• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diana Çuli, mos dil më në publik!

March 15, 2017 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/Nju Jork/4Ilir-Harshova-600x400-300x237

Përmes Agron Tufës, i cili nuk la të zhvillohej një shfaqje letrare organizuar nga Ministria e Kulturës, kushtuar Diana Çulit, kësaj gruaje që ka dhënë ndihmesën e vet në vrasje njerëzish, u bë e para protestë publike ndaj një figure, përfaqësuese e shumë figurave të tjera, që i shërbyen me mish e me shpirt regjimit komunist, madje segmenteve më kriminale të tij dhe sot, në pas komunizëm, kërkojnë të jenë përsëri në qendër të vëmendjes, në krye të shoqërisë dhe politikës, të përfitojnë prej tyre dhe të japin mësime morali, kulture, lirie e demokracie. Për moslejimin e këtij imoraliteti, Agron Tufa dhe njerëzit që e ndihmuan meritojnë çdo mbështetje dhe lëvdim.Mbas kësaj ngjarjeje, televizioni Top Channel organizoi një bisedë me Diana Çulin dhe dy mbështetëse të saj dhe me Agron Tufën dhe dy mbështetës të tij. Arrita të ndiqja pjesën e dytë të atij programi dhe pashë, atë që shihet rrallë: fytyra engjëllore që i dilnin përkrah krimit dhe imoralitetit. Mbrojtja e krimit prej tyre do të thoshte  pjesëmarrje e tyre në krim.

Diana Çulit iu kërkua nga hetuesia politike e kohës një recensë për poetin Genc Leka, recensë që u paraqit si provë fajësie në gjyqin që iu bë atij dhe poetit tjetër Vilson Blloshmi, gjyq që i dënoi të dy me vdekje në vitin 1977.Ndaj kritikave që iu bënë, Diana Çuli, së bashku me mbështetëset e saj, u justifikuan duke thënë pak a shumë se recensa që kërkoi hetuesi për poetin Genc Leka ishte një detyre shtetërore dhe Diana duhej ta kryente; se Diana u gjend para dilemës ta bënte apo të mos e bënte recensën dhe se, po të mos e bënte, mund të kishte pasoja, të humbte punën dhe karrierën si shkrimtare ndërsa, nga ana tjetër, po të mos e bënte Diana, do ta bënte dikush tjetër; se recensa e Dianës nuk e çoi në plumb Genc Lekën, sepse Genc Leka kishte edhe akuza të vjedhjes dhe sabotimit; sepse nuk ishte dënuar njeri me vdekje për shkak të shkrimeve; se kritika letrare ideologjike i ishin bërë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe këta nuk ishin dënuar me vdekje; se Diana ishte një punonjëse e re në redaksinë e gazetës “Drita” dhe atmosfera e asaj periudhe ishte tepër e frikshme e të tjera si këto.

“Erdhi hetuesi në zyrë, – thotë Diana, –  dhe më tha për të bërë një analizë të poezive. Ishte detyrim ligjor për ta bërë”. Dhe Diana iu bind detyrimit ligjor.Në gjyqet që iu bënë kriminelëve nazistë mbas lufte, ata e deklaruan veten të pafajshëm. Pse? Sepse vetëm kishin zbatuar urdhrat dhe zbatimi i urdhrave, sipas tyre, ishte meritë dhe jo krim. Njeriu gjatë jetës së tij merr urdhra nga jashtë, por merr edhe  urdhra nga brenda. Ai duhet të zbatojë vetëm ato urdhra nga jashtë të cilat nuk bien ndesh me urdhrat e brendshme, me urdhrat e ndërgjegjes. Për Dianën, urdhrat e hetuesisë politike komuniste nuk binin ndesh me ndërgjegjen e saj. Gandi thoshte “Mosbashkëpunimi me të keqen është po aq detyrë sa dhe bashkëpunimi me të mirën.” Por a e kuptonte Diana se po bashkëpunonte me të keqen? Nuk e besoj. Duhet thënë që në fillim se regjimi komunist nuk shkonte ashtu kot, kapte një njeri dhe e detyronte të thoshte apo të bënte atë që donte ai. Ai i zgjidhte njerëzit dhe zgjidhte ata që kishte siguri se do ta mbështesnin, dhe Diana dukej se ishte e përshtatshme, se ajo jo vetëm do ta kryente detyrën që i ngarkohej, por do ta kryente ashtu siç do të ishte më mirë për hetuesin.Nuk është e vërtetë se nuk mund të kundërshtoje në komunizëm një detyrë që ta kërkonte partia shtet, siç thotë Diana. Ka plot raste të njerëzve që u janë shmangur detyrave të vëna nga partia dhe organet e saj, natyrisht jo ashtu hapët, por me mënyra të tërthorta, sepse partisë nuk i prishej ndonjë punë e madhe po të mos e kryente dikush punën e saj. Kishte plot të tjerë që mezi pritnin ta bënin atë punë, madje, me entuziazëm.Diana vazhdon shfajësimin: “Nëse nuk bëja unë, do ta bënte dikush tjetër.”Në Talmund jepet ky tregim: Një person u urdhërua nga guvernatori i një krahine për të vrarë një person tjetër dhe u kërcënua se, në qoftë se nuk do të kryente ai atë vrasje, do të vritej nga guvernatori dhe detyrën e tij do ta kryente dikush tjetër. Ai shkoi e u këshillua me rabinin e tij për mënyrën se si të vepronte. Rabini i tha: “Le ta vrasë atë dikush tjetër, le të të vrasë ty guvernatori, ti nuk duhet të vrasësh.”Justifikuesit e Dianës thonë se poetët nuk i vrau Diana Çuli me recensën e saj, sepse ata kishin edhe akuzën e vjedhjes dhe sabotimit. Në të vërtetë, ata nuk i vrau as recensa e Diana Çulit dhe as akuza e vjedhjes dhe sabotimit. Ata i vrau regjimi kriminal komunist. Kur ai regjim të kishte vënë në shënjestër për të të goditur, të vishte njëqind akuza të pavërteta. Edhe atyre poetëve u vuri akuzën e vjedhjes dhe sabotimit dhe atë të poezive jo socialiste. Por kjo nuk ndryshon asgjë për Dianën, ajo e dha kontributin e vet në atë vrasje.

Diana thotë se ishte e trembur nga atmosfera politike e asaj periudhe, se ishte një redaktore e re e gazetës “Drita” dhe se po mos të bënte ashtu siç iu kërkua, mund të  humbte vendin e punës dhe karrierën e saj si shkrimtare. Ta shikosh këtë punë me karakter tërësisht moral në këtë mënyrë, është njëlloj si ta shikosh atë në terma të humbjes dhe fitimit, ta shikosh si një tregtar matrapaz. Asnjë justifikim moral, asnjë keqardhje, asnjë pendesë. Të tjerë, mbështetës të saj, jo vetëm përsërisin justifikimet e Dianës, por thonë se gjëra të ngjashme kanë bërë edhe shkrimtarë të tjerë. Pra, kur një të keqe e bëjnë edhe të tjerë, ti nuk mban përgjegjësi për të keqen tënde, përgjegjësia shpërndahet.

Justifikimi se kritika u ishin bërë nga kolegët e tyre shkrimtarë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe ata nuk ishin dënuar me vdekje, pra kritikat letrare nuk ishin vdekjeprurëse, nuk qëndron. Ka një ndryshim të madh këtu. Ndërsa këtyre shkrimtarëve kritikën ua kërkoi ta bënin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Diana Çulit kritikën ia kërkoi hetuesia politike.

Regjimi komunist, ashtu siç përkëdhelte një lukuni shkrimtarësh dhe poetësh që i bënin atë punë që as i ati i Diana Çulit, si oficer sigurimi, nuk ia bënte dot, ashtu dënonte tepër rëndë edhe ata pak shkrimtarë a poetë që mendonte se i kishte kundër.

Mbrojtëset e Dianës thonë se Diana ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë. Diana vetë nuk e thotë këtë dhe këtu ajo tregohet më e ndershme se mbrojtëset e saj. Por ne mund të themi: përse të mos mendojmë se ajo jo vetëm nuk ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë, por e mirëpriti, se ajo e ka parë detyrën që po i ngarkohej si një nder, si një besim që tregonte partia ndaj saj, si një mundësi për autopromovim dhe, mbase, e ka vënë edhe në ato që në ato kohë quheshin autobiografi, me të cilën njerëzit mburreshin kur shkruanin se si e kishin ndihmuar pushtetin popullor.

Mbështetësit e Diana Çulit habiten me njerëz që i sulen një shkrimtareje, një “zonje të letrave”, duke nënkuptuar se shkrimtarët dhe poetët na qenkan një racë në vete, një racë me gjak blu gjë, që po të analizohet si duhet, del krejt ndryshe.

Në gazetën  “Telegraf” të datës 25 maj 2011, jepen këto kujtime të ish-hetuesit të kohës së komunizmit Dilaver Bengasi mbi hetuesinë që bëri ai ndaj një prej të paktëve shkrimtarë jokonformistë e disident shqiptarë, ndaj Kasem Trebeshinës:

Pyetje: “Çfarë ndodhi gjatë arrestimit të tij?

Përgjigje: Asgjë. Ne shkuam tek shtëpia e tij pranë ekspozitës “Shqipëria sot,” dhe i njoftuam vendimin. Pastaj gjatë seancave hetimore unë e kuptova se kisha të bëja me një kolos dhe gjithashtu me një njeri të pafajshëm. Dhe për këtë gjë kërkova disa herë në bazë të dispozitave dhe hapësirave ligjore ta lironim. Por pati disa reaksione nga shkrimtarët.

Pyetje: Çfarë reaksionesh?

Përgjigje: Ata vinin me radhë në hetuesi dhe dëshmonin njëri pas tjetrit kundër Trebeshinës. Dhe kjo e rrezikonte problemin.

Pyetje: Çfarë thoshin shkrimtarët?

Përgjigje: Thoshin se Kasemi kishte sharë qeverinë në librat e tij, por edhe gjatë bisedave të përditshme. Madje, nxirrnin edhe bisedat që ai i kishte bërë në tavolina, për probleme të librave.

Pyetje: Sa ishte numri i dëshmitarëve në gjyq nga Lidhja e Shkrimtarëve kundër Trebeshinës?

Përgjigje: Jashtëzakonisht shumë. Madje ishin pjesëtarë nga ajka e letërsisë së asaj kohe. Mbaj mend se gjatë një ballafaqimi në hetuesi Kasemi e goditi me pëllëmbë njërin prej tyre, i cili në thelb po shpifte kundër tij. Dhe unë i ndava. Por dua të shënoj këtu se në gjyq pjesa më e madhe e dëshmitarëve ishin shkrimtarë. Aty e pashë se sa e dobët dhe e pabesë ishte raca e shkrimtarëve dhe e poetëve shqiptarë të asaj kohe që ishin gati të spiunonin shokun e tyre qoftë edhe për një shaka që mund të kishte bërë më parë.

Diana thotë se vrasjen e dy poetëve e mori vesh në vitin 1994. Unë e besoj plotësisht. Me çfarë indiference kishte nënshkruar ajo verdiktin e saj për poetët! As nuk u interesua të merrte vesh se si kishte ndikuar recensa e saj në dënimin e tyre. E ç’rëndësi kishte për të se ç’u kishte ndodhur reaksionarëve, kulakëve, armiqve të klasës? Për të, ata ishin insekte. A mund të mbajë në mendjen një njeri se kishte shkelur një insekt?

Diana nuk është e vetme në kësi punësh, madje nuk është edhe më fajtorja. Ka plot me mëkate më të rënda se të Dianës, por Diana u bë objekt sulmesh sepse donte të ishte person publik me rëndësi në një kohë që komunizmi kishte rënë, duke harruar se ç’kishte bërë në atë kohë, apo duke e konsideruar atë si një gjë të normale: u bë deputete në Kuvendin e Shqipërisë nga partia e Skënder Gjinushit, përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryetare e Federatës të Grave të Shqipërisë, aktiviste e shoqërisë civile, anëtare jurish për çmime të kulturës. Të gjitha këto e nxorën në pah dhe e bënë tabelë qitjeje. Shokë e shoqe të Diana Çulit duhet të ulin kokën e të mos lëshojnë më hije në këtë tokë, por njerëz të tillë as që kuptojnë se ç’kanë bërë.

Mbështetësit e Diana Çulit në atë emision kërkuan që të hapeshin dosjet, se, me demek, në dosje Diana do të dilte e pafajshme. Dosjen e Dianës, mbështetësit e saj e kishin të gjallë para syve, por nuk u pëlqente, e donin dosjen në letër. Çfarë hipokrizie!

Mua më duket se fajet e Dianës janë më të mëdha sot, se atëherë. Ajo nuk shpreh asnjë lloj pendese dhe nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie, ajo vetëm përpiqet të justifikojë veprimin imoral të saj. Ajo thotë: “Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk e quaj veten përgjegjëse. Unë nuk e ndjej veten aspak fajtore për akuzat.”

Rregulli i parë i moralit: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë të tjerët.”

Rregulli i dytë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty.”

Rregulli i tretë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty, por bëja plot dashuri.”

Diana Çuli nuk futet dot te rregulli i parë, te më i lehti. Ajo është krejt jashtë.

Diana Çuli, je fajtore, mos dil më në publik, shiko punët e familjes tënde!

Dhe tashti, më në fund, krahasoni, ju, të dashur lexues, që lexuat këto reshta, këtë shoqe, Diana Çulin, socialdemokrate me orientim komunisto-lindor, shkrimtare e veprimtare, që për karrierë ndihmoi të çonte drejt vdekjes një person tjetër pa e çarë fare kokën, me zonjën socialdemokrate me orientim demokrate perëndimore, përsëri shkrimtare e veprimtare, Musine Kokalrin, që sakrifikoi gjithë jetën për parimet e saj, që u ngrit mbi veten, që u përpoq ta bënte këtë Shqipëri një vend më të mirë për të gjithë, që u përpoq të jepte një shembull morali për meskinët, edhe për Diana Çulin (edhe pse në kohën e saj nuk u lejua njeri që ta njihte), që njerëzit të shihnin sot njëri tjetrin me dashuri dhe respekt dhe jo me keqdashje dhe urrejtje!

Mars, 2017, Nju Jork

Filed Under: Politike Tagged With: Diana Culi, Ilir Hashorva, mos dil më në publik!

Tcvetan Todorov dhe “Lulja e diellit” e Simon Vizentalit

February 14, 2017 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

1-ilir-harshova-600x400

“Lulja e Diellit” është një tregim gjysmë autobiografik Simon Vizentalit, i atij që, si asnjë tjetër, ndoqi pas lufte kriminelë nazistë të fshehur kudo nëpër botë dhe ia dha drejtësisë. Është shkruar jo thjesht për të treguar një ngjarje makabre, por edhe për të hapur një diskutim të gjerë mbi krimin, ndëshkimin apo mundësinë e faljes së kriminelëve politikë dhe ideologjikë, apo kriminelëve në përgjithësi.

Gjatë luftës, kur qe i internuar, teksa ishte çuar të punonte në një spital ushtarak nazist si pastrues, Vizentali u thirr nga një infermiere dhe u çua në një dhomë spitali ku dergjej një oficer SS, njëzetedy vjeçar, i plagosur për vdekje. I plagosuri, Karli, i fashuar i gjithi, të cilit mund t’i shiheshin vetëm goja, hunda dhe veshët, kërkoi që Vizentali, duke qenë hebre, t’i dëgjonte historinë e një episodi të jetës së tij, kur ai, së bashku me të tjerë, ishin urdhëruar të digjnin të gjallë brenda një ndërtese në Dniepropetrovsk, në Ukrainë, rreth 300 hebrenj të pafajshëm; t’i shprehte atij pendesën dhe t’i kërkonte falje. Vizentali e dëgjoi oficerin SS në heshtje dhe iku, po në heshtje, pa i thënë asnjë fjalë.

Ndonëse edhe me heshtje mbajti një qëndrim, Vizentali nuk ishte i sigurt nëse qëndrimi i tij ishte apo jo ai i duhuri. Ai kërkoi të dinte nëse ishte më mirë të fliste e t’i jepte falje nazistit të penduar; të fliste, ta kritikonte, ta dënonte dhe të mos e falte; apo, nëse qëndrimi që mbajti mund të konsiderohej si i pranueshëm. Për këtë, ai pyeti shokët e tij të kampit, prej të cilëve mori përgjigje të ndryshme. Pas 25 vjetësh të ngjarjes, në vitin 1969, në botimin e parë të librit, ai iu drejtua shumë intelektualëve të fushave të ndryshme, për të marrë mendimet e tyre se ç’do të bënin ata, po të ishin në vendin e tij. Përgjigjet që japin ata, gjithsej njëzet e një, së bashku me përgjigjet që japin disa vite më pas edhe tridhjetë e dy të tjerë, përfshihen në librin “Lulja e Diellit”, të botuar në anglisht në vitin 1997, i cili u shqipërua prej meje dhe u botua në vitin 2015. Janë, pra, 53 personalitete të besimeve, vendeve, kulturave dhe përvojave të ndryshme që analizojnë krimin, faljen apo mos faljen e fajtorit si dhe qëndrimin e Vizentalit.

Ndër të pyeturit ishte edhe Tcvetan Todorov, filozof e moralist bullgar, i cili qysh nga viti 1963 ka jetuar në Francë. Aty edhe ndërroi jetë pak ditë më parë.  Todorovi ka botuar shumë libra midis të cilëve, edhe librin me titull “Duke përballuar ekstremen: jeta morale në kampet e përqendrimit”. Ka dhënë leksione në universitetet Kolumbia, Jeil dhe Berkli në SHBA.

Pyetja që ngre Vizentali i kalon shumë caqet e tregimit apo të përvojës së tij me nazistët. Ai problem është universal dhe i përhershëm. Ai ka të bëjë me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj së keqes dhe keqbërësve, ndaj krimit dhe kriminelëve; me faljen, apo me ndëshkimin; me harresën, apo me kujtesën. Ai ka të bëjë me qëndrimin e vetë kriminelit ndaj krimit të kryer prej tij: me pendesën apo me kryeneçësinë, me kuptimin e fajit apo me moskuptimin e tij, me shlyerjen e fajit apo me kryerjen edhe të një faji tjetër më të rëndë, me personin apo grupin që ka të drejtën e faljes. Trajtimi i këtyre dilemave dhe mbajtja e qëndrimit të duhur si nga krimineli edhe nga të tjerët, ndikon në mundësinë e shkallës së përsëritjes apo të mospërsëritjes së të këqijave të historisë, në krijimin e një qytetërimi të moralshëm e të shëndetshëm, apo të një “qytetërimi” përsëri imoral e kriminal. Veçanërisht për ne shqiptarët që e kemi provuar krimin dhe që, mjerisht, vuajmë nga  harresa, trajtimi  drejtë i së keqes dhe i keqbërësit, i krimit dhe i kriminelit, është me shumë vlerë.

Libri i Vizentalit është përdorur si tekst mësimor për të studiuar jo thjesht Holokaustin por, sidomos, qëndrimin që duhet mbajtur ndaj keqbërësve, për qëndrimet që mbajnë ndaj tyre kultura dhe fe të ndryshme.

Për të vendosur për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Karlit, së pari duhet të saktësohet kjo çështje: a mund të falet një fajtor që kërkesën për falje e ka të sinqertë dhe jo oportuniste: të bërë nga interesi, nga frika e një ndëshkimi drejtësie, nga frika e ndëshkimit të opinionit të ri, apo për ndonjë arsye që nuk lidhet me pendesën e vërtetë?

Në qoftë se bindemi se ka pendesë dhe se ajo është e sinqertë, them se kemi të drejtë, por jo detyrë, të diskutojmë faljen e fajtorit.

Janë me shumicë ata të cilëve kur u bije regjimi i tyre kriminal, regjimi që e kanë mbajtur vetë, regjimi për të cilët qenë instrumente të tij, i kthejnë krahët, marrin poza të forta kundërshtuese ndaj tij, thonë se kanë vuajtur edhe vetë prej tij, thonë se me mënyrën se si kanë vepruar i kanë futur ujin nën rrogoz atij regjimi, apo se kanë kuptuar me vonesë ligësinë e tij dhe se tashti kanë ndryshuar, se ndryshimi është në natyrën e njeriut, se ai ndryshim përfaqëson rritje dhe përmirësim për njeriun. Çfarëdo që të thonë këta njerëz, mbasi regjimi kriminal të cilit i shërbyen ra, nuk besohet dhe, madje, është e natyrshme që të të krijojnë edhe një ndjenjë pështirosjeje. Mund të quhet i ndryshuar vërtetë dhe sinqerisht ai person që qe pjesë e regjimit kriminal dhe e kundërshtoi atë, pikërisht kur ai regjim ishte në lulëzim, kur ai ishte i fortë, kur ai nuk kishte ndonjë arsye të dyshonte për mosdashurinë apo mosbesnikërinë e atij personi. Ky do të ishte ai që mund të quhej disident, domethënë ai që ishte pjesë e regjimit dhe që u shkëput prej tij, që e kundërshtoi atë, duke rrezikuar. Mund të quhet i ndryshuar edhe ai, natyrisht në një shkallë më të ulët se i pari që, më pas, pasi regjimi ra, jo vetëm që dënon regjimin që mbështeti, jo vetëm që dënon të kaluarën e tij, jo vetëm që kërkon falje publike, por që orvatet edhe ta shlyejë të keqen e bërë.

Nga oficeri nazist vihet re se ai e ka ndjerë veten keq përnjëherë mbas kryerjes së krimit dhe është penduar për të. Ai nuk u pendua në çastet e vdekjes. Ai u pendua shumë më parë. Duket se pendesa e tij ishte e sinqertë dhe, mesa dimë, në përgjithësi është e rrallë. Është e rrallë jo vetëm për nazistët, por edhe për kriminelë  të ngjyrave të tjera. Për Karlin duket se ka ndikuar edhe edukimi i tij fetar në rini. Zakonisht kriminelët që kryejnë krime në emër të një ideologjie, që mund të jetë ideologji politike, ideologji fetare, ideologji nacionaliste apo e çfarëdo lloji tjetër, në përgjithësi as që kuptojnë që kanë kryer krime, pa le më të pendohen për to e të kërkojnë falje. Karli jo vetëm shpall pendesën, por shton: “Më beso, do të jem gati të vuaj më keq dhe më gjatë, në qoftë se në atë mënyrë do të sillja përsëri në jetë të vdekurit e Dniepropetrovskit”.  Pra, ai jo vetëm shpall pendesë, por është gati ta shlyejë në njëfarë mënyre krimin e bërë me vuajtjen e tij.

Po ashtu, kriminelët që nuk i ka parë kush në veprim e sipër, nuk i shprehin botërisht krimet e tyre. Ata, edhe kur kanë kuptuar se kanë bërë diçka të keqe, e mbajnë atë brenda vetes, në rastin më të mirë, si një brejtje ndërgjegjeje. Kështu, rasti i Karlit, të cilin nuk e pa kush të kryente akte kriminale, por deklaroi vetë se i kishte kryer ato dhe shprehu pendesë për to, është gjithashtu i rrallë.

Për të gjitha këto, ndonëse krimi i tij qe i përbindshëm, ai meriton si përgjigje një qëndrim krejt të ndryshëm prej atij që mund t’i jepej një tjetri që kishte kryer të njëjtin krim dhe që nuk u pendua dhe nuk u deklarua kurrë, madje u mburr me të.

Falja, kur jepet brenda kufijve të arsyes, mund të ketë forcë të jashtëzakonshme në strukturimin për mirë të shoqërisë njerëzore. Fetë në përgjithësi dhe, sidomos, krishterimi i kanë dhënë një vend të rëndësishëm, madje ekstrem, kërkesës së faljes dhe akordimit të saj.

Mendimi i Tcvetan Todorovit për sjelljen e Vizentalit dhe në përgjithësi për qëndrimin ndaj një krimineli të penduar, ashtu siç jepet në librin e Vizentalit, është ky:“Çfarë duhej të kishte bërë Simoni? Ç’duhej të kisha bërë unë, në qoftë se do të isha në vendin e tij? Le t’i përgjigjem më parë pyetjes, ashtu siç qëndron ajo. I vetmi që mund të falë, është ai që ka provuar lëndimin. Çdo zgjatim për analogji, nga individi për te grupi, më duket i paligjshëm: nuk mund të falet me prokurë më shumë nga ç’mund të bëhesh viktimë me shoqërim, apo duke mbajtur një faj kolektiv. Prandaj, vrasja, me përkufizim, nuk mund të falet, grupi i lënduar nuk ekziston më që të bëjë faljen. Duhet të shtoj që, meqenëse nuk jam edukuar për të qenë besimtar i krishterë, nuk e kam konsideruar shfajësimin fetar si një element të rëndësishëm të jetës. Drejtësia dhe morali për mua janë shumë më të rëndësishëm.

“Prandaj po përpiqem të shkoj pak më tej për të riformuluar pyetjen në termat e mia: si do ta gjykonim SS-in të përshkruar nga Vizentali dhe çfarë duhet të mendonim për të? Faji i tij është i pa diskutueshëm; ai që përbën problem është në se duhet të marrim parasysh keqardhjen dhe pendesën e tij. Përvoja tregon se shumica e kriminelëve nazistë nuk ndjeu keqardhje për veprimet që kryen. Në Nuremberg, Shperi qe i vetmi që e konsideroi veten pjesërisht fajtor. Në gjyqin e Aushvicit në vitin 1963, vetëm ish-viktimat  ishin në ankth; ish-ekzekutorët dukej se nuk shqetësoheshin fare nga brejtja e ndërgjegjes. E njëjta gjë ka ndodhur me kriminelë të të tjerave krime në vendet totalitare, apo edhe sot në ish-Jugosllavi: roje të kampeve të përqendrimit, njëlloj si superiorët e tyre, e konsiderojnë veten të pafajshëm. Në këtë anë, njeriu i Vizentalit është i ndryshëm dhe vetëm për të theksuar ndryshimin, ai meriton tjetër trajtim: jo shfajësim, afërmendsh, por njohjen e nisjes së atij aktiviteti të posaçëm njerëzor që çon drejt një ndryshimi për mirë, atë që Rusoi e quante përkryershmëri.

“Nuk mund të injoroj ngritjen e këtyre çështjeve sot, më se pesëdhjetë vjet pas ngjarjeve. Ne nuk po shohim një veprim në të tashmen, por një veprim në të shkuarën që ndodhet në kujtesën tonë. Ç’farë mund të bëjmë me të keqen e së shkuarës, si mund ta vëmë atë në shërbim të edukimit tonë moral? Krimet e nazizmit janë të tilla që e bëjnë të pamundur ngatërrimin e vlerave. E keqja ka ekzistuar vërtetë dhe nuk është në asnjë mënyrë relative. Vetëm për këtë arsye, ajo duhet të na mbetet në kujtesë. Hapi i dytë në këtë edukim duhet të jetë refuzimi i prirjes për të identifikuar të keqen vetëm me tjetrin, dhe të mirën vetëm me veten, si dhe duke njohur atë që ka thënë Romain Gary, që jonjerëzorja është pjesë e njeriut. Duke refuzuar relativizmin, nuk do të thotë të përqafojmë ndarjen manikeiste midis së keqes dhe së mirës. Është bashkëveprimi komplementar i këtyre dy aspekteve të gjykimit moral, më duket mua, që na lejon t’i përdorim gjykimet e drejta të së shkuarës në të tashmen, në mënyrë që të luftojmë të këqijat e sotme dhe jo vetëm të djeshmet”.

Nju Jork, shkurt, 2016

Filed Under: Histori Tagged With: e Simon Vizentalit, Ilir Hashorva, Tcvetan Todorov dhe “Lulja e diellit”

Referendumi si procedurë krejtësisht demokratike

July 13, 2016 by dgreca

(Një analizë e shkrimit të Artan Fugës “Referendumi si procedurë jodemokratike, populli voton me ndjenjë jo me mendje”)

NGA  ILIR HASHORVA/Nju Jork/

Në një shkrim të botuar pak ditë më parë në shumë gazeta të Tiranës, eseisti, filozofi, profesori, akademiku, Artan Fuga, analizoi referendumin që u zhvillua në Britaninë e Madhe, lidhur me qëndrimin apo jo të saj në Bashkimin Evropian. Me një stil prej humoristi, që të bën aty për aty për vete, analizon, tallet dhe e kritikon referendumet, duke dhënë edhe mendime universale për to e duke vazhduar, kështu, një traditë tonën që i japim leksione botës, për të cilën dimë aq pak dhe flasim aq shumë. Titullit: “Referendumi si procedurë jodemokratike, populli voton me ndjenjë jo me mendje”, Z. Fuga i përshtat me besnikëri edhe tekstin i cili, duke filluar me titullin e duke vazhduar dhe shkuar në fund, duket se nuk ka rresht që të mos të të shkaktojë reagim si diçka e palogjikshme dhe jashtë së vërtetës, si diçka e dëmshme, sepse u ndryshon vendet demokracisë dhe diktaturës.

Ja si e arsyeton Z. Fuga mendimin se referendumi nuk është procedurë demokratike: “Referendumi nuk eshte ndonje forme shume e zhvilluar e demokracise. Mos kini ndonje iluzion jo! Pse? Sepse vota e nje budalle vlen sa e nje te mencuri, vota e nje pijaneci vlen sa ajo e nje esulli, vota e nje burgaxhiu per vjedhje sa vota e njeriut te ndershem”.

Ky pohim mund të shërbejë për të të vënë buzën në gaz në çastin që e lexon, por, në të vërtetë, është një trivialitet që nuk ka nevojë të përmendet. Që vota e një budallai barazohet me atë të të një të mençuri, nuk është karakteristikë vetëm e referendumeve, por edhe e zgjedhjeve në përgjithësi, kur çdo njeri ka të drejtën e votës e, prandaj, mos vallë edhe zgjedhjet, duke përfshirë edhe ato parlamentaret, nuk janë procedura demokratike e, për pasojë nuk duhen bërë fare, apo duhet vepruar siç veprohej shekuj të shkuar në shumë vende të botës, kur përjashtoheshin nga votimet shtresa e grupe të shumta shoqërore “të padenja për ndikuar mbi fatet e shoqërisë”? Dihet se vendosja e një diçkaje me zgjedhje të përgjithshme, pra edhe me referendum, nuk është pa të meta dhe nuk jep gjithnjë rezultatin më të mirë, por asnjë formë tjetër nuk është në gjendje ta japë atë rezultat. Filozofi i madh rus i anarkizmit, Peter Kropotkin, thotë se ligji i shumicës është ligji i mediokritetit, dhe ka të drejtë, në shumë raste përfundimet e ligjit të shumicës janë të gabuara dhe, në mbështetje të saj, Gandi thotë se mund të jepen shembuj pafund në të cilët të tregohen se aktet e shumicës kanë qenë të gabuara dhe ato të pakicës të drejta. Të gjitha këto janë të vërteta dhe prandaj Çërçilli u thoshte me ironi atyre që kritikonin demokracinë: “Shumë forma qeverisje janë provuar në këtë botë… Asnjë nuk pretendon që demokracia të jetë e përsosur dhe krejtësisht e mençur. Vërtet, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes por, po të  përjashtojmë të gjitha format e tjera që janë eksperimentuar deri sot”. Pra, me gjithë të këqijat e brendshme dhe të pa shmangshme që ka, demokracia dhe zgjedhjet që bëhen me anë të votimeve janë format më të mira të qeverisjes të provuara deri sot. Të metat e zgjedhjeve dhe e referendumeve nuk janë aq ngase në to marrin pjesë të gjithë: të mirë e të këqij, të mençur dhe budallenj, të ditur dhe të paditur, të ndershëm e të pandershëm, por se në to, për të fituar, forca të ndryshme politike që marrin pjesë në to, përdornin forma nga më të ndyrat, që nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e propagandës që bëjnë edhe të mençurit budallenj, e deri te kërcënimet fizike të kundërshtarit dhe, në fund, edhe vjedhje të votave, që, të gjitha këto, janë aq më të shumta e aq më vulgare e sa më e prapambetur të jetë shoqëria.

A është referendumi formë demokratike e qeverisjes? Në qoftë se zgjedhjet parlamentare janë formë demokratike e qeverisjes dhe përfaqësuesit e zgjedhur në to vendosin për fatet e vendit, forma e referendumit, që është si të thuash demokraci e drejtpërdrejtë, është edhe më shumë demokratike. Në qoftë se ne nuk bëjmë referendume dhe Zvicra bën disa të tilla në vit, mos vallë do të thotë se ne kemi demokraci më të zhvilluar se Zvicra?

Grekët e lashtë thotë Z. Fuga nuk bënin referendume. Grekët e lashtë vërtet nuk bënin referendume, por ata nuk kishin nevojë të bënin referendume, sepse kishin demokraci të drejtpërdrejtë dhe jo demokraci me përfaqësues, siç ka sot bota nga halli. Vetë mbledhjet që bënte populli në atë kohë për marrje vendimesh ishin referendume.      Sipas Z. Fuga, të marrët e vendimeve nga populli dhe jo nga politikanët qenka mungesë zotësie e politikanëve që nuk markan dot vetë vendime, “ndonëse paguhen për këtë!”. Kështu, del që shtetet diktatoriale, ku vendimet merren vetëm nga drejtuesit, madje nga vetëm një prej tyre, nga diktatori, paskan udhëheqës të zotë, nga ata që nuk e hanë bukën kot dhe këto shtete paskan edhe sisteme të zhvilluara demokratike!

Sa më shumë referendume të bëjë shteti, për sa më shumë probleme e çështje të përbashkëta që ka shoqëria, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, aq më demokratik është. Shteti nuk mund të bëjë referendume për lejimin apo jo të së drejtës së fjalës, të së drejtës së mbledhjes, të së drejtës së fesë, për diskriminime për racën apo etninë, për të drejtën e pronës etj, sepse këto hyjnë në ato që përbëjnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Për shembull, shteti nuk mund të bëjë një referendum në të cilin të shtrohet pyetje “Doni që të shpronësohen 100 familjet më të pasura shqiptare dhe me pasuritë e tyre të pronësohen 100000 familjet më të varfra?”, sepse rezultati i referendumit do të ishte “PO”, por ky rezultat do të ishte në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ai do të cenonte shenjtërinë e pronës. Megjithatë, shtete jo demokratike kryejnë veprime të tilla pa referendume, ata ia marrin pronën njërit për t’ia dhënë tjetrit, apo të tjerëve, thjesht me vendimmarrje politikanësh. Shteti mund dhe duhet të bëjë fare mirë referendume për çështje që i përkasin të gjithë popullit. Për shembull, shteti mund të bëjë një referendum ku t’i shtrohet pyetja popullit: “A pranoni ju që nga taksat që paguani, një pjesë të merret dhe me të të financohen partitë politike?” Apo, “A pranoni ju që deputetet e Kuvendit të caktojnë vetë pagat dhe privilegjet e tyre?” Referendume të tilla janë shumë të dobishme, por ata që kanë në dorë të vendosin për bërjen e referendumeve, nuk kanë interes për kësi referendumesh dhe nuk i bëjnë.

“Njeriu eshte kontrapedal, priret te thote : jo” – thotë Z. Fuga, se përse? – vetëm ai mund ta dijë se përse populli qenka i prirë të thotë “Jo”, dhe jo “Po”.

Ne referendum, thotë Z. Fuga “une votoj pa e ditur sesi do te votojne te tjeret, pra votoj qorrazi”.  Të votosh duke ditur si do të votojnë të tjerët, do të thoka, sipas Z. Fuga, të votosh me mend. Të shkosh pas rrymës, të shkosh pas berihajt, të shkosh pa mendim individual, na qenka gjë e mirë dhe veprim i drejtë! Kur në komunizëm secili e dinte se si do të votonte tjetri dhe të gjithë votonin njëlloj nga halli, votuesit votonin me mend, sipas Z. Fuga.

“Ne referendum vendos pakica prandaj eshte anti demokratik”, thotë Z. Fuga. Sesi vendoska pakica, kur në referendum ftohet i gjithë populli të marrë pjesë, edhe këtë vetëm Fuga mund ta dijë.

Shkrime të tilla të habisin jo aq për absurditetet që përmbajnë, sepse ne shoqërinë  tonë gjëra të tilla janë të pranishme në mënyrë të vazhdueshme në pjesë të shtypit tonë, por, sidomos, për mënyrën se si paraqiten dhe për popullaritetin që u jepet.

 

Nju Jork, korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva, krejtësisht demokratike, Referendumi, si procedurë

Indiferenca si mëkat

July 6, 2016 by dgreca

Mbi një mendim të shprehur nga Eli Vizel (Elie Wiesel) në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, më 12 prill të vitit 1999/

Nga  Ilir Hashorva-Nju Jork/

 Më 2 korrik të vitit 2016, në moshën 87 vjeçare, në Nju Jork vdiq gazetari, eseisti, shkrimtari, profesori, lektori, moralisti, Laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Eli Vizel. Autori i më se 40 veprave të shquara letrare dhe dy memuareve me titull “Të gjithë lumenjtë derdhen në det” dhe “Dhe deti nuk mbushet kurrë”, ishte ndoshta një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, por jo vetëm aq. Sipas Presidentit Obama ishte “Një nga zërat e mëdhenj moral të kohës sonë “. Si i mbijetuar i Holokaustit, e përdori të gjithë jetën e tij për mbajtjen gjallë të kujtesës së krimeve të kryera ndaj popullit hebre, me qëllimin kryesor mospërsëritjen më të ngjarjeve të tilla.

***

Në mbyllje të shekullit XX, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, nisur kryesisht nga parime morale, kishin thyer indiferencën dhe kishin filluar prej disa ditësh bombardimet ajrore në Serbi, për ta detyruar atë t’i jepte fund agresionit dhe masakrave në Kosovë, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, Presidenti Klinton dhe e shoqja e tij, Znj. Hilari Klinton, organizuan disa mbrëmje leksionesh për ngjarjet që ndodhën në shekullin që shkoi, për mësimet që duheshin nxjerrë prej tyre dhe për sfidat e shekullit apo mijëvjeçarit që po vinte. Në këto veprimtari, çdo mbrëmje ishte i ftuar një personalitet i kulturës apo politikës, i cili mbante një leksion mbi një temë të caktuar dhe pastaj pjesëmarrësit diskutonin rreth asaj teme. Në mbrëmjen e shtatë, më 12 prill të vitit 1999, ishte thirrur Eli Vizeli. Ai, nisur nga përvoja personale,  mbajti një leksion për indiferencën, si një dukuri që është shfaqur dendur dhe negativisht gjatë shekullit që shkoi, për pasojat e saj dhe për mundësitë e rishfaqjes në të ardhmen. Fjalimi i tij kishte për qëllim të tregonte se dhuna manifestohet, vepron dhe triumfon kur diktatorët dhe agresorët shohin se veprimet e tyre shoqërohen me indiferencë nga të tjerët, por dështojnë me siguri, kur në vend të indiferencës, në vend të heshtjes, vepron aktivisht solidariteti njerëzor kundër tyre.

Për Eli Vizelin, indiferenca, heshtja, është nëna  e shumë të këqijave. Ai ka folur dhe e ka trajtuar shpesh atë dukuri. Dikur pat thënë:  “E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca; e kundërta e artit nuk është shëmtimi, është indiferenca; e kundërta e besimit nuk është herezia, është indiferenca; e kundërta e jetës nuk është vdekja, është indiferenca”.  Dhe në një rast tjetër, për të vënë në dukje qëndrimin e tij mospajtues ndaj indiferencës dhe heshtjes, ka thënë: “Betohem se nuk do të hesht asnjëherë dhe kudo, kur dhe ku do të shoh që mundohen e poshtërohen qeniet njerëzore. Ne gjithnjë duhet të mbajmë anë. Neutraliteti ndihmon agresorin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon dëmtuesin, kurrë të dëmtuarin”.

Eli Vizeli mendon se është detyrë shumë e rëndësishme e gjeneratës së re të solidarizohet me të dobëtit, me të persekutuarit, me të braktisurit, me të vetmuarit, me të sëmurët, me të dëshpëruarit. Nga ana tjetër, për të luftuar të keqen, jo vetëm duhet të shmangim indiferencën, por edhe harresën. Ai thotë: “Mrekullohem me aftësinë e popullit hebre për t’i bërë ballë fatkeqësisë. Karakteristika më e mirë  e tij është dëshira për të kujtuar. Asnjë popull tjetër nuk e sheh kujtesën në mënyrë më obsesive se ai.”

Në fjalën e paraqitjes që Hilari Klinton i bëri atë natë Vizelit, tha: “Më se një vit më parë, pyeta  Elin nëse dëshironte të merrte pjesë në këto “Leksione të  Mijëvjeçarit”… Nuk mund të më shkonte kurrë ndërmend atëherë se, kur të vinte koha dhe ai të qëndronte në atë vend dhe të reflektonte për shekullin e shkuar dhe për atë të ardhshmin, do të shihnim fëmijët e Kosovës të ngjeshur në trena, të ndarë nga familjet, të larguar nga shtëpitë; me fëmijëri, me kujtesë e me humanizëm të grabitur. Është diçka që na bën të gjithëve të ndalemi dhe të reflektojmë, ashtu siç do të bëjmë  këtë  mbrëmje. Si mund të ndodhte edhe një herë kjo në fund të këtij shekulli?”.

Hilari tha se nga e shkuara nuk duhen parë dhe përmendur vetëm arritjet, por sidomos të metat, dështimet; se nuk duhen parë vetëm ato që na bëjnë krenarë, por edhe ato që na turpërojnë. Nga ai shekull duhet të nxirret mësimi se, kur kërcënohet dinjiteti i njërit, kërcënohet dinjiteti i të gjithëve.

Në fjalën e tij, Eli Vizel, ndërmjet të tjerave, tha:

“Z. President, Znj. Klinton, anëtarë të Kongresit, Ambasadori Holbruk, dinjitarë, miq:

“Dyzet e pesë vjet më parë, një djalë i ri hebre, nga një qytet i vogël  në Malet Karpate, jo larg Vaimarit të dashur të Gëtes, u zgjua në një vend të turpit të përjetshëm që quhej Buhenvald. Ai djalë, më në fund, u çlirua por, megjithatë, nuk ndjeu gëzim dhe mendoi se nuk do të ndiente kurrë. I çliruar… nga ushtarët amerikanë, ai kujton tronditjen që shfaqën ata për ato që panë. Ai…, do t’u ishte për jetë mirënjohës atyre ushtarëve… për dhembshurinë që treguan. Edhe pse nuk u kuptonte gjuhën, sytë e tyre i tregonin atij ato që duhet të dinte: se ata, po ashtu si ai, do të kujtonin dhe do të dëshmonin.

“Dhe tashti, unë qëndroj para jush, Z. President, Kryekomandant i Ushtrisë që më çliroi mua dhe dhjetëra mijëra të tjerëve, plot mirënjohje të thellë e të qëndrueshme për popullin amerikan. Mirënjohja është një fjalë që unë e kam për zemër, mirënjohja është ajo që përkufizon humanizmin tek qenia njerëzore. Dhe unë ju jam mirënjohës ju,… Znj. Klinton, për ato që thatë dhe për ato që po bëni për fëmijët në këtë botë, për të pastrehët, për viktimat e padrejtësisë, për viktimat e fatit dhe të shoqërisë. Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte këtu.

“Jemi në prag të shekullit të ri, të mijëvjeçarit të ri. Çfarë trashëgimie po na le shekulli që po shkon? Si do të kujtohet ai në mijëvjeçarin e ri?  Sigurisht ai do të gjykohet dhe do të gjykohet rreptë, në terma morale dhe metafizike. Dështimet e tij kanë hedhur një hije të zezë mbi njerëzimin: dy luftëra botërore, luftëra civile pa fund, një varg i pakuptimtë vrasjesh: Gandi, dy vëllezërit Kenedi, Martin Luter Kingu, Sadati, Rabini, masakra në Kamboxhia dhe Algjeri, në Indi dhe Pakistan, në Irlandë dhe Ruanda, në Eritre dhe Etiopi, në Sarajevë dhe Kosovë, shtazëri në gulage dhe tragjedi në Hiroshima. Dhe, sigurisht, në një tjetër nivel, në Aushvic dhe në Treblinka. Kaq shumë dhunë, kaq shumë  indiferencë!

“Ç’është indiferenca? Etimologjikisht, fjala do të thotë ‘të mos jesh ndryshe, të mbetesh njëlloj apo, të qëndrosh mënjanë, të shohësh punën tënde.’ Një gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme në të cilën zbehet linja ndarëse midis dritës dhe errësirës, midis perëndimit dhe lindjes, midis krimit dhe ndëshkimit, midis mizorisë dhe dhembshurisë, midis së mirës dhe së keqes. Si do të jetë e ardhmja e saj dhe cilat do të jenë pasojat e pashmangshme të saj?… A mund të shihet indiferenca si virtyt? A është i nevojshëm praktikimi i saj në disa raste: për të mos u dëmtuar, për të jetuar normalisht, për të shijuar një të ngrënë të mirë dhe një gotë verë, ndërkohë që bota provon kataklizëm?

“Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese, më shumë se aq, tërheqëse. Është shumë e lehtë të largohemi nga viktima. Është shumë lehtë të shmangim ndërprerjet primitive të punës sonë, të ëndrrave tona, të shpresave tona. Është, në fund të fundit, e vështirë, e rrezikshme, të merremi me dhembjet dhe dëshpërimet e tjetrit…

“Në njëfarë mënyre, qenia indiferent ndaj dhembjes së tjetrit, të kthen nga qenie njerëzore në qenie jonjerëzore. Indiferenca, në fund të fundit, është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja. Zemërimi nganjëherë mund të jetë edhe krijues. Dikush, nga zemërimi, mund të shkruajë një poemë të bukur, një simfoni të madhe. Dikush bën diçka të veçantë për hir të njerëzimit, sepse është zemëruar për padrejtësitë që shikon. Por indiferenca nuk është kurrë krijuese…

“Indiferenca është miku i armikut, ajo i shërben agresorit – kurrë viktimës,  dhembja e së cilës zmadhohet kur ndjehet e braktisur. Të  burgosurit politik në qelinë e tij, fëmijës së uritur, refugjatit të pastrehë,  kur nuk ua lehtëson vetminë, kur nuk i përgjigje mjerimit të tyre, duke u ofruar një rreze shprese, i  ke degdisur nga kujtesa njerëzore. Dhe në mohimin e humanizmit për ta, ke tradhtuar humanizmin tënd.

“…Gjatë kohëve më të errëta, brenda getove dhe kampeve të vdekjes … ne u ndjemë të braktisur, të harruar. Kështu thamë të gjithë. I vetmi ngushëllim i mjerë ishte se besonim se Aushvici dhe Treblinka ishin sekrete të ruajtura me rreptësi; se udhëheqësit e botës së lirë nuk dinin se ç’ndodhte përtej atyre portave të zeza dhe telave me gjemba; se ata nuk kishin njohuri për luftën kundër hebrenjve që zhvillonin ushtritë e Hitlerit dhe ndihmësit e tyre… Në qoftë se do të dinin, mendonim ne, me siguri do të kthenin përmbys çdo gjë për të ndërhyrë. … Ata do të kishin bombarduar hekurudhat që të çonin në Birkenau, të paktën hekurudhat, të paktën një herë.

“Dhe tashti ne dimë, ne mësuam, ne zbuluam se Pentagoni e dinte, se Departamenti i Shtetit Amerikan e dinte. Dhe banori i shquar i Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, Franklin Delano Ruzvelt, …mobilizoi popullin amerikan dhe botën, duke hyrë në luftë, duke sjellë qindra mijëra ushtarë të guximshëm e trima për të luftuar fashizmin, për të luftuar diktaturën, për të luftuar Hitlerin. Dhe sa shumë të rinj ranë në ato beteja! Dhe, megjithatë, imazhi i tij në historinë hebreje – duhet ta them këtë – imazhi i tij në historinë hebreje është i njollosur.

“Historia e trishtuar e anijes Shën Luis e tregon këtë. Gjashtëdhjetë vjet më parë, ngarkesa e saj njerëzore – afro një mijë hebrenj – u kthye mbrapsht nga Amerika për në Gjermaninë Naziste. Kjo ndodhi pas “Natës së Kristaleve”, pas pogromit të parë të sponsorizuar nga shteti që nisi me qindra dyqane të shkatërruara, me sinagoga të djegura, me mijëra njerëz të çuar në kampet e përqendrimit. Dhe ajo anije, që tashmë ndodhej në brigjet amerikane, u kthye mbrapsht. Nuk e kuptoj. Ruzvelti ishte njeri i mirë, njeri me zemër. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë. Përse nuk i lejoi këta një mijë njerëz të zbarkonin në Amerikë, në shtetin e madh, në demokracinë më të madhe, në shtetin më bujar të të gjitha kombeve të reja në histori. Çfarë ndodhi? Nuk e kuptoj.

“Por atëherë u gjendën qenie të tjera njerëzore të ndjeshme ndaj tragjedisë sonë. Ata jo hebrenj, ata që ne i quajmë “Fisnikë midis Kombeve”, me akte të vetëmohimit heroik, mbrojtën nderin e fesë së tyre. Përse qenë aq pak ata? Përse pati më shumë përpjekje për të shpëtuar vrasësit SS pas luftës, sesa për të mbrojtur viktimat gjatë luftës? Përse disa nga korporatat më të mëdha amerikane vazhduan të kishin marrëdhënie  me Gjermaninë e Hitlerit deri në vitin 1942? Është menduar dhe dokumentuar se Vermahti nuk do të mund të kryente pushtimin e Francës, pa naftën e siguruar nga burimet amerikane.

“Dhe, megjithatë, miq të mi, edhe gjëra të mira ndodhën në këtë shekull traumatik: mundja e nazizmit, shembja e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokat e të parëve, vdekja e aparteidit, traktati i paqes së Izraelit me Egjiptin, marrëveshja për paqe në Irlandë. Le të kujtojmë takimin, e mbushur me dramë dhe emocion, midis Rabinit dhe Arafatit që ju, Z. President, e bëtë pikërisht në këtë vend. Unë isha këtu dhe nuk do ta harroj kurrë.

“Dhe pastaj, sigurisht, vendimi i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë dhe për të shpëtuar ato viktima, ata refugjatë, ata që u shkulën nga një njeri, për të cilin besoj se për bëmat e tij duhet të përgjigjet për krime kundër njerëzimit.

“Po. Këtë herë, bota nuk heshti. Këtë herë ne u përgjigjëm. Këtë herë ne ndërhymë.

“A do të thotë kjo se kemi nxjerrë mësime nga e shkuara? A do të thotë kjo se shoqëria ka ndryshuar? A është bërë qenia njerëzore më pak indiferente dhe më shumë humane. A kemi nxjerrë mësime nga përvoja? A jemi më të ndjeshëm ndaj vuajtjes së viktimave të spastrimit etnik apo formave të tjera të padrejtësisë në vende të afërta e të largëta? A tregon sot ndërhyrja  e justifikuar në Kosovë, e udhëhequr prej jush, Z. President, një paralajmërim të përhershëm se kurrë më nuk do të lejohet asgjëkund në këtë botë shpërngulja, terrorizimi i fëmijëve dhe i prindërve të tyre? A do të shkurajojë kjo diktatorë të tjerë në vende të tjera për të bërë të njëjtën gjë?…

“Dhe, kështu, edhe një herë, mendoj për atë djalin e vogël hebre nga Malet Karpate që e shoqëroi këtë burrë të moshuar  gjatë gjithë këtyre viteve të hulumtimeve dhe të përpjekjeve me të cilin sot shkojmë drejt mijëvjeçarit të ri më një frikë të madhe, por edhe me një shpresë të jashtëzakonshme.”

A është i nevojshëm praktikimi i indiferencës në disa raste? – pyet Vizeli. Po, në disa raste praktikimi i indiferencës është i nevojshëm dhe përbën virtyt. Vizeli me të drejtë kritikon qëndrimin e atij që mund të veprojë kundër të keqes dhe, megjithatë nuk vepron. Por ka raste kur mosveprimi, indiferenca, është i vetmi mjet që mund t’i kundërvihet të keqes dhe, në këtë rast, ajo përbën një qëndrim pozitiv po aq me vlerë sa edhe kur është e mundshme kundërvënia aktive ndaj saj. Eli Vizeli, po të kishte jetuar brenda totalitarizmit tonë, do të kishte parë se edhe ai regjim e luftonte indiferencën, por e luftonte sepse në vend të saj kërkonte pjesëmarrje, entuziazëm, entuziazmin për të keqen, entuziazmin për krimin. Vizeli, me siguri, do të kishte kuptuar se e vetmja armë që mund të përdorje deri diku ndaj atij regjimi ishte indiferenca, pasi kundërvënia aktive ndaj tij ishte e pamundur, se ajo kishte për pasojë zhdukjen në çast të kundërvënësit. Në atë regjim kanë qenë fare të paktë ata që nuk u bashkuan në korrin kolosal të entuziastëve groteskë, të lajkatarëve dhe dallkaukëve. Në atë regjim pati fare pak prej atyre që mbetën larg joshjeve dhe favoreve të tij, të atyre që nuk bashkëpunuan me të dhe që përbënë gati të vetmit kundërshtarë të ndërgjegjshëm të tij. Po të ishin më të shumtë ata, indiferenca do të kishte ndihmuar në zbutjen e një të keqeje dhe do të paraqitej si një e mirë reale, njëlloj si mosindiferenca apo si solidariteti që ka parasysh Eli Vizeli për botën e lirë.

Pas leksionit të Eli Vizelit, Presidenti Klinton tha se e keqja mund të parandalohet duke qenë aktivë, duke qenë syhapur, duke mposhtur indiferencën. Përkrahja që i bëri bota veprimeve të NATO-s në Kosovë e dëshmoi këtë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës komuniteti hebre, komunitet që kishte provuar vetë persekucione të ngjashme, komunitet që ishte më i ndjeshmi ndaj historisë dhe që nuk harronte lehtë, u tregua më i zjarrti në përkrahjen e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Nju Jork , korrik, 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eli Vizel (Elie Wiesel), Ilir Hashorva, Indiferenca si mëkat

Shfrytëzimi i fotografisë

June 30, 2016 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA-New York/

U dha lajmi se një shqiptar në SHBA në vitin 2012, kishte dhënë për fushatën presidenciale amerikane një shumë prej 80000 dollarësh në favor të Obamës, të cilat ia kishte dhënë Edi Rama. Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi, Presidenti Obama bëri një fotografi me Edi Ramën.

Ishte maj i vitit 2013. Zhvillohej fushata zgjedhore në Shqipëri. Në tubimin e madh të zhvilluar në Tiranë, për të paraqitur kandidatët për deputet, PS-ja solli dy risi:  fotografinë, në të cilën paraqitej Edi Rama në një takim me Presidentin Obama, dhe koncertin e përbashkët festiv të kandidatëve për deputetë dhe popullit. Në atë kohë, për këtë ngjarje, unë bëra një copë shkrim i cili, me disa ndryshime fare të vogla, ishte ky:

Çdo kandidat për deputetë, duke përfshirë edhe Edi Ramën, kishte zë s’kishte zë, këndoi solo një copë të këngës së zgjedhur enkas për atë ditë. Disa dashakeqë e quajtën këtë mënyrë të kënduari dhe atë shfaqje aheng. Ndofta këta nuk e dinë se në botë pjesëmarrja e udhëheqësve në gëzime popullore është gjë e zakonshme. Mjafton të përmendim këtu pjesëmarrjen e Putinit, Xhorxh W. Bushit, të dy princërve britanikë, Uiliam dhe Heri, e të tjerë, e të tjerë që bashkohen me masat në një gëzim të përbashkët dhe kërcejnë e këndojnë, apo siç thuhet sot: përformojnë bashkë me to, për t’i dhënë gjallëri atij gëzimi. Masat i vlerësojnë udhëheqësit që shkrihen me to.

Por risia më e madhe e atij tubimi ishte fotografia që Edi Rama kishte bërë me Presidentin Obama nja një vit më parë dhe që u ruajt me kujdes për t’u zbuluar tashti. Në fotografi të treguar në një ekran të stërmadh elektronik, paraqitej Edi Rama tek bisedonte me Presidentin Obama. Të dy dukeshin të qeshur e të gëzuar, të dy kishin tokur duart, të dy dukeshin se ishin në pajtim të plotë, apo, siç thuhet tashti, ishin dakordësuar. Edhe për fotografinë thanë se nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë, se është diçka e zakonshme që udhëheqësit bëjnë fotografi të tilla, jo vetëm me udhëheqës të tjerë, por edhe me njerëz fare të zakonshëm. Unë nuk jam i atij mendimi, dhe ja sepse.

Po kalojmë nja 30 vjet më parë, në kohën kur po zhvillohej fushata e madhe e tufëzimit, fushatë që populli shqiptar e priti “me gëzim të madh”, ashtu sikurse kishte pritur  dhe çdo fushatë tjetër të Partisë. Të gjithë, fshatarë e qytetarë, ose duhej t’i thernin bagëtitë private, ose duhej t’i bashkonin ato në tufat kooperativiste. Prona private ishte e rrezikshme dhe ajo duhej zhdukur. Të mbaje, jo një lopë, por edhe një pulë, do të thoshte të kishte tendenca kapitaliste, do të thoshte  të mbaje të ndezur frymën e kapitalistit. Megjithatë, tek tuk, kishte edhe nga ata që nuk iu bashkuan menjëherë asaj fushate madhështore, e cila do të çlironte njeriun nga varfëria dhe do ta drejtonte nga bollëku dhe nga kultura.

Tregohej në formë shakaje, por mund të ketë qenë e vërtetë se, në këtë kohë, aty nga fillimi i viteve 1980, në një fshat në Lezhë, një familje mbante ende një derrkuc të fshehur. Organizata e frontit e fshatit dhe veprimtarët e saj, nuk mund të pranonin që në fshatin e tyre, ndryshe nga fshatrat e tjerë, të kishte edhe një familje me tendenca kapitaliste dhe i bënë një kontroll të befasishëm asaj familjeje e cila dukej se e kishte nuhatur kontrollin dhe kishte marrë masat e saj. Kontrolli u bë, u kontrollua çdo vrimë e shtëpisë, por nuk u gjet gjë. Organizata e atij fshati deklaroi me mburrje se në fshatin e tyre nuk kishte më gjë të gjallë private. Ç’kishte ndodhur? Burrat e shtëpisë që mbante derrkucin, i kishin dhënë derrkucit raki, e kishin dehur, e kishin vënë në gjumë dhe një nga nuset e shtëpisë e kishte vënë në djep, e kishte mbuluar dhe kur veprimtarët e frontit u futën në dhomën ku nusja po tundte djepin dhe po këndonte një nina-nana, ajo ua bëri me shenjë që të mos lëshonin zë, se po i zgjonin fëmijën. Kështu, derrkuci shpëtoi, shpëtoi dhe familja. E paraqita këtë rast për të kuptuar atmosferën absurde dhe të rrezikshme të kohës kur do të zhvillohet ngjarja që do të tregoj më poshtë.

Punoja në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave. Qendra ime ishte tek ai që quhej Observatori i Institutit dhe që ndodhej ngjitur me klubin e futbollit “Partizani”. Ishte një ndërtesë dy katëshe që kishte një oborr të bukur përpara dhe një kopsht mjaft të madh anash dhe mbrapa në të cili kryheshin matje e eksperimente të ndryshme meteorologjike e hidrologjike. Kur shkova para tri vjetësh për ta vizituar, kopshti ishte tkurrur dhe shkretuar, kurse sot nuk ekziston fare. E mori me vete demokracia, ashtu siç mori edhe vetë Akademinë e Shkencave dhe institutin tonë me gjithë ndërtesa e njerëz. Në atë kohë, oborri dhe kopshti mbaheshin mirë, ishin gjithë bar e lule. Një herë apo dy herë në vit, bari korrej dhe i shitej një ndërmarrje komunale që i nevojitesh si ushqim për kuajt që kishte.

Në njëfarë kohe na erdhi si rojë një ish-polic. Azbi quhej. Azbiu, rrinte që rrinte në atë kopsht të bukur e plot bar, mori edhe një dele dhe e kulloste aty. Pas pak kohe delja i mbeti me barrë dhe Azbiu u gëzua. Do të merrte edhe një qengj prej saj. Gëzimi i Azbiut zgjati pak. Fronti Demokratik i lagjes, si gjithnjë vigjilent, mori vesh se Azbiu mbante një dele. Një ditë i shkoi dhe e urdhëroi ta therte delen, përndryshe Azbiu do të kthehej në kapitalist dhe mund të pushohej edhe nga puna. Azbiu nuk ia bëri dysh fjalën Frontit dhe Partisë. Ai e theri delen. Siç na tha, nuk i erdhi keq që humbi delen, por, se mishi i deles me barrë nuk hahej dhe shkoi dëm. Prej deles, Azbiu fitoi vetëm 100 lekë nga shitja e lëkurës.

Po në këtë kohë, vinte dhe fuste nja 7-8 dele në kopshtin tonë edhe një person që tha se ishte nga Kukësi, një prej atyre që me dashakeqësi dikur quheshin “dru me pre”. Emrin nuk ia mbaj mend, por po e quaj Zylfi. Zylfiu jo vetëm që fuste në kopsht delet për t’i kullotur, po na vinte edhe brenda në laboratorë dhe na tregonte për jetën e tij. Një ditë e pyetëm se si ishte puna që Azbiu kishte vetëm një dele, një dele me barrë, dhe Fronti e detyroi të therte, ndërsa atij që kishte disa dele nuk i thoshte asnjë fjalë. Pa e zgjatur, Zylfiu zbërtheu xhaketën, e hapi, futi dorën në një xhep të madh të qepur mbi astar dhe nxori prej tij një fotografi të madhe me kornizë dhe me xham. “E shikoni këtë, – na tha –  kjo m’i zgjidh problemet mua”. Pamë komandantin, Shokun Enver, që kishte tokur duart me një person në spital, në shtrat, tek bisedonin të dy të gëzuar.

“Ç’është kjo?” – e pyetëm.

“Ky është Shoku Enver dhe ky tjetri jam unë, Zylfiu. Jemi pas provokacioneve greke të gushtit të vitit 1949. Unë kam qenë ushtar në atë kohë, mora pjesë në luftë  dhe u plagosa. Shoku Enver erdhi e më takoi në spital. Më pyeti se si isha dhe unë i thashë se, gjersa kishim mirë Shokun Enver të gjithë ishim mirë. Biseda qe shumë e përzemërt dhe miqësore. Më pyeti për familjen dhe unë e pyeta për partinë. ‘E kemi të shëndoshë partinë,’ – më tha. Nuk na i marrin dot fitoriet as armiqtë e brendshëm, as armiqtë e jashtëm, përderisa të kemi djem si ju.’ ‘Partia në ballë, populli në këmbë!’ – iu përgjigja unë zjarr për zjarr. ‘Ashtu de, të lumtë! – më tha – Dëgjo këtu, se njerëz jemi e jetë është kjo, po të kesh ndonjë hall, e di ku më gjen’. ‘Faleminderit, Shoku Enver’. Kështu u ndamë me Komandantin. Takimi u fotografua dhe pas ca ditësh persona të dërguar prej Shokut Enver ma dhuruan këtë fotografi të cilën e mbaj gjithnjë me vete.”

“Po, – e pyetëm ne – shkove ndonjëherë te Shoku Enver për ndonjë hall?” “Përse të shkoja, të gjitha hallet mi zgjidhte fotografia. Kudo që shkoja, u tregoja fotografinë dhe punët më zgjidheshin. Nuk pati asnjë që të më kundërshtonte”.

E pra, kjo është forca e fotografisë, kur di ta shfrytëzosh. Thonë se një fotografi, vlen sa për 1000 fjalë. Unë, kur pashë Edi Ramën që kishte dalë në fotografi me Barak Obamën, besova se fotografia vlente edhe më tepër dhe u binda, si edhe të tjerët, se Edi Rama kishte një mik për kokë në Uashington.

Zylfiu nga Kukësi e kishte kuptuar këtë para të gjithëve. Të tjerët, edhe pse udhëheqës, e kuptuan më pas.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Ilir Hashorva, Shfrytëzimi i fotografisë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT