• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne pritje te Kryeministrit Edvin Rama

September 9, 2013 by dgreca

  Shkruan:  Sami Repishti */

Ridgefield,CT.SHBA.-/

I nderuemi Z. Kryeminister:/

Mjetet shqiptare te informimit njoftojne marrjen per se shpejti  ne dorezim nga ju,   te detyres se kryeministrit te Republikes se Shqiperise. Urime per nji fillim te mire e pune te mbar gjate ketij mandati kater vjeçar.

Detyra e re ju ashte besue nga vota e “sovranit” dhe verdikti i tij ne  zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ky verdikt u pranue edhe nga pala “humbese”. Pranimi eliminoi konfuzionin e mundshem dhe lehtesoi ardhjen tuej ne postin e kryeministrit , si dhe te Aleances per Shqiperine Europiane, qe ju drejtoni, ne rolin e partise ne pushtet, me te gjitha prerogativat qe njihen me ligje, dhe pergjegjesine qe imponon detyra e re. Per ma teper, fitorja e bindshme elektorale ju jep mundesine per vendime te randesishme, dhe reforma thelbesore qe siguron shumica pothuejse absolute e Kuvendit te posaformuem.  Votueset ushqejne shpresen se mirebesimi i investuem ne ju do te jape frytet e deshirueme , dhe qe “fitorja e shumices” te mos degjeneroje ne “tirani te shumices”.

Votimet e cilesueme si “me te mirat” ne Shqiperi keto 23 vitet e fundit , nuk kane qene perfekte, ashtu siç nuk jemi edhe na perfekt. Ne fakt, ka aspekte shqetesuese ne kete mes qe kane krijue “dyshime” tek qytetaret shqiptare, …. pa harrue se gjysma e popullsise nuk votoi fare!

Fakti se ASHE ashte nji konglomerat prej ma shume se 36 partishe politike nuk frymezon besim ne kohezionin politik dhe koherence ne veprimtarine e saj. Ne mesin e tyne, ka te pakten 5 parti liliputiane qe kerkojne ringjalljen e “parrizit komunist” ne vendin tone. Per ju, si veprimtar antikomunist gjate viteve te transformimeve te medha, kjo don te thote perseritje e “…Genjeshtres se Madhe (qe) vriste, mbyste, izolonte, e dermonte, deri ne cepin me te skajshem te mendjes, çdo te vertete te lire te njeriut”! (Citat nga Kurban), don te thote perseritje e kohes kur njeriu perdorej si kafshe pune!  (Motra ime 14 vjeçare, e ndjera Hadie, terhiqte si kafshe karrocen e bukes per police ne kampin Veliqot te Tepelenes….!)

Ky denim pa kompromis i se ‘keqes komuniste’ nga ju ashte ne vije me kerkesat e jueja fillestare “…ne ujdi me kohen, si antikomunist”, i revoltuem nga pamja e atyre qe “…agu i dites i gjente ne rradhet e qumshtit, e vetem mbremja i siellte ne shtepi…pas punes pa orar…”; i revoltuem kunder nji sistemi totalitar qe nuk deshi te dinte “…se si po kalbet shoqeria, as se si po rriten, dhe edukohen me te vegjelit e Shqiperise ne kalbezimin e saj çorodites”. Sot, keto “elemente” jane aleatet e juej!

ASHE qe ju drejtoni arriti nji fitore te papritun edhe per arsye te koalicionit me PSI qe para dy vitesh ishte nji grumullim “…kriminelesh te rangut me te pare, e rrugaçesh te ores me te fundit; me para, me ofiqe e ndere materialisht te prekshme ne rradhe te pare…”. Te udhehequn nga kush? Nga Z. Ilir Meta, “….i cili ktheu partine e tij …ne patericen jetike te pushtetit me te korruptuar ne historine shqiptare; …mjeshtri i lindur qe grumulloi ne rrugetimin e tij…kriminele e rrugaçe”. Ju e njihni  Z. Meta, per “…paqendrueshmerine e tij, paranojen e tij se çdo njeri qe ka prane kerkon t’ia hjedhe (me)…shpuren e pandare te servileve te tij, injorante deri ne dhembje e dallkauke deri ne bezdi, me te cilet eshte rrethuar tradicionalisht…” Sot, kjo “shpure” jane ministrat e qeverise suej! Dhe Z, Ilir Meta, qe nuk len gjak pa marre, u pergjegj:” Rama eshte i kapur nga krimi i organizuar…nje kryebandit me bllok korrupsioni ne dore!” Ju kryminister e ai do te jete ‘Speaker’ i Kuvendit te ri! Çdo mendje normale, çdo ndergjegje e paster,  revoltohet, ne shikimin e pare….!

Por do te ishte gabim adoleshence sikur te dhanat e masiperme te “denojne” a priori qeverine dhe udheheqjen tuej.  Une nuk ia lejoj vetes!

*

Keto kohet e fundit, kam lexue me interesim narrativen tuej introspektive “Kurban”, “…nji rrefim i lire…fund e krye subjektiv”. Menjifjale, me zemer te hapun, nji qendrim qe ju jep “….lumturine e te qenit domethenes ne histori…” dhe deshiren e sinqerte “…per te lene nje gjurme autentike ne kete moment  dramatik”. Me nji “…hyrje te papritur, por i vendosur, pothuejse fanatik: ‘O keshtu ose krejt ndryshe!’” ju jepni pershtypjen e hymjes ne “aventure”(ne kuptimin pozitiv te fjales!) te perçmimit te rrezikut dhe te vdekjes qe, jo se e kerkoni ate, por e deshironi me jetue kete jete sa ma intensivisht. Nji veçori kjo e shume intelektualeve europiane! Ju perqafuet “aksionin” si mjet i domosdoshem me kenaqe nevojen tuej te mbrendshme me “ndryshue” boten rreth jush, per  diçka “krejt ndryshe”.

Sigurisht, ju jeni i ndergjegjshem se “aksioni” vetem per hir te aksionit, ashte nji qendrim qe ne Europen e mbas L1B perfundoi ne “fashizem”. Atehere, ne nji kohe kur “…kryetari i PS i vuri kazmen…themeleve morale dhe etike te debatit politik e shoqeror ne kete vend”, ju vendoset te ngriheni, kambengules me “…lene nje shenj dalluese te kalimit (tuej) ne qytetin ku ju takoi te lindni dhe te jetoni”.  Keshtu, keni shkrue nji faqe ne historine e qytetit te Tiranes…!

Qe ne fillim, per ju ishte e qarte se “…njerezit jo vetem jetojne, por edhe bashkejetojne me njeri tjetrin” nji sentiment fisnik e modern i botes sone. Qe ne fillim u perballuet me realitetin e hidhun, kur “…dita dites (u krijue) ndjesia e pamundesise se vazhdimit te misionit per transformimin e Tiranes jashte Partise Socialiste…”.Atehere, u transformuet ne partiak, “andrra” u venit dhe “realiteti” fitoi!

Ju i dhuruet aftesite tueja, dhe entuziasmin tuej, nji partie politike “…PS qe kishte rene ne nje batak te shpifur, era e te cilit sot e kesaj dite ska ikur plotesisht”, nji partie qe nuk pranoi asnjihere me u shkepute nga PKSH dhe PPSH, aq sa ruejti edhe thesarin e “Genjeshtres se Madhe”, gazeten Zeri i Popullit, nji parti politike qe refuzon te denoje satrapin aziatik qe vuri popullin”…me kurrizin e shtrire per toke, me shqelma ne fyt, e gryken e pushkes pas koke”, siç e pershkrueni ju mjeshterisht.,

nji partie qe kurren e kurres nuk kerkoi falje per krimet monstruzoe qe bani ne vendin tone.

Andrra e juej u zbeh e mbetet sot nji vegim i se kaluemes…! U harruen kriminelet, si ajo bankierka e koperatives qe therriste:”Dua te me jepni edhe mua nje luge gjak te ngrohte nga ky presori” kur u denue nji profesor. U harruen…”te tere shqiptaret e qytetit e fshatit, ish sklleve ne ara, fabrika, kantiere, apo ish te burgosur e te perndjekur ne llagamet e luftes se klasave…“. U harrue ish deputetja e PS qe piu botenisht gjakun e nji oficeri te SHIK-ut i vrame ne Vloren e vitit te mbrapshte 1997…! U harrue edhe i çmenduni Aranit, perbindeshi qe denoj me vdekje ma shume se 400 shqiptare te pafajshem…!

Denimi i fajtorit ka gjithemone diçka tragjike, dhe kjo nuk perjashton kriminelet  komuniste, ….as edhe Aranitin mjeran! Sepse ne fund te fundit, te gjithe jemi qenie njerezore me aftesi te kufizueme. Por, mosdenimi i tyne, dhe braktisja e viktimes se pafajshme ashte nji tragjedi edhe ma e madhe. Ju shkrueni: “Pafajesia duhet te mund krimin çdohere, çdo dite e perfundimisht, por gjithehere me mjete ligjore”. Nji percaktim monumental!  Siç shkruente pak dite ma pare nji nane kosovare per sjelljen e “politikaneve” ne lidhje me krimet serbe ne Kosove, “…ata siellen sikur nuk ka ndodhur as lufta, as vrasje, as djegje, as plaçkitje, as dhunime, as gje prej gjeje.…!” Ashtu si ne Shqiperi! Kjo sjellje ashte vrasja e dyte e viktimes! Si viktime e diktatures, une ju lutem: mos e lejoni! Respektoni historine!

                                                                    *

     Z. Kryeminister: PS ashte sot anetare e Nderkombetares Socialiste, kryesisht europiane, dhe kjo ashte nji fitore per ju. Ju konsultoheni me laboristin Tony Blair, emen i respektuem nga te gjithe shqiptaret. dhe kjo ju ndihmon me forcue bindjen tuej se komunizmi, qe disa “aleate” tuej e deshirojne perseri, ka qene thjeshte nji kombinacion fatal i nji totalitarizmi patologjik, monopolistik, dhe tejskajshem brutal, qe shfrytezoi kulturen. ligjin, politiken, dhe psikologjine e masave te pa arsimueme me mbeshtete shtypjen ekstreme dhe padrejtesine gjitheperfshirese.

Pengesat qe do te perballoni jane te medha, “shpura” e te perjashtuareve qe akoma  pretendojne do te ju luftoje, atmosfera rreth jush ashte helmuese, dhe puna qe ju pret ashte e rande. E kaluemja e juej ju ven ne pozite te veshtire. Profili i juej tregon se keni lundrue ne mes dy rrymesh antagoniste qe ju quejne “i kuq” dhe “jo mjaft i kuq”.  Ndoshta ashte koha per nji dialog kombetar mbi rolin e udheheqsit dhe partizanshmenine e tij ne jeten publike, ne krijimin e nji atmosphere qe sherben shoqenine shqiptare tejet te traumatizueme, dhe  perfundimisht ne nevojen absolute te bashkepunimit me “opoziten” fanatikisht intransigjente, me evitue nji ndamje akoma ma te thelle se ajo qe sot na konsumon!

Sot, PS perballet me nji Kuvend ku afer nji e treta jane miljonere me vule dhe krenare per miljonat e grumulluem, qe shumica kane trashegue nga ish elita komuniste e para viteve ’90, ose te afermit me mbizotenuesit e poleve te pushtetit (siç shkruente nji ambasador amerikan) dhe sot, si deputete, gezojne imunitet simbas ligjit. Nji seri skandalesh mbrenda elites krijon friken e pasigurise ne psikologjine tone kolektive. PS ashte sot nji organizate politike e “privatizueme”!

Kontrasti ne mes te vorfenve –ma te vorfenit ne Europe!- dhe multi-milionereve numri i te cileve rritet çdo dite pa pengese nga ligji, ka hape edhe ma shume hendekun e dallimeve ekonomike, dhe si rrjedhim ka krijue nji mase te gjane qytetaresh qe, bashke me mungesen e bukes se sotme po humbe edhe shpresat per te nesermen. Shoqenia shqiptare, sot e smure, rrezikon te jete e pasherueshme neser: ne vorfeni te pashprese, “sans-culotte”, ajo ashte material eksploziv per shperthim te pakontrollueshem!

Duhet shkaterrue oligarkia kleptokratike, dhe sa ma shpejt aq ma mire!

Kudo, mbrenda dhe jashte vendit ndigjohen thirrjet per reforma, shtet ligjor, lufte kunder krimit te organizuem e korrupsionit endemik te administrates shtetnore. Kudo deshirohet nji evolucion demokratik i Shtetit dhe shoqenise shqiptare, dhe nji ngritje e shoqenise civile demokratike ne Shqiperi. Si socialist europian, shpetoni vizionin tuej per nji Shqiperi ma te mire, ma njerezore. Kujtoni Naimin: ”Faltore kemi njerine!”. Njeriu ne qender te vemendjes sone, njeriu i lire shqiptar me dinjitet! Pa dallim, pa perjashtim! Shqiptaret qe tremben nga frika e gjendjes fluide ne vend, ata qe vuejne nga papunesia dhe vorfenia e paevitueshme, e kerkojne kete me kambengulje. Mos i shgenjeni ata dhe ato! Ofroni “doren” e shtetit qe ndihmon, jo “grushtin” e shtetareve  qe grumullojne pasuni prrallore e te paligjeshme!

Dekada me rradhe, mosbarazia e te ardhunave per banoret e vendit dhe konteksti i krizes ekonomike europiane, qe randon nga deficiti i frikeshem dhe keq administrimi i tij, kane çthure pelhuren sociale te vendit, dhe kane dobesue besimin e popullsise ne nji te ardhme ma te mire. Tatepjeta vazhdon; por ajo nuk duhet te jete e ardhmja e atdheut tone. Sot, paga minimale e shqiptarit ashte 12 here ma e vogel se ajo europiane, ndersa 581.000 pensioniste te rregjistruem jetojne te uritun nga nji dite ne tjetren…! Na duhet sherbimi me ndergjegje! Arroganca e pushtetit dhe modelet autoritare sigurojne vetem disfata…edhe ne Shqiperine tone. Korrupsioni endemik dhe krimi i organizuem triumfojne aty ku ata perceptohen si “Shteti vete” e “percepsioni” ashte,  shpesh here, ma efektiv se “e verteta”.

*

Z.Kryeminister: dalja ne skene e elementit te ri, te edukuem ne Perendim, megjithese pa eksperience te mjaftueshme pune, perfshirja ne Qeveri e “verioreve” deri tani te paperfillun, theksi ne promovimin e grues shqiptare ne jeten publike, kujdesi per imazhin  e “Qeverise se re” mbrenda dhe jashte vendit,(masakra e 2 prillit 1991,viti i mbrapshte 1997, Gerdeci, vrasjet e e 21 Janarit, veteflijimi i ish te persekutuemeve…) theksi ne formacionin “skuader” dhe veprimtaria qeveritare si “skuader”, pa elemente “te pazevendsueshem” dhe pa “kaposhe” partishe nominale pergjithesisht pa peshe ne opinion publik, shqetesimi veçanerisht per dikasteret e shendetsise, arsimit dhe ushtrimit te drejtesise, theksi ne “profesionalizem” e jo ne “besnikeri” ndaj shefit, si dhe transparenca e premtueme, jane inkurajuese. Ka “profesioniste” Shqiperia. Kerkojini dhe do t’i gjeni. Mbrenda, dhe jashte shtetit!

Zhvillimet ne kete drejtim zakonisht gjenerojne aktivizimin e popullsise qe perkrahe ngjalljen e shpreses. Qytetaret e lire e te ndergjegjshem nuk presin “mrekulli nga qielli”. Ata duhet te bajne ate qe ban çdo qytetar i lire ne Boten e Lire, respekt per ligjin dhe shtetin ligjor, perkrahje çdo nisme qeveritare qe nderton dhe kundershtim atyne qe damtojne, perçajne ose shkaterrojne. Kjo don te thote angazhim ne jeten publike, paraqitje ideshe te reja, ndertim strukturash civile dhe zhvillim programesh qe vete qytetaret perpunojne. Fusha e punes per te gjithe duhet te mbetet e hapun per te gjithe. Shqiperia ashte atdheu i te gjitheve! Qeverite shkojne e vijne; ndertoni administraten e qendrueshme!

Sot, te flasesh per nji “popull te djathte” dhe nji “popull te majte” ashte nji perpjekje koshiente me forcue ndamjet qe ekzistojne, dhe duhen braktise. Ka vetem nji popull : populli shqiptar me ideologji konkurruese!  Une ushqej shpresen –tue imitue Rev.M.L.King, Jr.- se nji dite shqiptaret nuk do te gjykohen nga ngjyra e tyne politike por nga profesionalizmi dhe fortesia e karakterit tyne.

Shqiperia sot nuk ka anmiq qe e kercenojne; NATO na mbron, persa kohe qe respektojme parimet e kesaj organizate mbrojtje! Shqiperia ka “kundershtare” qe mendojne ndryshe, nji e drejte e shenjtenueme ne Kushtetuten e Republikes se Shqiperise, nji e drejte e patjetersueshme. Me akuzue PD-ne konkurruese si “…parti fashiste, zogiste, islamike, serbe, hajdute, bajraktare, nacionaliste, kriminele “ e tjera babezira, me kercenue largimin nga puna te PD-isteve, ashtu si lexohet ne shtypin  shqiptar, jane çfaqje te nji urrejtje primitive,  kancer qe shkaterron te gjithe ata qe e ushqejne; nuk ndihmon mirekuptimin, frymen e bashkepunimit e respektin reciprok, cilesi thelbesore per nji shoqeni civile, dhe nuk len vend per nji dialog kuptimplote, sidomos ne keto dite kur ky dialog ashte i nji randesie jetesore.

Sot, vendi i jone ka nevoje per nji sinkronizim te mesazheve ne mes te dy paleve, mobilizimin e forcave shtetnore e private per punesim te plote ne rradhe te pare! Sot, populli shqiptar ashte ndergjegjsue per “lirine” e fitueme, e refuzon trajtimin si nji kope bagetishe qe kullote ne fusha, ose automat fabrike nen kamxhikun e policit, per nji cope buke, shpesh here e pamjaftueshme me qetesue stomakun e uritun te punetorit e te familjes tij. Koha e rreshtave te gjate per qumsht, dhe grushteve para dritares me hekura te furrave shtetnore ka kalue. Sot, siguria personale, prona private e ligjeshme, punesimi, arsimi, sherbimet shendetsore nuk jane privilegje; ata jane te drejta themelore per nji jete njerezore me dinjitet. Duhet ndertue nji shoqeni shqiptare bashkejetese harmonike dhe vlerash e parimesh  te gjithepranueme!

Nji lum gjaku, nji moçal  shnjerezimi, nji mal  vuejtjesh te pameritueme, e nji fryme e thelle hakmarrje akoma ndane atdheun tone, dhe gozhdon ne vend perparimin e frymen e qytetnueme te shoqenise shqiptare.

Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit per fajin dhe falja e fajit, duhet perqafue bashkepunimi per te miren e perbashket. E kunderta do te sjelle mallkimin e nji popullsie te pafajshme per ju, ….dhe per te gjithe ata qe sot heshtin!

Z. Kryeminister: mos harroni keshillat e gjyshes suej te mençur, ne Shkodren time te qytetnueme, qe i lutej Zotit çdo mbramje ne mshehtesi te imponueme nga frika qeveritare, si te krishtenet e katakombeve romake te Neronit:

” Ji gjithehere vetvetia, edhe sikur te gabojsh, edhe sikur te tjereve mos t’u pelqejne gjerat dhe fjalet tuaja!”

Ji besnik ndaj vetes! Te vjetrit tone, kete cilesi e quejshin “burreni”: kurajo civile e karakter, forca tradicionale e fisit tone arbenor…!

(Shkrimi u dergua nga autori per Diellin) 

———————————————————–

Ph.D. City University of New York(ret.)

ish i burgosun politik (1946-56)

(Shenim: Citatet jane nga libri Kurban)

==================================================================

 

Filed Under: Komente Tagged With: edi Rames, i shkruan, Sami repishti

FRONTI I BASHKIMIT KOMBËTAR I SHKRUAN KRYEMINISTRIT THACI

August 26, 2013 by dgreca

LETËR PUBLIKE*/

Kryesia Qendrore e Frontit Bashkimit Kombëtar Shqiptar ditë më parë analizoi gjendjen politike dhe jo vetëm politike në Kosovë. U konstatua se gjendja e përgjithshme politike dhe jo vetëm politike është e rëndë, këtë gjendje e rëndon akoma më shumë toleranca e pajustifikueshme e grupit negociator të Kosovës në krye me kryeministrin Thaçi, që po i bëhet Serbisë në emër të një stabiliteti dhe marrëdhënive të mira Kosovë-Serbi. Në këtë mbledhje u tha edhe kjo: Edhe çka tjetër duhet të ndodh, edhe sa e sa herë duhet të shikojmë dhe dëgjojmë nga kreu dhe politikëbërësit e Serbisë për të kuptuar qëndrimet dhe veprimet antishqiptare, kolonialiste dhe raciste serbe ndaj shqiptarëve apo më mirë të thuhet ndaj çdo gjëje që frymon shqip.

Zotëri kryeministër dhe ju anëtarët  tjerë të Grupit Negociator që jeni pjesë përbërëse e delegacionit të bisedimeve Kosovë- Serbi, sikur patët tërhequr vijën e kuqe!

E para: Për cilat çështje nuk mund të bisedohet me Serbinë, sepse janë të paprekshme dhe të panegociueshme si:

1.         Çështjet të cilat prekin Pavarësinë, Sovranitetin dhe Integritetin territorial të Repulikës së Kosovës.

2.         Patët deklaruar se marrëveshja eventuale e arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë janë të natyrës teknike dhe se qëllimi thelbësor ishte integrimi i pjesës veriore të vendit dhe qytetarët atje në jetën e përditshme dhe institucionale të Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit edhe në këtë pjesë të Kosovës.

E dyta:  Kursi politik i Republikës së Kosovës është orientimi drejt BE-së, NATO-s dhe anëtarësimi në OKB, pra orientimi Evropian-Pro Perëndimor.

1.         Marrëveshja e Stabilizim Asociimit

2.         Liberalizimi i vizave, anëtarsimi në BE, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallërave.

 

Pas shumë taktizimeve nga pala Serbe dhe ajo Shqiptare, me insisitimin e vazhdueshëm dhe presionin e BE-së, si dhe një varg shtetesh të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke përfshirë edhe  SHBA-të,  me dt. 19.04.2013 u arrijt marrëveshja e ashtuquajtur historike,

Marrëveshja  për Stabilizimin e marrëdhënjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Bukur shumë, në shikim të parë, diçka që nuk ka mund as të imagjinohet.

Kryesia e Përgjithshme e FBKSH-së, pasi ka bërë një analizë në mënyrë kronologjike dhe historike të veprimeve serbe ndaj popullit shqiptar dhe atë vetëm që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe këndej, përfundimisht jemi bindur se kurrë dhe asnjëherë dhe në asnjë rrethanë me serbët nuk është arritur dhe nuk do të arritht as tani marërveshje paqësore dhe e qëndrueshme e vlefshme për të dyja palët.

Gjithnjë shkaktare dhe fajtore e mos arritjes së marrëveshjeve ka qenë pala serbe dhe do të jetë edhe në të ardhmen për shumë arsye, po veçojmë vetëm disa  prej tyre.

1.         Nëse serbët nuk e realizojnë qëllimin e tyre ekspansionist dhe kolonialist ndaj trojeve shqiptare, pastaj me dhunë të kryej shpërnguljen e popullsisë nga trojet e tyre stërgjyshore dhe të kryen popullzimin me popullatë serbe të sjellur nga vise të ndryshme, siç ishte rasti herën e fundit në Kosovë kur i sollën serbët nga Republika e Kroacisë.

 

2.         Pala serbe gjithnjë dhe në mënyrë të vazhdueshme do ta pengojë rrugëtimin e Republikës së Kosovës si shtet me Pavarësi dhe Sovranitet të plotë si depërtimin dhe anëtarësimine e saj në BE, NATO dhe OKB, si dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar strategjik për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e statusit politik të Kosovës në organet relevante ndërkombëtare.

 

 

3.         Derisa Serbia vazhdon ta trajtojë Kosoven si tokë serbe, vazhdimisht në mënyrë të paskrupullt prononcohet, madje edhe para organeve të BE-së dhe OKB-së se  “Serbia kurrë nuk do ta njoh Pavarësinë e Kosovës”, madje Serbia edhe më tutje vazhdon që në Kushtetutën e saj Kosovën ta llogarisë si pjesë e Serbisë dhe e konsideron si “tokë e shenjt serbe”, kinse Kosova na qenka “zemra” e Serbisë, etj.”                                                                             Atëherë çfarë bëjmë ne shqiptarët!!!? Jemi të verbër apo të shurdhër dhe nuk duam të shohim as të dëgjojmë! Çka po ndodh me ne shqiptarët?

 

Problemi i serbëve të cilet jetojnë në pjesën veriore të Kosovës është problem i krijuar artifcialisht dhe jo i krijuar rastësisht, ndërsa ndërkombëtarizimi i këtij  problemi është pasojë e gabimeve politike të Qeverisë së Kosovës që nga paslufta e deri më sot.

 

 

4.         Serbia insiston që statusi i serbëve të Kosovës të ketë njohje ndërkombëtare dhe si të tillë të kenë të drejtë të kenë  qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës e kinse të jenë neutral edhe ndaj Serbisë!!! Edhe pse në këtë gjendje çfarë janë serbët si qytetarë të  Kosovës, në praktikën dhe diplomacinë ndërkombëtare paraqet presedan sui-generis.

 

FBKSH-ja si subjekt politik kombëtar i shtrirë në të gjitha trojet shqiptare nuk po e sheh të arsyeshme dhe assesi nuk po e kupton:

-Tundimin e Qeverisë dhe Istitucioneve relevante të Kosovës karshi çështjeve dhe kërkesave serbe. Këto janë obstruksione strategjike të njohura të Serbisë që i bën me qëllim që Kosoven të ndalet në rrugën e saj të shtet-ndërtimit, funksionimit dhe integrimit në mekanizmat dhe organet ndërkombëtare.

 

Do të ishte e pa drejtë dhe jo njerëzore që të mos e njohim dhe kuptojmë gjendjen dhe presionin e faktorit vendor dhe ndërkombetar ndaj Qeverisë Thaqi, e kuptojmë presionin e tmerrshëm që bëhet ndaj jush, vetëm një gjë po na shtyn që të mos jemi skajshmërisht ekstrem në qëndrimet tona e kjo është:

 

1.         Kufirin e jashtëm të Republikës së Kosovës nuk e ruan Ushtria jonë Shqiptare, pra nuk e ruajnë djemt dhe vashat shqiptare. Prandaj, ushtarët që e ruajnë sot kufirin e Republikës së Kosovës janë pjesëtarë të Forcës Ushtarake nga shteti i tyre i cili para 100 vitesh e ka miratuar copëtimin e trojeve shqiptare ose  ka qenë pjesëmarrës  në krijimin e shtetit serb!

Ne, Kryesia e Përgjithshme e FBKSH-së shumë do të donim t’i dinim përgjigjet e pyetjeve të cilat do t’ua bëjmë.

1.         A ekziston ndonjë arsye që Ju si kryeministër i Republikës së Kosovës, z.Thaqi, nuk mund ta ushtroni detyrën e krymenistrit ashtu si është paraparë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovë, apo ekziston arsye e fuqishme nga veprimet e juaja dhe kështu jeni detyruar ti nënshtroheni shantazhimit perfid diplomatik??

 

2.         Ju gjatë luftës kur ia kthyet pushkën shkjaut, sigurisht se nuk e keni ditur se sa do të zgjas lufta dhe se fitorja është shumë afër, pra keni vendosur të vdisni. Përse atëherë pra tani hezitoni të merrni hapa më vendimtarë dhe më konkret për tt ndërprerë këtë lojë të ndyrë serbe? Gjaku nuk mund të bëhet ujë dhe ju nuk duhet të lejoni që edhe më tutje t’i ricoptoni trojet shqiptare, nuk ju lejohet një gjë  e tillë. Kjo kishte me qenë edhe përgjigja e duhur që e prêt populli shqiptar nga ju z.Kryeministër.

 

Ne FBKSH-ja kërkojmë nga ju z.Kryeministër që nëse edhe më tutje pala serbe vazhdon me obstruksionet e saj, duke mos respektuar marrëveshjen e 19.04.2013 dhe vazhdimisht kërkesat serbe nuk kanë mbarim, duke sulmuar në themelet e Pavarësisë dhe Sovranitetit të Republikës së Kosovës, siç janë edhe këto të fundit.

a)         Heqja e logos së shtetit të Kosovës nga fletëvotimet dhe dokumentet tjera administrative dhe gjyqësore!!

b)         Krijimi i këshillit serb për komunat  serbe.

Shtrohet pyetja: Cili shtet po organizon zgjedhje më 3.11.2013, cilat kushte dhe ligje detyrimisht do duhej respektuar.

Nëse kjo lejohet, atëherë mos të mashtrohemi për shtrirje të sovranitetit edhe në atë pjesë të Kosovës, sepse serbët sigurisht zgjedhjet do t’i mbajnë me emblema dhe flamuj serb!!

Deri kur duhet Republika e Kosovës të vazhdojë ta mohojë vetveten dhe qenien e saj karshi lojërave të ulëta të politikës serbe? Prandaj, ne të FBKSH-së në emër të anëtarësisë së gjerë dhe simpatizantëve anë e kënd trojeve shqiptare, kërkojmë që nëse Serbia edhe  më tutje vazhdon avazin e vjetër, Ju z.Kryeminsitër të NDEËRPRENI BISEDIMET. Të jeni i sigurt se do ta keni përkrahjen e gjithë popullit.

Ne mendojmë se ndërprerja e negociatave me fajin e palës serbe, do të përkrahej nga të gjithë ata  që e duan pavarësinë e Kosovës, edhe pse ne e kemi thënë edhe më heret dhe vazhdojmë ta mbajm të njejtin mendim se pavarësia e Kosovës është një arritje e madhe e popullit shqiptar, të cilën e vlerësojmë si hap drejtë Ri-bashkimit kombëtar, si e vetmja alternativë dhe si zgjidhje e vetme e qëndrueshme në këtë Ballkan të trazuar.

Kryesia e Përgjithshme e FBKSH-së

Kryetari: Ibush Hetemi

FRONTI  BASHKIMIT  KOMBËTAR  SHQIPTAR KRYESIA E PËRGJITHSHME

Nr. 09/2013, dt. 25.08.2013

  • Letra u dergua ne Redaksine e Gazetes “Dielli”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ashim thacit, Fronti i bashkuar, i shkruan

ATË NIKOLLE MARKU I SHKRUAN EDI RAMES:JO BEKIM NGA JANULLATOSI!*

July 21, 2013 by dgreca

Kur e shpallët “Qytetar Nderi” për Kryqytetin, ju bëtë një gabim të pafalshëm, tani që do të bëheni kryeminsitër i vendit, keni rastin të korrigjoni veten!/

 Zgjedhjet parlamentare mbaruan. Ne do t’ju kemi juve Kryeminister te Shqiperise ne muajin Shtator, zoti Edi Rama. Ju uroj mbaresi dhe paqe ne punen tuaj, qe do te filloje se shpejti.Fushata juaj e fundit ne Shkoder,  duke permendur shume nga njerezit historike te rilindjes, me lindi nje deshire per t’ju shkruar ne shtyp. Besoj se cdo kush ne kete komb qe quhet kombi Shqiptar, do te bindej per papajtushmerine e kontributit te rilindasve ne dobi te kombit Shqiptar, krahasuar me misionin anti shqiptar te Anastas Janullatos.

Deshiren tuaj per t’i dhene titullin “qytetar nderi” i Kryeqytetit kur ishit kryebashkiak, po e anashkalojme si nje mungese informacioni ose si nje gabim politik, qe fare mire mund ta korigjoni ne te ardhmen. Qendrimet tuaja per disa ceshtje teper delikate, si ujrat detare etj, te lene te kuptosh se, ju po beheni koherent me ate cka ndodh nen rrogoz ne dem te Shqiperise. Une besoj se ju, nuk do te perserisni gabimin historik ndaj Janollatosit, duke i afruar nje agjenti te asfalise Greke dhe nazisteve Greke, respekt si Kryeminister i Shqiperise.

E ndjej si detyre ndaj kauzes te Ortodoksise Pavarur, por dhe si njeri i thjeshte, te mbroj kombin Shqiptar nga cdo sulm apo deshire, per te zhdukur dhe tjetersuar historine e vertet. Pikerishte, per kete arsye madhore, po ju kujtoj dhe njehere se cfar demi po ndodh ndaj kombit Shqiptar nga Anastas Janullatos, ky gozhde Nastradini, me nje mision kunder jugut te Shqiperise dhe ne teresi ndaj kombit Shqiptar.

Zoti Rama. Ju e dini shume mire se Shqiperia nuk ka vetem rilindas nder shekuj por, ka dhe martire qe per ceshtje jetike te atdheut dhe kombit jane sakrifikuar me jeten e tyre, kisha ortodokse Shqiptare ka nje statistike te gjate martiresh. Si mund te lutem perpara altarit te kishes per  Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin etj, kur ne krye te kishes ortodokse Shqiptare qendron Anastas Janullatos, nipi i atyre qe gatuan helm dhe gjak kunder martireve ortodokse Shqiptare, martire qe endrra e tyre ishte, qe kisha te ishte e pavarur dhe te meshohej Shqip.

Ne fjalen tuaj ne Shkoder, Ju permendet priftin legjendar dom Simon Jubanin. Dikur ne fillimet e demokracise, ju keni patur mardhenie politike te nje niveli shume pozitiv me priftin Simon Jubani. Le t’i bejme nje pyetje vetes sone. Po te ishte gjalle dom Simon Jubani, cfare qendrimi do te mbante ndaj Janullatosit? Shume te burgosur politike qe kane jetuar me te ne burg, kane nje konsiderate te larte per te se  ky prift i pamposhtur ishte nje atdhetar i pakompromis.

Zoti Rama. Besoj se, kur behet fjale per varreza te ushtrise Greke (varreze memorial), nuk eshte problemi per te respektuar djem nenash qe kane humbur jeten per atdheun e tyre, por per interpretime te deshmoreve ne Vorio-epir. Nje politike e mirfillte me eshtra njerezish, nuk njihet ne historine e njerzimit, pervec  Janullatosit qe frymzon dhe mbeshtet plane fantazmash.  Ishte pikerisht Janullatos qe nuk organizoi asgje per  njeqind vjetorin e pavarsise sepse per te nuk ka Shqiperi te pavarur, por ka vetem Vorio-epir dhe Serbi. Besoj se ju e kuptoni se cfar kuptimi ka, kur kreu i kishes ortodokse Shqiptare meshon greqisht dhe aq me teper, ne institucione nderkombetare flet greqisht, nenkuptimi eshte i qarte.

Financimi dhe ndima qe jep per ndertim kishash, nje dite do ti paguajme shtrenjte sepse asgje ne kete bote nuk behet per hir te njeriut. Janullatos ka treguar se, pas financimeve vjen gjuha Greke me imponim, ndryshimi i emrit, ndryshimi i kombesise, percaktimi i teritorit aty ku nuk ka greke etnik, sic nuk jane etnik dhe greket ne disa fshatra te Shqiperise.

Zoti Rama. Anastas Janullatos asnjehere nuk ka ndihmuar kur ka ndodhur spastrime te refugjateve shqiptare nga Greqia. Ai kurre nuk bisedoi me kishen serbe,  qe ajo te heqe dore nga spastrimet etnike dhe konfliktet artificiale qe mbjell ne Mitrovice e gjetke. Ju kerkua nje meshe per viktimat e genocidit grek ndaj Shqiptareve etnike te Camerise, por Janullatos nuk e mbajti. Per cfar eshte ky njeri ne Shqiperi?  Per  te na ndihmuar? Veprimtaria e tije eshte tregues i qarte i misionit Vorio-epir.  Sigurisht qe e mbeshtet organizata agjenture  Omonia dhe politikani me “kulture” dhe i “edukuar” me thike pas shpine Vangjel Dule.

Zoti Rama. Jam koshient per pergjegjesine tuaj ndaj ketyre emrave, si dhe per ekuilibrat qe ti dikton koha, ekuilibra qe kerkojne  ti ruash dhe ti mbash per nje Ballkan ne paqe dhe harmoni. Anastas Janullatos ka pas vetes shtetin Grek, kaq te perkedhelur nga Anglo-sanksonet. Nje mushkonje ta piskoje ne Shqiperi Janullatosin dhe shteti Grek e kthen ne predhe kunder lirise e brockullave hipokrite, qe perdorin kunder vendit tone.

Zoti  Rama. Kur ju te votoheni ne parlamentin Shqiptar si Kryeminister i Shqiperise, injorojeni prezencen e Janullatosit si klerik i fese. Janullatos vetem njollos veprimtarite e shtetit dhe institucioneve shqiptare me prezencen e tije. Aty ku ndodhet ai, eshte prezente asfalia Greke dhe kriminelet e Vorio-epirit.

Mos pranoni bekim nga Anastas Janullatos, sepse do te njollosni amanetin e heronjve te kombit Shqiptar, por dhe do ti vini qeverise tuaj te ardhshme, nje dyshim negativ per orientimin e saje qeverises. Thjeshte zoti Rama, injorojeni Janullatosin si njeri qe misionit te tije anti shqiptar dhe aspak fetar, i ka dale boja perfundimisht.

Besoj se filozofia e juaj bazuar ne rilindas eshte nje trup i tere dhe jo nje fragment i shkeputur nga e vertete.

Po, ne jemi per fqinjesi te shkelqyer me popullin Grek, por pa mbeturina te shovinizmit te cmendur Vorio-epir dhe Janullatos

KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN

ATE NIKOLLA MARKU(Shkrimi u dergua tek Dielli prej Kishes Orthodokse Shen Maria-Elbasan)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ate Nikolle Marku, edi Rames, i shkruan

RESHAT KRIPA I DERGON LETER TE HAPUR ISH PRESIDENTIT TOPI

December 28, 2012 by dgreca

I nderuar zoti Topi,/

Shkak për këtë letër të hapur u bë një shkrim në  “Gazeta Shqiptare” Nr.5860 datë 22 dhjetor 2012, mbi fjalimin që keni mbajtur  në prezantimin e degës së partisë tuaj në Tiranë. Në editorialin “Pushteti të konsumon” të kësaj gazetë, lexoj lajmin “Në qeverinë e Berishës, sa më i korruptuar, aq më lart ngjitesh”. I shtyrë nga kureshtja hap faqen pesë ku është ky shkrim dhe lexoj titullin: “Topi: Berisha, stalinisti i fundit, duhet ta heqim” dhe, midis të tjerash, në një shkrim të shkurtër, lexoj: “në qeverisjen e sotme të Sali Berishës, sa më i korruptuar të jesh aq më shumë ngjit shkallët e karrierës në qeveri, në administratë, në sistemin e drejtësisë e në listat për deputet të partisë”.

Ditët e fundit politikanët tanë i kanë mbërthyer ethet e zgjedhjeve. Të gjithë, të majtë dhe të djathtë, nuk lenë më vrer pa derdhur mbi kundërshtarët e tyre politikë. Nëpër faqet e shtypit të përditshëm lexon lloj-lloj epitetesh që këta politikanë përdorin në shërbim të linjës që ata përfaqësojnë. Një gjë e tillë është e natyrshme në një situatë të tillë. Por çudia qëndron në atë që disa politikanë harrojnë nga kanë ardhur dhe akuzat e tyre, po t’i analizosh me gjakftohtësi, bien mbi vetë ata. Një gjë e tillë ndodhi edhe me fjalën tuaj. Le ta analizojmë.

Natyrisht, kur dëgjon një fjalim të tillë një lexues i zakonshëm thotë me veten e tij: Bobo, të mjerët ne, në çfarë bote jetojmë! Një nga këta lexues jam edhe unë. Edhe mua, për një çast, më duket sikur jetoj në një botë ku nuk të sheh syri veçse politikanë dallaveraxhinj dhe servilë, gjykatës dhe punonjës administrate të korruptuar deri në fyt dhe vetëm fare pak individë të ndershëm. Por kur kthjellohem, në mendje më lindin mendime të tjera të cilat nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. Ndaj do të doja t’ju pyesja :

-Kur është bërë e tillë qeveria e Berishës, pasi jeni larguar ju nga posti i Presidentit të Republikës apo ka qenë edhe më parë e tillë?

Në rast se do të ishte varianti i parë, do të kisha qenë dhe unë dakord me ju. Por një gjë e tillë më duket e pamundur pasi, si ka mundësi që një qeveri që ka qenë model, dhe kjo sipas vetë deklaratave tuaja të asaj periudhe, të korruptohet brenda një kohe kaq të shkurtër prej jo më shumë se gjashtë muajsh. Kështu që mbetet varianti i dytë kur kjo qeveri paska qenë përbërë nga element të korruptuar. Atëherë më lindin mendime të tjera dhe këto dua t’i shpreh.

Ju zoti Topi karrierën tuaj në Partinë Demokratike e nisët si shumë të tjerë, si një anëtar i zakonshëm i saj dhe me kohë filluat ngritjen tuaj në përgjegjësi të ndryshme si Ministër, Nënkryetar i partisë, Kryetar i grupit parlamentar për të përfunduar si President i Republikës. Si mundët t’i kalonit këto shkallë të karrierës tuaj? Mos vallë edhe ju paskeni qenë i korruptuar? Një gjë të tillë ju e pohoni vetë kur thoni se në qeverinë e Berishës rruga e vetme për t’u ngjitur ishte korrupsioni. Po zoti Oketa, mos vallë ishte i korruptuar kur arriti deri në postin e Zëvendëskryeministrir të Shqipërisë? Po zoti Biberaj që arriti deri Kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, mos ishte i tillë?  Mund të vazhdoja edhe më tej por besoj se mjafton vetëm me këto tre shembuj për sot.

Ajo që më tërheq më tepër vëmendjen në fjalën tuaj, të cituar më sipër, është fakti se edhe në sistemin e drejtësisë, gjithmonë sipas jush, duhet të jesh i korruptuar që të bësh karrierë. Por ju, mor zotni, keni qenë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ishit ju së bashku me Nënkryetarin tuaj që sot drejton Aleancën Kuq e Zi, që propozonit se kush do të emërohej në gjykatat e rretheve, ato të Apelit apo Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në këto gjykata edhe sot e kësaj dite janë pothuajse po ata gjyqtarë që i keni emëruar juve. Si e lejuat ju, drejtuesi kryesor i tyre që  në krye të gjykatave të të gjitha shkallëve të ishin njerëz të korruptuar?  Një logjikë e tillë të shpie në atë që edhe ju paskeni qenë të korruptuar.

Në partinë tuaj, kam marrë vesh se janë edhe disa ish-të përndjekur politikë. Unë nuk i përkas atyre njerëzve që vjellin vrerë karshi të tjerëve që, ndonse janë të shtresës së tyre, kanë mendime të ndryshme me ta. Unë nuk mund të them se ata nuk janë të përndjekur pasi kjo do të ishte e barabartë sikur të thoja edhe për veten time. Por di, gjithashtu, se në gjirin e të përndjekurve politikë ka patur edhe nga ata që  bënin “Hosana Baraba”, siç shkruante Noli i madh. E pra disa nga këta tipa  mundën të mbaronin shkollat e larta dhe, madje, të shkonin edhe për specializim në Romë apo vende të tjera në një kohë kur ati i tyre kishte qenë i dënuar politikë. Përse kjo mundësi nuk ju dha fëmijve të mi, pikërisht vajzës time të vogël, nxënëse me rezultate të shkëlqyera që, kur u paraqit në konkursin për shkollën e baletit, nuk e fitoi vetëm e vetën pse ishte bija e një të dënuari politik? A mund të ma jepni përgjigjen e kësaj pyetje?

Për të thënë të vërtetën kam patur gjithmonë besim te personaliteti juaj. Për këtë mund të bindeni nëse do të lexoni shkrimin tim të datës 18 korrik 2007, botuar në gazetën “Tema” Nr. 2134 me titull “Besoj te Bamiri”. Po ju citoj vetëm një frazë nga ky shkrim:

“Bamir Topi ka krijuar një ndjenjë besimi dhe respekti me veprimtarinë e tij politike të deritanishme. Kam besimin gjithashtu se ai do të dijë të manovrojë me zgjuarsi në marrëdhëniet  midis  dy  krahëve  të  politikës, duke u bërë një gjykatës i denjë në raportet ndërmjet tyre”.

Por, nuk ndodhi kështu. Veprimtaria juaj si President i Republikës nuk e justifikoi besimin tim. Kjo u duk që kur nuk pranuat të nënshkruani ligjin e lustracionit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ligj i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga gjykatës të cilët ndëshkoheshin pikërisht nga ky ligj. Në rast se e shihni të arsyeshme lexoni shkrimin tjetër timin me titull “Jemi edhe ne, i nderuar zoti President”, botuar në gazetat “Metropol” Nr. 2224 dhe “55” Nr. 330 (4395) datë 30 nëntor 2010, për të cilin ju as që denjuat të përgjigjeshit. Më lejoni të citoj disa fragmente nga ky shkrim:

Vitin e kaluar ish kryetari ynë pati një takim me ju, ku ju kërkoi që në listën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë të përfshiheshin edhe propozimet tona. Ne atëherë ju propozuam pesë kandidatura, të gjitha të goditura dhe sipas kritereve të caktuara. Keni bërë shumë propozime, por  kandidaturat tona nuk paskan patur vend. Në të kundërt, kandidatura të tilla si ajo e Vangjel Kostës, që në ndërgjegjen e tij mban dënimin politik të Agron Ficos, Adnan Ballës dhe Kastriot Marës apo të tjerëve që Kuvendi i Shqipërisë i hodhi poshtë, dërgoheshin nga ana juaj për emërim.                 

Ne jua themi hapur, i nderuar zoti President, nuk kemi qenë dakord me ju edhe kur dekoronit ata që na vranë dhe na masakruan. Më lejoni të përmend këtu prokurorin Skënder Breca (paçka se më vonë e anulluat atë vendim) apo gjykatësit Njazi Jaho dhe Fatmira Laskaj.  Nuk kemi qenë dakord edhe kur dekoratën e akorduar martirit Havzi Nela, me rekomandimin e cilit të ashtuquajtur të përndjekur politikë,  ia dorëzuat ish gruas së tij, që ligjërisht e kishte ndarë disa vjet më  parë  se  ai  të ekzekutohej, duke lënë në hije vëllezërit  që kishin sakrifikuar.

Para disa muajve lexuam në median elektronike një njoftim se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Lidhur me sa më lart është ngritur komisioni i hetimit të krimeve të komunizmit. Ne mendojmë se duhet ta ndihmojmë këtë komision me të gjitha mundësitë tona.  Por ndihma nuk mund të bëhet kur në organet e drejtësisë vazhdojnë të qëndrojnë ende ish persekutorët tanë. Mos harroni!                                          Dua t’ju pyes, i nderuar zotni, si nuk ju drodh dora kur nënshkruat dekorimin e kriminelëve që kishin çuar në ekzekutimin e martirëve të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho  apo Qafës së Barit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, njëlloj si paraardhësi juaj me dekorimin e vrasësit të poetit Havzi Nela? Si nuk pyetët, të paktën, ndonjerën nga shoqatat e të përndjekurve politik më parë? Ju thoni se i përkisni shtresës së të përndjekurve politikë. Atëherë si i kryet këto veprime? Edhe për këto, po patët kurajo duhet të përgjigjeni.                                                                                                             Këto mendime më lindën kur lexova fjalët tuaja në shkrimin e botuar në “Gazeta Shqiptare”. Ndaj dua t’ju bëj edhe disa pyetje të  tjera:

-Përse  u larguat nga partia që ju ngriti në majat më të larta të hirarkisë shtetërore dhe partiake? Mos vallë do të kishte qenë më e arsyeshme, më dinjitoze dhe më e ndershme të kishit qëndruar në gjirin e saj dhe atje ta zhvillonit luftën për demokratizimin e mëtejshëm të kësaj partie? A e dini se jeni i vetmi ish-President Republike që themeloni një parti tjetër politike, rivale të partisë së cilës i përkisnit deri atëherë, qysh disa muaj më parë se të mbaronit mandatin e presidentit?

Përgjigjen këtyre pyetjeve, po mundët, jepjani juve.

 

Me sinqeritet

 

Reshat   Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste

të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: i shkruan, presidentit, reshat kripa, Topi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT