De Biazi: Na mundi Izraeli!
Xhani De Biazi nuk kërkon justifikime. Sipas trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit, ndeshjen me Izraelin e humbi ekipi dhe jo rrethanat e çuditshme në të cilat u zhvillua takimi, siç janë shprehur publikisht disa lojtarë apo edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në një intervistë për “Top Channel”, De Biazi ka bërë të ditur se beson akoma se Shqipëria mund të paraqitet mirë në kualifikueset e Botërorit, edhe pse ka pranuar se ekipit i mungon “shkëndija” që nevojitet për të arritur një objektiv të rëndësishëm.
Përse humbja me Izraelin na la një shije kaq të hidhur? Si e shihni ju?
Sepse Izraeli nuk është Spanja, nuk është Serbia, nuk është Portugalia që na kanë mundur në shtëpi. Për fat të keq është një skuadër e cila ka të njëjtat cilësi si ne. Kjo ndeshje ishte shumë e veçantë, pasi pas 16 minutash pëson një gol me penallti dhe nxjerrja e një lojtari me të kuqe është e qartë se ndeshja bëhet e vështirë.
Pas kampionatit europian është vënë re një ulje e pritshmërive të lojtarëve, mendoni edhe ju kështu dhe për çfarë arsye?
Besoj se si të gjithë njerëzit, pasi dikush arrin një sukses të madh, rikthimi në garë, në një realitetet të ri, në një sfidë të re, është më pak e lehtë se sa mund të duket. Ky është kundërshtari më i madh që ne kemi. Është gjeja e parë që kam folur me djemtë kur jemi takuar për herë të parë. U kam marrë si shembull se kush ngjitet për herë të parë në Seria A, Bundesligë, duke marrë pjesë në një kompeticion më të madh, jep 110 %. Vitin pasardhës 99 në 100 raste, kjo skuadër bie nga kategoria. Në kokat tona jemi të bindur që të bëjmë të njëjtën gjë, të stërvitemi në të njëjtën mënyrë, por mungon ajo shkëndija për të arritur objektivin.
Nga ky këndvështrim, mund të themi se Europiani na ka bërë dëm? Apo nuk jemi mësuar që të luajmë në këto nivele dhe vuajmë më pas?
Jo jo, besoj se Europiani u ka bërë mirë të gjithëve, kombit, futbollit shqiptar. Sepse herë pas herë jashtë kufijve flitet për Shqipërinë në terma pozitivë.
Lojtarët në skuadrat e tyre janë më të përqendruar, luajnë në një mënyrë tjetër, nuk e di nëse jeni dakord?
Unë nuk e di nëse i shikoni të luajnë, besoj se jo, por kjo nuk ka rëndësi. Unë i ndjek rregullisht dhe shoh se lojtarët japin të njëjtën gjë, e më tepër skuadrat janë të ndryshme nga kombëtaret.
Flas për Hysajn, Berishën, Mavraj që edhe këtë javë pamë se luajtën mirë, për këta lojtarë
Çfarë beson, se kur luajnë me kombëtaren, luajnë keq? Por është një përbërje skuadre, nuk janë e njëjta gjë. Është çështje motivimi, me skuadrën janë 7 ditë në javë së bashku, ndërsa me kombëtaren janë 7 ditë në 4 muaj.
Për ndeshjen e fundit është diskutuar tepër për sulmin me 3 lojtarë kur ishim me 9 lojtarë në fushë. Mund të na jepni një shpjegim, se si e patë këtë moment të skuadrës, për këto zgjedhje?
E pashë ashtu siç pashë të gjithë ndeshjen. Një skuadër me 2 lojtarë më pak në fushë, në vështirësi. Por rrezikuam më tepër, u vendosëm me 4 lojtarë prapa, 2 në mesfushë dhe me 2 sulmues në krahë dhe një në qendër. Po kërkonim të kishim më tepër peshë në sulm. Nuk është se ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, me dy lojtarë më pak u munduam që të shënojmë një gol, për të rritur shpresat, pasi ishim 2-0.
Do të bëje të njëjtat zgjedhje nga formacioni tek zëvendësimet?
Po do të bëjë të njëjtat, pas ndeshjesh është tepër e lehtë që të bësh zgjedhje. Mund t’i bëjnë gazetarët. Para ndeshjes vendoset në bazë të gjendjes, se si ti e ke përgatitur ndeshjen dhe si i ke parë ata lojtarë në ato 6-7 ditë.
Mavraj duket më pak i motivuar. Duket sikur nuk po argëtohet më gjatë lojës, sikur luan me detyrim. A mos ka lidhje kjo me pretendimin e tij për të qenë ai kapiteni?
Unë nuk jam mësuar të bëj dallime kur gjerat nuk shkojnë mirë. Unë jam mësuar të flas për skuadër jo për individ. Sot këto lloj akuzash, duke nisur nga unë tek lojtarët që nuk japin maksimumin nuk çojnë gjëkundi. Trajneri është aty për të parë, ka sytë për të parë dhe i sheh të gjitha çfarë funksionon dhe çfarë jo, për këtë arsye më pas bëhen zgjedhje, por edhe kur bën zgjedhje del dikush që gjithmonë do të sulmojë për njërin apo tjetrin që lë jashtë. Mos mendoni që ne punojmë kur grumbullohet ekipi, ne punojmë çdo ditë për atë listë që publikohet.
Të mungon një personazh si Lorik Cana për të motivuar lojtarët? A është Ansi Agolli personazhi i duhur për të motivuar skuadrën e shokët e skuadrës?
Cilësia nuk i mungon si njeri, apo eksperienca sigurisht si lider. Gjithsesi nuk mund të mendojmë për ata që janë, duhet të mendojmë për ata që janë. Nëse flasim për Lorik Canën dhe Europianin, për fat të keq nuk mund të flasim për probleme të jashtëzakonshme.
Por a është Agolli si Cana, a i ka aftësitë për të motivuar skuadrën?
Çdo person është i ndryshëm, ne nuk kërkojmë një Lorik Cana, ne kërkojmë një skuadër. Ne nuk duhet të varemi nga individët. Pa Canën kemi fituar ndaj Rumanisë në Europian dhe kemi bërë ndeshje të bukura. Kështu që besoj se është problem për t’i personalizuar gjerat, besoj parimisht se duhet të jetë një skuadër dhe duhet të japë 100%.
Presidenti Duka në intervistën e fundit u shpreh se kritikët e Xhani De Biazit janë xhelozë për punën dhe pozicionit e tij. Si e mendoni?
Është opinioni i tij, nuk është se ndodhem atje dëgjoj çfarë thonë të tjerët. Mund t’ju duket e çuditshme por për mua për ato që thotë shtypi bëj një reflektim edhe kaq.
Në ditët e fundit kemi lexuar në shtyp për kandidaturën tuaj për pankinën italiane…
Mbaroi, stop, nuk vazhdojmë. Ju doni të dini se kush futi shkopinjtë nën rrotë.
Desha t’ju pyes a jeni i motivuar si në ditën e parë në pankinën e Shqipërisë?
Jo, besoj se jam akoma edhe më tepër. Ndjehem më i motivuar sot, se ditën që erdha në Shqipëri, sinqerisht. Edhe pse shoh një krijesë që lindi nga hiçi e u kthye në diçka të rëndësishme. Diçka të rëndësishme pasi askush nuk e besonte se Shqipëria mund të arrinte në ato nivele. Sot që Shqipëria ka arritur në ato nivele, dikush ankohet se Shqipëria humbet me Izraelin, apo humbim në shtëpi kundër Spanjës.
Sa e vështirë është të ribëjmë të njëjtën lojë që bëmë në Europian?
Nuk është e vështirë. Loja është e njëjtë, por janë paraqitjet e lojtarëve që bëjnë diferencën. Nëse dikush nuk jep 100%, është e njëjta gjë që të thashë më parë.
A mund t’ju pyes për marrëdhëniet tuaj me Kaçen? U prish përgjithmonë, apo ka ndonjë shpresë për Kaçen, apo Abrashin me të cilin është parë një ftohje?
Jo jo, Keni folur vetëm ju.
Ka folur edhe lojtari.
Me Kaçen kam folur vetëm njëherë para ndeshjes. Ia kam bërë gjerat mjaft të qarta. Ato çfarë i thashë janë gjera që nuk ju interesojnë juve, por atij.
A mendoni se siguria e tepruar, masat e rrepta të policisë, ndikuan në lojën e skuadrës në ndeshjen e fundit?
Jooo, kjo është një shaka. Policia ishte për ne siç ishte edhe për ata, nuk ndryshon asgjë. Te mos fshihemi pas gishtit. Ndeshjen e humbëm sepse pësuam atë gol të parë që mund ta evitonim. Mund evitonim aksionin nga lindi goli, nga një top i gjatë 50 metra, që nuk mund të kalojë kurrsesi ashtu. Më pas një faull që ishte ose jo nuk e di, apo nëse ishte faull për të kuqe, nuk e di. Gjithsesi ky episod ishte ai që vendosi ndeshjen dhe jo policia, e cila ndodhej aty për sigurinë tonë.
Çfarë mund të presim akoma nga këto kualifikuese?
Nuk e di se çfarë mund të presim, varet nga ndeshjen që do të bëjmë. Mungojnë ende 6 ndeshje, nuk jemi as në gjysmë të garës. Nuk kemi ndeshjen e fundit vendimtare, duhet të luajmë edhe 6 ndeshje. Duhet të prezantohemi me një shpirt ndryshe. Sa më tepër që përmirësohet një lojtar, aq më shumë rritet skuadra, nga pikëpamja e lojës kolektive.
Deri në ndeshjen e ardhshme kualifikuese, a kemi në program ndonjë ndeshje miqësore?
Nuk ka hapësira për miqësore, do të luajmë me Italinë më 24 mars. Praktikisht më duket e pamundur për shkak të kohës që kemi në dispozicion. Ndoshta do të kemi mundësi të luajmë ndonjë ndeshje më parë, për ta përgatitur ndeshjen që luajmë më 24 mars.
Tifozët kanë vendosur të braktisin kombëtaren në stadiume pas masave të tepruara të sigurisë në ndeshjen ndaj Izraelit, a keni ndonjë mesazh për tifozët?
Unë e mbështes tifozerinë me problemet që ata kane sepse unë mendoj qe tifozët tanë janë shumë të veçante. Por duhet të kuptojnë se kjo ndeshje ishte e veçantë, ishte nën objektivin e akteve terroriste. Kështu që edhe kontrollet e rrepta ndodhin në ndeshje me rrezik të lartë. Besoj se në ndeshjet e ardhshme nuk do të jenë këto lloje kontrollesh dhe besoj se ata do të hyjnë me qetësi dhe pa pësuar kontrolle fyese, që janë kundër frymë së sportit.