• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Kuvendi në situatë të “ngrirë”

January 19, 2016 by dgreca

-Dimër me acar në ditën kur zyrtarisht sipas “kalendarit” nis sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës/
-Shtypi i Kosovës: “Bllokadë dhe protesta në 8-vjetorin e Pavarësisë”, Opozita do ta bllokojë Specialen”. A do të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare?/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Kuvendi i Kosovës në një situatë të “ngrirë” që prej fundverës 2015 nga bllokadat e opozitës, sot, në një ditë dimri me acar nis sesionin pranveror zyrtarisht sipas “kalendarit”, ndërkohë që ende nuk është ftuar seancë plenare, e cila pritet nga fundi i janarit, e as nuk është mbledhur për këtë Kryesia me shefat e grupeve parlamentare. Sot mblidhen dy komisione parlamentare, për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe ai për Integrime Evropiane, për të shqyrtuar planet e punës për vitin 2016. Komisionet parlamentare bojkotohen nga opozita, e cila është shprehur se, “Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike”, dhe se “thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuon zgjidhjes së kësaj krize”.
Kuvendi i Kosovës, i zgjedhjeve të parakohëshme të 8 qershorit 2014 e i konstituuar pas plot 6 muajëve, prej më shumë se 4 muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit 2015, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar, 13 sipas opozitës, ndërkohë që ka ndodhur edhe lirimi i tyre.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës, i mbledhur në sallë “alternative” pa opozitën e përjashtuar e cila qëndronte në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm, ka përmbyllur në mesnatë seancat plenare për 2015-tën me emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të munguar gjatë vitit.
“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, është shprehur në përmbyllje të seancës së fundit të vitit të kaluar kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli.
Opozita në Kosovë, në vazhdimësi të organizimeve, ka paralajmëruar edhe protesta të reja duke u shprehur se “nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e qeverisë”.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në 28 nëntor 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
“Bllokadë dhe protesta në 8-vjetorin e Pavarësisë”, është një nga titujt e ballinave në shtypin e sotëm kosovar.
Gazeta Koha Ditore paralajmëron se, procese të vështira e presin Kosovën brenda qarkut njëmujor, kur edhe festohet përvjetori i tetë i Pavarësisë së shtetit.
Madje analistët parashohin përkeqësim të situatës nëse vazhdojnë tensionet aktuale mes qeverisë dhe opozitës.
Zgjedhja e presidentit mes bllokadës në Kuvend dhe protestave të opozitës dhe dialogu me Serbinë po shihen si çështje me të cilat do të përballet Kosova deri më datë 17 shkurt (ditën e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë).
Si arsyeja e vetme për festë në përvjetorin e tetë të Pavarësisë do të ishte rekomandimi eventual i Brukselit që Kosovës t’i hiqen vizat. Me gjithë pritjet se aktgjykimi i Kushtetueses mbi parimet e Asociacionit do të ndikojë në kthimin e normalitetit, kjo nuk ndodhi.
Qeveria refuzon ta hedhë poshtë marrëveshjen e 25 gushtit, duke premtuar se frymën e Kushtetutës do ta rikthejë me Dekretin qeveritar dhe Statutin e Asociacionit, përfundon citimi nga gazeta.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Edhe gazeta Zëri në kryetitullin në ballinë sot ka një paralajmërim: “Opozita do ta bllokojë Specialen”, ku theksohet se “çdo iniciativë që vjen nga qeveria, do të kundërshtohet dhe do të bllokohet”.
Kjo gazetë shkruan se, tre partitë opozitare që kanë formuar aleancën anti-qeveri kanë paralajmëruar bllokim të seancave plenare edhe atëherë kur pritet të vihet në votim ratifikimi i marrëveshjes me Holandën për selinë e Gjykatës Speciale. Sipas përfaqësuesve të opozitës, bllokimi i seancave plenare do të vazhdojë pavarësisht presionit ndërkombëtar, por edhe rëndësisë së seancave.

Në këtë vazhdë, ata thonë se do ta pengojnë edhe ratifikimin e marrëveshjes me Holandën për selinë e Gjykatës Speciale, e cila parimisht është vendosur të jetë në Hagë. Për këtë seli janë pajtuar përfaqësuesit e shtetit holandez, por që kjo të jetësohet kërkohet që marrëveshja të ratifikohet me shumicë votash, në dy Parlamentet, të Kosovës dhe të Holandës.

Tre partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, janë shprehur të vendosura për të kundërshtuar çdo iniciativë të Qeverisë, derisa vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Opozita e bashkuar edhe një herë ka nënvizuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel po shkelin integritetin e vendit dhe Kushtetutën, shkruan gazeta.
Ndërsa, gazeta Epoka e Re paralajmëron në kryetitullin e ballinës se, “Zgjedhjet në Serbi imponojnë edhe zgjedhjet në Kosovë”.
Sipas gazetës, njohësi i rrethanave politike në vend, Milazim Krasniqi, ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve në Serbi do t’i imponojë edhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
Ai ka deklaruar se një gjë të tillë do ta imponojë Bashkimi Evropian për nevojat e veta në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Në bisedë për gazetën, Krasniqi ka treguar se zgjedhjet në Kosovë do të mbahen tek pas funksionalizmit të Gjykatës Speciale. “Mendoj se zgjedhjet në Serbi do t’i imponojnë edhe zgjedhjet në Kosovë. Jam i bindur që kjo do të ndodhë për shkak të një qëndrimi që do ta formulojë BE-ja për nevojat e veta”, ka thënë Krasniqi, duke përmendur edhe arsyet konkrete pse BE-ja do ta kërkojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. “Së pari, BE-ja Kosovën dhe Serbinë, veçmas në procesin e Brukselit, në njëfarë forme i trajton si motra siameze. Pra, që janë të lidhura shpinë për shpine dhe në bazë të këtij procesi ato shihen se si mund të avancojnë derisa të shkëputën përfundimisht nga njëra-tjetra. Së dyti, mendoj se ndikimi i politikës serbe, fatkeqësisht në Kosovë, është shumë më i madh sesa që pranohet publikisht në Kosovë dhe kjo ka interferimet e veta jo vetëm në komunitetin serb, por edhe në gjithë Kosovën”, ka deklaruar Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka sqaruar se me zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe Kosovë, BE-ja do të dëshironte ekipe të reja me mandat të ri për proceset e ardhshme.
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Dimër me dëborë e acar në Prishtinë – ndërtesat e Qeverisë e Kuvendit të Kosovës

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kosove, Kuvendi, ne situate, te ngrire

Kosovë-qeveria: Shuhet “Mbrojtja civile”

January 11, 2016 by dgreca

-Sot janë integruar 378 ish pjesëtarë të mbrojtjes civile në institucionet qendrore të Kosovës duke e kompletuar numrin prej 483 personave të integruar/
-Ministrja kosovare e Dialogut, Edita Tahiri: Shuarja e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, e cila ka ndodhur sot, shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se sot është shuar e ashtuquajtura “Mbrojtje civile” (“Civilna zaštita” – strukturë ilegale paralele serbe në veri) në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje të datës 26 mars 2015. Ish pjesëtarët e kësaj strukture gjithsejtë 483 janë integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor. Sot kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet qendrore të Kosovës gjithsejtë 378 ish pjesëtarë të “Mbrojtjes civile” ndërsa më herët në tetor të vitit të kaluar 105 të tjerë.
Me këtë rast ministrja kosovare e Dialogut, Edita Tahiri, ka deklaruar se shuarja e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, e cila ka ndodhur sot, shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, e cila u mundësua duke iu falënderuar Dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjes për shuarjen e mbrojtjes civile.
“Sot janë integruar 378 ish pjesëtarë të mbrojtjes civile në institucionet qendrore të Kosovës duke e kompletuar numrin prej 483 personave të integruar, duke qenë se më herët ishin integruar 105 persona. Integrimi i këtyre personave në sistemin e Kosovës, të cilët nënshkruan kontratat e punës me institucionet e Kosovës, është një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të objektivave të Qeverisë së Kosovës për konsolidimin e sovranitetit dhe normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të kësaj pjese jetën publike dhe shoqërore”, tha ministrja kosovare.
Ne, si Qeveri e Kosovës, vijoi Tahiri, konsiderojmë që progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit është i një rëndësie strategjike, duke marrë parasysh se që nga fundi i luftës jemi ballafaquar me këtë sfidë dhe të cilën ne si Qeveri po e zgjidhim në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi.
“Dialogu i Brukselit po tregohet një instrument i rëndësishëm që po ndihmon Kosovën për forcimin e sovranitetit shtetëror në çdo cep të vendit, ku roli i BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë është vendimtar”, theksoi ajo.
Ministrja, Edita Tahiri, po ashtu bëri me dije Ministria për Dialog kishte bërë të gjitha përgatitjet dhe koordinimet e nevojshme me të gjitha institucionet qendrore si dhe me BE-në, e cila rezultoi me sukses dhe ceremonia e nënshkrimit të kontratave të përfundoi me dinamikat e parapara.
“Ceremonia është zhvilluar nën koordinimin e zyrtarëve të qeverisë, Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë kosovare të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Dren Zeka, këshilltar kryesor i ministres për Dialog si dhe është mbajtur në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore. Po ashtu, vlerësojmë bashkëpunimin dhe gatishmërinë për integrim të ish-pjesëtarëve të kësaj strukture nën koordinimin e Milenko Milentijeviç dhe EULEX-in”, tha ministrja.
Ajo theksoi se, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, 378 personat që nënshkruan sot kontratat e punës me institucionet e Kosovës do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016.
Tahiri po ashtu potencoi se Kosova me përkushtim e përmbushi këtë Marrëveshje të Brukselit si edhe të gjitha të tjerat.
“Tash është radha te Serbia që t’i ndal pagat për këta pjesëtarë dhe të shfuqizoj ligjërisht këtë strukturë ilegale si dhe të bëhet dorëzimi i objekteve tek institucionet e Kosovës. Ne do të presim konfirmimin e BE-së që Serbia do t’i kryejë këto obligime. Vlen të theksohet se pjesa e marrëveshjes për mbylljen e pikave të vëzhgimit në veri, të depove dhe dorëzimi i pajisjeve dhe ndalja e përdorimit të uniformave është kryer tashmë”, tha ministrja kosovare e Dialogut.
Nga Kryeministria kosovare njoftohet edhe plani për integrim, ku pasqyrohet lista institucioneve qendrore dhe numri i personave të integruar/punësuar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, mbrojtja civile, shkrihet

Kosovë-Policia, plan operativ para protestës së opozitës

January 8, 2016 by dgreca

-Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike/
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Policia e Kosovës deklaroi sot se, “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, e cila pritet të mbahet nesër, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.
“Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është: Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit; Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës; Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.”, thekson deklarata e dërguar.
Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”, theksohet më tej.
Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të protesteës së nesërme të opozitës./b.j/
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina sot, nje dite para protestes se opozites ne 9 janar 2016

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, masat e policise, PROTESTA E OPOZITES

Kosovë: Dënohet dëmtimi i varrezave të komunitetit katolik

January 3, 2016 by dgreca

Në Kosovë, autoritetet dënuan një incident në një fshat të komunës së Prizrenit ku në rrethana të panjohura janë dëmtuar disa varreza të shqiptarëve të besimit katolik.
Policia në Prizren tha se është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë incident por ende nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm. Incidenti ka ndodhur ne fshatin Dedaj të kësaj komune dhe sipas mbishkrimeve në pllakat e dëmtuara shihet varrezat i takojnë një familjeje të këtij fshati.
Qeveria e Kosovës dënon ashpër dëmtimin e varrezave. Në një reagim të saj thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan se thyerja e varrezave “është vepër kriminale dhe përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë, e cila ka kohë që është shembull për shumë vende në rajon dhe më gjerë. E dënoj ashpër këtë akt qyqar dhe kërkoj që organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”.
Në reagimin e zotit Haradinaj thuhet se “varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askënd që t’i rrezikojë këto vlera. Unë dua të besoj se kjo është vepër e kriminelëve dhe keqbërësve ordiner, por pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e kryetarit të AAK-së.
Kosova është vlerësuar shpesh si shembull i tolerancës fetare, një nam që është sfiduar në disa raste kohët e fundit, në radhë të parë për shkak të ndikimit nga luftërat në Lindjen e Mesme.(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: demtohen, Kosove, Prizren, varrezat katolike

Kosovë-Viti 2016 për rritje ekonomike dhe stabilitet

January 2, 2016 by dgreca

-Buxheti i Shtetit të Kosovës plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar/*
-Ministri i Financave, Avdullah Hoti: Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 2 Janar 2016/ Buxheti i Shtetit për vitin 2016, i miratuar edhe në Kuvend brenda afatit ligjor, është në linjë të plotë me objektivat e qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike e stabilitet buxhetor dhe është plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti.
“Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014. Për vitin 2016, shpenzime bazë parashihet të jenë 1 miliard e 678 milionë euro”, bëri të ditur ai.
Në konferencën për shtyp të fundvitit dhe pritjen për gazetarë, ministri Hoti theksoi se, nga gjithsej 76 projektligje të miratuara nga qeveria, 17 prej tyre janë përgatitur nga Ministria e Financave, që është 22% e programit legjislativ të realizuar nga qeveria gjatë këtij viti. Për krahasim, në vitin 2014 Ministria e Financave kishte përgatitur 7 projektligje.
“Në 64 mbledhjet e rregullta të qeverisë në 2015-tën, janë trajtuar 569 pika të rendit të ditës, prej të cilave 99 pika – 17% kanë qenë të Ministrisë së Financave”, tha ministri, duke bërë të ditur edhe se kjo Ministri ka proceduar 27 çështje të ndryshme në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, ndërsa 54 në Komitetin për Partneritet Publiko-Privat.
“Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet kemi të hyra 9% më shumë nga Dogana e Kosovës, e cila mbledh 946 milionë euro, dhe 12% – 36 milionë më shumë nga Administrata Tatimore. Në total, gjatë këtij viti mblidhen 113 milionë euro më shumë se vitin 2014”, thekohet në statistikat e raportit vjetor 2015 të Ministrisë së Finacave.
Ministri Hoti bëri të ditur se, në programin e qeverisë së Kosovës 2014-2018 është planifikuar që të bëhet unifikimi i Doganave dhe Administratës Tatimore në një Agjenci të përbashkët të të hyrave. “Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, ka miratuar planin inicial për këtë reformë të madhe. Është themeluar Grupi Koordinues me përfaqësues të Doganës dhe Administratës Tatimore dhe ekspertë të jashtëm e vendorë. Planifikohet që procesi i bashkimit të Doganës dhe Administratës Tatimore të përfundojë në fund të vitit 2016 dhe Agjencia e të Hyrave të fillojë punën në 2017-ën”, tha ai.
Ministri Hoti më tej theksoi se, Buxheti i vitit 2015 ekzekutohet në nivel prej 95.5% që është shkallë mjaft e lartë e ekzekutimit dhe se, viti përmbyllet me deficit sipas rregullës fiskale dhe në përputhje me marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ka filluar pagesa e përvojës së punës për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Si rezultat, janë rritur pagat mesatarisht nga 3% deri në 22%. Kjo rritje e pagës ka kushtuar rreth 30 milionë euro shtesë që nuk kanë qenë të planifikuara, por që kanë ardhur nga kursimet. Kursimet e bëra na kanë mundësuar që të rrisim nga muaji nëntor asistencën sociale me 25% për 27 mijë familje që janë në këtë skemë. Për herë të parë kemi filluar me pagesën e pensioneve për veteranën e luftës të UÇK-së në vlerë prej 170 euro në muaj”, tha ministri Hoti.

Ai vlerësoi se, një arritje e konsiderueshme ishte hyrja në program 22 mujor me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Programi parasheh shumë reforma fiskale, ekonomike e financiare, me objektivin kryesor ruajtjen dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjen më të madhe të ekonomisë”, tha ministri i Financave të Kosovës.
Duke folur për reformat ekonomike dhe efektet e tyre, ministri Hoti tha se kjo është qeveria e parë që ka filluar punën me Program Qeverisës katërvjeçar të proceduar dhe të aprovuar në Kuvendin e Kosovës.
“Ky program përmban objektivat konkrete që ka ky koalicion qeverisës. Në fillim të këtij viti, për herë të parë kemi aprovuar ‘Programin për Reforma Ekonomike’ dhe e kemi dërguar në Komisionin Evropian. Ky është një dokument që elaboron reformat afatmesme ekonomike e fiskale që do të ndërmerrë qeveria”, u shpreh ministri i Financave.
Ndërsa, lidhur me mrrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim financiar, teknik dhe ekonomik, Hoti tha se janë nënshkruar 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar në vlerë totale prej 143 milionë euro, prej të cilave 107 milionë janë kredi dhe 36 milionë euro grante.
“Ministria e Financave ka bashkëpunuar me Ministrinë e Integrimeve Evropiane për të themeluar Këshillin Kombëtar të Investimeve (KKI), i cili është një nga kriteret e BE-së për bashkëfinancim me fondet IPA”, tha ministri Hoti.
Ai vijoi se, Ministria e Financave ka luajtur rol kyç në përgatitjen dhe konfirmimin e aplikacionit për grant nga BE lidhur me financimin deri në 51% të Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.
“Listat Prioritare të Projekteve janë përpiluar për herë të parë për sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë. Ministria e Financave, përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve ka dërguar në Kornizën e Ballkanit Perëndimor (ËBIF) tri aplikacione për studim të fizibilitetit, të cilat janë aprovuar dhe janë ndarë 1.5 milionë euro për të bërë studimin e fizibilitetit për kanalin e Ibër-Lepencit përgjatë lumit Lepenc”, tha Hoti.
Ai bëri të ditur edhe se, Agjencia për Prokurime të Centralizuara, që funksionon brenda Ministrisë së Financave, për herë të parë pas shumë vitesh ka filluar me prokurime të centralizuara bazuar në Udhëzimin Administrativ të miratuar në qeveri në fillim të vitit 2015.
“Me këtë është plotësuar vërejtja e Komisionin Evropian e paraqitur vazhdimisht në Raportin e Progresit. Në vitin e ardhshëm, ne do të zgjerojmë numrin e organizatave buxhetore të përfshira në prokurime të centralizuara dhe listën e mallrave që do të prokurohen në mënyrë të centralizuar”, tha ministri Hoti.
Ministri i Financave bëri të ditur edhe se, Buxheti 2016 për shpenzime kapitale prej 463 milionë euro mundëson financimin në ndërtime në 39 shkolla në mbarë vendin, të objekteve për universitetet e reja në Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Pejë, të 25 objekteve sportive, 4 qendrave rinore, 24 objekteve të ndryshme në shëndetësinë primare, sekondare dhe terciare, 15 objekteve të kulturës dhe artit, mbi 116 rrugëve të ndryshme rajonale dhe lokale në tërë Kosovën, financimin e mëtejmë të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe të projekteve të tjera – mbi 30 në ujëra dhe mbrojtje të mjedisit.
Janë bërë rritje të financimit edhe për pajisje të nevojshme për Forcën e Sigurisë të Kosovës drejt transformimit në Forcë të Armatosur të Kosovës.
“Kemi rritur buxhetin për Forcat e Sigurisë së Kosovës me 9%, për modernizim dhe përmbushje të standardeve për transformimin e kësaj force në ushtri”, theksoi ministri Hoti.
*Foto Gazeta Dielli: Ministri i Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli – Behlul Jashari, në pritjen pas konferencës për shtyp të fundvitit 2015

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, ministri Hoti, rritje ekonomike, Viti 2016

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT