• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAN S. NOLI DHE KOMUNIZMI

December 30, 2012 by dgreca

Noli dhe  shtypi  shqiptar  në vitet 30-40/ Letërkëmbim arkivash/ Noli  dhe idetë tij prej  patrioti demokrat/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

 Më 6 janar 1882, lindi në Ibrik Tepe të Turqisë Fan S. Noli. Ky shkrim dokumentar synon të paraqes vetëm një pjesë nga jeta e larmishme e këtij patrioti të madh demokrat.

Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli,” Në albume të përkryer me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, ndrinte dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të flasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore në një varg lajmesh, ndihet shqetësimi i madh i Nolit për fatin e Atdheut përballë fashizmit dhe komunizmit. Ai është  i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë ata që janë ngritur dhe përpiqen për shpëtimin e popullit shqiptar nga çdo rrezik. Për mungesë hapësire japim vetëm pak njoftime që nisin nga viti 1939 deri më 1968.

Dielli, 7 dhjetor 1939.  Nën titullin  „Flamuri ynë”, shënohet.“ „U  ngrit  më 28 nëntor 1912 – u robërua prap më 12 prill 1939… Fjala e Peshkop Nolit i shton shpresat e popullit për çlirimin e Shqipërisë“…Lufta që po bëjnë aleatët në Evropë, ka për qëllim mbajtjen e qeverimit demokratik edhe shpëtimin e kombeve të vegjël nga robëria e fuqive lakmonjës. Shqiptarët duhet të punojnë për lirinë e tyre kombëtare, se liria nuk fitohet pa sakrifica.“

Dielli 27 mars 1943. Pas marrjes së letrës nga Tajar Zavalani F. S Noli shkruan kryeartikullin: „Origjina, shvillimi, dhe e pritmja e Bashkimit të Shenjtë“:…Atëhere  puna mbeti  t’i flisja Faik Konitzës  dhe t’a fitonja për idenë e Bashkimit të Shenjtë. Konitza kundërshtoj me rreptësi Bashkimin e Shenjtë me Zogun në krye… Luftova disa dit’ e net me radhë që t’i mbushnja mendjen që s’kish tjatër më e mirë se kjo. Më në funt Konitza u bint. U bint dhe qendroj në fjalën e tij gjer në orën e vdekjes.“

Dielli 11 gusht 1943: „Lufta në Shqipëri nukë pushoj kur shkelnë italianët  Shqipërinë  të Premten e Zezë. Populli shqiptar  nukë  dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve antifashistë: „Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani dhe Karagjozi etj.„

Dielli 18 shtator 1943: „Mbreti  Zog kërkon hyrjen e Shqipërisë në rrethin e Kombeve të Bashkuara.“

 Dielli 25 shtator 1943: Balli i Çlirimit Kombëtar dhe Zogu kërkojnë si dhe tërë patriotët e vërtetë bahkimin e gjithë Shqipërisë.

 Dielli 2 tetor 1943: „Fjalë e Imzot Nolit në radio ka bërë përshtypje të madhe në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.“

 

Noli  dhe idetë tij prej  patrioti demokrat

 

Ashtu si më parë edhe pas vitit 1946, Fan S Noli nuk ka pasur asnjë iluzion për sistemin komunist, si në Shqipëri ashtu dhe në botë. Mjafton të lexohen letrat e dërguara Konicës, ku zhvlerson librat “Kapitali”e “Manifesti Komunist.” Manifesti i vërtetë i Nolit, është krijimi i ndritur, Hymni  Flamurit. Për idetë që mbart kjo poezi optimiste mjaftojnë vetëm dy strofa:

 O Flamur gjak, o Flamur shkabë,

 O vënt e vatr’ o nën’ e babë,

 Lagur me lot, djegur me flagë,

 Flamur i kuq, Flamur i zi !

 

 Flamur që lint Shën Kastandinin,

 Pajton Islamn’ e Krishtërimin ,

 Çpall midis  feve vllazërimin,

 Flamur bujar për Njerëzi.

 

Më 1944 me urdhër të E. Hoxhës, pas torturash shtazarake, do të vritej patrioti demokrat, ish kryetari i Shoqërisë Bashkmi Zai Fundo, teksa luftonte krahas nacionalistëve shqiptarë për lirinë e Kosovës. Për këtë akt barbar Noli u shpreh: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të mëdhenj, si Fundoja?”

Në 18 tetor 1951, Noli bënte të ditur: „Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë një anëtar i një organizate komuniste. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam bërë një predikim komunist ose prokomunist ose antiamerikan. Përkundrazi unë kam lartësuar udhën demokratike Amerikane të jetës dhe theksova faktin historik se Shqipëria i detyrohet për indenpendencën e saj krye krye Amerikës e në mënyrë të veçantë Presidentit Uillson. Kurrrë kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Synodhe  ose Patriarkati të huaj, komunist ose tjatër. Si Kishë Orthodokse Shqiptare në Amerikë, të cilin e kryesoj, kjo është në pikpamjen administrative indipendente. Unë nuk kam të bëjë as me emërimet as me dorëheqjet e peshkopëve ose të arkipeshkopëve në kishat orthodokse të Shqipërisë. Kështu që, unë nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për dorëheqjen e Kryepeshkopit Kisi dhe emërimin e pasardhësit të tij, Kryepeshkopit Vodica.

Në librin origjinal „Album-II 1966“ Boston të Nolit, fshehur prej syve të lexuesve në kohën e diktaturës, në parathënien e ish kryeredaktorit të Diellit, Qerim Panariti del në shesh e vërteta rreth poezisë satirike‚ “Sulltani dhe Kabineti“, botuar në gazetën Dielli më 1961, kundër diktatorit Hoxha dhe qeverisë së tij, e komentuar krejt ndryshe nga analistët komunistë: Po në këtë parathënie shkruhet edhe për ngjarjen aq shumë të përfolur, e mbërritjes së një legate apo grupi diplomatësh sovjetikë në Tiranë, pa dijeninë e kryeministrit Noli dhe ministrit të jashtëm e shpërdoruar nga historianët komunistë, si një fakt simpatie ndaj BS: „Kundërshtarët  e Nolit“-shkruan Panariti– „s’kanë hequr dorë as sot që t’i ngjitin vulën e kuqe; s’kanë hequr dorë as sot, kur Noli s’është më me neve që të mpronjë veten. Po të kishin kundërshtarët e Nolit vetëm një çerek derhemi mënt në kokë dhe pakëz fisnikëri, do ta merrnin me mënt, që dhe sikur të deshte Noli të lidhte relacione diplomatike me Bashkimin Sovjetik , kushtet politike në Shqipëri në Dhjetor 1924, ishin aq të mërzitura sa Noli pothuajse po pregatitej t’i linte shëndet Shqipërisë përgjithëmonë.“ Këtë problem e ka trajtuar edhe Prof. Robert C. Austin. Pas shqyrtimit të mjaft dokumenteve  arkivore, ai arrin në përfundimin, se në një kohë, kur midis  shteteve  europiane dhe Bashkimit Sovjetik ishin vendosur lidhje diplomatike, gjithashtu dhe qeveritë shqiptare, kishin zhvilluar bisedime për lidhje të njëjta, pa pritur e pa dijeninë e Nolit më 16 dhjetor 1924 një delegacion diplomatësh sovjetikë mbërriti në Tiranë. “Ministria e Jashtme”,- shkruan Prof. Austin– “njoftonte më 17 dhjetor Nolin se vizat i kishte dhënë konsulli në Vjenë…Më 18 dhjetor u njoftuan Përfaqësitë Diplomatike se, për shkak të situatës ndërkombëtare, delegacionit sovjetik prej tetë vetësh i ishte kërkuar të largohej dhe i gjithë grupi ishte nisur për në Itali po atë mbremje… “

At Artur Liolin në shkrimin Noli dhe komunizmi“ sqaron: “Pasi Noli mësoi mbi egërsitë e regjimit komunist në Shqipëri, ai u distancua, gjë që duket qartë, kur ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri, as për të marrë titujt e ofruar nga Qeveria Komuniste- pa tjetër për qëllime të errta komprometuese–dhe as për hulumtime shkencore, as për të hyrë në çështje të mjegualluara fetare.Në fund , si mund ta ftonte senati i shtetit të Masaçusetsit Nolin për të dhënë bekimin e hapjes së sesioneve të vitit 1963, nëse Noli do të ishte një „komunist?“ Apo si mund ta ftonte Nolin „komunist“  presidenti Lindon Xhonson posaçërisht në Shtëpinë e Bardhë në korrik 1964  për të bekuar në Uashington dhe për të dhënë fjalimin me rastin e 400 vjetorit të Shekspirit? Argumentet  ndryshe nuk pinë ujë.“

 

 

 

Letërkëmbim arkivash

 

Seria e letrave zyrtare me Qeverinë Komuniste për çështje të rëndësishme kombëtare gjatë vitit 1946,  na bën me dije për shqetësimin e madh të Nolit për Atdheun. Në fund të atij viti, ndihet zëmërimi i tij ndaj sjelljes së delegatëve që dërgonte E. Hoxha për bisedime me porosi të rrepta. Pas kritikave dhe lajmeve të hidhura që arrinin nga Shqipëria, më 1947 “bekimet” e marrëdhëniet diplomatike të Nolit kanë marr fund. Vatra patriotike do të cilësohej:“organizatë reaksionre që kaloi në mbrojtje të politikës antishqiptare të qeverisë Amerikane. Në vitin 1960 pjesa patriote u largua prej saj dhe krijoi organizatën “Shqpëria e Lirë.”(?!) Pra, një shtrëmbërim ky, kur dihet se kjo organizatë, u krijua me nxitjen e ndihmën e qeverisë  komuniste. si kundërshtare e Vatrës Një dokument domethënës, botuar në gazetën Dielli, janar-mars 2003, flet qartë për sa u tha më lart:

 

RPSH

Ministia e P. të Jashtme                      V.F.L.P.

  N. 353-19  Res. Pers.                        Tiranë 1947

 

                                      Promemorie

 Shokut Thedhor Heba

Nga informatat e sigurta që kemi, na rezulton se ndër Shqiptarët e Amerikës, të cilët e kanë simpatizuar lëvizjen t’onë nacional-çlirimtare po shënohet një ftohtësi ndaj Pushtetit Popullor, dhe është frikë që kjo ftohtësi me kohë të marrë proporcione të gjera…Ki parasysh se ka edhe disa reaksionarë, që me propagandën e tyre, po mundohen t’a ushqejnë ftohtësinë në rradhët e shqiptarëve ndaj nesh…

 Do të marrç kontakt me të gjithë ata që kanë një farë influence dhe do të jeç në lidhje të vazhdueshme me krerët e Shoqërisë Vatra dhe Organizatës Shqipëria e Lirë. Po fshehurazi besimin duhet t’a mbështetësh vetëm ndër  krerët  e “Shqipërisë së Lirë”..“Vatra“ dhe „Dielli“  kanë një histori dhe të kaluar të shkëlqyer dhe lidhen tepër ngushtë me traditat kombëtare. Prandaj është zor që ato të vazhdojnë të përkrahin regjimin t’onë tek i cili çmojnë vetëm luftën e çlirimit po nuk pranojnë ideologjinë dhe sistemin e tij.   

 Shokut Dr. John T. Nasse,*) do t’i dorëzosh të hollat**) dhe do t’i rrëfesh, vetëm sa për të marrë njoftim të përmbajtjes së saja, letrën që i drejtohet atij dhe i bashkangjitet kësaj Promemorie.”

                                                                  P. Ministri i P. të J   

                                                                       Hysni Kapo d.v)

P.S –*) Dr. J T Nase, përkrahës i regjimit  komunist  në Shqipëri. Kryetar i  Shoqërisë Shqipëria e Lirë me gazeten, ”Liria.”  **). 5000 dollarë.   

 

 

 /Përkujtimi i Nolit /

 

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në vitin 1982 Federata Vatra dhe UNESKO, përkujtuan me nderim Fan S. Nolin, në mbledhje të posaçme shkencore, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar.  Asokohe  në Shqipëri u botua një shkrim  fyes ndaj tij, në gazetën Bashkimi, përgatitur nga kalemxhijë me gjasa “nolistë”, nënshkruar nga diktatori  E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe një urdhër, të mos merrej pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në qendër të presidiumit, ngrihej busti i diktatorit i ndriçuar nga prozhektorët. Lart në këndin e djathtë, fotografia e Nolit e zvogëluar  tej mase me urdhër të sekretarit shkencor të Akademisë së Shkencave, kish humbur në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në  katër radhët e para. Në ato çaste kur hidhje sytë drejt fotografisë në kënd e dëgjoje kumtesat e profesorëve, kishe përshtypjen se Noli, në shenjë proteste, ishte larguar nga salla. Për Nolin në Shqipëri, nuk u ngrit asnjë përmendore. Emri i tij nuk u vendos në asnjë institucion shkencor, madje në asnjë shkollë të mesme. Me anën  e botimeve të cunguara u kuptua se numëri i veprave të Nolit nuk duhej të kapte nivele të larta. Në ndërtesën e Akademisë së Shkencave fotografi të shumta të diktatorit vareshin kudo dhe busti i tij zbardhte në ballë të sallës së mbledhjeve. Befas një punonjës i Akademisë, zbuloi në Qendrën Arkeologjike, ndërmjet arkash të mbuluar nga kartona, letra dhe pluhur, bustin e Skenderbeut, vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Të rimkëmbur e mbarti për në Akademi. Kohët ndryshuan, perdja e hekurt u gris, muri i Berlinit u shëmb, shtatoret e tiranëve u rëzuan. Në selinë e Akademisë së Shkencave, fotografitë dhe busti i bardhë i diktatorit u zhdukën. Tashmë çdo vizitor atje merr frymë lirisht tek sodit  Skënderbeun dhe  Fan S Nolin.

 

 

 

 Dielli  në kohën e re/

 

Federata Panshqiptare Vatra me gazetën Dielli në fillim të viteve 90, u shpërngul në Nju Jork. Kryetari  i sotëm i Vatrës është patrioti Dr. Gjon Buçaj. Kjo organizatë atdhetare, me gazetën e historike Dielli, vijon të jap ndihmesën e saj për çështje të ndryshme kombëtare. Vatra dhe Dielli janë burime të pashtershme në shërbim të historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe të figurave të shquara të kombit. Në përfundim nga shkrimet përkujtimore  veçojmë: Dielli, Janar –Mars 2005.

Konica për Nolin: „Ç’humbje, që nuk i jepet rasti të organizojë në Shqipëri një universitet popullor. Leshzi me sy të mprehtë, një fizionomi e qeshur , gati të pres një shaka dhe ta kthejë me uzure, mendjehapur, njohës  i gjuhëve romane dhe skandinave. Atë Noli nga kultura dhe karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane.“

Ernest Koliqi: „Stefan Stilian Noli, një ndër personalitet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet si nji fytyrë poliedrike, d.m.th. e shumanëshme.“

 Hasan Dosti: „Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit tonë. Ky simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.“

Agim Vinça: „Noli nuk qe asnjëherë indiferent karshi dramës tragjike të popullit shqiptar të mbetur padrejtësisht jashtë kufive shtetërorë, pas vitit 1913, edhe pse kishte lindur jashtë atdheut, në një koloni në Turqinë Evropiane , ai do ta shohë Shqipërinë, jo si torzo të vitit 1913-s, por si tërësi etnike. Si krijues, si publicist  edhe shpirtëror, por edhe si burrë shteti, ai e ngriti  zërin kundër dramës tragjike në  Jugosllavi  dhe në Greqi, në regjimet e tyre monarko-fashiste, në vitet 20-30 të këtij shekulli, por edhe më vonë. Kosova dhe Çamëria ishin për të plagë që kullojnë gjak në trupin e kombit.“

Prof. Robert C. Austin: „Zëdhënësi kryesor i një Shqipërie republikane dhe të demokratizuar ishte Peshkop Fan S Noli, i vendosur të ç’rrënjoste trashëgimin 500-vjeçare të sundimit osman. Edhe pse pa dyshim ishte e dukshme për momentin fitorja e përkohëshme e Nolit përfaqësonte mundësinë e fundit për ndryshimin e doktrinës qendrore të politikës së brendëshme dhe të jashtme të Shqipërisë.“

Leka i I: „Lajmi i hidhët i humbjes së patriotit të madh të Monsinjor Nolit na shqetësoi së tepërmi . Shërbimet e mëdha, që ka sjellë Atdheut kanë qenë e mbeten përgjithmonë të çmueshme . Shpirti i Tij u qetësoftë në paqe e qetësi. „ 

Princi Skënder Zog:“Fan S Noli ka qenë një patriot dhe shkrimtar i madh.”

Të “fortët” profesorët e djeshëm, këto shkrime e deklarata nuk dëshirojnë t’i prekin. Dje u digjeshin  duart, sot  u  mpihen.

Rrëfimi i Nolit, vargu i gjatë i dokumeteve dhe i shkrimeve nga autorë të shumtë, hedhin dritën e së vërtetës, për jetën e tij politike në përputhje me fazat e zhvillimit të ngjarjeve historike. Udha e shkelur prej këtij atdhetari të madh, duket qartë tek shkon drejt përëndimit të praruar europian dhe amerikan, për lumturinë e popullit dhe lulëzimin e Atdheut.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Agim Xh Dishnica, fan noli, Komunizmi

KUSH E SHKATRROI SHKODREN, KOMUNIZMI A FANATIZMI ?

November 9, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

NE FOTO: ISH SHTEPIA MUZE E LUIGJ GURAKUQIT/

Isha tue ecë në bulevardin e Tiranës krejt vetem e tue mendue…mbeta i vogel pa e njoh as Baben nga lufta…mbetem pa shtëpi e shkollë…nën tehun e mprehtë të “Luftës së kllasave!” Kur nga larg më thirri një mik, B.S., me të cilin ishim njohë në 1965…Ai asht me origjinë nga Gjinokastra dhe mik i mirë i imi Musliman, jeton në Tiranë.

I tregova se ku po fluturonte e shkreta mendje! Më shikoi me keqardhje dhe gati tri orë kemi bisedue se kush e shkatrroi Shkodren, komunizmi, apo fanatizmi anadollak?!

Kur u themelue PKSh u eleminue grupi komunist i Shkodres dhe me ta edhe shumë komunistë Ortodoksë, se nuk pajtoheshin me qellimet shoveniste sllave. Ata që u pajtuen me politiken e Enver Hoxhës, si katolikë e muslimanë, pa kalue as tre – kater vjet, u zhdukën nga faqja e dheut e ngordhën ndër burgje e interrnime. Edhe ndonjë që mujti me shpetue shihej tue ecë e tue sjellë koken mbrapa se i dukej se po e ndiqte hija e vet.

Të vetmit që mbijetuen ishin ata që ishin të lidhun me sigurimin e shtetit. Ndersa pjesa tjeter vazhdonte ndër vende pune të rendomta e krejt pa vlerë. Mbizotnonte klasa puntore dhe ushtrija e arsimtarëve, që u shkoi jeta ndër biçikleta e fshatra…Vorfnia ishte e pranishme dhe e tejskajshme kudo në qytete e fshatra…Radhat e bukës nuk zhdukeshin, vazhdonin!..

Shkodra nuk u mjaftue vetem me 26 burgje e hetuesi…por edhe një farë dyndje oficerash sigurimi, policije, ushtrije nga Jugu dhe krahinat e Kukësit e të Peshkopisë, që u ishin krijue të gjitha kushtet e jetesës ndër shtëpijat e “anmiqëve të popullit”, tregtarëve, që ishin tue hanger dajak me dorzue arin, shtëpijat e kishës, po edhe nder banesa që atyne u pelqenin dhe ishin komode për atë kohë. Pronari lajmohej që mbrenda dite duhej lirue shtëpija ose dhomat ku do të banonin oficerët dhe të nesermen aty ishte “pronari i ri”. Ka edhe sot shtëpija në Shkoder, që njihen me emnat e atyne që erdhën me punë në sigurim, apo kuadro partije, si bie fjala “shtëpia e Hilmi Seitit”…etj. Pronari i vertetë u harrue pergjithmonë!

Mbas vitit 1946 – 48 elementi katolik pothuej u fshi nga të gjitha institucionet e sigurimit dhe të pushtetit lokal. As nuk bahej fjalë për sekretarët e parë të PPSh apo nder komitete ekzekutive me pasë në pozitat e randesishme shkodranë katolikë. Ndersa sigurimi i shtetit mbas viteve 1950 nuk kishte asnjë oficer katolik, ndersa në polici mund të kishte ndonjë fshatar që ishte sjellë nga ndonjë zonë e thellë malore ku kishte dhanë prova “besnikërije” tue spijunue ndonjë rrezikzi, që në tentativë arratisje prej tij, kishte perfundue në kampet e shfarosjes…

Nga elementi anadollak kishte edhe oficera hetues apo shefa seksionesh e ndonjë kishte mbërrijtë edhe nder podrumet e ministrisë së mbrendshme për kontributin e tij që kishte dhanë kur asht kenë hetues, torturues apo shef seksioni në sigurimin e Shkodres. Këta hora e vagabonda nuk i perkitshin familjeve shkodrane. Shumica ishin t’ardhun apo që me lidhje martesore i kishin futë në sherbim të sigurimit edhe miqtë e tyne.

Komiteti ekzekutiv, i rinisë, bashkimet profesionale etj. ishin pothuej të gjithë në duertë e turkoshakëve, që shtriheshin deri tek drejtorët e ndermarrjeve, sekretarët e partisë punës, shefat e kuadrit, pergjegjsat e reparteve dhe operativat e sigurimit të ndermarrjeve, që kur kishin rasen të bajshin gjamen e të fshinin nga faqja e dheut me 10 apo 20 vjet burg…

Në degen e mbrendshme të Shkodres kishte edhe një “Seksion Katolik”, që e pata mësue se ka kenë nga z. Gjon Ljarja aty nga viti 1993. Të gjithë shefat e atij Seksioni nga 1946 janë kenë oficera anadollakë, antishkodranë të betuem. Asnjë qytet tjeter, tue perfshi edhe kryeqytetin Tirana, nuk kanë pasë një Seksion të tillë, e per çudi nuk dihet se ka ekzistue një Seksion i tillë as per muslimanë e as per ortodoksë as nder qytete të tjera.

“Seksioni Katolik” i sigurimit të shtetit në Shkoder asht kenë i vetmi në Shqipni, ashtu si “Muzeu Ateist” i Shkodres, që ishte i vetmi në Botë…As “Seksion Katolik” nuk e besoj se ka kenë në ndonjë shtet tjeter komunist të Europës…Nuk shpjegohet prej ndokujt se kush e “krijoi”, por dihet se aty mendohej, trillohej, shpifej, krijohej, flitej, diskutohej, projektohej, aprovohej, planifikohej, vendosej dhe zbatohej çdo ide që mund t’i shkonte nder mend Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij kundër Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës Katolike, qytetarëve të thjeshtë apo fshatarëve të varfen, të cilet porsa hynin në projektin e zhdukjes nga “Lufta e kllasave”, ishin në programin e GJENOCIDIT që do t’i ndiqte për 47 vjet pa asnjë nderpremje nga dita që kishte fillue hapjen e “dosjeve” të para me të Ndjerin Dedë Coku… me 29 nandor 1944.

Me zhdukjen e inteligjencës Katolike ajo menjëherë u zevendsue nga një grup i njohun servilash anadollakë, që u ba aq i neveritshem, sa edhe sot në familjet tradicionale shkodrane të besimit Musliman, Ortodoks dhe Katolik të Shkodres, ata konsiderohen agjenta të sigurimit, të cilëve për kontributin e dhanun në këte institucion “partia” u dha tituj “dr.prof… e deri shefa të katedrave e docenta” të universiteteve apo mejtepeve të Enver Hoxhës. Këta u pajtuen edhe me vendimet e Kongresit të drejtshkrimit në 1972, ku bashkë me “vllaznit” kosovarë, eleminuen perfundimisht Gjuhën Gegënishte, vetem e vetem me zhdukë 70% të letersisë Gege. Shkollat e kuadrot e pergatituna në Perëndim u zhduken tue marrë me vete jo vetem Katolikët, por edhe Muslimanët e kryesisht ata studentë që shkollat e mesme i kishin krye në gjimnazet e Shkodres, kjoftë edhe até shtetnor. Ka pasë familje muslimane shkodrane që miqsinë apo lidhjet  tradicionale të qytetit i kanë pague aq shtrejtë, sa familjet katolike. Ka qytetarë Muslimanë që janë pushkatue vetem se kanë perfundue shkollat në shtetet Europjane Perëndimore. I Ndjeri Osman Kazazi, bani 42 vjet burg e interrnim pse kje dy vjet nxanës tek Gjimnazi i Fretenëve.

Perballë Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, ku gjeten vdekjen mizore mbi 61 Klerikë dhe 70 tjerë u arrestuen e vuejten deri në 20, 25, 38 dhe 39 vjet burg, asht  shumë domethanës fakti që perballë këtij rrebeshi antikatolik, nuk u pushkatue asnjë nga Kleri Musliman i Shkodres dhe as nuk dihet se ka vdekë ndonjeni nder kampe shfarosje.

Si shpjegohet ky fakt sot nga historianët apo studjuesit e Gjenocidit antikatolik?

Nëse komunistët luftonin të gjitha Besimet njëlloj, si nuk u pushkatue të pakten një Hoxhë nga Besimi Musliman, në qytetin e Shkodres?

Nëse Kleri Katolik ishte “agjent” i Vatikanit a i ndonjë shteti Perëndimorë, Italisë, Francës etj., si shpjegohet që në 47 vjet diktaturë komuniste, asnjë hoxhallar nuk u akuzue agjent i Turqisë, Egjiptit, Iranit apo Afganistanit? Kush ishte që e mbështeti dhe nuk e preku me dorë Klerin Musliman në Shkoder, PPSh apo sigurimi i shtetit, që i sherbenin edhe shteteve fqinjë?..

Kjoftë PPSh apo sigurimi i shtetit, të dy institucionet që kanë ushtrue Gjenocidin kunder Katoliçizmit në Shkoder, ishin organe të diktaturës komuniste vetem në duert e elementave fanatikë anadollakë, që nuk kishin në trupin e tyne asnjë pikë gjak shqiptari.

Unë do të tregoj një ngjarje në burgun e Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në vitin 1947. Mbasi hetuesi Pjerin Kçira torturon për vdekje Hafiz Dergutin, del nga biruca e tij dhe takohet në korridor me Dulaç Lekiqin, të cilit i thotë: “Merre Hafizin e hidhi një kovë ujë se asht pa ndjenja!…” Dulaçi i pergjegjet: Këte që ke ba sot mos e persërit ma, Pjerin, po deshte me torturue, shko e rrah ata Priftit tuej. Hoxhallarët mos i prek me dorë, se me ta merremi né e nuk asht nevoja me i torturue ti…A more vesht?” Këte dëshmi e dij nga një bashkvuejtës i asaj kohë, që asht torturue si pak kush, i Ndjeri Ragip Meta. Emnat e këtyne katilave mund t’i gjeni në rregjistrat e “të dekoruemëve hero i popullit ose nderi i kombit…” për veprat e tyne në sherbim të Gjenocidit antikatolik, që edhe sot prap vazhdohet vepra e tyne nga trashigimtarët… Ishte një llom i tanë që kishte invadue Shkodren. Disa nga fanatikët anadollakë shkodranë u ndihmuen dhe shprazen vnerin e tyne kunder elementit katolik të perkrahun dhe të siguruem nga një mori horash e terroristësh toskë, të sjellun në Shkoder nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, grupi vëlleh i gjykatësëve etj. Vandalizmi në qendrat kulturore, muzeumet dhe bibliotekat e institucioneve fetare e private, shpronsimet dhe vjedhjet e rezervave të arit, pasunisë private, shtetizimet, zhdukjet misterioze të tyne apo djegëjet e tyne bashkë me Pazarin e Vjeter, që ishte ndër tre ma të vjetrit në Ballkan, janë flaka zhdukëse e traditës kulturore e qytetare. Shkatrrimet e institucioneve fetare katolike nder ma të vjetrat dhe të pasunat në Europë e deri tek shembja e shtëpisë së Atdhetarit Demokrat Luigj Gurakuqi, të pashoq në Historinë e Popullit Shqiptar…në këta vitet e fundit të “Demokracisë” (u mbajshin mend)…Janë deshmija e pakundershtueshme se: Fanatiku Enver Hoxha me pasuesit e vet, të vjeter e të rijë…jo vetem ka krye Gjenocid kundër Katolikëve dhe inteligjencës Atdhetare, por edhe ndaj të Gjithë Shqiptarëve që kanë mendue dhe punue per një Shqipni Europjane.

Dhe në mbyllje me 14 korrik 1990 Ramiz Alia porositë “pasuesit e vet”: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.” Kjo porosi perforcon até dëshmi rrenqethëse që ka thanë komunisti Sh.S., një burrë i sinqertë nga Shkodra, një mikut të vet: “Ai më tha, duke me pyetur se sipas meje: në cilen zonë, në cilin qytet, komunizmi ka qenë ma i ashpër? Unë, i thashë, mendoj se Vlona. Jo, më tha, aspak, Vlona ka furnizue me komunista Shqipninë, por komunizmi asht zhvillue ma egersisht në Shkoder, tamam tamam në lagjet tuaja, më tha e më shikoi drejtë e në sy dhe mandej m’ u kthye: Nuk e kena marrë teseren e partisë se e deshtem komunizmin, që nuk e kuptueme kurrë, por e morem se na erdhi rasti me nxjerrë shpaten e me ju shkatërrue ju. Kjo ishte andrra e gjyshave e baballarëve tanë. Partia e punës na e dha këte mundësi.”

Melbourne, Nandor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: fanatizmi, Fritz radovani, Komunizmi, Luigj Gurakuqi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT