Instituti i Historisë
Instituti i Historisë mbyll ciklin me 4 vëllime “Dokumente mbi indoktrinimin komunist përmes kulturës letërsisë dhe arteve” përmbledh dokumente të periudhës 1945-1985 mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien në Shqipëri dhe realizuar me mbështetje dokumentare nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Lidhur me vellimin e fundit 1977-1984 merr vlerë fakti se ndonëse Shqipëria e asaj periudhe kishte krijuar tashmë një mekanizëm horizontal kulturor, me shtëpi kulture, biblioteka, muze dhe elementë të tjerë në pothuajse në të gjithë vendin, të dhënat zyrtare tregojnë se fokusi i tyre thelbësor ishte sistemi horizontal i propagandës dhe kontrollit.Në mënyrë simbolike, situata e ndërhyrjes së thellë në çdo element të lirisë dhe ndjesisë krijuese del në pah në dokumentet e ofruara në këtë vëllim që kanë të bëjnë me kritikat ndaj krijimtarisë së shkrimtarëve të njohur apo akuzave për ndikime të jashtme muzikore tek disa prej kompozitorëve më të njohur të kohës. Botimi ofron fakte domethënëse që publikohen për herë të parë, në funksion të njohjes dhe kuptimit më të mirë të mekanizmit të censurës, kontrollit dhe indoktrinimit edhe të elitës kulturore të kohës. Në këtë vëllim, jo ratësisht, i është lënë vend edhe shkrimtarit Ismail Kadare dhe krijimtarisë së tij, ku zyrtarë të lartë të PPSH, të propagandës, por edhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të institucioneve të tjera, angazhohen intensivisht dhe me gjuhë të ashpër për të ndaluar botimin e disa prej krijimeve të tij. Akuzat se novela “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “është në themel e gabuar ideologjikisht” nuk vijnë vetëm nga drejtuesit fanatikë të propagandës, por edhe emra të njohur të letërsisë dhe artit brenda Lidhjes. Gjuhë të njëjtë kritike, refuzuese për botim dhe me apel që Kadare të thellohet dhe të formohet më mirë ideologjikisht, u përdor edhe në rastin e romanit “Gjakftohtësia”, për skenarin e filmit “Pasha Liman” (Ballë për ballë), ku autori kritikohej se nuk ka krijuar figura punëtore frymëzuese, nuk ka nxjerrë në pah sa duhet vlerat e shoqërisë socialiste, apo se përse i referhet qytetërimit evropian.Të gjitha vëllimet ndodhen në stendën e Panairit 2021 të Institutit të Historisë / Akademia e Studimeve Albanologjike.