PRISHTINË, 7 Tetor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Nxitjen e Investimeve në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi i miratuar obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të zhvilloi negociatat me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për finalizimin e kësaj marrëveshjeje në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Aprovimin e Qeverisë e ka marrë edhe propozimi i Ministrisë së Drejtësisë që t’i rekomandohet Presidentit të Republikës së Kosovës dhënia e autorizimit për ministrin e Drejtësisë për të nënshkruar Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile dhe Tregtare me Shqipërinë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka mbajtur sot pasdite mbledhjen e 34-të me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar rregullore dhe vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Hoti ka njoftuar se dje ka pranuar Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian, i cili evidenton progresin në të gjitha fushat si dhe sfidat në funksionimin dhe zhvillimin e përgjithshëm në shoqërinë tonë. Raporti konfirmon se Kosova vazhdon t’i mbaj të plotësuara të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe thekson vlerësimin pozitiv të Qeverisë së Kosovës për sigurinë, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon. Kryeministri Hoti ka theksuar se ai tashmë ka filluar diskutimin për të adresuar të gjitha sfidat e evidentuara në raport.