• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PORTRETI I ISMAIL QEMALIT NË KËNGËT E POPULLIT

November 13, 2016 by dgreca

Me rastin e 104 vjetorit te Pavaresise/
 2-ismail-qemali-315x200-300x190
Nga   IDAJET JAHAJ/
 Populli ynë nuk u këndon politikanëve, veçse në rastin e Ismail Qemalit, të cilin, në vargjet e tij, e cilëson si “politikan- diplomat të artë”. Ismail Qemali ishte një personalitet, dhuntia e të cilit bashkoi shpirtrat e patriotëve shqiptarë rreth çështjes së madhe të Flamurit. Xhevairet e tij populli nuk ua fal, veçse heronjve të sprovuar, që kanë shkrirë jetën e tyre me atë të përgjithshmen – kombëtaren. Ai u ka kënduar trimave, kapedanëve, luftëtarëve dhe udhëheqësve të shquar për liri e pavarësi, punëtorëve të pushkës e të penës, që ndritin një fytyrë – atë të Shqipërisë. Midis tyre figura e Ismail Qemalit zë një vend të veçantë nderi.
Për kryeveprën e tij të flamurit ai bëri një odise të gjatë, një heroizëm të pashoq, përpjekje e sakrificë plot mundime shumëvjeçare, duke i rënë kryq e tërthor kontinentit … derisa e realizoi veprën e shkëlqyer të 1912-ës. “Ta dini ç’kam hequr” – u thoshte ai bashkatdhetarëve atëherë, dhe në këto pak fjalë drithëron heroizmi i tij i pashembullt.
Populli ynë e ka ndjekur hap pas hapi në vargje lëvizjet e liderit, nga çasti kur ai u shkëput nga perandoria osmane, më 1900. Si një kronikë besnike, muza popullore i regjistroi këto lëvizje që nga “pëllëmba që i dha Sulltani”, … ikjen e tij nga deti me gjemi, vajtjen në Francë “te krajlitë e Parisit”, e kudo nëpër Evropë. Vetë ky regjistrim veprimesh është njëherazi edhe shenjë e nderimit të madh për veprën e patriotit të shquar.
 
Mora lajmin këto ditë, o shokë, se ç’paska ngjarë,
Thonë se vdiq një profit, i thoshin Smail Qemalë;
Gjezdisi Evropën gjithë, erdhi e vdiq në Italjë!…
 
Shumë herët ka folur Ismail Qemali për përparimin e Shqipërisë, por 12 vjetët e tij – një dekadë e ca – në fillim të shekullit të 20-të, qenë kërkimet e pareshtura, përpjekjet e mundimshme të tij derisa realizoi DITËN E MADHE TË PAVARËSISË. Populli i Vlorës do ta priste me festë më 1908:
 
Dilni, o vlonjatë të tërë
Buzë molit sërë-sërë,
Me anije vjen lezeti,
Ismail Qemal rrëmeti...
 
Ai kishte bredhur shtetet, kancelaritë. Dhe kudo që shkoi “diplomati kryelartë / mban në dorë vulën e artë!/. Akti i 1912-ës ishte shpërthim i njëhershëm i shpirtit të gjithë rilindësve bashkë. Ato gryka e gjuhë të zjarrit kombëtar (të kombit më të vjetër të Evropës) do të shfrenin idealin, qëllimin, zemrën e furinë në duart e bashkuara rreth shtizës së flamurit me palët kuq e zi. Në këtë shtizë do të ndriçonte mbi të gjitha, dora e bardhë e plakut të ndritur – autorit kryesor të veprës.
 
Ç’po fryn era e flamurit,
Sytë e pushkëve gëzojnë…
 
Vetëm një shpirt i tillë, mahnitës, mund të thurë vargje të tillë. 
Ndërsa Ismail Qemali do të afrohej nga Durrësi, nëpër Myzeqenë plot baltra e ujëra, këtu në Vlorë:
 
Zu flamuri të llamisë,
Marigoja të qëndisë,
Për ditën e perëndisë…
…Të qëndisë Marigoja,
Me ato llërët e njoma
Flamurin që vishej Vlora,
Hapej e ngrihej shqiponja…
 
Marigoja ishte njeri, i përveçëm, grua, por duart e saj, zemra e saj, hovi i saj, ishin flatrat e shpirtit të një populli, të një kombi, prej shekujsh të shtypur e të etur për liri. Marigoja u bë kështu simotra e Donikës së Kaninës, sikur ajo (Donika) ta sillte prej Krujës flamurin e të shoqit .. këtu te qyteti ku ishte dhëndërr… Ismaili “mblodhi çikat një nga një / dhe tha: shqipja u bë/”. Festa s’kish të krahasuar. Ndodhi vetëm në nëntorin e parë të vitit 1444, në Krujën e legjendarit Skenderbe. Dhe tani në Vlorë:
 
Gëzojnë fusha dhe male,
Ngritën muzikën e madhe;
…Gëzon Shqipëri e shkretë,
Që doli në këtë jetë,
Nëntëqind e dymbëdhjetë
Hodhi rrënjë e mbiu fletë…
 
Dhe ishte një ciceron i vargjeve dhe i bukurisë së këngës labe, nga Vlora – himarjoti Neço Muka, ai që thuri vjershën e famshme të asaj dite, një nënhymn të flamurit:
 
Më 28 nëntor në këmbë u ngrit Shqipëria,
Smail Qemali në Vlorë bashkë me shokët e tija,
I tha popullit me gojë “Poshtë, o shokë, robëria!”
Evropa le ta dëgjojë, nuk ka vend këtu Turqia!
 
Dhe muza popullore konkludoi për flamurtarin:
 
Ti na nxorre sipër varrit,
Na prure nderin e ballit!
 
Qindra e mijëra vargje dhe këngë përbëjnë opusin madhështor të mirënjohjes dhe nderimit të masave të popullit për Burrin e Flamurit. Lumi i ndritshëm i tyre nuk pati ‘më të përmbajtur e të ndaluar.
I gdhendi ATIJ  portretin. Aq bukur, aq prekës, aq piktorik, sa rrallëkujt në histori:
 
Ismail, o yll lirie,
Vlorë sokakut kur vije,
Burrë i madh që bëje hije!
 
Metaforat, krahasimet, hiperbolat, sidomos epitetet, populli nuk i kurseu e për këtë nuk ka frikë se gabon: “Smail beu farfuri / Atdhetar gjer në thua / Qemali ynë i florinjtë / O zog i shkruar me pëndë / Diplomati gojëartë/…” 
Herë e krahason me qenien e butë e të brishtë: zanë e perrí (si s’e pandehu njeri / të vdiste ai perri/), e herë me tonalitetet e forta e madhështore: dragua, asllan… (asllani ndërroi jetë). Dhe vazhdojnë: “plaku i bardhë, dorëbardhë, mjekër e flokëbardhë (është çudi emocioni që shkakton simbolika e bardhësisë te ky njeri!), ballëkurorë / Kishte lerë me këmishë / për fatin e Shqipërisë / … sorkadh mali, diell e hënë, etj.
Populli, nga natyra opozitare e tij, nuk i këndon qeverisë, por në rastin e Ismail Qemalit bën përjashtim:
Lumthi ne për qeverinë,
Smail benë, farfurinë,
Na gëzoi Shqipërinë,
Hapi shkollat dhe lirinë…
 
E në mes të morisë së vargjeve për portretin e tij, filozofi poet konkludon për udhëheqësin: 
 
Bëre shumë për mëmëdhenë,
Sikur shumë si Ty të qenë,
Të qenë shumë si Tyja,
Do qe bërë Shqipëria
Faqedritë e syshkëndija,
Ta kish zili gjitonia…
 
Prapë rapsodi mediton, pas afro një shekulli, për esencën e portretit të tij burri:
 
Kush është Smail Qemali?
-Gur i rëndë, gur tabani,
Gur me zemër, brumë stërralli,
Gur mermer nga më i bardhi…
 
Eposi lirik popullor e ngriti figurën e tij edhe në simbolikën hyjnore:
 
Ky plaku Smail Qemalë,
Vlorës seç i dha mejdanë,
E bë Mekë për t’u falë!
 
Në vargje atij i ka thurur tyrben, varrin, lulishten ma avlli, ushtarin që i bën roje, ritet dhe pelegrinazhin. Kolonat me njerëz i përkulen e i bëjnë “muzikë e violi…” Rrezja hyjnore e shpirtit të popullit e ledhaton atje te varri:
 
-Ç’u bë Ismail Qemali?
Qe një shenjt shqiptari,
Flamurin në Vlorë e vari…
 
Aq i madh është ndikimi i tij edhe në vargjet e mëvonshme të fatit të popullit shqiptar, saqë  vajtojca- nënë e thërret për hallet e vendit:
 
Ngreu, o ëngjëll, ngreu pak,
Se na vure në merak,
Pa mejtohemi çdo darkë:
Kush d’e ndezë këtë prak?…
 
“Praku” është Shqipëria, vendi, trojet etnike, prej nga ku pritet lumturia e siguria e shqiptarëve, jetesa si komb e popull. Edhe pasi Shqipëria u bë, ndonëse e cunguar në hartën e saj, përsëri nëna e thërret atë, – birin e saj të madh – I. Qemalin, të fluturojë mbi atdhe:
 
Ngreu, o ëngjëll, fluturo,
Shqipërinë e vizito,
Popullin na e beko,
Dhe të ligat i largo!…
 
Një mision të tillë “mbinjeriu” mund ta kishte vetëm një hero si I. Qemali. Edhe këtu epitetet hyjnore nuk reshtin: “plaku i uruar / cefël / shenjt / … i bekuar…” Adhurimi arrin përmasa përlotuese:
 
 
Të falem, Baba Qemali,
Siç i falet babës djali,
Pranomë të vij te balli,
Të të sjell ca lule malli.
 
Të gjithë malet i brodha,
Shqipërisë lulet ja zgjodha,
Ti i njihje lulet tona,
Nga ngjyra dhe nga aroma…
 
Dhe vajtojca e popullit e ledhaton edhe të vdekur heroin:
 
O lezet mbi lezete,
Po qysh re në gjumë e fjete?
Kaptove gjith’ ato dete,
Për Shqipërinë u trete…
 
E kështu, vajtimi arrin përmasa biblike, homerike, këtë herë nga Çamëria:
 
Klajnë burra, klajnë gra,
Si fëmija për baba;
Klajn’ dhe malet me dëborë
Atë zemër, atë dorë,
I vu Shqipërisë kurorë…
 
Shpirti i tij për hallet e vendit endet:
 
Në Kaninë ma bëri varrë,
Sazanin ta kem karshi;
Një dritare të ma lini
Që të shoh për Shqipëri…
 
Siç ka thënë një studiues i shquar europian : “Nëqoftëse në Vlorë nuk do të ishte ngritur flamuri i Pavarësisë nga Ismail Qemali më 1912, sot bota do të kishte humbur edhe shenjëzën e fundit të gjallë të pellazgjisë – Shqipërinë”. Prandaj vepra e Ismail Qemalit është e shumfishtë madhështore. Populli e shpreh edhe më thellë mirënjohjen ndaj kësaj vepre. Figurën e ndritur të prijësit ai e zbret edhe atje – në qiellin e kaltër intim të shpirtit të nënave – tek ninullat e djepit, ku përkunden brezat e brishtë shqiptarë. Nëna i këndon foshnjës:
 
Fli, o djalë, o krah ylberi,
Të më bëhesh si Skënderi!
O djalë, të keqen nëna,
U bëfsh Ismail nga mëndja!
M’u rritsh si drita e syrit,
Si llaf’ i baba Smailit!
 
Veprën e tij Ismail Qemali e bëri në qytetin e tij – Vlorë. Aty ku kishte lindur, ku të parët e tij ndriçonin nga shqiptarizmi i kulluar. Aty e rrethuan të gjitha viset shqiptare, por veçanërisht vlonjatët, ku fytyrën ia përndriti “ai zjarri i shenjtë e i kulluar i patriotizmit të rrallë”. Ky zjarr ia lehtësoi atij vuajtjet dhe veprën. Prandaj rapsodi- poet i rezervon në vargje një vend e konsideratë diçka të veçantë kësaj Vlore, që e ngriti në krah prijësin e vet nga Skela te Shtiza e Flamurit dhe u rreshtua fitimtare në çdo betejë që urdhëroi AI.
 
Pa shihni se ç’bëri Vlora?
Mban mbi krye shtatë kurora!
Moj Vlorë e bukur në gropë,
Pasqyra në gjithë botë!…
 
Dikur Pirroja i madh u tha ushtarëve të tij: “Unë jam shqiponja, por edhe ju – krahët e mij!”. Po ashtu zhgaba -Ismail Qemal- u rrethua në çdo hap nga patriotët shqiptarë të çdo krahine, ku çdo derë në Vlorë u hap kanatash për burrin e flamurit, për shërbimet dhe porositë e tij ndaj kësaj çështjeje. Ishte ajo frymë e liderit kombëtar që frymëzuan edhe epopetë e tjera shpëtimtare të atdheut, po këtu, në Vlorë. E prandaj është emociononte e kurdoherë prekëse thënia e një kosovari të urtë se:“Çdo shqiptar ka dy zemra në gjoksin e tij: “Në njërën -zemrën e tij, e në tjetrën-VLOREN”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jaho, Ismail Qemalit, portret

PAK KRONIKE NGA GODITJET E SHOVENEVE GREKE NDAJ SHQIPERISE SE JUGUT

July 17, 2016 by dgreca

Nga  IDAJET  JAHAJ/
 Deri në fillimin e shekullit  XX , me gjitonin e Jugut-grekët, populli shqiptar ka patur fqinjësi të mirë. Kjo fqinjësi  ka qenë shekullore, pa acarime midis tyre.
Por pas vitit 1820, krahas revolucionit çlirimtar grek, të cilin e udhëhoqën shqiptarët (arvanitasit), në Greqi  lindën idetë shoviniste, dmth. etja për ekspansion ndaj Shqipërisë. Agjenturat e mekanizmat e shtetit të ri grek i vranë një nga një të gjithë udhëheqësit arvanitas të atij revolucioni. Përdorën edhe mashtrimin, duke u ngritur buste pas vdekjes, gjoja nga shteti i tyre. Këtë vepër kriminale e frymëzonte kryesia e fesë – Patrikana greke.Ajo e formulonte këtë vijë, e projektonte, e organizonte dhe e financonte.
  Ndeshje të misionarëve fetarë grekë  ishin bërë edhe më parë, kundër misionarëve fetarë te Papatit të Romës, të cilët mësimet e tyre në Bregdetin himariot i zhvillonin në gjuhën shqipe.
Kjo vijë e Fanarit , që u kristalizua në shtetin  grek, për aneksimin e tokave shqiptare, u shndrrua në një program të detajuar në vitin 1844 dhe u quajt “Megali-idhea”. Dmth. Ideja e madhe për pushtimin e tokave shqiptare, duke vrarë e tjetërsuar popullin shqiptar. Misionarët shovenë të Fanarit bashkëpunuan me Kishën Ortodokse serbe, për këtë qëllim kriminal ndaj popullit të vogël shqiptar.
  Nga serbët ky program u quajt “Naçertania”. Që nga ai vit ogurzi e deri më sot, me ndërprerje të pakta, të dy palët e shovenëve kanë bërë goditje të vazhdueshme kundër popullit e vendit tonë paqësor. Kanë bërë sulme të përgjakëshmë, vrasje, therje, genocide në masë  ndaj shqiptarëve, në dy skajet e vendit tonë : në  Veri e në Jug.
  Në vitin 1854 detashmentet e palikarëve grekë  bënë bastisje të papara  në Kallabakë e Mecovë, duke shpërngulur popullsinë shqiptare që andej. Luftëtarët shqiptarë i zmbrapsën disa herë invadorët.
Fillimisht barbarët grekë përzunë nga vendi çamët në afërsi të Artës.Gjenerali  Griva, bashkë me të birin,Teodorin, bënë masakra të mëdha në fshatrat e qytetet shqiptare.
Që në ato vite Fanari futi  reaksionin etnik në Himarë, duke paguar të shiturit e duke terrorizuar shqiptarët e vendosur. Në vitin 1871 Greqia e mori krejt Artën, duke përndjekur banorët autoktonë-shqiptarët. Në vitin 1878 ata sulmuan Lëkurësin, afër Sarandës, por ndeshën në zjarrin e fuqishëm të forcave shqiptare, dhe, pasi  lanë qindra të vrarë, u larguan e u futën në vrimët e Athinës.
Në vitin 1879, krerët shqiptarë të Jugut tonë, me në krye Abdyl  Frashërin, Mustafa Vlorën e udhëheqës të tjerë çamë, bënë Kuvendin e Prevezës për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga gllabërimi grek. U dërguan letra  Fuqive të Mëdha, por ato ndikoheshin më shumë nga lobet greke, të cilët kishin ethe  të sëmurësh për pushtimin e tokave shqiptare.
Në vitin 1881 Kongresi i Berlinit ia kaloi grekëve edhe Prevezën !  Shovenët vranë klerikët tanë patriotë si :Papa kristo negovanin, Petro Nini luarasin, Pandeli  Sotirin, At Mellanin, etj. Në vitin 1911 banda të shumta grekësh sulmuan  Jugun tonë në pika të ndryshme. Në vitin 1912 rrethuan Janinën.Dërguan forca e topa për të goditur Vlorën, që të mos ngrihej flamuri shqiptar aty. Flamuri u ngrit e Ismail Qemali urdhëroi  forcat shqiptare të shkonin në mbrojtje të Janinës.  Luftëtarët tanë luftuan me heroizëm për mbrojtjen e qytetit të madh jugor, por forcat ushtarake greke ishin më të shumta, të armatosura  e të stërvitura mirë.
Nuk ndihmuan gjithashtu edhe ish oficerët e perandorisë së kalbur turke,të cilë komandonin deri atëhere qytetin. Kështu  Janina ra në duart e pushtuesit grek.  Pas kësaj,  Kongresi I Londrës mori vendimin kriminal , duke u dhënë Çamërinë grekëve e Kosovën serbëve. Ky ishte nga krimet më të përbindëshme të shekullit.
 Renegati Spiro Milo  doli me forca greke e mercenarë vendas në Himarë, ku  terrorizoi popullsinë . Por ai u përzu me turp  nga forcat e mbrojtjes sonë , nga luftëtarët e Bregut e të Dukatit.
Po atë vit (1914) grekët sulmuan Kurveleshin e Poshtëm. Dogjën Kallaratin e Bolenën. Të tjera forca të tyre mësynë në Kurveleshin e Sipërm, duke vrarë mbi  800 vetë ! Dogjën e masakruan, vodhën e bënë genocide ndaj popullsisë së  pafajshme. Banorët  e Kurveleshit  u shpërngulën në Lumin e Vlorës e në kodrat e qytetit të Vlorës. Edit Durham, humanistja e shqiptaro-filja e madhe angleze, shkruan:  “Evropa u tmerrua nga krimet e grekërve në popullsinë e pafajshme shqiptare të Kurveleshit. Ajo duhet ta ndalojë këtë valë gjakatare të shtetit grek !”
 Ndërsa folklori pasqyroi :
Qaj moj Shqiperi, ulër moj e gjorë,
Gratë e Kurveleshit me foshnja në dorë,
Kapëtuan malet e zbritën në Vlorë,
 I përzuri greku me kryqe në dorë…
Në vitet 1920-23 valë të tjera çamësh Greqia i dëboi në Turqi e Shqipëri, me pretekstin se ishin myslimanë ! Numri  i të dëbuarve i kapërcente të 70 000 vetët.
Në vitet  30-të të shek. XX  Patrikana  bëri përpjkeje të ethshme për hapjen e shkollave greke në zonën e Himarës , por ajo ndeshi në murin e fortë të qëndresës së atdhetarëve himariotë. Një folklor i tërë e dëshmon këtë tërheqje me turp të misionarëve fetarë të Greqisë nga Bregdeti.
Në vitet 40-të, valë të tjera çamësh i internuan në ishujt e Kretës e detit Egje.
Me fillimin e luftës çlirimtare kundër italianëve, çamët krijuan batalione me luftëtarë antifashistë, deri në 700 vetë, por grekët i penguan ata, se kishin programin e goditjes së popullsisë çame e të pushtonin tokat e tyre.  Ushtria greke, me urdhër të shtetit të saj, mësyti në brendësi  të tokës sonë, gjoja se do ta çlironte atë nga pushtuesi  italian.Ushtri  greke  erdhi e paftuar nga shteti shqiptar, pra, erdhi si pushtuese, duke zëvendësuar një pushtues tjetër, për  të realizuar programin famëkeq te megali-idhesë së tyre.
Me fuqizimin e luftës  sonë  Nacionalçlirimtare, ata u tërhoqën në kufijt e 1913-ës. Por përdorën taktikën tjetër kriminale : akuzuan çamët si bashkëpunëtorë të fashizmit , pë të bërë masakra ndaj tyre.Për këtë qëllim vunë nën komandën e gjeneralit gjakatar Napoleon Zerva, dhjetra batalione kriminelësh të ushtrisë së tyre dhe bënë ndaj Çamërisë një genocid ta pashembullt:  vranë me mijëra shqiptarë, dogjën, plaçkitën, therën patriotë, eleminuan nëna shqiptare në masë ( si eleminim të burimit të rracës shqiptare) e sa e sa lloje të tjera krimesh masive.,po ashtu sikurse sadistët serbë në Kosovë, në fundin e shekullit të XX.
Dhe kështu, Çamërinë (myslimane) e dëbuan krejt prej vendit të tyre : mijëra vetë i përndoqën me plumb e zjarr për në Shqipëri, të tjerët- në Turqi- si…myslimanë ! Ky ka qenë një nga genocidet më fanmëkeqë në botë, posi ai  i serbëve që bënë ndaj kosovarëve në vitin 1999 .
Kështu  Greqia e realizoi një pjesë të programit të saj të Megliidhesë së së saj : shkëputi një pjesë të madhe të territoreve tona, gati një të pestën e tyre ! Hapa të tjerë do të ndërmerrte ajo për këtë synim gjakatar  ndaj vendit fqinj-Shqipërisë.
Pas çlirimit nga nazifashistët, pas luftës së II botërore, ajo i mprehu sërish dhëmbët për territore e sulme të tjerë ndaj vendit tonë. Kështu, tentoi në vitin 1949 e  1968, kur solli në kufirin tonë forca të shumta ushtarake.Por shteti  ynë I kohës, u tregoi vendin palikarëve të Megaliidhesë . I kundërshtoi me forcë, bile edhe me kërcënimin se, në se do të merrnin ndonjë hap sulmi, mjetet e forcat tona do të ndalonin në Athinë , në kryeqytetin e tyre megaliidheist ! Monarkofashistët grekë u trembën nga kjo vendosmëri e shtetit dhe e popullit tonë dhe e mbajtën vrapin në vrimat e tyre …
Nuk guxuan më të provokonin popullin e shtetin shqiptar të kohës,  deri në vititn 1991. Patrikana e tyre bënte letargjinë e gjarpërit. Priti vitin 1991, ku ra komunizmi këtu,  dhe menjëherë, bashkë me shtetin e saj, u hodh në sulm ndaj vendit tonë. Por këtë herë me një manovër “miqësore” : i vunë disa kushte shtetit tonë të sfilitur prej komunizmit. Njëri prej tyre ishte që shtetarët tanë të lejonin të vinte një kryepeshkop grek në krye të kishës sonë Ortodokse, që “të mëkëmbte “  kishat tona të rrënuara e të mohuara. Politikanët tanë trutharë e me ndërgjegje të gërryer  ndaj  detyrimeve për atdheun, që nga R. Alia e të tjerët pas tij, u ndodhën bosh, e lejuan këtë hap fatal të grekërve ndaj nesh. Dhe ata dërguan kryepeshkopin megaliidheist  Janullatos.
 Ai po bën 25 vjet që kryeson kishën tonë Ortodokse noliane. Së pari, grekët ndërtuan Kishën “Autoqefale” në Tiranë.  Ajo s’ do të ishte gjë tjetër,veçse nja seli e megalidhesë greke brenda vendit tonë. Ky ishte një sukses i madhiI grekërve. Tashmë ata programin e megaliidhesë do ta realizonin nga brenda Shqipërisë,  nëpërmjet  kishës  Autoqefale Shqiptare. Pra ,kjo kishë , realisht ishte dhe është Auitoqefale greke . Gjatë këtij çerek shekulli ajo ka bërë një serial të madh aktivitetesh në favor të Megalidhesë famëkeqe. Rehabilitoi   armikun e gjuhës shqipe- Kozmain e Etolisë; vendosi  në shumicën e kishave tona peshkopë grekë ose mercenarë shqiptarë (agjentë të tyre); ka bërë e po bën meshimet në gjuhën greke;  po ngre buste fallco te “martirëve”  fetarë grekë brenda territoreve tona të Jugut; ngriti varrezat  (fallco)të ushtarëve pushtues grekë ,në Kosinjë të Përmetit, …E sa e sa  veprimtari të tjera !
Kështu vazhdon hapja e shkollave grke në zona të ndryshme të Jugut  tonë, shkruhen parrulla greke në Jug  : “ Këtu është Greqi”, vendosën valët e radios në zonën e Himarës :”Mirësevini në tokën greke!”, ngrenë kishat e tyre edhe atje ku s’ ka asnjë ortodoks, etj, etj, etj. Dhe të gjitha këto- me lëvrimin e miliona e miliona lumenjve të eurove të Fanarit e të Lobeve të tyre…
Pra, ky është një invadim pushtimiiI tyre në tokat e popullin shqiptar, i vazhdës së tyre shekullore të gjakut , por këtë radhë më pararojën e tyre – Kalin e Trojës- Kishën Ortodokse, të cilën ata e uzurpuan dhe e  kthyen në greke. Në rrugë të tjera vazhdon depërtimi  I tyre, me korruptimin ekonomik të pushtetarëvë, të  shumë prej klerikëve tanë, të njerëzve të shitur, të njerëzve në nevojë, etj,etj.
Kjo tablo është shumë e gjerë dhe është trajtuar në kumtesat e tjera të këtij punimi. Shteti grek i ka hedhur mirë kthetrat shovene brenda vendit tonë!   Me pararojën e  vet- Fanarin,  ai po përparon dita-ditës në helenizimin ( në fakt-pushtimin  ) e Shqipërisë. Ata rrotullojnë  dhëmbët e qëllimet, mjetet e mënyrat për këtë helenizim.
Tragjedia e këtij kombi sot qëndron në atë që politikanët tanë po e lejojnë këtë pushtim , këtë tjetërsim të banoprëve të këtij vendi prej metastazave shovene të shtetit grek. Organizmat tona , mekanizmat e ndryshme të shtetit, Akademia e Shkencave, ministria e Arsimit,  SHIKU,etj. bëjnë rolin e shurdhit e të memecit ndaj ekspansionit “paqësor grek. Dhe peshkopët grekë deklarojnë me cinizëm : “Ne Shqipërinë e kemi  pjatën tonë!” Çiltërsi shovenësh grabitqarë !
Dhe ky ekspansion do të vazhdojë në vite e dekada, në shekuj e shekuj, sepse greku pret , me delirin e shovenit, qoftë edhe njëmijë vjet, veç që ta kthhejë këtë vend në Greqi, ashtu si  shpopulloi Çamërinë e viset e tjera jugore shqiptare, ku , në vend të banorëve autoktonë shqiptarë, kanë lulëzuar qytetet e fshatrat greke. Kështu, ëndërrohet prej tyre të bëhet  krejt hapësira e brendëshme  e shtetit shqiptar, deri…(mos qoftë thënë e bërë !)- në zhdukjen e shtetit shqiptar e zëvendësimin e tij me shtetin grek në trojet tona!
 Dhe brezat tanë të  ardhëshëm , qoftë edhe pas  dhjetra apo qindra vjetësh, do thonë pastaj : “Na ishte njëherë një Shqipëri ! Na ishte njëherë një Trojë shqiptare !”… shovene ne Jugun shqiptar, dy shekujt e fundit…Besoj do ta botoni.

Filed Under: Histori Tagged With: Idajet Jaho, masakrat greke, ne Shqiperine e Jugut

KISHA ORTODOKSE “ AUTOQEFALE “ NE TIRANE – PALLAT I MEGALIIDHESE GREKE

July 3, 2016 by dgreca

Opinioin Nga IDAJET JAHAJ/

Dhe përurimi i Kishës Ortodokse “Autoqefale” në Tiranë u bë. Në fillim të qershorit të këtij viti. Janullatosi  tundi sytë dhe fenerët ngjyrë hiri e vdekjeje…   Vërtet. “Autoqefalia” jonë aty vdiq.  Në fasadat e brendëshme e të jashtme  të kësaj ngrehine vigane  zbardhin kryqet dhe kallinjtë  grekë, aq herë të skuqur me gjakun e pafajshëm shqiptar , të derdhur nga shovenët në jugun tonë , sidomos këta dy shekujt e fundit.Kisha greke u ngrit mu aty , pranë Ministrisë sonë të Mbrojtjes, si për ironi e përqeshje…Kisha-vigane, në qiell, ministria jonë (e Mbrojtjes !)-e vogël , e vogël. Nën hijen e saj. Dhe, siç  duket, nga frika  prej saj (Kishës), ministria jonë iku prej andej…

A ka më poshtërim e nënshtrim të një kombi ? Që është edhe më i lashtë se fqinji i tij jugor, i cili kërkon ta gllabërojë?

Ta tresë, ta gëlltisë ? Së pari duke i shkërmoqur gjuhën!

Dhe kryepatriarku i saj (  kishës greke) buzëqesh. Me aq fuqi sa i ka mbetur për buzëqeshje. Në krah të tij, ditën e përurimit të Kishës “sonë Ortodokse”, ishte edhe kryepatriarku serb, Irinej- sivëllai shoven  i jugorit.  Ai përsëriti deklaratën e Beogradit se “ Kosova është  djep i Serbisë “ ! E, në krah të tyre-edhe ministri i Jashtëm grek – Nikos Kostas. Të tre-me një buzëqeshje triovalëshe  në buzë e fytyrë. Me qeshje e përqeshje ! Përpara, në sfondin e ëndës së kaltër të tyre- u davaritej Naçertania e Megali-idhea e famshme, e skuqur aq shumë ,që prej  më se 200 vjetësh, me gjakun e shqiptarëve. U davaritej Shkumbini, si vijë ndarëse , “paqësore”, në mes.

Dhe  politikanët tanë i lëpijnë dorën J.llatosit. Ndërsa K/Ministri ynë paska thënë që “Le të thotë ç’ të dojë për Kosovën Irinej, populli  ynë do tallet me ‘të” ! Tolerancë evropiane është kjo ?  Ështe njëlloj sikur të lejosh  që afër gruas  të rrijë pushti e t’i  thuash kësaj (gruas) : ” Mos ki frikë!  Eshtë i urtë. S’ ngacmon !” (Më falni për krahasimin ).

Kisha greke aty, në zemër të Tiranës, si pykë e mulli bluarje.  Si tryelë që thërmon zemrën e kombit çdo ditë, javë e muaj…  Edhe meshat  J.llatosi i bën në greqisht, duke zbatuar amanetin e Sh.Kozmait të Etolisë se “gjuha shqipe është gjuhë shpellash, e prandaj duhet zëvendësuar !” Pastaj…, -një nga një hapat e piketat e Megaliidhesë, deri  në pushtimin e hapësirës shqiptare, siç bënë me Çamërinë në Jug. Të pushtojnë tokën e të spostojnë këtë popull nga vendi  i vet ! Ky është objektivi dhe imazhi i largët i planeve shovene, që thuren, qëndisen e financohen nga kjo Kishë greke, nga Fanari e Lobi grek, nga vetë shteti i tyre…

Tani J.llatosi u është futur politikanëve, duke u pagëzuar fëmijët e mundshëm. Duke u varur atyre kryqin grek në qafë. Shpëtoi nga ky akt  vetëm Kryeministri ynë, djalin e të cilit e pagëzoi hirësia e vërtetë- Papa i Romës. Të tjerët…

Dhe metastaza  J.llatos zgjatet e zgjatet. Çdo ditë, çdo muaj, çdo vit. Me bekimin e financimin e shkollave e kishave, varreve artificialë  grekë të ushtarëve pushtues gjatë luftës, me parrulla e thirrje greke në fshatrat e Jugut shqiptar, të busteve artificialë të “heronjve grekë” në këto zona, etj. etj. etj.

Synimi i kaltër i tyre- Shkumbini. Ndoshta edhe më lart, sepse hijenës së veriut i është thyer turiri  e tashmë  nga bombat e Natos  e  nuk e kapërcen dot vargmalin patriotik kosovar.

…Dhe varrin e tij J.llatosi do që ta ketë në Shqipëri, dhe zëvendësin e tij-grek ose filogrek. Më vonë, me siguri , edhe shenjtërimin e tij dhe bustin. Kështu, deliri shoven lëmon vijat e kaltra të flamurit  të tyre, me ëndërrën e madhe të gllabërimit e tjetërsimit të këtij populli. Me ëndën që edhe vetë shteti shqiptar, në sfondin e dekadave, ta heqë  KUQEZIUN  e të vendosë në krye vijakaltrin grek !

A do të ndodhë ky apokalips nën qiellin tonë ?

Noli po mbulohet me hirin e harresës.  Politikanët tanë po u përkulen J.llatosve të Jugut. Vetëm populli   ynë rënkon,rënkon…Edhe zërat e mekanizmat e shoqërisë civile- gjithashtu- të nemitura…

Filed Under: Opinion Tagged With: Idajet Jaho, KISHA ORTODOKSE “ AUTOQEFALE “, NE TIRANE – PALLAT I MEGALIIDHESE GREKE

“ILAÇI I SHQIPËRISË”

February 6, 2016 by dgreca

Nga IDAJET JAHAJ/
-ESSE/
Sa herë i kemi dëgjuar vargjet për kapedanin e famshëm të Shqipërisë së Jugut – Zenel Gjoleka:/
Pse lufton, a dërzi,/
Sos për mua a për ti,/
Po për gjithë Shqipëri…/
Ato janë shkruar në ndërgjegjen tonë si një flamur i madh ideje, që në faqet e librave të shkollës fillore, kur njohëm historinë e popullit tonë. Dhe jemi krenarë për këtë përkushtim, për imazhin e gjithë vendit, në mendje e në zemër. Kësaj strofe të madhërishme populli e pason edhe me trivargëshin tjetër:
U trete, Gjolekë, u trete,
Po sos u përpoqe për vete,
Po për gjithë vilajete…
Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt. Figura e tij është ajo e një kapedani të shkëlqyer, madhor, dhe hijeshon në histori ashtu si një nga majat më të larta të relievit të saj.
Vargjet nënvizojnë çastin historik kur vetëdija e shqiptarëve tashmë vepronte kolektivisht dhe për interesin tërësor të gjithë vendit, kur ajsbergu historik shqiptar po dilte mbi ujë, kur ky titanik përleshej për jetë a vdekje me pushtuesin shekullor turk.
Pra, luftohej jo vetëm për një pjesë të atdheut, por për gjithësinë e tij. Kjo ishte nisma e rilindjes së kombit me armë. Këto luftra-llavë vullkani u bënë baza ku ngjyen penën për kushtrim Rilindasit më vonë.
Kjo ide e përgjithshme u pasua edhe më vonë, në gjeneratat e mëpastajme të luftërave. Ajo gjeti më shumë mishërim te prijësit e trimave që, me luftën dhe fjalën e tyre, jepnin të njëjtin mesazh që jepte kryetrimi Zenel Gjoleka.
Nëpër faqet e historisë së Vlorës ka shumë sentenca të tilla, të cilat, të shprehura në vargje, tek heronj të veçantë, japin tërësinë e unitetit të vetëdijës atdhetare të masave të popullit, të cilat ndërgjegjësoheshin gjithnjë e më shumë për idealin kombëtar.
Në mesin e shekullit të 19-të, në luftrat për mbrojtjen e kufijve jugorë nga shovinizmi i egër grek, shkëlqyen edhe shumë trima vlonjatë, si Mahmud Vlora, Shako Xhaka nga Tërbaçi, Selam Hasani i Velçës, Fejzo Xhafa Vlora, etj. Nën udhëheqjen e tyre luftëtarët shqiptarë u dhanë dërmën hordhive shovene. Ndër ta, Shako Xhaka Shkëlqeu në përpjekjet për unitetin e njësisë – komb:
O Shako Xhakë Tërbaçi,
I Shqipërisë ilaçi,
Ilaçi i Shqipërisë,
I vjen rreth e rreth kufisë…
Ç’vizion madhështor japin këto vargje! Si në përshkrimet folklorike: ashtu si në kopenë e kuajve, rreth së cilës, për ta mbrojtur nga bishat që i vijnë rreth, dalin disa prej më të fortëve, i vijnë rrotull tufës, qëllojnë me shqelme dhe shkrofëtijnë zjarr nga goja, … ashtu edhe trimi Shako Xhaka “i vjen rreth Shqipërisë” për të mbrojtur nga ujqërit shovenë…
Dhe, me shembullin e tij heroik, ndrit metaforën e rrallë: “ilaçi i Shqipërisë!”. Vargje dhe figura të tilla, të cilat bartin ide të mëdha brenda, prekin e frymëzojnë, kushtrojnë e krenojnë.
Por nuk janë vetëm këto dy sentenca të këtyre dy trimave.
Eposet e shumtë të saj janë të pasura me heroizma trimash të tjerë. Akti i heroit Kanan Maze, nga Shkoza e Vlorës, i afrohet shumë legjendës. Në fillim kënga jep imazhe të pabesueshme:
…Të xhumanë në saba,
Komita në Kotë ra;
Shkoza ç’u bë lakra,
Ç’u vra Kanan Mazeja![1]
Ç’e mori në nofulla,
Nofulla më dysh iu nda,
Ky bëri sikur s’e pa,
Briti: burra përmbi ta!
Sa dhe si mund të flasë, e aq më tepër të bëjë shaka, një njeri me nofullën që i është ndarë më dysh nga gjylja apo plumbi? Po muza e popullit bën mrekullia. Nuk është vetëm ky akt që Kanan Mazen e shndërroi në legjendë. Akti tjetër i tij i madh, ai i fjalëve lapidare. Kanani ishte njeri shumë i bukur. Cifla e bombës ia prishi këtë bukuri. E, kur shokët e pyetën për fatkeqësinë:
-Kanan, t’u prish bukuria!
Ai iu përgjigj atyre:
-Le të rrojë Shqipëria!
E sërish, e më me forcë, duke gjëmuar atë zërin buçimë, përmes nofullave të shqyera:
-Shqipëria le të rrojë,
Ç’ka se mbeta unë pa gojë!
Ky akt (i fjalës) u përndrit e u skalit në memorien e kujtesës kolektive të popullit. Nuk u harrua, sepse kishte “Shqipërinë” brenda.
“Trim i madh” thonë kur bëhet fjalë për hierarkinë e vlerave të luftëtarëve të lirisë. I tillë ishte edhe Zigur Lelua. Ja dy profeci heroike të tij, të vulosura edhe me gjakun e tij, në luftën e Vlorës më 1920: Kur në Smokthinë u vendos që burrat të shkonin në luftë, Ziguri shkoi në shtëpi e i thotë të shoqes, Hankos:
-Bëmë gati bukën dhe rrobat e reja, Hanko, se do iki.
-Po mirë, more burrë, – i thotë ajo, – pa mos u nxito njëherë, se ke luftuar edhe më parë.
-E kam vendosur, moj Hanko, nuk do rri në bisht të shokëve, por në ballë. Do vdes për Shqipërinë. Do bëhem kurban për Shqipërinë!
Ky trim, këtë aforizëm ua kish thënë disa herë shokëve, ua tha edhe në mbledhjen e rrapit të gurrave (Smokthinë), më 2 qershor 1920, kur pa shpatullën e berrit,[2] para komisionit të luftës; “Nesër, më të rarë të diellit, do të sulmojmë. Kota do të merret, unë do të vritem! Do bëhem kurban për Shqipërinë!”
Dhe vërtet luftëtarët sulmuan kur ra dielli, dhe vërtet Ziguri u hodh si luan mbi armiqtë, dhe vërtet ai ra në fushën e betejës. Profecia i doli. Ishte materia heroike e shpirtit të tij që ia diktonte parashikimin. Aktin e mori shekulli për t’ua përcjellë të tjerëve.
Kështu edhe Sali Vranishti. U hodh në sulm në Kaninë, vrau shumë armiq, por një predhë e goditi në bark. I nxori zorrët jashtë, por ai, me qetësinë e një dragoi, i mblodhi ato me dorë e i futi prapë brenda, dhe u tha shokëve ashtu qetë – qetë:
…Kapedan vetullazinë,
Me bombë në mes e godinë,
Tha: Në tel çorra kërcinë,
Të mos helmon shokërinë…!
Të tillë dehje, të tillë delir ta japin vetëm epopetë e mëdha. Ato epope që mbrujtën atdheun. Dhe i bëjnë ata – njerëz – jo të zakonshëm, që kanë tërë hartën e Shqipërisë brenda, idealin e madh të lirisë e pavarësisë në mendje e në zemër, në gjak.
Ata u bënë ILAÇI I SHQIPËRISË.
[1] Ai në të vërtetë u plagos
[2] dashit

Filed Under: ESSE Tagged With: “ILAÇI I SHQIPËRISË”, Idajet Jaho

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT