• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Durrës përurohet busti i personalitetit të shquar kombëtar, Fan Noli

July 15, 2016 by dgreca

Busti i Fan Nolit është vendosur në hyrje të rrugës që mban emrin e tij dhe pranë Kishës Ortodokse të Durrësi, dhe është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani./

TIRANË, 15 Korrik/ – Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar sot, e Premte 15 Korrik, bustin e personalitetit të madh kombëtar, Fan Noli, i cili është vendosur në hyrje të rrugës që mban emrin e tij dhe pranë Kishës Ortodokse të Durrësit.

Busti i Fan Nolit është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani.

Në fjalën e tij, Dako deklaroi se nëpërmjet vendosjes së këtij busti, por edhe dhënies së titullit qytetar nderi, Bashkia dhe i gjithë qyteti i Durrësit nderon Fan Nolin, një personalitet kombëtar dhe një prej figurave emblematike të historisë dhe kulturës shqiptare, si dhe frymëzuesin e themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Durrësit.

Pas ceremonisë pranë Kishës Ortodokse është zhvilluar edhe një simpozium i organizuar nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, ku merrnin pjesë historianë, shkrimtarë dhe studiues dhe ku personalitete të letrave si, Nasho Jorgaqi apo shkrimtarë dhe historianë të tjerë, kanë folur gjerësisht rreth figurës dhe personalitetit të shquar kombëtar Fan Noli.

Në këtë simpozium është dorëzuar edhe titulli “Qytetar Nderi i Durrësit” për këtë figurë të shquar me motivacionin: “Personalitet i shquar kombëtar, mitropolit i Durrësit dhe një ndër kontribuesit më kryesorë në drejtim të ringjalljes dhe ringritjes kishtare në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, meshtar, predikues dhe lider shpirtëror që zgjodhi qytetin tonë për mbajtur meshën e parë në gjuhën amtare.”

Fan Noli një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur në Durrës ku ai mbajti edhe meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli mbante titullin kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe gjithë Shqipërisë. Mitropolia e ngritur pranë vendit ku ndodhet sot kisha ortodokse u bë selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921-1924 ku ai jo vetëm do të banonte, por edhe do të zhvillonte veprimtarinë  e tij kishtare dhe social politike.(Kortezi- Ilir Vata-ATSH)

Filed Under: Kronike Tagged With: fan noli, Kombetar, Në Durrës përurohet busti i, personalitetit të shquar

Basha thirrje qytetarëve: Të rrëzojmë qeverinë e rrezikut kombëtar

December 16, 2015 by dgreca

TIRANË, 16 Dhjetor / Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga mbledhja e sotme e grupit parlamentar demokrat, foli për protestën e nesërme të opozitës dhe arësyet që cuan drejt ndërmarrjes së këtij aksioni politik.

Me nota të larta pesimizmi, Basha tha se nga kjo qeveri nuk mund të pritet asnjë lajm i mirë, ndërsa e cilësoi atë “qeveri e rrezikut kombëtar”.

Një ditë para votimit nen për nen në Kuvend të buxhetit të vitit të ardhshëm, me gjuhë kërcënuese, kreu demokrat nënvizoi se ”ky është projektbuxheti i fundit i kësaj qeverie. Ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë fort në zgjidhjen për largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të reja”.

Sic bëri të ditur Basha, në shërbim të arritjes së këtyre objektivave nga ana e opozitës, do të jetë edhe aksioni i nesërm, që sic tha ai, do të vijë i koordinuar mes deputetëve në sallën e Parlamentit dhe qytetarëve jashtë saj. “Deputetët tanë do të argumentojnë në foltore pse ky është buxheti i recesionit, ndërsa qytetarët para Parlamentit do të vijojnë protestat dhe aktet demokratike paqësore”, shtoi ai.

Sakaq, lideri i opozitës apeloi për ngritjen në protestë të qytetarëve pa dallime politike. “Qytetarë, ngrihuni pa dallime politike, mblidhuni masivisht para Parlamentit të rrëzojmë këtë qeveri. Të diktojmë ngritjen e një qeverie teknike dhe zgjedhje të reja”, theksoi Basha në fjalën e tij.(Sipas ATSH)

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Kombetar, Qeveria e rrezikut

Pakti detar , Rama: Nuk negociojmë interesin kombëtar!

May 27, 2015 by dgreca

E pamigjanueshme ndërhyrja e Athinës për Idrizin/
“Jemi zotuar të bëjmë një politikë të jashtme me zero probleme me fqinjët, por jo të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne dhe nuk e ushqejmë ne” tha kryeministri Edi Rama në lidhje me cështjen e paktit detar mes Shqipërisë e Greqisë.
Rama e quajti të paimagjinueshme faktin e ndërhyrjes së Athinës në emërimin e nënkryetarit të Parlamentit Shpëtim Idrizi.
Edi Rama: “Për Greqinë, kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e athinës. Unë e kam uruar Tsipras, e kam ftuar për një vizitë në Tiranë, do të isha i lumtur të vizitoja Athinën dhe nga ana tjetër nuk shoh asnjë arsye në botë që as athina dhe as qarqe mendimtarësh ose politikanësh në Tiranë të cuditen pse shteti shqiptar kërkon nga Greqia bazuar në praktikat rutinore të diplomacisë dhe të ndrejtësn dërkombëtare, informacion për kërkimet në det. Nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverine e re te Athinës përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një cështje të interesit kombëtar dhe interes dy palësh, cështjen e kufirit detar. Duam të vijojmë bashkëpunimin e nisur edhe në të shkuar. Kemi pasur një bashkëpunim tëmirë me qeverinë e Samaras. Kemi zgjidhur problemin e toponimeve dhe kemi mbajtur hapur kanalin e dialogut për detin. Nuk kemi ndërmend të negociojmë ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë. Jemi zotuar për një politikë të të jashme me zero probleme me fqinjët.
Përsa i përket cështjes që lidhet në zgjedhjen e nenkryetarit të parlamentit, ashtu si ne nuk e imagjonojmë ti tregojmë Athinës kë duhet të zgjedhe në krye të parlamentit apo nënparlamentit, apo kë do përfshijë në qeverinë sovrane, ashtu nuk e imagjonojmë që të na tregojë Athina apo ndonjë kryeqytet tjetër të na tregojë sesi duhet të veprojë parlamenti i zgjedhur nga populli. Kjo është e qartë për ne, duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ky është një problem artificial. “

Filed Under: Kronike Tagged With: Edi Rama, interesin, Kombetar, nuk negociojme

Identiteti fetar dhe kombëtar i shqiptarëve ortodoksë së Rekës së Epërme

April 27, 2015 by dgreca

Shkruan:Doktorant Dorian Koçi/
Kandidat i Shkencave Historike/
Vilajeti i Manastirit, një nga katër vilajetet që përfshinte popullsi shqiptare në provincën osmane të Rumelisë, është parë gjithnjë si një territor ku identetitet nacionale kanë qenë më të zbehta, krahasuar me vetpërcaktimin dhe identitetet fetare të popullsive që banonin në të. Si një nga krahinat më të hershme të pushtuara nga osmanët dhe ku në fakt ka pasur një proces kolonizimi me popullsi turke më të lartë se në territoret e tjera , sistemi osman i mileteve duket se kishte zënë mirë rrënjë dhe në fund të shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX, popullsia e këtyre anëve e kishte më të vështirë përqafimin e nacionalizmit që synonte formimin e identiteteve kombëtare përkundrejt një identiteti osman që imponohej nga lart. Zakonisht kur studiohet kjo periudhë e historisë shqiptare të elementit shqiptar, uniformiteti fetar i Vilajetit të Manastirit studiohet njëlloj si vilajeti i Prishtinës, ku predominonte me pak përjashtime një lloj uniformiteti mysliman suni. Kjo gjë ndodh për shkak lidhjeve të mëvonshme të territoreve të banuara nga shqiptarë në ish mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe më vonë në Ish Jugosllavi si një tërësi gjeografike, ndërsa në fakt popullsia shqiptare e Vilajetit të Manastirit reflektonte një larmi tjetër identitesh fetare të ngjashme me vilajetin e Janinës, ku ishin të pranishëm edhe komuniteti bektashi në Tetovë dhe rrethinat e saj dhe komuniteti ortodoks në malësinë e Rekës. Përthyerja e këtyre identiteve dhe shkrirja e tyre në identitet kombëtar gjatë fundshekullit të XIX dhe fillim të shekulit të XX përbën një rast studimor të ngjashëm si dhe në territoret shqiptare ku nacionalizmi veproi dhe operoi nëpërmjet të njëjtave mjeteve, ndaj ai nuk mund të merret i shkëputur nga shqiptarizmi edhe pse panosmanizmi pati eksponentë të rëndësishëm nga këto territore.
Identiteti fetar ka luajtur një rol shumë të madh në krijimin e identiteteve kombëtare në Ballkan përgjatë shekullit të XIX. Ai së bashku me nacionalizmin është shfaqur si një nga farkëtuesit kryesorë të identiteteve kombëtarë duke ndihmuar në këtë farë mënyre drejtë për së drejti në formimin e shteteve kombëtarë. Ky kontribut i përbashkët i tyre ka sjellë shpesh herë një konfuzion në rolin e tyre duke identifikuar shpesh herë me njëri-tjetrin por dhe në disa raste duke bërë një dallim të qartë midis tyre. Qasja metodologjike afron një mundësi më shumë për të dalluar qartë midis tyre dhe rolin specifik që luajnë në krijimin e kombit. Në literaturën dhe studimet moderne ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi marrëdhëniet e nacionalizmit me besimin fetar, të cilat i shikojnë ato si alternativa të njëra-tjetrës ose të lidhura shumë ngushtë organikisht mes tyre.
Pikëpamja e parë konsiston në faktin sesi krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë, ndërsa pikëpamja e dytë sugjeron idenë se besimi fetar luajti një rol kryesor në formimin e kombeve modernë. Studiuesi Miroslav Hroach e njohu nevojën për lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin e grupeve patriotike në Evropë.
Gjithsesi kjo gjë nuk mund të thuhet përsa i përket krijimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët duke u përkitur shpirtërisht tre feve të ndryshme nuk mund të krijonin një identitet kombëtar të bazuar në këtë faktor. Situata fetare në Shqipëri në prag të zgjimit kombëtar ishte pothuajse shumë e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera ballkanike apo dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore që analizojnë këta autorë. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga territoret e para të rajonit në të cilin Kristianizmi ishte predikuar dhe përhapur por në të njëjtën kohë vendi dhe territori ku influencat e Romës dhe Kostandinopojës si qendra perandorake ishin përplasur, Shqipëria pak a shumë përfaqësonte këtë konflikt jo vetëm në aspektin politik dhe kulturor por dhe në aspektin fetar. Si rrjedhojë, dy dogmat kryesore të Kristianizmit, Ortodoksia dhe Katolicizmi praktikoheshin dhe ishin besime fetare dominante por dhe në konflikt të hapur në Shqipëri përpara pushtimit otoman në shekullin e XV.
Maqedonia ishte një nga rajonet e para të Ballkanit që u islamizua dhe një rol kryesor në këtë proces luajti dhe pozita shumë e favorshme gjeografike, të qenët në mes të rrugëve dhe luginave që bënin të mundur depërtimin osman drejt Serbisë dhe Austrisë. Si është pranuar gjerësisht, pas dështimit për të ngritur një flotë të fuqishme krahasuar me fuqitë e tjera detare europoane, osmanët e përqëndruan strategjinë e tyre në avancimin tokësor duke ngritur fushata të përvitshme dhe të kushtueshme që drithëronin oborret mbretërore së Europës Qendrore. Duke iu drejtuar në veçanti Islamit në qytetet maqedonase, John Thirkelli ka vënë në dukje se gjatë shekujve XV-XVI, feja në Maqedoni, me qendrën e vet në Shkup( e sidomos në një numër të caktuar qytetesh) përbënte një “marsh ushtarak”, nga i cili nisi konvertimi i Serbisë bashkë me Bosnjën. Gjithësesi edhe pse në rastin e popullsisë shqiptare në Maqedoni niveli i islamizmit të kësaj popullsie krahasuar me popullsitë e rajoneve të tjera shqiptare ishte më i lartë , ashtu si kudo gjetkë në Ballkan nuk pati një uniformitet të njëtrajshëm fetar. Një rast tipik interesant në këtë drejtim mbetet popullsia e Rekës së Epërme, popullsi shqiptare që i përkiste besimit ortodoks dhe që mbetet rasti i vetëm deri më tash i njohur në veri të Shqipërisë që arriti të mbante në të njëjtën kohë identitetin e vet fetar por që edhe përmes një përfaqësuesi të shquar të saj si Josif Bagëri (1868-1915) u përfshi qoftë edhe pjesërisht në lëvizjen kombëtare.
Po kështu edhe brenda popullsisë së islamizuar shqiptare nuk kishte një uniformitet suni-që ishte dhe dogma fetare zyrtare e Perendorisë, por kishte dhe një komunitet të fuqishëm bektashi të përqendruar rreth Tetovës dhe që merrte pjesë në jetën politike të Maqedonisë dhe të lidhjeve të saj me qendrën perandorake. Urdhri i dervishëve bektashi ashtu si gjerësisht edhe në territore të tjera shqiptare predikonin dhe praktikonin urdhrat e ceremonitë e shumta të lidhura me ta. Meqë kishte mjaft ngjashmëri ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit, ata nuk kishin ndonjë vështirësi të madhe që t’i përshtasnin zakonet vendore me urdhërat e tyre. Kjo ndërmjetësi fetare e sektit Bektashi, shumë e veçantë në rastin shqiptar krijonte premisa që identitetet fetare të mos ishin të njëtrajshme por të përthyeshin dhe reflektonin dhe shqetësimet politike të kohës, në vitet e lindjes së nacionalizmit në Ballkan. Periudha nga viti 1804 deri më 1878, në gadishullin ballkanik është ajo e revoltave kombëtare dhe e formimit të shteteve të reja. Gjatë këtyre viteve Greqia, Serbia dhe Rumania do të fitonin pavarësinë, kurse Bullgaria do të bëhej autonome. Në këtë periudhë lind edhe një lëvizje kombëtare Shqiptare. Është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetet revolucionare: së pari, formulimi dhe dhe pranimi në shkallë të gjerë të ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim; dhe së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore . Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë të shek XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropianoperëndimore: liberalizmi që buronte nga idetë e iluminizmit në shek e XVIII; dhe nacionalizmi. Përballë këtij realiteti të ri në Ballkan,fillimisht nën një zgjim kulturor dhe pastaj nën një zgjim politik të nxitur më së tepërmi edhe nga Kriza Lindore, shqiptarët reaguan duke sendërtuar format e para të një ndërgjegje kombëtare të avancuar që kërkonte një shtet shqiptar në rajon. Veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën ta shmangin ndërgjegjen fetare si një faktor bashkues drejt krijimit të identitetit kombëtar dhe i dhanë më shumë rëndësi kulturës shqiptare, ndjenjës së origjine të përbashkët dhe në mënyrë të veçantë gjuhës shqipe. Po kështu, elita kombëtare shqiptare nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që rrëmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kish zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në gadishullin ballkanik. Përmes këtij procesi panshqiptar lëvizi edhe ideja kombëtare në Maqedoni dhe në popullsinë shqiptare që përbënte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së saj. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë. “Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Ishte kjo arsyeja që në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit identiteti fetar kish luajtur një rol të fuqishëm dhe frenues, ku nuk u arrit të avancohej apo shkohej më tej në kërkesat ndaj Portës së Lartë, sepse “forcat që sundonin në mbledhjen e Prizrenit ishin forca myslimane konservatore dhe nëpërmjet tyre Porta mund të ushtronte një ndikim për interesat të veta. Kjo shpjegon përse shqiptarët e Prizrenit luftonin në fillim, bashkë me boshnjakët myslimanë për një kauzë të përbashkët.” . Ky lloj dyzimi i elitës administrative shqiptare jo vetëm gjatë Lidhjes se Prizrenit por në vazhdimësi, për t’i quajtur të vetat interesat e perandorisë, do të pengonte dhe vononte rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë.
Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë , ishte i kundërt nga ai shqiptarëve myslimanë pasi në identitetin e tyre kombëtar e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave asimiluse të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte t’i përfshinte banorët e saj brenda një identiteti kombëtar serb. Ashtu si sivëllëzërit e tyre ortodoksë në jug të Shqipërisë që kërcënoheshin me asimilim nga ithtarët e Patriakanës s Stambollit që bënte përpjekje të vazhdueshme për të helenizuar jugun e Shqipërisë, edhe banorët e Rekës së Epërme ishin nën kërcënimin serb që dëshironte që identitetin fetar ta shfrytëzonte për ti asimiluar. Jeta dhe kujtimet e aktivistit të njohur Josif Bagëri që mëson të shkruaj shqip në Sofie, dhe aty kthehet në një nga përhapësit i idesë kombëtare, është një dëshmi e peripecive identitare që kalonin banorët e kësaj zone. Ardhja e tij në vitin 1908 në Rekë , mënjëherë pas shpalljes së Hyrietit dhe përhapja e idesë kombëtare kishte vështirësi për shkak se propaganda serbe kishte zënë mirë vend. Si zakonisht në këto përpjekje asimiluese predominonte Kisha Ortodokse Serbe, hierarkët e së cilës e kishin braktisur ideologjinë e universalizmit të krishterë dhe kishin rënë nën influencën e nacionalizmit. Josif Bagëri do të haste në këtë vështirësi dhe për këtë arsye ai iu drejtua fshatarëve të vet, duke iu sqaruar se cili ishte qendrimi i dhespotit serb Varnava të Dibrës ndaj tyre. “Vendi në të cilin asht ngulur Varnava nuk asht i ngulun me serb; as me bullgarë, po me fjesht shqyptarë. Detyra e secilit shqyptar asht t’përpiqet për me udhon dormën këtynej propagandorëve qi të qirohet vendi perj egërsinavet të mveshuna me lëkurë delje, se këto nuk janë gjë tjetër , përveç se ulq rrëmbenjës”. Për herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së shkollës shqipe në këtë rajon, në fshatin e tij të lindjes Nistrovë, ku u bëri thirrje bashkëatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip. Ai kishte sjellë me vete, 20 copë abetare dhe filloi tu jepte mësim 8-9 fëmijëve të parë që u mblodhën. Gjithësesi puna e nisur nga Bagëri që përdorte alfabetin e Stambollit në shkrimin e gjuhës shqipe, nuk është se ishte përpjekja e parë e banorëve të kësaj zone për të shkruar shqip, pasi në vend lëvronin e edhe tradita të vjetra të shkrimit të shqipes si ishte rasti i përdorimit të alfabetit cirilik të bullgarishtes që mesa duket kishte qenë një medium i përdorur nga popullsia , kryesisht nga ajo që ishte e emigruar në qendra të ndryshme të Ballkanit. Një dokument i arkivave austriake i referohet në fakt ortodoksëve shqiptarë të fshatit të Prodecit, në rajonin e Rekës së Sipërme(afër Dibrës), të vendosur në Stamboll. Këta të fundit në vitin 1911 kishin themeluar një shoqëri bamirësie dhe arsimore, statuti i së cilës, hartuar në shqip dhe në alfabetin cirilik bullgar, tregonte një vullnet për të botuar libra në shqip me këtë alfabet, për të hapur një shkollë në fshatin e tyre të origjinës dhe për të restauruar kishën e fshatit.
Fati i popullsisë së Rekës do të diskutohej dhe 5 vjet më vonë pasi Bagëri do të largohej nga Nistrova, në Konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi diplomatik i Rusisë do kërkonte që Dibra të përfshihej në shtetin serb për shkak të traditave kishtare dhe fetare të popullsisë ortodokse të një pjese të vogël të qytetit. Gjakova dhe Dibra kërkoheshin për Serbinë( nga ana e përfaqësuesit rus Petrajev në Konferencën e Londrës-shënimi im) jo për karekterin sllav të popullsisë lokale që nuk mund të provohej, por sepse manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në krahinën e Gjakovës, kurse Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare pranë saj ndodhej një manastir ortodoks ( i Shën Jovan Bigorit)
Si dihet pas traktivave të shumta midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë për caktimine kufijve veriorë së Shqipërsië, qyteti i Dibrës së Madhe dhe malsia e Rekës së Epërme mbeti brenda kufijve të Serbisë pavarësisht faktit se popullsia shqiptare ishte më e madhe në numër dhe predominonte gjithandej. Popullsia e Rekës së Epërme do të kishte fatin e popullsive të tjera ortodokse shqiptare në Greqi, të cilave identiteti fetar do tu merrej si faktor parësor për të përcaktuar dhe identitetin e tyre kombëtar. Kështu, nëqoftëse shqiptarët myslimanë të Maqedonisë do të kishin mundësi që të përdorinin gjuhën shqip në jetën e përditshme apo qoftë dhe të organizoheshin politikisht në radhët e “Xhemietit” , duke shfrytëzuar identitetin fetar në radhët e partisë islamike të themeluar në Maqedoni në dhjetor 1919, shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme do i nënshtroheshin një presioni për asilim të plotë dhe marrjen e identitetit sllav, përkundrejt atij shqiptar. Megjiatë pavarësisht një presioni të tillë dhe asimilimi të dhunshëm që ushtroi shteti serb pas përfshirjes së kësaj krahine brenda tij, identiteti i veçantë i shqiptarëve të Rekës vazhdonte të ishte problem për shtetin serb deri në vitet 30’dhe të shfaqej si shqiptar. Sipas të dhënave burimore që na servirin famullitarët e kishës katolike të Kosovës Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi, në Promemorien që i kanë dërguar më 5 maj të vitit 1930, Sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, zotit Erik Dramondit, duke u ndalur në dhunën e xhandarmërisë serbe ndaj ortodoksëve shqiptarë theksojnë: “Në disa vende, si në Rekë ku bashkërisht jetojnë shqiptarë të besimit ortodoksë me sllavët e të njëjtit besim dhe shqiptarët myslimanë, kjo diferencë qëndron në mbajtjen e kësulës në forma të ndryshme. Shqiptarët mbajnë “çeçe”, ndërsa serbët “kaçketë”. Për të mënjanuar këtë diferencë të dukshme, nënprefekti z. Sokolloviç ka nxjerrë një urdhëresë, me anën e së cilës ua ndalon shqiptarëve të mbajnë çeçe. Po kështu në prememorie nënvizohej se ishte e ndaluar edhe mësimi i fesë në gjuhën shqipe, duke përmendur faktin se shqiptarët ortodoksë të Rekës, që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së asaj krahine ishin të ndaluar të përdornin gjuhën amtare në kisha. Pra si shikohet në kuadër të politikave unifikuese për të siguruar kompaktësi etnike shteti serb nuk ushtronte dhunë vetëm ndaj shqiptarëve myslimanë në Maqedoni por edhe ndaj atyre të Rekës. Disa vite më vonë në një dokument të hartuar më 5 shkurt të vitit 1944, nga konsulli i atëhershëm shqiptar në Shkup, Hamit Kokalari dëshmohet ende prania e fortë shqiptare në këtë trevë. Ky i fundit i dorëzoi qeverisë shqiptare një projekt, i cili konsistonte në botimin e një Atlas-Albumi për Kosovën. Në të ai kishte përfshirë një sërë hartash etnografike, fotografi të qyteteve e katundeve shqiptare të mbarë krahinave, duke përfshirë edhe Rekën. Në projekt, diplomati shqiptar theksonte: “Të mos mbeten mangut edhe zonat ku gjendet popullsi shqiptare ortodokse si Reka e Gostivarit”. Duke u ndalur në vendbanimet shqiptare dhe veçanërisht në Rekën e Epërme, Kokalari rrëfen se: “Në shumë katunde që kam vizituar pleqtë dhe plakat flisnin një shqipe të kulluar”. Gjithashtu konsulli Hamit Kokalari tregon se shpesh ortodoksët shqiptarë i merrnin për serbë ose për bullgarë, prandaj gjenden fare pak ortodoksë në skajet veriore (në Kosovë e në Malin e Zi) si dhe në skajin lindor (në Maqedoninë Perëndimore).
Identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive, që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktuese për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, në një shtet multietnik është bash një rast i mirë që identitete të fjetura(si ka qenë rasti i shqiptarëvetë Rekës) apo intregaliste si ka qenë ai i shqiptarëve të islamizuar të përbashkohen në një identitet kombëtar duke ndjekur prirjet e zgjimit të tyre nacionalist, duke u munduar për të nxjerrë vlerat më të mira të tyre dhe jo të imitojnë apo krijojnë identitete të rrema që nuk i qendrojnë kohës.

Bibliografi:
1- Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë
2- Barbara Jelavich. Historia e Ballkanit, Tiranë, 1999, Përpjekja
3- Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd,1996
4- Dr. Mesut idriz. Kovertimi dhe asimilimi I dhimmi-ve në Perandorinë Osmane. 2009, Shkup:Logos
5- Ferdinanto Salleo.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit
6- John Thirkell. Islamization in Macedonia as social process”, në Islam in Balkans, bot. I Jeninifer M.Scarce(Edinbourgh:Royal Scottish Museum,1979)
7- Marenglen Verli. Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.Klean:Tiranë, 2014
8- Miroslav Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988
9- Nathalie Clayer. Ne fillimet e Nacionalizmit shqiptar. Perpjekja:2009, Tiranë
10- Peter Bartl. Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë Dituria,2006
11- Qerim Lita. Disa burime arkivore për Rekën e Epërme në Sabri Maxhuni-Novosela, Shqiptarët ortodoksë, pjesa e ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar, Prishtinë 2013
12- Ruzhdi Mata. Josif Bagëri, 8 nëntori, Tiranë 1983
13- Stavro Skendi. The Albanian National Awakening 1878-1912. Princeton: Princeton University Press, 1967
14- Stavro Skendi . Zgjimi Kombëtar Shqiptar. Phoenix , Tiranë:2000

Filed Under: Analiza Tagged With: Dorian Koci, i shqiptareve ortodokse, Idnetiteti fetar, Kombetar, te Rekes

“ DRONI” I GJALLË SHQIPTAR,QË BASHKON TROLLIN ETHNO-KULTUROR KOMBËTAR!

November 5, 2014 by dgreca

Nga Guxim Alimani/
10 vite më parë, në metropolin e kombit e nën hijen e monumentit të heroit tonë kombëtar Skënderbe, si për të marrë pagëzim, forcë e bekim , deputeti i parlamentit shqiptar Azgan Haklaj do të shfaqej me një pishtar të ndezur në dorën e djathtë. Mijërat e qytetarëve të tubuar në atë manifestim, veshur me larmi etnografike e me simbole nacionale që valëviteshin, dëgjuan përbetimin e politikanit e të kulturologut tashmë të mirënjohur për vendosmëri e qëndresë : “ Ky pishtar i ndezur sot në Tiranë, do të na paraprijë në rrugën e pandalshme të bashkimit shpirtëror mbarëshqiptar e me të në dorë do të tejshkojmë gjithë trullin autokton, ethnik kombëtar”. Një utopi ky përbetim për shumicën, për këtë iniciativë kurajoze por aspak e tillë për Azganin.
Shumë ëndrra shqiptare me shekuj janë munduar t’i qasen realitetit sikundër edhe sot, por në Ballkanin paqebrishtë, ku ethet e nacionalizmit e shovinizmit, mbajnë akoma në limite ekstreme temperaturën, në realitetin e dhimbshëm të copëzimit të trojeve tona në pesë shtete, hapi i Azganit po tejkalonte edhe optimizmin iluminist të personazheve volteriane. Por, ai ja arriti dhe sot si mbi Olimp, pishtari flakadan vazhdon të ndriçojë për të mos u shuar. Tirana e Prishtina, Gucia e Mitrovica, Preshava e Medvegja, Selaniku e Tuzi, Shkupi e Ulqini, Qafë-Bota e Prizreni, Gjakova e Deçani, Juniku e Ferizaj, Dibra e Madhe, Plava, Tivari, Struga e Gostivari do ta përjetonin materializimin e premtimit e përbetimit të Azganit. Art, kulturë, muzikë, etnografi, folklor e letërsi, si në një magji baladash u bënë një për kombin.
Dhe jo vetëm kaq, por të mbështjellë dhe me një mesazh të shqiptuar qartë e me guxim nga Azgani: “Jemi një komb, kemi një qëndrim, një gjuhë, një kulturë dhe aspirojmë veç bashkim“.
Aspak e lehtë për Azganin kurajoz, por deri në kufijt e pabesueshmërisë . Sepse nuk bëhej fjalë për unifikim të kulturës anglo-saksone në trevat e shteteve të Komunuelthit, por flitej për terrenin e ujqërve idhnakë të sllavo-shovinizmit ballkanas që edhe sot kur po rrekëllehet dekada degjitale e milieniumit të ri, skermitin akoma dhëmbët si çakej.
E këtë do ta vërtetonte nota e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Kjo notë do t’i drejtohej diplomacisë shqiptare duke kundërshtuar energjikisht veprimin e Azgan Haklajt në Preshevë e Bujanovc, se ai paska shpalosur flamurin e kombit të vet si dhe planin e tij të bashkimit shpirtëror e kulturor shqiptar !
Poetët e krijuesit nga më të mirët të trevave tona e kanë portretizuar Azganin me metafora të zgjedhura , ndaj unë nuk di ku t’i marr fjalët, komplimentet e përcaktorët që lipsen që të mund të shtoj diçka me modesti në portretin poetik të këtij burri atdhetar e fisnik. E në këto kushte po vjedh mjeshtrin e vargut shqip Hamit Aliaj “ Azgan , bohem i lirisë , marathonomak i bashkimit e demokracisë”.
Diçka e rrallë fenomeni Azgan jo aq për iluminizmin, që shumë personalitete kanë projektuar në studio e libra për kombet e tyre. E veçanta, magjikja, e papërseritshmja tek ky fenomen, qëndron në idealizmin gërshetuar me vullnet, në trimërinë të bashkuar me ndërgjegje , jo vetëm për të predikuar por për të prekur e bekuar vetë, po, po vetë ai trollin ethnik shqiptar në çdo anë, në çdo skaj, me mesazhin e fortë e të qartë në çdo detaj.
Azgani është i tillë, i gatuar veçmas me lirinë e pabesueshme të vendosmërisë së vet. Shpërblimin e punës së vet Azgani e pret e i gëzohet me shumë kur ajo ngelet anonym, por që ka bërë vend në rindërtimin e qelizave të bashkimit kombëtar.
Por ja që gjendet një personalitet, si Presidenti shqiptar, zoti Bujar Nishani, që merr rrugën këtë vjeshtë të hershme për në Alpe dhe pikërisht në vendin ku lindën heronjtë homerianë, nderon Azgan Haklajn me titullin e lartë “ Mjeshtër i Madh”.
Ditë më parë, mbi Beograd fluturoi një dron. Ishte një dron digjital. Bisha serbe në folenë e saj lëshoi xixa eksitimi e ulurimë tërbimi. Por ju siguroj se kjo s’është asgjë perballë një droni njerëzor si Azgan Haklaj, i cili për mëse një dekade, jo vetëm ka fluturuar, por ka aterruar në çdo pëllëmbë të tokës Iliro-Dardane, jo veç me simbole në duar, por me mesazhe me zë e piskamë, duke lëshuar në kohët moderne kushtrimin e të parëve për bashkimin me patjetër të të gjithë shqiptarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: “ DRONI” I GJALLË SHQIPTAR, Guxim Alimani, Kombetar, QË BASHKON, TROLLIN ETHNO-KULTUROR

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT