• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani bisedoi me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Kamala Harris

September 3, 2021 by s p

Dielli /

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S., znj. Kamala Harris. Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë. Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë. Ndërkaq, zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë. Zv. Presidenja Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës. Gjatë bisedës, zv. Presidentja Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e Presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III. Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet të dy lidereve, presidentja Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë zv.presidenten Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike. Tutje, ajo theksoi se emërimi i znj. Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Presidentes Osmani shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës. Presidentja Osmani e ftoi zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti.

Filed Under: Featured Tagged With: Kamala Harris, kosova, USA, Vjosa Osmani

“NJË SHTËPI E NDARË DHE E PËRÇARË KUNDËR VETES, NUK MUND TË QËNDROJË”

September 2, 2021 by s p

                                                           

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865 dhe të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25). Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndroj, ashtu si nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një familje kur antarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni këto dy fotografi më poshtë dhe do të kuptoni menjëherë se për ke due për çka e kam fjalën. Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin Zoran Zaev të Maqedonisë së Veriut (propozues të Lidhjes “Ballkani i Hapur” dhe në foton tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryeminstrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për antarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, antarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë. 

A group of men in suits clapping

Description automatically generated with medium confidence
Foto nga gazeta shqptaro-amerikane, “Illyyria”
Two men in suits standing in front of a body of water

Description automatically generated with medium confidence

Foto nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Dielli”

                                  Nga takimet aktuale në Bled të Sllovenisë

I shikoj këto foto dhe nuk u besoj syve mi, jo se këto fotografi tregojnë ndonjë gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare për disa vite tani, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, për marrëdhëniet në familjen e përbashkët shqiptare.  Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.

I shikoj këto foto dhe i them vetes, mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohëshme, populli shqiptar do të dijë të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis dy familjeve shqiptare – Shqipëri-Kosovë – se shqiptarët e thjeshtë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me 

Text

Description automatically generated

“Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se 

lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë dhe në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia—megjithë të metat e saj — është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbane botës, përfshir popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë — të cilët për interesa jo kombëtare në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare — po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë, kështu, shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Frank shkreli, kosova, shqiperia

Kroacia përkrahje për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO

September 1, 2021 by s p

-Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO/ Nga Behlul Jashari

BLED, 1 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Takimin e parë në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e pati me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordon Grliq Radman, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai shprehu falënderimin e sinqertë për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë. Po ashtu, e falënderoi për donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-covid, që qeveria kroate ka ndarë për Kosovën në shenjë miqësie. U bisedua për fushat e bashkëpunimit bilateral që do të sigurojnë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID 19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Kryeministri Plenkoviq ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO.

KRYEMINISTRI PLENKOVIQ I SHKRUAN LETËR KRYEMINISTRIT KURTI, SHPREHET I LUMTUR QË DO TA TAKOJË NË MARGJINAT E FORUMIT STRATEGJIK TË BLEDIT

 PRISHTINË, 1 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Dje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka pranuar letër nga Kryeministri i Republikës së Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq, në të cilën ai shprehet shumë i lumtur që do të ketë mundësinë të takohen personalisht në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, më 1 Shtator. “Takimi jonë i fundit i shkurtër në Slavonski Brod u mbajt nën hijen e aksidentit të tmerrshëm me autobus që mori jetët e dhjetë kosovarëve gjatë rrugës së tyre për pushime verore në vendlindje”, ka shkruar z. Plenkoviq. Kryeministri kroat e ka njoftuar kryeministrin Kurti se sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë, 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate, dhe se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë. Për fat të keq, një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik, ka thënë z. Plenkoviq. Duke i shprehur keqardhje për këtë rast, kryeministri kroat ka uruar që aksidenti i tmerrshëm të shërbejë si “përkujtim i lidhjeve tona të forta që i kemi ndërmjet vete që rezultuan në bashkëpunim natyror dhe efikas ndërmjet dy qeverive tona”. Kryeministri Plenkoviq ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Kroacisë në rrugën euroatlantike të Kosovës, në aspektin politik dhe gatishmërinë për të vazhduar ndihmën për reforma.“Mezi pres që të hulumtojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit bilateral, duke përfshirë ngritjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtisë dhe investimeve, që do të sigurojnë rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë”, ka shkruar z. Plenkoviq.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, Andrej Plenkoviq, kosova, Kroacia

Predikimi në Meshën e Dritës për të ndjerin Kolë BERISHËN

August 30, 2021 by s p

Nga: Don Lush GJERGJI 

Fijet e jetës dhe të vdekjes, sidomos  lindja – fillimi, si dhe vdekja – kalimi në amshim, nuk janë në duar tona. Ato janë në duart e Zotit, Krijuesit dhe Shëlbuesit tonë, me dashje apo pa dashje tonë. „Unë jam Ringjallja dhe jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.“ (Gjn 11, 25), na siguron Jezusi. Bashkë me psalmistin edhe ne themi dhe lutemi: “O Hyj, mos më rri larg, Hyji im shpejto të më ndihmosh… Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjin.” (Ps 71 (70), 12; Ps 73 (72), 28). Janë dy momente: kërkimi i ndihmës, por edhe siguria që vetëm prania, dashuria, mirësia, falja e Zotit, do t’i plotësojë në tërësi të gjitha kërkesat, nevojat, dëshirat, planet, mbi të gjitha etjen dhe urinë për Jetë dhe për Dashuri – amshim të lumtur. Besimtari, i krishteri, këtë e di dhe e pranon  vdekjen – kalimin në amshim, si mundësi, dhuratë, bashkëpunim  dhe bashkëudhëtim me Zotin, por edhe si rast shpërblimi, amshimi dhe pavdeksie. „Baca Kolë“, si e kemi quajtur ne me shumë nderim, simpati dhe dashuri, ishte një i krishterë i sprovuar nga jeta, me pengesa, burgime dhe sëmundja. Ai në rini kishte besim që nëpërmjet shkollimit, arsimimit dhe qytetërimit, do të ngritej niveli i vetëdijësimit, kulturës, me këtë edhe arritja e idealeve të larta, si liria, demokracia, barazia shoqërore dhe kombëtare, paqja e mirëfillët e mendjes dhe zemrës.  Ishte një lloj „iluministi“ modern. Mu për këtë ai kishte investuar shumë në shkollimin personal, të fëmijëve, por edhe t; popullit me veprimtarinë edukative,  arsimore dhe pedagogjike. Puna dhe vperimtaria e tij në këtë lëmi qe keqinterpretuar dhe ndaluar për rrethana të njohura politike. Kur çdo gjë „ra në ujë“, me shembjen e sistemit dhe ideologjisë komuniste dhe ateiste, Kola ynë doli në front të parë të luftës paqësore dhe jo – dhunore, së bashku me të ndjerin dr. Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë, duke besuar dhe investuar shumë për vlera dhe virtyte njerëzore, kombëtare dhe fetare. I thonte vetvetes dhe të tjerëve: „Tash është koha jonë…, për të dëshmuar dhe vepruar sipas parimeve dhe bindjeve tona!“. Jezusi na  thotë; „Rini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.“ Këtë qortim të Mjeshtrit hyjnor ai e komentonte kështu: „Zoti i ka në dorë të gjitha, sidomos shtegtimin tonë në amshim… Ai i pari vullnetarisht e ka provuar vdekjen, për të na bindur se  ajo është vetëm një kalim, për ne ndoshta pak i vështirë, i panjohur, por kalim në amshim…“ Për ne besimtarët nuk ka kohë të mirë dhe të keqe, por ka njerëz të bindur dhe të përcaktuar, të guximshëm dhe vizionarë, që në çdo kohë dhe vend mundohen të jenë vetvetja, të udhëhequr nga e Vërteta dhe Dashuria, për të mirën e të gjithëve. Kështu edhe Kolë Berisha hyri në politikë, jo për karierizëm, edhe më pak për nam apo famë, aspak për fitime dhe përfitime, por për ta mbrojtur Popullin e përbuzur dhe të kërcnuar, për ta dhënë kontributin e tij në proceset e rëndësishme të Shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. E bashkëndante moton e Presidentit dr. Ibrahim Rugova: „Jemi argatë të popullit.“ Dhe edhe kësaj ia doli me faqe të bardhë, me ndihmën dhe praninë e Zotit, si dhe me përkrahjen e Popullit. Faza e tretë e jetës së tij, ishte sfida me vuajtje, më vonë edhe „shoqërimi“ i gjatë me sëmundje, prandaj Kryqi. Prapë doli në pah karakteri i fortë i tij, feja konkrete, si jetë me Zotin dhe me të afërmin, shpresa – edhe atëherë kur çdo gjë duket si e pa shpresë, mbi të gjitha motivimi dhe frymëzimi, përkushtimi, dashuria për Zotin, Popullin, familjen, çdo njeri të mendjes  dhe zemrës së mirë. Në sëmundje ishte i durueshëm dhe me shpresë, jo aq në shërim, sa në amshim. Disa herë pata mundësinë ta vizitoj dhe t’ia ndaj sakramentet e shtegtimit për amshim, që i pranonte me plotë fe dhe siguri, me shumë nderime dhe falënderime. Jeta e tij tokësore kushtuar arsimimit, pastaj politikës, së fundi sfida e sëmundjes dhe vuajtes, e skaliten figurën e njeriut, bashkëshortit, babait, besimtarit të fortë dhe të pathyeshëm, parimor në ide dhe ideale të larta njerëzore, kombëtare dhe fetare. Feja për Kolë Berishën, „nuk është në urdhërime, por për një rrugë, ose më saktë, për rrugën vendimtare me të cilën duhet të angazhohemi, që të mund të bëhemi vetvetja“, komenton ai në parathënie shqip të librit Luigi Giussani, Ndjenja fetare, vëllimi i parë Rrugëtimi, DRITA, 2011, f. 17. Ky rrugëtim, me Zotin dhe me të afërmin, na sjellë në amshim. Dhe porosia e  Jezusit, që aq shumë i pëlqente Kolës tonë: „Në botë keni vuajtje, por mos u trembni – unë e munda botën!“, pohonte që është ngushëllimi më i madh që mund ta kemi në sfida të ndryshme të jetës tokësore. Zoti, i cili i di të gjitha, dhe nuk i ka mbetur askujt borxh, Kolë Berishën e shpërbleftë me dritë, paqe, jetë dhe lumturi të amshura, ndërsa familjen dhe miqët. me ngushëllime, që burojnë nga feja e krishterë, ngjallja e Krsihtit, si burim dhe fitore përfundimtare për ne dhe për shëlbimin tonë. 

Pushoftë në paqe! 

Prishtinë, 30 gusht 2021                                            Don Lush GJERGJI 

Filed Under: Politike Tagged With: don Lush Gjergji, Kole Berisha, kosova

Kosova situatë të rënduar nga pandemia, sot 36 vdekje – dyfish më shumë se dje

August 29, 2021 by s p

-Mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës/

-Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, mes tjerash, nga data sot deri me datë 13 shtator 2021, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00/\ —-Sipas “Our World in Data”, Kosova është në top tri vendet, me Gjeorgjinë e Malin e Zi sa u përket infektimeve për një milion banorë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 29 Gusht 2021/ Në Kosovë është një situatë e rënduar nga pandemia COVID-19, sot sipas raportit të 24 orëve të fundit numri i vdekjeve është dyfish më i madh se dje.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 36 raste të vdekjes, ndërsa nga 11.017 testime, 1.630 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, e në total numri i rasteve aktive është 26.575.

Dje njoftohej se, gjatë 24 orëve të fundit ishin shënuar 18 raste të vdekjes, ndërsa nga 13.120 testime 1.891 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Sot u bë e ditur se, për shkak të numrit të lartë të rasteve të vdekjeve dhe të infektuarëve me COVID 19, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka anuluar udhëtimin për në Alpbach të Austrisë, ku ishte i ftuar të marrë pjesë në Forumin Evropian Alpbach 2021.

 Për sot pasdite kryeministri Kurti ka thirrë mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës, e cila është duke u zhvilluar.  

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar  nga Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar dje pasdite mbledhjen e 32-të me radhë gjatë të cilës ka miratuar dy vendime. 

 Në vendimin e parë ajo miratoi masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19. Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, në aktivitetet dhe bizneset të cilat bashkojnë një numër të madh njerëzish në të njëjtin vend, dhe në të cilat ruajta e distancës fizike është e vështirë dhe kështu paraqesin një rrezik në rritje të transmetimit të virusit.

 Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, mes tjerash, nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar pezullohet deri me datë 13 Shtator 2021.

Edhe bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 Shtator 2021.

Qeveria po ashtu ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin e përkohshëm të 422 (katërqind e njëzet e dy) profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës (mjekë, infermierë dhe laborantë) për menaxhimin e situatës me COVID-19, për tre muaj, me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj tjerë shtesë, në shumë totale deri në 1,332,000 € (një milion e treqind e tridhjetë e dy mijë euro). Me këtë rast, numri total i punëtorëve shtesë shëndetësorë që janë angazhuar që nga qershori i këtij viti arrin në 2000.  Media kosovare sot shkruan se, ngritja enorme e shifrave e ka çuar Kosovën në majë të listës së shteteve në botë sa u përket infektimeve për një milion banorë. Sipas uebfaqes së specializuar për statistika “Our World in Data”, Kosova është në top tri vendet, me Gjeorgjinë e Malin e Zi.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: COVID-19, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT