• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hyrja në fuqi e MSA-së kapitull i ri i zhvillimit të Kosovës

May 16, 2016 by dgreca

Nga Isa Mustafa/*

Prishtinë, 16 maj 2016-  Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju uroj për fillimin e punës së Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, që është me rëndësi themelore, sepse është instrument i marrëveshjes dhe po ashtu është një komponentë tepër e rëndësishme e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që ne e kemi nënshkruar si Marrëveshje të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Unë konsideroj se me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës përkatësisht shteti ynë ka filluar një kapitull të ri të zhvillimit. Marrëveshja nënkupton më shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe po ashtu nënkupton edhe më shumë të mira për Bashkimin Evropian si dhe më shumë stabilitet dhe integritet në këtë rajon. Kryetari i Kuvendit, z. Veseli, shprehu qartë zotimet tona si Republikë e Kosovës, si Kuvend dhe organet e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë fuqishëm që këto t’i realizojmë.

Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje më 27 tetor të vitit të kaluar është konfirmuar vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për perspektivën e integrimit si vizion madhor i Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, konsideroj se kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e rrugës së Kosovës për Bashkimin Evropian e cila ofron mundësi më të mëdha për reforma të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Mirëpo, po ashtu, Marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, angazhimin e shoqërisë civile, bizneseve, shoqatave të tyre sepse shumë komponentë të kësaj Marrëveshje i përkasin strukturave më të gjëra të shoqërisë. Neve na nevojitet një sinergji e përbashkët, sepse objektivat e përcaktuara janë objektiva proevropiane dhe mendoj se vetë fakti i themelimit të Komisionit Parlamentar të përbashkët edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe atyre të Parlamentit Evropian flasin për rrugën tonë dhe vullnetin tonë integrues për të respektuar parimet demokratike, për të aplikuar standardet evropiane të tregut, për të aplikuar konkurrencën, shtetin ligjor dhe të drejtën pronësore.Marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian do të ndihmojnë në adaptimin e standardeve evropiane në vendin tonë, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, të energjisë, ambientit, të forcimit të shtetit ligjor dhe të rritjes së efiçiencës të qeverisjes së brendshme.

Kjo Marrëveshje po ashtu është edhe një agjendë e veçantë për krijimin e tregut të përbashkët të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian dhe të reformave që parashohin bashkëpunim rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, të shërbimeve, të punëtorëve dhe kapitalit me të cilat ne me vetëmohim do të mundohemi që t’i realizojmë dhe t’i shndërrojmë në një realitet.

Unë konsideroj se një shtyllë tepër e fortë e kësaj Marrëveshje tani është edhe vendimi  i Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të na mundësoj lëvizjen e lirë të bizneseve dhe të afaristëve tanë kosovarë në tregun e Bashkimit Evropian, integrimin e tyre më të lehtë dhe më efikas në këtë treg, që është tepër e rëndësishme për ne.Në anën tjetër me liberalizimin gradual të tregut sipas Marrëveshjes, Bashkimi Evropian dhe Kosova do të vendosin një bashkëpunim më të ngushtë për të kontribuar në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Kosovës dhe përgatitjen e saj për integrimin në Bashkimin Evropian. Bashkimi i tillë do të forcojë lidhjet ekonomike ekzistuese dhe do të krijojë edhe përfitime të reja nga të dyja palët. Kosova ka nevojë, dhe në rend të parë bizneset kosovare, që të përgatiten për të penetruar në tregun e Bashkimit Evropian. Nevojitet veçmas që të përgatitemi në pikëpamje të cilësisë së produkteve dhe çmimeve, të jemi konkurrent në këtë treg që është një treg shumë i madh i 28 vendeve të Bashkimit Evropian prej mbi 500 milionë banorë.Ne, po ashtu, jemi shumë falënderues edhe për përfitimet që Kosova do t’i ketë nga IPA në periudhën e ardhshme kohore që do të mundësojë edhe investime më të mëdha, por edhe reforma demokratike shumë më të mëdha.

Ne konsiderojmë se një tjetër efekt pozitiv që neve na ndërlidhë me Bashkimin Evropian është edhe thithja e kapitalit të huaj, përkatësisht nxitja e investimeve direke që mund të vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian në Kosovë mbi bazën e realizimit të kësaj Marrëveshje që do të krijojë vende të reja të punës, do të krijojë zhvillim të ri ekonomik dhe dinamikë më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenie më të madhe sociale.

Unë ju garantoj se ne do të punojmë me përkushtimin më të madh në forcimin e shtetit ligjor, do të punojmë shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu do t’i përmbushim zotimet tona sa i përket dialogut me fqinjët, dhe do të ashpërsojmë luftën kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në të cilën Kosova është treguar shumë aktive dhe mendoj se është treguar shumë e suksesshme në pikëpamje të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një pjesë e agjendës së veçantë të Qeverisë që unë e drejtoj është edhe zhvillimi ekonomik i vendit dhe rritja e nivelit të punësimit. Parakushtet që ne dëshirojmë t’i ndërtojmë përmes prioriteteve që i kemi dhënë kësaj fushe është që të ofrojmë një ambient më të mirë për investime të huaja direkte, për forcimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, i cili sektor duhet të krijoj më shumë vende pune, sidomos për gra dhe të rinj për çka kemi biseduar edhe sot me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sepse janë dy grupe më të rrezikuara për punësim dhe po ashtu edhe për afirmimin sa më të madh të gruas dhe rolit të saj në shoqëri dhe në ekonomi.

Me këtë rast unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që punuan dhe kontribuuan për këtë Marrëveshje. Falënderoj përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Evropian që sot janë këtu, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për përkrahjen që na kanë dhënë dhe për të gjitha përgatitjet dhe punën që bashkërisht e kemi bërë derisa e kemi nënshkruar këtë Marrëveshje dhe punën që kemi bërë në programin qeverisës për implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

*Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në  takimin e parë  të Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Hyrja në fuqi e MSA-së, i zhvillimit të Kosovës, Isa Mustafa, kapitull i ri

26 VJET LDK,Isa Mustafa në Istog dhe Deçan

May 14, 2016 by dgreca

Kryetari Mustafa: LDK-ja po e vazhdon rrugën shtetndërtuese të arkitektit të pavarësisë, Ibrahim Rugova/

Prishtinë, 14 maj 2016/  Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë të shtunën në shënimin e përvjetorit të 26-të të themelimit të degëve të LDK-së në Istog dhe Deçan.

Në këto dy manifestime morën pjesë qindra aktivistë dhe qytetarë të Istogut dhe Deçanit, duke konfirmuar mbështetjen e gjerë për LDK-në dhe veprimtarinë e saj shtetndërtuese politike.

Para të pranishmëve në tubimin e mbajtur në Istog, kryeministri Mustafa ka folur për fuqinë e pakontestueshme politike dhe rolin e LDK-së në zhvillimin e gjithanshëm të Istogut.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Dega e LDK-së në Istog është një degë shumë e qëndrueshme, një degë e cila pareshtur i ka fituar zgjedhjet që nga paslufta.

“Dega e LDK-së e ka edhe simbolikën e vet, sepse është vendlindja e Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Kjo degë, me fuqinë e saj gëzon respektin më të madh pasi që po e vazhdon veprën e Rugovës këtu”, tha kryetari.

Kryetari Isa Mustafa, po ashtu, foli për përkushtimin dhe punën e veprimtarëve të LDK-së në progresin konkret që po arrihet në këtë Komunë.

“Janë njerëzit punëtorë të cilët po e ndërtojnë komunën e tyre në mënyrën më të mirë, po i përplotësojnë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe po tregojnë se janë koshient për përgjegjësinë të cilën e kanë marrë para qytetarëve të Istogut, por edhe para Kosovës. Sot në këtë 26 vjetor, përkujtohet vepra e të gjithë atyre që kanë punuar por edhe të rinjve që janë kyçur në LDK më vonë dhe zotimet se do të punojnë në interes të vendit”, tha kryetari Mustafa.

Ndërkaq, para të pranishmëve në shënimin e 26-vjetorit të Degës së LDK-së në Deçan, kryetari Isa Mustafa ka përkujtuar të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë kontribuar për LDK-në, që kanë vënë bazat e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.

“E përkujtojmë në rend parë Presidentin Historik, Ibrahim Rugova, njeriun i cili i ka meritat kryesore për Kosovën por edhe për demokracinë në regjion dhe më gjerë, njeriun të cilin e pranuan zyrat më të mëdha evropiane dhe botërore, njeriun i cili i hapi rrugën Kosovës dhe të vërtetës për Kosovën. Prandaj, ajo që sot kemi ne të gjithë, ajo që ne sot mburremi është pavarësia, themelet e të cilës i vuri Ibrahim Rugova si kryetar i LDK-së dhe si President i parë i Kosovës. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë atë rrugë, ta qojmë këtë vend përpara. Por detyrat tona natyrisht së ndërrojnë edhe në kontekstin e kohës sepse problemet me të cilat ne sot po ballafaqohemi nuk janë problemet e viteve të 90-ta, janë probleme tjera, janë problemet e një konkurrencë të ashpër politike, probleme të një konteksti tjetër ekonomik, social dhe ndërkombëtarë, por gjithsesi në ballafaqimin tonë në këtë ambient ne po bëjmë përpjekje maksimale që të ndjekim rrugën e LDK-së, që partinë tonë ta zhvillojmë si parti e qendrës së djathtë dhe që ta thellojmë bashkëpunimin me partitë tjera evropiane të qendrës së djathtë”, tha kryetari Isa Mustafa.

Ai më tutje tha se fitorja që u realizua me rekomandimin për liberalizimin e vizave, për MSA-në dhe sukseset tjera që janë arritur së fundi janë rezultat edhe i kontribut tejet të madh që kanë  dhënë Partitë Popullore Evropiane, familja e partive evropiane, pjesë e të cilës është LDK-ja.

Kryetari Mustafa, po ashtu, ka folur për qeverisjen e vendit duke theksuar po mbahen premtimet e dhëna, duke përmendur përparimet e rëndësishme në zhvillimin ekonomik, ku është arritur norma më e lartë e zhvillimit në rajon.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, në këtë mandat Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe ka krijuar kushte që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të barabartë me gjithë qytetarët e tjerë evropianë. Kemi arritur të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore të sportit, këtë rast futbollit, dhe përmes tyre të jemi në metropolet kryesore të botës si Kosovë, me emblemën tonë shtetërore, me flamurin tonë, me dinjitetin tonë, me kulturën tonë. Ne po i shpërthejmë kufijtë të cilët i kemi pasur të mbyllur deri më tani”, tha kryetari Mustafa.

Kryetari Isa Mustafa më tutje ka thënë se do të punohet shumë dhe do të respektohet vota dhe besimi i qytetarëve dhe aktivistëve të LDK-së, që LDK-ja të zgjerohet, të rinohet, të ketë sa më shumë gra dhe të zhvillohet një konkurrencë e brendshme.

“Asnjë partie në qeverisje deri më tani, në këto vitet e pas luftës, nuk i është bërë destruksion i tillë i qeverisjes ashtu siç është na është bërë ne. Mund të ju them se jo 100 ditë, por ne si kemi pas as 100 orë normale të punës si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe në këto kushte ne kemi arritur që ta bëjmë punën tonë, kemi arritur që ta realizojmë programin tonë qeverisës dhe do ta arrijmë që ta realizojmë më shumë se sa kemi planifikuar deri më fund të këtij mandati”, tha kryetari Isa Mustafa.

Filed Under: Politike Tagged With: 26 VJET LDK, Isa Mustafa, në Istog dhe Deçan

Beteja e Koshares, simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës

April 9, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. Është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s/

 PRISHTINË, 9 Prill 2016-B.Jashari/ Beteja e Koshares është simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës,tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”. Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, tha se 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës.“9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit. Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri.

 Ndjenja e krenarisë me veprën e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet dhe do të nderohet duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.

“Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri”, tha kryeministri Mustafa.

 Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor me nga një fjalë rasti i kanë përshëndetur kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, Ragip Sadiku, ndërsa në emër të familjarëve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndetur Arbër Morina.

“Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE./

 Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve,

Të çmuar pjesëmarrës të Betejës së Koshares,

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,

I nderuar komandant Rrustem Berisha,

I nderuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Haradinaj,

I nderuar komandant i FSK-së,

Të gjithë ju pjesëmarrës që jeni sot këtu.

 Jemi mbledhur sot të shënojmë një ngjarje historike të kombit tonë e cila ngjarje ka ndryshuar jo vetëm historinë e vendit, por edhe historinë e Ballkanit Perëndimor.

 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Kjo është data e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. 9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit.Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në Koshare, padrejtësia historike mbi njëshekullore po ndalej dhe ndëshkohej në mënyrën më meritore. Atë ditë, më mirë se kurrë më parë, pushtuesit e kuptuan pafuqinë e tyre dhe gjithashtu kuptuan fuqinë e gatishmërisë së djemve e bijave tona për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi.Në Koshare u gërshetua disiplina ushtarake me profesionalizmin e prijësve të kësaj beteje, guximi me gatishmërinë për të mos kursyer asgjë për çlirimin e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm.

 Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138 e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani dhe kjo u vulos me shënimin e luftës së heronjve Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj brigade.Porosinë për unitet dhe tolerancë vëllazërore si kusht për të korrë fitore dhe për të qenë të suksesshëm e gjejmë te kjo betejë si mësim kuptimplotë nga historia për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.Prandaj, të dashura familje të dëshmorëve dhe të heronjve, të gjithë ne, sot ndjehemi krenarë me veprën e heronjve dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.Ndjenjën e krenarisë me veprën e luftëtarëve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ne duhet dhe do ta nderojmë duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri.Beteja e Koshares ashtu si e gjithë lufta jonë e drejtë për çlirimin nga pushtimi njëshekullor paraqet një inspirim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe për gjeneratat që vijnë.Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie përkujtimore.

 Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Koshares u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione të Republikës së Kosovës, ua kemi borxh atyre të punojmë me tërë dijen dhe me tërë përkushtimin tonë për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, Kosovën e integruar në familjen e madhe të kombeve të lira dhe qytetëruara euroatlantike.Ne do t’u jemi tërë jetën mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe betejat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë ata do të trajtohen me respekt dhe me dinjitet.

 Veçanërisht, ne do të kujtojmë me përulje veprën e miqve tanë, francezit Paillard Arnaud Piere, algjerianit Murad Muhamed Ali e italianit Françesko Gjuzepe Bider, që dhanë jetën në këtë betejë të lavdishme.

Ndërsa, me admirim të veçantë dua t’i drejtohem një bashkëluftëtari Tuaj, britanikut Xhon Harrison, i cili ka luftuar si vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare dhe i cili tashmë është i dekoruar me urdhrin “Adem Jashari”.

 Xhon Harrison është shembull i gjallë i mishërimit të botës së civilizuar me luftën tonë çlirimtare, por edhe vendosmërisë për të përballuar kryelartë çdo sfidë që i del përpara këtij mishërimi.

 Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”,

Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës,

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë kombin shqiptar,

Zoti i bekoftë miqtë tanë dhe aleatët tanë,

Zoti i bekoftë heronjtë dhe dëshmorët e Koshares dhe gjithë Kosovën.

Filed Under: Histori, Komente Tagged With: Behlul Jashari, beteja e Koshares, Isa Mustafa

Filmi “Shok” afirmoi në mbarë botën vlerat kulturore dhe njerëzore të Kosovës

March 4, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa e ka uruar ekipin e filmit “Shok”, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në garën për çmimin Oscar, Kosovës i ka dhënë një kuptim krejtësisht tjetër në arenën ndërkombëtare/

 Prishtinë, 4 mars 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ekipin e filmit kandidat për Oscar “Shok”.Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.Kryeministri Mustafa e ka uruar ekipin e filmit “Shok”, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në garën për çmimin Oscar, Kosovës i ka dhënë një kuptim krejtësisht tjetër në arenën ndërkombëtare.“Sot pata një kënaqësi të veçantë të takoj ekipin tonë, yjet tanë, yjet e Kosovës që i kanë dhënë një kuptim krejtësisht tjetër gjatë javëve të kaluara Kosovës jashtë. Kanë afirmuar vlerat kulturore, por edhe vlerat njerëzore, sepse është fjala për njerëz të rinj, tepër të talentuar të cilët e kanë përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë, e kanë përfaqësuar një të kaluar tragjike, të errët të Kosovës me fjalë dhe me pamje artistike, por edhe kanë hapur dyer shumë të rëndësishme të lidhjeve, të komunikimit dhe të prezantimit të Kosovës jashtë”, tha kryeministri Mustafa, në një prononcim para mediave.Duke iu uruar sukses dhe duke i falënderuar shumë për punën e mrekullueshme të ekipit të filmit “Shok”, kryeministri Isa Mustafa tha se artistët dhe kinematografia kosovare do të përkrahen edhe më tutje me buxhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.“Sot ju premtuam se do t’i përkrahim më shumë me buxhet nga Ministria e Kulturës, dhe se do të marrim edhe masa tjera lehtësuese sa i përket politikave fiskale, në mënyrë që gjatë tërheqjes së fondeve të jashtme ta kenë më lehtë, sepse kanë bërë një punë të rëndësishme edhe në tërheqjen e fondeve, edhe në bashkëpunimin me organizatat kinematografike dhe fondacionet tjera jashtë vendit”, tha kryeministri Mustafa.Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Shala për pritjen, ndërsa theksoi faktin se me filmin “Shok”, Kosova ka fituar vëmendjen jo vetëm të mediave ndërkombëtare, por edhe të artistëve nga e mbarë bota.“Ne jemi shumë të gëzuar dhe krenar që kohën e fundit kemi mundur t’i sjellim lajme të mira Kosovës përmes filmit. Filmi “Shok” e ka vënë Kosovën në një pozitë krejt ndryshe, ka krijuar vëmendje shumë të madhe nga mediat ndërkombëtare, nga artistë ndërkombëtarë. Kënaqësia më e madhe ka qenë shkëlqimi i dy aktorëve të rinj, Andit dhe Lumit, të cilët na e kanë zbardhur fytyrën gjatë prezencës në Oscar. Ne jemi shumë falënderues për këta dy djem të rinj që janë tepër të talentuar dhe inteligjent”, tha drejtori Zharku.Dy aktorët e rinj, Lum Veseli dhe Andi Bajgora po ashtu falënderuan kryeministrin Isa Mustafa për pritjen që u bëri./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: FILMI "SHOK", Isa Mustafa, Kosove, vlerat

Kosovë-Parandalimi i ekstremizmit dhe terrorizmit prioritet

January 18, 2016 by dgreca

– Kryeministri Mustafa: Qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e donatorëve lidhur me zbatimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që qon në terrorizëm.
“Konsideroj se aktiviteti ynë në parandalimin e ekstremizmit dhe dhunës që qon në terrorizëm është një prej prioriteteve të cilin ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si Kosovë duhet ta zhvillojmë. Duhet ta zhvillojmë bashkërisht sepse me rastin e aprovimit të Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, për periudhën 2015-2020, ne kemi vlerësuar se sikurse radikalizmi ashtu edhe terrorizmi nuk janë çështje të cilat mbërthehen vetëm në një vend, në një regjion, në një kontinent, por kapërcejnë këta kufij. Prandaj edhe lufta dhe aleanca kundër këtyre dukurive duhet të jetë globale. Kosova vlerëson se është një vend i vogël, por po ashtu vlerëson se e ka përgjegjësinë e vet në këtë luftë të përbashkët të cilën ne duhet ta zhvillojmë me vendet e tjera, sepse pasojat nga terrorizmi janë shumë të mëdha, janë afatgjate dhe kërkojnë domosdoshmërisht një aleancë të përbashkët që ne ato t’i tejkalojmë dhe të luftojmë kundër tyre”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa theksoi se në suaza të Qeverisë me planin e punës që është bërë me objektiva konkrete, janë përcaktuar edhe bashkërenditja dhe koordinimi i aktiviteteve kundër terrorizmit dhe radikalizmit.
“Kemi vlerësuar se këto aktivitete duhet t’i zhvillojmë së bashku me ju, së bashku me shoqërinë civile, së bashku me njerëzit të cilët punojnë në arsim dhe edukim, dhe me bashkësitë fetare. Në hartimin e Strategjisë kemi pas një mbështetje të konsiderueshme të të gjitha këtyre subjekteve, dhe ne vlerësojmë se një mbështetje të tillë do ta kemi edhe në sendërtimin, përkatësisht implementimin e kësaj Strategjie”, tha kryeministri.
Duke folur për angazhimet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti të këshilltarit politik për çështje të sigurisë, Edon Myftari, kryeministri Mustafa theksoi se në këtë rrugë nuk është e mjaftueshme vetëm bashkërenditja, por është i nevojshëm një bashkëpunim shumë i gjerë.
“Strategjia jonë definon disa faza të punës, të cilat ne duhet të angazhohemi veçmas në parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e atillë që mos të orientohen në mënyrë të dhunshme. Kërkon masë edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre t’iu sigurohet punësimi dhe mirëqenia, dhe kjo mos të jetë shkas i bashkimit me grupe të ndryshme. Kërkon po ashtu edhe masa të riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen, sepse paraqesin rrezik të veçantë për vendin, dhe ne duhet të punojmë bashkërisht se si ata t’i riintegrojmë, por natyrisht edhe organet e drejtësisë duhet të punojnë me masa të caktuara”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi edhe njëherë që qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane.
“Qytetarë tanë janë të orientuar krejtësisht në mënyrë pro evropiane dhe pro amerikane, kanë pranuar vlerat e demokracisë evropiane dhe amerikane, por natyrisht që edhe aktiviteti jonë që të punojmë me ta kërkon që të jemi bashkërisht”, theksoi kryeministri Isa Mustafa./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Isa Mustafa, parandalimi i ekstremizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT