• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Ambasadat e MB e SHBA: Votimi i hapur-për transparencën e procesit

August 25, 2017 by dgreca

default-blog-seal

-Deklaratë  e ambasadave të Mbretёrisё sё Bashkuar dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs pёr Këshillin Gjyqësor të Kosovës/

photo_024

PRISHTINË, 25 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan sot se janë në dijeni për emërimet e fundit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme pas anulimit, nga Gjykata Kushtetuese, të procesit të mëparshëm të emërimeve.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e ambasadave tona i sygjeruan KGJK-së përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e saja për emërim për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë.  Mirëpresim faktin që pas rishikimit të Rregulloreve, Këshilli Gjyqësor i ka miratuar disa prej këtyre propozimeve.  Megjithatë, siç ia kemi bërë të ditur KGJK-së edhe atëherë, ne jemi të zhgënjyer me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë.  Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies”, thekson deklarata  e ambasadave të Mbretёrisё sё Bashkuar dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs pёr Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Për fat të keq, vijon deklarata e dërguar sot nga të dy ambasadat, shikuar procesin e përsëritur të përzgjedhjes për këto pozita nga këndi ynë, na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve.  “Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë do të thotë se një pjesëtar i publikut që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri.  Arsyetimi me shkrim i dhënë nga KGJK-ja më pastaj fare nuk e korrigjon këtë përshtypje. Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç”, shprehen dy ambasadat.Më tej vijojnë se, ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë nuk nënkupton vetëm që procedurat të jenë në përputhje me Kushtetutën.  “Ka të bëjë edhe me të siguruarit se proceset e rekrutimit, përzgjedhjes dhe emërimit janë vendosur dhe zhvilluar në mënyrë të tillë që maksimalizojnë transparencën e vendimmarrjes.  Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj.  Kjo gjë kërkon përkushtimin e të gjithë anëtarëve të KGJK-së dhe lidership të fuqishëm nga Kryesuesi.

Presim të punojmë me KGJK-në për të përparuar në arritjen e kësaj”, përfundon deklarata  e ambasadave të Mbretёrisё sё Bashkuar dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs.

BE, MBËSHTETJE KOSOVËS NË FORCIMIN E SUNDIMIT TË LIGJIT

Edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së dhe EULEX-i u dërgua sot një deklaratë mbi procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, ku thuhet:“Pas përsëritjes së fundit të procesit të votimit për kryetarët e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian dhe EULEX-i kanë bërë këtë deklaratë:Gjykata Kushtetuese, e cila anuloi procesin e mëparshëm të përzgjedhjes, konstatoi se mekanizmi i aplikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit, nuk ka garantuar mjaftueshëm një proces të barabartë, të hapur dhe të bazuar në merita. Për të adresuar shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese, BE-ja së bashku me partnerë të tjerë ka punuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të avancuar procedurën e përzgjedhjes dhe në këtë drejtim mirëpret përmirësimet e bëra në legjislacionin përkatës të Këshillit.Megjithatë, nga vëzhgimi i procesit të përzgjedhjes, BE-ja për fat të keq ka vërejtur se përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse. Ne theksojmë se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur.

Një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç për përparimin e Kosovës në rrugën evropian.

Zyra e Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe EULEX-i do të vazhdojnë t’i ndjekin këto procese nga afër dhe mbeten të angazhuar për të investuar burime të rëndësishme për të ndihmuar Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: : Votimi i hapur, Ambasadat e MB e SHBA, Behlul Jashari, Kosove

Kosovë-Dështon Kuvendi, nuk përmbylli seancën konstituive

August 24, 2017 by dgreca

-Koalicioni fitues i zgjedhjeve ka emrin, por jo numrat për kreparlamentar. Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh votat janë 60 me 60/

1 parlamenti Kosove

-Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator/

PRISHTINË, 24 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Dështon vijimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të ftuar për herë të gjashtë dhe ndërprehet pas replikave të liderit të VV Albin Kurti dhe liderit të PDK Kadri Veseli, e deklarimeve tjera, mes të cilave ishte ai i përfaqësuesit të koalicionit të LDK, Avdullah Hoti, i cili tha se sot vendi po hyn në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa paralajmëroi organizimin e tryezave konsultative në kërkim të zgjidhjes.  “Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës” me të vetmen pikë në axhendë “Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”,  i ftuar për sot në orën 10:00, nga kryesuesi, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, nisi me një minutë heshtje në nderim të kryeministrit të zgjedhjeve të para në liri  Bajram Rexhepit, i cli u nda nga jeta këtë javë.Por, është i pamundur vazhdimi e përfundimi i seancës konstituive pasi përfaqësuesi i koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, Enver Hoxhaj, tha se e kanë emrin për kryeparlamentar, por nuk i kanë numrat, dhe u duhet edhe pak kohë, “më pak se dy javë e më shumë se 10 ditë”.

Koalicini fitues i zgjedhjeve vetë e kishte kërkuar datën 24 gusht për vazhdimin e seancës në takimin e tretë konsultativ të partive parlamentare mbajtur të mërkuren e javës së kaluar. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të para tre viteve vetëm fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.“Jemi duke bërë përpjekje që  të jemi në seancë, por ekziston mundësia reale që as të mos mund të fillojmë”, ka deklaruar dje lidhur me vazhdimin e sotëm të seancës kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër i koalicionit fitues të zgjedhjeve.Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e nisur para tre javësh është ndërprerë pas dhënies së betimit të deputetëve dhe ka vijuar me disa dështime – pa e përmbyllur konstituimin me zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve.Seanca nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, i cili sipas deklaratave të deputetëve tjerë nuk kishte votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.Në zhvillimet e seancës konstituive në 3 gusht, gjatë një votimi të propozimit për shtyrjen për dy orë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, u pa mungesa, të paktën edhe e një vote, pasi rezultati ishte rrëzim me barazim – pro 60 dhe kundër 60.

As në 4 gusht nuk vijoi seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës meqë vijoi mungesa e deputetëve të koalicionit fitues, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare.Kuvendi i Kosovës edhe në 10 gusht gjatë vazhdimit të seancës konstituive nuk arriti të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pasi përsëri nuk merrte pjesë koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Më pas vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ishte ftuar nga kryesuesi-deputeti më i vjetër,  për 14 gusht, por nuk u zhvillua në mungesë kuorumi, ishin të pranishëm vetëm 53 deputetë.Ndërkohë, mes këtyre zhvillimeve, në 4 gusht është mbajtur takimi i parë konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare lidhur me vazhdimin e seancës konstituive, ku vendos për mbajtjen edhe të takimit të dytë në 9 gusht, ku koalicioni PDK-AAK-Nisma ka kërkuar edhe një takim tjetër pas një jave dhe më pas thirrjen e seancës në 17 a 18 gusht.“Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, në 16 gusht 2017”, theksonte njoftimi dërguar nga Kuvendi.

Kryesusi i seancëse konstituive, i cili është nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte bërë një deklaratë se nuk do ftonte më takime konsultative të partive parlamentare, megjithate e ftoi.

Në 16 gusht përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur serish në takim konsultativ, të tretin, ku u vendos që seanca konstituive Kuvendit të Kosovës të vazhdojë të enjten, në 24 gusht, në orën 10:00.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në takimet konsultative duke theksuar se ato janë të panevojshme dhe se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator.Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.Në ndarjen e 100 vendeve për shqiptarët në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, ku PDK-AAK-Nisma ka 39 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 32  dhe LDK-AKR-Alternativa 29, nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, as nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re.Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.Koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, madje sipas disa analistëve do mund të mbaheshin edhe në një ditë me zgjedhjet lokale në 22 tetor.

ZGJEDHJET LOKALE 2017 DO MBAHEN NË 38 KOMUNAT E KOSOVËS

Për Zgjedhjet Lokale 2017, të cilat do mbahen në 38 komunat e Kosovës, është përmbyllur në mesnatën mes të martës e të mërkurës afati për aplikim të subjekteve politike për çertifikim për pjesëmarrje.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi përmbylljen e afatit për aplikim për çertifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, që do të mbahen në 22 tetor.Gjatë një periudhe dy mujore, prej 22 qershorit deri në 22 gusht, kanë aplikuar gjithsejt 91 subjekte politike: 35 parti politike, 1 koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash apo për këshilltarë të kuvendeve komunale.

NJOFTIMI NË FAQEN ZYRTARE TË KUVENDIT TË KOSOVËS:

Vazhdimi i seancës konstituive

E Enjte, 24.08.2017

Në shenjë respekti dhe kujtimi për ish kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili kohë më parë ka ndërruar jetë, vazhdimi i sotëm i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga deputeti Adem Mikullovci, ka nisur me një minutë heshtje.

Më pas, në foltore është paraqitur përfaqësuesi i koalicionit PAN, deputeti Enver Hoxhaj, i cili shprehu vendosmërinë e këtij koalicioni për të jetësuar të drejtën e tyre kushtetuese për propozimin e kryetarit të Kuvendit. Por, për të arritur këtë, ai kërkoi ende kohë. Kërkojmë tha ai, më pak se dy javë dhe më shumë se 10 ditë kohë para se të paraqesim kandidatin e koalicionit për kryetar të Kuvendit.Në vijim fjalën e mori deputeti i VV-së Albin Kurti. Ai gjatë fjalës së tij foli për dëmet që i shkaktohen vendit me vonesën e konstituimit të organeve shtetërore. Kurti, po ashtu vlerësoi se, PAN-i pa humbur kohë duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Në emër të koalicionit LAA, fjalën e mori deputeti Avdulla Hoti, i cili vlerësoi se me dështimin e seancës së sotme vendi është duke hyrë në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa bëri të ditur se ky koalicion zgjedhjen do ta kërkojë në tryezat konsultative që do të organizohen prej tyre.

Më pas fjalën e mori ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga deputeti Kurti, ish kryetari i Kuvendit Veseli, ndër të tjera tha: “Shumicën aktualisht nuk e ka siguruar as një nga subjektet politike”. Për më shumë, Veseli, duke iu drejtuar deputetëve deklaroi se, nëse VV do të sigurojë shumicën e kërkuar parlamentare, PAN do të mbështesë atë.Pas kësaj ndërmjet ish kryeparlamentarit Veseli dhe deputetit Kurti u zhvillua një replikë, pas së cilës kryesuesi ndërpreu seancën.Për vazhdimin e seancës së radhës, kryesuesi njoftoi se deputetët do të njoftohen me kohë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Parlamenti, s'permbyll, Seancen Konstituitive

Kosovë, Kriza vazhdon, PAN Bllokon

August 14, 2017 by dgreca

1 KosoveNdërpritet seanca, Mikullovci thërret takim konsultativ/

Kuvendi i Kosovës sërish nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët. Në seancën e sotme, sërish nuk morën pjesë deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas, i njohur si koalicioni PAN. Po ashtu të pranishëm nuk ishin as deputetët e komuniteteve pakicë.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, që në fillim ka thënë se në mungesë të deputetëve do të shkohet në një pushim prej 15 minutash.

Pas pauzës, sërish Kuvendi nuk kishte kuorum për të vazhduar punimet. Megjithatë, në Kuvend kanë vazhduar disa fjalime të deputetëve, ku kanë kritikuar koalicionin PAN për mosprezencën e tyre në seancë. Po ashtu, debati është zhvilluar edhe për atë se a duhet të ketë takime konsultative.

Kryesuesi Mikullovci ka thirrur përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ, të mërkurën në orën 10:00.

“Takimi i të mërkurës do të jetë vetëm një pikë të rendit të ditës, kur janë të gatshëm të vinë në seancat e Kuvendit dhe të dalin me emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Vazhdimisht zhagitje e punës. Kjo është hera e fundit“, tha Mikullovci.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se koalicioni PAN me çdo kusht po dëshiron të qëndrojë në pushtet. Ai ka ftuar përfaqësuesit e PAN-it që të gjejnë forcë dhe të dalin me propozimin e tyre për të kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“PAN-i deri tash është udhëhequr nga një logjikë totalitare dhe monopolizuese. Ata thanë kështu ‘ose duhet të jemi ne në pushtet ose nuk themelohen fare institucionet e Republikës’. Kjo i bije që ata veten e vendosin në rend të parë, ose ne ose hiq, ose ne ose do të kolapsojë shteti i Kosovës“, tha Konjufca.

Konjufca, tha para deputetëve, se populli është kureshtar të shoh një qeverisje ndryshe në Kosovë.

“Mendoj se një qeverisje e ardhshme e cila nuk do ta kishte PDK-në si faktor vendimtar edhe si faktor i vendimmarrjes në Kosovë, është shumë pozitive për Kosovën. Sepse ne të tjerët mendoj se do t’i qitshim në shesh të gjitha keqpërdorimet që kanë ndodhur deri tash“, tha Konjufca.

Kurse, Avdullah Hoti nga koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, ka propozuar që çështja e bllokadës së votimit të kryeparlamentarit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

Ai ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike që të marrin pjesë në debate dhe takime konsultative që do të organizohen në ditët në vazhdim.

“Ne si koalicion jemi duke shqyrtuar modalitete [veprimet] kushtetuese për të themeluar institucionet e vendit. Unë në emër të grupit tonë parlamentar, do të ftoj në një tryezë dhe do të ketë ftesa zyrtare për të gjitha subjektet politike për t’u ulur dhe draftuar pyetjet për Gjykatën Kushtetuese“, ka thënë Hoti duke shtuar se po shqyrtojnë hapat kushtetues për sqarimin e bazës juridike.

Pas ndërprerjes se seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur një konferencë për media ku ka kritikuar kryesuesin e seancës, për siç është thënë keqpërdorim të foltores.

Besim Beqaj, anëtar i kryesisë se PDK-së tha se në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve.

Ai tha se “PDK-ja konsideron se është një abuzim i paprecedentë i foltores dhe shkelje e normave kushtetuese, sepse dihen rregullat e qarta se si mbahen seancat e Kuvendit”.

“Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t’i themelojmë institucionet shumë shpejtë. Dhe të gjithë ata që po performojnë një jo-kushtetueshmëri, po performojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent”, tha Beqaj.

Në asnjë normë kushtetuese, shtoi Beqaj,nuk do të lejohen veprime të tilla. Ai ka konfirmuar se në takim konsultativ të thirrur për të mërkurën, përfaqësuesit e PAN-it do të jenë të pranishëm.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.

Përfaqësuesit e Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se janë të shqetësuara me gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e moszgjidhjes së institucioneve të reja. Ata kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën politike që po vazhdon në Kosovë.

Në deklaratën e pesë Ambasadave të vendeve Perëndimore në Prishtinë, theksohet se “është përgjegjësi e liderëve të Kosovës formimi i këtyre institucioneve, por edhe për të bërë reforma të domosdoshme për parandalimin e bllokadës së këtillë në të ardhmen”.

“Kosova ballafaqohet me shumë sfida, në periudhë të mesme dhe afatgjatë, përfshirë programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por, po ashtu, edhe nevojën për zhvillim ekonomik, forcim të sundimit të ligjit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe raportet e Kosovës me Serbinë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës që të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë që ai ta fillojë punën e vet”.

Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.(Kortezi- Arton Konushevci-RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, Kris vazhdon, PAN Bllokon

Kosovë, Edhe një seancë pa rezultat

August 10, 2017 by dgreca

Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur as të sot të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, pasi që në sallën e Kuvendit, nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas [PAN]. Aty nuk kanë qenë të pranishëm as deputetët e komuniteteve pakicë.

Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, dhe Alternativës [LAA].

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci tha para 61 deputetëve të pranishme, se në mungesë të deputetëve nga koalicioni PAN, seanca ndërpritet dhe do të vazhdojë një ditë tjetër.

Në një takim konsultativ, të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme konstituive, për siç kanë thënë, thirrjes arbitrare të saj nga ana e kryesuesit.

Për mosprezencën e deputetëve të koalicionit PAN, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Glauk Konjufca, tha se ata të cilët janë duke i bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës, duhet të japin përgjegjësi morale dhe politike. Ai tha se ata që po thonë se janë fitues të zgjedhjeve dhe që thonë se i kanë votat e mjaftueshme, nuk po vijnë në Kuvend për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“Kjo është e papranueshme me standardet e demokracisë. Kjo është shkelje e rëndë e demokracisë, të mbahen peng institucionet për shkak të një emri dhe të bëhet sa më shumë kohë, që të takojë deputetë të caktuar në kafene, që me presion e shantazh t’i bindin ata për ta votuar një kryetar të papëlqyer të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne e dënojmë këtë praktikë dhe kjo praktikë nuk duhet të zë vend në një shtete që i thotë vetes demokratik“, tha Konjufca.

Konjufca ka ftuar PAN-in që të ndërpresë bojkotimin e seancës konstituive, dhe ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Rregullat e demokracisë thonë kështu kur nuk i ke votat dhe kur dëshiron t’i arrish ato, duhet të bësh kompromis. Kompromisin që ne po ua kërkojmë atyre është që të mos e qesin për kryetar të Kuvendit [Kadri Veselin], një figurë që prej shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës është i papranueshëm”, tha Konjufca.

Kurse, Avdullah Hoti, deputet nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, dhe Alternativës [LAA], tha se ata të cilët nuk po vijnë në seancë të Kuvendit, tregon më se miri se kush nuk është duke bllokuar proceset për krijimin e institucioneve të reja.

“Ftoj deputetët e koalicionit PAN të jenë të arsyeshëm, të jenë prezent në seancë, të japin propozimin e tyre. Të dëgjojmë vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të lëvizim përpara në themelimin e institucioneve të vendit. Kemi humbur shumë kohë, është dashur edhe Kuvendi edhe Qeveria të jenë funksional për gati tash e dy muaj. Kjo e bënë të qartë kush është i përgjegjshëm në themelimin e këtyre institucioneve“, tha Hoti.

Koalicioni PAN po synon që të ket;ë 61 vota e më tepër, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për Qeverinë e re.

Por, deri me tash ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka numrin e mjaftueshëm të votave.Në përpjekje për të siguruar votat e mjaftueshme, kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Hardinaj ka pasur takim me kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Zyrtarët e AAK-së kanë thënë se takimi i zhvilluar ka qenë konstruktiv, por nuk kanë pohuar nëse kanë marr një konfirmim nga AKR-ja se do të votojë të nominuarin për kryetar të Kuvendit nga PDK-ja, Kadri Veseli.

Sipas Kushtetutës, “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Në këtë rast, Partisë Demokratike të Kosovës i takon ta propozojë kandidatin për të parin e Kuvendit të Kosovës.Kadri Veseli, i cili është kryetari PDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje është kandidat i papranueshëm dhe siç janë deklaruar ata nuk do ta votojnë në asnjë rast.Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.Në rast të zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.(Kortezi(Arton Konushevci)

Filed Under: Analiza Tagged With: edhe, Kosove, një seancë pa rezultat

NË LONDËR PREZANTOHET PROJEKTI I KONSERVIMIT TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS

August 4, 2017 by dgreca

IMG_5194
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Fondacioni i Arkitekturës në Kosovë morën pjesë në seminarin ‘Keeping it modern’ të organizuar nga Getty Foundation në bashkepunim me 20th Century Society, i cili u mbajt në ambientet e Kolegjit Mbretëror në Londër . Seminari kishte për qëllim takimin e përfaqësuesve të projekteve përfituese me ekspertë të fushës së konservimit për të shkëmbyer ide lidhur me projektet dhe rëndësinë e konservimit të objekteve moderne.
Ne mesin e nëntë përfituesve të tjerë të këtij granti, Biblioteka Kombetare dhe Fondacioni i Arkitekturës prezantuan projektin e hartuar gjatë këtij viti- analizën që i është bërë objektit dhe nevojës për ndërhyrje me qëllim rikthimin në gjendjen fillestare të objektit dhe inventarit.
Gjate këtij seminari, përfaqësuesit e Bibliotekës dhe të Fondacionit te Arkitekturës u njohën me politikat kryesore të implementimit të projektit, me prioritetet që duhen përmbushur si dhe institucionet e individët kyçë që duhen përfshirë dhe konsultuar për vendimmarrje gjatë përgatitjes së projektit.
Në prezantimin e projektit të Bibliotekës Kombëtare, përveç të tjerash, u paraqit një histori e shkurtër e ndërtimit te Bibliotekës dhe veprimtarisë së saj dhe u fol për punëtorinë që zhvilloi Fondacioni i Arkitekturës në Kosovë për analizën dhe vlerësimin e objektit dhe inventarit në Bibliotekë.
Prezantimi i Planit të projektit për Bibliotekën la një përshtypje të jashtëzakonshme tek organizatorët, përfituesit e tjerë të granteve dhe ekspertët e fushës së konservimit. Këta të fundit e cilësuan objektin e Bibliotekës si të rrallë dhe me rëndësi të veçantë. Ata më tutje shpalosën ide dhe propozime për implementimin e projektit pas dorëzimit të planit nga ana e Fondacionit të Arkitektëve dhe për nevojën për përkrahje të kësaj iniciative.
Te pranishëm ne këtë seminar ishin edhe perfaqësues të shteteve të ndryshme të botës si Brazili, Uruguai, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India etj., të cilët prezantuan projektet e tyre për konservimin e objekteve përfituese të grantit “Keeping it Modern”
Fondacioni Kosovar i Arkitekturës është njëri nga përfituesit e grantit prestigjioz të Getty Foundation, “Keeping it Modern”, për projektin e konservimit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Filed Under: Kulture Tagged With: biblioteka, Kosove, LONDËR PREZANTOHET, projekti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT