LAS VEGAS (SHBA) – Drejtuesi i kompanisë ”Sony”, Kazuo Hirai falenderoi sot të gjithë ata që kanë mbështetur grupin e tij dhe kanë mundësuar publikimin e filmit “Intervista që vret!”, rrezikuar nga një sulm informatik masiv në fund të muajit nëntor kundër studios ”Sony Pictures”.
“Liria e fjalës, liria e shprehjes, liria e asocimit, janë kriteret bazë të ”Sony”-t dhe industrisë tonë të argëtimit”, theksoi ai në një konferencë shtypi një ditë para hapjes në Las Vegas të sallonit të përvitshëm elektronik publik ndërkombëtar CES.
“Ne jemi krenarë për partnerët që kanë qenë kundër përpjekjeve kriminale që kanë goditur ”Sony”-n”, shtoi Hirai, i cili foli për herë të parë publikisht për këtë çështje.
Pas një sulmi të rëndë informatik në fund të muajit nëntor, kompania ”Sony Pictures” anuloi daljen e filmit “Intervista që vret!”, që tregon një përpjekje për vrasjen e liderit koreano-verior, Kim Jong-Un nga CIA.
”Filmi është projektuar tashmë në 580 kinema të pavarura në SHBA dhe është i disponueshëm në disa shërbime video me kërkesë”, sipas Hirait.
“Dëshiroj të falenderoj të gjithë partnerët që e mundësuan këtë, media që ka mbështetur daljen e këtij filmi dhe ata që e kanë ndjekur këtë film”, shtoi ai.
Presidenti amerikan, Barack Obama premtoi disa javë më parë se SHBA-ja do të reagonte kundër Koresë së Veriut për sulmin më të rëndë kibernetik të kryer ndonjëherë në territorin amerikan, gjë që Pheniani e ka hedhur poshtë menjëherë.