Prishtinë, 12 nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, takoi sot në mbrëmje lojtarët dhe stafet e federatave të futbollit të Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilat do të zhvillojnë të premten ndeshje miqësore në Prishtinë.
Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e mbajtur ka thënë se lojtarët e Shqipërisë dhe të Kosovës janë krenaria e kombit.
“Keni qenë dhe jeni bërë veçmas me fitoret dhe me kualifikimin tuaj. Unë dëshiroj sot t’iu uroj shumë suksese, dhe jemi të bindur se do të arrini suksese vitin e ardhshëm, do ta verifikoni edhe njëherë veten si lojtarë të mrekullueshëm, si një ekip i shkëlqyeshëm”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke uruar që të premten të zhvillohet një lojë e bukur.
Duke iu referuar dilemave se si të konsiderohet kjo përballje, kryeministri Mustafa tha se mbi të gjitha kjo është një lojë vëllazërore.
“Po i themi kombëtare, por jemi një komb. Po i themi vëllazërore, pra jemi vëllezër. Por ajo që është me rëndësi është që ne t’i qesim në pah cilësitë tona, vlerat tona, të cilat janë shumë të mëdha, ato që i keni treguar, i keni vërtetuar. Ju uroj shumë për lojën e nesërme, dhe veçmas ju uroj për kampionatin e vitit të ardhshëm, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për ne, këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Suksese”, tha kryeministri Isa Mustafa, para lojtarëve.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se janë mbledhur në Prishtinë për të festuar kualifikim historik të kombëtares shqiptare në Evropianin 2016, në Francë.
“Kjo është një kënaqësi e madhe dhe privilegj për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik”, tha Vokrri, duke e quajtur një çast shumë të veçantë, i cili është ëndërruar dhe u bë realitet.
Armand Duka, kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke falënderuar për pritjen e organizuar dhe mbështetjen e ofruar.
“Falënderoj nga zemra shkëlqesinë e tij, kryeministrin z. Mustafa, që gjeti kohë të jetë këtu me ne sonte. Jo vetëm për praninë sonte, por edhe për gjithë mbështetjen që i ka dhënë futbollit gjatë gjithë kohës në gjithë trojet shqiptare, jo vetëm në Kosovë. Siç tha kryeministri, është e vështirë se si duhet ta themi. Madje e kemi pasur të vështirë nëse duhet të luajmë, s’duhet të luajmë në Kosovë. Por faktikisht kjo ide ka lind në avion, në Armeni, kur ne po ktheheshim sapo ishim kualifikuar. Jo vetëm ata çuna që janë lindur në trollin kosovar, por edhe këta që janë drejtuesit e stafit nga Italia thanë se ne duhet të zbresim në Prishtinë dhe të festojmë fitoren tonë. Dhe ne pikërisht për këtë jemi sot këtu, për të festuar fitoren e përbashkët, frytin e punës së të gjithë futbollit shqiptar në gjithë trevat e tij, frytin e punës të të gjithë trajnerëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Bunjakut dhe të shokëve të tij, dhe frytin e punës të stafit të kombëtares sonë”, tha Duka, duke shtuar se ndeshja e së premtes është një ndeshje festive./Pergatiti per Diellin- b.j/
Kosova,drejt liberalizimit të vizave
-Kryeministri Mustafa: Fryma e Raportit të Progresit 2015, lajmëtare e procesit integrues/
-Përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, ka dorëzuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2015/
Prishtinë, 11 nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2015.
Kryeministri Mustafa ka falënderuar zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare për qasjen konstruktive në raport me Kosovën, duke theksuar se fryma e Raportit të Progresit për Kosovën është lajmëtare e intensifikimit të procesit të integrimit të Kosovës në BE.
Për kryeministrin Mustafa, Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili këtë vit vjen pas Nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), është paralajmërues se brenda një periudhe shumë të shkurtër Kosovës dhe qytetarëve të saj do t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen nëpërmjet liberalizimit të vizave.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se këto dy procese tashmë kanë konsoliduar dhe formësuar fuqimisht axhendën evropiane të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe institucionet tjera të shtetit tonë, jam i bindur se do ta lexojnë me kujdes përmbajtjen e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2015. Si kryeministër, garantoj se çdo germë e këtij raporti do të lexohet drejt dhe me vëmendjen e duhur. Ne kemi punuar për të pasur një Raport të mirë të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Koalicioni qeverisës ka funksionuar në mënyrën më të mirë dhe kjo edhe në të ardhmen ofron siguri se do të implementojmë të gjitha rekomandimet e BE-së. Por, natyrisht e dimë që na mbetet ende punë për të kryer reformat e përafrimit me standardet e BE-së”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Kryeministri Mustafa, poashtu, tha se Kosova do të fokusohet në përmbushjen e obligimeve të veta për reformë në sundimin e ligjit, duke ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në reformën ekonomike dhe në reformën e administratës publike.
“Këto shtylla do të jenë prioritet i qeverisë që unë drejtoj. Natyrisht, qeveria pret bashkëpunim nga institucionet tjera, institucionet e pavarura dhe sidomos nga opozita, e cila ka rolin e vet të rëndësishëm në procesin e përmbushjes së reformave që i mundësojnë vendit integrimet evropiane”, ka theksuar Mustafa./b.j/
KOSOVA NË EVROPË
-Kryeministri Isa Mustafa në Spanjë: Kosova të ketë vendin e saj në familjen e shteteve evropiane/
-Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë evropianë/
Madrid, 22 tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili është njëherësh edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku ishte në panelin qendror të Kongresit, që u zhvillua në Madrid, Spanjë.
Para përfaqësuesve të partive anëtare të familjes më ta madhe politike evropiane, kryeministri Isa Mustafa mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha se qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe se ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, ashtu si LDK-ja, e cila është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Me këtë rast, kryeministri Mustafa po ashtu ka folur për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, duke theksuar se tashmë Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se së shpejti pritet nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Kryeministri Mustafa po ashtu foli për objektivat kryesore të koalicionit qeverisës të drejtuar nga LDK-ja, që janë rritja më e shpejtë ekonomike e Kosovës, forcimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në BE. Duke folur për vendimet shumë të vështira dhe të ndjeshme me të cilat Qeveria e Kosovës është ballafaquar këtë vit, si themelimi i Gjykatës Speciale, marrëveshjet në dialogun me Serbinë dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto vendime do të ndikojë në forcimin e sistemit të drejtësisë, paqes, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Sa i takon marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri Mustafa tha se ka ngecje në implementimin e tyre. Ndërsa, lidhur me faktin se këto marrëveshje kanë hasur një rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprime të dhunshme dhe jodemokratike, kryeministri Mustafa tha se këto veprime nuk përkrahen nga qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për hapat e Qeverisë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke theksuar se e Kosova ka miratuar ligjin që ndalon qytetarët tanë për të marrë pjesë në luftëra të huaja, dhe strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Lidhur me migrimin e fillimit të këtij viti, kryeministri tha se Qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të menaxhuar situatën, se Kosova është një vend i sigurt dhe se Qeveria e Kosovës angazhohet në mbështetjen e procesit të riintegrimit të qytetarëve të saj.
“Kosova do të nënshkruaj këto ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, presim anëtarësimin tonë në UNESCO dhe të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës. Ne jemi duke u përqendruar në projektet e zhvillimit, investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, sikurse edhe partia ime, LDK-ja është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se pse ata duhet të mbeten të vetmit të izoluar me regjion. Ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe presim këtë vit caktimin e datës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke i falënderuar anëtarët e EPP-së për përkrahjen e tyre në procesin e integrimit evropian.
Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së, si dhe ka zhvilluar takime me homologë si dhe liderë të partive evropiane të qendrës së djathtë, anëtare të EPP-së./b.j/
Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës
Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës/
Nga Elida BUÇPAPAJ/
Titulli në dukje absurd tregon një realitet. Kosova nuk ka kryeministër dhe një qeveri pa kryeministër nuk qëndron dot në këmbë e nuk ka perspektivë. Prandaj parlamenti është kthyer në arenë të vezëve, bilbilëve e gazit lotsjellës. Isa Mustafa nuk gëzon autoritet tek asnjë palë. As tek LDK, as tek PDK dhe as tek opozita. Opozitën e tradhtoi, LDK-në e tradhtoi, ndërsa me PDK-në ka marrëveshje të interesit nëntokësor assesi kombëtar.
Aktualisht Isa Mustafa njihet si burri më gënjeshtar në Kosovë. Atij nuk i beson askush. As fëmija. Sepse çfarë thotë tani, e çthotë pastaj. Atë që thotë sot e përgënjeshtron nesër. De facto kryeministër i Kosovës – i paligjshëm – është Hashim Thaçi.
Isa Mustafa është bishti i Hashim Thaçit dhe nën diktatin e nëntokës së LDK-së.
Nëntoka e LDK-së është segmenti që ka uzurpuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës, i dalë i humbur nga zgjedhjet e qershorit 2014, por që ka përfituar vende kyçe në bashëkqeverisje me PDK-në. Nëntoka e LDK-së është kapja e shtetit permes sistemit klientelist, nepotik, korruptiv, klanor e tarafor. Nëntoka e LDK-së janë një grusht njerëzish keqpërdorues të pushtetit në aleancë të fshehur e të hapur me PDK-në prej 2007. Ndajnë bashkë privilegjet, postet më të larta të shtetit dhe përfitimet si oligarkë.
Me një vështrim të shkurtër retrospektiv, në kohën e qeverisë në mërgim, Isa Mustafa ishte njeriu dhe bishti i Bujar Bukoshit. Ai mbante portofolin e ministrit të financave dhe kishte në dorë të gjithë milionat që rridhnin prej të ardhurave të 3%. Ne që jetojmë në Zvicër e dimë se sa vështirë e ka patur Rugova prej Bukoshit dhe njerëzve të tij që i krijonin shumë vështirësi dhe ishin në opozitë të hapur me Liderin Indipendentist që prej asaj kohe. Si qeveri në mërgim, ata përfitonin prej autoritetit të Rugovës, por përfitonin sidomos financiarisht. Deri sot askush nuk ka hetuar se çfarë është bërë me fondin e 3 %.
Pas konfliktit të 1998-1999 Isa Mustafa asnjëherë nuk ka shkëlqyer. Ka përfituar gjithmonë si pjestar i nëntokës së LDK-së. Edhe kreun e bashkisë të Prishtinës kështu e fitoi. Preferoi më mire të ishte kryetar i Bashkisë, sepse rolin e liderit të opozitës nuk e bënte dot më 2010, në kohën kur u zgjodh kryetari i LDK-së nga grupi i Llapit, ai afër Xhavit Halitit, që e bëri hara-kiri Fatmir Sejdiun, për të mashtruar elektoratin por edhe sepse Isa Mustafën si marionetë e përdorte më lehtë.
Prej këtyre marrëdhënieve okulte rrodhi edhe aleanca PDK-LDK në 19 nëntorin e 2014. Si deal midis padrinosh. Aleanca e tyre nuk është aleancë partiake, prandaj është e paqëndrueshme. Sepse aleancat dalin nga liderët në marrëveshje me partinë dhe elektoratin. Marrëveshjet në vetvete duhet të shprehin një konsensus të elektoratit.
Aq më tepër, në një demokraci politika nuk mund të jetë marrëveshje midis maskarenjve, por midis xhentëlmenësh (gentlemen agreement ) dhe përfaqësuesve më të denjë të popullit. Ndërsa Isa Mustafa është përfaqësues i interesave të një klani, atij më të urryeri prej vetë LDK-së dhe elektoratit të LDK-së. Prandaj Isa Mustafa nuk gëzon asnjë lloj autoriteti, as në Parlament, as tek PDK, as tek LDK dhe as tek opozita. Sepse është made in – prodhim i nëntokës.
Nëse faktori ndërkombëtar kishte vërtetë interes të mbante Hashim Thaçin dhe të krijonte një maxhorancë midis PDK-së dhe LDK-së, sepse në këtë parti ka vërtetë burime njerëzore me integritet, kjo aleancë do të duhej të ndërtohej mbi një themel të shëndoshë, që e përjashtonte kategorikisht përfshirjen në qeveri të Isa Mustafës dhe klanit të nëntokës, duke i hapur rrugën figurave të pastra të LDK-së dhe atyre më të votuarave, si Vjosa Osmani për shembull, që klani i Isa Mustafës nuk e lejoi as të kandidojë për kreun e LDK-së. Nëse në 19 nëntorin 2014 do të ishte vendosur që në krye të qeverisë të Kosovës të votohej Vjosa Osmani, dhe në rrang ministrash, LDK do të përfaqësohej nga emra me autoritet, padyshim që sot në Parlamentin e Kosovës nuk do të kishte as vezë, as domate të kalbura, as bilbila, as gaz lotsjellës.
Sepse de facto Kosova nuk ka kryeministër. Dhe qeveri pa kryeministër nuk mund të ekzistojë.
Kosova ka mbështetjen e plotë të BE e SHBA
-Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli/
PRISHTINË, 16 Tetor 2015/ Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, deklaron se Republika e Kosovës ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. “Ne po punojmë përditë për ta bërë shtetin tonë funksional dhe partnerë të denjë me miqtë tanë”, thekson ai.
Mustafa bën të ditur se në Bruksel ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të shumtë evropianë, përfshirë edhe kolegët e Partive Popullore Evropiane (EPP), të cilët udhëheqin shumicën e qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të cilët më kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën. Po ashtu, vijon ai, patëm një darkë pune të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me delegacionin e Serbisë.
“Ne po punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s dhe jemi të sigurt se këtë do ta arrijmë brenda pak ditësh. Brenda pak javësh, Kosova do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Për një periudhë të shkurtër ne do të përmbyllim detyrat tona dhe do ta marrim datën e Liberalizimit të Vizave. Që nesër, barrikada në urën mbi lumin Ibër, do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”, shprehet Mustafa.
Kosovës, vijon ai, i duhet konsensus nacional për këto procese të rëndësishme dhe parasegjithash, Kosovës i duhet të dëshmojë racionalitet dhe stabilitet.
“Nga aktet e dhunës në institucione, ndaj institucioneve të shtetit, institucioneve të pavarura dhe ndaj përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve të Kosovës, ne duhet të kthehemi kah debati i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese”, thekson kryeministri Mustafa.
Ai shton se, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet.
“Ne kemi përgjegjësi t’i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara”, përfundon Mustafa në ‘facebook’. /b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 11
- Next Page »