• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës feston jubileun e 40 vjetorit

December 18, 2015 by dgreca

-Kosova, partneritet me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në/
-Pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot/
-Akadamia e Shkencave e Shqipërisë uron në 40 vjetor Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës/

Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 18 DHJETOR 2015/ Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka festuar sot 40 vjetorin me një veprimtari solemne në Prishtinë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, kryetarë e përfaqësues të tjerë akademishë nga vendet e rajonit e më gjerë, përsonalitete të shquara.

JAHJAGA: AKADEMIA NË NDËRTIMIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS DHE FORCIMIN E DEMOKRACISË TONË TË RE

“Ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Prandaj, vijoi ajo, kujtoj me shumë pietet dhe përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë tonë.
“Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve”, theksoi Jahjaga.
Shtetbërja e Kosovës, vijoi ajo, bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë.
t“Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore”, tha Presidentja kosovare.

Akademia, vlerësoi Jahjaga, ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re.

“Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin!”, u shpreh ajo.

Ne, theksoi Presidentja Jahjaga, nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t’ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë.

“Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë. E kemi obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, që ta kompletojmë dhe ta përmbyllim konsolidimin tonë si shtet”, tha ajo.

Andaj, vijoi Jahjaga, them që Akademia dhe intelektualët anëtarë të saj kanë rol për të luajtur – në kohën kur na duhet më shumë besim në vetvete se dallimet mund t’i tejkalojmë duke mësuar se dialogu është zgjidhja e vështirësive të sotme; në kohën kur duhet kuptuar se ndërtimi i shtetit të së drejtës shmang rrugën si zgjidhje dhe ofron zgjidhjet brenda institucionit; pa kushte, pa hasmëri dhe pa frikë ndaj njëri-tjetrit; në kohën kur na duhet më shumë pajtim mes nesh për rolin tonë në dialogun me Serbinë, më shumë besim se rruga jonë e bërjes së shtetit nënkupton përafrim me BE-në, një realitet që bashkon të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
“Por, ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së: jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës”, tha Jahjaga.
Megjithëkëtë, vijoi ajo, ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë.
“Kemi hasur në vështirësi, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona është rrugë dykahëshe, e dy bashkëbiseduesve, që ndihmon pajtimin ndërmjet dy popujve tanë dhe që hap shtegun drejt BE-së, që duhet ta mbajë të hapur perspektivën e rajonit në përgjithësi”, tha Presidentja e Kosovës.
Andaj, vijoi ajo, Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin.
“Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ky përvjetor dëshmon misionin tuaj për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi por edhe më gjerë.
Dhe mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja. Paqi fat!”, përfundoi Presidentja e Kosovës, Jahjaga.

KRYEMINISTRI MUSTAFA: ASHAK-U ROL ESENCIAL PËR PROGRESIN E KOSOVËS NË TË GJITHA RRAFSHET

Kryeministri Isa Mustafa, në manifestim ka përcjellë përshëndetjet dhe urimet e qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të dyzet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se duke shërbyer si prijëse e shkencës dhe dijes së dobishme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm në progresin shkencor, kulturor dhe të arteve në Kosovë.

“Në të njëjtën kohë, roli dhe aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia jonë, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, duke ecur sigurt në rrugën e integrimeve të mëdha evropiane dhe euroatlantike, populli i Kosovës i lirë dhe i përcaktuar për demokraci, shoqëri progresive dhe zhvillim”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë qenë akademikët ata të cilët, duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik, me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike, kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi të mund të qëndronte fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë.

“Si qendër dhe shoqëri e edukimit dhe shkencës, puna e Akademisë ka ndikuar dhe ka krijuar dijetarët dhe ekspertët tanë në të gjitha fushat akademike, politike, shtetformuese, qeverisëse, ekonomike dhe zhvillimore. Këta akademikë veprimtarë dhe mentorë të vyeshëm, sot këtu dhe ata që nuk janë sot me ne, janë autorët e letrave të pavarësisë, të cilët ruajtën dhe kultivuan frymën liridashëse dhe idenë e progresit”, tha kryeministri.

Mustafa, po ashtu, theksoi se në kohën e sotme të zhvillimeve globale, shkenca dhe arti, si çdo dimension tjetër jetësor, po bëhen më të afruara dhe më të lidhura globalisht.

“Si rrjedhojë, Akademia jonë po inicion gjithnjë e më shumë projekte ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të cilat po e bëjnë shkencën dhe dijen e Kosovës, pjesë të kulturës dhe dijes botërore, ndërsa po i bëjnë vlerat tona pjesë të humanizmit, bazuar në parimet etike. Prandaj, sot jam i lumtur që si anëtar i kësaj akademie, përcjell përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për t’u bërë pjesë e rëndësishme e shkencës dhe botës shumëkulturore”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa ka falënderuar dhe përkujtuar me respektin më të thellë të gjithë ata studiues që për shumë dekada me punën e tyre kanë kontribuuar që shkenca, arti, dija dhe kultura e Kosovës të ndriçohet, të avancohet, dhe që këto vlera të shfaqen dhe komunikohen kudo nëpër botë.

VESELI: TË QENIT NË SHËRBIM TË LIRISË ËSHTË NDERI MË I MADH PËR NJË INSTITUCION TË SHKENCËS DHE ARTIT

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.

Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.

“Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.

Duke iu drejtuar akademikëve, kreu i Kuvendit tha se ata duhet të ndihen krenarë me punën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Sot, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, shtoi Veseli. Ai tha se liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton dhe se duhet punuar për lirinë e kuptuar si zhvillim.

Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend”, tha kryeparlamentari Veseli.
Në manifestimin festiv, të hapur me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin e Shtetit të Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami tha se, “40 vjet histori të këtij institucioni mund të mos duken shumë në jetën e akademive me traditë të gjatë, por për ne janë si katër shekuj të përshkuar me shumë specifika, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve të gjera politike dhe shoqërore në Kosovës dhe në vetë shtetin”.
Ai vijoi se, “kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni, deri te përpjekja për zhbërje biologjike, turbulencat që shembën shoqërinë kosovare dhe që më në fund sollën pavarësinë e shtetit më të ri në botë, janë ngjeshur dhe pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi”.
Kryetari Islami theksoi se, “Akademia në asnjë rast nuk mund të involvohet në diskutime të politikës së ditës, duke mbledhur rreth vetës shkencëtarët, ekspertët dhe elitën e krijimtarisë artistike, dijen dhe vizionin e tyre ajo mund t’i vërë në dispozicion të zhvillimit të mendimit kritik shkencor dhe artistik dhe të ofrojë zgjidhje për shumë çështje madhore të shoqërisë, por vetëm mbi bazë të argumenteve shkencore dhe jashtë ritmeve të ndodhive ditore”.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk do ta ndjekë kurrë modelin e Akademisë Serbe, e cila me veprimet e saj u shkaktoi tragjedi të mëdha miliona njerëzve”, tha Islami.
Gjatë vitit 2015, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur akademikët Mark Krasniqin, Esat Stavilecin, Pajazit Nushin.

AKADAMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË URON NË 40 VJETOR AKADEMINË E SHKENCAVE E TË ARTEVE TË KOSOVËS

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti, në një veprimtari festive sot në Prishtinë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit kosovar, uroi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e 40 vjetorit të themelimit, duke theksuar rëndësinë dhe bashkëpunimet e dy institucioneve të larta kombëtare.

“Rrugëtimi, zhvillimi, rritja, konsolidimi i Akademisë së Shkenaceve dhe të Arteve të Kosovës, institucionit më të lartë shkencor e të artit të Kosovës është një eveniment i veçantë në historinë e kombit tonë, shumë të vjetër historikisht por të rinj si shtete”, u shpreh ai.
Akademik Korkuti theksoi se, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, së bashku me motrën, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e themeluar 43 vite më parë, janë dy shtylla, dy institucione të mirëfillta shkencore të pavarura, që kanë në themel studimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën kombëtare.
“Themelimi i Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës erdhi si rezultat i zhvillimit shkallë-shkallë të disa institucioneve pedagogjike e shkencore të kerkimeve albanologjike”, përkujtoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademik Korkuti për jubileun e 40 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetarin e saj akademik Hivzi Islamin kishte sjellë dhuratë një komplet veprash të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është themeluar me Ligj të veçantë të Kuvendit kosovar në 20 dhjetor të vitit 1975, në kohën kur me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova avancoi dhe arriti mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete, mes të cilave Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete anëtare të OKB-së.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 40 vjet, Akademia e Shkencave, Behlul Jashari, Kosove

Kosovë-Veriut, projekte 2.5 milionë euro nga Fondi për Zhvillim

December 16, 2015 by dgreca

Four Northern Kosovo municipalities awarded projects worth 2.5 million euros from Development Fund/

PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Bordi Menaxhues i Fondit për Zhvillim i ndau mbi 2.5 milionë euro për komunat në veri të Kosovës gjatë takimit të mbajtur sot në Prishtinë.Mbi 900.000 euro i janë ndarë komunës së Mitrovicës së Veriut për ndërtimin e sallës sportive. Bordi më parë i kishte ndarë 1.6 milionë euro për këtë komunë në muajin shtator. Këto fonde do të shfrytëzohen për të ndërtuar një qendër të brigadës se zjarrfikësve, për të përkrahur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për shpronësimin e tokës ku do të ndërtohet ndërtesa e re e komunës. Në përgjithësi, Mitrovicës së Veriut i janë ndarë mbi 2.5 milionë euro për katër projekte.

Bordi vendosi që të ndajë pothuajse 500.000 euro për komunën e Zveçanit për tre projekte. Këto fonde do të shfrytëzohen për të përkrahur organizatat e shoqërisë civile përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore, për të zhvilluar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), fermat e vogla dhe prodhimin e qëndrueshëm bujqësor. Për më tepër, muajin e kaluar, Bordi ia ndau komunës së Zveçanit 350.000 euro për shpronësimin e tokës për një rrugë që ofron qasje për te deponia. Deri më tash Zveçanit i janë ndarë afro 850.000 euro për katër projekte.Komunës së Zubin Potokut i janë ndarë rreth 1.4 milionë euro për tri projekte. Fondet do të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik të komunës, ndërtimin e një pishine dhe rindërtimin e shtegut të atletikës, si edhe për rehabilitimin e rrugëve lokale.

Komunës së Leposaviçit i është dhënë 140,000 euro për blerjen e pajisjeve për çerdhen në Leshak.Katër komunat gjithashtu kanë dorëzuar një numër të koncept dokumenteve, të cilat do të zhvillohen në projekt propozime dhe do të shqyrtohen në takimin e ardhshëm të Bordit në janar të vitit 2016.Fondi për Zhvillim i nxjerrë të hyrat nga taksat e mbledhura në pikat kufitare të Jarinjës/Rudnicës dhe Tabavinjës/Bernjakut. Të hyrat e mbledhura deri më tani arrijnë vlerën prej 8 milionë euro dhe shfrytëzohen për përkrahje të zhvillimit socio-ekonomik të komunave në veri të Kosovës.Funksionimi i Fondit vendoset nga Bordi Menaxhues i përbërë nga Samuel Zhbogar, Kryesues i Bordit në cilësinë e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti në emër të autoriteteve kosovare dhe Danijela Zubac në emër të komunitetit serb, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e BE-së në Kosovë.Të katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviçi janë të banuara me shumicë nga komuniteti serb.

Four Northern Kosovo municipalities awarded projects worth 2.5 million euros from Development Fund/

PRISTINA, 16 December 2015 – The Management Board of the Development Fund awarded over 2.5 million euros to Kosovo’s four northern municipalities at its meeting in Pristina today.

Over 900.000 euros were awarded to the municipality of North Mitrovica for the construction of a sports hall. The Board previously allocated 1.6 million euros to this municipality in September. These funds will be used to build a fire brigade centre, support small and medium sized enterprises, as well as for the expropriation of land to construct a new municipality building. In total, North Mitrovica has been awarded over 2.5 million euros for four projects.The Board decided to allocate almost 500.000 euros to the Zvecan municipality for three projects. The funds will be used to support civil society organisations through sports and cultural activities, develop small and medium size enterprises (SMEs), small farms and sustainable agricultural production. In addition, last month the Board awarded Zvecan municipality 350.000 euros for land expropriation for an access road to a landfill site. To date, Zvecan has been awarded close to 850.000 euros for four projects.

The Zubin Potok municipality has been awarded almost 1 million euros for three projects. The funds will be used for construction of a swimming pool and reconstruction of an athletic arena, as well as for the rehabilitation of local roads.

The municipality of Leposavic was awarded 140.000 euros for the purchase of equipment for the kindergarten in Lesak.

The four municipalities also submitted a number of concept notes, which are to be developed into project proposals and reviewed during the next Board meeting planned in January 2016.

The Development Fund derives its revenues from taxes collected at the Jarinje/Rudnica and Tabavije/Brnjak crossing points. The revenues collected so far amount to over 8 million euros and are used to support socio-economic development of the northern Kosovo municipalities.

The operation of the Fund is decided by the Management Board composed of Samuel Žbogar, Chair of the Board in his capacity as the EU Special Representative in Kosovo, Kosovo Minister of Finance Avdullah Hoti on behalf of the Kosovo authorities, and Danijela Zubac on behalf of the Serb community.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: 2.5 milion Euro, Fondi per zhvillim, Kosove, veriu

Gjermania i jep Kosovës grant në vlerë prej 17 milionë euro

December 15, 2015 by dgreca

 -Marrëveshja për Bashkëpunim Financiar për vitin 2015 për dallim nga viti i kaluar ku kishte edhe kredi, përfshinë vetëm pjesën grant në vlerë prej 17 milionë euro për financimin e disa projekteve të rëndësishm/PRISHTINË, 15 Dhjetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Financiar 2015 (“Projekti i subvencioneve”), e cila  marrëveshje u nënshkrua sot nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets. Marrëveshja për Bashkëpunim Financiar për vitin 2015 për dallim nga viti i kaluar ku kishte edhe kredi, përfshinë vetëm pjesën grant në vlerë prej 17 milionë euro për financimin e disa projekteve të rëndësishme, siç janë:1.“Mbështetja e sektorit të energjisë, faza e VIII – Përmirësimi i sistemeve të ngrohjes komunale në Prishtinë”, në vlerë prej pesë milionë euro, projekt ky i cili mundëson zgjerimin e rrjetit të Termokosit në Komunën e Prishtinës (këtu presim që edhe BE-ja të ndaj nga fondet IPA edhe nëntë milion, një milion do të jenë nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës duke e sjellë totalin e projektit për zgjerim në 15 milionë euro). Termokosi është një storie e suksesit ku Qeveria, komuna, donatorët dhe kreditorët jemi bashkuar dhe tani kemi një rezultat ku ndërmarrja nga subvencionet tani ka përmirësuar kualitetin e shërbimit për qytetarë dhe mund të kontribuoj në zgjerim të rrjetit me afarizmin që po e zhvillon;

2.      “Shkarkimi i ujërave të zeza në jug-perëndim, faza e pestë”, në vlerë prej tetë milionë euro. Ky projekt mundëson incizimin e rrjetit me metodë të avancuar të Geographic Information Systems (GIS) që do të mundësoj edhe ndarjen e ujërave atmosferike nga ujërat e zeza për Komunat e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, në të cilat qytete impiantet për trajtimin e ujërave të zeza veçse janë duke u ndërtuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane,  si dhe

 3.      “Programi për menaxhimin e mbeturinave”, në vlerë prej katër milionë euro, projekt ky i cili do të ndihmoj komunat e përzgjedhura nga GIZ-i që të investojnë në menaxhim të mbeturinave. Ky projekt ka për qëllim zvogëlimin e numrit të deponive joformale të mbeturinave në Kosovë dhe përmirësimin e nivelit të riciklimit të mbeturinave. Projekti përfshin masat që synojnë strukturimin, grumbullimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave. Nga ky projekt pritet që në veçanti të përfitojnë komunitetet e vogla që shpesh janë nga komunitetet pakicë, e të cilat në mënyrë jo formale janë të angazhuara në sektorin e mbeturinave. Pra, një nga qëllimet tjera të këtij projekti është që të lëvizet në punësim formal në këtë sektor. Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “Ministria e Financave në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka paraparë nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim financiar për vitin 2015. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm si rezultat i mungesës së marrëveshjes kornizë, e cila do të definonte bazën për negocimin e çdo marrëveshje financiare me këtë Qeveri, dhe me këtë rast ju njoftoj se arritja e marrëveshjes kornizë me shtetin gjerman veçse është në proces”.

 “Këto projekte paraqesin rëndësi të madhe për vendin dhe qytetarët e saj. Andaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të veçanta financiare për grant për këto projekte të lartë përmendura”, tha Ministri Hoti. Ai gjithashtu theksoi se “ Së bashku me Qeverinë Gjermane jemi në përmbyllje të procesit për finalizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes kornizë, konkretisht negociatat janë përfunduar dhe jemi në pritje të konfirmimit të draftit final të marrëveshjes nga ana e Qeverisë Gjermane. Andaj, shfrytëzoj rastin që të falënderoj Ambasadoren dhe stafin e saj për bashkëpunimin e shkëlqyer të ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve.

 Ndërsa, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, tha se “Përmes këtyre projekteve Gjermania dëshiron të përkrahë Republikën e Kosovës të ofrojë perspektivë për qytetarët e saj në vendin e tyre. Furnizimi stabil me ujë dhe furnizimi i pandërprerë me ngrohje gjatë dimrit janë shërbime të rëndësishme për qytetarët e Kosovës“./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: 17 Milion E, Gjermania ndihmon, Kosove

Kosovë, dy deputetë të VV arrestohen

December 8, 2015 by dgreca

-Policia ka arrestuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës deputetin Faton Topalli, ndërsa deputeten Albulena Haxhiu teksa po shkonte në një tubim në Gjilan/ PRISHTINË, 8 Dhjetor  2015/ Mbërrin në dy numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës të arrestuar sot, që të dy nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje. Sapo njoftohet se, Policia e Kosovës ka arrestuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, deputetin Faton Topalli. Ndërsa, paradite u arrestua deputetja Albulena Haxhiu, teksa po shkonte në një tubim në Gjilan.Dje, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pas orësh qëndrimi i ftuar në Polici dhe Prokurori, është liruar me procedurë të rregulltë.Në 30 nëntor, arrinte në pesë numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës të arrestuar, pasi policia konfirmonte shoqërimin në stacionin policor të Ismail Kurteshit e Fisnik Ismaili të VV dhe Haxhi Shalës së Nisma-s.Më parë, është arrestuar në selinë e VV-së Albin Kurti,  Donika Kada Bujupi e AAK është arrestuar  në shtëpinë e saj,  ndërsa kërkoheshin dy të tjerë – Albulena Haxhiu e Faton Topalli, të VV.  Për këta deputetë kishte fletë arreste pas zhvillimeve në Kuvend me gaz lotsjellës dhe përplasje tjera.Në reagime opozita sot thekson se, “veprimet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit. Opozita e bashkuar nuk do të ndalet deri në tërheqjen e marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe për demarkacionin me Malin e Zi”.Sipas opozitës, “Kosova sot është përballë një problemi politik, një krize politike, një krize parlamentare dhe logjika që problemet politike të zgjidhen me mjete policore nuk mund të interepretohet ndyshe përpos si shtypje e lirive politike”.“Arrestimi i deputetëve ka qenë një veprim i nxituar, dhe përgjegjësinë për këtë e mbajnë vetë urdhërdhënesit, të cilët kanë rënë në kurthin që e kanë ngritur vetë. S’ka shtet normal që mban kaq shumë deputet në burg, në të njejtën kohë”, thuhet në reagimet e opozitës./b.j/

Ne foto:Deputeti Faton Topalli, ne mes

Filed Under: Kronike Tagged With: Arrestohen, dy deputetë të VV, Kosove

Kerry: Përkushtim i fuqishëm i SHBA-ve për Republikën e pavarur të Kosovës

December 2, 2015 by dgreca

-Mos u gaboni, theksoi Sekretari amerikan Kerry, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës/

Nga Behlul Jashari/  PRISHTINË, 2 Dhjetor 2015/ Në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës, tha sot në Prishtinë Serkretari amerikan i Shtetit John Kerry në konferencën për shtyp ku foli edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas takimit.

“Po i shoh gjithë këto shenja, flamuj. E pash edhe posterin, i cili dukej aq fuqishëm, aq impresiv. Dhe, po ashtu, Gardën e Nderit kur erdha, dhe me të vërtetë është shenjë e miqësisë dhe respektit, dashurisë për vendin tonë. Prandaj, jam shumë mirënjohës për gjithë këto gjeste. Dëshiroj t’iu falënderoj edhe në emër të të gjithë atyre në Shtetet e Bashkuara të cilët e kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjellë”, theksoi Sekretari amerikan Kerry.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu në Prishtinë, dhe ju kërkoj ndjesë paraprakisht të gjithëve për këtë vizitë të shkurtër, pasi që Kosova meriton një vizitë më të gjatë nga Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, dhe do ta ketë një të tillë. Ju premtoj se do të kthehem kur të kem pak më shumë kohë.Por, mendova se është e rëndësishme, meqenëse jam duke shkuar në Beograd, dhe do të takohem me kryeministrin e Serbisë, i cili është pjesë e dialogut, dhe dëshirova që të flas me të dy palët e dialogut.

Mendova se është me të vërtetë e rëndësishme që të vija këtu, të sigurohem që Kosova e kupton se ne kemi respekt dhe jemi të përkushtuar për këtë proces. Për këtë arsye, në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, tha Sekretari Kerry.

Siç e tha edhe kryeministri, vijoi ai, sapo e përfunduam një takim shumë produktiv, gjatë kësaj kohe që e patëm, së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Stojanoviç, folëm për një varg çështjesh, çështje ekonomike, të sigurisë, të tranzicionit, të demokracisë, të sfidave në Kuvend, si dhe folëm edhe për mundësitë.

“E dimë se ka një popullatë të re këtu, nën moshën 30 vjeç. Ndoshta 60 për qind e popullatës është nën moshën 30 vjeç, dhe njerëzve ju duhen vende pune dhe kanë nevojë për vende pune. Dhe unë jam këtu që të them që edhe kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë në rrugë të duhur për t’i dhënë ato mundësi.

Nevojitet pakëz durim, punë, dhe natyrisht këto duhet të ndodhin. Por fakti qëndron se ka mundësi të shumta për kosovarët, për njerëzit e këtij rajoni, dhe ka shumë mënyra që kombet tona t’i përmbushim ato mundësi, nëse punojmë bashkërisht”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Siç e përmendëm pasdite sot, vijoi ai, Kosova me të vërtetë ka arritur përparim të fuqishëm në rrugën e integrimeve të plota euroatlantike.

“Dhe nënshkrimi i kohëve të fundit i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Këto të arritura janë rezultate të drejtpërdrejta të gatishmërisë së Kosovës për të bërë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Serbinë.

Dhe jemi të vetëdijshëm që Marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar, nuk janë të lehta, kanë qenë vendime të vështira politike. E kuptojmë këtë. Por aftësia për të marrë vendime të zorshme, që janë të nevojshme për të mirën e vendit, quhet lidership”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit.

Dhe, vijoi Kerry, unë jam këtu sot, për t’iu përcjell respektin e Presidentit Obama dhe të popullit amerikan për lidershipin që po i bënë të gjitha këto zgjidhje.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që udhëheqësit e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, për t’i bërë gjërat, të ndryshojnë gjërat, gjatë dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim këto përpjekje”, tha ai.

Mos u gaboni, theksoi Sekretari amerikan Kerry, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

“Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku, në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë në rrezik.

Për këtë arsye jam shumë i lumtur që kemi një numër të të rinjve këtu, që janë një shembull i shkëlqyer i investimit tonë të përbashkët për të ardhmen tuaj.

14 nga më shumë se 1000 gra dhe burra që kanë marrë pjesë në programe të ndryshme të shkëmbimit, mes Kosovës dhe SHBA-së, janë këtu sot. Dhe do ta kem rastin që t’i përshëndes, pasi të përfundoj këtë fjalim”, tha ai.

Por, vijoi Kerry, në mesin e këtyre të diplomuarve, siç janë për shembull Sali Shoshi, i cili ka marrë pjesë në njërën prej programeve për udhëheqësi, tash është i përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë së pasur multietnike kulturore të Kosovës. Kjo është puna e tij. Këtë e ka zgjedhur ai vetë. Dhe Saliu është duke udhëhequr përpjekjet për restaurimin e Kalasë së Prizrenit, projekt i cili është i financuar nga Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Kosovës.

Një anëtare tjetër është Nora Latifi, e cila pasi ka marrë pjesë në programin tonë të Fulbright-it, tash punon tek Instituti GAP, njëra prej organizatave më me ndikim që promovon zhvillimin ekonomik të këtij vendi.

Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të jenë më të lumtura, se sa kur shohin aq shumë gra dhe burra, sikurse Saliu dhe Nora, që përvojën e tyre në vendin tonë, e përdorin për ndërtimin e një Kosove më të fuqishme dhe më me prosperitet”, tha Kerry.

Dhe, vijoi Sekretari amerikan i Shtetit, për ta siguruar Kosovën me prosperitet dhe më të sigurt, nevojitet punë e madhe, punë e mundimshme.

“Kosovarët kanë arritur shumë në vitet e fundit, por nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta fondamentale për çdo demokraci. Por dhuna është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë”, theksoi Kerry

Liria e shprehjes, vijoi ai, do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët. Dhe gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm.

“Për shembull, senatori McCain dhe unë vijmë nga dy parti të ndryshme. Të dy kemi qenë kandidatë për president nga dy parti të ndryshme, me dy prapavija të ndryshme. Por kemi gjetur rrugën e përbashkët për të punuar bashkë, që ta hedhim prapa luftën e Vietnamit, në mënyrë që të kemi marrëdhënie të plota diplomatike me këtë vend me të cilin kemi qenë në luftë. Prandaj, ne e kuptojmë për çfarë jeni duke u munduar, që ta lini luftën prapa dhe të shkoni drejt së ardhmes”, u shpreh më tej Sekretari Amerikan i Shtetit.

Por, vijoi ai, më lejoni të qartësoj: debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit.  Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.

“Të gjitha partitë duhet të dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre për interesin e vendit.

Prandaj, një e ardhme demokratike për Kosovën kërkon që çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të drejtë, pa marrë parasysh qëndrimet e tij apo të saj, sa i përket çështjeve të ndryshme, apo edhe pozitës së tyre në jetë, pa marrë parasysh etninë, gjininë, apo orientimin seksual”, tha Kerry.

Kjo, vijoi ai, po ashtu kërkon që Kosova të përmbush zotimin për themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha ato pohimet e viteve të konfliktit, njëherë e përgjithmonë, dhe që kombet vetë të pajtohen.

“Kërkon, po ashtu, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje, dhe që nga koha e pavarësisë së Kosovës, jam krenar që mund të them se kombi im ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare apo ndihma të tjera.

“Kemi punuar ngushtë me Kosovën për adresimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit, dhe të luftëtarëve që kthehen nga Siria, nga fronti DAESH. Dëshiroj që të them se Kosova ka vënë një shembull të fuqishëm në rajon, duke arrestuar disa njerëz të profilit të lartë, dhe duke miratuar ligje të fuqishme, dhe siç ia përmenda edhe vetë kryeministrit më herët, pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Presidentit Obama në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kosova po jep një shembull të fuqishëm me arrestime të profilit të lartë dhe me legjislacion edhe më të fuqishëm”, tha Kerry.

Por, vijoi ai, natyrisht, më duhet që ta them se nevojitet që të punohet edhe më shumë, nga të gjithë ne. 

“Sapo u ktheva nga një takim në Bruksel me NATO-n, ku folëm gjerë e gjatë për mënyrat se si duhet të mundohemi edhe më shumë, të punojmë edhe më shumë, për shkatërrimin e ISIS-it. Jemi të përkushtuar për ta realizuar këtë gjë”, theksoi Kerry.

Më vjen mirë, vijoi ai, që e kemi ritheksuar rëndësinë e një dere të hapur për në NATO, me ftesën për pranimin e Malit të Zi, fqinjit tuaj.

“Duhet që të punojmë bashkë për të luftuar premtimet false të ISIS-it, dhe premtimeve false për lavdi që ekstremistët përdorin për të joshur të rinjtë, në një jetë e cila nuk çon askund. Është një rrugë qorre”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Ai theksoi se, me Kosovën e drejtuar kah Evropa, me një infrastrukturë më të mirë dhe me një sistem më të fuqishëm të drejtësisë, atëherë Kosova do të tërheq më shumë investime të huaja. 

“Njerëzit që i kanë paratë dëshirojnë të dinë se ku po i dërgojnë ato para, dhe dëshirojnë që të kenë besim në sistemin e drejtësisë, besim në kontrata, dhe se çfarëdo ndryshime në to, do të zgjidhen në mënyrë të drejtë, dhe nëse investojnë para, atëherë do të kenë rastin më të mirë për të bërë para, duke krijuar vende të punës, duke ndarë prosperitetin e tyre me ata që i fitojnë ato vende pune.

Pra, partneriteti i ri me kompaninë amerikane, e cila quhet ‘Contour Global’, për zëvendësimin e Termocentralit ‘Kosova A’, me një termocentral më të pastër “Kosova C”, është një shembull i rëndësishëm se çfarë mund të bëjmë bashkë”, tha Kerry.

Folëm, vijoi ai, edhe për shembuj të tjerë, si gjëra që mund t’i bëjmë për të inkurajuar rritjen e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e tyre.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë janë në favor të zgjidhjeve të reja për energji të ripërtëritshme  dhe të ripërdorueshme. Për këtë, kemi qenë në Paris duke negociuar. Dhe unë do të kthehem sërish në Paris për të vazhduar negociatat në ditët në vijim, sepse kjo është një prej prioriteteve dhe objektivave më të rëndësishme strategjike që i kemi në botë tash.

Duke i përmbushur nevojat e menjëhershme të Kosovës për energji elektrike, ne besojmë se ‘Kosova C’, me bashkëpunimin tonë, do të prodhoj shumë më pak ndotje, dhe 30 për qind më pak emetim të gazit që aktualisht prodhon ‘Kosova A’. Kështu që Kosova do të jap kontributin e saj në luftën globale të të gjitha kombeve që janë të përkushtuara për t’u marrë me çështjen e ndryshimeve klimatike”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Por, përveç kësaj, vijoi Kerry, vijnë edhe punët e reja, të cilat janë të teknologjisë së lartë. Të gjithë ata që kanë shkuar për t’u edukuar jashtë, këta të rinjtë do të tërhiqen që të kthehen dhe të ndihmojnë në rritjen dhe forcimin e Kosovës në një vend stabil, demokratik dhe multietnik.

“Kjo është pikërisht e ardhmja që e meritoni, dhe e di që është e ardhmja për të cilën Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë me juve, që ta përmbushni. Prandaj, më lejoni që t’iu them në fund, se nga Prishtina do të shkoj në takimin ministror të OSBE-së në Beograd, dhe e mirëpres një ditë kur Kosova do të jetë po ashtu aty, si anëtare e plotë dhe e barabartë”, theksoi Kerry.

Duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Mustafa, Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, u shpreh:

“Edhe njëherë ju faleminderit shumë juve dhe zëvendëskryeministrave për mikpritjen tepër bujare dhe të ngrohtë.

Më e rëndësishme se sa ardhja ime këtu, është partneriteti që e kemi për të ecur përpara.

Jemi shumë krenarë për gjithë atë që e kemi arritur, dhe shpresojmë se do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi tregime edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe vitet në vijim. Faleminderit shumë”.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA PAS TAKIMIT ME SEKRETARIN AMERIKAN, JOHN KERRY:

Sot patëm nderin e veçantë ta takojmë sekretarin shtetëror  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. John Kerry. E njoftova sekretarin Kerry për situatën aktuale politike në vend dhe për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. E falënderova, po ashtu, sekretarin Kerry, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për përkrahjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po ia japin Kosovës.

Kjo ndihmë ka qenë shumë e madhe në të gjitha fazat. Ka qenë shumë e rëndësishme në shlyerjen e borxhit të jashtëm të Kosovës që e kishte trashëguar Kosova që më parë, në fazën emergjente të ndërtimit të pasluftës, në programet dhe projektet që Agjencioni Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar-USAID i ka zhvilluar në Kosovë, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë, në sektorin e edukimit, mbështetjen Policisë së Kosovës, në prezencën e trupave të KFOR-it, në përkrahjen e institucioneve të sundimit të ligjit, në trajtimin dhe asistencën substanciale të FSK-së, si dhe për kujdesin që populli dhe Qeveria Amerikane treguan për qytetarët tanë, të cilët gjatë luftës u strehuan dhe u përkujdesën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I nderuari sekretar Kerry. Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lartë përkrahjen e SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë tonë. Të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për ndërtimin e vlerave demokratike, duke marrë shembull vendin tuaj.

Ne ndjejmë mirënjohje, por edhe përgjegjësi të thellë për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën.

Po punojmë me prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit, për stabilitet politik, për politika të fqinjësisë së mirë me vendet në regjion, dhe për integrime euroatlantike.

Po vazhdojmë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të integruar popullatën serbe në jetën politike dhe në jetën ekonomike të vendit.

Krahas kësaj, po punojmë edhe për integrimin e të gjitha komuniteteve tjera. Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, është vend multietnik, dhe këtë ne e konsiderojmë si pasuri dhe si vlerë të vendit tonë.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne presim edhe liberalizimin e vizave si hap tjetër nga Bashkimi Evropian.

Edhe përkundër veprimeve të dhunshme të opozitës për të kundërshtuar themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të vazhdoj dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kurse marrëveshjet mbeten që të argumentohen nga organet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese dhe komisionet profesionale.

Qeveria, po ashtu, është e gatshme të dialogojë me opozitën për të gjitha çështjet, mirëpo nuk e pranon dhunën si instrument të politikës.

Kosova e mirëpret ftesën e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, dhe konsiderojmë se ky është një hap i paqes dhe i sigurisë në regjion.

Jemi të vendosur të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha institucionet qeveritare, në agjencionet e pavarura, dhe ndërmarrjet publike. Do të mbështesim shtyllën e drejtësisë që të jetë më efikase në këtë luftë dhe do të punojmë të adaptojmë prokurimin publik për të evituar korrupsionin dhe të kalojmë në prokurim elektronik, që nga viti i ardhshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës tani po punon në projektin e ndërtimit të “Kosovës se Re” me kompaninë amerikane “Contour Global”, me të cilën po krijohen kushte që të kemi energji të mjaftueshme. Po krijojmë kushte të mira, po ashtu, për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe sidomos jemi të interesuar që këto investime t’i tërheqim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe po ashtu të kemi bashkëpunim në nivelin e arsimit të lartë, për çfarë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme, sidomos përmes Fondacionit “Fulbright”.

Kosova ka arritur të jetë kandidate për asistencë në MCC dhe për herë të parë ka arritur që të përmbush këto kritere që janë vënë, e që janë kritere mjaft të forta dhe domethënëse. Andaj shpresojmë se do të gjejmë përkrahjen e fondeve të cilat do të ndihmojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe do të ndihmojnë po ashtu në forcimin e shtetit ligjor.

Ne vlerësojmë lartë rolin e SHBA-ve në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit, dhe do të jemi aleat i juaji në këtë betejë shumë të rëndësishme, jo vetëm për regjionin, por për botën.

Kosova, po ashtu, është e përkushtuar të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, marrëdhënie të paqes dhe marrëdhënie të stabilitetit në rajon.

Ne vlerësojmë lartë përkrahjen tuaj në ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta me NATO-n, në anëtarësimin në organizata regjionale dhe ndërkombëtare, dhe në rritjen e numrit të vendeve të cilat e pranojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj t’ju falënderojë shumë për nderin që na keni bërë me ardhjen tuaj në vendin tonë dhe po ashtu, dëshiroj që të falënderoj edhe qytetarët dhe popullin amerikan për gjithë këtë përkrahje që na kanë dhënë.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, Perkushtim i fuqishem, Sekretari Kerry, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT