Mbahet takimi i parë i Ekipit Punues për analizën e themelimit të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës/ *
Prishtinë, 20 Maj 2020-Gazeta DIELLI/ Sot, më datë 20 maj 2020 u mbajt takimi i parë i Ekipit Punues i cili u themelua nga Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ky ekip është themeluar si rezultat i nevojës për një institut i cili do të mund të adresonte, më në fund, atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. E dyta, do të mund të dokumentonte në mënyrë të përbashkët gjithashtu edhe dëmet që janë shkaktuar, shtetit si tërësi, personave por edhe ekonomisë.
Ekipit iu drejtua Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të cilët e bënë hapjen zyrtare të takimit të parë.
“E kam kënaqësinë që sot t’ju uroj mirëseardhje në takimin e parë të punës të këtij ekipi punues. Ky ekip është formuar me qëllim të përgatitjes së analizës për themelimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës.
Besoj e keni vërejtur menjëherë që emri i Institutit të cilit i referohemi nuk është “Instituti për krime lufte” por Instituti për krime të kryera gjatë luftës. Kjo për shkak se konsiderojmë që është e rëndësishme që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kryeministri në detyrë Kurti.
Në takim, kjo nismë u përshëndet njëzëri dhe u tha që është momenti i fundit që të bëhej një gjë e tillë, e cila do të duhej të shërbente si ombrellë për të gjitha nismat e ngjashme që janë bërë deri tash.
U theksua gjithashtu nevoja e vendosjes së bazave të forta për krijimin e Institutit. Në momentin që bazat i vendosim të forta, atëherë u tha se puna e institutit, i cili do të themelohet më vonë, do të jetë shumë më e lehtë. Si i tillë, ai duhet të ketë një buxhet të caktuar që do të mund të siguronte një punë të vazhdueshme për njerëzit që do të ishin pjesë e tij, e të cilët duhet të jenë ekspertë të fushës, si dhe një buxhet që do të mund të siguronte hulumtues në terren më vonë.
- Per me shume fotografi Shih ne facebook dielli vatra