NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Në rrjetin social u festua me histeri glorioze 60 vjetori i TVSH, institucionit më të zi të informimit të diktaturës, i cili konsiderohej nga regjimi i rëndësisë të veçantë, sikur vetë KQPPSH. Edhe selia e RTSH gjendej në kuartierin gjeneral të udhëheqjes komuniste.
E qartë se në kohë karantine, njerëzit i kap nostalgjia për vitet që ikin tutje dhe nuk kthehen më bashkë me vitet e jetës së tyre, dakord!
Por bashkë me nostalgjinë a nuk kishte vend për një reflektim, për një ndjesë ose për të pohuar të paktën të vërtetën se nga ajo ndërtesë përhapej propaganda më trushplarëse, filmat më skematikë dhe idiotë, koncertet ku kompozitorët digjeshin kur notat në pentagram kërcenin pak me ritëm apo kur këngëtarët guxonin të vishin diçka apo të bënin një xhestikulacion pa marrë leje nga partia.
Shqiptarët duhet ta dinë se në TVSH e kohës të diktaturës, punonin njerëz që kishin besimin e plotë të partisë të punës, që kishin lidhje direkte ose indirekte, të tërthortë apo të përdrejtë.
Do të thoni se i gjithë populli ishte besnik i partisë, por partia nuk i besonte, sepse aty zbulonte armiqtë e saj dhe prandaj për të ruajtur kontrollin dhe terrorizuar deri edhe psikën e shqiptarëve, operonte me shpatën e egër të diktaturës të proletariatit e luftës të klasave, me ushtri, polici, sigurimin e shtetit dhe me superstrukturë.
Gazetarët që punonin në aty, si aparatçikë ishin në kontakt direkt me aparatin e KQPPSH, edhe redaksitë e tjera programin e kishin të aprovuar nga lart, bujqësia i bënte jehonë kooperativave, kultura skemës të njohur antikombëtare të politikave përçarëse. TVSH mbante të njëjtin qendrim të egër, kërcëllitës, vëllavrasës!
A ju kujtohet se programi i TVSH fillonte në orën 18:00 të mbrëmjes dhe përfundonte rreth orës 22:00!
A ju kujtohet se çfarë thatësire shpirtërore përcillte ajo kuti, nga ku censurohej historia, kultura prangosej, bujqësia kolektivizohej, sikur i kolektivizohej edhe truri i shqiptarëve.
Kur thuhej TVSH nënkuptohej partia dhe vice versa! TVSH ishte arma e propagandës komuniste që vriste guximin njerëzor.
Ju lutem, kush ka punuar në atë institucion ato vite, le të thotë shqip se ishte i privilegjuar, ose se ishte me fat, ndryshe nga shqiptarët e tjerë që kishin probleme në biografi, të cilëve nuk u lejohej kurrë t’i ngjisnin ato shkallë apo të shfaqeshin në atë ekran!
Për çfarë mund të krenohen punonjësit e TVsh ? Që u bënë zëdhënës të një regjimi mizor ?
Natyrisht që nuk mund të vepronin ndryshe. Nuk kishin shans! Ata bëheshin më fanatikë se edhe vetë udhëheqja!
Por të paktën të heqin dorë nga deliri i madhështisë si ishët e institucionit trushplarës të popullit shqiptar që mbrohej me polici dhe ushtri sepse prej asaj kutie përhapej propaganda indoktrinuese e regjmit stalinist.
Natyrisht ka nostalgji kolegësh, kjo është e justifikuar, por si nuk ka asnjë reflektim, si nuk ka asnjë ndjesë për audiencën, që i mohohej e drejta të shihte atë që dëshironte, të shprehte atë që mendonte, të tregonte të vërtetën sikur ishte!
Ndërsa diktatura vriste, burgoste, internonte, nga TVSH si krahu i djathtë i regjimit, shpërndahej helmi dhe vreri!
Të mos flasim pastaj se në sa e sa gjuhë të Radios shpërndaheshin rrenat e regjimit dhe si denoncohej kapitalizmi dhe Perëndimi!
Të kujtosh sot me brohërima kohën e trushplarjes, të burgosjes dhe izolimit të shqiptarëve është e frikëshme!
Tani që jetojmë prej më pak se dy muaj në lockdown – karantinë dhe ndihemi me të drejtë të izoluar, e kemi për detyrë të denoncojmë lockdown-in dhe karantinën 40 vjeçare të diktaturës, padyshim edhe me ndihmën e TVSH!
Po e përmbyll me një dialog midis Winston Smith dhe O’Brien tek viti 1984 i George Orwell që shpreh në mënyrë kuintesenciale thelbin e autokracie dhe levave të saj:
“Winston Smith: A ekziston vërtetë Vëllai i Madh?
O’Brien: Natyrisht që ai ekziston.
Winston Smith: A ekziston ai si ti dhe unë?
O’Brien: Ti nuk ekziston.”