• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova kërkon anëtarësimin në SEECP

February 19, 2014 by dgreca

-Ministri I jashtem Enver Hoxhaj: Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar-/

Nga B.Jashari/.-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, mori pjesë sot në punimet e takimit të dytë jo formal të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Nga Bukureshti, MPJ kosovare në njoftimin e dërguar bën të ditur se, para ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të kësaj organizate të rëndësishme, ministri Hoxhaj ka folur për relevancen e SEECP-s për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë.
Ministri Hoxhaj tha se ky takim është një mundësi e mirë për të diskutuar perspektivat dhe shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, duke shtuar se prezantimi kredibël në këtë takim dëshmon se SEECP do të mbetet një platformë serioze e avancimit të bashkëpunimit në rajon.
“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje se projekti evropian është i bazuar në bashkëpunim, si një mjet për  fuqizimin e pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe progresit të mëtejshëm. Prandaj, angazhimi për bashkëpunim rajonal është në të njëjtë kohë nevojë dhe instrument efektiv për integrime evropiane”, tha Hoxhaj, duke shtuar se SEECP-ja mund të jetë një forum serioz në fuqizimin e bashkëpunimit dhe axhendës integruese.
Hoxhaj shpreh përkushtimin e Kosovës për të punuar bashkërisht për të shmangur perceptimin e Ballkanit si një model i ndarjes, dezintegrimit dhe dhunës. “Përpjekjet tona të përbashkëta mund të transformojnë Ballkanin në një rajon që gjeneron paqe, stabilitet dhe prosperitet”, tha ai.
Lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale, ministri Hoxhaj tha se në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka pasur dy fokuse kryesore, shtetndërtimi i brendshëm, ku ne arritëm të ndërtojmë një shtet multietnik, demokratik dhe sekular, dhe fokusi i dytë ishte fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Që nga viti 2008, Kosova i ka provuar bashkësisë ndërkombëtare se është një faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe kemi dëshmuar vullnetin për të fuqizuar bashkëpunimin me të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit.
Duke iu referuar edhe marrëveshjes së arritur në mars 2012 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë lidhur me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen rajonale, për këtë çështje dhe sfidave me të cilat është ballafaquar Kosova që atëherë për anëtarësimin në këto organizata, Hoxhaj theksoi rezultatet që janë arritur si dhe pengesat që janë hasur në këtë drejtim si pasojë e politikave përjashtuese dhe pozitave bllokuese të Serbisë.
“Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar”, tha Hoxhaj, duke shprehur përkushtimin e plotë të Kosovës për të qenë pjesë e të gjitha institucioneve dhe organizatave në rajon.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Enver Hoxhaj, kerkon SEECP, kosova

KOSOVA – Gjashtëvjetori i pavarësisë vjen me përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë

February 17, 2014 by dgreca

PRISHTINË, 17 shkurt /ATSH-AFP/ – Kosova feston gjashtëvjetorin e Pavarësisë të shënjuar nga një përmirësim historik të marrëdhënieve me Serbinë, që u bë e mundur falë një marrëveshjeje të arritur në prill nën drejtimin e Bashkimit Evropian.

“Vizioni ynë për Kosovën e pavarur është ai i një vendi demokratik, gati të zerë vendin e saj në familjen e vendeve te lira”, deklaroi kryeministri kosovar, Hashim Thaçi gjatë një seance përkujtimore të parlamentit kosovar.
Nën presionin e Brukselit, Prishtina dhe Beogradi kanë zbutur tensionet dhe po kryejnë bisedime nën mbikëqyrjen e BE-së, që synon të përmirësojë jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Serbia, që më 21 janar filloi negociatat për aderim në BE, kryesisht falë normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, vazhdon ende të refuzojë me vendosmëri pavarësinë e shpallur në vitin 2008 nga mazhoranca shqiptare e ish-provincës së saj jugore.

Kosova, nga ana e saj, po negocion me Brukselin arritjen e një marrëveshjeje asocim-stabilizimi.
Sot, parakalimi i focave të rendit dhe të sigurisë së Kosovës ka tërhequr disa mijëra persona në rrugët e Prishtinës, e mbushur plot me flamuj kombëtarë.

Megjithatë, veteranët e konfliktit të Kosovës (1998-99), që kanë dalë nga gueriljet që luftuan kundër forcave serbe, deklaruan se nuk do të marrin pjesë në këto festime.

“Nuk do të marrim pjesë në këto festime, në shenjë pakënaqësie”, deklaruan ish-luftëtarët në një komunikim për shtyp.

Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 30 për qind e 1,8 milionë kosovarëve janë të papunë. Banka Botërore, nga ana e saj, jep një nivel edhe më të lartë, të përafërt me 40 për qind.
“Jam i lumtur që po festojmë gjashtëvjetorin e pavarësisë, por fakti që nuk shohim asnjë mundësi punësimi e ul shumë gëzimin tim”, deklaron Beqir Krasniqi, 27 vjeç, i diplomuar në drejtësi dhe i papunë.
Kosova që prej shpalljes së pavarësisë, është njohur nga mbi 100 vende dhe nga shumica e anëtarëve të BE-së si edhe nga SHBA-ja.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 6 vjetori, kosova, Kosove-Serbi, Marrdheniet, te permiresuara

Kosova 6 vjet shtet, festimet vazhdojnë

February 16, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Në Kosovë vazhdojnë të dielën festimet e nisura zyrtarisht dy ditë më parë për 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 17 shkurtin historik të 2008-ës.

Në mbrëmje, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të organizojë një pritje solemne në Prishtinë, ndërsa në Teatrin Kombëtar mbahet koncerti festiv i Ansamblit Kombëtar Shota.
Festimet vazhdojnë sot edhe në qytete të tjera të Kosovës.
Në qytetin më të madh jugor, Prizren, rreth mesditës nis punëtoria e skulptorëve te akullit, ndërsa në mbrëmje mbahet tryeza “Artist talk”.

Po në mbrëmje, do të organizohet takimi letrar “Ora e Pavarësisë” dhe koncerti festiv i AKV “Lidhja e Prizrenit” në Shtëpinë e Kulturës.

Në qytetin më të madh verior të Kosovës, në Mitrovicë, në mbrëmje hapet një ekspozitë në Muzeun e qytetit dhe një tjetër ekspozitë e artistëve në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, ku do të mbahet manifestimi qendror

Filed Under: Kronike Tagged With: 6 vjet pavaresi, B Jashari, festimet vazhdojne, kosova

Kosova – Dardania e hershme, krenari historike kundër nënshtrimit

February 14, 2014 by dgreca

Kosova e Pavarur, e vendosur në rrugën drejt integrimit europian/

Nga Neki Babamusta/

Paqja e Shën Stenfanit (1877), Kongresi i Berlinit (korrik 1878) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (korrik 1913) coptuan padrejtësisht kombin shqiptar, ndër më të vjetërit në Evropë dhe në botë.

Me datën 31.1.2013 në Kroaci (Dalmaci) zbulohet harta e fiseve ilire, 2200 para erës së re, harta më e vjetë në botë. Me 1.2.2013 për herë të parë TV Klan publikon hartën më të vjetër të Shqipërisë etnike. Trojet e Shqipërisë etnike përmblidhnin: Ilirinë, Epirin, Dalmacinë, Maqedoninë e sotme, Janina me gjirin e Nartën. Tokat e të parëve tanë figurojnë të dokumentuara në katër vilajete: Kosova, Shkodër, Manastir dhe Janina. Në këto vilajete përfshihen territore mbi 90,000 km katrore bazuar në hartën e publikuar këto ditët e fundit. Vetëm Vilajeti i Kosovës kishte 30,000 km katrore. Shqipëria sot ka sipërfaqje të përgjithshme 28,748 kilometra katrorë dhe Kosova ka 10.887 km katrorë.

Gjatë sundimit serb (shekulli 19-20) me forcë janë përzënë mbi 5 milion shqiptarë që jetojnë në Turqi, përveç qindra mijë të vrarë, të burgosur, etj. Dhjetëra dhe qindra mijë shqiptarë janë vrarë dhe në kohën e sundimit turk për pavarësi. Shqiptarëve padrejtësisht ju morën pronat, shtëpitë, ju mohua gjuha amtare. Politika e genocidit, ajo e Serbisë, edhe ajo Turke, nuk lejuan shqiptarët të mësonin gjuhën e bukur shqipe. Kur nuk mësohet gjuha e të parëve, një popull zhduket.

14 Gusht 1941: Karta e Atllantikut

Me 14 gusht 1941 në bordin e anijes “Princi i Uellsit” u bë marrëveshja midis F.D Rusveltit të ShBA-së dhe Uillson ÇURÇILLit të Britanisë, të cilës më vonë me 24 shtator 1941 iu bashkua edhe Stalini i ish Bashkimit Sovjetik. Në takimin historik të tre udhëheqëseve botëror u vendos: (1) të përkrahej në shkallë ndërkombëtare lufta kundër nazi-fashizmit. Kontribut në këtë luftë po jepte edhe populli shqiptar, si pjesë e kualicionit kundër Hitlerit dhe Musolinit. (2) Pas fitores kundër fashizmit, popujt të kishin të drejtë për vetëvendosje gjer në shkëputje.

Kryetari i Lidhjes së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Tito, nëpërmjet agjentëve të tij Çubrojlaviç, Miladin Popoviç, Mugoshës (këshilltar pranë partisë komuniste të Shqipërisë –PKSH), bënin politikë që Kosova të mbetej pjesë e pandarë e Serbisë.

Me 24 Janar 1946 Marrveshja në Bujan vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dinaku Tito nuhati etjen për pushtet të drejtuesve të PKSH-së dhe entuziasmohej kur dëgjonte se në Shqipëri hidheshin parrulla “Rroftë Tito!”.

Në këto situata të favorshme për Jugosllavinë Tito deklaroi me hipokrizi: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pamundur, megjithëse unë dua, por na keqkuptojnë Republikat e tjera…!”

Genocidi ndaj shqiptarëve

Nëpërmjet kryekiminelëve të popullit shqiptar, që nga Rankoviçi, ish-ministër i brendshëm i Jugosllavisë, e deri tek Millosheviçi, “kasapi i Ballkanit” në Kosovë filluan përsëri ndjekjet, persekutimet, burgimet, vrasjet ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në dy anët e kufirit.Masakra e Tivarit (23.3.1945) është një tragjedi e përmasave botërore ku shërbimi sekret jugosllav vrau në pabesi mbi 4,000 shqiptarë. Ndërsa në vitin 1947 u vranë edhe 13,000 shqiptarë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë, në bashkëveprim me sigurimin e shtetit shqiptar dhe Titos (Uran Butko, Masakra e Tivarit, 2012).

Krimineli Jankoviç i Jugosllavisë nga viti 1965-1980 shpërnguli me forcë mbi 500,000 shqiptarë, duke vrarë dhe masakruar mijëra prej tyre. Të njëjtën politikë famëkeqe ndoqi edhe Millosheviçi, veçanërisht në vitet 1998-1999, kur përdori politikën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mbi 800,000 shqiptarë u përzunë nga trojet etnike në Kosovë, u dogjën fshatëra dhe qytete të tëra, u vranë gra, pleq dhe fëmijë, u pushkatuan njerëz të pafajshëm duke i futur në varre masive. Këto krime barbare si të Hitlerit ngjallën zemërimin e tërë popujve të botës. Mbi 14,000 viktima të pafajshme u vranë, mbi 2,000 u zhdukën ku edhe sot nuk i dihen varret. Kosova u përfjalk. Kjo e detyroi Presidentin Klinton dhe NATO-n që t’u thonë ndal masakrave fashiste në zemër të Evropës, në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u rradhit pranë ushtrisë së NATO-s për t’i dalë zot vendit të tij. Me 24.3.1912 ish-presidenti i Serbisë Tadic këto operacionet e NATO-s kundër Serbisë i quajti agression ndaj Serbisë.

Me 5 mars 1998, kriminelët serb kyen masakrën gjakatare ndaj fisit Jashari, në Prekaz. U vranë afro 50 pjesëtarë të familjes të familjes dhe të fisit Adem Jashari. Pushtuesit serb e harruan historinë se legjendari Adem Jashari simbolizonte unitetin kombëtar dhe dëshirën për të jetuar të lirë. Më 27 prill të vitit 1999 forcat militare e paramilitare serbe vrarë e masakruar 377meshkuj të 15 fshatra të rrethit të Gjakovës (Masakra e Mejës).

Popujt e Ballkanit duhet të bashkohen me gjuhën e dashurisë

Populli Anglez ka një thënie të urtë, “shtëpia ime është kështjella ime”. Shqiptarët në Kosovë luftuan për trojet e tyre etnike dhe shtëpitë e tyre.Me 6 shkurt 1999 në Konferencën e Rambujes u miratua paketa Ahtisari, ku Kosova do të qeverisje në mbikqyrjen e OKB-së. Me të drejtë ish-presidenti Bush i Sh.B.A.-së, e miratoi plotësisht planin e Ahtisarit, si rruga e duhur për të ecur përpara. “Ky është edhe pozicioni i Sh.B.A.- së,” deklaroi Presidenti George Bush. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri me 10 qershor 2007 Presidenti Bush u prit në mënyrë madhështore nga populli shqiptar, e cila ka hyrë si një ngjarje historike. I intervistuar përpara vizitës nga TV Vizion Presidenti Bush deklaroi, “do të shkoj me kënaqësi të madhe në Shqipëri me një bregdet të bukur, me histori interesante, me njerëz myslimanë që mund të jetojnë në paqe…Unë vij si dashamirës i lirive në një vend ku njerëzit i dijnë të mirat e lirisë… Më kanë bërë përshtypje udhëheqësit tuaj.”

Kosova me një popullsi të edukuar, punëtor dhe trima, dëshmoi përpara botës se ishte në gjendje të vetëqeverisej. Për këto arsye me 17 shkurt 2008 Kosova shpallet e pavarur.

Kosova sot është e forcuar ekonomikish, e konsiliduar si shtet, dhe është njohur deri më sot nga 105 shtete të botës. Me datën 2.2.2014 kreu i Europës Juglindore Xhonatan Mur (Drejtori për Europën Qëndrore dhe Juglindore në Departamentin e Shtetit) deklaroi, “Kosova duhet të jetë krenare për suksese që ka arritur”.

Për sukseset dhe arritjet e Kosovës meritë historike kanë ish-presidenti Rrugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe kryeministri Hashim Thaçi, Gjenerali shqiptar i maleve që bashkoi dhe ngriti në këmbë popullin e Kosovës, përkrah UÇK-së, kundër pushtuesve serb. Meritë historike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës kanë në rradhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ish presidentin Bush dhe Klinton, vendet anëtare të NATO-s si dhe populli vlla shqiptar që iu gjend në ditë më të vështira popullit vlla të Kosovës.

Me 19.4.2013 arrihet në Bruksel marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri Thaçi dhe Daçiç kishin drejtuese baroneshën Ashton. Me 21.4.2013 Parlamenti i Kosovës e miratoi marrëveshjen historike.

Shqiptarët në Kosovë shtrinë dorën e paqes me Serbinë, duke u dhënë pakicave serbe në Kosovë dhe Mitrovicë shumë të drejta, bazuar në kushtetutën e Kosovës. Por këto veprime miqësore nuk u reflektuan nga Serbia për shqiptarët në luginën e Preshevës.

Tingëllojnë absurde dhe pavlerë deklaratat e disa udhëheqësve të Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, gjë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Me 17.5.2012 Boris Tadic deklaroi nëse fiton si President do e fus Serbinë në Evropë, por do e mbaj edhe Kosovën si pjesë të Serbisë. Me 31.5.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të Metohisë. Me 1.6.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se “mes të Kosovës dhe BE-së do zgjidhnim këtë të fundit…kemi aleatën tonë Rusinë.”

Me 27.7.2012 kur Ivica Daçiç bëri betimin si kryeministër i Serbisë deklaroi se Kosova dhe Metohija do të jenë pjesë e pandarë e Serbisë. Me 27.7.2012 ish ministri i Jashtëm i Serbisë Jeremiç, sot në OKB, deklaroi “sa të jem në postin e lartë në OKB, do të luftoj për mosnjohjen e Kosovës në botë.” Zëvënëndës kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli e quajti këtë deklaratë të Jeremiç, deklaratë naziste. Ndërsa kryeministri Thaçi iu përgjigj, “nuk do të kthehet ora e historisë mbrapsh.”

Me 31.10.2012 Sekretarja Amerkane e Shtetit Hillari Klinton deklaroi, “çështja e pavarësisë së Kosovës është problem i mbyllur, po ashtu edhe tërësia tokësore.”

Në takimin që pati Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani me zv. Sekretarin e Shtetit të Sh.B.A.-së Nikolla Burns, dhe sekretarin e shtetit për punë të jashtme, z. Xhon Kerry, me datat 6-7 shkurt, 2014 ata vlerësuan punën e presidentit Nishani si garant i kombit: për forcimin e sistemit ligjor dhe ruajtjen e dialogut politik, për reforma në drejtësi, Kosova u vlerësua si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe rajaon.

Të huajt që kanë vizituar Mitrovicën nga komuniteti ndërkombëtar me 15.4.2012 kanë vërtetuar se në Veriun e Mitrovicës përtej lumit Dibër nga 13,000 shqiptarë kanë mbetur vetëm 4,000, si rezultat i spastrimit etnik nga struktura paralele kriminale serbe.

Lugina e Preshevës vazhdon të trajtohet nga Beogradi si koloni. Ministrja e Integrimit znj. Vlora Çitaku deklaroi se, “lugina e Preshevës është ndër më të diskriminuarat në Evropë.” Me 8.1.2013 policia serbe shkatërroi në Preshevë Monumentin e Dëshmorëve në qendër të qytetit. Me 20 mars 2013, sërish policia serbe pa shkak rrahu shqiptarin nga Bujanoci sepse nuk kishte marrë leje për të kullotur bagëtinë në tokën e tij. Kjo është çmenduri e shekullit!

Edhe në Mal të Zi, përdoret po e njëjta politike diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Nga 100,000 shqiptarë që banonin në trojet e veta në Mal të Zi, sot kanë mbetuar vetëm 40,000. Reprezaljet dhe vrasjet malazeze i kanë detyruar shqiptarët në Mal të Zi të marrin rrugën e kurbetit.

Sipas dëshmisë të RTV21 Kosovë është deklaruar se sundimatarët e Beograditn e kthyen Kosovën në tokë të djegur, duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal prej 15 miljard euro. E megjithatë shqiptarët në Kosovë, pa harruar të kaluarën janë si gjithmonë për fqinjësi të mirë, për stabilitet në Ballkan sepse kjo është në interes të dy popujve shiqptar dhe serb, të cilët duan të aderojnë në Bashkimin Evropian. Inkuadrimi në BE arrihet kur mes klasave politike ka mirëkuptim, bashkëpunim me interes reciprok, sepse kjo i shërben mirëqenies së dy vendeve dhe paqes mes popujve.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dardania e hershme, kosova, Neki Babamusta

KOSOVA – NJË SHTËPI MIKPRITËSE PËR AMERIKANËT

February 12, 2014 by dgreca

  Nga ROZI THEOHARI, Boston/

E takova në Boston mikeshen time, mjeken amerikane Xhenifer Keller, në nëntor 2001, disa javë pasi ekipi i saj ishte kthyer nga Kosova. Ajo më fali një kopje të revistës mjekësore “Dartmouth Medicine” në faqet e së cilës përshkruheshin përshtypjet dhe kujtimet e saj gjatë qëndrimit në Prishtinë. Revista kishte në ballinë fotografinë e zmadhuar të një nëne kosovare që ushqente për herë të parë fëmijën e saj me gji. Universiteti Mjekësor i Dartmouth-it në shtetin Nju Hampshire, USA, bashkëpunoi me Universitetin e Prishtinës,për të rindërtuar sistemin mjekësor universitar, pitalor dhe atë kërkues mjekësor në Kosovë. Ndër të parët që shkoi në Kosovë për hetimin e gjendjes, ishte John Balëin. M.D, dekani i Universitetit të Dartmouth-it, në verën e vitit 1999. Pasuan më tej profesorë e doktorë të specialiteteve të ndryshme mjekësore gjatë viteve 2000 e 2001. Duhen përmendur edhe të drejtat e studimit për të rinjtë kosovarë që studiuan së bashku me ata amerikanë në Universitetin Mjekësor të Dartmouth-it. Personeli mjekësor amerikan në Prishtinë u përball me shumë të papritura, probleme dhe situata të vështira në mjekimin e pacientëve. Paslufta e gjeti vendin me një system spitalor të mjeruar, i gjeti pacientët të sëmurë si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht, pa ilaçe e mjete të tjera shërimi. Për shqiptarët nuk ekzistonte sistemi i kujdesit primar shëndetësor në dhjetëvjeçarin e fundit, kur ishin në fuqi serbët. Shume të sëmurë kronikë kishin mbetur pa mjekimet e nevojshme për vite e vite të tëra. Mjekët amerikanë u befasuan nga sëmundjesurpriza si tuberkulozi, ekinokokoza, parazitë të ndryshëm, infeksione të avancuara, kancere etj. Në bibliotekën e Universitetit të Prishtinës librat ishin vetëm në gjuhën serbe, ndërsa librat në gjuhën shqip e anglisht ishin shkatërruar. Pra, çdo gjë u nis nga e para duke u mobilizuar së bashku, miqtë amerikanë dhe mikpritësit kosovarë. Personeli mjekësor I Universitetit të Prishtinës dhe i spitalit, krijuan një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi e përfitimi me kolegët e tyre amerikanë.

NË KOSOVË AJO E NDJEU VETEN DY HERË NËNË

 Ndodhet një kishë e vjetër në ishullin e Nahantit, Mass, diku në një shkëmb pranë bregut, e zhytur gjithmonë në mjegullën blu të oqeanit, ku, dikur, Presidenti amerikan Rusvelt mori pjesë në ceremoninë e martesës së djalit të vet. Në këtë kishë – muze shkoj çdo të diel jo vetëm për t’u falur, por edhe për të takuar miqtë e mirë nahantas, që ruajnë me nderim traditat e paraardhësve të tyre anglezë, në këtë ishull.

Në një nga të dielat e prillit 2001, pas shërbesës fetare, po pinim kafen në kafeterinë e kishës. Vura re se çifti Keller, burrë e grua, të moshuar, po afroheshin te tryeza jonë. Gruaja flokëbardhë, Martha Keller më foli me një zë të butë, tërë

mirësjellje : – “Dikush na tha se ju jeni nga Shqipëria. Ju lutemi, mund t’ju pyesim diçka rreth Kosovës?”

“Sigurisht,” – thashë unë, u ngrita në këmbë dhe tokëm duart të tre.

“Është një surprisë…, vajza jonë Xhenifer, që është doktoreshë, na njoftoi se së shpejti do të niset për në spitalin e Prishtinës,”- foli ajo me një zë që mundohej t’ia ulte dridhjen.

Në sytë e saj unë pikasa merakun e nënës. “Mos u shqetësoni,” – buzëqesha unë. “Kosova tani është vend i lirë.”

Në një copë letër vizatova shpejt e shpejt hartën e Ballkanit dhe shkrova emrat e shteteve. “Ja ku është Prishtina,”- u thashë. Patëm një bisedë të gjatë, të cilën e dëgjuan edhe nahantas të tjerë kuriozë. Çifti Keller donte më shumë informacion rreth këtij rajoni. Së fundi, Martha dukej pak më e qetë, ndërsa burrit të saj, mjekut Keller, gjatë gjithë kohës I ndehej në fytyrë një buzëqeshje miratimi.

Por Martha Kelleri u befasua për herë të dytë, ditën që vajza e saj Xheni mori aeroplanin për në Evropë.

Xhenifer Kelleri është një vajzë e mirë amerikane, me një fytyrë të fisme e të zgjuar. Ajo është një grua e mrekullueshme amerikane, e cila, disa orë para se të niste fluturimin për në Kosovë me bashkëshortin, u lajmërua me telefon nga mjeku I saj se ajo ishte shtatzënë. Ai e këshilloi rreptë që të mos e merrte këtë udhëtim të gjatë, mbasi ekzistonte mundësia e dështimit të fëmijës.

Mbas pesë vitesh martese, të gjitha çiftet janë disi të shtangura e të lumtura kur mësojnë se së shpejti do të presin fëmijën e tyre të parë. Ata dëshirojnë ta ndajnë këtë gëzim me familjaret e miqtë e ngushtë…Por Xheni dhe burri i saj vendosën

të mos i ndryshojnë planet e tyre. Ata e ndien dhe e ndanë së bashku gëzimin dhe të papriturën e këtij lajmi vetëm kur u ndodhën në aeroplan, ulur pranë njëri-tjetrit si dhe gjatë ditëve që qëndruan në Kosovë.

E pyeta Xheniferin për përshtypjet e saj nga Prishtina.” E para, dhe e paharrueshmja, ishte mikpritja e njerëzve të këtij qyteti”, – tha ajo. “Kosova është një vend i lirë e paqësor që po përballet me vështirësitë për të normalizuar gjendjen e pasluftes. Populli i Kosoves është i gëzuar dhe krenar, i ndërgjegjshëm për lirinë që fitoi vendi i tij. Atë natë që mbërrita në Prishtinë, – vazhdoi ajo, – isha mike e mjekes Natyra Karahoda, profesoreshë e fiziologjisë në Universitetin e Prishtinës. Vajzat e saj, Era dhe Jehona, më shëtitën e më treguan qytetin. Unë ndala hapat para një shtëpie ku ishte shkruar me shkronja të mëdha e të kuqe “Shtëpia e dëshmorit.”

Vajzat më sqaruan se kishte shumë shtëpi të tjera e apartamente të shkruara kështu, në shenjë nderimi për të rënët në luftë.”

Duke e parë Kosovën me “sytë e mjekësisë” mjekja Keller kishte mendime pozitive rreth shumë ndryshimeve pas luftës.

Personeli mjekësor ushtarak tani ishte kthyer në personel civil profesionist. Përsa i përket edukimit në shkolla mjekësore, ajo pohoi se serbët gjithmonë pengonin studentët shqiptarë të vazhdonin fakultetin e mjekësise. “Një nga studentët e mi”, –

tha Kelleri, kishte shumë kocka të trupit të thyera nga policët serbë, për të vetmin shkak sepse ai donte të studionte në fakultetin e mjekësisë.”

Jo vetëm si mjeke, por edhe si profesoreshë, Kelleri dha mësim në fakultetin e mjekësise, në Prishtinë. Ajo më tregoi se midis studentëve kosovarë vazhdonte studimet edhe Iliri, një i ri nga Maqedonia. Gjate prillit Iliri qëndroi në shtëpinë e tij në Tetovë duke studiuar për provimin e tij në lëndën e patologjisë pulmonare. Por ai e humbi provimin mbasi nuk erdhi në Prishtinë për shkak të luftës që zhvillohej në vendin e tij.

Kelleri u përball me shumë probleme e situata mjekësore në Kosovë, në një vend ku tensioni i “pastrimit etnik” kishte shkaktuar trauma të fuqishme e tmerre në banorët vendës.”Të sëmurët me tuberkuloz, – vazhdoi ajo,” – ishin të shumtë e shtoheshin gjithnjë, sidomos ndër radhët e ish- të burgosurve, për arsye të kushteve të këqia të jetesës në burgjet serbe.” Kelleri takoi shumë raste sëmundjesh në Kosovë që ishin të ndryshme nga ato që kishte studiuar ajo në Universitetin e Dartmouth-it.

Megjithëse shtatzënë, ajo punoi disa muaj me të sëmurët tuberkulozë dhe me të sëmurët me infeksione të zgjatura. Në një e-mail që Xhenifer Kelleri u dërgoi kolegëve të saj në Amerikë, shkruante:

“Ne duhet t’i pyesim kosovarët për çfarë kanë nevojë…e të na tregojnë se si mund t’i ndihmojmë…Ata nuk dëshirojnë pajisje e makineri mjekësore luksoze…Ata kanë nevojë për pajisje mjekësore të forta, që të mos prishen lehtë…dhe të mos kushtojnë shumë…”

Mjekët amerikanë, duke punuar edhe jashtë orarit, kanë dhënë një kontribut të madh për riorganizimin e spitaleve, për kompletimin e tyre me aparaturat e nevojshme, si dhe për mjekimin e shërimin e një numri të madh të sëmurësh. Në një e-mail tjetër Kelleri shkruante: “Nuk ka ditë që ndonjë pacient shqiptar, pa të parë në sy, të mos të të shtrëngojë dorën dhe të mos të të falenderojë me entuziazëm dhe dashuri për atë ç’ka bëre ti për atë. Sepse një pacient kosovar, i shëruar nga një mjek amerikan, e quan veten dy herë të shpëtuar nga Amerika e largët.”

Xheniferi më tregoi disa fotografi të marra gjatë aktivitetit të saj në spitalin e Prishtinës, në mësimdhënien në Universitet, si dhe gjatë vizitës nëpër fshatra.

“Më të shumtat e fotografive,”- i thashë, i keni midis fëmijëve e studentëve. Mos ka ndonjë lidhje kjo me gëzimin për bebin që ju ende mbani në trupin tuaj?”

Ajo qeshi e më tha se në Kosovë tashmë kishte një lindshmëri të madhe fëmijësh.Kolegët amerikane që punonin në repartin e obstetrikegjinekologjisë të spitalit, u ndodhën para të papriturash për shkak të numrit të madh të lindjeve brenda njëzet e katër orëve.

Kelleri pohoi se foshnjat lindnin pa arritur t’i pritnin mamitë, ndërsa krevatet e nënave vendoseshin edhe nëpër korridore.

Duke krahasuar nënat e reja kosovare me ato amerikane, mjekja amerikane arrin në përfundimin se nënat kosovare dine të kujdesen më mirë dhe janë më të afta e më me përvojë, për të rritur bebet e tyre të vogla.

“Natën e parë, si mjekë roje në repartin e lindjeve,”- tha Kelleri, -” m’u desh të përballoj 64 lindje.” Ajo përshkroi emocionet dhe ndjenjat e saj gjatë kohës që vizitonte grate shtatzëna.” Në Kosovë unë e ndjeva veten dy herë nënë,”- tha

ajo e mori frymë thellë,- “së pari, për fëmijen tim dhe, së dyti, për bebet e tjera. Unë ndiqja rrahjet e zemrës së fëmijës Brenda barkut të pacientes dhe më dukej sikur ato rrahje sinkronizoheshin me pulsin e zemrës së bebit tim.”

Unë vështrova fytyrën e saj. Shkëlqimi i syve gri të thellë rrezatonte mëmësinë.

“Unë e pëlqej punën time si mjeke, – tha ajo, – por edhe si nënë, të rris e të edukoj fëmijën tim. Kam menduar për një kohë të gjatë dhe i di vështirësitë dhe punën e lodhshme që kërkon rritja e një fëmije.”

Në Prishtinë Xheni ndiente vazhdimisht nevojën e të qenit pranë prindërve e shoqeve, për shkak të shtatzënisë. Ajo komunikonte përditë me e-mail me të shoqin, i cili, megjithëse ishte në Kosovë, nuk ndodhej në Prishtinë. Në mëngjes ajo ndiente vështirësitë e zakonshme të barrës, në spital punonte me të sëmurët tuberkulozë dhe maska që vinte në fytyrë për t’u mbrojtur, i shkaktonte të vjella e dhembje në stomak. Por ajo i kalonte në heshtje të gjitha këto, pa harruar qëndrimin për një kohë të gjatë në sallën e mjekut ku tymosnin duhan pa pushim. Ajo duronte e nuk largohej nga dhoma e mjekut, për të mos u dukur e pasjellshme, megjithëse e dinte se duhani dëmtonte fëmijën e saj. Prandaj asaj i pëlqente të rrinte disa orë të ditës jashtë, në ajrin e pastër. Por edhe këto orë ajo nuk i kalonte pa punë. Në krye të një grupi fëmijësh, të cilët ajo I pajiste me dorashka plastike, kryenin së toku pastrimin e territoreve të caktuara të qytetit dhe ky aktivitet quhej “Dita e pastrimit të Dardanisë.” Në shoqërinë me fëmijët ajo shkrihej njësh me gëzimin dhe sinqeritetin e tyre.

Xhenifer Kelleri dhe mjekët e tjerë amerikanë të ekipit të saj që vizituan Kosovën, përjetuan kënaqësi të veçantë jo vetëm se dhanë ndihmesën e tyre të specializuar, por sepse, në të njëjtën kohë, u miqësuan me kolegë dhe njerëz të thjeshtë dhe e ndien mikpritjen kosovare si një të papritur interesante e të paharrueshme në jetën e tyre. Ata ftoheshin e merrnin pjese e në festa të ndryshme kombëtare e familjare, duke mësuar shumë nga kultura, përvoja e jetës dhe traditat e mikpritjes. Ishte mjaft prekëse për mjeken Keller dhe mjekun Sahr pjesëmarrja në një ecje përkujtimore në këmbë, për nder të një studenti kosovar të mjekësisë, vrarë nga snaiperet serbë në vitin 1996.

Xhenifer Kelleri u bë “shoqe e pandarë” me mjeken kosovare Natyra Karahoda, duke e vizituar disa herë në shtëpi e duke kaluar çaste të bukura me dy vajzat e saj. Dhe miqësia shkon…e vjen. Fiziologjistja Karahoda, si dhe shumë mjekë të tjerë, u ftuan nga Universiteti i Dartmouth-it në pranverën e vitit 2001 në Amerikë për specializim.

U ndava me mjeken Keller duke u interesuar edhe një here për bebin e saj që do t’i lindte së shpejti. “Unë jam e lumturuar që po bëhem nënë. Një ditë, do t’i tregoj vajzës sime se ajo i kaloi muajt e parë të zanafillës së jetës së saj në Kosovë,”- tha ajo.

Unë nuk i bëra më pyetje; e kuptova dhe e ndjeva se bota e kësaj gruaje të re ishte e ngarkuar me kujtime miqsh, surpriza të bukura, gëzime, gjallëri, punë krijuese dhe bekime për të gjithë fëmijët.

Filed Under: ESSE Tagged With: kosova, nje shtepi mikpritese, per amerikanet, Rozi Theohari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT