Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Pikë së pari duhet theksuar se Kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa, u zgjodh në mënyrë të ligjshme me 65 vota kryetar i Kuvendit, si dhe dy nënkryetarët z.Glauk Konjufca dhe zonja Duda Balje. Kjo gjë s’mund të zhbëhet për një arsye: sepse 120 deputetët e Kuvendit bën betimin dhe ishte vullneti i shumicës për t’i zgjedhur organet e Kuvendit, kryetarin dhe dy nënkryetarët. Kështu që do të ishte kundër vullnetit të shumicës dhe shkelje e Kushtetutës nëse çdo gjë kthehet nga pika ”zero”. Puna e konstituimit të Kuvendit ka marrë fund, pavarësisht veprimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese. Kthim prapa nuk ka. Me këtë fakt duhet të pajtohet edhe koalicioni i PDK-së, por edhe filiali i saj juridik Gjykata Kushtetuese që po merrë vendime arbitrare dhe të njëanshme në favor të PDK-së.
”Topi” është tek Presidentja!
Presidentja Jahjaga pa nevojë është futur në konflikt me koalicionin LDK-AAK-NISMA. Shqetësimet e koalicionit LDK-AAK-NISMA, janë shumë të arsyeshme duke parë veprimet e saja të njëanshme, të pamatura dhe shpesh herë të çuditshme. Veprimet e njëanshme të Presidentes nuk kanë qenë shqetësuese vetëm për koalicionin, por edhe të popullit.
Duke e parë indiferencën e Presidentes ndaj zhvillimeve të fundit, është shumë i arsyeshëm që koalicioni LDK-AAK-NISMA ka ngritur dyshimin për paanshmërinë e saj. Presidentja e Kosovës si e para e vendit, nuk duhet të rrijë indiferente për çdo çështje madhore. Ajo për çëshjet e mëdha duhet të reagojë, në bazë të kompetencave që i ka.
Nuk është e arsyeshme që ajo t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çdo gjë. Kur ka pranuar të jetë Presidente e një shteti, ajo është dashur ta dijë që posti i Presidentit është me përgjegjësi të madhe dhe përgjegjësisë nuk guxon t’i ikë për t’i zgjidhur problemet madhore, e aq më pak një ngërçi politikë të shkaktuar nga PDK-ja dhe ”filiali” i saj juridik Gjykata Kushtetuese. Një pjesë të fajit për këtë ngërç politikë e ka edhe Presidentja Jahjaga. Pikë së pari ajo s’ka pasur nevojë t’i dërgoj pyetje fare Gjykatës Kushtetuese, por në bazë të kompetencave që i ka, t’i thërras koalicioniet që kanë shumicën për kirjimin e Qeverisë. E dyta, Gjykata Kushtetuese nuk është e thirrur t’i komentojë çështjet politike, kështu që Presidentja Jahjaga ka bërë shkelje të ligjit duke iu drejtuar Kushtetuesës.
”Tash ‘topi” është tek Presidentja Jahjaga dhe asaj i takon që ta zgjidh këtë ”ngërç” politikë të shkaktuar nga PDK-ja dhe ”filiali” i saj juridik Gjykata Kushtetuese. Çdo gjë tash varet nga Presidentja dhe ajo si e para e vendit në bazë të kompetencave që i ka duhet të reflektojë, e jo të rri duarkryq. Presidentja Atifete Jahjaga në bazë të kompentecave që ka, ajo duhet ta thërras koalicionin që ka shumicën ta mandatojë për krijimin e Qeverisë. Për të mos humbur më shumë kohë, Presidentja Jahjaga duhet ta thërras koalicionin që ka shumicën dhe mund ta krijojë Qeverinë. E, duke e ditur që PDK-ja respektivisht koalicioni i PDK-së nuk i ka numrat e nevojshme, atëherë ajo duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Kosova s’ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme vetëm për dëshirat e PDK-së, kur kemi koalicionin LDK-AAK-NISMA që ka votat e mjaftueshme për krijimin e Qeverisë. Nëse Presidentja Jahjaga donë t’i evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të tregoj se me të vërtetë është e paanshme, ajo duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Nëse ajo vepron ndryshe, me të vërtetë do të ishte skandaloze dhe antikushtetuese, dhe me këtë do tregonte se edhe ajo sikurse Gjykata Kushtetuese është vegël e PDK-së. Kam bindjen se Presidentja Jahjaga s’do të bie pre e provokimeve dhe kërcënimeve të koalicionit të PDK-së, por do të veprojë sipas vullnetit të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Jahjaga,më 27 maj në debatin e Këshillit të Sigurimit
OKB – NEW YORK : Këshilli i Sigurimit, pritet të mblidhet që të diskutojë raportin e rregullt tremujor mbi Kosovën, më 27 maj, kjo për shkak, se në 8 qershor në Kosovë, do të mbahen zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare.
Kështuqë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, do të mblidhet më 27 të këtij muaji – për të diskutuar raportin e radhës për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, kështu të paktën kan thënë burime diplomatike nga Nju Jorku.
Këtë radhë, për herë të parë, të dyja vendet do të prezantohen në nivel presidencial – prej se kur të dy presidentët janë zgjedhur. Kësisoj, presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, do të jetë në këtë debat rutinë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me presidentin serb – Tomislav Nikolic.
Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit, thuhet se u është dorëzuar shteteve anëtare në fillim të këtij muaji. Burimet diplomatike nga Nju Jorku, kan thënë se në këtë raport nënvizohet se ende mbesin disa sfida në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“I inkurajoj të dyja palët që të vazhdojnë punën e tyre, në besim të ndërsjellë për zbatimin e marrëveshjes dhe që ta krijojnë Asociacionin në vullnet të mirë. Megjithatë, moszgjidhja e problemeve për zbatimin e plotë të marrëveshjes së 19 prillit, nuk duhet të minimizojnë përparimin e bërë që nga fillimi i dialogut”, citohet të ketë thënë Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar, gjithashtu, se ajo nuk do të përzihet në çështjen e krijimit të Ushtrisë së Kosovës – FAK.
Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Hak, ka thënë për agjencitë e lajmeve ndërkombëtare, në fillim të këtij muaji se nuk i përket OKB-së të përzihet në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë.
Deklarimet e zyrtarëve të OKB-së vijnë pas reagimit të Serbisë se do të kërkonte mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për çështjen e krijimit të ushtrisë së Kosovës./Beqir SINA/
Presidentja Jahjaga priti një delegacion të Bundestagut gjerman
Nga B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Bundestagut gjerman, i kryesuar nga Johannes Selle dhe i shoqëruar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Blomeyer.
Presidentja Jahjaga vlerësoi vizitën e delegacionit të Bundestagut dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në përmbushjen e vizionit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga theksoi se axhenda evropiane gëzon konsensus të gjerë kombëtar dhe nivel të lartë të mbështetjes nga të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet e Kosovës. Presidentja tha se përshpejtimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës do të ishte nxitje e mëtejshme për reforma, konsolidimin demokratik, rritjen ekonomike si dhe do të dërgonte sinjalin e duhur për të gjithë qytetarët e Kosovës se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga e njoftoi delegacionin e Bundestagut gjerman edhe për procesin e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të cilin e cilësoi si të vetmen mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryesuesi i Delegacionit të Bundestagut gjerman, Johannes Selle, theksoi se Gjermania përkrah synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai tha se projekti i Evropës së bashkuar ka qenë i suksesshëm dhe ne dëshirojmë që edhe Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës. Ai theksoi se kjo rrugë do të jetë e gjatë, por Kosova tashmë ka bërë hapat e parë dhe të rëndësishëm në këtë rrugë.
Zyrtarët gjermanë, duke folur për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, theksuan se Kosova duhet të vazhdojë të fuqizojë infrastrukturën e investimeve me qëllim që më shumë investime të bizneseve gjermane të mund të vijnë në Kosovë. Kosova gjithashtu duhet të orientohet në ofrimin e arsimimit modern dhe praktik që i përshtatet nevojave të tregut dhe investitorëve, thanë ata.
PRESIDENTJA MORI NE DOREZIM PETICIONIN E SHOQERISE CIVILE
Përfaqësues të shoqërisë civile i dorëzuan të premten presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, peticionin e nënshkruar nga mbi 12 mijë qytetarë, me të cilin shprehet mospajtimi i tyre me versionin e tanishëm të Ligjit për Amnistinë.
Rrjedhimisht, përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan nga presidentja që të përdorë autoritetin dhe kompetencat ligjore dhe të mos e nënshkruajë këtë ligj, para se ai të pësojë ndryshime shtesë.
Bashkë me peticionin, përfaqësuesit e disa organizatave qeveritare i kanë dorëzuar presidentes edhe një letër ku shoqëria civile pajtohet me miratimin e një Ligji për amnistinë, por se ai duhet të vlejë për integrimin e qytetarëve serbë të veriut në institucionet e Kosovës.
Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, tha para mediave se shoqëria civile nuk është kundër Ligjit për amnistinë, por kërkon që ky ligj, si një akt që derivon nga Marrëveshja me Beogradin, të vlejë vetëm për integrimin e serbëve të komunave veriore dhe të mos amnistojë edhe vepra të jashtëligjshme të kryera në pjesët tjera të vendit.
“Republika e Kroacisë ka sjell Ligj të amnistisë vetëm për serbët për integrimin e tyre, Republika e Serbisë për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Republika e Maqedonisë ka nxjerr Ligj për amnisti për shqiptarët në Maqedoni dhe për integrim të pjesës veriore të Kosovës duhet të amnistohen ata që duan të integrohen. Nuk mund të ketë amnisti për njerëz që janë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të cilët e kanë shkelur ligjin apo të cilët janë afër partive politike”, tha Deda.
Ndërkohë, edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike tha se në emër të nënshkruesve të peticionit, i kanë kërkuar presidentes që të kthejë ligjin në Kuvend për ndryshime të mëtutjeshme.
“Ne i kërkuam presidentes që të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese për ta kthyer ligjin në Kuvend dhe për t’i dhënë specifikisht ato zbrazësi juridike që ne mendojmë se ky ligj i ka. Ne jemi për një ligj mbi amnistinë, i cili i arrin dhe plotëson standardet bazike të një shteti të së drejtës dhe për një ligj mbi amnistinë që nuk amniston dikë, i cili nuk është objekt i marrëveshjes Kosovë – Serbi”, u shpreh Korenica.
Më pas, përmes një komunikate me shkrim, presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit.
Ajo është zotuar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke shqyrtuar edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE.
Po sot, Lëvizja Vetëvendosje procedoi për në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për amnisti, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kërkesa Gjykatës Kushtetuese iu procedua nëpërmjet deputetes Albulena Haxhiu.
“Ne e kontestuam këtë projektligj në dy aspekte; në atë përmbajtjesor, ngase me miratimin e tij u shkelën të drejtat e njeriut, pra u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe aspekti i dytë, me miratimin e tij u shkel edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, theksoi deputetja Haxhiu.
Dallimi ndërmjet qëndrimeve të Vetëvendosjes dhe shoqërisë civile qëndron në faktin se ky subjekt politik e ka kundërshtuar në tërësi ligjin, pasi që ai buron nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ky ligj ishte miratuar në Kuvend me dy të tretat e votave, Siç është prezantuar nga Qeveria, amnistia ka si qëllim integrimin e serbëve të veriut në kuadër të sistemit dhe institucioneve të Kosovës.(Kortezi Zijadin Gashi)
24 MARS 1999, NGJARJE E MADHE HISTORIKE PER KOSOVEN
Presidentja Atifete Jahjaga: NATO i hoqi pushtetin Serbisë nga Kosova/
Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër caqeve serbe, në historinë e re të Kosovës, është një nga ditët më domethënëse dhe kuptimplotë për lirinë e vendit, dhe paraqet krenari për të gjithë kosovarët, vlerëson presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e shtetit ka nënvizuar se fushata e bombardimeve, rezultoi me kapitullimin e forcave serbe të sigurisë, që shënoi edhe largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova.
“Pikërisht sot para katërmbëdhjetë vitesh, Aleanca Veri-atlantike i nisi sulmet ajrore mbi caqet e caktuara në ish-Jugosllavi që rezultuan me kapitullimin e forcave të armatosura dhe me largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova”, thuhet në komunikatën që ka dërguar Presidenca të dielën.
Katërmbëdhjetë vjet pas këtij akti, kryetarja e shtetit thekson se ky veprim i Paktit Veri-Atlantik demonstroi se secili popull e ka të drejtën që të jetojë i lirë në tokën e vet, i barabartë dhe i dinjitetshëm.
“Ne sot jemi krenarë dhe ndiejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim ndërmjet vete”, thuhet në komunikatë.
Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, më 24 mars të vitit 1999, pas negociatave disa mujore me Beogradin nuk kishte arritur që ta bindë atëbotë ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të ndalë dhunën në Kosovë, dhe t’i tërheq trupat policore dhe ushtarake.
Andaj, NATO kishte vendosur që të nisë një fushatë ajrore për të arritur qëllimin e vet.
“Republika e Kosovës, një sukses i yni i përbashkët, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar në parimin qytetar dhe me shoqëri demokratike, në të cilën të gjithë njerëzit i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta, pa asnjë dallim.”
“Vendi ynë sot falë angazhimit të të gjithë qytetarëve, përkushtimit të të gjithë shoqërisë, po ndërton një shoqëri të drejtë, të mundësive të barabarta, një shtet me rend dhe sundim të ligjit dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Për 78 ditë me radhë, vendet e NATO-së nuk ndalën bombardimet, përderisa Serbia nuk pranoi kapitullimin.
Më pas, Serbia dhe Pakti Veri-Atlantik nënshkruan Marrëveshjen e Kumanovës, përmes së cilës iu mundësua hyrja e trupave paqeruajtëse si garantues për sigurinë në Kosovë.
Paralelisht, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si organi më i lartë vendimmarrës global-edhe pse nuk ishte pyetur për bombardimet-nxori Rezolutën 1244, e cila vendosi një misioni të përkohshëm të administrimit të Kosovës, UNMIK, deri në zgjidhjen e statusit të vendit.
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9
- 10
- Next Page »