– Fan Noli do jetë kthyer me siguri përmbys në varr kur në Krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare erdhi Anastas Janullatos-/
NGA MUSTAFA NANO/*
Teksa ndiqja këto ditë Kirillin, kreun e Kishës Ortodokse ruse, gjatë vizitës në Shqipëri, që është vizita e parë e një patriarku rus këtyre anëve, u ndjeva i ngacmuar në më shumë se një mënyrë. M’u kujtua më së pari Fan Noli, që në fillim të shekullit të shkuar është shuguruar prift prej një rusi, me emrin Platon, që ishte kreu i kishës ruse në Shtetet e Bashkuara. Dhe mos krijoni iluzione. Kjo nuk është provë e marrëdhënieve e kontakteve të mira e të vrullshme mes ortodoksëve shqiptarë e rusë. Jo, as që bëhet fjalë. Këto marrëdhënie kanë qenë e janë pothuajse zero. Më tej, më erdhi në mendje historia e themelimit të kishës sonë ortodokse autoqefale. Fan Noli, tok me shqiptarë të tjerë në SHBA, iu vunë përpjekjeve për themelimin e kishës ortodokse shqiptare për motive pastërtisht patriotike, dhe më konkretisht, për të mos lënë ortodoksët shqiptarë atje, në SHBA pra, të binin nën ndikimin e kishës ortodokse greke. Dihet që kisha ortodokse shqiptare është themeluar, përveç të tjerash, edhe për të shërbyer si një ledh ndaj greqizimit të shqiptarëve ortodoksë. Këtë e them në respekt të kronikës së historisë, e jo për të futur spica brenda komunitetit të ortodoksëve shqiptarë apo midis dy vendeve tona fqinjë. As që më shkon mendja te kjo e fundit. Dhe ironia e historisë e deshi që kreu i kishës ortodokse shqiptare në 25 vitet e fundit të jetë një grek. Këtu nuk e kundërshtoi njeri emërimin e tij në vitin 1992, por Fan Noli do jetë kthyer me siguri përmbys në varr, kur ka marrë vesh se kjo ndodhi. Dhe afërmendsh, kjo nuk ka lidhje me Anastas Janullatosin; ky i fundit, edhe si person, edhe si prift, është ok. Është një figurë e respektuar. Dhe me siguri do t’i mbetet një emër i mirë në historinë e Shqipërisë. Përveç të tjerave, ai është edhe kryepeshkopi më jetëgjatë në krye të kishës ortodokse shqiptare; e kushedi edhe sa vjet të tjera do jetë në krye të kësaj kishe, sidoqë është duke mbushur të nëntëdhjetat. Me shëndet është si kokrra e mollës. Dhe kështu i bie që dy figurat më të rëndësishme në historinë e kishës ortodokse shqiptare të jenë Fan Stiljan Noli, që luftoi për të ngritur një kishë shqiptare autoqefale, e cila atëbotë ishte by default një kishë antigreke, dhe Anastas Janullatosi, një prift grek që, ashtu si çdo prift grek, ëshë më grek se shqiptar se të gjithë shqiptarët. Është në natyrën e traditën e kishave ortodokse që të jenë shumë të lidhura me pushtetin, me politikën, me kombin, e në përgjithësi me punë që s’kanë të bëjnë shumë me qiellin. “Autoqefale” në një mënyrë a në një tjetër ka marrë kuptimin “nacionale”, për të mos thënë “nacionaliste”. S’ka gjë se në Shqipëri e ka humbur këtë kuptim. Ka ekzistuar frika fillimisht se “konflikti” midis priftit dhe grekut mund të bartej në mënyrë dramatike në fronin më të lartë të kishës ortodokse shqiptare, por kjo nuk ndodhi. Për meritë të Janullatosit, duhet thënë, që ka ditur ta mbajë të shtruar, apo ta maskojë, këtë konflikt. Jo më kot, ortodoksët shqiptarë e duan dhe e nderojnë. Nuk kam njohur asnjë ortodoks që të mos e dojë e të mos e respektojë. Dhe nuk është se e respektojnë qysh prej momentit që ka marrë pasaportën shqiptare. Jo, e kanë respektuar qysh në krye të herës. Kjo është një arsye që më bën edhe mua, si shqiptar laik, ta respektoj. Por personalisht nuk kam mundur ta heq prej vetes një sëkëlldi, si të thuash, noliane. Se si më vjen që në krye të kishës ortodokse autoqefale shqiptare nuk është një shqiptar. Nuk u mësova dot me këtë fakt. I dua grekët, i kam xhan sa s’ka ku të shkojë, më nderojnë edhe kur më hyjnë në shtëpi por, në respekt të historisë së vendit tim, nuk i dua në krye të kishës ortodokse shqiptare. Unë do doja që në krye të kishës ortodokse shqiptare të ishte një shqiptar. Se ja, se si më dukej këto tri ditët e fundit që, në skenën shqiptare, protagonistë të ngjarjes më të rëndësishme të javës ishin dy të huaj, një grek e një rus. Boh!
*Botoi Gazeta Panorama. E solli per Diellin anetari i Keshillit te Vatres, ish nenkryetar i Vatres, Sergio Bitici