Është e pakontestueshme se ndaj minoritetit gjerman në Jugosllavinë komuniste është kryer gjenocid. Në të vërtetë, qëllim ishte çrrënjosja e tyre nga Vojvodina, nëpërmjet vendimeve të AVNOJ-it dhe ato të mëvonshme që mori kreu komunist. Deklaratat publike, siç ka qenë ajo e Titos në Vrshac, se problemi i pakicës gjermane do të zgjidhet me zhdukjen e tyre nga këto treva, ose ajo e Boris Kidriqit, që elementi gjerman nga pjesët veriore të ish-Jugosllavisë duhet të zhduket, vërtetojnë aktin e gjenocidit.
Shkruan: Ismet Azizi/
Gjermanët danubjan (siç quheshin gjermanët e Vojvodinës), janë pasardhës të gjermanëve dhe austriakëve jugperëndimor, të cilët ndërmjet viteve 1689 dhe 1787, janë vendosur në basenin e Panonisë nga mbretëria hasburgiane. Kjo ka ndodhur pas çlirimit të Hungarisë së atëhershme e cila qëndroi 160 vjet nën sundim të Perandorisë Osmane.
Sot, në Vojvodinë, gjermanët janë një nga pakicat etnike. Ata e flasin gjuhën serbe ndërsa njohja e gjuhës gjermane iu shërben për arsye ekonomike dhe komerciale. Këta gjermanë i përkasin besimit katolik dhe protestant. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Vojvodinë kanë jetuar 3 154 gjermanë.
Por, më herët gjendja ka qenë ndryshe. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1880 në Vojvodinë kanë jetuar 285 920 gjermanë dhe përbënin 24.4% të popullsisë. Këta ishin komuniteti i dytë për nga numri, pas serbëve. Mandej, në vitin 1890, është shënuar një rënie e lehtë e përqindjes (24.2%) edhe pse numri i tyre ishte rritur në 321 563 duke u radhitur si komunitetet i tretë, pas serbëve dhe hungarezëve. Në vitin 1900 në Vojvodinë kishte 336.430 (23.5%) gjermanë ndërsa në prag të Luftës së Dytë Botërore llogaritet të ketë pasur mbi 550 000.
Sipas regjistrimit të parë të pasluftës (1948) në Vojvodinë jetonin vetëm 31.821 (1.9%) gjermanë, të cilët ishin të gjashtit për nga numri, të kryesuar nga serbët dhe hungarezët që përbënin shumicën.
Është e pakontestueshme se ndaj minoritetit gjerman në Jugosllavinë komuniste është kryer gjenocid. Në të vërtetë, qëllim ishte çrrënjosja e tyre nga Vojvodina, nëpërmjet vendimeve të AVNOJ-it dhe ato të mëvonshme që mori kreu komunist. Deklaratat publike, siç ka qenë ajo e Titos në Vrshac, se problemi i pakicës gjermane do të zgjidhet me zhdukjen e tyre nga këto treva, ose ajo e Boris Kidriqit, që elementi gjerman nga pjesët veriore të ish-Jugosllavisë duhet të zhduket, vërtetojnë aktin e gjenocidit.
Ngjarjet që pasuan në fund të luftës në Jugosllavi ishin fshehur me sukses për më shumë se 60 vjet. Për këtë rast, edhe sot nuk ka asnjë gjykim te qartë historik. Ende në tekstet e historisë nuk përmendet numri i kampeve për gjermanët, krimet e kryera kundër pakicës gjermane, si dhe viktimat në anën e kësaj pakice. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore që mungojnë dhe opinionet e juristëve në kualifikimin e këtij veprimi dhe përcaktimi nëse në ish-Jugosllavi është kryer gjenocid ndaj minoritetit gjerman.
Veprime kundër pjesëtarëve të pakicës kombëtare gjermane kanë përfunduar rreth vitit 1965. Në këtë proces gjenocidal kjo pakicë etnike, sipas regjistrimit të vitit 2002, është zvogëluar në numër prej rreth 541,000 në vetëm 3901. Kjo paraqet një rënie prej 140 herë. Të dhënat tregojnë se sot në ish-Jugosllavi ka ende vetëm 0.7% të kësaj pakice kombëtare.
Megjithatë komuniteti gjerman beson se ky numër është diç më i lartë, por jo më shumë se 20 000 – 30 000 e anëtarë e cila paraqet vetëm 3.6% – 5.4%, në krahasim me numrin në prag të Luftës së Dytë Botërore. Ky ndryshim i 3901 anëtarë, me numrin e vlerësuar, nga anëtarët e tij të cilët ende kanë frikë të deklarohen, nuk kanë guxim të identifikohen si gjerman, por si pjesëtarë të etnive të tjera, apo si pjesëtar rajonal. Ata deklarohen si të pavendosur ose nuk identifikohen fare.
Në muajt e fundit të luftës së Dytë Botërore pakica gjermane është dënuar në forma të ndryshme duke përfshirë edhe detyrimin për largim nga shtëpitë e tyre për në Gjermaninë e sotme.
Në sesionit të dytë i AVNOJ-it më 21 nëntor 1943, gjermanëve etnikë u është hequr statusi i pakicës kombëtare dhe të drejtat qytetare, shtetësia jugosllave dhe e drejta e pronës.
Teksti i deklaratës që AVNOJ ka nxjerrë për këtë rast, thotë:
“1. Të gjithë anëtarët e pakicës gjermane që jetojnë në Jugosllavi automatikisht do ta humbin shtetësinë e tyre Jugosllave dhe të gjitha të drejtat civile dhe kombëtare;
2. E gjithë prona e luajtshme dhe e paluajtshme e personave etnik gjerman konsiderohet e konfiskuar dhe bëhet pronë e shtetit;
3. Gjermanëve jugosllavë u ndalohet të kërkojnë çfarëdo të drejte dhe ushtrimin e mbrojtjes ligjore apo personale nga gjykatat apo institucionet. ”
Vendimi i AVNOJ -it , i 21 nëntorit 1944 konfirmon shpalljen e Deklaratës kurse pjesëtarët e pakicës kombëtare gjermane mbeten pa pasurinë e tyre. Është bërë me dije se ky vendim nuk ka pas efekt ndaj gjermanëve që luftuan në radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe aradheve partizane Jugosllave.
Vendimit përcakton se çfarë konsiderohet pasuri e palujtshme:
“Me këtë vendim konsiderohet pasuria e paluajtshme, prona dhe të drejtat e luajtshme, si dhe posedimi i tokës, shtëpive, mobileve, pyjeve, të drejtat minerare, kompanitë me të gjitha objektet dhe aksione, letrat me vlerë, aksionet, kompanitë, shoqatat e çdo lloji, financimi, të gjitha llojet e mjeteve të pagesës, llogaritë e arkëtueshme që marrin pjesë në aktivitetet e ndërmarrjeve, të drejtat e autorit, të drejtat e pronësisë industriale, si dhe të gjitha të drejtave për sendet e përmendura më lart. ”
Mënyra se si është kryer dëbimi i gjermanëve nga Vojvodina, duke i dërguar në kampet e vdekjes, ekzekutimi masiv, dijegëja e librave të tyre dhe shkatërrimi i çdo gjëje që ka të bëjë me kulturën, gjuhën dhe traditën gjermane në këtë rajon, është e qartë se këtu kemi të bëjmë me gjenocid.
Për gjenocidin e kryer ndaj gjermanëve të Vojvodinës më së miri mund të mësojmë nga studimi i grupit të autorëve nga Austria dhe Gjermania të cilët botuan librin “Gjenocidi kundër pakicës gjermane të viti 1944-1948″, i cili, në vitin 2004, përveç në gjuhën angleze, është përkthyer edhe në gjuhën serbe. Në këtë libër është dokumentuar në detaje shfarosja e gjermanëve në ish-Jugosllavi. Aty vërtetohet se nga 106 000 viktima civile nga viti 1941 deri 1948 që u regjistruan në territorin e Vojvodinës, rreth 25 000 ishin të kombësisë gjermane.
Universiteti Harvardit dhe disa universitete tjera gjermane e franceze, përfshirë ekspertin ndërkombëtar për gjenocid dhe krime të luftës Dr. Dieter Blumenvic, sjellin ekspertizën profesionale në të cilën, duke u mbështetur në jurisprudencën dhe në të drejtën ndërkombëtare, është qartësuar se ndaj gjermanëve në ish Jugosllavi është kryer gjenocid.
Për këtë shkak, pas Luftës së Dytë Botërore numri i popullsisë gjermane u zvogëlua në masë të madhe. Arsyet janë të shumta: vdiqën si ushtarë, ikja nga pushteti i ri (rreth 250 000), vdekjet në kampet e punës, ekzekutimet hakmarrëse qëndodhnin me rastin e çlirimit të vendit nga gjermania naziste. Por, dëbimet dhe emigrimi i tyre i mëvonshëm, për shkak marrëveshjes së fituesve të luftës në vitin 1945, kanë bërë që rreth 14 milionë gjermanë të dëbohen nga trevat e veta ku kanë jetuar në shtetet e ndryshme të Evropës. Pos kësaj, shumë prej tyre e kanë ndërruar identitetin në kroatë dhe hungarezë. Në pronat e braktisur të gjermanëve në Vojvodinë gjatë viteve 1945-1950, kur është bërë kolonizimi dhe janë vendosur ardhacakë nga të gjitha republikat sipas kuotave të caktuara dhe rajoneve pasive. Pjesa më e madhe e kolonizatorëve kanë qenë serbë dhe malazezë.
Numri i përgjithshëm i popullsisë dhe ajo e pakicës gjermane në Jugosllavinë e atëhershme :
Viti Pop. e përgj në Jugosllavi Gjerman
1921 12 017 000 505 790
1931 13 943 000 499 969
1948 15 772 000 57 180
1981. 22 427 000 8 712
Nga të dhënat shihet se numri i përgjithshëm i popullsisë në Jugosllavinë e atëhershme rritet nga 12 milion në mbi 22 milion. Ndërsa numri i gjermanëve bie nga mbi 500 000 sa kishte në vitin 1921, në 8 712 në vitin 1981, apo siç përmendëm më herët në më pak se 4000 sa kishte në vitin 2002.
A po lindë një shteti i ri në Ballkan?
Disa OJQ në Sanxhak kërkojnë që regjioni i Sanxhakut, i cili shtrihet në dy shtete, Serbi dhe Malit të Zi, të formohet një rajon i veçantë ndërkufitar./
Shkruan : Ismet Azizi/
Mijëra njerëz nënshkruan për vetëm disa orë një peticion që do t’u dorëzohet qeverive të këtyre vendeve duke kërkuar leje për të formuar , siç thonë organizatorët , rajonin ekonomik të Sanxhakut!Ky regjion kishte me përfshirë një pjesë të Serbisë dhe Malit të Zi, dhe komunat që hyjnë në të janë; Novi Pazari, Tutini, Nova Varoshi, Priboji, Prijepole, Sjenica, Rozhaja, Plevla, Bijelopola, Berana dhe Plava.Prapa këtij peticioni qëndron një grup i organizatave joqeveritare të Sanxhakut.
Shkalla e lartë e papunësisë, emigrimi, ekonomia dhe turizmi i shkatërruar janë karakteristikë e pothuajse të gjitha qyteteve në Sanxhak. Qytetet kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi janë lënë krejtësisht pas dore nga qeveritë duke i detyruar të kërkojnë një jetë më të mirë në një vend tjetër të Bashkimit Evropian. Vitin e kaluar nga pjesa malazeze e Sanxhakut emigroi në 2.5% të popullsisë, ndërkohë që këtë vit ky numër mund të jetë dyfishuar.
Një zgjidhje është formimi i eurorajonit ndërkufitar të Sanxhakut i cili do të mundësonte të gjitha qyteteve thithjen dhe tërheqjen mjeteve të mëdha nga fondet e BE-së të destinuara për rajonet ndërkufitare, që jashtëzakonisht do të ndihmojnë zhvillimin e të gjitha qyteteve të këtij rajoni.
Rajoni ndërkufitar i Sanxhakut nuk do të ndikojë në ndryshimin e kufijve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, në të vërtetë ky kufi do të mundësoj krijimin e rajonit ndërkufitar me modelin e BE-së.
Propozimi për formimin e eurorajonit të Sanxhakut para disa ditëve ka rrjedhë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Rozhajës me rastin e emigrimit masiv, i cili iu është përcjellë qeverisë së Malit të Zi.
Të përkujtojmë lexuesit se para se me u mbajt referendumi për pavarësinë e Malit të Zi është nënshkruan një marrëveshje në mes të presidentit të BS Rafet Husoviq dhe Presidenti DPS Milo Gjukanoviq e cila garanton formimin e rajonit ndërkufitar të Sanxhakut
Në lidhje me këtë peticion, analisti politik Branko Radun thotë për gazetën “Naše novine” se kjo iniciativë është hipokrite sepse boshnjakët kanë përkrahur ndarjen e Malit të Zi nga Serbia, dhe ndarjen e tyre në të dy shtete.
Një nga nismëtarët e këtij projekti Zaim Çelebiq thotë për portalin Rozhaje Fri, se formimi i këtij rajoni do të kontribuon në krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesi dhe do të hapte mundësinë e aplikimit të drejtpërdrejtë në fondet e BE-së.
Zëvendëskryeministri dhe lideri SDPS Rasim Lajiq tha se bëhet fjalë për njerz jo relevant dhe politikisht krejtësisht të parëndësishme, dhe se nuk e merrë seriozisht peticionin.
– Peticioni vetëm i sjell dëm shtetit tonë , sepse këtë trevë e paraqet si një rajon jo stabil, duke i larguar investitorët e mundshëm. Ndërsa investitorët janë të nevojshëm, sepse nuk është një zonë shumë e varfër. Megjithatë, kërkesat e tilla janë joreale dhe nuk do t’i përkrah askush në Serbi dhe Mal të Zi – tha zëvendës kryeministri Rasim Lajiq.
Rasim Ljajiq është një mjek i cili kurrë nuk e ushtroi profesionin e tij. Pas formimit të PAD (SDA), lider i së cilës ishte Alia Izetbegoviq, i pakënaqur me tretmanin që e kishte, por edhe për t’u vënë në shërbim të politikës së Beogradit, kishte formuar partinë SDP (PSD). Këtu mori përkrahjen e madhe të serbëve duke u vu krejtësisht në shërbim të politikës zyrtare serbe dhe së voni edhe në mbrojtjen e kriminelëve të cilët po përballën ende me drejtësinë në gjykatën e Hagës.
Boshnjakët, në krye me Myftiun Zukorliq, i cili kurrë nuk ka mohuar prejardhjen e tij shqiptare, kohëve të fundit i ka kapluar një dëshirë separatiste (ndarëse) nga sllavët dhe gjithnjë e më shpesh po deklarohen se janë me prejardhje ilire. Bile edhe janë paraqitur me kërkesat e tyre për heqjen e prapashtesës (ić dhe vić ) nga mbiemrat e tyre, të cilin veprim tashmë kanë filluar ta bëjnë.
Zukorliq është themelues i një numri të institucioneve në Sanxhak. Ai ka themeluar mediumin e parë Islam në Sanxhak, “Zërat e Islamit”, ku ishte redaktor i parë. Ai filloi aktivitetet në fushën e botimeve, krijoi “El Kelimeh”, shtëpinë të suksesshme botuese në rajonin e Sanxhakut dhe më gjerë, si dhe mejtepin për moshën parashkollore dhe shkollore, në të cilën Bashkësia Islame u afirmua në rajon.
Ai arriti medresenë ta bëjë të pavarur – e cila ishte paralele e ndarë e Medresesë së “Allaudin” të Prishtinës – të cilën e emëroi me emrin e medresesë së dikurshme “Gazi Isa-beg“ dhe është një nga arsyet kryesore për zhvillimin e saj të shpejtë. Dekani i parë i Fakultetit të Studimeve Islame, Presidenti i Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit dhe themeluesit të tij, dhe institucionin kulmor gjithë boshnjak, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, Fondacionit Kombëtar Boshnjak si dhe Kongresit Botëror Boshnjak, me një rast pat deklaruar: “Ne nuk do ta shpallim Autonominë. Ne po krijojmë Autonominë e Sanxhakut”.
Se a do të ndodhë që sanxhaklinjtë do ta jetësojnë autonominë e tyre, mbetët të shihet në të ardhmen.
Shkenca kosovare përfaqësohet në Konferencën për Menaxhim Strategjik
Nga Ismet Azizi/
Konferenca e majit për Menaxhim Strategjik, organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë në Bor, mblodhi këtë vit një numër të madh të ekspertëve në menaxhimin nga vende të ndryshme të botës. Në kuadër të konferencës dy ditore u mbajt Simpoziumi, në të cilin u paraqiten me punimet e tyre studiues nga Serbia dhe vendet e tjera evropiane. Në mesin e këtyre studiuesve të shquar me punimin e vet u prezantua edhe studiuesja nga Kosova, Xhenana Azizi М.Sc..
Studiuesja nga Kosova, Xhenana Azizi, deri më tani ka marrë pjesë në: HYPERLINK “http://www.basim.edu.mk/images/Zbornik%20III%202014.pdf”Тhird International Scientific conference “Contemporary management challenges and the organizational sciences” në Manastir të Maqedonisë të mbajtur më 24-25 tetor 2014, me punimin: CHANGE MANAGEMENT AND MAINTENANCE OF CONFLICT AS A CONSEQUENCE OF CHANGES. Mandej, në Forth international scientific conference në Bansko, Republic of Bulgaria 17-19 prill 2015, me punimin:THE IMPORTANCE OF IMPLEMENTING ENTERPRISE RISK MANAGEMENT.
Ndërsa në International May Conference on Strategic Management – IMKSM 2015, e mbajtur më 29-31 maj 2015, në Bor të Serbisë, paraqiti me plot sukses punimin e sajë; DEALING WITH RISK MANAGEMENT IN SMALL AND MEDIUM ENTERPRISES.
Vlen të përmendet se Xhenan Azizi, në Bor u pranua shumë mirë, në mënyrë të barabartë me gjithë pjesëmarrësit tjetër nga vendet tjera evropiane, ku përfaqësoj shtetin e vet me flamurin e Republikës së Kosovës.
Konferenca Ndërkombëtare e majit për Menaxhimin Strategjik, të cilin Fakulteti Teknik i Borit e organizon për herë të 11-të me radhë në Bor ka tubuar këtë vit ka shumë ekspertë nga institucionet e njohura të arsimit të lartë nga brenda dhe jashtë Serbisë për të studiuar shkencën e menaxhimit.
Që kur para katër viteve kjo konferencë mori tretman ndërkombëtar, numri i pjesëmarrësve është rritur dukshëm, që ka rëndësi të madhe jo vetëm për shkëmbimin e përvojave, por edhe për inkurajimin për hulumtime të mëtejshme shkencore.
Prof. Dr. Ivan Mihajloviq, kryetar i Komitetit Organizativ të konferencës thotë. “Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është fakti se Konferenca është radhitur në rang botëror, ndërsa në këtë vit ka më shumë se 200 ekspertë nga Serbia, Brazili, Shtetet e Bashkuara, Finlanda, Kosova dhe do të prezantohen rreth 100 punime shkencore”, transmeton HYPERLINK “http://www.rtvbor.rs/drustvo/18319-pocela-11-internacionalna-majska-konferencija-o-strategijskom-menadzmentu.html” rtvbor.
A do të rehabilitohet Aqif Effendi Blyta?
Organizata të shumta joqeveritare, partitë politike boshnjake, por , edhe Këshilli Kombëtar Boshnjak kërkon anulimin e rehabilitimit të Drazha Mihailoviqit, nën komandimin e të cilit u kryen krime ndaj popullsisë jo serbe në Sanxhak./
Nga Ismet Azizi/
Rehabilitimi i komandantit çetnik Drazha Mihailloviq ka ngritë shumë pakënaqësi në Sanxhak. Në shumë vende në Pazarin e Ri dita e premtja e kaluar u gdhi me parulla në të cilat përkujtohet Aqif Effendi Blyta, udhëheqësi politik e ushtarak, i cili komandoi në mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët në Luftën e Dytë Botërore. Këtyre parullave iu paraprinë parullat e para disa ditëve, me të cilat kërkohet Autonomia e Sanxhakut, shkruajnë mediat në Sanxhak.
Besohet se kjo është një përgjigje ndaj vendimit të gjykatës në Beograd e cila rehabilitoi Drazha Mihailoviqin. Me propozimin e listës “Për Boshnjakët , Sanxhakun dhe Myftiun”, në seancën e djeshme Këshilli Kombëtar Boshnjak unanimisht u miratua propozimi për të kundërshtuar rehabilitimin e Drazha Mihailoviqit, komandantit çetnik .
Gazetarë të ndryshëm lokal provuan të bisedojnë me qytetarë në lidhje me situatën e krijuar, por përveç disa pensionistëve të cilët nuk kanë çka “të humbin” , të tjerët të frikësuar nuk u prononcuan. Megjithatë, pakënaqësia është e dukshme në fytyrën e pothuajse të secilit qytetarë.
Në pyetjen e gazetarit të agjencisë SANA, se a pritet që në të ardhmen e afërt të rehabilitohet edhe Komandanti i Mbrojtjes së Pazarit, Aqif Efendi Blyta,ata shprehën të jenë skeptik dhe nuk presin që shteti serb ta bëjë një gjë të tillë. Ndërsa Këshilli Nacional i Boshnjakëve , qysh në vitin 1991 ka marrë vendim për rehabilitimin e Aqif Efendiut, të cilin vendim institucionet e Sanxhakut e respektojnë .
Në mbrojtje e figurës dhe personalitetit të Aqif Blytës më i zëshmi në Sanxhak dhe më gjerë është lideri fetar i Sanxhakut, myftiu Muhamer Zukorliq, i cili në manifestime të shumta ka potencuar se Aqif Efendia është hero i Sanxhakut. Mandej Zukorliq shton: “Aqif Efendiu ka organizuar mbrojtjen e këtij qyteti nga çetnikët. Sikur mos të ishte bërë ky organizim, atëherë numri i popullsisë boshnjake në këtë qytet do të ishte po aq sa ka Priboji, Plava dhe Novi Varoshi. Këtë të mirë ne atyre (shqiptarëve, I. A.). Ndërsa, ajo çka ka ndodhë në Sanxhak dhe në Novi Pazar, edhe pse ekzistojnë disa elemente të kolaboracionit me okupatorin gjerman, të gjithë e dinë, edhe miqtë edhe armiqtë se nuk ka ekzistuar asnjë element i kolaboracionit ideologjik, përveçse ka qenë në pyetje domosdoshmëria e mbijetesës. Krerët tanë, në krye me Aqif Efendiun dhe të tjerët këtu në Sanxhak, kanë luftuar me të gjitha mjetet e mundshme që këtë popullatë ta shpëtojnë, dhe në këtë kanë pasur sukses, dhe ne ua bëjmë hallall dhe iu qoftë e shenjt, dhe përgjithmonë do t’u jemi falënderues. Ndërsa, ata të cilët kanë hequr dorë nga Aqif Efendiu, ata me ne nuk kanë asgjë të përbashkët. Ata kanë hequr dorë nga feja jonë, nga kultura jonë, nga kombi ynë, tradita jonë”.
Përndryshe Institucionet e Sanxhakut kanë marrë vendim për ngritjen e Qendrës memorial, e cila planifikohet të ndërtohet në lagjen Haxhet, në vendin ku janë ekzekutuar rreth 2000 persona të cilët qenë shpallur nga pushteti komunist si armiq të popullit. Shumica e të ekzekutuarve nga pushteti komunist ishin shqiptarë. Aqif Blyta, po ashtu i ekzekutuar në këtë vend, që nga themelimi i Xhemijetit ishte udhëheqës politik e ushtarak i Sanxhakut dhe pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vendimin për ndërtimin e memorialit e ka paralajmëruar Bashkësia Islame para dy viteve, pasi që Rasim Ljajiq ministër i përhershëm, i cili edhe qeverisë komunën , me ndihmën e xhandarmërisë serbe, tentoi para disa viteve të grabitë hapësirën e Vakafit (pronën e Bashkësisë Islame) në Haxhet.
Për veprimtarinë e Aqif Blytës, si liderë i Xhemijetit, të deputetit në Parlamentin e Mbretërisë së Jugosllavisë, mandej për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore , pushteti në Serbi ka qëndrim armiqësor. Pushteti aktual, njësoj mbanë qëndrim ndaj tij, sikurse edhe pushteti i dikurshëm komunist i cili e ekzekutoi duke e shpallur armik të popullit.
T’i përkujtojmë lexuesit se Aqif Blyta (1887 – 21.01.1945 (kur edhe u ekzekutua nga OZNA), me prejardhje nga Gjakova, populli i Sanxhakut dhe më gjerë e njohin si Aqif Efendia , është njëri ndër politikanët dhe patriotët më të shquar të Sanxhakut të Pazarit të Ri ndërmjet Dy Luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta ishte veprimtar i shquar –sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif-efendiu, i cili kishte përkrahjen e pakursyer të Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të tij, është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga sulmet dhe shfarosjet çetnike.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizimit ushtarak dhe politik, ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentateve të parë ishin përgjegjës nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi,ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues kishin caktuar Hasë Rozhaja të cilët më në fund ishin tërheqë nga ky vendim. Kah fundi i vitit 1941 organizon mbrojtjen e Pazarit nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit, mandej i tërë Sanxhaku, me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga Kosova nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën të mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën nga OZN-a jugosllave u ekzekutua në Haxhet më 21 janar 1945.
Serbia rehabiliton Drazha Mihailoviqin
Nga Ismet AZIZI/
Udhëheqësi i lëvizjes çetnike Drazha Mihailoviq është rehabilituar me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd.
Reagimet e para për rehabilitimin e Drazhës vijnë nga Sanxhaku, gjegjësisht nga Instituti për Hulumtime të gjenocidit dhe krimeve në Pazarin e Ri.
Përkujtojmë, kërkesa për rehabilitimin e Mihailoviq qysh në vitin 2006, është parashtruar nga nipi i tij, Vojislav Mihailoviq, profesorët e Universitetit të Beogradit Smilja Avramov dhe Kosta Çavoski, Këshilli Liberal Serb dhe Shoqata e Ushtrisë Jugosllave në atdhe (SSB). Familja dhe të tjerët kërkuan anulimin e vendimit të datës 15 korrik 1946 i cili Mihailoviqi është akuzuar për bashkëpunim me Forcat e Boshtit dhe se kishte negociuar një armëpushim midis forcave të tij dhe ato të Gjermanisë. Ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua.
Për boshnjakët vendimi është i pavlefshëm, dhe do të refuzohet në mënyrë sistematike, thotë Drejtor i Institutit për Hulumtime të gjenocidit dhe krimeve dr. Admir Muratoviq shkruajnë mediat në Sanxhak.
Prof. Muratoviq konsideron vendim skandaloz politik i cili nuk është i bazuar në argumente juridike. Humbje më të madhe do të mund të kishin ata që e kanë sjellë dhe që kanë ndikuar në miratimin e këtij vendimi.
– Konsideroj se bëhet fjalë për ato forca të cilëve nuk iu konvenon që populli serb të njoh efektet e dëmshme të një politikë të tillë, thekson drejtori i Institutit.
Dhe një politikë e tillë këtyre forcave iu ka kushtuar në Luftën e Dytë Botërore, mandej viteve ’90 dhe deri më tani.
Prof. Muratoviq konsideron se janë ato forca të cilat dëshirojnë të parandaluar, ose të paktën të shtyjnë dialogun e paralajmëruar serbo-boshnjak. Për Boshnjakët vendimi për rehabilitimin ka pasoja para se gjithash emocionale. Boshnjakët, thotë Muratoviq, e dinë se kush ishte Draža Mihailovic. Për Boshnjakët ky vendim është i pavlefshëm, dhe do të refuzohet në mënyrë sistematike.
Boshnjakët, thotë, besojnë se ato forca në Serbi që njohin efektet e dëmshme të këtyre vendimeve, por edhe nevojën për pajtim në mes të dy popujve, të ndikojnë në krijimin e një të ardhme të përbashkët që do të jetë më e sigurt nga ajo e kaluara por edhe nga e tashmja.
Mihailoviq ishte udhëheqësi i parë jugosllav i kryengritjes popullore kundër pushtimit gjerman në vitin 1941 dhe u bë shpejt gjeneral dhe ministër i luftës nga qeveria mbretërore në mërgim në Londër.
Nga fundi i 1942, Mihajloviq ishte i bindur se komunizmi paraqiste një kërcënim më afatgjatë për Jugosllavinë sesa pushtimi i Boshtit nazist, dhe kërkoi t’i ruante forcat e tij për një përballje me partizanët e Josip Broz Titos.
Shkalla në të cilën ai kontrollonte forcat çetnike në Bosnjë dhe Kroaci, ku ata kryen krime shumë të shëmtuara, mbetet ende e hapur për diskutime.
Disa prej togerëve të tij të lartë në fushë, si “Papa” Dujic, bashkëpunuan haptazi me italianët dhe gjermanët në emër të ruajtjes së besimit ortodoks të Serbisë dhe të kombit. Ai dhe të tjerë gjithashtu vunë në shënjestër dhe vranë myslimanë boshnjakë dhe kroatët si edhe komunistë.
Pasi komunistët e Titos morën pushtetin në Jugosllavi, ata e përndoqën Mihajloviqin dhe e nxorën atë para gjyqit në Beograd në vitin 1946. Ai u akuzuar për bashkëpunim me Forcat e Boshtit dhe se kishte negociuar një armëpushim midis forcave të tij dhe ato të Gjermanisë. Ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 11
- Next Page »