimi për fatin e fëmijës që lindi në vendin stërgjyshor, në vendin për të cilin lashtësia ishte njerkë. Çfarë fati, Edi,  ka njerkë edhe natyrën e cila e lindi  me një sëmundje të rëndë. Dhe ku? Në zemrën e vogël të tij, aty ku çdo përjetim nis e mbaron. Sëmundje pa shpresë shërimi në vendlindjen e lashtë stërgjyshore. Dhe, mendimi bredh. Nuk po udhëtonim në një planet tjetër me krijesa të tjera magjike shëruese. Po udhëtonim vetëm njëmijë kilometra larg në veri. Vetëm njëmijë kilometra!  

Njeriut në kujtesën krahasuese sikur i duken shumë herë më shumë se aq. Atje ku varet shpresa për jetën e Edit nga Rahoveci dhe Erës nga Prizreni që sot ishin bashkudhëtarë me ne, por dhe e shumë fëmijëve të tjerë nga trevat shqiptare. Ata qëndronin në krahët e Shkëndijës, një nënë shqiptare dhe doktorit të ri mërgimtar. Për Shkëndijën kisha lexuar disa herë nga grupi i  mjekëve “Alleanz für Kinder “ me të cilët punonte. Tani po e shoh nga afër si një nënë e vërtet në detyrën e saj. Dora e saj pa ndërprerë ia fshinte lotët mbi faqe Edit të vogël. Madhështia e njeriut caktohet nga vepra e tij. Kjo vlen për Shkëndijën. Mendja të shkon tek Shën Tereza. “Nuk ka vdekur në trojet tona” i them vetes me mburrje. 

Derisa Edi i lodhur bënte pushim në kllapi, Shkëndija tregonte mbi aktivitetin e saj, rrugëve të saj në kërkim të shpresës për shërimin e fëmijëve shqiptarë në Austri. Me krenari ajo thotë: “Vetëm vitin e kaluar u sollën për shërim nga Kosova 49 fëmijë ndërsa nga Shqipëria 46 fëmijë. Tani jemi mësuar dhe i njohim vështirësitë që na përcjellin. Na mbetën pa i sjellë sot edhe tre fëmijë të tjerë nga mungesa e mirëkuptimit me agjencinë e fluturimeve”. Ajo nuk lavdërohet as nuk flet me mburrje. Këtë e bën puna e saj e madhe. 

Ajo me punën e saj fitoi respektin e shtypit, mediave, shoqatave, veprimtarëve të shumtë në mërgatë dhe trevave shqiptare.
“Jetojnë akoma heronj të vërtetë ” i them vetes nën peshoren e madhështisë së njeriut tonë. 

Vazhduam fluturimin “përtej reve të bardha”. Edi rifilloi melodinë e tij të lodhur. 

Unë…                                                                                                                                                               

Fillova të shfletoj  “Frankfurter Allgemeine” të kërkoj qetësinë e brendshme të trazuar. E hap në faqen e shoqërisë, ku shoh një portret Monalize i aktores gjermane. Thashë e lë më vonë. Faqja shkencore me një titull: “Edhe zotët ishin të larmë”, zbulimi i statujës gjigande të Zotit të Gjuetisë – Artemis të cilin e lë më pas. Faqja e sportit, sensacioni, humbja e Bayernit me dy gola diferencë. Thashë e lë më vonë. Sikur kërkoj shpëtim në gazetën “Nacional”. 

Pas gjashtëmbëdhjetë shëngjergjave sërish ndodh takimi me Shkëndijën në Aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Kësaj radhe e vetmuar dhe kjo dukej  jo e natyrshme, siç ishim mësuar ta takonim përherë të ngarkuar me fëmijë me gjithë vajin dhe lodrat e tyre.

       -Ç’kemi Shkëndije, – e pyeta? 

       -Mirë, po nga ana e juaj si jeni, – pyeti edhe ajo e shkëputur nga Laptopi i saj skaj ulëses së pritjes në sallën e pasagjerëve, që fluturonin për Vjenë. 

      -Po, ku janë fëmijët, – vazhdova?  -U shëruan të gjithë apo tani kemi kirurgë të specializuar në Kosovë, pasi nuk jemi mësuar të të shohim vetëm, – i thashë me shaka. 

      Shkëndija qeshi dhe u duk e lumtur që ne e vlerësonim punën e saj. Ajo e dinte këtë që para shumë vitesh, se nuk mungonte vlerësimi ynë përmes shkrimeve dhe emisioneve lidhur me veprën e saj humane e cila ishte e njohur gjithandej vendit dhe mërgatës.
      Po, – filloi ajo. Nuk e harroj përkrahjen tuaj të paraqitur aq bukur me Edin dhe Erën, dy fëmijë nga rrethina e Prizrenit të cilët i dërgonim për operim në Austri. Allianz für Kinder, vepron pa u ndalur, por sipas rrethanave. Ku ta kemi fatin që të mos ketë nevojë për t’i dërguar fëmijët të shërohen jashtë vendit! Akoma jemi larg botës. Shëndetësia është kaotike, pa sigurime shëndetësore, pa pajisje dhe pa disiplinë shërbimi edhe pas njëzet vitesh në liri.
      – E keni fjalën për shëndetësinë publike e menaxhuar nga qeveria apo për atë private? – i them me pak sarkazëm duke e ditur hendekun e madh mes pacientëve të pasur që mund të trajtohen në spitalet private turke, amerikane e gjithfarë firmash e shumicës së varfër e cila nuk e ka mundësinë e shërimit.
Shkëndija e kuptoi mahinë tonë dhe përgjigjen e saj e dha me një të qeshur që fliste. 

Sot po kthehem nga dasma e Edit dhe Erës, – sa bukur që u takuam! Çfarë rastësie, shtoi e lumtur Shkëndija! Pikërisht tani dukej rregullimi i flokëve të saj në stilin e dasmës kosovare, po ta shikoje me vëmendje. 

       Siç duket paskeni shpenzuar për atë dasmë të stilit kosovar, nëse guxojmë të themi! Si është e mundur, kaluan kaq shumë vjet nga takimi në avionin kur melodia e Edit të vogël përcillej nga Shuberti i madh! Të kujtohet?
      Sa shpejt kalon koha! Kur u rritën aq shpejt! Sa vuajtje kaluan në fëmijëri me problemet e zemrës dhe pas operacionit ata ishin krejt normal. U kthyen në Kosovë në të njëjtën shkollë të mesme. Edi është dy vjet më i madh se Era. Kontaktet e tyre nga Austria vazhduan në Prizren derisa u dashuruan. 

       Dhe ju ishit e ftuar? 

       Po, e ftuara e nderit, që thonë!  Që para shtatëmbëdhjetë vjetëve kur vumë kontaktet me familjen e Edit dhe Erës nuk i kemi ndërprerë ato. Edi ka mbaruar shkollën për menaxhim, kurse Era për mësuese. E di kureshtjen tuaj, po ju jap thirrjen e dasmës të cilën do ta ruaj me dashuri. Nxori nga çanta mes kapakëve të disa dokumenteve ftesën e palosur mirë, të lidhur me kordonin ngjyrë kuq e zi dhe ia zgjati Agimit. Ai e mori, e hapi dhe lexoi me kujdes shkrimin ku dalloheshin dy emra Edi-Era me stilin artistik të shkrimit festiv.  

       -A mund ta fotografoj?  – pyeti Agimi
      -Natyrisht, që mundeni, – u përgjigj Shkëndija duke renditur gjërat në çantën e saj. 

Më duket shumë interesante, nga shtrati i operimit në Linc, në shtratin e martesës në Prizren. Ç’farë fati! Unë do thosha se fati tragjik i kombit zbërthehet në fatin e miliona individëve ku takojmë tragjiken dhe madhështoren. Edi dhe Era u shëruan në Austri, dhe u martuan në Kosovë.

     Ndërkohë altoparlanti lajmëroi udhëtarët për fillimin e vërtetimeve të biletave në hyrje të avionit. Shkëndija nxori nga çanta një zarf të madh mbushur me letra e fotografi. Ja, këtu keni letra e foto qysh nga njohja me familjet e të dy fëmijëve para operacionit në Linc. Shikojini sa për ta kaluar kohën e fluturimit. Është një histori jete të cilën as regjisori me famë, Hiçkoku të jetë, nuk do mund ta realizojë ashtu siç ishte, me të gjitha ngjyrat e saj; dhembjet e vuajtjet, gëzimet e lumturinë, por edhe porosinë.      

Kur avioni u ngrit mbi re, shkëlqeu shenja e gjelbër për lidhjen e rripit të sigurisë. Agimi hapi me kujdes zarfin e mbushur me foto dhe shkresa komunikimi të Shkëndijës me familjet e Erës dhe Edit. Mori letrën e rrudhosur sipër të tjerave i cila ishte shkruar me kujdes. E hapi dhe lexoi: “Zonjë e nderuar! Jemi prindërit e Erës pesë vjeçare e cila vuan nga një sëmundje e lindur e zemrës. Kemi lexuar për punën tuaj shumë njerëzore po edhe kombëtare tani pas vuajtjeve nga lufta. Halli ynë është Era. Ju lutemi të na ndihmoni! Për kontakt ju shkruajmë numrin e telefonit. Me respekt: Arta dhe Emiri, Prizren, 14 mars 2002. Agimi ngriti letrën që ta shihte Shkëndija e cila ishte ulur afër dritares dy rreshta mbrapa tij. Një buzëqeshje ia zbukuroi fytyrën nga kënaqësia që ndjeu. 

        Pas kalimit të turbulencave në lartësinë qiellore, avioni u qetësua. Kur u hoq edhe shenja e gjelbër e rripit të detyruar, Shkëndija u afrua pranë miqve. 

       -Ja, këtë letër do ta lexoj unë, – tha ajo. Dëgjoni disa nga fjalitë që nuk harrohen.  “… Falënderimi ynë për ju është baras me jetën tonë. Të shkruaj nga bankat e shkollës dhe ndihem shumë e lumtur. Im atë dhe nëna ime kanë folur shumë për ndihmën tuaj. Unë mbaj mend shumëçka, por jo edhe ato momente që duhej, pasi isha vetëm pesë vjeçe. E kam mësuar, se po të mos ishte ndihma e juaj unë nuk do isha sot në jetë. E di se të kam shqetësuar shumë. Tani jam në klasën e shtatë dhe jam nxënëse e mirë. Kurdo që vjen në Kosovë do doja t`iu takoj. Ju dua shumë! Era.  

       Pas një viti nga letra e vizitova Erën në shkollë, filloi të rrëfente Shkëndija.  Fillimisht nuk i tregova se kush isha, por ajo më përqafoi dhe filloi të qanë nga emocionet. Po, tha Era! Ju jeni Shkëndija. Kam shumë foto kur më mbaje në krahë dhe në avion sepse unë qaja si dhe foto nga salla e operacionit. Pastaj, të kam parë në televizor kur fole bashkë me doktorin austriak. Ai fliste gjermanisht kurse ti e përktheje. Shoqet e Erës më përqafuan me radhë. Pas pak erdhi mësuesja kujdestare e Erës. Ishte një pritje që nuk harrohet. 

       -Po, më kujtohet intervista e Dr. Gerhard-it në Radio Televizionin e Kosovës, ishte emocionuese, – tha Agimi. Vërtetë shoqata e juaj, si po e quajnë, (Aleanz für Kinder, e ndihmoi Shkëndija), ka bërë punë  për shembull në botë.                                                                                                                                                  

    – Është e vërtetë, – tha Shkëndija, por zemrën e saj e përbëjnë ndihma e qytetarëve, ku mes tyre u dalluan pas luftës në Kosovë shqiptarët. Ata e mbështesin shoqatën që nga themelimi i saj para njëzet e tri viteve. Interesant është fakti se familjet e varfra punëtore që kanë shumë fëmijë lajmërohen me entuziazëm për t’i marrë në familjet e tyre fëmijët e ardhur nga Kosova. Vetëm familja Kodra ndihmoi dy vjet rresht disa fëmijë. 

      -Po, këtu në zarfin e kuq, – çfarë keni e pyeta? A mund ta hapim? – tha Agimi. 

Shkëndija e hapi me kujdes zarfin e mbushur me foto nga shërimi i Edit në Graz.  

    Edi ishte djali i vetëm i dy prindërve të rinj. I ati i tij ishte ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, zona e Llapushës. Në betejën e dytë ai u plagos rëndë dhe u dërgua për shërim në Tiranë, por vdiq pas amputimit të këmbës. Atëherë Edi ishte vetëm një vjeç e gjysmë dhe sapo kishte hedhur hapat e parë. Ja kjo foto tregon të atin e tij, Agronin si e ngrinte lart mbi veten Edin.  Siç duket ky ishte takimi i tij i fundit me të birin. 

      -Sa e dhembshme, – tha i trishtuar Agimi. 

       Vërtetë e dhimbshme. Por dhembja nuk mbaron me kaq. 

      Si? Mos e thuaj reagoi Agimi. 

      Fati i Edit ishte akoma më i dhimbshëm. Atij iu vra edhe nëna nga bombardimet serbe. Derisa po largoheshin nga fshati i tyre i djegur nga ushtarët serbë. Një raketë e hedhur nga bjeshkët e Kullës goditi kolonën civile dhe ishte fatale për familjen e Edit.  Kjo ndodhi katër muaj pas vdekjes së të atit. Këtu shihet Edi i vogël mbi nënën e tij të vdekur. Kjo foto u botua në gazetat e huaja të marra nga ato shqiptare. Më tutje një grua tjetër e cila thërriste për ndihmë. Ja kjo foto tjetër këtu e tregon Edin në përqafimin e nënës së tij para se të vritej. 

      -E tmerrshme, – tha Agimi duke fshirë lotët me shami letre e cila lëshoi aromë karafili. 

      Ka edhe shumë tmerre, shumë, shumë sa nuk e kuptoj se si i mban toka gjithë këto krime serbe, një gjenocid shfarosës ndaj shqiptarëve në tokat e tyre, e vazhdoi bisedën Shkëndija.  

     -Një album si ky do ishte argument për film i cili do fitonte çmime Oskar, – tha Agimi. 

     Po të ishte ndonjë komb tjetër, po, me siguri, por shqiptarët i shkatërroi Europa për interesat e saj. I ndau në pesë shtete dhe nuk e njohu gjenocidin që u krye ndaj tyre. I përbuzi tmerrësisht. 

     -Çka dëshironi të pini? – pyeti stjuardesa e cila paralajmëroi ofertë pijesh të ngrohta dhe të ftohta duke tërhequr frigo karrocën e mbushur me pije dhe ushqime të rastit. 

      -Kafe, ekspres, – tha Agimi, kurse Shkëndija bëri me gisht drejt kulaçit të mbushur me mollë. 

     Monitori tregonte lartësinë prej shtatëmijë metrash dhe temperaturën e ftohtë tridhjetë e pesë gradë celsius nën zero me pozitën e avionit mbi qytetin e Sarajevës. Gjysma e rrugës, mendoi Agimi duke pirë kafen nga gota plastike e cila lakohej mes dy gishtave në gjerësinë e saj.
Shkëndija dukej e lodhur nga sytë e mekur pa gjumë të mjaftueshëm. Hëngri kulaçin me mollë dhe filloi të qetësohet në përkundjet e herë pas hershme të avionit. Zëri i muzikës vallëzuese së çiftit të ri iu shndërrua në shijen e valsit të Shtruasit me të cilin u hap dasma e Erës dhe Edit. Tani nuk ishte vaji i Edit në dirigjimin e tij para shtatëmbëdhjetë vjetësh, por ishte një valle dasme në bardhësinë e vellos së nusërisë së Erës. Ishte më shumë kaltërsi qielli mbi Fushën e Kosovës në pranverën e lirisë. Buqeta e parë mes shkëlqimit të dhëndëruar mbi lapidarin e Agronit ledhaton shpirtrat gjithandej hapësirave të jetës. 

       Jemi ne, gëzimi juaj, Era dhe Edi!         

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hazir Mehmeti

VEPRA E REXHEP RIFATIT SHNDRITË NË 150 VJETORIN E FERIZAJIT

July 15, 2023 by s p

“Atdheu duhet me vepër, jo me fjalë” -Sami Frashëri

Hazir MEHMETI/



Organizuar nga Qendra Kulture e Ferizajt u bë promovimi i veprave të Rexhep Rifatit, gazetar dhe publicist i njohur. Ishte ky manifestim në kuadër të shënimit të Ditëve të Diasporës me rastin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt. Morën pjesë qytetar, personalitete të kulturës, mike e miq të autorit. Aktiviteti u drejtua nga . Zyrafete Shala, Kryetare e Grupit Letrar “De Rada”, Ferizaj. Rreth veprimtarisë së Rexhep Rifatit u paraqitën disa referues. Prof. Dr. Isak Shema e cilësoi veprën e Rexhep Rifatitf: “Një punë kolosale e cila do jetë me vlera të përhershme në letërsi, publicistikë, etnografi, histori. Vepra e tij madhore duhet vlerësuar nga akademitë përkatëse, institucionet tona dhe shoqëria. Njerëzit si Rexhep Rifati kanë sakrifikuar shumë nga vetja e tij për të ngritur e pasuruar historiografinë e kulturë në rrugën e prosperitetit kombëtar.” Hazir Mehmeti, publicist i cili jeton në Vjenë, foli mbi veprën e Rexhep Rifatit nga udhëtimet e shumta të përbashkëta në Kalabri dhe Sicili. Referuesi i radhës ishte Prof. Arsim Hamiti i cili shtjelloi krijimtarinë letrare e publicistike të Rexhep Rifatit.
Pjesëmarrës ishin shumë nga shokë, kolegë, bashkëpunëtorë, bashkë mërgimtarë të Rexhep Rifatit nga disa shtetet evropiane, Zvicra, Gjermani, Austria, Franca e Belgjika morën pjesë edhe mërgimtarë nga Amerika e Kanadaja etj. Mes tyre Shukrije Ramadani, veprimtare dhe bashkëshortja e Heroit të Kombit, Agim Ramadani e cila foli rreth veprës së autorit. Pastaj veprimtarja dhe autorja e disa veprave, shoqja e klasës e autorit, Hanumshahe Sopa, e cila po ashtu pati fjalë përshëndetëse. Sylejman Salihu e Driton Gashi (Gjermani), Xhevdet Kallaba (Zvicer). Pjesën artistike e përmbushën Driton Gashi me qëndrim në Gjermani dhe Shpend Hysaj në Ferizaj i cili edhe ekzekutoi me piano. Në fund të aktivitetit Sabri Pajaziti udhëheqës I sektorit të kulturës më ndau një mirënjohje Rexhep Rifatit me motivacion vlerësues për punën e tij madhore. Organizatori kishte përgatitur koktej rasti për të pranishmit.
Fjala referuse e Hazir Mehmetit me titull:
Rexhep Rifati, emër i nderuar në gazetarinë kombëtare
Të nderuar drejtues të komunës së Ferizajit! E nderuara familja Rifati! Të nderuar të pranishëm! I dashuri Rexhep Rifati!
Ndihem i nderuar sot këtu në Ferizajn e bukur i cili shënon 150 vjetorin e themelimit të tij, të ju përshëndes dhe them pak fjalë rreth mikut tim shumë të respektuar Rexhep Rifati. Ai është, pa dyshim, pjesë e jetës historike të qytetit më shumë se gjysmë shekulli. Qytetit i japin kuptim njerëzit e tij, veprat e tyre dje, sot e nesër. I tillë është Rexhep Rifati me veprën e tij gjatë gjithë jetës mbi 80 -të vjeçare. Jam i bindur se historia e re e Ferizajt nuk do jetë e plotë pa emrin e qytetarit të tij të devotshëm, gazetarit e veprimtarit Rexhep Rifati.
Sot, promovimet e veprave flasin e thonë shumë. Ato janë përkujtim e përmbledhje, janë vlerësim e dashuri për autorin i cili shkriu mund djersë e sakrificë për progresin dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare.
Vepra e tij është e vlerësuar nga secili që ndjenë rrugën e progresit kombëtare për sot e nesër. Të shkruara me shpirt, dashuri e optimizëm edhe atëherë kur ishte vështirë e shpresa vritje.
Ato kanë vlera universale njerëzore.
Ato janë gjithë kombëtare.
Njeriu që nga pranvera e tij e parë, me zemrën e tij të madhe sfidoi pengesat, sfidoi kërcënimet dhe mori udhëtimin e tij në shërbim të njerëzores, në shërbim të kombit.
“Do ta pushkatojmë”,- thanë barbarët serb, kur falanga e tyre lexoi Rilindjen ku Rexha derdhi djersë e mund mbi gjysmë shekulli në shërbim të kombit.
“Jo tha tjetri, ai qenka i çmendur, e shihini si qesh para pushkatimit, do t’ia helmojmë gjashtë fëmijët e tij, ata duhet t’i zhdukim, lëshojeni me dymbëdhjetë plagë për secilin fëmijë nga dy”, -urdhëroi tjetri.
Rexha, ashtu i buzëqeshur e krenar, vazhdoi udhëtimin, me gjithë sfidat dhe rreziqet e tij duke na dhuruar të gjithëve shije nga kamera e tij e vyer.
Ai asnjëherë nuk gjen qetësi me kamerën e tij në kraharor, lapsin në xhep vazhdoi rrugëtimin e tij aty ku zemra rrah mes artit shekullor: bukuritë e trevave shqiptare, jetën dhe sfidat mërgimtare.
“Rexhep Rifati mund të quhet kujtesa ose enciklopedia e gjallë (por tejet diskrete!) e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rrethanave që lidhen me të”, e tha miku ynë i madh Basil Schader. Zvicra u pasurua me emrin qytetarin e saj nga Kosova, ashtu sikurse “Shqiptarët në Zvicër në 1001 pamje”, dhe më shumë.
Pesëdhjetë vjet udhëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet! Në udhëtimet e tij u pasuruan emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu, arbëreshët dhe mërgata.
Kolosi i kombit, At Antonio Belushi tha: “I dashur vëlla Rexhep Rifati, ju jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës. Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .
Por, Rexha me shpirt djaloshar, vazhdon ecjen e tij tokave të shenjta ku gjaku i shprishur arbëresh e kërkon, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, një vepër me vlera shkencore gjeneratave.
Veprat e Rexhep Rifatit pasurojnë bibliotekat në atdhe dhe vende tjera. Për to do flitet gjeneratave me falënderimin e respekt. Ato i pasurojnë jetën dhe historinë e Ferizajit, Kosovës, kombit dhe kontinentit gjithandej ku mërgimtari frymon. Rexhep Rifati do shndritë në altarët e historisë kombëtare. Urime 150 vjetori i qytetit tuaj! Urime Rexhep Rifati dhe familja e nderuar Rifati!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hazir Mehmeti, Rexhep Rifati

VLERËSIMI I MIQVE TË VËRTETË, DETYRIM KOMBËTAR

December 12, 2022 by s p

Miqësi shqiptaro-austriake shekujve 

“Miqësia e vërtetë është e drejtë dhe e guximshme”  – (Shiler)

Hazir MEHMETI, Vjenë

Në çdo fund viti sërish të dalin para veprat e gjithë atyre që botën e bëjnë të dashur dhe të lirë, atyre miqve me të cilët ndanë përditshmërinë në jetën e zakonshme. Kjo ka fuqi të veçantë për mërgimtarin i cili jeton shpirtërisht në dy botë paralele emocionale. Në një kryeqytet kulture evropiane siç është Vjena, detyrimisht para të vijnë miqtë e mëdhenj të cilët nuk harrohen në historinë e vështirë të shqiptarëve.  Dhe nuk e thoshte kot poeti e shkrimtari gjenial gjerman, Goethe: “Ai që nuk e sheh botën te miqtë e tij nuk e meriton që bota të dijë për të”. Shumë figura të njohura kombesh të ndryshme me origjinë shqiptare u bënë ura miqësie mes kombit shqiptar dhe kombeve tjera.  Në hapësirat gjermano folëse, pa dyshim ishin  Gjergj Basta, Garl Gega, Aleksandër Moisiu.  Këto figura madhore e afirmuan kombin shqiptar edhe atëherë kur ishte shumë vështirë. Atëherë, kur errësira aziatike kishte ngulfatur gjuhën, kulturën dhe frymëmarrjen e shqiptarëve. Sulltani e donte vrasjen e arnautëve të pa fe, e vrau shpirtërisht e fizikisht pa mëshirë. Njëra nga ato qytete ku vepruan shumë miq të kombit shqiptar ishte Vjena e   Norbert Jockli-t, themeluesit të studimeve albanologjike. Tek ai studiuan albanologjinë shumë  shqiptarë, mes tyre Eqrem Çabej. Andaj, Jockli me të drejtë quhet At i Albanologjisë. Duke qenë i lindur nga prindërit hebrenj Norber Jockli, internohet me dhunë në kampet fashiste duke humbur çdo gjurmë rreth tij, por duke lenë pas veprën e madhore të tij e cila mbeti themeli i miqësisë mes kombeve austriak, hebre dhe atij shqiptar.   

          Në historinë e kulturën shqiptare Vjena ishte dhe mbetet qendër e respektuar ku vepruan shumë figura të njohura historike nga të gjitha drejtimet.    A mund të kalojmë pa përmendur këtu përveç  Norbert Joklit edhe emra tjerë shumë të respektuar si: Franz Baron-Nopsca. Leo Freundlich, Jakob Philipp Fallmaerayer, Johanenes Gerog von Hahn, Gustav Mayer, Jan Urban Jarnik, etj të cilët vunë themelet e njohjeve mbi gjuhësinë, kulturën, etnografinë e historinë e lashtë shqiptare. Ata ndihmuan në hapjen e shtigjeve drejt njohjeve të shqiptarëve nga popujt tjerë, të cilat u vazhduan të pasurohen edhe nga studiues shqiptarë në Universitetin e Vjenës, Gracit e Insbrukut. Nga këtu shndritën dhjetëra emra tani të njohur të kombit shqiptar: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Dr. Gjergj Pekmezi, Hil Mosi, Lasgush Poradeci etj.

          Një shekull më parë studentët shqiptarë themeluan shoqëri të fuqishme, gjurmët e veprimtarisë së të cilave mbetën të ndritura në historinë e formësimit kombëtar. Shoqatat: “Liria” e cila më vonë u quajt “Dija”, “Djalëria Shqiptare” e cila më vonë u quajt “Albania” të cilat botuan revista e gazeta nga të cilat më të njohura ishin revista “Djalëria” dhe gazetat “Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva” ,,Albanische Corespondenze”, “Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”, etj. Aty botuan shkrimet e tyre figura me peshë në historinë tonë kombëtare si: Hil Mosi, Dervish Hima, Dr. Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Vasil Laboviti, Lasgush Poradeci, Sokrat Dodbiba, Irakli Buda, Nush Bushati, Gjevalin Gjadri, Kolë Mirdita (Helenau), Rrok Gera, Rrok Maliki, Rrok Kolaj, Filip Papajani, Dr. Omer Hamiti, Sokol Sopoti, Rrok Stani, Terik Bekteshi, Hasan Ceka, K. Hobdari, Gjon Temali, Krist Maloki, Kristo A. Dako, Ndoc Naraçi, Kolë Kodheli, Krist Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec Çurçia, Ndoc Krajni e të tjerë.
        Përkrahja e organeve austriake në shkollimin e studentëve shqiptarë, kulturës e gjuhësisë shqiptare vazhdoi pa ndërprerë deri në ditët tona. Kjo u duk në veçanti gjatë viteve të luftës në Kosovë, ku shteti austriak ndau bursa për të gjithë studentët nga Kosova. Në momentet vendimtare Austria e mbështeti kauzën e drejtë shqiptare. Nga këtu me bekimin e shtetit të Austro-Hungarisë u nis Ismail Qemali drejtë Durrësit e Vlorës për të shpallë mëvetësinë e Shqipërisë në ato pak territore të cilat akoma nuk ishin pushtuar nga forcat grabitqare të shteteve fqinjë. Nga Vjena bisedimet shqiptaro-serbe rreth së ardhmes së Kosovës, doli përfundimi logjik, se Kosova duhet marr rrugën e vet përmes Planit të Ahtisarit, Ky bashkëpunim u vazhdua në hartimin e planit për pavarësinë e Kosovës, ku diplomati austriak Albert Rohan u dallua me qëndrimin e tij konsekuentë, i cili Plan, Kosovës i dha bazën fillestare të shtetit të pavarur.
Politika austriake e shprehur përmes emrave Alois Mock, Vicktor Klima, pastaj Ulrike Lunack dhe publicistëve analitik të njohur mes të cilëve dallohej Christne Von Kohl korrespondente e “Die Presse” në Beograd, përbejnë themelet e respektit tonë, edhe për nesër.          

     Që para gjysmë shekulli është i njohur miku tjetër, shkrimtari dhe fotografi i njohur jo vetëm në Austri Prof.Peter Paul Wiplinger. Qysh herët ai kontaktoi shumë nga figurat e njohura politike e letrare shqiptare, mes tyre poetin Ali Podrimja dhe Dr. Ibrahim. Ai ruan respektin për ta, të cilëve u kushtoi edhe poezi. Pjesë nga letra e Prof. Peter Paul Wipliner dërguar Mag. Hazir Mehmetit. Datë, 1 janar 2019.   “Këtu po dërgoj edhe një bashkëngjitje, të cilën po ia dërgoj edhe ambasadorit Sami Ukellit. Është mirë të dish se në cilën anë isha atëherë, 30 vjet më parë tani, dhe për çfarë isha angazhuar; dhe sa e gjatë ka qenë marrëdhënia ime me Kosovën; që nga viti 1961. Kur shkova për herë të parë atje. Ibrahim Rugova dhe shokët e tij dinin gjithashtu se me kë të kontaktonin kur kërkuan që dosja e rëndësishme e burgut t’i dorëzohej ministrit të Jashtëm të atëhershëm austriak, Dr. Alois Mock,  duke më kërkuar këtë shërbim, të cilin edhe unë e mora përsipër dhe e realizova. Besoj se kjo nuk ishte krejtësisht e parëndësishme për shumë një proces vendimmarrjeje politike, veçanërisht në atë kohë”. Në gjermanisht. ”Ich sende hier auch ein Attachment, das ich auch dem Herrn Botschafter Dr. Sami Ukelli geschickt habe. Man darf ruhig wissen, auf welcher Seite ich schon damals, also jetzt vor 30 Jahren, gestanden bin und wofür ich mich engagiert habe; und seit wie langer Zeites meine Beziehung zum Kosovo gibt; seit 1961. Als ich zum ersten Mal dort war. Ibrahim Rugova und seine Freunde wußten auch, an wen sie sich mit ihrer Bitte um Überbringung des wichtigen Gefängnis-Dossiers an den damaligen österreichischen Außenminister, Dr. Alois Mock, wenden konnten, was sie auch taten, indem sie mich um diesen Dienst baten, den ich auch übernahm und ausführte. Ich glaube, daß dies-für manche politische Weichenstellung-besonders zur damaligen Zeit nicht ganz unwichtig war“. 

         Do ishte shumë simbolike dhe vlerësuese që Prof. Peter Paul Wiplinger të dekorohej nga Institucionet tona po me çmimin e njejtë që u dekorua Dr.Alois Mock. Kjo ishte kërkesë e imja si krytar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” para dy muajve drejtuar Presidences së Republikës së Kosovës në 85 vjetorin e lindjes. 

         Emrat e miqve tanë të vërtetë në Austri në kohën tonë pasurohen me emrin Mag. Lukas Mandl – Eurodeputet, një zë i fuqishëm në Parlamentin Europian në mbështetje të drejtësisë për kauzën shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti. Ai së bashku me Arbër Markun, themeluan Shoqatën e Miqësisë Austriake-Kosovare në vitin 2015. I ndërlidhur me rrethanat e Kosovës, sfidat e saj në rrugën drejt integrimeve evropiane, Mandl nxori librin “Kosova dhe BE: Situata aktuale dhe perspektivat për të ardhmen”. Një libër ku fjalën e tyre rreth Kosovës, rrethanat aktuale të ndërlidhura me të kaluarën e saj e dhanë disa figura politike drejtuese në Austri, studiues e politolog të njohur. Mes tyre: Lukas Mandl, Sebastian Kurz, Oliver Varhelyi, Meliza Haradinaj-Stublla, Arbër Marku, Franz Schausberger, Elisabeth Campestrini, Tanja Fajon, Fridhelm Frischenschager, Irena Joveva, Kevin Kaiser, Andrey Kovatchev, David Mcallister, Andreas Schieder, Colli Marboe, Lulzim Pllana, Vladimir Bilcik, Wolfgang Sobotka, Patrick Voler, Manfred Brandner, Anton Quni, Erhard Busek, Dedë Gjergji, Ulrike Lunacek, Arta Sejdiu, Mimoza Ahmetaj, Johanes Hahn etj. “Pema e miqësisë kërkon të ujitet vazhdimisht” (R.Bimo), këtë nuk e harroi aktivisti dhe politikani ynë Arbër Marku. Ai duke qenë personalisht aktiv në jetën politike në vend, pa se Austria ka potencial të madh politike për ta ndihmuar Kosovën, e mbështeti idenë e Eurodeputetit  Lukas Mandl, për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Austriako – Kosovare, sekretar i së cilës është që nga themelimi i saj.  Kjo shoqatë ka bërë punë me vlerë në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe afrimin e saj me Bashkimin Evropian qysh nga viti 2015. Në veçanti Arbëri  është i njohur tek komuniteti shqiptar si mbështetës i projekteve me rëndësi për shqiptarët. Nga kjo duhet veçuar ndihma e tij në ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-austriake gjatë dhjetëvjetëshit të fundit. 
      P.S. 

 Foto:  Baden.  SHKA “17 Shkurti”. Foto me miq austriakë: Lukas Mandl (Eurodeputet BE, Kurt Saska (ish- kryetar i Badenit),Nisret Bujari (deputet në Baden), Angela Stökl-Wokestorfer (Stadträtin bei Stadtgemeide Baden), Judith Händler (Gemeiderat der Stadt Baden) Carmen Jetller Cinceli (deputet në Parlamentin e Austrisë), 

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti

LIBRI   “ARBËRESHËT“  I REXHEP RIFATIT PROMOVOHET NË BERN

October 28, 2022 by s p

Hazir MEHMETI/

Organizuar nga Lidhja e Krijuesve dhe Shkrimtarëve në Mërgatë. Libri “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim” , me parathënie nga Dr. Prof. Antonio Bellusci. Redaktore dhe përkthyese  në italisht Dr. Ornla Radovicka. 

Bern, 15 tetor 2022.  Veprimtaria hulumtuese mbi arbëreshët e  gazetarit dhe veprimtarit të njohur Rexhep Rifati u pasurua në veprën e tij “Arbëreshët- fotosintezë e shpirtit tim”. Kjo vepër u promovua në një atmosferë emocionuese e respekti ndaj gjakut të shprishur arbëresh shekujve dhe autorit të librit në 80 vjetorin e lindjes së tij. Prej 80-të pranverave të tij Rexhep Rifati  ndau me shpirtin arbëresh 50 prej tyre, duke filluar që nga mosha e tij studentore, atëherë kur jeta e tij merrte orientimin e saj në shërbim të kombit.
    Promovimit i dhanë shije personazhet e ardhur enkas nga Kalabria me grupin e tyre artistik “Gjaku i Arbrit”, drejtuar nga profesor Michele Greco përcjell me foto-kollazh nga vendbanimet arbëreshe. 
    Të pranishëm ishin Ambasadori i Republikë së Shqipërisë në Zvicër Z. Ilir Gjoni,  Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër,  Z Sami Ukelli.  Përfaqësuesit konsullor dhe diplomatik, mes  Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit Agim Ramadani.  Ishin të pranishëm veprimtarë e krijues nga Zvicra, Austria, Gjermania, Franca, Italia. Ambasadori Ilir Gjoni në emër të tre ambasadorëve shqiptarë në Zvicër, përshëndeti aktivitetin dhe uroi autorin. Ai me respekt për veprimtarinë e Rexhep Rifatit, shtoi:  ”Bacës Rexhë i uroi një jetë gjatë e të lumtur dhe njëkohësisht i shprehi mirënjohje për kontributin e tij. Mbi gjysmë shekulli Baca Rexhë ka kontribuar me modesti, por me profesionalizëm. Vepra që flasin vetë, vepra të punës së tij patriotike, njëra nga të cilat është edhe vepra e tij që po promovojmë sot.” Ambasadorët i ndanë mirënjohje Rexhep Rifatit për veprimtarinë e tij me rëndësi kombëtare.  Dr. Ornela Radovicka, redaktore e librit, përcolli përshëndetje për të pranishmit nga At.Antonio Belushi. Ajo foli mbi strukturën dhe mesazhin e librit mes tjerash shtoi se Libri i autorit Rexhep Rifati “Arbëreshët…” është produkt i udhëtimeve të tij tek ngulimet arbëreshe në territorin e Italisë. Struktura e librit shtrihet në një linjë horizontale në dy binarë; imazhe dhe rrëfime të cilat shoqërohen me të dhënat historike e studimore, plotësohen dhe gërshetohen me njëra tjetrën. … Osman Osmani, drejtues i platformës Prointegra.che foli mbi veprimtarinë e platformës si mbështetëse e shumë projekteve, edhe e librit të autorit Rexhep Rifati. Musa Jupolli, kryetar i Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë: “Edhe unë sot jam arbëresh dhe shpesh bisedoj me Jeronim De Radën. Kur gazetari është fotograf dhe kur fotografi është gazetar, quhet Rexhep Rifati. Fotografia histori arti, histori jete. Në udhëtimet e Rexhep Rifatit jeta merr kuptim. Rexhep Rifati me aparatin e tij na i solli arbëreshët me ngjyrat e dritës ku çdo fotografi flet me shpirtin e personazheve, me dashurinë për artin, arkitekturën, kulturën dhe historinë e tyre.” Mentor Thaqi, poet, lexoi vargje nga poezitë e tij  “Unë jetoj në gjuhë, e ti ku?  dhe “Ec djalosh”. Kryesia e Lidhjes…  shpalli anëtarë nderit të saj At. Antonio Belushin dhe simbolikisht i dhuroi atij një plis Kosove. 
      Autori i librit, Rexhep Rifati në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në projektin e tij, familjen e tij. Në veçanti falënderoi grupin artistik të ardhur veçantë rasti “Gjaku i Arbrit”.  “Në ditëlindjen time të 80 -të, duke iu falënderuar familjes, miqve, kolegëve e dashamirëve, sot nxora ekzemplarin e parë (mostër) të librit më të ri: “ARBËRESHËT fotosintezë e shpirtit tim» (shqip dhe italisht), kushtuar motrave dhe vëllezërve arbëreshë, pas vizitës që i bëra të gjitha 52 vendbanimeve, gjegjësisht bashkive arbëreshe, që më dhanë aq shumë forcë, kurajë e dashuri, sa sot ta ndiej vetën shumë më të ri! Zaten, ky ishte edhe projekti im jetësor, filluar gjysmë shekulli më parë kur në Kalabri isha për herë të parë si absolvent i Albanologjikut të Prishtinës. Ndaj, edhe me këtë rast, falënderoj të gjithë ata që më shoqëruan në këto udhëtime, duke falënderuar në veçanti misionarin, intelektualin dhe atdhetarin arbëresh, Prof Dr. Antonio Belluscin (Belushin), për fjalën e tij shumë përmbajtjesore e inkurajuese,  redaktoren dhe përkthyesen, profesoresha Ornela Radovicka si edhe Skender Hajdarin redaktorin teknik, të të tria librave të mija monografike, të cilin në një masë e ndjej edhe si bashkautor.  Të gjithë ata që më uruan në këtë përvjetor jubilar, me dëshirën që të gëzojnë shëndetin, lumturinë e prosperitetin dhe lumturinë e përhershme në familje.  Drejtimi i programi i bë nga Nazmi Jakurti.

       Publiku që mbushte sallën përcolli me duartrokitje të gjata këngët arbëreshe të kënduara nga grupi “Gjaku i Arbrit”, ku dallohej këngëtari Michele Greco me zërin e tij karakteristik. Gjithmonë këngët arbëreshe janë të bukura, emocionuese. Ato burojnë nga zemra dhe shpirti i djegur nga malli për tokën mëmë, për Shqipërinë. “Kur jemi të bashkuar, Skënderbeu zbret nga qielli”. A ka simbolikë e porosi më të fuqishme për çdo shqiptarë?   

      Të gjitha të ardhurat nga shitja e librit, sikurse edhe atyre më parë i dhurohen fondit të bursave studentore në Kosovë, themelues i të cilit është pikërisht Rexhep Rifati. Ja ky është Bacë Rexhep Rifati Ynë që shndritë forcë e energji për gjithë ne. 

    Faleminderit Baca Rexhë! 
    Shëndet e suksese të reja!  

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hazir Mehmeti, Rexhep Rifati

URIME 80 PRANVERA REXHEP RIFATI

May 28, 2022 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë       

Më 28 maj, një datë e mbarë që do shënohet gjeneratave bashkë me emrin e Rexhep Rifatit. Atë ditë në Komogllavën e vuajtjeve u dëgjua zëri i foshnjës i cili lumturoi prindërit për të nëntën herë në kullën shekullore. Sot mbushën 80 pranverat e tij me gjithë lulet e tyre dhe acarin e tyre.  

           Sot ai zë në ajrin e freskët të 28 majit, u rrit, u shtua fuqishëm në gjithë hapësirat ku frymojnë shqiptarët.  Ishte zëri i tij që nga pranvera e tij e parë, aspak e lehtë, por Rexha me zemrën e tij të madhe sfidoi pengesat, sfidoi kërcënimet dhe mori udhëtimin e tij në shërbim të njerëzores, në shërbim të kombit. 
          “Do ta pushkatojmë”,- thanë barbarët serb, kur falanga e tyre lexoi Rilindjen ku Rexha derdhi djersë e mund mbi gjysmë shekulli në shërbim të kombit.
            “Jo tha tjetri, ai qenka i çmendur, e shihini si qesh para pushkatimit,  do t’ia helmojmë gjashtë fëmijët e tij, ata na duhet t’i zhdukim, lëshojeni me dymbëdhjetë plagë për secilin nga dy, kurrë mos t’i harron”, -urdhëroi tjetri.  
          Rexha, ashtu i buzëqeshur e krenar, vazhdoi udhëtimin, me gjithë sfidat dhe rreziqet e tij duke na dhuruar të gjithëve shije nga pranverat e tij. Duke na dhuruar porosinë e cila jep energji edhe për nesër. Ai nuk gjen qetësi, shtrëngoi fortë kamerën e tij në kraharor, lapsin në xhep dhe mori udhën aty ku zemra pushon me gjithë artin shekullor: bukurive të trevave shqiptare. 
      “Mos pritni t’ju vijnë njerëzit e ngjarjet, por shkoni tek ata!”-  thënie nga përvoja jetësore e njeriut që jeton me shqetësimet e kombit, me kënaqësitë e tij. Ai jo rrallë shqetësohet, revoltohet me të metat e shoqërisë kur janë pengesë në udhëtimin e dëshiruar për të cilin Rexhep Rifati punoi tërë jetën e tij.   

        “Rexhep Rifati mund të quhet kujtesa ose enciklopedia e gjallë  (por tejet diskrete!) e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rrethanave që lidhen me të”, e tha miku ynë i madh Basil Schader. Zvicra u pasurua me emrin qytetarin e saj nga Kosova martire ashtu sikurse “Shqiptarët në Zvicër në 1001 pamje”, dhe më shumë. 

     Pesëdhjetë vjet udhëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet!  Në udhëtimet e tij u pasuruan emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu dhe mërgata.  Fati e deshi që të jem pjesë e tri udhëtimeve të fundit javore. Në qenien time ishte kjo hapje horizonti të ri në njohjen e një pjese të kombit, arbëreshët, për të cilët nuk dinim sa duhet.  Por mbi të gjitha mësova mbi përkushtimin e Rexhës ndaj arbëreshëve, dashurinë e tij vëllazërore e flakëruar në gjakun arbëror. Përkushtimin i tij e takuam gjithandej, kudo: në takime, muze, biblioteka, shkolla e institucione të shumta të cilat organizuan pritje vëllazërore për grupin tonë.  

         I mirënjohuri At Antonio Belushi e tha: “Ju i dashur vëlla Rexhep Rifati, jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës.  Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .  

      Udhëtimi ynë i fundit shënonte gjysmë shekulli të rrugëtimit të kamerës profesionale të Rexhep Rifatit dhe ishte simbolikë e veçantë, por  edhe obligim respekti ndaj një pune me vlera kombëtare.   Kudo që shkonim katundeve arbëreshe Rexhën e njihnin, edhe barinjtë e njihnin me të cilët ndalej të kuvendonte, të fotografonte peizazhe në fushat e gjëra arbëreshe.

      Por, Rexhep Rifati nuk ndalet deri në përfundimin e librit kushtuar arbëreshëve   me të cilët u mishërua në jetën tij gjysmë shekulli. Përmbylljen e projektit mbi arbëreshët, e arrin simbolikisht  për ditëlindjen e tij festive, sot kur doli ekzemplari i parë me titull ARBËRESHËT.  Kjo vepër e punuar me kujdes në foto e shkrim, në shqip e italisht, është thesar për arbëreshët, kombin dhe literaturën globale.
      Me fjalët dhe zemrat e shokëve nga ekipi YT:
      Urime Ditëlindja e 80-të!
      Urime ditëlindja e veprës suaj ARBËRESHËT!  

Filed Under: Reportazh Tagged With: Hazir Mehmeti, Rexhep Rifati

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT