• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fan Noli për Faik Konicën…

September 18, 2015 by dgreca

Nga Ilir Ikonomi /
 ” E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar.
11232988_10153557790845138_5115486701427496064_n.jpg

… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja nnjë mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën.
Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjesht mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.
Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.
Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.
Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.
Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kiste parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.
Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.
Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.
Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.
Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.
Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.
Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.
Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.
Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.
Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.
Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.
Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.”

 

Filed Under: Vatra Tagged With: fan noli, Ilir Ikonomi, per Faik Konicen

Shqipja e ngrirë në kohë

July 16, 2015 by dgreca

Këto janë fotografi të nxjerra nga dorëshkrimi i famshëm i Kieutit (Chieuti), shkruar në gjuhën arbëreshe nga një prift rreth 300 vjet më parë. Ai përmban tekste fetare, poezi laike dhe këngë popullore në gjuhën, që pak a shumë duhet të jetë shqipja siç flitej në kohën e Skënderbeut.
Shihni fjalët shqipe të përdorura në atë kohë, që kanë ardhur brez pas brezi deri tek ne. Të ngjallin një dëshirë të madhe për ta ruajtur gjuhën tonë të pastër, me fjalët e saj të lashta dhe për të mos e përzier e bastarduar për t’u dukur interesantë.
Dorëshkrimi u zbulua 100 e ca vjet më parë nga prof. Michele Marchiano dhe u botua prej tij më 1908, në Foggia të Italisë. Deri kohët e fundit ai ruhej në Itali si pjesë e koleksionit të prof. Namik Resulit dhe për të kujdesej e bija e tij, Senije.
Me ndërhyrjen e arkivistit Bejtullah Destani në Romë, kodiku iu dhurua të mërkurën Bibliotekës së Vatikanit. Destani më tha se në këtë bibliotekë ruhen disa nga dorëshkrimet më të vjetra shqiptare dhe se ky është vendi më i sigurt për të depozituar shkrime kaq të rralla të shqipes. Scripta manent.(Ilir Ikonomi fb)

Filed Under: Histori Tagged With: Ilir Ikonomi, Shqipja e ngrirë në kohë

NOLI ME 1932 në bordin e anijes S.S. New York

July 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI/
Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. New York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. E kisha parë këtë foto të botuar me dimensione fare të vogla në gazetën Hayward Daily Review, por më në fund gjeta origjinalin dhe tani e kemi me përmasa të plota.
Vini re tiparet karakteristike – vetullat e trasha e të harkuara, fytyrën vrarëlije dhe sidomos buzëqeshjen e zgjuar që ndriçon pamjen e përgjithshme të këtij njeriu të ditur.
Noli, ish-Kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Ellis Island, ishulli nga ku aso kohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberty, ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në SHBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Richard Wigglesworth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit Rollins të Floridës. Holt i shkroi Sekretarit të Shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës. Në Ellis Island u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit.
Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull.
Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.
Fan S. Noli kishte patur një jetë të pazakontë mes Evropës dhe Amerikës. Për herë të parë erdhi në SHBA në vitin 1906, u bë prift, themeloi kishën shqiptare dhe u diplomua nga Universiteti Harvard. U largua për në Evropë në fund të vitit 1912 dhe u kthye në Amerikë më 1915. Më 1920 shkoi përsëri në Shqipëri, ku u bë deputet dhe kryeministër. U rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, u end nëpër Evropë 10 vjet me radhë, deri sa u vendos përfundimisht në SHBA. Vazhdoi të merrej me përkthime e me shkrime, të cilat i dhanë famë, ndoshta më shumë se sa punët e kishës dhe të politikës. Vdiq më 13 mars 1965.
Çfarë jete!(Ilir Ikonomi Facebook)

Filed Under: Histori Tagged With: 1932, Fan S Noli, Ilir Ikonomi

Ilir Ikonomi- një portret te gazetës austriake per Isa Buletinin, 104 vjet më parë

June 10, 2015 by dgreca

-Gazetarët e huaj e quanin privilegj të bisedonin me Isa Boletinin. Një korrespondent, i cili e kishte takuar Isën në kullën e tij në Boletin, na jep një përshkrim të shkurtër që e gjeta në gazetën e Vjenës, Neue Freie Presse, të 6 prillit 1911. Në atë kohë, malësia e Mbishkodrës ishte përfshirë nga revoltat kundër xhonturqve. Përpara kësaj, revoltat kishin tronditur Kosovën dhe emri i Isa Boletinit përmendej në gazetat e mëdha. Vendosa ta përkthej këtë artikull, sepse korrespondenti e përshkruan Isën thjesht dhe pa ato fjalët e mëdha që lexojmë shpesh për të.
___________
Në kohën e regjimit të Abdyl Hamitit, Isa Boletini jetonte në kullën e tij pranë fshatit Boletin dhe për të arritur atje, duhet të ecje nëpër një shteg fare të ngushtë. Kulla ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, deri në një metër të gjerë dhe ngrihej mbi një kodër, në këmbën e së cilës rrjedh lumi Ibër. Kanatat e dritareve ishin prej pllakash të trasha hekuri dhe krejt kulla kishte një pikë vëzhgimi, prej nga mund të shihje si në pëllëmbë të dorës vendin rreth e qark. Nga kjo fortesë, Isa Boletini vëzhgonte gjithçka dhe, kur kërcënohej nga ndonjë rrezik, mjaftonte të shtinte një herë me pisqollë në ajër, që shqiptarët të rrëmbenin armët.
Për mendësinë tonë, Isa Boletini mund të konsiderohet si një grabitës ose vrasës, por për shqiptarët ai është njeri me një mision të shenjtë, i cili nuk ka bërë tjetër përveçse detyrën si shqiptar, sepse ka marrë hakun e të vëllait, kunatit dhe disa të afërmve të vrarë.
Isa Boletinit i ndalohej hyrja në Mitrovicë, e megjithatë të paktën dy herë në javë njerëzit kishin rast ta shihnin zotërinë nga Boletini në rrugët e qytetit, hipur mbi kalin e tij arab. Mbante jelekun e shkurtër tipik shqiptar të qendisur me fije ari, ndërsa në brezin e gjerë ngjeshte një pisqollë të madhe me dorezë argjendi. Në qafë varte një martinë, edhe kjo plot me stolisje argjendi. Vazhdimisht rrethohej nga 40-50 burra, që të gjithë të armatosur deri në dhëmbë, disa që ecnin në këmbë e të tjerët mbi kuaj.
Në Mitrovicë turqit kanë një garnizon ushtarak, por askush nuk guxonte ta shqetësonte këtë burrë të respektuar.
Një ditë të bukur, Isa Boletini u bë mik me Sulltan Abdyl Hamitin, i cili i dhuroi një mulli dhe i caktoi një pagë mujore prej 50 lirash. Isa jetoi ca kohë në paqe me rrogën e qeverisë turke, por me rivendosjen e Kushtetutës në vitin 1908, të ardhurat e tij u shterën me shpejtësi, sepse qeveria nuk e paguante më dhe mulliri iu mor.
Mund të kuptohet kësisoj se përse Isa Boletini nuk është shumë miqësor me regjimin e ri turk. Ai nisi një propagandë antiturke dhe u shpall i jashtëligjshëm. Disa batalione turke shkuan për të sulmuar kullën e tij, mirëpo u sprapsën me humbje të rënda. Pas kësaj, kulla u rrafshua me top, por Isa Boletini kishte ikur dhe thuhet se ishte plagosur rëndë. Ai u tërhoq në pronat e veta në Pejë dhe kur filluan revoltat e shqiptarëve doli përsëri në skenë si luftëtar. Pas shtypjes së revoltave, Isa u tërhoq në Mal të Zi, por hyri disa herë në territoret shqiptare për të përgatitur kryengritjen. Të gjitha përpjekjet e turqve për ta dobësuar fuqinë e tij dështuan.
Isa Boletini është 45 vjeç, ka trup të gjatë dhe të derdhur, fytyrë të zbehtë dhe sy të zinj e melankolikë. Kur flet për familjen e tij, që është vrarë thuajse e gjitha për lirinë shqiptare, ai trishtohet dhe bie në mendime. Ka një djalë, të cilin e do shumë dhe e ngushëllon në heshtje.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Ikonomi, Isa Boletini, New Freie Presse, portret

FOTO E RRALLE E FAN S. NOLIT E VITIT 1932

May 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI/*
Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. New York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. E kisha parë këtë foto të botuar me dimensione fare të vogla në gazetën Hayward Daily Review, por më në fund gjeta origjinalin dhe tani e kemi me përmasa të plota.
Vini re tiparet karakteristike – vetullat e trasha e të harkuara, fytyrën vrarëlije dhe sidomos buzëqeshjen e zgjuar që ndriçon pamjen e përgjithshme të këtij njeriu të ditur.
Noli, ish-Kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Ellis Island, ishulli nga ku aso kohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberty, ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në SHBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Richard Wigglesworth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit Rollins të Floridës. Holt i shkroi Sekretarit të Shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës. Në Ellis Island u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit.
Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull.
Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.
Fan S. Noli kishte patur një jetë të pazakontë mes Evropës dhe Amerikës. Për herë të parë erdhi në SHBA në vitin 1906, u bë prift, themeloi kishën shqiptare dhe u diplomua nga Universiteti Harvard. U largua për në Evropë në fund të vitit 1912 dhe u kthye në Amerikë më 1915. Më 1920 shkoi përsëri në Shqipëri, ku u bë deputet dhe kryeministër. U rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, u end nëpër Evropë 10 vjet me radhë, deri sa u vendos përfundimisht në SHBA. Vazhdoi të merrej me përkthime e me shkrime, të cilat i dhanë famë, ndoshta më shumë se sa punët e kishës dhe të politikës. Vdiq më 13 mars 1965.
Çfarë jete!(Marre nga Facebooku)

Filed Under: Histori Tagged With: e Nolit, foto e rralle, Ilir Ikonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT