-Në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës raport për shënjimin e kufirit me Malin e Zi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Korrik 2015-Kuvendi kosovar mblidhet të enjten në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 dhe çështje tjera në axhendë. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Votimi i Projektligjit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë. Pas votimit me shumicë e miratimit në parim u kërkua nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik.
Kuvendi i Kosovës fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të përshpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë të enjte do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.
Në lexim të dytë do të shqyrtohen edhe tre projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.
RAPORTON KOMISIONI SHTETËROR PËR SHËNJIMIN E KUFIRIT ME MALIN E ZI
Sot u mbajt edhe mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, ku ka raportuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Në hapje të debatit, kryetari i komisionit Hoxhaj, vuri në pah se deri më tani nuk ka marrëveshje të nënshkruar që përcakton kufirin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa nga anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit kërkoi të studiohen me kujdes dhe profesionalizëm të lartë dokumentet që ata posedojnë.
Në vijim raportoi kryetari i Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.
Ai i siguroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ndërshtetëror prej atyre të vitit 1974. Meha tha se dokumentet, të cilat ata posedojnë dhe shërbehen me to janë të vitit 1974. “Posedojmë edhe dokumente të para këtij viti, e që përputhen me ato të ‘74-ës. Me të njëjtat dokumente shërbehet edhe Komisioni i Malit të Zi, ndërsa janë dokumente të pranueshme për të dyja palët”, theksoi Meha.
Lidhur me pakënaqësitë dhe dyshimet e shprehura nga qytetarët lidhur me këtë çështje, Meha sqaroi se ato vijnë më shumë nga frika se sa nga rreziku real që mund të ekzistojë, dhe shtoi se prona nuk i rrezikohet askujt përgjatë vijës kufitare me Malin e Zi. Duke iu referuar fakteve që ata posedojnë, ai kujtoi kur banorë të asaj ane shfrytëzonin prona të shumta për kullosa dhe tatimin e paguanin në Rozhajë. Është dashur që atje të paguhet tatimi, sqaroi ai, sepse, prona ka qenë në atë anë të kufirit të atëhershëm dhe kjo praktikë është zhvilluar në rrethana të ndryshme prej atyre që janë sot. Meha ka dhënë sqarime sa u përket edhe dy pikave të tjera kontestuese, në Çakor dhe Kullë.
Sqarimet dhe dokumentet e ofruara nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, u kontestuan me këmbëngulje nga deputeti i AAK-së, njëherësh lider i këtij subjekti, Ramush Haradinaj. Ai i vlerësoi të pasakta deklarimet e anëtarëve të Komisionit shtetëror, ndërsa në shenjë mospajtimi me ta braktisi mbledhjen e komisionit.
Anëtarët e komisionit premtuan mbështetje për komisionin shtetëror, kërkuan kujdes gjatë punës së tyre dhe përkujtuan se asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk mund të jetësohet pa miratimin e saj nga Kuvendi.
KOSOVE, Pesë persona të arrestuar për terrorizëm
Autoritetet e rendit në Kosovë gjatë ditës së shtunë kanë arrestuar pesë persona nën dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale që sipas Kodit Penal, ndërlidhen me terrorizëm.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar për aksionin e policisë që ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit.
“Sot në orën 1:40 minuta në magjistralen e Prishtinë – Gjilan, konkretisht në afërsi të Liqenit të Badocit njësitë policore fillimisht kanë arrestuar tre persona të dyshuar, në dyshimin e bazuar se janë përfshirë në vepra penale që ndërlidhet me terrorizëm”.
“Lidhur me këtë rast janë inkuadruar edhe njësitet kundër terrorizimit të Policisë së Kosovës për të kryer hetime më intensive dhe si rezultat i veprimit me kohë të njësiteve policore, është arritur të arrestohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar që ndërlidhen me tre personat e parë”, ka sqaruar Kelani.
Personat e dyshuar, ka shtuar Kelani, kanë pasur dy vetura, njëra Golf 2 ngjyrë të kuqe dhe tjetra Pasat, po ashtu ngjyrë e kuqe. Në vetura, ka treguar Kelani, janë gjetur edhe disa dëshmi tjera, siç janë rroba dhe flamuj me mbishkrime arabe.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente dhe pesë personat e dyshuar, tanimë të arrestuar, janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, ka shtuar Kelani.
Nisur nga këto arrestime, të cilat janë bërë në afërsi të Liqenit të Badocit, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka ndërprerë furnizimin me ujë në disa lagje të kryeqytetit, që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërprerja e furnizimit me ujë për qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, është bërë për shkaqe sigurie.
“Ne kemi bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe pas konfirmimit të arrestimit të atyre personave të dyshuar për vepra terroriste, në afërsi të Liqenit të Badocit, e kemi parë të arsyeshme të ndërpresim furnizimin me ujë”, ka deklaruar Mjeku.
Në orët e pasdites, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas analizave të bëra, ka konfirmuar se uji është i pijshëm.
Lidhur me ndërprerjen me furnizim me ujë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka theksuar se nuk është gjetur asnjë element që mund të ndërlidhet me helmim të ujit, por që për të qenë më të sigurt kishin kërkuar që të ndërpritet furnizimi dhe të bëhen analizat e ujit.
Policia e Kosovës ka theksuar se janë duke u kryer hetime të mëtutjeshme dhe se aktualisht nuk mund të japim më shumë informacione.(Luljeta Krasniqi- Veseli)
Kosovë, në pritje të riprocedimit të amendamentit për Specialen
-Sot mblidhet qeveria, nesër Kuvendi/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015-Qeveria e Kosovës mblidhet sot pasdite, ndërsa nesër Kuvendi në seancë plenare. Shtypi i sotëm në Prishtinë shkruan se, Kuvendi i Kosovës është duke pritur nga qeveria t’ia riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale, e i cili dy javë më parë nuk pati marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Procedura që do të ndiqet kërkon që amendamenti të marrë edhe një herë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Tentativa e sërishme për ta kaluar amendamentin do të bëhet pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta themelojë një tribunal ndërkombëtar për Kosovën, në rast se Prishtina zyrtare nuk e krijon Specialen, shkruan sot “Koha Ditore” me titullin “Nuk do t’i preket përmbajtja amendamentit për Specialen”.
Opozita e ka konsideruar të jashtëligjshëm çfarëdo riprocedimi të mundshëm të amendamentit. Por juristët kanë thënë të mos ketë pengesë për përcjelljen e sërishme të tij, në rast se ndiqen të gjitha procedurat kushtetuese.
Juristi Dren Doli ka thënë të martën se pas votës së Kuvendit procedimi i sërishëm i amendamenteve kushtetuese konsiderohet propozim i ri dhe i cili duhet të ndjekë të gjitha fazat procedurale, duke përfshirë ato në qeveri, në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Mos i vini interesat personale para të Kosovës”, është keyetitull sot në gazetën “Zëri” intervista me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ku theksohet se “dështimi i miratimit të Speciales në Kuvendin e Kosovës, lejon që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit”.
“Kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme; disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozita të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale”, ka thënë ambasadorja e cituar nga gazeta.
Sipas saj, dështimi i miratimit të Speciales dhe lënia e mundësisë që kjo çështje të shkojë në OKB ku do të politizohej, e do të përdoret nga vendet që nuk e njohin Kosovën, për ta denigruar atë, bën që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit. “Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka thënë Jacobson.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan në Kuvend ndryshimet kushtetuese.
“Ne mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë”, theksonte në mbledhje kryeministri Mustafa.
Në mbledhje u theksua se, qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por, në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi”, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Ndërsa, në lidhje me raportet e publikuara dje pasdite në mediat e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, Misioni EULEX sqaronte atë që e ka thënë Shefi i Misionit në përgjigjen ndaj pyetjes së gazetarit nëse Misioni EULEX është i gatshëm që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara.
“Shefi i Misionit Meucci ka rikujtuar se, nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet kushtetuese, Dhomat e Specializuara dhe Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) do të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk i miraton ndryshimet kushtuese, atëherë struktura aktuale mbetet në kuadër të kornizës ligjore të EULEX-it, siç është tani. Pra çështja është nëse Kosova është e gatshme që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara, e jo EULEX-i. Dihet mirëfilli se mandati aktual i EULEX-it përfundon në qershor 2016”, thuhej në deklaratën e EULEX-it lidhur me themelimin e Dhomave të Specializuara.
Kosova do te nderoje Harry Bajraktarin për kontributin 30 vjeçar
PRISHTINË, 1 Korrik / Ministria kosovare e Diasporës do të organizojë sot në mbrëmje një ceremoni, për të nderuar një nga personalitetet më të spikatura të komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, për kontributin 30 vjeçar në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, Pavarësisë së saj, si dhe një nga investitorët më të mëdhenj.
Ceremoninë, organizuar nga ministri i Diasporës Valon Murati, do ta nderojë prania e mysafirit special, mikut te shqiptarëve për më se 25 vjet në Kongresin Amerikan dhe mik personal i Bajraktarit, Kongresmeni Eliot Engel.
Kjo ceremoni do të shënojë edhe hapjen e aktiviteteve për Ditët e Diasporës. Sipas njoftimit nga Ministria, të pranishëm do të jenë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri Isa Mustafa, zv. Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministra, deputetë, diplomatë, shkrimtarë, gazetarë, studiues e të tjerë.
Kosovë-Shqipëri, ekspoforum për mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike
Nga: Behlul Jashari-Prishtine/
PRISHTINË, 29 Qershor.-Ekspoforumi “Mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë-Shqipëri” mbledhë sot në Prishtinë përfaqësues institucionalë të Kosovës dhe të Shqipërisë, kompani nga vendi e diaspora, si dhe donatorë, për t’i diskutuar objektivat strategjike të të dyja vendeve dhe mënyrat e financimit të projekteve të përbashkëta.Ekspoforumi është bashkorganizim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Konfindustrisë.
Ekspoforumit i paraprin panairi, përkatësisht ekspozimi i prodhuesve nga diaspora në Kosovë dhe i ndërmarrjeve publike për zhvillimin e vendeve tona.Forumi do të zhvillohet në katër panele diskutimi, me tema të veçanta, si: Objektivat strategjike për sektorët e energjisë dhe të minierave; Projektet strategjike me interes të përbashkët; Metodat e financimeve, etj.
Në fund të punimeve, forumi do të dalë me konkluzione për mundësitë që ofron ky sektor, hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për stimulimin e tij dhe rolin e sektorit privat, me qëllim të promovimit të ideve inovative dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 37
- 38
- 39
- 40
- 41
- …
- 47
- Next Page »