• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita Evropiane e Gjuhëve

September 20, 2015 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/ *Projekti i teksteve nga Prof.Dr.Dr.Basil Schader vlerësohet me certifikatë të veçantë/

*Ndarja solemne në Grac më 24 shtator në shënimin  e Ditës Evropiane të Gjuhëve. Në ekipin janë  Hazir Mehmeti (Vjenë) dhe Nuhi Gashi (MASH-Kos). Sukses i madh afirmativ i mësimit shqip në Evropë./

   26 Shtatori- Dita e Gjuhëve Evropiane këtë vit shënohet me suksesin e madh të projektit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe për diasporë i Dr.Dr.Basil Schader , nga UN- i Zürichut i cili u vlerësua në mesin e projekteve nga Austria dhe  vende tjera. Konkursi i shpallur ishte titulluar “Gjuhët përmes projekteve cilësore”.  Në vendet e zhvilluar vlerësohet dhe financohen projekte nga institucionet, entet, shkollat ku për temë kanë përmirësimin e rrugëve të mësimit të gjuhëve. Në këtë konglomerat temash pa dyshim projekti i udhëhequr nga Dr.Dr.Basil Schader nga i cili rrodhen 19 tekste për mësimin shqip në diasporë po vlerësohet si shembull i përkrahjes, kualitetit, formës e standardeve bosh-kohore në përmbajtje, elemente didaktike e metodike bash kohore.   Projekti është fryt i përkrahjes financiare nga “Qendra Ndërkombëtare e Fondit për  Projekte”  (IPE) në Zürich në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës.

     Në Grac

       Këtë vit  Gjuhët Evropiane  qendër e kishin qytetin e Gracit në Austri, qytet i cili para pak vitesh ishte kryeqytet i kulturës botërore. Ndarja solemne e certifikatave fituesve nga organizatori do shoqërohet me aktivitete kulturore nga lëmi i gjuhësisë.  Motivi  është shënuar “Sensibilizimi i veçantë i mësimit të gjuhëve“ në kuadrin e kremtimit të Ditës së Gjuhëve Evropiane. Organizatore është Qendra për Kompetencë Gjuhësore në Austri (ÖSZ), më kërkesë të Ministrisë Federale të Arsimit e të Gruas  në Austri, Agjencia Kombëtare -Mësojmë Tërë Jetën  e cila për të 15-tën herë e shënon –Ditën e Gjuhëve Evropiane.
 Agjencia e Austriake e Lajmeve APA,  mes tjerash shkruan: „ Në mesin e shtatë projekteve të shkëlqyera austriake të vitit 2015 do jetë edhe nominimi i linguistikut zviceran, Prof.Dr.Dr.Basil Schader (PH-Zürich) dhe ekipit të tij  Mag. Hazir Mehmeti, Vjenë dhe Nuhi Gashi, MASHT- Prishtinë, Kosova. Prof. Schader në mbyllje bashkë me ekipin e tij në ndarjen solemne të çmimit në njërën nga punëtoritë do prezantojnë materialet mësimore nga projekti i tyre për gjuhë amtare, ku të gjithë të interesuarit janë përzemërsisht të ftuar. Po ashtu certifikata do marrin edhe absolventët e parë të mësimit gjuhësor në mësimin specifik te sensibilizimit të gjuhëve, te cilën ÖSZ-ja e bëri në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Kishës në Vjenë/Krems.
       Bashkimi Evropian përmes “Eurpäisches Sprachensigel“  përkrah projektet gjuhësore me kualitete të larta, të cilat e përmirësojnë mësimin e  gjuhëve dhe krijimi e rrugëve të sigurta për të ardhmen. Ne vitin 2015 rreth 60 institucione i dorëzuan iniciativat e tyre rreth temës „Gjuhet si nyje shoqërore”  Do te vlerësohen shtate projekte austriake nga  katër Lande ( prej 9 Landeve-Njësi Federale ) që ka Austria ( Niderösterreich, Steirmark, Tirol, Voralberg, Vjenë) dhe  projekti i Basil Schader dhe ekipit te tij i cili u zhvillua në një  bashkëpunim ndërkombëtar..
Iniciativat prej kategorive duke filluar nga  çerdhet për fëmijë, Cikli i Ulët, Shkolla Sekondare I e II, Shkolla e Lartë Pedagogjike dhe Shoqatat shkollës së lartë pedagogjike, të shoqatave te ndryshme dhe organizatave joqeveritare,  tregojnë, se çfarë  ndikimi të madh  me vlerë ka në bashkëjetesën shoqërore qëndrimi i duhur pozitiv ndaj gjuhëve. Ndarja solemne e shpërblimit do të mbahet me 24 shtator në Grac në kuadrin e festës – Ditët Evropiane të Gjuhëve.  

Në festën e gjuhëve në Grac e cila do të mbahet në Murinsel, dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Landit të Staiermarkut, do të letë aktivitete të shumta kulturore dhe artistike për të vegjlit e të rriturit. Një ditë e plotë me program për secilin pjesëmarrës në rrethet e punëtorive, ekspozitave apo shfaqjet  teatrale kushtuar gjuhëve.  
Projekti,
Pas aprovimit të kurrikusës për diasporë (2007), me inicimin e Prof.Dr.Dr.Basil Schader u hartua projekti për tekstet mësimore në gjuhën shqipe i cili u financua nga “Fondi Ndërkombëtare për  Projekte”  (IPE) me qendër në  Zürich. Hartimi i teksteve u bë sipas standardeve të kohës. Autorë të këtyre teksteve janë: Besa Luzha, Hazir Mehmeti, Lush Culaj, Muhamet Ahmeti-Metis, Nexhat Maloku, Nexhmije Mehmetaj, Rifat Hamiti, Rizah Sheqiri, Shefkije Islamaj, dhe Xhevat Syla. Koordinator ishin: Arif Demolli, Basil Schader dhe Nuhi Gashi. Gjithsejtë janë 19 tekste të hartuara sipas niveleve mësimore, secili nga nivelet nga 6 tekste. Tri nga tekstet kanë tema direkt nga gjuha, kultura e historia shqiptare kurse tri tjera nga jeta e përbashkët në rrethi shoqëror specifik në diasporë.  Prezantimi i tyre në seminare me standardet bashkohore ka zgjuar interesim të madh nga ekspert e mësues të shumë gjuhëve amtare në Evropë.  

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dita Evropiane e Gjuhëve, Hazir Mehmeti

MERGATA-Në Austri filloi viti i ri shkollor

September 9, 2015 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë /

Vijueshmëria në mësimin e gjuhës shqipe nën çdo nivel krahasuar me kushtet e ofruara. …vetëm rreth 19 %  (2,5 mijë) nga numri prej 13 mijë nxënësish. Aktiviteti i shoqatave e veprimtarëve i domosdoshëm./

Në tri Lande / Vjenë, Niederrösterreich, Burgenland) nga nëntë që ka Austria filloi mësimi, ku si pjesë e tij është edhe mësimi i gjuhës shqipe në mesin e 24 gjuhëve amtare. Në Landet tjera mësimi pritet të fillon javën e ardhme. Nisur nga kushtet shumë favorizuese që ofron Ministria e Mësimit të Austrisë për gjuhët amtare, vijueshmëria e nxënësve shqiptarë është e ulët, vetëm diku rreth 19 %  (2,5 mijë) nga numri prej 13 mijë nxënësish. Pas gjuhës BKS dhe turke gjuha shqipe është e treta për nga numri i nxënësve të regjistruar sipas gjuhës amtare.  

 Edhe këtë vit me nxënës do punojnë 23 mësues/e në gjithë Austrinë. Gati në të gjitha Landet organizohet mësimi i gjuhës amtare, atje ku prindërit organizohen dhe japin pëlqimin e tyre për vijueshmëri. Prindërit informata mund të marrin nga organet e shkollës, shoqatave shqiptare, Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, faqeve të internetit dhe direkt në Ambasadat tona.  Mësuesit janë gjithmonë të gatshëm për komunikim në dhënien e ndihmës informative fillestare.

 Ministria e Mësimit të Austrisë kujdesët për vaisjen falas me tekstet e nevojshme shkollore duke i shpërdorë tekstet e reja, 19 tekste për të gjitha klasat, Fibel A-B-C- Abetare e botuar për nxënësit shqiptarë krahas abetareve në turqisht dhe kroatisht, fjalorët e ilustruar gjermanisht-shqip dhe literaturë tjetër.  Në faqen e internetit, po ashtu, mund të nxirren materiale të ndryshme mësimore të cilat botohen sipas kritereve dhe standardeve të përcaktuara bashkëkohore: http://www.schule-mehrsprachig.at/index.php?id=67. Mundësia e furnizimit me tekste mësimore asnjëherë nuk ka qenë më i begatë, kështu që mësuesit i mbetët të jetë aktiv dhe ta shpërndajë librin tek nxënësit e tij.  Ata prindër që janë larg qyteteve dhe fëmijët e tyre nuk mund të vijojnë mësimet në shqip mund të nxjerrin materiale nga interneti dhe pranë MASHT së Kosovës, tekstet për tri nivelet e nxënësve në diasporë.

Afati i formimit të grupeve mësimore është fillimi i shtatorit, andaj prindërit e interesuar duhet të jenë aktiv deri në hapjen klasave. Nga disa shkolla mund të bashkohen nxënësit në njërën nga shkollat e afërta. Pas kontakteve dhe proceduarave me prindër drejtoria në bashkëpunim me inspektorin merr vendim rreth orëve, mësuesit etj.

 Në informimin e prindërve do duhej një angazhim i shtuar nga të gjithë faktorët. Veçan Ministria e Diasporës duhet ta shton aktivitetin e saj sipas strategjisë parësore të deklaruar që në fillimin e saj. Nuk mjaftojnë paraqitjet sipërfaqësore në shtyp,  por kërkohet konkretisht kontaktet me mërgimtarët në teren.  Mjetet e informimit publik, veçan RTK dhe TVSh, do duhej t’i kushtojnë vëmendje më shumë mësimit shqip, aktiviteteve të shkollës e mësuesve në diasporë. Tani kur është koha e formimit të grupeve mësimore në gjuhën shqipe në Austri, do ishte një ndihmë e madhe për ta shtuar vijueshmërinë e nxënësve. Përndryshe, asimilimi troket më shpejtë e fuqishëm në gjeneratën e re çka nuk e dëshirojmë.  

 

Filed Under: Mergata Tagged With: filloi viti i ri, Hazir Mehmeti, mergata, në Austri, shkollor

Promovimi dhe vrasja e këngës

July 25, 2015 by dgreca

Shkruan:Hazir Mehmeti/
Vapë. Uji na pihej kthesave gjarpëruese të rrugës drejtë Shalës, një krahinë malore shqiptare e njohur për thesaret nëntokësorë anë e këndë globit. Ahishtave të përgjysmuara nga sëpata bishtmbarpshtë ua lakmonim freskinë e përmotshme. Koha nuk priste, na duhej të jemi në promovimi i “Thesarit…” voluminoz nga shkrimet njëvjeçare të mërgimtarëve në Suedinë e kulturës e shkencës. Aty edhe “Papa Klementi XI – Albani”, emër për respekt. Lakesa djathtas lartë kodrinës hapte horizonte mahnitëse të kodrave veriore që lidheshin në pafundin verior me Albanikun plak. Një dhënie e lehtë majtas timonit kthesave na nxori në fshatin Mazhiq, i njohur në mote si fshat mbi ar, por me jetën e rëndë të banorëve në robërinë e vjetër aq sa themelet e tij. Karriget dhe bina e ngritur mjaftonin që ta kuptonim se kishim arritur cakun. Puhia që vinte luginës ishte shpëtimi ynë nga dielli i shpërthyer i ditës. Rruga e ngushtë dhe pa hije e fshatit strehoi veturat me vështirësinë e rastit, ashtu siç mirëseardhjen e shijuam duke u shty për hapësirë nën hije strehëve të shtëpisë së dëshmorit Rifat Zeneli. Çdo mundim yni tani shumë herë u shpërblye kur mësuam për heroizmin e deshmorit bashkë me vashën e shtëpisë e sëmurë, në mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Me vete pëshpërita vargjet Gjergj Elez Alisë në hedhjen e tij kundër Bailozit të Zi, dëgjova zërin e Hamzë Jasharit në këndimin e fundit të këngës së Çërçiz Topullit në partiturë lirie me Zhui Selmanin. Tani aty ishin të gjithë së bashku. Karriget me sy nga dielli u mbushen me kohë, aty edhe përfaqësuesit e institucioneve tona, zëvendësministri, sekretar ministrie, këshilltarë, kryetari i komunës, shkrimtarë, luftëtarë, veprimtarë, referues, , gazetarë, kameramanë, fëmijë me kostume kombëtare, mërgimtarë nga shumë rrethe deri nga Opoja e Hasi. Fjala e hapjes nga zonja avokate e ardhur nga Suedia tingëlloi fuqishëm nga altoparlanti i madh përballë duke shkundur molisjen tonë nga vapa. Edhe pse na dukeshin të gjata në diellin përvëlues. përshëndetjet e referuesve i pritnim përplot respekt në përpjekjet e mërgimtarëve tanë globit, veçan atyre që promovonin “Thesarin 4”. Zemra na bëhej mal kur dëgjoje shembuj vetëmohimi të njerëzve tanë sferave të jetës jo të lehtë të mërgimtarëve me të cilat krenohej secili. I ndienim tonat, i preknim ngrohtësisht me respektin për gurët e hedhur në afirmimin tonë pranë kulturave të popujve tjerë, drejtë përmirësimit të imazhit tonë të lënduar kohëve kur ne ishim të huaj në tokën stërgjyshore. I ndienim si gurë të hedhur në hapat tanë drejtë kapjes së kohës së humbur në shekujt e robërisë, drejtë progresit kombëtar të ëndërruar. 
 Mirënjohjet e ndara ringjallën duartrokitjet e publikut edhe hijeve nën pemët Arëshpatit. Pritje finalja, programi kulturor nga vajza e djem që pritnin hijeve të veshur me kostume kombëtare. “Këngë për dëshmorin Rifat Zeneli” ushtoi zëri i moderuarës luginës së Mazhiqit deri përtej kodrave. Rapsodët akorduan çiftelitë e sharkitë, rregulluan karriget e mikrofonat pranë zëvrimave të instrumenteve, lëshuan zërin e tyre veç sa nuk pëlcitnin altoparlantët e ngrohur valë. Sapo emri i dëshmorit pllakosi ajrin e ngrohur, nga turma përplot fëmijë shpërthyen rafalët e revolverit, tjetra anash dhe i treti në rrugicën e gurtë prapa karrigeve përplot mysafir nga i gjithë vendi. Dielli u skuq me nxehtësinë e tij para fyerjeve të gjithë asaj mase nderuese, disa re filluan ecjen e tyre drejtë majave lajmëruese të atavizmit të vjetër primitiv në oborrin ku gjaku u derdh jo për krisma, por për shtet i nderuar e mbrojtur sipas rregullave e ligjeve të lirisë. Mbrojtësit e rendit nuk u duken askund, vetëm pasi tri revole e vranë këngën e vet. Asnjë fjalë, asnjë vërejtje, asnjë paralajmërimi i mysafirëve, se në program ka edhe shtënie me armë. Plaku nga Malësia e Mbishkodrës në konakun e tij i kishte thënë dikur Kreshnikut të Komitëve, kur kishte shtënë duke e dëgjuar këngën e babait të tij që la pa kokë me sëpatë shtatë xhandar pushtues: “ E more djalë, e vrave këngën tënde”. Edhe Mazhiqi.

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe vrasja e këngës, Hazir Mehmeti, promovimi

Në Akademinë Diplomatike të Vjenës

July 14, 2015 by dgreca

Shkruan:Hazir Mehmeti, Vjenë/
Promovim vepre me vlera shkencore e kombëtare/
Dr. WolfgangPetritsch:”… interesi i Bashkimit Evropian është që të mos përsëritet rasti i Bosnjës dhe të krijohet një Republika Srpska brenda Kosovës”. Prof. Paul Lendvai: “…. sot është një arritje e veçantë që një diplomat kosovaro-shqiptar, së pari shkroi një libër në gjuhën gjermane me këtë temë rreth Kosovës”. Prof. Dr.Günther: “…unë rreth librit do thosha se vlerësimi im, po të ishte me yje, është maksimal, pesë yje.”.
Rruga e largët e Dr. SabriKiqmarit, që nga ana tjetër e kontinentit, Australia e largët, u shpërblye me një mbrëmje të bukur promovimi në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Morën pjesë mysafirë të shumtë, miq të autorit e shqiptarëve nga radhët e kombeve tjera. Mes tyre ishte Dr. WolgangPetritsch, njëri nga diplomatët më në zë në Europë. Gazetari, analisti i njohur edhe jashtë Austrisë Prof. Paul Lendvai, Dr. JohannGüenther, profesor në disa shtete dhe mik i Kosovës, Zëvendësdrejtori i Akademisë Diplomatike të Vjenën Dr. Gehard Seiller, Kreshnik Gashi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Znj. Heidemaria Gürer, drejtoreshë për Europën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, z. Sami Ukelli, Ambasador i Republikës së Kosovës në Austri, z. Ron Willis – President Clubfor Trande-Delegetes in Ausria. Ishin të pranishëm ambasadorë, diplomat, studentë, gazetarë. “Sot do bëjmë promovimin e veprës “Republik Kosova-Staatsgründung und Sozialstruktur” diplomatit dhe mikut tonë Dr.Sabr iKiqmari, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Austri” u shpreh njëri nga programuesit. Drejtimin e programit e bëri në disa gjuhë z. Faruk Ajeti, Sekretar në Ambasadën e Kosovës dhe kandidat për doktoratë në shkencat politike pranë UN-Vjenë . Promovimin e organizoi Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri dhe Akademia Diplomatike e Vjenës.
Fjalën e hapjes e mbajti Zëvendësdrejtori i Akademisë Dr.Behard Seiller. “E falënderoj Ambasadorin z.Ukelli për këtë rast që na dha përpromovimin e librit të z.Kiqmari. Ne kemi realizuar bashkë disa projekte me Ambasadën e Republikës së Kosovës me student nga Kosova dhe akoma vazhdon me pjesëmarrjen në kurse speciale të organizuara në akademi në bashkëpunim me diplomacinë nga Kosova, ku edhe gjatë verës do mbahen disa kurse e programe në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Kosovës”.
Z. Sami Ukelli, pasi përshëndeti të pranishmit foli mbi biografinë e Dr. Sabri Kiqmari. Në emër të Min.Pun.Jash. një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe Sekretari i Pergjithshem i MPJ-së z. Kreshnik Gashi. Ai mes tjerash tha: “promovimi i veprave te tilla shkencore, deshmon me se miri per rendesine qe vendi yne iu kushton edhe ceshtjeve akademike”.
Prof. Paul Lendvai
“ Unë mendoj se sot është një arritje e veçantë që një diplomat kosovaro-shqiptar, së pari një libër në gjuhën gjermane i njohur për mua, i hartuar mbi këtë vend. Unë kam shkruar disa libra mbi vendet ballkanike Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe histori të shkurtra mbi Kosovë nga Noel Malcolm “Kosovo-a short History” me 500 faqe, Matthias Rüb dhe shumë libra tjerë dhe mendoj se është shumë më rëndësi që krahas angazhimeve diplomatike, ose veprimtarive gjatë luftës një diplomat ndanë kohë për hartimin e një libri. Unë ndoshta jam personalisht i prekur, unë isha diku para gjysmë shekulli në Kosovë pastaj në fillim të protestave masive të vitit 1981 dhe për mua më e rëndësishmja është ndryshimi i jashtëzakonshëm, nuk pranuan jetën nën sundimin e huaj edhe pse kanë problemet e tyre. Mossuksesi i tyre, suksesi, korrupsioni etj. këto janë çështje e tyre, ata i bëjnë në mes veti, dhe vetë vendosin mbi fatin e tyre, diçka që më ka lënë shumë përshtypje. Ndoshta autori ishte shumë modest ndaj vetvetes dhe ndaj njerëzve të vendit të tij të cilët kanë luajtur një rol shumë më rëndësi në historinë e Kosovës moderne. Jo vetëm në fushën diplomatike por edhe në rrjedhat në vend kur vjen intervenimi me bombardim i trupave të NATO-së për 78 ditë në sulm ndaj një vendi sovran për shpëtimin e njerëzve. Kur vriten 10 mijë kosovarë, një milion kosovarë dëbohen nga vendi prej të cilëve 800 mijë në shtetet fqinj. Mendoj se është shumë më rëndësi rruga historike që ka ndodhur deri në vitin 1989 dhe kjo është rrënjë historike.Unë nuk do ndalem në citate të gjata mbi shpërnguljen e shqiptarëve që nga viti 1937 nga Vaso Qubrilloviq i cili edhe Marshall Titos në vitin 1944 ia parashtron si mendim, se e vetmja zgjedhje për Kosovën është përzënia e shqiptarëve nga Kosova. Ky libër i z.Kiqmari tregon, se kjo jo vetëm që nuk është arritur, por tregon rrumbullakimin e pavarësisë së Kosovës e cila ka bërë hapa të mëdhenj. Mendoj, se veçanta është shumë më rëndësi për mediat dhe diplomatët të dihet se çka ambasadori ka përshkruar se banorët në vitin 1921 ishin mbi 95% analfabet, pastaj në vitin 1981 është ulur shumë përqindja e analfabetëve dhe tani janë vetëm 7% analfabet, nëse këto shënime janë të besueshme dhe gruaja e cila është e varur shumë në strukturën familjare. Momenti shumë i rëndësishëm çka është theksuar, të rinjtë, ku 29% e popullatës është nën moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, në Gjermani, nëse me kujtohet, është 13% . Për mua është gjëzë, si është kjo dhe kur isha në Kosovë thuhej kjo dhe tani kosovarë janë të dytët, pas irlandezve, për numrin e lindjeve. Kjo ka natyrisht gjithashtu probleme dhe kjo është gjithashtu një shpjegim i gjëzës së mëhershme dhe para pak muajsh shumë kosovarë shkuan në Gjermani, Austri dha tani ky numër është zvogëluar thelbësishtë. Unë e konsideroj librin si një arritje shumë, shumë të rëndësishme, e kuptueshme, për kosovarët dhe tregon se nuk ishte e rastësishme që shqiptarët, shqiptaro-kosovarë, kaq shumë artistë, shkencëtar e drejtues larg në shumë shtete janë prodhuar. Unë kam vetëm dy propozime për botimin e ri që do vjen, mbi të dhënat nga lufta kundër krimit dhe problemi më i nxehtë, korrupcionit i cili nuk është epidemi vetëm e kosovarëve e shqiptarëve, por fatkeqësisht u përket të gjitha shteteve duke përfshirë këtu edhe vendin ku ne po mbajmë këtë konferencë. Mendoj se do ishe mirë që këto dy aspekte të përfshiheshin. Unë jam shumë i gëzuar që zotri Ambasador i ka hy mundimit që nga Australia të vjen këtu me librin e tij mes nesh.
WolfgangPetritsch Për mua është mrekulli kur diplomatët shkruajnë libra, nga se e kuptoj sa e vështirë është. Unë e kam provuar me librin tim mbi Kosovën rreth së cilës kemi pasur konfrontim edhe me Milosheviqin edhe kur unë isha si dëshmitar në gjykimin e tij në Hagë. Secili kapitull apo secila thënie ishte material për te dhe bashkëpunëtorët e tij për të folur ditë të tëra në mbrojtjen e pozitës sime, për çka unë isha shumë i dërmuar nga këto biseda me ditë të tëra. Ky libër pastaj ishte një bazament edhe në bisedimet në Rambuje dhe Paris dhe pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Faktin e dytë, të varur njëri me tjetrin, do doja ta theksoja është fakti i intervenimit të NATO-së si vendim politik pa miratimin e OKB. Ky shembull do shfrytëzohet nga Putini në krahasimet e tij me Krimenë. Kosova ishte një temë për zgjidhje në ish Jugosllavi edhe më herët se viti 1981, arritja e autonomisë etj. diçka ishte e qartë, me të drejtat shtetërore e qytetare dhe pastaj heqja e autonomisë, dëbimi etj. dhe nuk ka krahasim me Krimenë. Viti 1999 ishte viti i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, andaj do preferoja z.Sabri që në botimin tjetër, besoj se do shkruani më tutje, këto argumente të shtrohen fuqishëm para faktorit ndërkombëtar pasi Kosova akoma nuk është anëtar e OKB-së. Për mua, në libër, struktura sociale është paraqitur shumë bukur dhe kjo është e mrekullueshme.
Dr. JohannGünther: “Kam punuar në Kosovë katër vjet kur ishte rindërtimi i sistemit universitar. Si i ftuar në duhet të flas pozitivisht. Për mua është një libër i sistemuar dhe brenda paraqet një përshkrim të mirë rreth Kosovës. Edhe pse kam jetuar atje katër vjet, gjithë here del diçka tjetër për të mësuar nga ajo që ti di. Historia është bukur e paraqitur por është tendencioze, nuk janë treguar gjërat nga ana tjetër, për çka si diplomat që është e ka pasur të pamundur ose nuk ka dëshiruar. Për mua ka të bëjë me mposhtjen e së kaluarës. Edhe vendet tjera, dhe Austria, u janë dashur pesëdhjetë vjet që ta mposhtin, të lirohen nga e kaluara. Mendoj se kjo është një pikë shumë e domosdoshme. Sistemi social është në libër shumë mirë i paraqitur, dhe pjesërisht është paraqitur edhe negativ, papunësia e lartë, shumë kosovarë punojnë jashtë, familjet e mëdha ndoshta është kështu edhe moderne, prona shoqërore të cilën kosovarët veç e kanë bërë privatizimin e saj. Këtu mund të shtoja se forma e jetës në familje e mëdha, mendoj, se nga ajo që kam mësuar për katër vjet në Kosovë dhe disa vjet në qendër të regjionit të Arabisë, mund të them se në aspektin kulturor nuk kam pa ndryshme, kështu forma e sjelljes njëri me tjetrin, si njeriu jeton e tjera për mua ishte e njëjtë. Kjo mund të tingëlloi provokuese, por do duhej që edhe këto gjëra të sjellshin aty. Nga tema e arsimit në statistikë duket shumë e mirë, kështu dyzet e katër studentëve kosovarë ju takon një profesor me kualifikim, shumë larg nga nivelit europian edhe pse një shanse e madhe qëndron në kosovarët që jetojnë jashtë që t’i kthejnë në Kosovë. Kosovarët që jetojnë jashtë vendit t’i kthejnë në vendin e tyre. Nga statistika e fushës ime, Universiteti, sa kosovarë dhe në cilat vende janë profesor. Ne kemi këtu kolegun, i cili është Profesor në Donau Universitet për Integrimin Europian dhe kështu ka në gjithë botën. Po të kishte sukses të ktheheshin në Kosovë të mbanin mësim do ishte një TeachingGroupInternational i mrekullueshëm. Dhe mendoj se ky do ishte një faktor shumë më rëndësi. Unë nuk jam diplomat, por nëse më lejohet në këtë temë do thosha disa fjalë. Për mua diplomacia kosovare është shumë e njëanshme, ne duhet me të gjithë biseduar dhe jetuar së bashku, kjo mua më mungon në libër. Pjesa rreth themelimit të shtetit është e mrekullueshme, kur unë isha në Kosovë e kam përjetuar nga kulmi i Grand Hotelit dhe tani njeriu mendon se bota fiton diçka të re. Kur e lexojmë librin, është interesant ndërrimi dramatik i popullatës që Kosova kishte. Sa njerëz kanë migruar në vitet e hershme të viteve gjashtëdhjeta, kur njerëzit ishin të shtrënguar, dhe paralel kësaj popullsia është dyfishuar dhe gjithë çka ka ndodhur është paraqitur shumë mirë nga z.Kiqmari. Importi dhe eksporti janë paraqitur nëntë me një, kjo do të thotë dhjetë herë blen më shumë se sa eksporton, dhe kjo është problematike dhe duket se Serbia ekonomikisht është fituese, importi më i madh vjen nga Serbia dhe për te Kosova ekonomikisht është shumë e rëndësishme, kjo është paraqitur shumë bukur. Ekonomikisht, flasim për papunësi dhe mungesa e industrializimit këtu kemi paraqitje emocionale dhe ju e keni vërejtur se kosovarët më me dëshirë e hapin një kafiq se sa një punishte bujqësore. Dhe gjithmonë bashkëshortja ime pyeste prej nga vijnë këto prodhime në treg, këtu do thosha në Prishtinë nuk është e domosdoshme të vijnë qershitë nga Greqia. Në analizën time kam bërë krahasime me librat e kësaj fushe dhe biblioteka ime private prej 10 mijë libra do i dhurohet pas vdekjes sime UN të Prishtinës, pra fëmijët e mi duhet ta bartin në Prishtinë. Shpresoj se nuk do ndodh shpejtë (pak humor) dhe le të bëhet më me shumë libra. Kështu, mendoj se vërtetë është një libër shumë i sistemuar, para se gjithash në paraqitjen e anës ekonomike, strukturën sociale, historisë të paraqitura me shumë kompetencë”
Moderatori: Z. Günther, Ju ishit në Kosovë disa vjet aktiv në fushën e arsimit të lartë, si do e vlerësonit ju sistemin e arsimit të lartë dhe reformat e ndermarra ne kete drejtim?
Günther: Unë isha në fushën e arsimit në Univesitet aktiv dhe mund të them se trajtimi në arsim në Kosovës është krejt tjetër krahasuar me vendet tjera. Vetëm të them këtu se aty njerëzit do të shkollohen për Kosovën, dhe kjo nuk funksionon. Tregu i arsimit të Kosovës është Europa, ndoshta dhe më gjerë dhe duhet shikuar nevojet për drejtimet arsimore dhe s’do kishte nevojë për largimin e tyre. Bie fjala, në Austri ka shumë pak ekspert për informatikë, dhe një firmë ku çdo të premte ka konferencë ku shqyrtohen kërkesat e shitësve, dhe del se ka shumë pak nga drejtimi i programimit. Kështu mund të veprohet edhe me shtetet tjera dhe mendoj se këtu është një potencial dhe shanse më e madhe. Mendoj, se kështu duhet vepruar në sistemin arsimor. Diçka rreth z.Kiqmari, nga shijet e ndryshme që edhe mund të ketë njeriu, unë rreth librit do thosha se vlerësimi im, po të ishte me yj, është maksimal, pesë yje.”
Dr.SabriKiqmari: Përse pikërisht për themelimin e Kosovës dhe përse për strukturën sociale. Kjo ka të bëjë me gjendjen time personale në vitin 1995 kur unë isha student në Ruhr UN në Bohum të Gjermanisë caktova si detyrë veti të shkruaj mbi konfliktin në Kosovë. E vizitoja bibliotekën dhe gjeta një libër të vetëm. “Die Albaner in Jugosllavien” nga JohnReuter, asnjë tjetër. Atëherë erdhi domosdoshmëria për të shkruar për Kosovën, dhe që atëherë vendosa ta shkruaj një libër në gjermanisht për Kosovën. Por, projekti shtyhet viteve dhe zgjat dy dhjetëvjetësha, nga se situata në Kosovë ndryshonte në mënyrë drastike. Në vitin 1998/1999 Kosova ishte më e theksuar si temë në mediumet dhe shtypin, jo vetëm në Austri e Gjermani por në gjithë globin, për shkak të luftës në Kosovë. Sot secili prej nesh mund të gjen libra mbi Kosovën në shqip dhe në gjermanisht. Vetëm këtu në Austri ka me dhjetëra libra mbi Kosovën dhe mbi shtetet tjera nga rajoni ynë, nga Europa Juglindore, por janë shumë pak autor nga Kosova që kanë shkruar mbi zhvillimet në Kosovë në Gjermanisht. Shumica e këtyre librave merren me historinë e Kosovës, ose me Luftën e Kosovës. Mezi gjen libër që ofron një analizë politiko- sociologjike mbi shoqërinë kosovare. Unë dëshiroja që brenda mundësive që sa më pak të shkruaja mbi historinë, pasi mbi historinë është shkruar shumë. Njëri nga librat më të mirë mbi historinë e Kosovës është libri i Prof.Petritsch me koautorin KaserKarl të cilën shpesh e kam cituar në librin tim. Unë kisha dëshirë ta përshkruaja formimin e shtetit i cili ka ndryshuar jetën e kosovrëve/eve, dhe pesë elemente kryesore të strukturës sociale në formë sistematike t’i analizoja. Metoda e përshkrimit është metodë Hegeliane, në formë teze, antiteze dhe sinteze.
Moderatori: Si erdhët ju deri te ideja e shkrimit të librit, Çka ju ka inspiruar?
Dr.SabriKiqmari: Unë, siç e thashë edhe më parë, dëshiroja që patjetër të shkruaja një libër mbi Kosovën, pasi e dija se shumë autorë kanë shfrytëzuar literaturë serbe dhe njihnin serbishten, kishte shumë pak autorë që dinin shqip, dhe unë doja një paraqitje nga shqiptarët për lexuesit gjerman. Ka shumë libra të mira, njëra e Prof..Dr.WolfgangPetritsch, dhe e konsideroj si librin më të mirë mbi rrjedhat në Kosovë, ku dy anët janë paraqitur shumë mirë dhe neutral, edhe e kam pritur nga një diplomat austriak. Ju, Prof.Günther, e përmendet fjalën tendencioz në histori. Unë nuk e besoj këtë. Janë dy mendime të ndryshme lidhur me rrjedhat në Kosovë: mendimi i parë i pasur me argumente, se shqiptarë kanë origjinë nga ilirët dhe nuk mund të pritni që mbi këto argumente shkencore të shkruaj të kundërtën. Ky është një nga argumentet, dhe i dyti, unë vërtetë jam munduar që pjesën nga historia të mos e shkruaj “patriotish” edhe pse unë mund të shkruaja mbi luftën e UÇK, mbi luftën e shenjtë … e kam ditur se lexuesi austriak apo gjerman do fakte dhe unë jam munduar, ashtu siç thotë edhe Prof.Lendvai, të përshkruaj edhe pse nuk është e lehtë kjo për një ambasador. Gjatë përgatitjes së disertacionit jam marr shumë me strukturën sociale dhe kam kuptuar se kjo temë nuk është analizuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit… Kështu, nga analizat e mia që kam bërë mund të përfundoj se nuk ka pasur ndikim nga puna ime si diplomat, pa ndikime nga zhvillimet politike, dhe gjithmonë jam orientuar në burimet shkencore dhe lexuesit/et ashtu do ta kuptojnë.
Moderatori: Pyetje. Z. Petritsch, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësis në vitin 2010 e ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në shkelje me të drejtën ndërkombëtare, disa shtete të BE e ende hezitojnë ta njohin Kosovën. Si do e vlerësonit ju këtë, sa e demton ky rast unitetin e Politikes se perbashket te Jashtme dhe te Sigurise së BE-se ?
Nga vendet e BE akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës pesë prej tyre, nga arsyet e brendshme të tyre dhe natyrisht ky është një problem i madh, dhe deri tani njëkohësisht
në Kosovë është EULEX-i, instrumente tjera më rëndësi që punojnë në planin e sigurisë. Faktori më rëndësi në këtë problem është Serbia, mosnjohja nga pesë shtete na BE, do dilte përse të detyrohet pranimi nga Serbia. Kjo nxjerr faktorin e vonesës, jo vetë të dy komponienteve, por edhe të “ndërmjetësuesit” i cili ka marr ndërmjetësimin, të themi kështu. Në këto procese të rëndesishme nevojitet guxim për të pasur kompromise, kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Ne duhet të shohim kompromisin si një përparim, si një mënyrë për ta forcuar qëndrimin tonë, sepse po bëre kompromis, ti je në gjendje që ti lësh anash disa barriera imagjinare, dhe kjo vlen për të dy palët. Mirë po për Serbinë është shumë më e vështirë që të bëj kompromis, sepse ende jeton me mendimin „ne kemi humbur diçka“, gjë e cila nuk është e vërtetë. Në të njëjtënkohë interesi i Bashkimit Evropian është që të mos përsëritet rasti i Bosnjës dhe të krijohet një Republika Srpska.
Për ta përmbledhur shkurt: Është më rendësi, që Bashkimi Evropian ta ketë një pozicion të qartë, kështu që apeloj tek shtetet që ende nuk e kanë njohur [Kosovën] që ta bëjnë këtë, në të njëjtën kohë apeloj edhe tek dy partneret e negociatave, këtu i kushtoj rëndësi termit partner, sepse është shumë më rëndësi që dy palët të lëvizin drejt njëra tjetrës, sepse në fund të fundit janë temat e telekomunikacionit, të bashkësisë së komunave serbe dhe të energjisë pyetje të rëndësishme. Edhe më shumë rëndësi ka arritja e një marrëveshje , sepse po në atë moment fillojnë sfidat e vërteta për Kosovën, si integrimi ekonomik dhe shoqëror në regjion, po edhe me tej ne Bashkimin Evropian.
(Es gehört auch ein Mut dazu, zu Kompromissen, ich glaube das ist das Wichtigste überhaupt. Man muss einen Kompromiss sehen als eine Tugend, als eine Stärkung der eigenen Position wenn man imstande ist, über bestimmte imaginäre Schatten springen zu können, und das gilt natürlich für beide Seiten. Es ist zweifellos für Serbien schwieriger hier sozusagen nachzugeben, weil es ja immer noch in der Vorstellung lebt, wir haben etwas verloren, was ja so eigentlich gar nicht stimmen kann, aber gleichzeitig liegt das Interesse der Europäischen Union darin, zu schauen, dass es nicht zu einer bosnischen Entwicklung kommt, also wie dort eine Republik Srpska schaffen.)
Kurz zusammengefasst: Es ist wichtig, dass die Europäische Union zu einer Position findet, daher der Appell an alle die noch nicht anerkannt haben das zu machen, gleichzeitig auch für die beiden Verhandlungspartner, und betone Partner jetzt, dass sie sich aufeinander zubewegen, denn letztendlich sind die Fragen die man so hat, Telekommunikation, eine Assoziation der serbischen Gemeinden und die Energie wichtige Fragen, aber noch wichtiger ist, dass man hier zu einer Einigung kommt, denn erst dann werden die wirklichen Herausforderungen für Kosovo beginnen, wie integriere ich mich wirtschaftlich und gesellschaftlich in der Region und darüber hinaus auch in der Eurooäischen Union.

* Dr.Sabri Kiqmari
U lind më 14 shtator 1967 në fshatin Lladofc në Republikën e Kosovës. Shkollimin fillestar e mbaroi në vendlindje ndërsa shkollimin e lartë në universitar në Ruhr-Universitet Bochum dhe në UN e Boni (D) dhe në vitin 2007 merr gradën akademike doktor. Veprimtaria e tij për liri ishte e njohur krahas veprimtarisë publicistike në disa gazeta e revista në shqip dhe në mediat gjermane. Ishte analist mediave në Institutin e Mediave në Bon 2001-2005. Punoi në UN-e Prishtinës deri në emërimin e tij Ambasador Fuqiplotë në Austri në tetor të vitit 2008. Tani është ambasador i Republikës së Kosovës në Australi dhe Zelandë të Re.

Filed Under: Kulture, Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, Prof. Dr.Günther, promovim ne Vjeni, Sabri Kicmari

Përfundon viti shkollor në Austri

July 5, 2015 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI,Vjenë/
Deri në mesin e muajit korrik mësimi përfundon në tërë Austrinë. . Sipas shënimeve janë 13.560 nxënës shqiptarë, prej të cilëve shqip mësojnë në tërë vendin vetëm 2500 nxënës në klasat e 23 mësuesve, apo diku rreth 19% i tyre. Ata që vijuan mësimin në gjuhën shqipe e përfunduan me sukses do jenë pjesë e projekteve të Ministrisë së Diasporës dhe do bëjnë falas shëtitje në Kosovë, Shqipëri dhe në Austri. Pajisja me tekste më e mirë se asnjëherë. 
 Në Austri jetojnë diku rreth 60 mijë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, çereku i tyre janë fëmijë shkollor. Sipas shënimeve janë 13.560 nxënës shqiptarë, prej të cilëve shqip mësojnë në tërë vendin vetëm 2500 nxënës në klasat e 23 mësuesve, apo diku rreth 19% i tyre. Kur dihet se Austria është njëra nga vendet ku mësimi i gjuhës amtare është i garantuar si pjesë e sistemit publik arsimor në kuadër të Ministrisë së Mësimit në Austri, kjo është shumë pak dhe paraqet shqetësim. Krahasuar me kombet tjera është e pa kuptim refuzimi i prindërve mësimin shqip. Kjo është diçka befasuese edhe për zyrtarët përgjegjës, kur dihet se çdo gjë është e siguruar nga Ministria e Mësimit të Austrisë. Kryesia e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri në Kuvendin e saj e ka ngritur këtë shqetësim dhe apelon tek Ministria e Diasporës, Ministria e Arsimit, shoqatat shqiptare në Austri në aktivizimin e tyre në formë aksioni për regjistrimin e nxënësve në mësimin shqip nga mosha 6 vjeçare deri në moshën 19 vjeçare. Veçanërisht i ulët është vijimi në Vjenë, Graz, Salzburg si qendra ku graviton një mërgatë shqiptare numerikisht e theksuar. Në Vjenë si rezultat i pasivitetit tonë u shua një vend pune mësuesi në vend që të hapej një i ri, pas shkuarjes në pension të njërit prej tyre. Në Vjenë jetojnë mbi 20 mijë shqiptarë me mbi 3 mijë nxënës nga klasat e para deri në klasat e nënta, prej tyre mësojnë shqip vetëm 370 prej tyre. Afër 2 mijë janë nxënës të rritur 11 deri 19 vjeç, prej tyre mësojnë shqip diku rreth 30 nxënës. 
 Mjerisht, edhe pse shoqatat kulturore e kanë në programet e tyre të ndihmojnë ruajtjen e gjuhës shqipe dhe bashkëpunimin me rrethet kulturore e mësimore, aktiviteti i tyre karshi mësimit shqip ësht shumë larg mundësive e nevojave. Duhet të niset që nga kryesitë e shoqatave kulturore, veprimtarë regjistrimi i fëmijëve në mësimin shqip. Edhe pse ka deklarime se do ndihmohet integrimi me identitet kombëtar e jo të asimiluar, në fakt është e kundërta, me pasivitetin tonë po e mundësojmë asimilimin e fëmijëve tanë. Përshtypja është se në familje punohet pak me fëmijët e rritur duke e humbur atë nga kontrolli i domosdoshëm. Arsyetimet e atyre të cilët nuk i regjistrojnë fëmijët e tyre janë gjithfarë dhe nga më qesharaket e naivet: “Fëmija im di shqip”, “Unë e mësoj në shpi”, “…aiii, atij i duhet gjermanishtja se sa për shqip ai është perfekt”, “…këtu nuk kemi nevojë për shqip”, “ … nuk ka kohë, ai është në gjimnaz”, “ ..nuk po do shqip, veç m’e myt”, “…nashta vitin tjetër”, “ … jo more hiqmu shqipes”, “… u regjistrue në fusboll, nuk ka kohë” etj.
Në të gjitha shkollat prindërit mund të kërkojnë formularin për gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet shfrytëzuar nga prindërit që t’i mundëson fëmijës së tij vijueshmërinë… Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe.
Në Austri mësimi i gjuhës amtare është i siguruar brenda sistemit shkollor publik dhe nën përkujdesjen e organeve zyrtare përkatëse. Pak vende në Europë e kanë të rregulluar kaq mirë mësimin amtar sikurse është Austria e përcjell nga Suedia, Finlanda. Në vendet tjera mësimi në gjuhën amtare është kryesisht i organizuar dhe financuar nga shoqatat e prindërve
shfrytëzoni mundësitë
Nisur nga rrethanat e volitshme prindërit do duhej t’i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara. -Ata duhet më këmbëngulje të kërkojnë që fëmija i tyre të ketë mundësi të mësoj shqip i garantuar sipas ligjit dhe t’i nënshkruajnë fletëparaqitjet (Anmeldung) me kohë, javën e parë.
-Të jenë të organizuar, të komunikojnë mes veti edhe me prindër të shkollave afër deri në formimin e grupit prej 12 nxënësve shqiptarë të cilëve u sigurohet mësimi sipas ligjit për gjuhë amtare. Të gjitha kërkesat pastaj janë në varësi të drejtorive, inspektorit. Mësimdhënësi do sigurohet nga këto organe përgjegjëse, tekstet dhe materiali përcjellës.
Tekstet
Tani janë të siguruara tekstet e reja (19 tekste) nga Ministria e Arsimit dhe Diasporës për të gjitha nivelet mësimore falas. Ato porositen nga mësuesi në Ministrinë e Mësimit të Austrisë të cilit i dërgohen në shkollë. Në Austri për herë të parë është botuar Abetarja në shqip dhe mësuesi e porositë nga katalogu i teksteve mësimore sipas numrit të nxënësve në shkollë. Të gjitha janë falas. Abetarja dhe Tekst Ushtirimi-1 mund të porositen nga prindërit privatisht, por duhet paguar. Adresa: E.Weber Verlag, Eisenstatdt, përmes internetit direkt (O-line). Kjo abetare është e përshtatshme për nxënësit në diasporë dhe e standardeve bashkëkohore për alfabetiizmin paralel me gjuhën e shkollës dhe është porositur nga shumë vend D,S,B,GBr etj. Info: Ph-Zürich Datenbank Mehrsprachigkeit Zvicër; E.Weber Verlag -Austri etj.
Tekstet janë të hartuara sipas kurrikulës së re mësimore për diasporë nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe tani e bashkuar edhe Ministria përkatëse e Shqipërisë.
Për informata shtesë prindërit mund të kontaktojnë me mësuesit shqiptarë. Adresat e tyre janë të shënuara në Ambasadën e Kosovës.
Formimi i personalitetit me identitet dhe i kompletuar nuk mund të jetë i plotë pa e mësuar gjuhën e nënës. Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk e pengon integrimin dhe mësimin e gjuhës së shkollës, përkundrazi e ndihmon atë. Shpresojmë se gjatë këtyre dy muajve do kemi aktivitete në dobi të formimit të grupeve mësimore deri në javën e parë të shtatorit, kur fillon mësimi.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, në Austri, perfundon, viti shkollor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT