• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Taxhikistani , sa largë Kosovës ! Jo shamisë në shkolla!

September 19, 2013 by dgreca

“Nëse ne njerëzit bëhemi të mirë vetëm nëse i frikësohemi ndëshkimit, atëherë jemi shumë të këqij“- Ajnshtajni/

Shkruan:Fahri XHARRA/

Kombi është një bashkësi e madhe solidare, që e lidh ndjenja e vetëflijimit të kryer dhe vetëflijimeve për të cilat është i gatshëm edhe në të ardhmen. Shpesh mendoj se ç`pasoja të mëdha rrjedhin nga gjëra të vogla dhe nga historia e jonë jam bindur se nuk ka gjëra të vogla.

Tagjikistani është një shtet i vogël, 93% malor, me një popullsi prej 6 milionësh ku rreth 63% janë Tagjikë e 93% myslimanë. Ky shtet i Azisë Qendrore gjithmonë është i trazuar. Që nga pavarësia e 1991-shit prej BS-ik, ky komb vazhdimisht është tronditur nga lufta frakcionale ndër krahinore dhe fetare që kulmuan më Luftë Qytetare në Majin e vitit 1992 e tutje, duke e shkatërruar ekonominë ashtu të varfër, shpërnguljet masive dhe mbytjen e mbi 60 mijë vetëve. Lufta qytetare ka zgjatur mbi katër vjet.

Populli i sotshëm i Taxhikistanit ka pak nga ata që e luftuan Aleksandrin e Madh, para 23 shekujsh. Vendasit u ballafaquan ndër shekuj nga shumë qytetërime të kohës dhe pësuan asimilime gjuhësore dhe kulturore nga Persët, Turqit dhe Mongolët. Në shekujt e 8-të dhe të 9-të u krye asimilimi gjuhësor nga Persët, të cilët e sollën edhe fenë islame.Persishtja u bë gjuhë e drejtësisë, e elitës së kulturuar dhe e fesë Islame, duke u futur me kohë edhe në viset më të larta e të largëta malore të vendit ….

Por më 1992 kushtet u stërkeqën dhe shpërtheu vrazhdësisht lufta qytetare. Ishte lufta më e përgjakur dhe më e kushtueshme ndërqytetore e Azisë Qendrore. Sipas O.Roy. (The Civil War in Tajikistan: Causes end Implications. 1993) Dikotomia (ndarja në)Muslimnon dhe Tagjiknon duhet të hiqet nga politika tagjike. Fatbardhësisht pluralizmi kulturor gjatë shekujve e ka bërë këtë ndarje në këtë vend malor e të varfër.

Dukshëm, megjithatë ishte lëvizja që avokatonte një formë të ideologjisë politike islamike e orientuar në restaurimin “e vlerave islamike” në shtet. Por çka të bën përshtypje këtu, është se ende mbetet si konflikt ideologjik, gara në mes të sekularistëve dhe atyre të vizionit islamik. Sekularistët janë për pluralizëm politik, kulturor, ekonomik, kurse Vizioni Islamik vetëm për Autokraci.

Lufta qytetare i kishte edhe pasojat e saj jo vetëm ekonomike, por edhe në ndërrimin e të menduarit të tagjikut. Shkollimi i ndërprerë për vite të tëra e sajoi të aftin për punë të paaftë. Lufta e stimuloi dhunën në rritje ndaj femrës. Kjo shoqërohej me diskriminim në shkollë dhe pas shkollimit në gjetje të punës. Por më e keqja: lufta i la shumë gra kujdestare të vetme të familjes. Mungesa e punës e rriti prostitucionin, si i vetmi burim i ekzistencës. Filloi me të madhe shkuarja e femrave të reja në vendet e pasura arabe për të gjetur “punë”. Kthimi prapa i tyre nga “puna premtuese” ne vendin e tyre gjithnjë të varfër solli vetëm prishje të unit dhe të personalitetit. Një problem më tepër për shoqërinë.

Dr.Abdul Ruf, (Worldpress) shkruan: “Presidenti Tagjik Imomali Rahmonov, në qeveri që nga viti 1992,  e ndaloi që të rinjtë të luten e të falen nëpër xhami dhe kisha, duke i nxitur Liderët Myslimanë të krahasojnë këtë ndalesë si një “dhuratë të frikshme” për myslimanët, në muajin e shenjtë të Ramazanit. Imomali Ramonov e nënshkroi urdhëresën si masë kundër përhapjes së fundamentalizmit mysliman. Të gjithë të rinjve ndër moshën 18 vjeçare iu ndalohej adhurimi në xhamitë dhe kishat e këtij vendi, si dhe ndalesën për të rinjtë nën moshën 20 vjeçare që të vizitojnë klubet e natës dhe shikimin e filmave dhe leximin e literaturës që ndjell dhunë, skajshmëri (ekstremizëm) dhe terror”.

Rahmonov, i cili ka fuqinë e madhe si politikan dhe gëzon përkrahjen e madhe sidomos të popullatës së varfër, vitin e kaluar i ktheu mbrapa një numër të madh studentësh nga shkollat fetare dhe u ndërpreu studimet jashtë vendit, si dhe e goditi ashpër mënyrën “islamike” të veshjes.

Deklarata e tij: “Kam frikë që ndër frikën e dënimit e ndëshkimit të rinjtë s`do të respektojnë Zotin gjatë faljes dhe lutjeve”, hasi përkrahje ndër mjediset intelektuale dhe gati gjithëpopullore Tagjike.

Tagjikistanin si vend, si popull, si histori e njoh shumë mirë. Kam simpati të posaçme për këtë vend aziatik. E kam vizituar shpesh. E njoh edhe nga këndi i hundëzakëve të Aleksandrit të Madh. Vend i vuajtur dhe i përvuajtur, por me një klasë politike intelektuale dhe të mprehtë, e cila përkundër dëshirave të “miqve”, merr hapa të rëndësishëm për ardhmërinë e vendit.

Varfëria, shkollimi i cunguar, perspektiva e errësuar, qasje të kufizuara në shëndetësi cilësore janë ato që i bashkëngjajmë njeri tjetrit, e dallojmë shumë në mendimin dhe vendosjen e parakushteve për të ardhmen e rinisë sonë.

Në trojet  mbarëshqiptare ne duhet t`i referohemi asaj çka thoshte Aristoteli dikur në kohën e tij: “T`i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit të rinisë. Një mospërfillje sado e vogël në këtë drejtim, do të na kushton shumë shtrenjtë”.

Historikisht, fatkeqësia jonë e madhe ka qenë, që nuk kemi ditë të zgjedhim mikun e ende vazhdojmë me të njëjtën fatkeqësi. Të bardhës i kemi thënë e zezë dhe të zezës e bardhë. Athua pse? Fatkeqësia edhe më e madhe ka qenë të bindurit tonë në atë që na është thënë, e kjo si rrjedhojë e mosdijes sonë, mos shkollimit tonë. Lëvizjet kanë qenë të kufizuara, e me një kufizim të tillë, doemos njeriu i ynë i ka zënë besë krejt se çka iu është thënë. A na janë shpjeguar drejt gjërat?

A na është shpjeguar drejtë historia e jonë?

Feja, a na është shpjeguar drejt, të cilës iu kemi mveshur me shekuj? Pse më duhej mua, apo babit tim, apo gjyshit tim t`i bindemi diçkafit, e cila ishte për ne e largët e paprekshme? Pse unë ashtu i pafajshëm që isha, gjithmonë të rrija me një dro, se diçka do të më ndodhë? Pse ne nuk guxonim të qeshnim dhe të kënaqeshim me kënaqësinë e bisedës qesharake që bënte t`i harrosh hallet? Por duhej menjëherë të kërkonim ndihmën e zotit që të na sjellë fat mbas gjithë asaj qeshjeje. Të gjitha pyetjet e kanë përgjegjës njëjtë: Mosinformimi.

Po sot? Sot kur, mundësia e informimit është shumë e madhe, kur mundësia e mësimit është e vogël në krahasim me atë se çka kemi mundësi të lexojmë, të shohim, dhe të ballafaqohemi, biem pre e mos shpjegimit të drejtë apo më mirë të themi pre e mashtrimit.

Qëllimi i shkrimit, ka të bëj vetë me një shpjegim të drejt të asaj se si tokat e ndryshme në botë janë pushtuar në emër të fesë.

Lufta e shenjtë apo Xhihadi Islamik. Çka ishte xhihadi Islamik? Sa dimë ne për te? A është për ne shqiptarët e shenjtë të mburremi me xhihadin Islamik?

Ç`ishte xhihadi apo lufta e shenjtë. Thjesht, një luftë “legale” e përbashkët e shtrirjes së territoreve të sunduara nga myslimanët në dëm të territoreve të sunduara nga ata të feve tjera. Qëllimi i xhihadit, me fjalë të tjera nuk ishte përhapja e Fesë islame se sa përhapja e suverenitetit te fuqisë Muslimane. Xhihadi, me qëllim të ekspansionit territorial ishte aspekt qendror dhe i rëndësishëm i Myslimanëve. Në këtë mënyrë Myslimanet një shekull më vonë nga përhapja e islamizmit në Gadishullit Arab i pushtuan tokat që nga Afganistani e deri në Spanjë, Indinë, Afrikën Veriore, Sudanin, Andollinë e më vonë edhe Ballkanin. Xhihadistët skllavëruan me qindra e mijëra e fëmijë (në të njëjtën kohë duke i mbytur burrat) dhe duke iu imponuar Islamin me dhunë. Pra qëllimi i përhershëm i xhihadit ishte të sjellë krejt njerëzimin, në tërësi, nën drejtësinë e Ligjit Islamik- një sistem totalitar i udhëheqjes fetare shumë i vrazhdë për jo-myslimanët dhe gratë, me moton: Aty ku është zoti, ai është në saje të shpatës së islamit dhe hijes së shpatës së Islamit! Shpata është çelësi i parajsës, e cila mund të hapët vetëm për luftëtarët e shenjtë (xhihadistat) (Andrew Bostom : ”Drejtësia e xhihadit “2008)

Gjatë shekujve xhihadi Islamik i kishte dy ndryshore të kuptimit, njëra më radikale dhe tjetra më pak radikale. E para mbahej në atë se kush e shpjegon ndryshe besimin e tyre e këta ishin jobesimtarët dhe në të njëjtën kohë ishin cak i xhihadit. E dyta e bashkuar me mistiken, e hedhë poshtë xhihadin si konflikt të armatosur, por e lidhë me thellësinë shpirtërore të besimit dhe pushtimin.

Por si veproi turku duke i pushtuar tokat tona në emër të shpatës së Islamit( pushtimi i Sultan Mehmet Fatihut II në Shqipëri): ”Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit. Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, i ekzekutonin. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë. (Tursunbeu, Tarih’i-Ebü-l-Feth“ – Historia e Atit të Çlirimit)… Vranë aq shumë, saqë s’mund të numëroheshin. I zunë robër djemtë e tyre, vajzat dhe gratë e tyre.“…Kjo pra ishte, mënyra se si përhapej Islami në botë dhe në tokat tona.

A ka mundësi që të mësojmë ndonjë send nga ai vend i largët ?

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, kosova, taxhikistani

,,AJC Global Jewish,,në Çikago e përkrah nismën e SHSHA-së për projektet investuese në Kosovë e Shqipëri

September 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Skënder KARAÇICA/ Çikago/

Aktiviteti politik dhe ekonomik i SHSHA-së në Çikago po intensifikohet me shumë asociacione të rrafshit global të marrëdhënieve shqiptaro-hebreje në Amerikë që kanë të bëjnë me politikat ekonomike të investimeve në projektet zhvillimore Kosovë-Shqipëri dhe në pjesët etnike shqiptare në Ballkan.Ky ishte konstatim gjatë takimit të djeshëm që patën përfaqësuesit e SHSHA-së me ,,AJC GLOBAL JEWISH,,që u mbajt në lokalet (Chicago Regional Office)në Monroe Street me ndihmës drejtorin Jonathan Schweitzer.

Në këtë takimin e Çikagos u shpaluan një varg dokumentesh arkivore historike që hedhin dritë për kohën kur populli shqiptar në Shqipëri e Kosovë,ndonëse edhe vetë ishin të rrezikuar nga fashizmi hitlerianë dhe kordinimi i orëve vrastare të çetnikëve të Serbisë,ata morën në mbrotje dhe shpetuan qindra familje hebreje që ishin shpërndarë nëpër Evropë nga çizmja fashiste e kohës.Tërë historia e pranisë dhe e shpetimit të hebrenjve është sistemuiliona irtarët e Muzeut Holokaust në Skokie të Çikagos,që janë publikime historike të institucioneve shkencore në Prishtinë e Tiranë si dhe të botimeve të fushave të lobimit në Amerikë nga LQSHA-ja Joe DioGuardi.

Për asociacionin ekonomik ,,AJC GLOBAL JEWVISH,,iu dorëzua projekti ekonomik i shtetit të Kosovës me tërë resurset të pasurisë nëntokësore dhe ato njerëzore të shetit të ri të Kosovës,që u mirëptën nga ndihmësdrejtori Schweitzer që nuk ngurroi të theksoj me gjuhën ekonomike,,Tërë këto pasuri që ka nëntoka e Kosovës dhe pasurinë me popullin më të ri në Evropë nuk e meriton që në fillim të shekullit të ri populli shqiptar të marrë udhën me varfërinë,,!Për nismat e SHSHA-së në Çikago tashmë është në dijeni Minsitria për Diasporën dhe segmnetet tjerë të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës,thekson sekretari Mahmut Skenderi.Duhet të theksojmë se Konferenca për investime ekonomike në Kosovë e Shqipëri tashti është bërë gati dhe presin projektet dhe delegacionet qeveritare të dyjave vendeve,thotë SHSHA-ja në Çikago.

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Chicago Regional Office, kosova, Skender karcica

Kosova do të përqendrohet në burimet e energjisë së ripërtëritshme

August 10, 2013 by dgreca

Nga Linda Karadaku/

Me qëllim që të mundësohet zhvillimi i energjisë së qëndrueshme, me karbon të ulët në përputhje me kërkesat e BE-së, Kosova duhet të nxisë përdorimin e burimeve të energjisë së përtëritshme, thanë zyrtarët.Qymyri përdoret tani për të krijuar rreth 90 përqind të elektricitetit të konsumuar në Kosovë dhe është një kontribues kryesor në nivelet e larta të dioksidit të karbonit e ndotjes.

Me miratimin e vendimit të Sekretariatit të Këshillit Ministror të Energjisë mbi nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme në dhjetor 2012, Kosova u angazhua në bërjen e 25 përqind të energjisë së saj nga burime të përtëritshme deri më 2020.

“Do të ishte jo-realiste të parashikoje prodhimin e plotë të energjisë nga termocentralet e qymyrit me të ripërtëritshme. Dhe duhet të mbajmë parasysh se të gjitha burimet e ripërtëritshme, përveç hidrocentraleve të mëdhenj, gjithsesi kanë nevojë për një skemë subvencionesh. Subvencionet duhet të jenë më të mëdha në qoftë se çmimi i elektricitetit do të jetë nën kostot e prodhimit,” tha për SETimesJanez Kopac, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Kosova kohët e fundit hartoi një Plan Veprimi të Energjisë së Përtëritshme Kombëtare që vendos synime për krijimin e elektricitetit, transportit dhe ngrohjes e ftohjes. Plani vë një hartë udhëzuese e masa sesi Kosova do të arrijë qëllimin e saj deri më 2020.

“Vendim-marrësit dhe zhvilluesit e projekteve të energjisë duhet të kryejnë vlerësime të ndikimit në mjedis, duke ndjekur standartet e larta mjedisore të BE-së e të përdorin teknologjitë më të mira në dispozicion për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe ndikimet e lidhura me shëndetin publik të projekteve të energjisë. Termocentralet ekzistuese me qymyr në Kosovë kanë një ndikim të madh negativ mjedisor,” tha Kopac.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës tha se politikat e saj mbështeten në kërkesat e BE-së.

“Politikat e Republikës së Kosovës për ndërtimin e rigjallërimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë mbështeten në kërkesat e Bashkimit Evropian për mjedisin e shfrytëzimin me efektshmëri të burimeve të energjisë,” tha ministria për SETimes.

Rinora Gojani, një studiuese për Institutin për Politikën e Zhvillimit në Kosovë, tha se energjia e krijuar nga qymyri nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën.

“Kosova duhet të analizojë të gjitha burimet e energjisë. Por para së gjithash, ajo duhet të analizojë masat e efektshmërisë së energjisë. Një ‘negavat’ është më mirë se një megavat, në kuptimin që energjia që është kursyer si një rezultat i përdorimit të duhur është shumë më mirë sesa krijimi shtesë,” tha ajo për SETimes.

Gojani tha se Kosova ka burime të mira të energjisë së ripërtëritshme. Ajo vuri në dukje se një studim i kryer nga Daniel Kamen, një shkencëtar i energjisë në Universitetin e Kalifornisë në Bërkli, tregon se Kosova mund të mbulojë 38 përqind të konsumit të saj të energjisë nga mundësitë e erës, ujit dhe ato diellore.

Autoritetet e Kosovës pranojnë, megjithatë, se kjo do të jetë një sfidë.

“Gjetja e një ekuilibri në mes plotësimit të nevojave për energji e mos-dëmtimit të mjedisit dhe për pasojë shëndetit është një sfidë për të cilën kërkohet të zhvillohen strategji të përshtatshme që kënaqin të gjitha palët për aq sa është e mundshme,” tha për SETimes ministria e zhvillimit ekonomik.

Shtetasit që jetojnë në zonën e Obiliqit/Fushë Kosovës, në rrethinat e Prishtinës ku janë termocentrale, vuajnë pasojat e prodhimit të energjisë me bazë qymyrin.

Banorja Durime Sinani tha se familja e saj bleu një apartament atje për shkak se çmimet e apartamenteve janë më të lira, por ai është “një vend shumë i keq për të jetuar.”

“Nuk i hapim dritaret nga era e ndotja. Rrobat është vështirë të thahen sepse duhet të gjejmë njëkohë kur mund t’i nxjerrim në ballkon. Këtu jetojnë vetëm ata që nuk kanë mundësi për të bërë një zgjidhje më të mirë banimi,” tha Sinani për SETimes.Ne Foto: Centralet e qymyrit janë një burim i emetimeve të larta të dioksidit të karbonit e ndotjes së mjedisit, thanë ekspertët. [AFP]

*Për Southeast European Times në Prishtinë

Filed Under: Ekonomi Tagged With: burimet e energjise, kosova, Lindita Karadaku, se riperteritshme

Qëndrimi ndaj hebrenjëve i bën nder kombit shqiptar

July 20, 2013 by dgreca

* Kur hebrenjëve iu kërcënohej jeta, shqiptarët u ofruan miqësinë sipas kodit të lashtë të besës /

*Sipas bisedës me z. Mustafa Rezniqi, zonjën Xhangyle Ilijazi, te Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, z. Besim Ndregjoni, i Shoqatës të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe  zonjën Larisa Lezha, studiues e Arkivit të  Shtetit Shqiptar…/

Nga Dalip Greca/arkiv/

Ajo ç’ka kanë bërë shqiptarët gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në mbrojtje të hebrenjëve, nuk është më sekret. Sekretet i mori me vete gjatë rrokullimës së tij sistemi komunist, i cili e kishte shpallë të padëshiruar shtetin e hebrenjëve dhe e quante “koburja e imperializmit amerikan”. Mirëpo, Ramiz Alia, besniku dhe pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, në kohëpërmbysjen e pushtetit komunist, dosjen për mbrojtjen e hebrenjëve nga shqiptarët ia dorëzoi kongresistit  amerikan Tom Lantos dhe ish kongresistit Joseph DioGuardi gjatë vizitës së tyre në Tiranë më 1990 dhe bota e mësoi se ç’ishte besa e shqiptarëve dhe kodi i saj i sacrificës. Miqtë nga Izraeli nuk vonuan që të shprehnin mirënjohjen për besën dhe bujarinë e shqiptarëve, që kishin vënë veten dhe familjet e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë të miqëve, që u kishin rënë në besë.

Veprimi i shqiptarëve përmban në vetëvete ndjenjën e  sakrificës. Kur një familje shqiptare pat vendosur familjen izraelite në një bazë, e  cila mund të rrezikohej nga gjermanët, i zoti i shtëpisë çoi edhe të birin me ta, për t’u treguar se ai për mikun vinte në rrezik të birin. Janë të rrallë popujt që e bëjnë një sakrificë të tillë. Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, hebrenjtë u morën në mbrojtje nga shqiptarët sipas kodit të lashtë të besës dhe kështu nderuan kombin.

Edhe Kosova u hapi dyert dhe zemrën hebrenjëve

Mustafa Rezniqi nga Gjakovai ndjehet krenar, që  i ati i tij, një ndër tregtarët më të njohur në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte miqësi me hebrejntë. Miqësinë, i ati i tij,  Asllan Rezniqi,  nuk e shfrytëzoi vetëm për tregti, por, në çastet e vështira, kur miqëve të tij iu rrezikua jeta, ai u ofroi kodin e besës. Hebrenjtë kishin ardhë nga Peja në Deçan për arsye sigurie.

Me porosi të hebrenjve bëri një ndërtesë enkas për ta, dalja sekrete e nëndheshme e së cilës i nxirrte nga rreziku nëse shkonin gjermanët. Gjithësesi ajo ishte një shtëpi moderne për kohën, me dy kate dhe kishte dhoma të veçanta gatimi, fjetje, për miqtë etj. Skicat e kësaj shtëpie janë  depozituar që në vitin 2005 në Izrael. Hebrejtë qëndruan aty gati katër vjet. Kur qëndrimi u bë i rrezikshëm, atëhere, Asllan Rezniqi, i mori dhe i përcolli për në Tiranë.

Mustafa tregon se babai i tij ato kohë ishte një ndër tregtarët me shumë zë si gjatë Luftës së I Botërore ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë.

Mustafa Rezniqi, që i ka kaluar të tetëdhjetat, kujton se ishte fëmijë atëherë dhe mban mend shumë mirë miqtë hebrenj. Ai kujton edhe kampin e Prishtinës, ku ishin grumbulluar hebrenjtë, që më vonë u nisën drejt Tiranës,  Aty ishte edhe miku i atit të tij, Samuel Mizraki. Ai pat përfituar nga një dy orësh liridalje që kishin në kohë dreke, ka ikë prej Prishtinës dhe ka marrë rrugën për në Deçan, duke kërkuar mbrojtjen e Asllanit. Që në fillim u morën masa që ai të krijonte një identitet të ri. Fillimisht i nxorën një pasaportë shqiptare me emrin Sami Mazreku. Ai kishte qenë më parë me banim në Shkup, por që andej e kishin sjellë në Prishtinë me rastin e  grumbullimit. I ati i Mustafës ka arritur që ta përcjellë sërish për në Shkup, ku atij i kishte mbetur familja, e cila ishte e hutuar nga ikja e kryefamiljarit.

Mustaf Rezniku, ka sigurtuar dokumentacion të mjaftueshëm, që mohon zëra se në Kosovë janë asgjësuar hebrej. Këto akuza të pavërteta,  thotë ai, i kanë hapur serbët me qëllim që të injoronin solidaritetin e shqiptarëve me hebrenjtë dhe së dyti të përhapnin urrejtje ndaj shqiptarëve me qëllim që të realizonin represionin dhe genocidin e tyre ndaj shqiptarëve, po ashtu si nazistët që ushtruan kundër popullsisë izraelite nëpër Evropë. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të ekspozuar ndaj genocidit dhe dhunës po aq sa hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një gazetar sllav, Misha Vavic prej Mitrovice ka sajuar një histori ashtu siç i intereson atij dhe jo siç ka ndodhë në fakt për  batalionin shqiptar ”Skënderbeu” dhe këto mashtrime kanë mbizotëruar shtypin serb dhe fatkeqësisht po i merr në konsideratë edhe ndonjë shqiptar dhe më pas shumëzohen në internet. Kurrëfarë  krimi nuk kanë bërë shqiptarët ndaj hebrenjve. Misha Vaviç ka shkruar shpesh të kundërtën e asaj që ka ndodhur mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Ka shumë artikuj që mbajnë firmën e tij, por ato i beson vetëm ai dhe ata që qëndrojnë pas tij.

Vaviç rreket që të kapet pas historisë së një shqiptari, i quajtur Muhamet Prejuci, gjoja sikur ai paska treguar me gisht hebrenjtë, duke u bërë kallauz i gjermanëve. Gjithçka është e sajuar, qëllimi ka qenë që të njollosë jo vetëm Muhametin, por edhe tre vëllëzerit e tjerë të tij, që shquheshin si derë fisnike dhe e pa përzier me pisllëqe e krime, që kërkon t’i atribuojë gazetari sllav.

Mustafa dëshmon se për këtë rast ka intervenua i ati i tij, Asllani,me kërkesën e babait të Muhametit. Në fakt Muhameti ka qenë burgos në Pejë për pak kohë. Baba me anë të Halil Kastratit ka investigu dhe ka mësuar të vërtetën. Ai ka qenë i pafajshëm.

Mustafa tregon se deri tani janë evidentuar disa shqiptarë të Kosovës,  që u bënë strehë për hebrenjtë. Ai kujton se babai i tij, Asllani, ka shpëtuar dhe një hebre tjetër, me të cilin bashkëpunonte për punë të tregtisë. Ky ishte me qëndrim në  Gllogovc të Drenicës, e ka çuar në një fshat tjetër, tek një mik i tij. Ky u përcoll për në Shqipëri përmes Bjeshkëve të Nemuna.

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael tregon edhe një rast që flet për përkushtimin e  hebrenjëve ndaj shqiptarëve. Është i njohur rasti i doktor Abravanel, ky ka qenë mjek i shkëlqyer. Shërbente në spitalin e Shkupit. E kanë pasë transferuar nga Shkupi në Deçan dhe ka qëndruar disa muaj aty nën besë të Asllan Rezniqit. Mustafa nuk mund ta harrojë mjekun hebre sepse falë aftësive të tij mjeksore është gjallë sot. Pjestarët e familjes së tij ishin të infektuar nga tifoja e zorrëve dhe kosa e vdekjes po i korrte njëri pas tjetrit. Ishin disa të infektuar që qëndronin bashkë dhe infeksioni ishte përhapur zinxhir: halla e babës, axha, dhe disa kushërinj nuk mundën të shpëtonin, ndërsa Mustafa, atëhere fëmijë, falë kujdesit të doktorit hebre mundi që të shpëtonte. Bëhet fjalë për vitin 1941. Mustafa kujton detaje se si erdhi doktori hebre në shtëpi, se si e vizitoi, i mori gjakun për analiza,  dhe më pas kishte kërkuar një njeri të saktë që ta çonte gjakun në spitalin e  Shkupit për analiza. U gjet një njeri i tillë, i sigurtë. Ky ishte daja i Mustafës, Ismet Stavileci, i cili e çoi në spital gjakun, por s’ka mundur që ta marrë analizën sepse spitali është bombarduar në çast dhe është hedhur në erë.

Kohën e rrezikut mjeku e kaloi në shtëpiën e babës së Mustafës. Ka qëndruar 6 muaj aty. Familja ruan edhe fotografitë më të.  Mjeku hebre kishte lënë familjen në Shkup, gruan, vajzat dhe djalin. Asllani e ka përcjellë vetë nëpër Deçan, Gjakovë, Prizren, Tetovë dhe në Shkup. Më vonë ky mjek shkoi në spitalin e Manastirit. Shqiptarët që shkonin atje ai i ndihmonte, qoftë edhe me një fjalë përshëndetjeje prej Asllan Rezniqit.

…Pas një heshtje, që zgjat disa minuta, Mustafa tregon me dhimbje, se doktori ka pasë një tragjedi familjare.Vajzës së tij i kishte ardhur kunati që ta merrte dhe të shkonin  në Dubrovnik tek një kushëri që kishte mbërritur atje. Kanë qenë të gjithë në mbrëmje në Shkup, por ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe familja siç ishte ka mbetur e vdekur.

Mustafa tregon se i ka mbajtë lidhjet me doktorin sa ishte gjallë. Tani lidhjet mbahen me një mbesë të doktorit, me të cilën është takuar në Izrael, ku ka qenë i ftuar.

Kosova po dokumenton kontributin shqiptar ndaj hebrenjve

Xhangyle Ilijazi ka ardhur në Nju Jork nga  Gjilani i Kosovës. Ajo në kohën e vizitës mbante detyrën e zv/kryetares së shoqatës të Miqësisë Kosovë-Izrael. Anëtarësia e shoqatës, më  shumë  se 30, përbëhet kryesisht nga familje që kanë kontribut në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shoqata ka grumbulluar material dokumentar dhe fotografik që dokumentojnë ndihmat e shqiptarëve.

“Ka pasur një propogandë intensive serbe që e ka fshehur këtë realitet dhe ka propoganduar të kundërtën, sikur gjoja shqiptarët nuk kanë mbrojtur hebrenjtë”, thotë me indinjatë zv/kryetarja Iljazi.

Kanë qene më shumë se 15 familje shqiptare që janë të dokumentuara si strehuese dhe shpëtuese të hebrenjve në Kosovë, nderkohe qe numri I familjeve hebreje ne Kosove ishte 56, nderkohe qe pranai e hebrejeve ne Kosove daton ne shekullin e 15-te.

Zonja Ilijazi tregon se mban korrespondencë të rregullt me Muzeumin e Yad Vashem-it që nga fundi i viteve 1980. Ajo ka dërguar disa materiale për shqiptarët që kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore.

Ajo vazhdon që të mbajë lidhje me shumë shoqata të hebrenjve si dhe me një sërë prej shoqatave simotra në shtetet e  Ballkanit.

Aktiviteti më i rëndësishëm mbetet rinovimi i varrezave të hebrnjve. Cila është historia e varrezave?

Organizata “ Zbor” i kishte dorëzuar listat e hebrenjve qarqeve gjermane. Në maj të vitit 1941 në Prishtinë  ishin grumbulluar hebrenjtë dhe po bëhej seleksionimi i tyre. Mushon Asheri dhe djalin e tij Solomonin, gjermanët i kanë rrahur në mënyrë çnjërëzore dhe më pas i kanë pushkatuar në Taukbashqe të Prishtinës. Këta dy hebrenj janë të pushkatuarit e parë në këtë vend. Aty janë edhe varrezat e hebrenjve. Deri në vitin 2000 ato varreza nuk kanë qenë të përkujdesura, dukeshin të braktisura. Me angazhimin e  veprimtarit humanist Murteza Studenica dhe disa ndihmësve të tij, ato varreza janë rregulluar dhe janë nën përkujdesje të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Të gjitha të dhënat lidhur me këto varreza dhe me shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore nëpër familjet shqiptare dhe prej nëpunësve shqiptarë janë prezantuar në librin e Murteza Studenicës “Shqiptarët dhe hebrenjtë”, botuar në Prishtinë dhe në librin e Shaban Sinanit “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri”, botuar në Tiranë në vitin 2005. Në këtë drejtim Arkivi i Kosovës ka bërë fotografimin e varrezave dhe ka grumbulluar dokumentacionin duke ua dhënë në shërbimin studiusve.

Ndër studiuesit që ka hedhur dritë mbi kontributin shqiptar ndaj hebrenjve në Kosovë, në Luftën e Dytë Botërore, është  Prof. Hakif  Bajrami.

 

Sa ka qenë numri i hebrenjve në qarkun e Kosovës?

 

 

Sipas statistikës turke të vitit 1911 në fondin “Komiteti i Kosovës” në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27, theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetojnë 2009 hebrenj, prej tyre 1343 në Shkup, 547 në Prishtinë, 93 në Kumanovë, 26 në Mitrovicë dhe disa persona të vetmuar në Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

Ndërsa dy vite më vonë, më 1913, po sipas statistikës të Komitetit të Kosovës, (dokumenti origjinal gjendet në Arkivin e Shqipërisë, dosja 22) në Shkup jetonin 567 hebrenj. Në viset e tjera të Kosovës hebrenjtë nuk shënohen në atë dokument.

Me regjistrimin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në Mitrovicë 104, në Pirzëren 1, dhe në Rahovec 1, gjithësej 427 hebrenj në Qarkun e Kosovës.

Me regjistrimin e vitit 1931 shënohet se në Prishtinë jetonin 373  hebrenj, në Ferizaj 3, në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6 dhe në Pejë 3. Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës më 1937 jetonin 506 hebrenj.

Sipas dokumentave ushtarake serbe më 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, hebrenj, më 1915 jetonin 298 hebrenj, që do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur për në Turqi.

Më 1937 është bërë sërish regjistrimi me detaje i hebrenjve, të cilët në të njëjtën kohë shprehën dëshirën që të shpërnguleshin në Turqi së bashku me shqiptarët. Atëbotë erdhi nga Beogradi Dr. Isak Alkalaj dhe i bindi që hebrenjtë të mos shpërnguleshin.

 

 

Arkivat shqiptare ruajnë kontributin  për hebrenjtë

 

Larisa Lezha, e diplomuar për histori, punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar. Ndjehet pak e lodhur sepse ka qenë e mbingarkuar jo vetëm me gjetjen dhe sistemimin e materialeve, por është marrë edhe me dizajnimin e materialeve arkivore që u ekspozuan në Paris. Larisa tregon se më 27 janar 2008, “Dita e Kujtesës” për Shqipërinë u organizua në Paris, në Pallatin e Luksemburgut, në senatin francez, ku u mbajt konferenca me temë: “Shqipëria në periudhën 1933-1944, një shembull për Evropën”. Dimensioni human i Shqipërisë së panjohur ishte vendosur në qendër të konferences së Parisit,  e cila u organizua nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka, e Senatorit Bernard Fournier, e Drejtoreshës së Arkivave, Nevila Nika. Bashkë me kryetarin e Shoqatës Shqipëri Izrael, prof. Petrit Zorba si dhe Besim Ndregjonin. Larisa ka udhëtuar më pas nga Parisi në Nju Jork, ku u organizua ekspozita “Në besë të shqiptarit”.

Larisa tregon se në arkivat shqiptare janë gjetur dokumenta të pasura që dokumentojnë kontributin dhe sjelljen fisnike të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve.

Studiuesja e arkivave, Lezha, e cila ka kontributin e vet edhe në ekspozitën që u hap në “Ditën e Kujtesës” në Parlamentin shqiptar, tregon se në qendër të ekspozitave janë vendosur dokumente dhe fotografi origjinale, që faktojnë atë çka ka ndodhur në ato vite në Shqipëri dhe në Kosovë…Ato janë:

– Leje qëndrimi dhe leje pune për hebrenjtë e ardhur nga Gjermania, Greqia e Austria.

– Qarkore e Ministrisë së Brendshme mbi numrin e familjeve izraelite në Shqipëri.

– Marrja e shtetësisë shqiptare nga njerëz të shquar, siç ka qenë rasti nga profesor Nobert Jokli dhe Franz Gunjurger, etj.

 

 

Ndregjonët, sakrificë në emër të besës

 

–         Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Besim Ndregjoni,ishte pjese e ekipit shqiptar per Ditet e kujteses. Një nga familje shqiptare qe eshte vene ne mbrojtje te izraeliteve, ka qenë edhe ajo e Ndregjonëve, që i mori hebrenjtë nga Tirana dhe në mot të vështirë e rrugë të vështira për katër ditë i fshehu në Katër Grykë. Ku i mbajti deri në mars të vitit 1945. Babai i Besimit ka qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Më 1939 ka luftuar kundër  pushtimit fashist. Ka luftuar kundër pushtuesve  i radhitur me çetat nacionaliste nga viti 1941-1944. Në mes të kësaj periudhe, dhjetor 1943, në Tiranë në shtëpinë e  Xhemal Herrit,  i kërkoi babait që të shkojë dhe të takojë Isuf Zenunin, i cili mbante në besë disa hebrenj, të cilëve u rrezikohej qëndrimi i mëtejshëm aty.

Babai i Besimit, Imeri, takon Isuf Zenunin, i cili i tregon problemin. Kishte shtatë hebrenj që duheshin çuar në një vend të sigurtë sepse ardhja e gjermanëve e bënte të pasigurtë qëndrimin e tyre. Familja që duhej marrë në mbrojtje ishte e Emanuel Rubenit e ardhur nga Jugosllavia. Ai ishte me bashkëshorten Lea dhe katër vajzat; Rashela, Ritka, Beta dhe Matilda si dhe  kunati i tyre Isak.Kishin ardhur nga Beogradi, ku u kish ndodhë një fatkeqësi; burrin e njërës prej vajzave të Emanuelit, e kishin masakruar nazistët në Beograd. Problemi ishte se si të shpëtoheshin pesë femrat dhe dy burrat.Në këto kushte Imer Ndregoni, së bashku me një të njohurin e  vet, Ramadan Biba, nga Qafë Molla, i marrin hebrenjtë dhe në kushte fshehtësie i nxjerrin jashtë Tiranës. Ishte një udhëtim i vështirë në një mot me shi të rrëmbyshëm e me erë të fortë. Udhëtimi zgjati katër ditë nëpër male. Akti i babait të Besimit, Imer Ndregjonit, është përjetësuar në kryeqytetin e Shqipërisë, ku një rruge në Tiranë i është vendosë emri, “Imer Ndregjoni”. Në motivacionin e nderimit përfshihet kontributi për shpëtimin e hebrenjve, kontributi kundër fashizmit dhe kundër komunizmit.

–         Rruga që përshkoi Imer Ndregjoni atë dhjetor të ftohtë të vitit 1943 në krye të hebrenjve ishte e gjatë dhe e lodhshme. Ai kishte zgjedhë që të ndiqte  rrugën e Arbërit; Pas Malit të Dajtit, kaloi në Shkallë të Tujanit, mori  Qafën e Murrizës, në Mal të Bardhë, mbërriti në Klos të Matit, në Kurdari dhe përfundimisht i çoi në Katër Grykë, ku ishte shtëpia e Imer Ndregjonit dhe shtëpia e Llan Destan Ndregjonit, që ishte njëkohësisht xhaxhai i babait të Besimit.  Llan Destan Ndregjoni ishte një luftëtar i njohur antiserb, i plagosur tri herë ndër beteja me serbët, por që komunsitët i kishin vrarë të birin dhe kushëririn, Xhetanin në Pezë të Tiranës gjatë vitit 1943. Shtëpia e tij ishte bosh nga që ai vetë ishte vendosur në Vojnik. Kështu që shtatë hebrenjtë  u sistemuan pa asnjë problem. Në fshat u hap fjala se kishin ardhë mysafirë nga Tirana, të cilët  meqenëse  u ishin djegë shtëpitë, do të rrinë për disa kohë tek Ndregjonët.

Besa e shqiptarit është se kur e merr mikun në mbrojtje sakrifikohet edhe familja edhe miqësia. Kjo ishte besa që i dha Imer Ndregjoni familjes hebraike që kishte pësuar një traumë në Beograd. Dhe nga dhjetori 1943 deri në mars 1945 hebrenjtë kanë qëndruar tek Ndregjonët në Katër Grykë të Dibrës.

Besimi thotë se nuk mund të lëri pa përgëzuar të gjithë fshatin Lukas dhe miqtë  që iu gjendën familjes pë krah në mbajtjen e  besës për të shpëtuar familjen e hebrenjve.

Pas Luftës së Dytë Botërore për Ndregjonët filloi Holokausti komunist. Llan Destan Ndregjoni u vra nga komunstët në vitin 1946, Xhetan Ndregjoni ishte vrarë më parë nga komunistët më 1943, Halil Ndregjoni vdiq në burgun e Peshkopisë nën torturat çnjerëzore, ndërsa vetë Imeri, që shpëtoi shtatë jetë njerëzore të një populli të largët, luftëtari i 7 prillit 1939 pas një hetuesie të rreptë, u dënua fillimisht me pushkatim, më pas me 101 vjet burg, dhe shumë vite të jetës së vet i kaloi burgjeve të komunizmit. Mbrojti jetë njerëzore dhe u ndëshkua në mënyrë çnjërzore.(Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: kosova, ne mbrojtje te hebrejeve, shqiperia

Kosova, vend i vidovdanëve dhe sulltanmuratëve !

June 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra-/

”Edhe Krishti ne na thoshte:Unë jam grek, eni pas meje, Do t’i themi pa mblidh mente, Se shqiptari s’vjen pas teje…” – Petro Nini Luarasi (1865-1911)/

E përjetuam edhe një ditë të Vidovdanit! Dikur në qershorin e vitit të largët 1389 në fushën e gjerë të Kosovës u ballafaquan ushtria turke dhe ajo ballkanase.Aso kohe ishte një vasalitet ndaj Turqisë, por kur Car Llazari rebelohet së bashku me shqiptarët, boshnjakët, bullgarët dhe hungarezët; pos dhjetëra mijëra të vrarësh në të dy anët e humbi kokën edhe Car Llazari me të birin. Dikur vonë serbët e shenjtëruan Carin dhe me shenjtërimin e tij, Kosova filloi të bëhet vend i manipulimeve historike dhe trashëguese. Më e freskëta është ajo e Millosheviqit kur karrierën e tij prej diktatori e filloi mu këtu.

Por ç`ndodhi në anën tjetër, në anën turke? Sulltan Muradi i u mbyt nga Milesh Kopili (Millosh Obiliqi, Milod Kobila). Sipas analizave historike dhe gjeo-luftarake më të reja vrasja ishte organizuar nga i biri Bajaziti I, mbasi që ky Bajazidi në të njëjtën kohë likuidoi edhe të vëllanë Jakubin. Të nesërmen u kurorëzua si Sulltan Bajaziti I. Trupi i pajetë i Sulltan Muratit I u dërgua me shpejtësi nëBursatë Turqisë,dhe u varros në Mausoleun e madh të Sulltanëve . Për arsye të procesit të balsamimit iu hoqën nga trupi organet e brendshme dhe ato u groposën në fshatin e sotëm Mazgit.

Sulltan Bajaziti pasi që e siguroi fronin dhe u martua me të bijën e Car Llazarit Princeshën Olivera, një vit më vonë e rregulloi varrin e dytë të babait të tij.Sulltan Murati I pra i ka dy varre, një në Çekirge të Bursas, ku pushon trupi i tij i balsamosur dhe tjetrin vetëm me të brendshmet e trupit të tij në Kosovë.Juridikisht varri është vendi ku prehet trupi apo hiri i një individi të vdekur. Nuk ka shënime as nga Egjiptianët, as nga Asyret, as nga Babilonasit, as nga Aztekët e as nga të tjerët që një i vdekur të ketë pasur dy varre, e më së paku ndonjë mbret .

Ka kaluar shumë kohë, 623 vjet dhe historia është shkruar ndryshe e ndryshe, por varri i Sulltanit dhe monumenti i Bezistanit të Car Llazarit palosin ditët, vitet, shekujt në fushën e Kosovës që frymëzojnë po me kaq ndryshime të mëdha aspiratat për Kosovën. Derisa Serbët e quajnë Kosovën djepi i serbizimit, turqit po e marrin si simbol të ekzistimit turk në Evropë.Po,ne shqiptarët ku mbesim?

Të shkojmë më tutje me analizë të kësaj ngjarjeje që aq shumë po na turbullon edhe so e kësaj dite. Mos të harrojmë se ishte një luftë më e madhe për të penguar osmanët që t`a shtrijnë trupin e tyre prej aziatike në këto toka të buta ballkanike: Lufta e Maricës (Bulgariae sotme) në vitin 1371 ! Por ajo luftë nuk kremtohet nga Bullgarët , por vetëm shënohet si një ditë e ndryshimit të Historisë.

Festimi i Vidovdanit në Kosovë e ka një arsye,por jo për qështje fetare.Serbia me këtë ditë don që t`i orkestron ritualet e saja të cilat nën petkut e fesë i përmbushë “obligimet” e veta ndaj gënjeshtrave historike për një “ bashkësi të imagjinuar”. Ishte viti 1899, kur autonomistët serbë dhe Kisha e tyre u pajtuan që Vidovdani të mbetët një shenjë për të paqenën. Ata që besojnë në besime të kota , ,kur ta lexojnë historinë e tyre e gjejnë Vidovdanin të “rëndësishëm” për shumë arsye.Errësira që bie asnjëherë nuk i ndihmon dritës që të ndriqon sa do pak shpirtin e djegur mbas fantazmave të paramenduara të së kaluarës. E dini: Kjo ditë është zgjedhur për të shpallur luftëra. Ballkani mban në mend në mënyrë gjarpërore ashtu në gjatësi ,që s`ka të ndalur kërkesa për Vidovdana dhe për humbjen e së vërtetës historike me krijimin e tensioneve të cilat ndjellin vetëm kob.Vidovdani dhe Jerusalemi i Serbisë ?

Qytetarët e Serbisë kurrësesi të ndahen nga dëshira e tyre dhe të bëjnë dallimin në mes të kryqit të tyre dhe lirisë së shpirtit të tyre nga verbimi asfiksues i ndjenjave të tyre të gurosura në imagjinatën e tyre të tokave të huaja. Rikujtimi i historisë në mënyrën serbe është një ndalje e zemrës e një civilizimi që kurr nuk mundën t` arrijnë.

Përrallat gjallërohën edhe nga turqit ,që nuk e kan aspak për nderë të zhytën edhe ata në rrugën gjarpërore të pa fund të “kujtimit” dhe “ rikujtimit” të asaj që ishte vetëm një turp i së kaluarës së tyre. Por sa i gjallë është miti për Sulltan Muratin në Turqi? “Është mjaft i njohur, Beteja e Fushë-Kosovës është lufta më e rëndësishme që ka bërë Perandoria Osmane Me këtë luftë ne fituam betejën me Evropën”, thonë turqit. Një llogaritje e gabuar e tyre; me Betejën e Kosovës nuk fitohet Europa.

Kushe vrau sultan Muratin? Thjesht ,si çndodhë në Perandorinë Otomane, ate e vrau i biri Bajaziti. Kemi pak raste në historinë e Europës kur i biri e vret të atin ,apo i ati të birin për pushtet? Pse Bajazidi ,e vrau të vëllaun Jakupin.? Sepse ai ishte dëshmitarë i një tradhëtijeje familjare e sëmuar për pushtet.

Të dy komandantët e Betejës u shenjtëruan , sepse të dytë vdiqën në betejën e Kosovës.

Njëri i shenjtërua pas pak vjetësh, Llazari, ndërsa Muratin e shenjtëroi koha dhe legjendat për vrasjen e tij. Janë kaq të shumta këto legjenda, sa studjuesve, në mungesë të dokumenteve që lipset ta përshkruanin ngjarjen, ashtu siç ka ndodhur, u është dashur të hamendësojnë mes fjalësh e faktesh. Sepse të vërtetën e fundit duket se e ka marrë në varr përgjithmonë. Por të gjitha historitë dhe legjendat kanë një pikë të përbashkët: “Fitorja e shenjtë” !

Vijnë korbat të festojnë “ditët “e tyre në tokë e e huaj. E ne bejmë “sehir”. Iu shkojmë pas.Popse ? Na brengosë neve historia e jonë? Apo jemi robër të ndjenjave tona ?Sa qesharake dhe artificiale aq edhe injorante dhe vetëvrasëse? Kujt i shërben,ky qëndrimi i ynë? A mos po futemi përditë e më tepër në vorbullën marramendëse ,drejt vrimës së zezë ,së cilës nuk i bën ballë askushi e asgjë? Me 29 Qershor, 1444, gati 568 vjet te shkuara Gjergj Kasteriot-Skenderbej ne krye te arbëroreve, e zhvilloi Betejen e Dibres, ku e shpartalloi ushtrinë osmane. Pse ne nuk e kujtojmë këtë ditë? Beteja e Torviollit , e njohur edhe si Beteja e Dibrës së ulët, u zhvillua më 29 qershor të 1444 në Shqiperi. E vogël kjo? E jona dhe për krenarinë tonë. E jona që i tregon botës se kush ishim dhe për çka frymonim.

Poshpallja e Autonomisë e vitit 1844 nga Dervish Cara ?

Në Kosovë nuk ka lidhje të thella midis Turqisë dhe nesh. Varri i Sulltan Muatit ,nuk është lidhësja e të mbajturit në robëri. Në Gjakovë është varri i Maxharr Pashës dhe ushtarëve të tij ,që i lanë eshtrat buzë Lumit Krena ,në kohë kur deshtën ta fikin dritën e Lidhjës së Gjakovës. Aty është varri ,ai ruhet si tregues serioz: se mos gaboni të shkelni mbi ne, se kështu do ta gjeni amshimin tuaj !

“Jemi mbledhur për të kujtuar një personalitet që ishte shumë i rëndësishëm. Sulltan Murati ishte i gatshëm të luftonte në çdo kohë dhe zhvilloi 37 luftëra dhe e fundit ishte ajo në Kosovë, ku ishte një luftë për ekzistencë”( Pushtimi quhet egzistencë?f.xh.), ka deklaruar Altepe (Kryetar i Bursës ,.Turqi) . Mos more? Të krenohemi edhe me fitoret e Sulltan Fatihut II ,që e shkrumboi Shqipërinë pas vdekjës së Skënderbeut?

Derisa serbët e “krijojnë “ historinë e tyre në Mitin e Kosovës; ne jemi aq solidarë sa që

deklarojmë haptas se me turqit e kemi gjakune perzier. “Ky vend flet (Tyrbja e Sulltan Muratit f.xh. )për historinë tonë dhe ky vend flet se ne si dy popuj kemi familje të përziera dhe gjakun e përzier tash e 622 vjet dhe falë tij (Sulltan Muratit) ne sot jemi besimtarë myslimanë shumicë”.( Myftiu Tërnava2011). S`iu vjen pak ,së paku pak keq që të mohojmë vetëvetën? Pse ore më bën vëlla me turkun? Ne nuk jemi turq! Krahasoni fjalët e kryepeshkopit Irinej ,me këto të kryemyftiut të muslimanëve në Kosovë. Largë jemi ,large jemi nga atdhedashuria. Ç ka mëndojnë të tjerët për ne?

“Kur nisa të interesohesha për kulturën tuaj në momentin që u emërova Ambasador në Shqipëri, nisa të lexoj poezi shqiptare të përkthyera në anglisht. Një nga ato ishte poezia e zotit Fatos Arapi e titulluar “Sulltan Murati dhe shqiptari”. Me pak vargje ajo ishte kaq dramatike, e arrirë dhe tejet emocionuese dhe që shpreh shumë më shumë nga çfarë kam lexuar në vite, pra fisnikërinë e kërkesës për liri. Dhe nëse nuk e keni lexuar, shkoni dhe lexojeni. Kur betohesha si ambasador në Departamentin Amerikan të Shtetit përballë qindra njerëzve, duhet të mbaja një fjalim të cilin e mbyllja duke cituar poezinë e zotit Arapi. Edhe pse 99% e audiencës ishte amerikane, njerëzit në auditor po qanin, kaq prekëse është ajo poezi. ( Ish Ambasadori Withers)

Pounë?Poti?Pona?

Sulltan Murati është një figurë historike që mund t’ia gjesh vendin në kohë dhe në hapësirë, kurse shqiptarit nuk i vihet asnjë emër, shqiptari është i përjetshëm, shpirti i lirisë që ai po kërkonte është i përjetshëm. Ja pse është e rëndësishme kultura dhe nuk ka rëndësi se çfarë vështirësish duhet të përballohen për aq kohë sa ekziston ai shpirt për të kërkuar liri për një jetë më të mirë, për të qenë ai që je.- përfundon Ambasadori Withers.

SULLTAN MURATI DHE SHQIPTARI

Fatos Arapi Sulltan Murati qëndroi para robit të lidhur.

Nga maja e kalit e peshoi me sy:

moshën e thyer, plagët, zinxhirët…

– Arnaut, e pyeti, përse lufton ti,

kur mund të jetoje dhe ndryshe?

– Sepse, padishah, u përgjegj robi,

çdo njeri ka në kraharor një copë qiell,

dhe në të fluturon një dallëndyshe.

 

Filed Under: Komente Tagged With: dhe sulltanmurateve, Fahri Xharra, kosova, vendi i vidovdaneve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj
  • Liria e popujve kërkon sakrificë dhe vetëmohim
  • Poezi nga Lulëzime Malaj
  • Poezi nga Emine S.HOTI
  • LEGJENDA E DUKATIT DERVISH ALI AJANI 1794-1851

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT