-Jahjaga: Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë/
PRISHTINË, 12 Janar 2016/ Zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, tha sot Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, nisi sot vizitat në disa komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në vendin tonë.
“Kam vendosur të fillojmë vizitat nëpër komuna të Kosovës për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja. Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë”, u shpreh Jahjaga.
Vizita, vijoi ajo, ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë.
“Gjatë tërë mandatit tim e kam adresuar zhvillimin ekonomik në mënyra të ndryshme, prej komunikimeve të drejtpërdrejta me investitorë të huaj e deri te inicimi i partneriteteve strategjike. Megjithatë, na duhet t’i adresojmë me urgjencë edhe problemet në nivelin komunal sepse pa i tejkaluar këto sfida është e vështirë të sjellim investitorë në Kosovë”, tha Jahjaga.
Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga vizitoi komunën e Klinës, të Istogut, të Pejës, të Deçanit dhe atë të Junikut.
“Pikënisja është Rrafshi i Dukagjinit dhe unë besoj dhe shpresoj që deri në fund të muajit do t’i përmbyllim me vizita shumicën e komunave të Kosovës”, tha ajo.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, u shpreh se, “të fillosh vitin e ri kalendarik 2016 me një mbështetje nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Jahjaga që vërtet prioritet ta ketë zhvillimin ekonomik është më e mira që mund t’i ndodhë Kosovës”.
“Më lejoni fillimisht, zonja Presidente t’ju falënderoj që jeni pjesë e kësaj iniciative, e që në fakt jeni prijëse e kësaj iniciative”, tha Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, duke shtuar se, “plani është që gjithashtu brenda një periudhe të shkurtër të bëjmë sërish vizita, por herën tjetër nëpër kompani”.
Albert Matoshi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, vlerësoi se, “kjo është një iniciativë shumë e mirë që ka gjetur përkrahjen edhe nga ana e Odës Ekonomike Gjermane”./b.j/
Kosova, bashkëpunim me Luginën e Preshevës
-Kosova nënshkruan dy marrëveshjet e para zyrtare të me komunat e Preshevës dhe Bujanocit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË-PRESHEVË, 8 Janar 2016/ Për herë të parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe të Bujanocit për bashkëpunim në fushën e kulturës për një periudhë tre vjeçare me qëllim të përkrahjes nga ana e MKRS-së të aktiviteteve kulturore që realizohen në kuadër planit të punës të dy komunave.
Memorandumet u nënshkruan sot në kuadër të vizitës së delegacionit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i MKRS-së, në Luginën e Preshevës, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Valdet Sadiku.
Ky bashkëpunim në fushën e kulturës mes MKRS-së dhe Komunave të Preshevës e Bujanocit parasheh zotimin e MKRS-së për mbështetje financiare me qëllim të realizimit të aktiviteteve në fushën e teatrit, arteve skenike e muzikore dhe atë të letërsisë e bibliotekarisë. Memorandumi u nënshkrua nga sekretari Veton Firzi dhe kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, përkatësisht kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.
Në takimin që pati zëvendëskryeministri Shala me kryetarin Mustafa u shpreh se përmes këtij memorandumi MKRS sadopak mundohet të mbështesë dhe ndihmojë jetën kulturore në Preshevë, e cila është një nismë që do të hap rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen edhe në fusha tjera.
Zëvendëskryeministri u informua nga kryetari Mustafa për problemet që ballafaqohen shqiptarët e Luginës, me theks atë të kulturës dhe edukimit në shqip, si dhe padrejtësitë e diskriminimin që u bëhet atyre nga pushteti qendror, dhe ky memorandum është një nismë që hap rrugën që edhe ministritë tjera të Qeverisë së Kosovës të përkrahin komunat e Luginës së Preshevës në fushat që ato kanë në përgjegjësi. Gjithashtu, në takim u bisedua për aktivitetet konkrete kulturore që do realizohen përmes kësaj përkrahjeje të MKRS-së në Preshevë.
Shala gjithashtu ka vizituar edhe shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica” ku u takua me drejtorin Naser Nuredini me të cilin diskutoi për aktivitetet që organizohen në këtë institucion kulturore.
Ndërsa, në vizitën që ka zhvilluar në qytetin e Bujanocit, Shala u takua me kryetarin e komunës, Nagip Arifi me të cilin diskutoi për problemet që ballafaqohen shqiptarët e Luginës, me theks ata ta të Bujanocit. Ai theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi është i mirëseardhur ngase nevojat janë të mëdha, sidomos në fushën e librit dhe furnizimin me literaturë shqipe në Luginë. Ai mori përkrahjen e Shalës që furnizimi me libra e literaturë do të hyjë në programin vjetor të MKRS-së menjëherë dhe do të zbatohet këtë vit.
SHALA TAKOHET EDHE ME MUSLIUN, HALIMIN E KAMBERIN
Në kuadër të vizitës së sotme në Luginën e Preshevës, zëvendëskryeministri Kujtim Shala u takua edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu dhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi e Shaip Kamberi, me të cilët diskutoi për sfidat që ballafaqohen shqiptarët e Luginës dhe thellimin e bashkëpunimit e përkrahjes nga ana e Qeverisë së Kosovës për të avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Kosova, festë për vitin e 17-të në liri e të 8-tin në pavarësi
-Në sheshe qytetesh koncerte dhe plot njerëz në festë dhe dritë e shkëlqim fishekzjarresh drejt qiellit në natën e ndërrimit të moteve, me acar e pa dëborë/
-Në 2016-tën fëmija i parë djalë, e uron Presidentja Jahjaga/
“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet që kam bërë nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, kur edhe reportazhet futuristike ishin në kërkim të lirisë…/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 1 Janar 2016/ Në Kosovë Viti i Ri 2016, i 17-ti në liri e i 8-ti në pavarësi, është pritur si tradicionalisht këtyre viteve në sheshe qytetesh me koncerte e plot njerëz në festë dhe dritë e shkëlqim fishekzjarresh drejt qiellit në natën e ndërrimit të moteve, me acar e pa dëborë.
Organizuar nga komuna e Prishtinës, në kryeqytetin kosovar, në sheshe, programi argëtues me koncerte nisi në ditën e fundit të 2015-tës, në orën 14:00 dhe përfundoi pas mesnatës – para mëngjesit të ditës së parë të 2016-tës, në orën 01:30. Por, edhe pas kësaj ore dhe deri në mëngjes festa në sheshe vazhdoi…
Prishtina në muajin dhjetor në pritje të festave të fundvitit është mbushur shkëlqim dritash e dekorimesh, bredhat e mëdhenjë me stoli janë vendosur në tre sheshet e qendrës, “Skënderbeu” , “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”, si dhe në “porta hyrëse” të qytetit. Pjesë e organizimeve për festën e Vitit të Ri ishte edhe “Tregu i fundvitit” në shesh.
Për Kosovën Viti i Ri 2016 pritet të sjellë liberalizimin e vizave, tani pritet vetëm rekomandimi për këtë proces, pas raportit përfundimtar të Komisionit Evropian publikuar në 18 dhjetor në Bruksel dhe plotësimit të kritereve të fundit që janë theksuar.
Ndërsa, ngjarja më e rëndësishme e Kosovës e vitit 2015, madje edhe që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, vlerësohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar në 27 tetor në Strasburg me Bashkimit Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale.
Për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016, një nga ngjarjet e rëndësishme është paralajmëruar të jetë inaugurimi i “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare, me investim rreth 34 milionë euro, përfundoi para festës së Vitit të Ri.
Shumë kosovarë për festën e Vitit të Ri kanë udhëtuar për në Shqipëri, plot mirëpritje, nëpër portën kufitare Vërmicë-Morinë të autostradës së kombit, e nëpër vendkalimet e rrugëve tjera që lidhin, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës, në të cilat, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar është kaluar dhe kalohet edhe në këto momente pa pritje e pa kolona.
Policia kosovare për festën e Vitit të Ri ishte angazhuar sipas planit operativ “Fundviti 2015”, për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, nënen që lindi fëmijën e parë në vitin 2016, duke i dëshiruar jetë të gjatë dhe të lumtur djalit dhe nënës, ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në prag të ndërrimit të moteve qëndroi në Gadime të Epërme të Lipjanit, në familjen e fëmijës së parë të lindur në Kosovë në vitin 2015 dhe i uroi ditëlindjen.
“Vizitova nënën Jetmirën, e cila kishte kaluar një lindje të mirë gjatë natës së mbrëmshme dhe e urova për lindjën e fëmijës. Bebes së vogël i dëshirova jetë të gjatë, fat, shëndet dhe gëzime në jetën e tij së bashku me gjithë familjen e tij. Poashtu, shfrytëzoj edhe njëherë rastin që t’i uroj te gjithë qytetarët e Kosovës për një vit të mbarë dhe të suksesshëm”, deklaroi Jahjaga.
Sipas të dhënave të publikuara vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, brenda vitit në 2014-tën kishin lindur 25 929 fëmijë. Emrat më të shpeshtë, të rekordit, për vajzat ishin Erina me 199 pagëzime dhe Alea me 182, ndërsa për djemtë Diar me 215 dhe Amar me 180. Bineqë u lindën 756 foshnja, ndërsa treneqë e më shumë u lindën 36 foshnja.
Drejtusit institucionalë e politikë të Kosovës kanë uruar që Viti i Ri 2016 të jetë një vit i mirëqenies dhe i mbarësisë, i ndryshimeve për një jetë më të mirë, i punës, shpresës dhe besimit.
“Është çasti më i duhur që të reflektojmë së bashku dhe që me forcën e vullnetit me të cilën fituam lirinë dhe krijuam shtetin, të angazhohemi që ta bëjmë Republikën e Kosovës anëtare të denjë të familjes së madhe evropiane”, është shprehur në mesazhin e urimit kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
Në vitin e madh të lirisë së Kosovës 1999, në mbrëmjen e 31 dhjetorit mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës në pritjen e Vitit të Ri 2000. Festime të mëdha në sheshe kishte edhe në qytetet e tjera ksovare.
“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet që kam bërë nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.
Pikërisht para dy dekadave, në prag të Vitit të Ri, kam shkruar reportazhin futuristik – “Reportazhin e ardhmërisë” me titullin “Një ditë e një viti që vjen”, ku personazhi ishte gazetari i Agjencisë Shqiptare të Lajmeve i ardhur nga Tirana në Kosovën e lirë. Shumë nga ato ngjarje që në atë kohë okupimi e dhune të egër në atë reportazh ishin si ëndërr, ishin fantastike e parashikime, kanë ndodhur dhe janë realizuar viteve e ditëve që erdhën.
Në kohën e viteve të rënda të okupimit me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
Një nga reportazhet futuristike ishte edhe “Udhëtimi për në Prizren…”, që e kam shkruar më pas, para 19 viteve, dhe është botuar në 31 dhjetor 1996. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.
Kur shkruaja reportazhet futuristike ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e titulloja reportazhin që u botua në 19 mars 1996, dhe kur “Sa afër e sa larg Shqipëria” shprehesha në titullin e shkrimit botuar në 11 gusht po atë vit.
Të gjitha këto shkrime i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip, dhe tituj të tyre gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
KOSOVË-VITI I RI SJELL RESHJE NESËR
PRISHTINË, 1 Janar 2016/ Kosova, pas një periudhe të gjatë kohore pa reshje, gjatë natës së të shtunës dhe ditës së diele do të përfshihet nga masat e ajrit me presion të ulët atmosferik, të cilat do ta përfshijnë tërë territorin e vendit.
“Këto masa meqë janë të lagështa dhe vijnë nga drejtimet e ndryshme të kontinentit, do të shoqërohen me vranësira të dendura dhe reshje shiu dhe bore”, parashikon Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në njoftimin e dërguar sot.
Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin nga -6 deri- 2 gradë celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin nga 0 deri 2 gradë. Do të fryjë erë nga verilindja dhe më pas nga jugperendimi me shpejtësi 1-5 metra në sekondë./b.j/
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Ora e parë e Vitit të Ri 2016 në Prishtinë
ALBIN KURTI: Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është si një burg i madh*
Si kanë qenë ditët tuaja pas arrestimit spektakolar të policisë speciale me 28 nëntor?
Pas arrestimit, policët specialë më dërguan te Pallati i Drejtësisë dhe aty drejt e te Gjykata, ku e kuptuan se kishin gabuar meqenëse njëherë duhej të më dërgojnë te Prokuroria. Brenda dy a tri orëve lëvizëm nga një zyrë te tjera për të përfunduar në një sallë gjyqi ku ma përcaktuan paraburgimin prej 30 ditësh. Njëkohësisht, dikush tjetër kishte vendosur që të më shpiejnë te Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc apo Dyz të Llapit. Në njërën anë, dëshironin të më ndanin e të më izolonin sa më parë e sa më shumë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe politika publike e institucionale në Kosovë. Në anën tjetër, dërgimi në këtë Burg të Sigurisë së Lartë ishte justifikimi retroaktiv për përdorimin e forcave speciale anti-terror të policisë së Kosovës me 28 nëntor, me ç’rast arrestuan 97 aktivistë dhe rrahën e lënduan shumë prej tyre. Pra, meqenëse kanë ndërhyrë me forcat më elitare, unë do të duhej të isha shumë i rrezikshëm, të isha më i rrezikshmi dhe rrjedhimisht të dërgohem në Burgun e Sigurisë së Lartë. Me këtë rast dua t’i përshëndes në veçanti të burgosurit në Pavilonin 3 duke iu thënë se ‘Zajednica nuk kalon!’ dhe t’iu falenderohem atyre për kujdesin dhe shoqërimin e përbashkët që kishim gjatë atyre tri javëve.
Disa analistë e komentuan arrestimin si diçka të zgjedhur prej jush, pikërisht më 28 nëntor. Në fakt, e prisnit një gjë të tillë atë ditë?
-Çdo ditë e kam pritur se do të mund të arrestohem. Qyteti ka qenë i mbushur përplot me policë, shumë prej tyre me uniforma zyrtare, mirëpo shumë të tjerë edhe me rroba civile e të cilët nuk dalloheshin nga qytetarët e tjerë. Kështu ishte që prej mesit të nëntorit e po vazhdon ditë e natë edhe sot e kësaj dite. Teksa kërkohesha prej policisë duke filluar prej 17 nëntorit 2015, unë për asnjë orë të vetme nuk kam dalur jashtë Prishtinës, deri në mbrëmjen e 28 nëntorit kur më dërguan në burgun e Gërdocit (Dyzit). Tërë kohën kam qenë në Prishtinë. Natyrisht që ma ka marrur mendja se do të mund të më arrestojnë më 28 nëntor, por jam përpjekur maskimalisht që ta evitoj këtë gjë. Pas fjalimit tim jemi larguar nga Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe kemi shkuar në zyrën e VETËVENDOSJE!-s me shumë aktivistë të tjerë, mirëpo kanë qenë rreth njëmijë policë që na u vunë prapa dhe erdhën te selia qendrore e Lëvizjes sonë. Kësisoj, më 28 nëntor 2015 u bë e pamundur që ta evitoj arrestimin, për dallim nga protesta e 18 nëntorit 2015, protestë kjo e opozitës së bashkuar kundër arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi.
A ka qenë fjalimi juaj i planifikuar atë ditë?
-Po, fjalimi im ka qenë i paraparë, ka qenë e planifikuar që unë të flas, natyrisht, nëse arrij deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ pa më arrestuar policia. Meqenëse kam arritur në manifestim, ndonëse me disa minuta vonesë, e mbajta fjalimin. Rajmonda, aktivistja moderatore, nuk më ka parë në masën e tubuar dhe ka menduar që nuk ia kam dalur të mbërrij, andaj ajo ia jep fjalën njëherë Glaukut e mandej mua, përkatësisht e thërret emrin tim.
A ka ftohje me liderët e tjerë opozitarë për shkak të tubimit të asaj dite dhe fjalimit tuaj?
-Jo, nuk ka. Nuk besoj që ka diçka që kam thënë në atë fjalim e të cilën e kundërshtojnë kryetarët, deputetët dhe aktivistët e opozitës së bashkuar.
A do t’i përgjigjeni drejtësisë kosovare?
-Nuk e di si t’i përgjigjem drejtësisë kosovare kur ajo nuk ekziston. Drejtësia kosovare është padrejtësi regjimiste. Kur ne kemi thënë se Kosova është shtet i kapur këtu kemi mendur para së gjithash e mbi të gjitha në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, në gjyqësinë, prokurorinë dhe policinë. Në Kosovë nuk shërben qeveria por sundon regjimi. Drejtësia është e kapur nga ekzekutivi. Ajo nuk është e pavarur. Si t’i kuptojmë ata prokurorë e gjykatës të cilët me kaq zell i marrin dhe u japin prioritet rasteve kundër aktivistëve dhe deputetëve opozitarë? Si t’i kuptojmë ata policë specialë me uniforma e pa to që ua përgjojnë telefonat e i përcjellin aktivistët tonë, i godasin me rastin e arrestimit e i rrahin në stacion të policisë? Si t’i kuptojmë këta njerëz, që nuk janë njerëz por robotë persekutues? Ne e duam Republikën e Kosovës dhe duam që ajo të jetë Shtet i së Drejtës, por unë nuk kam se si bashkëpunoj me këta nëpunës të padrejtësisë përmes së cilëve regjimi e ka shndërruar res publica-n tonë në res privata-n e tyre.
Pse nuk po merrni avokat?
-Nuk kam angazhuar avokat sepse nuk dua të mbrohem. Meqë nuk dua të mbrohem atëherë nuk kam pse angazhoj mbrojtës. Dhe, nuk është se unë jam mbrojtur në heshtje siç është transmetuar. Sepse unë kam folur e nuk kam heshtur. Kam denoncuar e kundërshtuar këtë regjim autoritar që po e persekuton opozitën duke keqpërdorur policë, prokurorë e gjyktaës të cilët i ndërsen kundër nesh. Në gjyq unë e përfaqësoj vetveten, mirëpo nuk mbrohem në heshtje sepse unë nuk mbrohem dhe sepse unë flas.
Gjykata Kushtetuese ndër të tjera e konfirmoi se Asociacioni e shkel Kushtetutën. Si e keni parë ju vendimin e gjykatës?
Analiza juridike që ia bën Gjykata Kushtetuese ‘Zajednicës’ duke konstatuar shkelje të 23 neneve të Kushtetutës nga secili kapitull i marrëveshjes Mustafa-Vuçiq e ka mbytur ‘Zajednicën’. Ndërkaq, konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të stilit ‘nuk është tërësisht në përputhje’ janë konkluzione politike të balansuara dhe tregojnë që kjo Gjykatë më shumë e ka hall se çka do t’i ndodhë qeverisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sesa çka po i ndodh Kushtetutës pas vendimeve e marrëveshjeve të kësaj qeverie. Aq e keqe është ‘Zajednica’ e Serbisë saqë edhe Gjykata e kapur Kushtetuese nuk ka pasur çare pa e kundërshtuar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për shkak të emrit të saj nuk ka mundur të veprojë ndryshe. Cili është kuptimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe i bërjes së saj me kushtetutë të mëvetësishme nëse instalohet ‘Zajednica’ Serbisë në Kosovë?!
Megjithatë qeveria thotë se do të procedojë me Asociacionin. Çka do të thotë kjo për ju?
-Thoshin që Plani i Ahtisaarit është çmim për pavarësinë, të cilën vetëm ashtu na e njeh Serbia. E ‘Zajednica’ çmim për çfarë është, për bashkim kombëtar!? Të insistosh në ‘Zajednicën’ edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë të përqafosh pozicionin e Beogradit. Nuk mund të ketë më qeveritarë të cilët janë injorantë apo paragjykues. Nëse nuk kanë dashur ta dëgjojnë opozitën dhe tash nuk duan ta dëgjojnë as Gjykatën Kushtetuese atëherë kjo nuk ka shpjegim tjetër përveçse ata qenkan duke e dëgjuar Serbinë. Po të kishim prokurori të pavarur në Kosovë sigurisht se deri më tani kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi do të ishin paditur qoftë për tradhti ndaj vendit sipas nenit 124 të Kodit Penal i cili parasheh dënim me mbi 15 vjet burg, qoftë për pranim të kapitullimit dhe okupimit sipas nenit 123 i cili parasheh dënim me mbi 10 vjet burg. Mustafa e Thaçi kanë dialoguar me Serbinë duke lënë anash historinë dhe të kaluarën. Kështu, ata jo vetëm që e kanë shpërfillur agresionin dhe krimet e Serbisë, por i kanë prerë edhe rrënjët e pavarësisë së Kosovës. Le të mos harrojmë që strukturat e Serbisë në Kosovë nuk i la Vuçiqi, Tadiqi, Koshtunica e Gjingjiqi por pikërisht Milosheviqi.
A do ta mbajë opozita protestën e janarit të paralajmëruar dhe çka pas asaj proteste?
-Visari, Ramushi dhe Fatmiri e kanë vendosur dhe lajmëruar protestën e 9 janarit 2016. Tashmë po zhvillohen aktivitetet dhe përgatitjet e duhura nga strukturat e të tri subjekteve të opozitës së bashkuar. Sa do të vazhdojmë me protesta nuk varet prej nesh sepse ne nuk do të ndalemi, por varet prej qeverisë sepse ajo duhet të dorëhiqet ose të rrëzohet. Pra, ne do të organizojmë protesta për aq sa është kjo qeveri në pushtet. Kjo qeveri e ka pasur shansin e jashtëzakonshëm nga oferta që ia bëri opozita e bashkuar: të tërhiqen nga marrëveshja për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të organizojmë referendum gjithëpopullor për këto dy marrëveshje, ose të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme. Mirëpo, qeveria i refuzoi të trija këto. Ajo nuk pranoi të dialogonte mbi bazat e asnjërës prej këtyre. Rrjedhimisht, ajo dëshironte veçse dialog për zbatimin e ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit. Prandaj, janë bërë të domosdoshme protestat. Kur kemi parasysh gjendjen e rëndë të qytetarëve të zhgënjyer, protestat bëhen edhe të pashmangshme.
Është hera e parë që 13 deputetë opozitare u arrestuan. A po synon qeveria ta lërë vendin pa opozitë?
Kjo është pyetje për qeverinë, pra për pozitën, jo për opozitën. Ne nuk do të ndalemi në protestat tona brenda e jashtë Kuvendit. Nëse nuk ndalet as qeveria kjo njëmend do të thotë se të gjithë deputetët e opozitës së bashkuar do të jenë në burg në vitin 2016. Por jo për shumë gjatë. Kjo qeveri nuk rri dot mbi popull sa qëndrojmë ne kundër saj. Sepse ne nuk mund të lejojmë të na përsëritet historia edhe për pasardhësit tanë duke na u instaluar ‘Zajednica’ e Serbisë e duke ia falur 9.000 hektarë tokë të Kosovës Malit të Zi. Nuk mund të lejojmë që për shkak se Hashim Thaçi nuk e përsëriti klasën kur e studioi lëndën e historinë, tash gjithë vendit tonë të na i përsëritet historia! Nuk mund të lejojmë që për shkak se Isa Mustafës nuk i mjaftojnë tri dekada në qeverisje e po i teprojnë 70 dosje në prokurori, neve tash të na burgoset në keqqeverisje ardhmëria!
Kështu si po shkojnë ngjarjet, a janë të pashmangshme zgjedhjet e reja?
Po. Zgjdhjet e reja po bëhen të nevojshme sepse largimi i kësaj qeverie po bëhet i domosdoshëm. Qeveria Mustafa nuk e shfrytëzoi mundësinë që t’i anulojë marrëveshjet duke u tërhequr prej tyre. Ashtu siç hoqën dorë prej mbrojtjes së Jabllanoviqit në fillim të vitit 2015 kanë mundur të heqin dorë prej mbrojtjes së këtyre dy marrëveshjeve në fund të vitit 2015. Për të qenë më keq se kaq, ata nuk shprehën gatishmëri as për të bashkëpunuar me opozitën e bashkuar për një ligj të ri për referendum që do të pasohej me organizimin e referendumit për këto dy marrëveshje. Referendumi do të ishte i dobishëm, sepse referendumi do ta bënte angazhimin qytetar një pjesëmarrje politike jopartiake për tema të caktuara e jo si një votim për partitë ose për emra të përveçëm. Në Kosovë ku votimi përgjithësisht është identitar e partiak dhe jo politik e qytetar, referendumi është gjithsesi emancipues. Meqë referendumin popullor nuk e do qeveria atëherë na mbetet që populli të mos e dojë këtë qeveri në zgjedhjet e reja.
A besoni se si opozitë e bashkuar mund të jeni të tillë edhe në zgjedhjet eventuale?
Është e mundshme, por mendoj se është tepër herët të flitet për këtë sot. Ju takon krerëve dhe strukturave udhëheqëse të tri subjekteve që ta diskutojnë këtë temë. Po ashtu, besoj se nuk është mirë që përderisa ende s’ka rënë kjo qeveri të mendojmë e flasim për çështje elektorale. Të gjitha fuqitë tani duhet t’i përqendrojmë te protesta e 9 janarit e për protestën e 9 janarit.
Cila është alternativa ndryshe qeverisëse që ofroni ju si opozitë?
Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi alternativën tonë qeverisëse me 20 kapituj të ndarë në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Çfarë do të ishte alternativa e opozitës së bashkuar s’mund ta them unë dhe s’mund ta them tash.
A jeni të kënaqur me situatën në Prishtinë ku VV e ka pushtetin?
Nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë por për këtë nuk e ka fajin qeverisja jonë dyvjeçare por keqqeverisja 13 vjeçare e LDK-së. Ne nuk kemi mundur ta rregullojmë dhe zhvillojmë për dy vjet atë që e kanë prishur e rrënuar për 13 vjet. Ndonëse nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë, megjithatë jam i kënaqur me qeverisjen në Prishtinë. Sepse aty kemi një kontekst shumë të vështirë ku ka hyrë hasmi në katër anë: qeveria qendrore që na vonon, koalicioni lokal LDK-PDK që na lufton, administrata e vjetër që na saboton dhe ndërmarrjet publike komunale që bllokojnë punën tonë. Përkundër të gjitha këtyre pengesave sot në Komunën e Prishtinës janë ndalur prej ndërtimeve pa leje, urisë së nxënësve dhe banesave të ftohta e deri te rradhët e gjata të pritjes së qytetarëve për shërbimet e ndryshme.
Vitin e Ri do ta prisni në arrest shtëpiak. Cila është porosia juaj për qytetarët kosovarë?
Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është bërë si një burg i madh, madje me drejtor e mbikëqyrësa të këqinj. Vitin e Ri 2016 duhet që ne ta bëjmë vit të ri. Shumëçka tregon se kjo është e mundshme. I ashtuquajturi koalicioni i elefantëve PDK-LDK i sajuar me 9 dhjetor 2014 u diskreditua dhe u delegjitimua për 10 muaj, pra ende pa i mbushur një vit. Pasi që u formua koalicioni PDK-LDK-Srpska, mbaj mend se si militantët e PDK dhe LDK që kapën pozita institucionale thoshin se tash mund të dalin në pension gjithë të tjerët së paku për një dekadë pasi që tani kemi koalicionin e elefantëve, koalicionin e partisë së ’89-s e të ’99-s. Për më pak se një vit, pra për vetëm 10 muaj, opozita e bashkuar i hodhi në krizë të thellë elefantët të cilët iknin si minjtë nga gazi lotsjellës. Viti 2016 do të jetë vit i fitores së opozitës së bashkuar, vit pa ‘Zajednicë’ të Serbisë, vit pa falje tokash tona Malit të Zi, vit kur populli ia anulon vizën qeverisë, vit i fitores së qytetarëve të angazhuar, vit i Republikës së Kosovës. Kurse viti 2015 do të mbahet mend si viti i parë i epokës së Vetëvendosjes.
(*Intervista për gazetën Kosova Sot)
Kosova, vit me kohë të humbur
-Kryetari Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli: Kosova kalon një vit të vështirë me kohë të humbur, pret një tjetër/
-Vizioni ynë është integrimi euroatlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Dhjetor 2015/ Kosova ka kaluar një vit të vështirë me kohë të humbur dhe pret një tjetër, tha kryetari Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli në pritjen e fundvitit për gazetarët e akredituar dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Në pritjen ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i gazetës Dielli, kryeparlamentari Veseli e konsideroi vitin 2015 një vit i vështirë, si për funksionarët institucionalë, ashtu edhe për përfaqësuesit e mediave, ndërsa falënderoi për përkushtimin e dëshmuar si media të lira dhe raportimin korrekt mbi zhvillimet në vend.
“Duke lënë anash të gjitha mospajtimet politike në mes pozitës dhe opozitës, duhet të pranojmë se këtë vit, Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor. Duhet të jemi realistë, këtë test, ende nuk e kemi kaluar. Kuvendi i Kosovës u ballafaqua me një situatë të paprecedent, jo vetëm për parlamentarizmin tonë, por edhe më gjerë”, theksoi kryetari Veseli.
Ai tha se pengimi i punës së Kuvendit me veprime jo parlamentare ka shkaktuar dëme në shumë drejtime: është dëmtuar demokracia parlamentare e Kosovës, ende e brishtë, është dëmtuar imazhi i Kosovës te partnerët ndërkombëtarë dhe te qytetarët, me praktikën e thyerjes së ligjeve pikërisht në vendin ku miratohen ligjet.
“Është humbur kohë dhe energji në një axhendë tërësisht negative dhe depresive, duke lënë anash interesin më primar të qytetarëve të Kosovës – zhvillimin ekonomik, duke lëkundur, në të njëjtën kohë, partneritetin me miqtë dhe mbështetësit e shtetit tonë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
Është e qartë, vijoi ai, se në vitin që po vjen, duhet të bëjmë, saktësisht, të kundërtën e këtij bilanci negativ.
“Pra, jo bllokadë e pozicione rigjide, por dialog në mes pozitës dhe opozitës, për të gjitha shqetësimet e ngritura, dilemat dhe dyshimet. Jo argumente të forcës fizike, por fuqi të argumenteve politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo qëndrime arrogante karshi partnerëve ndërkombëtarë, por thellim i partneritetit me ta”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Vizioni ynë është integrimi euroatlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë.
Duke folur për raportet e Kuvendit me mediat dhe publikun në përgjithësi, kryetari Veseli theksoi se që në fillim të punës së tij si kryetar i Kuvendit, është udhëhequr nga platforma e transparencës parlamentare.
“Transparenca është parim demokratik, por ky parim nuk mund të përmbushet pa punën e mediave të lira dhe organizatave të shoqërisë civile. Në këtë drejtim, raportin e Kuvendit me media dhe shoqërinë civile, e kam parë vazhdimisht si raport partneriteti. Jam i lumtur që pas 1 viti të punës, të konstatoj se zgjerimi i qasjes së mediave në punën parlamentare dhe krijimi i hapësirave të reja për prezencën e shoqërisë civile në punën e Kuvendit të Kosovës, i ka ndihmuar shumë zhvillimit të parlamentarizmit”, theksoi kryetari Veseli, duke shprehur përkushtimin që në vitin që po vjen, të ecet më tutje në këtë drejtim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha transparenca institucionale është angazhim i përditshëm dhe ka shumë gjëra që duhen ndryshuar dhe bërë më mirë.
Në solemnitet, në emër të komunitetit të gazetarëve, foli kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ndërsa nga shoqëria civile, përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës – KDI-së, Albert Krasniqi. Shabani dhe Krasniqi çmuan bashkëpunimin midis gazetarëve dhe shoqërisë civile në njërën anë, dhe Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër, duke theksuar, njëkohësisht, përkushtimin për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, në funksion të kultivimit të mëtejmë të demokracisë parlamentare.
Kuvendi i Kosovës prej më shumë se tre muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur seancat plenare për vitin 2015 me emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, është shprehur në përmbyllje të seancës së fundit në këtë vit, kryeparlamentari kosovar Veseli.
“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli në seancën në sallë alternative pa opozitën.
Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se, “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 76
- 77
- 78
- 79
- 80
- …
- 106
- Next Page »