• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGJARJET E VITIT ’97, ISMAIL QEMALI, SALI BERISHA DHE…TË TJERËT

March 27, 2017 by dgreca

1 ISMAILNga Ramiz LUSHAJ/2 Ismail1
 “Muzeu Kombëtar i Pavarësisë” në Vlorë e mori këtë status më 1962, në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë. Ma herët, në vitin 1936 deri në fillime të Luftës së Dytë Botërore, ishte “Muze Historik Kombëtar”, i pari muze historik në Shqipëri, pasi në këtë godinë dykatëshe të shek. XIX, u festua përvjetori i parë i Pavarësisë në nëntor 1913 dhe ishte për disa muaj selia e parë e të parës Qeveri Shqiptare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Në vitin 1963, për vet vlerat e mëdha historike kombëtare u shpall edhe “Monument Kulture”.
Përplot njëzet vite ma herët, ngjarjet e marsit 1997 në Vlorë e përfshinë në vorbullen e tyre, në cunamin e tyre edhe këtë objekt historik e kulturor të një randësie tejet të veçantë. U sulmua nga banda të rebelimit të armatosur (jo)politik. U cënue keqas shenjtëria e këtij institucioni të rrallë kombëtar dhe shenjtëria e objekteve të saj. Nuk e mbrojtën dot as misioni i saj kombëtar, as piedestali historik, as ombrella e statusit të saj të dyfishtë. Ishte një akt antikombëtar, që vështirë të përngjasë edhe në vendet ma të pa zhvilluara të botës së sotme globale.
Banditë të armatosur hynë brenda Muzeut Kombëtar të Pavarësisë me një revansh antishqiptar. Çartanisht. Pabesisht. Paturpësisht. Antikombëtarisht. 
E sulmuan edhe Ismail Qemal Bej Vlorën, “Baba i Pavarësisë”, themeluesi i Shtetit të ri Shqiptar, kryetari i Shtetit dhe kryeministri i parë i pas Shpalljes së Pavarësisë të 1912-tës. Aktet e tyre i tregojnë këto dy foto: 
E para, e paraqet burrshtetasin Ismail Qemali me kokën e mbështetur tek valvitja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Banditët e kanë goditur me tre plumba në të djathtë të fytyrës së tij të bukur, tek balli dhe afër syrit të tij. Ata e goditën me 7 plumba edhe Flamurin Kuqezi. 
Foto e dytë e paraqet portretin e Plakut të Vlorës e të Pavarësisë tek Shqiponja dykrenare. Banditët ia kanë çarë gjoksin dhe kokën me bajonetë të armëve të tyre kriminale, mafioze. 
Banditët rrëmbyen në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë edhe disa objekte të rralla me vlerë kombëtare të veçantë. Një prej tyre ishte edhe Aparati Mors, me të cilin iu dha lajmi Botës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë në 28 nëntorin e 1912-tës nga Vlora e Ismail Qemalit, që dhanë lajmin se Shqipëria “bahet në vehte, e lirë, e mosvarme”.
Dy vlonjatë atdhetarë të njohur, nga dyer të shquara vlonjate, flokëthinjur nga vitet, e gjetën aparatin Mors të hedhur në një kanal aty pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Ishte krejt i përbaltun. E morën në duar, e pastruan me gjithë shpirt’ e plot dritë. Ia rikthyen Muzeut. Dveta para disa ditësh. Më thanë se ishte aty. Mirëpo, çështja shtrohet ndryshe: obkete të tilla tepër të rralla shtete të botës së sotme i ruajnë nën masa të jashtëzakonshme sigurie nga akte të tilla, nga kriminelët e çdo kohe, edhe nga rebelime të tilla “shqiptarçe”!
Pra, kështu, kësisoj, ngjarjet e vitit të mbrapshtë ’97, rebelimi i armatosur i Vlorës, nuk ishte thjesht ndaj Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe, prof. dr. Sali Berishës, po ishte dhe kundër themeluesit të Shtetit të ri Shqiptar, kundër Ismail Qemal bej Vlorës të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Ishte një goditje ndaj identitetit kombëtar shqiptar. Ishte një veprimtari që shkoi deri në akte e veprimtari antikombëtare, që dëmtoi imazhin e Shqipërisë, që ngadalësoi zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Në marsin e çdo viti dhe të çdo dite në kalendarin e kohës shqiptare zbardhen dëshmi për politikat antikombëtare të fqinjve e aleatëve të tyre, klane të politikës shqiptare e aleatëve të tyre në “Kryeqytetin e Rebelimit” në Vlorë: Tre gishtat e simbolit serb të ngritur në Vlorë, në Rebelimin e ’97-tës – që akademik Rexhep Qosja i Kosovës e “Qytetar Nderi” i Vlorës, e keqcilëson “Revolucion i vonuar”(!) apo ndokund tjetër fjalathuhet se filantropi klanor Xhorxh Soros e mbështeste këtë Rebelim të Vlorës. Agjensia Italiane e Lajmeve (ANSA) komentonte më 2 mars 1997: “I gjithë skenari po shfaqet si një strategji politiko-ushtarake dhe jo si një manifestim spontan popullor”. Disa ditë ma vonë, më 13 mars 1997, Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) deklaronte: “Trazirat në Shqipëri ishin një grusht shteti i ushtarakëve”. Shkrimtari shqiptar, kandidat i Nobelit, Ismail Kadare, nga Parisi i Francës, në një intervistë në “Zëri i Amerikës” më 13 mars 1997, deklaronte: “Ora e Shqipërisë ishte kthyer prapa në Luftën Civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në vitet 1943-1944”.  Kryetari i SHIK-ut e, njëherash, Kryetari i Operacionit për Rivendosjen e Rendit, Bashkim Gazidede, më 26 mars 1997, fliste botnisht për një plan “Lotos” të Qeverisë Greke, që kishte objektiv themeltar e primar “çlirimin e Vorio-Epirit nga sundimi shqiptar me anë të një rebelimi të armatosur” dhe akuzonte me emër e mbiemër individë e qarqe greke në Greqi e në SHBA, lobuesin pro-helen Nicholas Gage. Edhe TV Grek “MEGA”, qyshce më 5 mars ’97, pohonte: “Sot, grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë Flamurin e Vorio-Epirit. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës së Jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena, duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”. Një Fondacion Amerikan për Europën Lindore i drejtonte një letër Ambasadës Shqiptare në Amerikë, ku – ndër të tjera, argumentonte më 10 mars ’97, se: “Është naivitet i madh të mos e kuptosh se Komiteti i Vlorës dhe udhëheqësit e tij janë të frymëzuar nga mafia e tipit komunist dhe të KGB-së”. Fakte e komente të tilla ka plot. E vërteta prêt të zbardhet përfundimisht e përjetësisht.
Ngjarjet e vitit ’97 nuk janë drejtue kundër emrave të përveçëm, as ndaj Ismail Qemal Bej Vlorës dhe as ndaj Sali Berishës, por kundër një emri të përgjithshëm kombëtar, kundër Shqipërisë etnike e euro-atlantike.

Filed Under: Komente Tagged With: Ismail Qemali, Ramiz Lushaj, Sali berisha, Viti 97

Gjimnazistë të shkollës së mesme “Ismail Qemali” vizitë në anijen “Lissus”

December 21, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Në zbatim të detyrës së Ministres së Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, për promovimin e aktivitetit të Forcës Detare dhe thithjen e kontigjentit të detarëve profesionistë, Komanda dhe Shtabi i Forcës Detare kanë hartuar një program të vecantë, ku përfshihen vizita në anije, takime e biseda me detarë të vjetër, etj. Konkretisht paraditen e datës 21 dhjetor 2015, pjesë e këtij promovimi ishin një grup maturantësh të shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Fillimisht nxënësit e kësaj shkolle u pritën në molin “0” të portit të Durrësit nga Zv/Komandanti i FD, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra dhe kuadro të anijeve “Iliria”, “Lissus” dhe Motovedetës heroinë të FD, R-118. Mbasi urimit të mirëseardhjes zoti Agastra i shpjegoi vizitorëve detyrat kryesore që kryejnë anijet tona në det, operacionet humanitare dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë, cfarë përfaqson profesioni i bukur i marinarit, anijet në përdorim të FD, që nga MV,R-118, anija “Iliria”, “Lissus” deri tek anijet më të shpejta për luftën kundër trafiqeve detare, “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Më pas maturantët e “Ismail Qemalit” zhvilluan një lundrim në gjirin e Durrësit me anijen “Lissus” ku u njohën jo vetëm me bukuritë e gjirit të Durrësit, por panë dhe punën direkte të detarëve tanë nëpër poste luftarake. Zonja Aida Nova, nëndrejtoreshë e Shkollës “Ismail Qemali” u shpreh e entusiazmuar për këtë eksperiencë të re bashkëpunimi mes shkollës dhe Forcës Detare. Ne kemi zhvilluar aktivitete me komunitetin dhe shoqata të ndryshme, por ky i sotmi është tepër mbresëlënës shpjegoi zonja Nova. Ndërsa zonja Desara Karaj, mësuese kujdestare, ndërkohë dhe studjuese e historisë, u interesua për traditën dhe Historinë e Detarisë së Popullit Shqiptar, të cilën e pa të zgjeruar tek libri “Antologji e Detarisë Shqiptare”. Në vijim të lundrimit djemtë dhe vajzat maturantë vec fotove të shumta në anije dhe detit të paanë, shprehën dëshirën që mbas studimeve të arësimohen në shkollat e detarisë brenda dhe jashtë vendit. Maturantët Ambra Shehu, Jurgen Lubonja, Amarildi Tomorri, etj, provuan uniformën dhe kapelen e marinarit në urën e komandimit të anijes. Duam të bëhemi kapitenë anijesh! thanë këta të rinj. Mirë, mirë, por më parë duhet të jesh marinar! tha dikush tjetër. Kështu për mëse tre orë, ky grup rinor provoi ndjesitë, ëndrrat dhe emocionet që të dhuron zanati i detarit. Ne jemi popull detar dhe më këto aktivitete ne i zgjojmë ëndrrën dhe dëshirën të rinjve tanë që të kualifikohen e trajnohen për tu bërë pjesë e Flotës sonë Tregëtare ose Luftarake. Kështu tradita e detarisë shqiptare do jetojë në shekuj. Ky ishte dhe mesazhi i këtij aktiviteti mbresëlënës

Filed Under: Kronike Tagged With: anija Lisus, gjimnazistet, Ismail Qemali, Shefqet Kecelli

Karroca simbolike e Ismail Qemalit vendoset në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë

June 29, 2015 by dgreca

Nga Harilla Koçi/Vlore.-Karroca simbolike, me të cilën udhëtoi Ismail Qemali gjatë rrugëtimit të tij drejt Vlorës, në nëntor të vitit 1912, u vendos të dielën në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në qytetin e Vlorës.

Me këtë rast, në mjediset e këtij Muzeu u organizua një ceremoni për të improvizuar mbërritjen e kësaj karroce me ideatorin dhe Kryeministrin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku ishin të pranishëm qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve, gazetarë, artistë etj. Mes të ftuarve ishte edhe zoti Behar Selimi, ish deputet në Kuvendin e Kosovës dhe ish gjeneral i Policisë së Kosovës, si dhe pjesëtarët e Ansamblit Folklorik “Lidhja e Prizrenit”, nga Prizreni.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi, e cilësoi eveniment plotësimin e relikeve të këtij objekti, me një element të tillë sikurse është karroca simbolike, që solli në Vlorë Ismail Qemalin, në ato ditë të lavdishme të nëntorit të 1912-ës, për të organizuar Kuvendin Kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai falenderoi firmën “Shehaj Metal” që realizoi ndërtimin e karrocës, të ngjashme me atë që shfaqet në filmin “Nëntori i Dytë”, si dhe zotin Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, që mbështeti realizimin e këtij projekti.

Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe zoti Behar Selimi që u ndal tek rëndësia që ka për të gjithë shqiptarët, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare në 28 Nëntor të vitit 1912.Ansamblet folklorike “Lidhja e Prizrenit”(Prizren) dhe “Ismail Qemali”(Vlorë), dhanë një koncert për të pranishmit.

Karroca simbolike e Ismail Qemalit, do të qëndrojë në oborrin e godinës së Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Në këtë shesh, janë vendosur edhe bustet e anëtarëve të Qeverisë së Pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Qemali, Karroca, ne Muzeun e Pavaresise

PËRSE TË LANË NË HARRESË, O ATË I PAVARËSISË?

September 19, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*

                 1.

Ismail Qemali ,”Plaku i Vlorës”,ati  i  shpalljes së pavarësisë kombëtare një shekull më parë  pas një mungese  rikthehet  në institucionet e shtetit shqiptar  me portretin e tij.

Dje Ismail beu rikthehet në ato institucione për të cilat nuk  la kancelari  të huaj për  12 vjet  me radhë pa shkelur për të arritur një shtet shqiptar?!Figura e Ismail Qemalit është lënë në harresën e madhe dhe të përhershme. Vepra  e tij citohej thjeshtë nëpër dokumente shkollore ndërsa thjeshtë tregohej një fotografi. Për babain  e kombit nuk ka pasur një libër të plotë historik,nuk ka pasur asnjë shtatore të tijën. Dhe askush nuk është kujtuar që portreti i tij të vendosej në institucionet e këtij shteti për gati 101 vjet.

                   2.

Portretet, që kanë zbukuruar për 100 vjet institucionet ku rrinin shtetarët shqiptarët kanë qenë vetëm ato të shtetarëve,  që kanë sunduar këtë vend .Zogu  pasi vendosi si sundim monarkinë e vendosi portretin e tij. Te ëikipedia  gjejmë  këtë paragraf që flet për fotografin e monarkut shqiptar  te “Shpallja “Mbret’i Shqiptarëve:”Çdo dyqan dhe kafe vari në mur foton e tij, nëse nuk bënte kështu merrte një gjobë prej 50 frangash. Edhe myslimanët e devotshëm duhej të tejkalonin kundërshtimin e tyre ndaj riprodhimit të imazheve njerëzore dhe të blinin një portret standard…”“Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog.

Fotografia e Hoxhaës   nisi të vendosej sapo PKSH doli nga ilegaliteti duke mbizotëruar në cdo institucion deri në vitet ‘90. Nuk mund të qëndronte larg kësaj tradite Berisha. Portreti i tij u pa në institucionet vendit deri nga fillimi i vitit të trazirave,vitit 1997. Pas kësaj periudhe dhe me këmbimin e  pushtetit ,nëpër institucione u vendos portreti i Mejdanit. Katër vite qëndroi portreti i Mojsiut nëpër institucionet e shtetit shqiptar. Portreti i Topit do të kishte  po atë  gjatësi kohore. Ndërsa Nishanit presidentit aktual do ti zgjaste vetëm 1 vit,koha kur portreti i tij do të zbukuronte institucionet e shtetit.

Pas kësaj për të kujtuar figurën, që udhëhoqi Rilindjen Kombëtare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë  portreti i tij rikthehet në institucionet shqiptare. Ky rikthim ngrohu shumë zemra me një arsye gati të thjeshtë.

Ismail Qemali është arkitekti i Pavarësisë Shqiptare, është Babai i Kombit  dhe që shqiptarët jo se janë mërfilli nacionalist por ndenja kombëtare i kanë ndoshta pak më tepër kombet e tjerë por që çuditërisht , figurat kryesore të tij shpesh janë gjendur të arkivuara ose të lëna në harresën madhe.

                3.

Por për atin  e kombit Ismail Qemali deri më sot nuk ka pasur as një monument të tij . Vepra ku gjendet plaku i Vlorës është monumenti i pavarësisë në Vlorë. Ky monument u ndërtua në 60 vjetorin e shpalljes së pavarësisë në qytetin e Flamurit.

Ismail Qemali dhe patriotët  e tjerë shqiptarë u   përjetësuan në një monument në qendrën e sheshit historik të Flamurit. Studiuesit e shumtë kanë përkrahur idenë se aty është ngritur flamuri në ditën e pavarësisë. Aty është vepra me dinamike, një monument punuar me bronz i njohur si Monumenti i Pavarësisë. Një masiv bronzi ,17 m e lartë,përfunduar në 28 nëntor 1972, Monumenti u gatit nga tre skulptorë shqiptarë  Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri.

Në qytetin tij  Vlora, Ismail Qemali  ka pasur vetëm dy buste të cilat nuk kanë pasur ndonjë shkëlqim artistik apo ndonjë realizim të arrirë. Busti i tij vendosur në një shkollë 9 vjeçare  edhe sot mbanë emrin etj në Vlorë ,si dhe busti në bronz i vendosur përpara universitetit të Vlorës ku edhe ky institucion mbanë emrin e tij.

Monument i skulptorit Zeqir Alizoti,do të jetë i pari ku figura e patriot të shquar të përjetësohet në një monument të vetën në sheshin e Skelës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë kombëtare . Lidhja që krijohet këtu është edhe historike. 7 metra  .Shtatorja, e Plakut të Vlorës  ka një piedestal prej 2.7 metrash dhe pjesa tjetër e trupit të Ismail Qemalit  është 4.2 metra.

Ja një fakt të  përmendur për këtë rast:Petro Luarasi shkruan kështu tek komentet e gazetës Panorama:përgatitjen e librit : “Ismail Qemali” – Përmbledhje dokumentesh 1838 – 1919., Tiranë 1982) ..se libri i pare biografik për Ismail Qemalin është botuar në Shqipëri nga Skënder Luarasi në vitin 1962, pas peripecish 10 vjeçare dhe censurimit të mbi 40 faqeve. Regjisori i shquar Viktor Gjika në artikullin “Kur ëndrra bëhet film” ( gjendet ne internet ne) shkruan se si lindi ideja e krijimit të filmit artistik “Nëntori  i Dytë” (i shfaqur me 1982) kushtuar Pavarësisë, këtij evenimenti madhor të historisë sonë. “Angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedent. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tablo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për çudi, edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi

                                  4.

Në njëzet vjet e demokracisë shqiptare  shikimi për figurën e Ismail Qemalit ka qenë por jo në atë masë dhe nivel që duhet .Harresa e të gjithë pushteteve të mëparshëm për figurën e tij në institucionet e shtetit shqiptar mund të cilësohet një harresë pse jo edhe e qëllimshme. Shtetarët e vegjël mendonin se me veprat e tyre ja kishin kaluar edhe Ismail Qemalit, mirëpo jo vetëm që u gabuam por këtë  e kanë kuptuar të gjithë kur  janë rrëzuar nga pushteti.

Emrat e tyre i përpiu harresa        sepse ata si të gjithë shtetarët  dhe vdekatarët janë të përkohshëm në punesat e tyre. Ku emri dhe vepra e plakut të Vlorës dhe ku emri dhe vepra e këtyre shtetarëve të këtyre 100 vjetëve. Emri  i  plakut të Vlorës është në të gjithë fjalët dhe lakimet shqipe kudo ku ndodhen shqiptaret .Ai është i pranishëm në të gjithë zemrat, që rrahin shqip. Për ta kuptuar këtë besojmë ti rikthehemi 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku milionat e shqiptarëve në Vlorë, Shqipëri e kudo thirrën emrin e tij dhe krenoheshin me veprën e tij. Kështu, që nuk mund ti mungonte institucioneve të shtetit, portreti i tij.

 

*Master. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ati i Pavaresise, Gezim Llojdia, harresa, Ismail Qemali

RIKTHIMI I ISMAIL QEMALIT NGA PERTEJ JETA

December 15, 2012 by dgreca

Për romanin më të ri të shkrimtares së mirënjohur, Vilhelme Vranari (Haxhiraj)/

Nga Bedri Çoku/

 Rikthimi i Ismail Qemalit” nga përtej jeta, e lexova me një frymë në romanin e bijës së shquar të Kaninës, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj), një penë e rrallë në historinë e letërsisë sonë, e cila, për 16 vjet ka nxjerrë nga shtypi mbi tridhjetë libra, romane, novela tregime, ese e tjerë. Pa llogaritur artikujt e saj “të dëshpëruar” posaçërisht për mbrothësinë e vendit në tranzicionin e tejzgjatur të demokracisë së ashtuquajtur parlamentare, pluraliste. E lexova me një frymë aspak i nxitur nga parathëniet, në këtë libër, të dy njerëzve të shquar të mendimit intelektual, përkatësisht Dr. Fatmir Terziu dhe Prof. Dr. Eshref Ymeri, të cilët, të them të drejtën, si njerëz të lartësuar në fushën e letërsisë, janë përpjekur boll, si e si, të pajtojnë ose të përqasin figurën madhore të Ismail Qemal Bej Vlorës, me përshkrimin e penës të së talentuarës Vranari, portretizimin që ajo i bën artistikisht njërit prej personaliteteve më të mëdha e të vështirë të kombit tonë, por gjithsesi, në mënyrë lavdëruese. Pa guxuar as njeri, as tjetri të hyjë tek nevoja që ka pasur shkrimtarja për të ngritur nga varri “Babanë e Kombit” dhe t’i rrëfehet atij (nëpërmjet gojës së dy të rinjve) për gjithçka ka ndodhur e po ndodh sot me popullin, për të cilin ai sakrifikoi e bëri aq shumë sa ishte gjallë e me këmbët mbi tokë.

Në promovimin e këtij libri, i pari i këtij lloji, i cili ka meritën e padiskutueshme që na i sjellë të gjallë, artistikisht madhështorin Ismail Qemal Bej Vlorën, ndoshta jo në lartësinë e një diplomati apo shtetari të rangut që ishte ai për kohën, por të një prindi, apo të një edukatori, që na ngushëllon, miklon me këshillat dhe porositë e mençme e të ngrohta të një plaku fisnik e atdhetar.

Në fjalën time që m’u rezervua me respekt në atë tubimin e jashtëzakonshëm, me pedagogët dhe studentët e universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nuk i thashë të gjitha fjalët e mia të zemrës për këtë vepër të mrekullueshme artistike me vlera të rralla edukuese për brezin e ri. Vetëm se ishte koha e kufizuar, siç më thanë. Më ngelën pa thënë, p.sh. se romani në fjalë nuk ishte shkruar vetëm me qëllim për të risjellë Ismail Qemal Bej Vlorën, në memorien e lexuesve të dashur të shkrimtares, dekoruar  me Urdhrin “Mjeshtri i madh i penës”, por një nevojë e domosdoshme e saj për t’u rrëfyer për brengat dhe problemet e mëdha që ka pasur e ka populli ynë qysh nga shpallja e Pavarësisë, me të cilat shkrimtarja u përballë dhe po përballet vetë dhimbshëm. Duke iu rrëfyer “Babait të Kombit”, shkrimtarja beson se tek ai mund të gjejë njeriun e vetëm që do ta kuptonte, si askush tjetër i vdekur apo i gjallë, marrë aq shumë me punët e kombit e të shtetit shqiptar. E ardhur nga një familje historike e popullit të vet, stërmbesë e Aranitit të Madh, vjehrrit të Skënderbeut Legjendar, ajo nuk rreket të na përsërisë në librin e shkruar gjëra që i tregon historia, ndryshe nuk do të kishte marrë guximin për të na i sjellë formuesin e kombit e të shtetit të parë shqiptar, ashtu siç e donte ajo. Me fantazinë e shfrenuar të një artisteje e ngre nga gjumi shekullor burrin e madh të shtetit shqiptar dhe e shëtit nëpër rrugët e Vlorës, jo pa qëllim. Që ai të shohë ndryshimin e madh të vendlindjes, por ndërkohë edhe të mësojë ç’ka ndodhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë kohës që ka munguar. Ndoshta për të parë ato gjëra që nuk mundi t’i bënte në kohën e tij, por edhe për ato që duheshin bërë ndryshe ose edhe për ato që janë bërë gabim. Mjeshtëria e shkrimtares nuk qëndron tek aftësia e saj për të na treguar pamjen apo karakterin e vërtetë të njeriut që bëri epokë në historinë e kombit tonë, por tek interesi që ka lexuesi çfarë ai na thotë për të “Djeshmen” dhe si reflekton ndaj të tashmes. Ky është, mendoj unë, sekreti që shkrimtarja na i mban fshehur mjeshtërisht midis dialogëve të Ismail Qemal Bej Vlorës, me dy të rinjtë, njeri prej të cilëve është student i universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

I trishtuar nga rrëfimet e studentit për çka i tregon lidhur me regjimet, nëpër të cilët shqiptarët kaluan këto njëqind vjet dhe nga koha e largimit të tij nga kjo jetë, diktatura komuniste e trishtoi më shumë babanë e kombit. Por si burrë i mençëm e me përvojë të madhe që ishte, përgjigjet:

– Të mençurit nuk thonë kot: “Ruaju nga lufta brenda llojit , sepse është e tmerrshme, pasi të çon në urrejtje dhe hakmarrje pa fund”. Kam parasysh tmerret që po më thua dhe ndjehem tejet i tronditur. Tani e kam të qartë mosbesimin tuaj tek e tashmja dhe e nesërmja. Kur të kanë bërë një mijë e një të zeza, edhe kur të troket lumturia, që ndoshta vetëm njëherë të vjen në jetë, ti ke frikë t’ia hapësh derën menjëherë. E marrë me mend se sa e vështirë është t’ia nisësh sërish nga e para në këto kushte pasigurie.

Janë pikërisht këto padrejtësi që hasen në rrugën e jetës sonë – vazhdon studenti – shkaku që shqiptarët ndjehen të lodhur, të drobitur e të zhgënjyer. Ndaj vjen një çast dhe kërkojnë drejtësinë dhe dashurinë e munguar në kohë. Po ku, ku ta gjejnë vallë? Nuk dinë më se kujt t’i besojnë, sepse jo vetëm i kanë mashtruar, por edhe janë vetëmashtruar nga njohja e pamjaftueshme e realitetit.

– Duket haptazi, se ju keni nevojë për dashuri, i përgjigjet burri i mençëm. Që të shembet ky mur betoni, krijuar mes këtij realiteti dhe ndërgjegjes së ndotur, çdo njeri duhet të shohë brenda vetes, për të zbuluar gabimet e veta. Atëherë është në gjendje t’i bëjë mirë vetes dhe t’u bëjë mirë edhe të tjerëve.

-Po për vuajtjet çnjerëzore kush do të përgjigjet vallë? (Në diktaturë, B. Çoku). Njerëzve u iku jeta, rinia, u ngriu buzëqeshja, u venitën ëndrrat, iu shuan shpresat, nuk e njohën kurrë lumturinë, madje nuk dinin më edhe pse merrnin frymë.

– Bir, në të gjithë historinë botërore tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të mëdha. Mjerë kush është i vogël dhe lum kush është i duruar…

Jo më kot autorja provokon bisedat të tilla me këtë temë, me babanë e kombit, pikërisht stërmbesa e shqiptarëve të shquar, të cilën e ka lajtmotivin e të gjithë përmbajtjes së romanit, sepse “gjuha shkon te dhëmbi që dhëmbë”. Pse, kujt tjetër mund t’i ankohej kjo grua me zemër të madhe e kombit të vet, padyshim nga më të shquarat ndër gratë e talentuara dhe humane që ka nxjerr toka jonë, teksa ende nuk e ka gjetur qetësinë shpirtërore për të provuar, mes atyre shqiptarëve që, posi ajo vuajtën kalvarin e regjimit komunist, se një ditë e vërteta dhe drejtësia do të triumfojë?

Unë kam shpresë dhe besim se në të ardhmen shkrimtarja do të vazhdojë të na mallëngjej e të na edukojë me praninë e Ismail Qemal Bej Vlorës, duke “shëtitur” me të edhe jashtë nahisë së Vlorës e Kaninës së bukur, ndër vise të tjerë po kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse erdhi koha, më së fundi, që t’i kemi kaq pranë paraardhësit tanë të shquar, me fjalët dhe këshillat e tyre shumë të vyera për një të ardhme më të ndritur.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bedri Coku, Ismail Qemali, Vilhelme Vranari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT