-Drejt nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët/
-Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019/
-Qeveria e Kosovës i jep statusin investitorit të parë strategjik, investim prej 170 milionë euro/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 5 Shkurt 2019/ Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e pasditës së sotme, të 88-en, aprovoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrim të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.
Marrëveshja synon heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë në kufijtë e përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe të garantojë lirinë e kalimit të kufirit për qytetarët dhe për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
Marrëveshja do të garantojë kalimin në çdo pikë kufitare pa kryer kontrollin e personave, mirëpo në situata të kërcënimit të sigurisë apo situatave të veçanta mund të rivendoset kontrolli përkohësisht deri në 30 ditë por që mund të zgjatet deri në rivendosjen e gjendjes normale.
Qeveria kosovare në mbledhjen e fundit të vitit 2018, në 28 dhjetor, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë të nesërmen, në 29 dhjetor, në pikëkalimin kufitar Morinë-Vërmicë.
“Qëllimi i Marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, është theksuar me këtë rast.
Në 15 janar 2019 është bërë hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, e cila sic u thekua “është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një stacion tjetër i rrugëtimit tonë të projektuar së bashku në mbledhjen e dy qeverive”.
Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, në 26 nëntor 2018, në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.
PROJEKTLIGJ PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme fillimisht është informuar për statusin e hartimit të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas informatës Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës është pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019. Me këtë Projektligj, përcaktohen parimet e punës së Qeverisë e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv, bazuar në parimin e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë, transparencës, si dhe parimin e efikasitetit dhe efektshmërisë.
Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe kufizimet në kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Po ashtu, me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar të rëndësishme aprovimin e tri ligjeve të rëndësishme për reformën e administratës publike nga Kuvendi i Kosovës: Ligji për administratën shtetërore; Ligji për zyrtarët publikë; Ligji për pagat.
Me kalimin e kësaj pakoje, po e përmbyllim një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Axhendës së Reformave Evropiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Këto projektligje konsiderohen si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij dhe të cilat i japin vendit qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit dhe të orientojnë shoqërinë kah Bashkimi Evropian, ku është e ardhmja jonë.
Kabineti qeveritar ka aprovuar rekomandimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “SOWI KOSOVO L.L.C. Vlera e kapitalit të këtij investimi strategjik është 169,093,575.00 euro.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar nismat për: Aderimin e Kosovës në ICMP, Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur; Për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime Sociale me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë; Për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi; Për negocimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Unionin Ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës.