• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi drejt ratifikimit

February 16, 2018 by dgreca

-Nënshkruhet deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç/

Thaci-Vujanovc

-Presidenti Thaçi: Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi/

  • Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 16 SHKURT 2018/ Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi shkon drejt ratifikimit edhe në Kuvendin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtypi ka njoftuar se bashkërisht dhe në të njëjtën kohë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Në deklaratë dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në verën e vitit 2015.Presidenti Thaçi pas konferencës për shtyp shkruan: “Sapo prezantova deklaratën e përbashkët, që kam nënshkruar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic.

E falënderoj Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, për mirëkuptimin që ka treguar për marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.Falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, ne kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Tani ka hapësirë të mjaftueshme për të proceduar me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke i hapur rrugë kështu liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Liberalizmi i vizave është dhurata më e mirë që mund të ndodh në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë. Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë ta ratifikojnë marrëveshjen. Urime”, shkruan Thaçi.

Deklarata e përbashkët e presidentëve njoftohet ndërkohë që gjatë dy ditëve të kaluara në Kosovë qëndroi kryeministri i Malit të Zi,  Dushko Markoviç.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha se deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë.

“Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tone”, theksoi ai.

Ndërkohë që Marrveshja për demarkacionin pritet të jetë në axhendë të një seance të Kuvendit, disa nga partitë parlamentare kanë ftuar sot konferenca për shtyp.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban konferencë për media me rastin e arritjes së marrëveshjes për demarkacionin”, thekson njoftimi dërguar nga partia që edhe në opozitë e edhe në pushtet kundërshtonte marrëveshjen për shënimin e kufirit ashtu si ishte.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi. Marrëveshjen e kanë nënshkruar për palën kosovare atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

 Në 4 gusht 2016 qeveria e  Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

 Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

 “Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa.

 Më pas, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

 Në 22 shtator, qeveria e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimindhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor  2017  në një mbledhje  ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e  prezantuar më parë para qeverisë në 4 dhjetor 2017.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u mblodh edhe pse më parë ishte njofuar se  Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror.

“Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.
Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për  Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës  në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.

Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.

 Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë mori  pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit, Shpejtim Bulliqi, tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme.

Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

DEKLARATA E PRESIDENTËVE THAÇI DHE VUJANOVIÇ:

 Deklaratë e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç

1- Duke filluar nga përkushtimi për të ndërtuar dhe promovuar marrëdhënie të mira miqësore dhe fqinjësore.
2 – Duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore , sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë
3- Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushen obligimet që rrjedhin nga Karta e Kombeve të Bashkuara , në veçanti duke pasur parasysh respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësinë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje me Strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor;
4- Republika e Kosovës dhe Malit të Zi kanë nënshkruar në Vienë më 26 gusht 2015 Marrëveshjen e Kufirit Shtetëror (tani e tutje duke ju referuar si “Marrëveshja”);
5 – Duke konfirmuar së në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hynb në fuqi ditën e pranimit të njoftimit të fundit dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike, me të cilën Palët njoftojnë njëra tjetrën që kanë pëmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore , të domosdoshme për hyrjen e saj në fuqi;
6 – Duke rikonfirmuar vullnetin e shprehur në nenin 9 të Marrëveshjes së nënshkruar nga të dy shtetet se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me zbatimin e Marrëveshjes zgjidhen nga Qeveritë e të dy palëve nëpërmjet kanaleve diplomatike;

Republika e Kosovës dhe Malit të Zi me vullnet të mirë duke respektuar fqinjësinë e mirë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve , me respektimin e parimit pacta sunt servanda pajtohen si në vijim:
* Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëeshjen sipas Nenit 12 të Marrëveshjes

* Republika e Kosovës dhe Mal i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se Marrëveshja që ka hyr në fuqi do të formojë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare.

* Palët pajtohen gjatë këtij procesi ,Trupi i Përbashkët Punues do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas marrëveshje.

* Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikoj dhe korrigjoj sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhelepit.

* Kjo deklaratë është përpiluar në gjuhën Shqipe,Serbe dhe Angleze.Në rast të ndonjë mospërputhjeje në interpretim, Marrëveshja e përgatitur në gjuhën Angleze do të mbizotërojë.

***

Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

PRISHTINË, 16 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Është ftuar për sot në mbrëmje, në orën 18:00, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas së cilës u bë e ditur se seanca plenare për demarkacionin me Malin e Zi do mbahet të dielën në orën 18:00.“Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzaknshme, me këtë rend dite: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ishte pika e vetme e axhendës së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

NJOFTIMI ZYRTAR DËRGUAR NGA KUVENDI I KOSOVËS:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.Konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 18 shkurt 2018, në orën 18:00.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, Kosove-Mali i Zi, Thaci-Vujanovic

Kosova, bashkëpunim kulturor me shqiptarët në Mal të Zi

November 5, 2016 by dgreca


1-mali-i-zi
-Ministri Kujtim Shala viziton Ulqinin takon kryetarin Nazif Cungun, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës pritet së shpejti të nënshkruajë një marrëveshje kulturore me Malin e Zi/

4-mali-i-zi

-Drejt organizmit të Javës së Kulturës së Kosovës në Ulqin, gjatë sezones turistike/

3-mal-i-zi

PRISHTINË, 5 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i qeverisë së Kosovës, Kujtim Shala, ka vizituar komunën e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Nazif Cungun dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Cungu u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të kulturës së Kosovës dhe atyre të shqiptarëve në Mal të Zi, me theks të veçantë në Ulqin.Në këtë takim, ministri Shala dhe kryetari Cungu u shprehën se intensifikim i këtij bashkëpunimi është në dobi të kulturës shqiptare dhe veçmas në funksion të ndihmës për shqiptarët në Mal të Zi. Ministri Shala drejtuesve të komunës së Ulqinit iu premtoi përkrahje konkrete në fushën e kulturës, duke u shprehur se komunikimi kulturor është tejet i rëndësishëm për shqiptarët e Malit të Zi. Më tej, ministri Shala u shpreh se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet së shpejti të nënshkruajë një marrëveshje kulturore me Malin e Zi, që është një akt i rëndësishëm politik, i cili i rregullon marrëdhëniet kulturore mes këtyre dy shteteve, dhe njëkohësisht hap rrugë për bashkëpunim konkret ndërmjet dy vendeve, dhe po ashtu ndihmon për bashkëpunim kulturor ndërmjet institucioneve të kulturës së Kosovës dhe atyre të shqiptarëve të Malit të Zi.

Po ashtu, ministri Shala dhe kryetari Cungu biseduan për idenë e organizmi të Javës së Kulturës së Kosovës në Ulqin, gjatë sezones turistike. Në kuadër të kësaj vizite në Ulqin, ministri Shala dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”,  Fazli Gajraku, i dhuruan Bibliotekës së Ulqinit afro 800 libra me vlerë prej rreth 6 mijë euro. Kryetari i Ulqinit dhe drejtuesit e Bibliotekës e falënderuan ministrin Shala dhe drejtorin Gajraku për këtë akt dhe u shprehën se kjo ndihmë konkrete është në dobi të shqiptarëve të Ulqinit dhe njëkohësisht dëshmi e vullnetit të mirë të institucioneve të kulturës së Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Malit të Zi.

Filed Under: Kulture Tagged With: bashkëpunim kulturor, Behlul Jashari, Kosove-Mali i Zi

Dokumente Hapësinore nuk janë dëshmi, as garant të vijës kufitare me Malin e Zi

August 31, 2016 by dgreca

Flet spacialisti/

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/

 Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi, në disa raste po tenton që me anën e disa kumtesave-“proklamatave” të bind opinionin publik se puna e tyre ishte e drejtë dhe e bazuar në Planin zhvillimor të Komunës së Pejës dhe në Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020 +,te miratuara në vitet 2006 dhe 2011.

Si pjesëmarrës aktiv në ato procese edhe një herë deklaroi se këto Dokumente Hapësinore nuk kanë mundur të jenë dëshmi apo garant të vijës kufitare me Malin e Zi,si po tentohet. Në mungesë të vijës së definuar kufitare janë përdorur metodat krahasuese,orientuese dhe progresive, që lejohen në Planifikimin Hapësinor Strategjik në tërë botën,me mundësin e inkorporimit  të dhënave apo elementeve në momentin kur të definohen apo ratifikohen kufijtë e Kosovës,punë e cila është në proces edhe sot, pos kufirit me Maqedoninë që është përfunduar.

Nëse mendoni seriozisht ashtu si theksoni se “Plani Hapësinor, pas Kushtetutës, është ndër aktet më të rëndësishme që rregullon shfrytëzimin e hapësirës me të cilën administron shteti në interes të qytetarëve dhe të nevojave të tyre.” Atëherë si mundeni të arsyetoni të vërtetën,realitetin se askush nga ju nuk e ka respektuar apo zbatuar këtë dokument të rëndësishëm hapësinor që duhet të ishte “Kushtetuta e dytë e shtetit”.

Për atë situata hapësinore dhe urbane në tërë Kosovën është kaotike e pa planifikuar në realitet,me mbi 350 000 ndërtime pa leje të evidentuara,në realitet ka shumë ma shumë. Fajtorët kryesor jeni ju vendimmarrësit kosovar, që keni lejuar e në shumë raste keni detyruar banorët e Kosovës të ndërtojnë kështu që 17 vite,duke mos i ditur pasojat të cilat sot po vërehen,pengojnë e në formë akuzojnë.

Mos e keq-përdorni fushën e Planifikimit Hapësinor për politika ditore,ajo është çështje fondamentale për funksionimin e një shoqërie-shteti,shpresoi se e keni kuptuar ma në fund.

Ma detal për këtë problematikë mundeni të lexoni shkrimin tim “Prapë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, të cilin e ka botuar shtypi gjith-shqiptar në adresën: http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,9,391296

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Dokumentet hapsinore, Kosove-Mali i Zi, vija kufitare

Historianët e Deçanit kundër demarkacionit

August 31, 2016 by dgreca

-Letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Ju ftojmë që t’i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero/

-Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në orën 11:30 në seancë plenare, ku “Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe/

PRISHTINË, 31 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/  Me  ftesën që t’i thonë jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero, në vazhdimësi të kundërshtimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ka dërguar sot letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili mblidhet nesër në orën 11:30 në seancë plenare.

“Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe.

Letra e plotë, të cilën e botojnë edhe mediat, e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan:

Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Kanë mbetur edhe disa orë, deri kur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendin më të lartë legjislativ të vendit tonë, të fillojë diskutimi dhe më pas miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Ky është një moment i kthesës së madhe në historinë e Kosovës të pas luftës çlirimtare e cila përfundoi me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Fati i popullit tonë është në gishtat tuaj. Ju e keni në dorë që të vendosni copëtimin e Kosovës apo të i thoni jo copëtimit të Kosovës. Emrat e juaj, tashmë janë pjesë e historisë së vendit tonë. Një pjesë e juaj jeni nënshkrues të aktit të pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, një pjesë tjetër e juaj jeni aktivistë të devotshëm të viteve ’90 të shekullit XX, dhe një pjesë e juaja jeni pjesë e pandashme e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Më 1 shtator 2016, emrat e juaj përsëri do të hyjnë në histori, por kësaj herë hyrja aty ka një kusht, kusht i cili është në duart tuaja. Të gjithë ju duke i thënë jo demarkacionit më Malin e Zi, do të mbeteni përherë burra e burrnesha të pavdekshëm, ndërsa ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të mbeteni përherë në faqen e zezë të historisë se vendit tonë.

Ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të i leni gjurmë të zezë vetës tuaj, familjes dhe fëmijëve tuaj.

Ne vlerësojmë dhe kemi vlerësuar si dhe e përsërisim prapë, që Komisioni Shtetëror i kryesuar nga Murat Meha, ka bërë punë skandaloze, duke lenë pjesë të tëra të Kosovës jashtë kufijve të saj.

Ju të nderuar deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të dini se kufijtë e Kosovës i kanë vendosur gjaku i shumë e shumë dëshmorëve të kombit, e jo lapsi i Murat Mehës dhe pjesës tjetër të komisionit. Ju duhet të dini se në brendësi të Komisionit Qeveritar ka njerëz që janë skandalozë, që kanë një të kaluar jo të mirë kombëtare e profesionale.

Të nderuar deputetë e deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Me votë kundër demarkacionit me Malin e Zi, do të mbroni interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, do të ndalen shumë procese të tjera të liga për popullin tonë.

Në fund të kësaj letre, ju lutemi kujtoni delegatët e Kuvendit të Prizrenit të korrikut të vitit 1945, delegatë të cilët i thanë po aneksimit të Kosovës nga Serbia, po ashtu kujtojeni edhe delegatët e Kuvendit të Kosovës të marsit të vitit 1989 të cilët me dëshirë ia hoqën Kosovës elementin konstituiv, shikojeni se si sot ata i gjykon historia, andaj edhe ju nesër me 1 shtator 2016, jeni para dy rrugëve, ose të i thoni po copëtimit të Kosovës ose të i thoni jo copëtimit të Kosovës.

Vendosni vet, por nesër historia do të gjykoj veprimin e juaj.

Kaloni diktatet dhe vendimet e forumeve të partive, sepse tash jemi në demokraci dhe nuk jemi në sistemin parti-shtet.

Duke ju uruar punë të mbarë, në emër të Kryesisë dhe të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ftojmë që të i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.

Sinqerisht,

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan

Filed Under: Featured, Komente Tagged With: Demarkacionit, Historianet e Decanit, Jo, Kosove-Mali i Zi

Diskutohet procesi i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi

July 21, 2016 by dgreca

-LDK  në vazhdimësi i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë besnik axhendës dhe alternativës evropiane dhe do të jetë e përkushtuar për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson njoftimi i sapodërguar sot në mbrëmje/

Prishtinë, 21 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të takimeve me forumet e LDK-së, mbajti takime të ndara me Grupin Parlamentar të LDK-së dhe me kryetarët e degëve.

Në takimin me Grupin Parlamentar u diskutua procesi i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi, me c’rast ekspertët e jashtëm prezentuan procesin, bazën ligjore dhe finalizimin e shenjëzimit.
Gjatë diskutimit me deputetët nuk u prezentuan fakte se Kosova humb pjesë të sipërfaqes së saj me rastin e marrëveshjes me Malin e Zi.
Në takimin me kryetarë të degëve, gjithashtu u diskutua për procesin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi.
Kryetarët e degëve të LDK-së, fuqishëm përkrahën procesin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi, si proces i cili forcon integritetin dhe subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Kryetarët e degëve theksuan se kry proces është proces normal i shtetndërtimit dhe se nuk duhet të shfrytëzohet nga individ të caktuar për axhenda politike dhe për qellime të ulëta profitere.
Kryetarët e degëve kërkuan që shenjëzimi i kufirit, si pjesë e ndërtimit të subjektivitetit të Kosovës, duhet kryer sa më shpejt, në mënyrë që të mos rrezikohet axhenda evropiane, procesi i liberalizimit dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës.
LDK  në vazhdimësi i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë besnik axhendës dhe alternativës evropiane dhe do të jetë e përkushtuar për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson njoftimi i sapodërguar sot në mbrëmje.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove-Mali i Zi, LDK, shenjat e demarkacionit

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT