Me rastin e 112 Vjetorit të Mitingut të Bostonit në Përkrahje të Kryengritjes së Kosovës.
Mitingu i 13 Majit 1910 në Boston miratoi Rezolutën e hartuar Nga Faik Konica dhe përkrahur nga Imzot Noli, e cila dënonte krimet e ushtrisë turke ndaj grave dhe fëmijëve.
- Rezoluta kërkoi Autonominë e Shqipërisë të drejtuar prej Kryekapedanit Isa Boletini-
- Përveç shqiptarëve në mitingun-portestë morën pjesë amerikanë, armenë, sirianë, grekë, arumunë etj…
NGA DALIP GRECA
Gazeta”Dielli” mbetet regjistri më i vjetër dhe më i saktë që ka regjistruar dhe regjistron historinë e shqiptarëve të Amerikës. Brezi i sotëm i shqiptaro-amerikanëve, e ka për detyrë të njohë historinë e paraardhësve të vet, për t’u bërë i vetëdijshëm për detyrimet ndaj Atdheut dhe Kombit.
Përmes Diellit shqiptarët e parë që shkelën Tokën e Lirisë, mësuan jo vetëm të shkruanin e të lexonin, por edhe të mësonin ABC-në e patriotizmit. Si organ i Shoqërisë Kombëtare Besa-Besë nga 15 Shkurti i vitit 1909 e deri me 28 Prill 1912, kur u bë organ dhe zë i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA” e në vijim, gazeta i edukoi dhe vazhdon t’i edukojë lexuesit e saj me dashurinë dhe detyrimet ndaj Kombit.
Ishte fat për gazetën dhe lexuesit që në krye të saj ishin drejtues të kalibrit të Fan S. Nolit dhe Faik Konicës, që për kohën ishin intelektualisht më të zëshmit. Noli vijoi traditën që krijoi tek KOMBI së bashku me themeluesin Sotir Peci, ndërsa Faik Konica, e ngriti më lart nivelin e gazetës duke u diktuar shqiptarëve të Amerikës një ritëm të ri në luftën për çështjen Kombëtare.
Ai u diktoi shqiptarëve idënë e bashkimit.Shembullin e dha në Shkurt të vitit 1910, ku nxiti dhe u bë dëshmitar i bashkimit të dy shoqatave të fshatit Dardhë ” Mirëbërse” dhe”Patriotike” të cilat u shkrinë në një dhe në këtë shembull, krijuan Lidhjen e Përbashkët. Konica ishte i pranishëm të Dielën e 24 Prillit 1910, kur të dyja shoqëritë votuan bashkimin në Vëllazërinë Dardhare.
Ishte kjo ide që dy vjet më vonë, me 28 Prill 1912 çoi në krijimin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”.
KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910 NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”
Gazeta Dielli, përmes informacioneve nga atdheu,përmes përkthimeve të gazetave angleze, amerikane, franceze, i mbante shqiptarët e Amerikës të lidhur me zhvillimet në hapsirat etnike dhe u apelonte atyre për detyrat që u dilnin. Kështu ndodhi edhe gjatë vitit 1909-1910, ku Xhon turqit kishin zhgënjyer me mosmbajtjen e premtimeve dhe shqiptarët ishin hedhur në Kryengritje, veçanërisht në Kosovë. Dielli sillte në faqet e veta informacione, botonte artikuj, kryeartikuj nga shtypi i huaj që i referoheshin ngjarjeve, por edhe publikonte informacione të drejtëpërdrejta që vinin nga fronti i kryengritjeve.
Masakrat e ushtrisë turke, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe grave, i mbushnin me urrejtje shqiptarët e Amerikës. Dielli përkthente në shqip artikujt pozitiv të gazetës”Times” të Londrës dhe përgënjeshtronte gazetat që mbanin anën e turqëve që kryenin masakra siç ishte rasti i TEMPES-it të Parisit apo të tjera gazetave, që mbanin anën e Turqisë.
Dielli duartrokiste Times-in tek shkruante” Sipas mendjes tonë, s’ka gjykim më të lajthitur se sa dëshirë e turqëve për të shtruar Shqipërinë me masa të rrepta….Veç në u shofshin fare malsorët, mund të arrijë ushtria turke ta shtrojë Shqipërinë…Malet e Gegërisë nuk mund të qetohen me udhën që ka zënë Turqia…”
Në faqet e Diellit botoheshin korrespondenca nga Stambolli të 30 Prillit 1910, ku raportohej se ushtria turke ende nuk po e merrte dot Kaçanikun edhe pse numri i të vrarëve dhe të plagosurve nga të dy palët ishte i madh, ndërsa spitalet e Shkupit dhe të Selanikut të mbushur me ushtarë të plagosur.
Dielli raportonte se: Kryengritsit shqiptar ishin të organizuarë në tri formacione të mëdha; Një në afërsi të Prishtinës, një i dytë ndohej në grykën e Kaçanikut-e cila është 12 milje e gjatë me shkëmbinj në të dy anët, – dhe një e tretë ruan udhën nga Prizreni në Ferizaj.
Dielli informonte se gazeta më e madhe e Bostonit për atë Kohë TRANSCRIPT, botoi me 4 maj shkrimin”Shqiptarët fitojnë prapë”, ku raportohet për marrjen e Gjakovës nga kryengritsit.
Dielli informonte në shqip dhe anglisht, përmes Times-it, Daly Telegraph, SECOLO për zhvillimet më të fundit nga fronti i luftës… Kryengritja është e organizuar mirë, shkruante Secolo. Kur shkoi gazetari i Secolo(gazetë që dilte në Milano) tek kryengritësit në Kaçanik u çudit me organizimin, mikpritjen, dhe çiltërinë e tyre. Një nga krerët e kryengritjes, Idris Seferi(të cilin turqit e vranë pas shpine pas disa ditësh me të pabesë, kur krerët ishin thirrë në kampin turk për bisedime), kur e pyeti korrespondenti i Secolo-s se përse luftonin shqiptarët, Idirz Seferi u përgjigj: -Luftojmë për Autonomi, jo për të sjellë përsëri Sulltan Hamidin!U lodhëm nga Turqia. Duam Liri!
Korrespondenti raportonte se muslimanë dhe të krishterë luftonin vëllazërisht, krah për krah. Katolikët kishin për udhëheqës dom Angelon.
TIMES-I raportonte se sipas llogarisë të qeverisë turke, në Gegëri ndodheshin rreth 50 mijë armë të mira dhe shumë xhebhane. Malsorët me gjithë varfërinë e madhe kishin paguar nga 8 lira për një dyfek, dhe s’kishte të ngjarë t’i dorzonin armët, kurrë.
TIMES-I, i përkthyer në gazetën Dielli, denoconte pabesinë e turqëve, të cilët i ftuan 11 krerët shqiptarë për bisedime, por mbajtën peng 5 prej tyre. Gazeta e përgënjështron propagandën e gënjeshtër turke që pretendonte se kryengritësit ishin në shërbimin e të huajëve. Po ashtu denoncohej vrasja pas shpine e Idriz Efendisë, që ishte një nga krerët e ftuar për bisedime.
Gazeta”Levante” që botohej në Stamboll, shkruante se kryengritësve u printe Isa Boletini.
Agjensia prestigjioze “Reuter”, e përkthyer në gazetën “Dielli” raportonte se topat e ushtrisë turke kishin rrafshuar një fshat të tërë.
Secolo i përshkruante çnjerzore masakrat ndaj fëmijëve.
Sipas gazetës Dielli të datës 13 Maj 1910, shtypi amerikan raportonte se me 12 maj, pas pesë ditësh të përgjakshme lufte, pasi humbi më shumë se 200 ushtarë dhe shumë të tjerë të plagosur, ushtria turke e mori grykën e Cernalevës, që e mbanin 4 mijë shqiptarë, por kryengritsit mbajnë ende Pejën dhe Gjakovën. Turgut Shevqet Pasha kërkon ushtarë të tjerë.
Dielli ekspozonte me detaje krimet e ushtrisë turke dhe viktimat e pafajshme shqiptare, veçanërisht fëmijtë dhe gratë, e pambrojtura, të cilat pasi përdhunoheshin thereshin shtazërisht.
THIRRJA E GAZETËS DIELLI PËR PROTESTË TË MADHE
“Dielli” duke përcjellë masakrat e ushtrisë turke apelonte tek shqiptarët e Amerikës, duke bërë thirrje për të ngritur zërin e protestës. Çdo faqe e gazetës është e mbushur me lajme nga kryengritja. Në fund të prillit dhe në fillim të majit 1910 botohet thirrja për miting të madh të protestës të shqiptarëve të Amerikës.
Dielli shkruante: Të Dielën, me 13 Maj kemi miting të madh në Boston për të protestuar kundër vrasjes së grave dhe fëmijëve! Gjithë shqiptarët duhet të vijnë dhe të protestojnë. Kemi ftuar amerikanë, armenë, grekë, sirianë dhe arumunë….
Dielli njoftonte se mitingu ishte shumë i rëndësishëm dhe se në fund të mitingut do të miratohej një Rezolutë që ishte hartuar dhe e firmosur nga Faik Konica, drejtor i Diellit dhe nga Imzot Fan S. Noli, që e përkrahte rezolutën. Përmes saj do t’u bëhej thirrje shqiptarëve të Amerikës që të mblidheshin dhe të ngrinin zërin e protestës kundër krimeve të ushtrisë turke në Kosovë.
Përmes Thirrjes që u drejtohej shqiptarëve, hartuesi i saj Faik Konica, konstatonte se gjithë bota e shihte me çudi dhe simpati kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë.
Konica shkruante: Një e katërta e Shqipërisë(Kosova) u rrëfye e zonja t’i bëjë ballë Perandorisë Ottoman.
Veçojmë nga Thirrja: Është gënjeshtër se kryengritësit janë reaksionarë; është gënjeshtër që janë vegla guvernash të huaja….Gegët luftëjonë për autonominë e tyre, një autonomi e konsakruar në praktikë prej 450 vitesh.Vetëdia se luftojnë për një qëllim të drejtë ua shtojë kryengritësve trimërinë. Lufta e Kaçanikut dhe e Cernalevës i provuan botës se shqiptarët janë më të zotë se turqit. Spitalet e Shkupit dhe të Selanikut të mbushur plot me ushtarë turq të plagosur, dëshmojnë se ç’mësim u dhanë shqiptarët turqve, të cilët, të tërbuar nga turpi, dhe të pazotë të çfryjnë mërinë e tyre mbi burrat, nisën të vrasin gratë dhe fëmijët e shqiptarëve. Mijëra gra shqiptare u turpëruan dhe u therën prej ushtarëve të Turqisë….Mijëra çilimi u munduan dhe u therën prej këtyre egërsirave me fytyrë njeriu.
Ushtarët turq i vunë fëmijët në sungji posi në një hell, dhe me këto viktima të pafajshme, të ngritura si flamuj, turqit nxitnin njeri-tjetrin për të bërë të këqia më të tmerruara ndër shqiptarët e pambrojtur.
Bota e tërë i sheh me tmerr dhe ndot këto ndyrësira të gjakshme.
Po neve, a do të flemë?
Neve, a do t’durojmë të derdhet gjaku i vëllezërve tanë pa protestuar?
Shqiptarë;
Të dielën që vjen, të mblidhemi me shumicë në Boston dhe të protestojmë. Mitingu që gatitëm për të Dielën që vjen , me ndihmën dhe në hijen e Shoqërisë Besa-Besë, do të jetë më i madhi dhe më i rëndësishmi që është bërë ndonjëherë prej shqiptarëve të Amerikës.
Do të vijnë në miting amerikanë, armenë, grekë, sirianë, vlleh etj… Mos u tregoni të ftohtë me gjakun tuaj!
Thirrja ftonte çdo koloni shqiptare, çdo qytezë, çdo fshat që të dërgonte delegatët e vet dhe oratorë të zot për të folë në miting. Le të vijnë me qindra nga çdo anë!
O burrani, që të dalim faqebardhë!
MITINGU I MADH, E DIELË 13 Maj 1910
Mitingu u organizua të Dielën me 13 Maj 1910. Ja si e përshkruan gazeta Dielli situatën e krijuar: Që në orën 12 të drekës bashkatdhetarët nga Bostoni me rrethina, por dhe nga fshatrat e qytetet e largët, nga shumë shtete të Amerikës nisën të mblidhen në Knights of Honor Hall, në 730 Washington Street. Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë valonte përkrah flamurit amerikan, brenda dhe jasht sallës.
Pak nga pak salla nisi të mbushet. Bashkatdhetarët bisedojnë me njeri-tjetrin. Fokusi i bisedave përqëndrohej tek kryengritsit shqiptar dhe krimet e turqëve, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe grave të pambrojtura.
Në orën 12 e 30 hyri në sallë drejtori i Dielli, hartuesi i Rezolutës z.Faik Konica i shoqëruar nga nënkryetarin i Besa-Besë Sotir Lezi.
Djelmëria dardhare kishte zënë një tram dhe kishte vendosë aty flamurin e Skënderbeut dhe të Amerikës.Kur të rinjtë hynë në sallë të gjithë u ngritën në këmbë dhe duartrokisnin.
Delegatët e dërguar nga çdo anë, veçan nga Natick, Chochituate, Marlboro, Attleboro, Southbridge etj. zunë vend në sallan e zbukuruar. I flakti atdhetar Misto Gorguzi kishte ardhë nga Nju Jorku, por kishte dhe shumë të tjerë të ardhur së largu. Ndër delegatët zyrtarë ishin dhe këta: Filip Kristoforidhi, i biri atdhetarit dhe prozatorit të njohur Kostandin Kristoforidhit Elbasansit. Filip Kristoforidhi ishte delegat i Shoqërisë “Dallëndyshe” të Nju Jork-ut, Dhimitraq N. Negovani, delegat i Manchesterit, N.H, Z. George Kozma i Southbridgit, Z. Vangjel Gurla i Worcesterit etj.etj.
Nisën të vinin edhe të ftuarit amerikanë si i përndershmi Dr. Turku nga Natick, një grupim prej komunitetit grek, komuniteti armenë, arumunë dhe komunitet e tjerë. Ishin të pranishëm shumë gazetarë amerikanë.
Pak para orës 2 pasdite, të gjithë u ngritën në këmbë dhe pritën me duartrokitje hyrjen në sallë të Përndershimt Atë Fan S Noli, i cili kishte nxituar të mbërrinte në kohë pas një meshe të dhënë për të parën herë në Taunton.
Ra në sy mungesa e Kryetarit të Shoqërisë Besa-Besë të ndershmit patriot Josif Pani i cili sapo i ishte nënshtruar një operacioni. Barra e kryetarit të miutingut i ra nënkryetarit të Shoqërisë më të madhe, nikoqire e mitingut, Besa-Besë. Z. Sotir Lezi. Ai u prit me duartokitje të zjarrta.
Z. Lezi tregoi shkurtazi qëllimin e mitingut dhe pasi falenderoi pjesmarrsit, delegatët dhe të ftuarit, prezantoi Faik Konicën.
FAIK KONICA: DUAM VETËQEVERIM NËN DREJTIMIN E ISA BOLETINIT
Faik Konica, duke iu drejtuar kryetarit të mitingut, delegatëve dhe të ftuarëve, paraqiti Rezolutën e hartuar prej Tij, dhe e përkrahur nga i Përndershmi At’ Fan Noli.
Ai tha se Rezoluta do të votohej në fund të mitingut.
Më pas Konica mbajt një fjalim, ku prezantoi situatën e kryengritësve në Shqipëri dhe krimet e ushtrisë turke. Duke qenë se ky fjalim është pak i njohur, po e risjellim për interes të lexuesve dhe studiuesve.
Zotërinj;
Dy vjet më parë, Xhon turqit na ftuan në tryezë për të diskutuar Kushtetutën dhe për të gëzuar lirinë dhe vëllazërinë. Dhe ne, si të verbër, shkuam në ziafetet e tyre. Por një këngë popullore e Toskërisë thotë:
Ziafe’ i Osmanllisë
Është helm i Shqipërisë…
Vërtetësia e kësaj thënie u provua në këtë rast. Gëzimi u bë hidhërim; të vetëthënurit vëllezër i nxuarën maskat, dhe llokumet e tyre na dualën nga hunda. Sot, xhon turqit në vend të llokumeve na qëllojnë me gjyle topash…E çpuan Gegërinë dhe …Gegëria lëvizi….Më në fund turbullimi u bë një Kryengritje e vërtetë…Kryengritja e tanishme nuk është një kryengritje lokale. Nuk është një mëri kundër xhelepeve, nuk është mëri kundër ndonjë kajmekami, a ndonjë yzbashi, është e përgjithshme. Turbullime të tilla kanë ngjarë shumë herë në Shqipëri.Në s’mori pjesë në të Toskëria dhe Shkodra, kjo nuk është faj i Gegërisë së Sipërme(Kosovës), se gegët e kuptojnë aq mirë karakterin e përgjithshëm të kësaj kryengritjeje sa dërguan përfaqësues edhe në Shkodër, edhe në Dibër, edhe gjetkë. Tani që ne jemi mbledhur këtu, janë mbledhur edhe ata në malet e Dibrës për të marrë vendimin nëse do ta ngrenë apo jo flamurin e kryengritjes. Në Malësi të Shkodrës, në Dibër, në Mat, kryetari Isa Boletini ka dërguar kudo njerëz që të këshillojnë bashkim dhe të kërkojnë ndihma në armë. Ata kanë depërtuar edhe në radhët e ushtrisë së Shefqet Pashës që të bëjnë propagandë shqiptarëve toskë të bashkohen me kryengritsit. Kjo Kryengritje ka karakter të përgjithshëm edhe për faktin se të krishterë e muslimanë luftojnë krah për krah me njeri tjetrin kundër ushtrisë turke. Një nga krerët e Malësisë Marko Fonda së bashku me 300 luftëtarë malsorë iu bashkua ushtrisë që komandon Isa Boletini. Kjo kryengritje ka karakter gjithëshqiptar edhe për faktin se nga përfundimi i saj, Shqipëria do të fitojë Lirinë apo do të vdesë!(Në fakt ishte prologu i Pavarësisë-dg)
…Po të shtypen Gegët, Turqia do të shtyp edhe Toskërinë, do të mbyll shkollat,do t’na shtojë vergjitë, do të na dërgojë me mijëra të shuhemi në Jemen, do t’na mundojë dhe do t’na shtërngojë të shpërndahemi dhe të arratisemi nëpër botë…Në qoftë se gegët fitojnë, nëse Kosova bëhet një principatë e vogël autonome, ambicja, sedra e vëllezërve tanë do të rritet, dhe do të përpiqen të shpëtojnë edhe toskët…
Zotërinj, kur krisi Kryengritja e tanishme(më e madhja që në kohën e Ali Pashë Tepelenës) disa nga ne besonin se turqit, si njerëz që lëvdohen se janë të qytetruar, do të harronin të vjetrat dhe se do të silleshin në fushën e luftës si i ka hije një shteti të qytetruar. Po më të shumtët nga ne(jam dhe unë një ndër ta-F.K) i kishin kuptuar më mirë Xhon turqit dhe kishin dyshime.Kujtojin fjalën popullore të Plakës Shqipëri,- Ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron!
Më vjen keq që dyshimet tona u vërtetuan.Një nga parimet themelore të qytetarisë së sotme është që lufta të bëhet vetëm me ata që kanë armët në duar, jo kundër grave dhe fëmijëve.Por turqit s’qenka të zot ta kuptojnë këtë parim, ose nëse e kuptojnë, le ta vënë në praktikë… Fakte dhe jo fjalë, fakte të thata të tmerruara në thatsinë e tyre, na provojnë se si e kuptojnë Xhon turqit detyrën e një shteti të qytetruar…
Motin e shkuar, famë ndyeri Xhavit Pasha, i cili ishte në krye të ushtrisë turke në Gegëri, dogji dhe shkatërroi krejt një qytet të vogël, Bizzin, kryevendin e Lumës dhe pesë fshatra: Namgi, Galvica,Mamzi, Pebregi dhe Golecioni. Këto emra fatzeza, që ndodhen edhe në hartat gjeografike të botës botuar para vitit 1909, do të përpiqeni më kot t’i gjeni në hartat e mëvonshme, ato nuk do të egzistojnë…Pse u shkatërruan ato. Sepse andej kishin dalë shumë prej kryengritësve. Bizzi dhe pesë fshatrat e tjerë të zhdukur, s’kishin kala, s’kishin burra të armatosur, s’kishin përveçse gra dhe foshnja…
O vise të mjera, kush do t’këndojë dëshprimin tuaj?
Dje të gjalla, dje plot jetë dhe këngë-dhe sot? Ah vëllezër!
-Sot gërmadha të veshura me mallëngjim!
…Nuk po flasim për turpet që iu bënë grave. Lista e krimeve është e gjatë, subjekti për të vajtuar e për të vjell’. Do t’ju përmend vetëm dy fakte: Të ngjarën e Bllacit dhe të Strelacit. Turqit për të ndëshkuar Bllacin, fshat afër Ferizofiqit(Ferizaj)dhe Prizrenit, hyjnë në fshat dhe këto kafshë me fytyrë njeriu, turpërojnë të gjitha gratë, të reja apo plaka. Në Strelatz, tjetër fshat afër Pejës, kafshët ushtarake të Turqisë, përdhunuan tri vajza 14 vjeçare, të cilat pasi i turpëruan, fatkeqet varën vehten.
E dini vëllezër se këto fakte i bëmë botërisht të njohura në gazetën “Dielli” të Vjeshtës së tretë 1909, dhe 7 Janarit 1910. Guverna turke u ndje ligsht nga këto të vërteta por nuk mundi t’i përgënjeshtrojë, përveçse ndaloi Diellin të hynte në Shqipëri. Menjëherë nxuarëm “FLAMURIN” dhe i ribotuam faktet, këshilli Ministror, ndaloi dhe Flamurin, por ne nuk u ndalëm.
Zotërinj, nëse ushtria u suall me poshtërsi në kryengritjet e vitit që shkoi(1909), në ato të këtij viti po sillet më poshtërsisht. Sipas Daily Telegraph të Londonit, ushtria turke shkatërroi fare 10 fshatra, kemi arsye që të besojmë se dëmi është shumë herë më i rëndë….Dimë se në Goden 500 gra dhe fëmijë ranë viktima të ushtrisë turke. Ushtarët turq të mundur në fushën e betejës, të turpëruar nga luftëtarët trima shqiptar, u kthyen pas dhe u derdhën nëpër fshatra të pambrojtur dhe kryen krime, duke turpëruar gra, që më pas i vrisnin, masakronin dhe fëmijët. I dërguari i gazetës së madhe të Milanit, SECOLO, pa me sytë e tij gra shqiptare të tmerruara me fëmijët në krah që vraponin t’u shpëtonin maskrave dhe ç’nderimit. Le të shpresojmë se shumë nga këto gra të gjora me fëmijët e tyre arritën në kampin e ushtrisë të Isa Boletinit, kryetarit fisnik, dhe të kenë shpëtuar nga masakrimi.
…Zura në gojë emrin e kryekapedanit shqiptar Isa Boletini, i njohur deri më sot vetëm nga penda çpifarake e Serbve dhe turqve, kundër të cilëve ai po i mbron shqiptarët që prej 15 vite. Isa Boletini është një symbol i bukur i luftëtarit shqiptar. Mesatar nga mosha, Ati i dashur i nëntë djemve, ka pëlqyer më shumë jetën e thjeshtë dhe modeste të një kryetar-mali se sa shkëlqimet e hoborrit turk. Sulltani i shkuar u përpoq me çdo mënyrë që ta mbajë në Jelldiz këtë malsor me fjalë të pakta. Po, as titujt, as argjendi, nuk e bindi, dhe Xhon-Turqit nuk arritën të fitojnë miqësiën e tij, aq më tepër Sulltan Hamid.Isa Boletini është i tërë për Shqipërinë. Burrë me nder, me ment dhe karakter të fort, u tregua i lindur për Kryetar, kur arriti të bashkojë 40 mijë shqiptarë, nga bajraqe dhe fe të ndryshme, dhe t’i lidhë më një disiplinë të fortë, që të huajt e vlerësojnë më të lartë se atë të ushtrisë turke.
Tani pyesim, ç’fund do të marrin këto punë?
Zotërinj, njohim vetëm një fund- vetëm një fund mund të pëlqejmë: VETËQEVERIMIN.
Dhe vetëm një barrë ka fuqinë, forcën e karakterit, që ta verë vetqeverimin në punë; Ay është Kryekapedani i kryengritësve, ISA BOLETINI!
Nuk jemi armiq sistematikë të Turqisë. Kemi qenë dhe dëshirojmë të jemi subjekt besnik të Madhështisë së Tij, Sulltanit, por s’duam të qeverisemi më dreq për dreq nga Turqia. U ngopëm. MJAFT!
Kemi derdhur qindra herë gjakun tonë për Turqinë, kemi luftuar në luftrat e saj. Ne i dhuruam një Kushtetutë.Dhe për të gjitha këto Turqia na përgjigjet me TOPA!….
REZOLUTA E PARAQITUR NGA KONICA, PËRKRAHUR NGA NOLI
Ja rezoluta e paraqitur nga Faik Konica:
- Ky miting mësoi me tmerr dhe me ndot masakrat ndaj grave dhe fëmijëve shqiptarë prej ushtrisë turke në Shqipëri;
- Ky miting dënon sjelljen e Guvernës turke si barbare dhe të pandershme;
- Përhiron Times-in e Londrës, që i këshillon Turqisë moderim;
- Dënon TEMPES-in e Parisit, që nxit turqit të masakrojnë shqiptarët.
- Përkrah dhe i dërgon të fala Kryekapedanit Isa Boletinit dhe tregon admirim për të dhe kalorsin’ e ushtrisë Kombëtare të Shqipërisë.
- U lutet Fuqive të Mëdha të kenë mëshirë për gjakun e pafajshëm të grave dhe fëmijëve shqiptarë, dhe të intervenojnë Turqinë që të pushojë masakrat.
- Ky miting çfaq besimin se e vetmja zgjidhje e çështjes shqiptare është Autonomia me Kryekapedan Isa Boletini për Vali brez pas brezi.
***
Fan S. Nolin në fjalën e tij , ndër të tjera, tha se: Jam në një mendje me çfarëdo fjale të bashkatdhetarit tonë të shkëlqyer dhe mikut tim Faik bej Konica, fisnik nga Lindja dhe nga Letrat, dhe përkrah me gjithë zemër Rezolutën që Ai u paraqiti për aprovim.
At Fan Noli, në fund pyeti sallën me delegatët: A JU PËLQEN REZOLUTA?
Kujt i pëlqen, le të ngrerë duart!
Të gjithë u ngritën dhe Urata thirri”U VOTUA!”
Salla shëprtheu në duartrokitje….