Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Akademia e Shkencave, profesori është shuar nga shkaqe natyrore mbrëmjen e së dielës. Ceremonitë në nderim të tij do të mbahen ditën e mërkurë më 3 shkurt, nga ora 12 deri në ora 13, në Akademinë e Shkencave. Kristo Frashëri, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ka qenë një ndër figurat më të njohura duke filluar veprimtarinë e tij shkencore që prej vitit 1938. Ai ka një numër të madh botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elementë të tjerë përmes të cilëve ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët. Është e vështirë të bësh sot një përmbledhje të të gjithë veprave të akademikut Frashëri, sepse hapësira e tyre është mjaft e gjerë, ashtu si periudhat historike të trajtuara prej tij. Një nga shqetësimet më të mëdha të tij e që haset në të gjitha botimet është dëshira e fortë për të sjellë në vend të gjitha deformimet që i janë bërë historiografisë shqiptare ndër shekuj. Mbeten të rralla veprat e tij për Skëndërbeun, Pernadorinë e Arbërit, Pavarësinë, Rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin Tiranën. Kristo Frashëri mban titullin Nderi i Kombit, dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Shqipëria humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj. {Sh.K}
Kur historinë e shkruajnë historianët
Meditime për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”*/
Shkruan:Dr Gëzim Alpion/
Universiteti i Birminghamit, Angli/
Në leksionin me temën “Përse Shqipërisë i duhen ‘intelektualë publikë’”, që zhvillova në “Qendrën e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal” në Tiranë këtë vit, me 16 prill, një pjesëmarrës shprehu shqetësimin se në Shqipëri botimet shkencore nuk propagandohen sa duhet. Nuk mund të komentoj se sa bëhet në Tiranë në këtë drejtim. Ajo që di është se, ndërsa prezantimi i librave të prodhuar në masë dhe me cilësi të diskutueshme në Shqipëri është bërë diçka e modës, për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, që u vu në qarkullim nga “Botimet M&B” në Tiranë vitin që kaloi, deri tani, nuk është bërë ndonjë prezantim.
Duke parë zallahinë mediatike që bëhet në Tiranë për libra me tema të ndryshme, përfshirë botimet sensacionaliste për ndonjë figurë historike, nga autorë me kredenciale akademike dhe integritet profesional të diskutueshëm, Frashëri nuk e përmbajti dot habinë të përzier me një dozë pezmatimi të ligjshëm për heshtjen e plotë të mediave dhe Tiranës zyrtare ndaj librit të tij për Zogun. Dhe kjo, në një kohë kur, jo rrallë, mediat shqiptare, të politizuara deri në palcë, turren pas politikanëve që i financojnë kur këta të fundit duket se janë në konkurrencë se kush e kush të arrijë më parë në prezantime librash që kanë për autorë sejmenxhinj, busulla morale e të cilëve anon gjithmonë në kahun e pushtetmbajtësit të radhës.
Përse injorohen veprat e një studiozi skrupuloz si Frashëri dhe trumbetohen me të madhe botime që nuk kontribuojnë në zgjerimin e njohurive apo rritjen e shijeve estetike të lexuesve? Mos vallë në Shqipëri nuk ka auditor të etur për të kremtuar botime serioze që nuk i bëjnë fllad askujt dhe i qëndrojnë besnik vetëm paanësisë? Apo ndoshta shkalla e izolimit (më shumë e vetimponuar sesa e diktuar), zemërngushtësia dhe xhelozia akademike kanë arritur në një shkallë edhe më të frikshme dhe të dënueshme se ç’mendohet në këtë kohë kur Shqipëria po vuan një ngërç të stërzgjatur intelektual?
Nuk them që botimet e autorëve të kalibrit të Frashërit t’u nënshtrohen promovimeve bajate, qëllimi i të cilave është mbulimi me lëvdatë sa hipokrite, aq edhe të pamerituara, i autorëve dhe librave që trumbetohen si kanonike, megjithëse të gjithë e dinë, përfshirë autorët, se janë të destinuara për harresë. Po kështu, nuk po rekomandoj që të shkruhen recensa për vepra të dijetarëve cilësore si Frashëri, thjesht meqë paçavure të tjera të botuara lartësohen pa asnjë arsye. Unë do të preferoja që për një vepër cilësore më mirë të mos shkruhej gjë sesa të shkruhej pa cilësi dhe jo për motivin kryesor: pra, propagandimin e dijes pa asnjë kusht.
Pavarësisht pezmatimit të justifikueshëm të Frashërit për harresën dhe injorimin e veprës së tij, ky studiues, ashtu si disa autorë cilësorë në Shqipëri, nuk shkruajnë për t’u vënë re apo për të mbledhur lëvdata. Për këtë kategori studiuesish, vlerësimet e tepruara rezervuar për liliputët letrarë dhe studiues të paskrupujt janë ofendim për intelektin.
Ajo që më ka bërë përshtypje në lidhje me indiferencën ndaj studimit të Frashërit për Zogun është heshtja e historianëve. Historia, si disiplinë shkencore, dhe historianët, si studiues, nuk e kanë pasur asnjëherë të lehtë gjatë gjithë historisë së ekzistencës së shtetit shqiptar. Kjo për shumë arsye, të cilat nuk mund të përmenden të gjitha apo trajtohen në thellësi në këtë shkrim. Fatkeqësisht, historia e Shqipërisë si fushë studimi ka një traditë të palakmueshme; ajo vazhdon të përjetojë një kaos endemik si rezultat i trysnive direkte apo të tërthortë nga politikanë me mendësi ‘monarkësh absolute’. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka pasur apo nuk ka historianë të mirëfilltë. Frashëri dhe veprat e tij dëshmojnë më së miri se në një situatë të tillë anormale, zëri i arsyes, logjika e ftohtë dhe përkushtimi i paanshëm akademik ndaj së vërtetës, gjithmonë mbijetojnë. Problemi është se historianët e llojit të Frashërit nuk u vijnë për shtat satrapëve shqiptarë, gjë që shpjegon më së fundi edhe ‘preferencën’ që disa politikanë kanë manifestuar kohët e fundit për historianë të huaj.
Për sqarim, nga arsimimi formal, unë nuk jam historian dhe, për pasojë, i ‘pakualifikuar’ të gjykoj një monografi të karakterit historik. Justifikimi im më i mirë se përse po shkel pa leje në një fushë si historia është se, si sociolog, gjithmonë i kam qëndruar konsekuent parimit veberian se historia zë vend primar në çdo studim të shkencave sociale apo humane, veçanërisht ato sociologjike.
Figura historike kontroversale si Zogu shpjegojnë edhe interesin e vazhdueshëm që ata ngjallin, veçanërisht ndër historianë, po edhe autorë të fushave të tjera. Megjithatë, vetëm një historian i paanshëm është në gjendje të japë një panoramë objektive, pa politizuar çështjet, por në të njëjtën kohë pa nguruar t’i thotë gjërat troç, pavarësisht se kujt i pëlqen apo i djeg troçësia. Në këtë drejtim, monografia e Frashërit, megjithëse e shkurtër, është një tekst që do t’ju shërbejë si historianëve dhe studentëve të historisë, ashtu edhe lexuesit të zakonshëm. Frashëri shkruan me një stil joshës dhe gjuhë koncize, ndërsa analiza dhe konkluzionet mbështeten vetëm në dokumente historike të interpretuara me objektivitet.
Frashëri, me të drejtë, e vë theksin që në fillim në sajesat që vihen re në literaturën për Zogun. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të theksohet se, si çdo politikan me ego të fryrë, edhe Zogu, nëpërmjet historianëve të oborrit, filloi të arnojë pretendime donkishoteskë për gjenealogjinë e tij ‘pejgamberiane’ si pinjoll i vonë i Skënderbeut.
Një ndër meritat e Frashërit në këtë vepër është se ka arritur të trajtojë në mënyrë koncize, pa tendencë, dhe hapur shumë çështje të ndërlikuara dhe sensitive në lidhje me Zogun si njeri dhe politikan, ashtu si edhe pasojat negative afatshkurtra dhe afatgjata të regjimit të tij. Ajo që e bën lexuesin të mendojë dhe reflektojë nga ky libër është se sa të përbashkëta negative ka politika shqiptare në metodat që përdor për të uzurpuar pushtetin dhe për të qëndruar në fuqi me çdo kusht. Kjo, fatkeqësisht, është e vetmja ‘vazhdimësi’ e dukshme në historinë e fragmentuar të shtetit shqiptar gjatë monarkisë absolute, komunizmit totalitar dhe aktualisht demokracisë plutokratike.
Me të drejtë, Frashëri i kushton vëmendje në këtë libër veçanërisht dy momenteve kulmore të regjimit të Zogut që cënuan drejtpërdrejtë dhe rëndë integritetin kombëtar të shtetit shqiptar, sovranitetin territorial, dhe pavarësinë e vendit. Bëhet fjalë për shpërblimin që Zogu i bëri Pashiçit, duke i dhuruar territore nga trungu i atdheut për ndihmën vendimtare të Serbisë në kthimin e tij në pushtet pas Revolucionit të Qershorit, si dhe kapitullimin e regjimit zogist ndaj Musolinit. Largimit i Zogut nga Shqipëria një ditë para pushtimit, çështja e arit që mori me vete në mërgim, si dhe shpërndarja e qeverisë dhe mosorganizimi i saj në mërgim, e bënë Zogun përfundimisht një figurë që nuk mund të gëzonte kredibilitet në planin kombëtar dhe ndërkombëtar për të marrë përsipër drejtimin e rezistencën së Shqipërisë ndaj pushtuesve fashistë dhe nazistë. Konkluzioni që lexuesi nxjerr nga narracioni i Frashërit për këto aspekte të rëndësishme të regjimit zogist, si dhe për tendencën e Zogut për të mos debatuar me kundërshtarët e tij politikë, eliminimi fizik që Zogu u bëri disa prej tyre, përdorimi nga ana e tij e ryshfetin për të siguruar besnikërinë e sejmenëve në parlament dhe krahina anembanë Shqipërisë për të konsoliduar dhe përjetësuar pushtetin e tij absolut është se ata përkojnë me karakterin e një njeriu që nuk ka asnjë skrupull për të kënaqur egon e tij.
Ahmet Zogu në librin e Kristo Frashërit nuk është vetëm një figurë kontroversale apo thjesht negative. Ndër monografitë për Zogun që kam lexuar, kjo është një vepër që merr përsipër dhe arrin të realizojë me sukses identifikimin njëkohësisht jo vetëm të anëve të errëta të kësaj figure komplekse, por edhe aspektet pozitive të regjimit zogist. Frashëri thekson veçanërisht progresivitetin e reformave që u trashëguan nga qeveria e Lushjes si dhe të reformave që u inicuan dhe përpjekjet e lavdërueshme për aplikimin e tyre gjatë sundimit të Zogut në fushën administrative, juridike dhe arsimore. Përpjekja për të paraqitur me objektivitet figurën komplekse të Zogut dhe regjimin e tij bënë që monografia e Frashërit të veçojë nga shumë vepra të tjera për Zogun të karakterit fund e krye panegjirik, tërësisht demaskues apo thjesht grotesk.
Si çdo historian i mirë, Frashëri e zbulon figurën e komplikuar të Zogut nëpërmjet materialeve arkivorë, dhe një numër botimesh që kanë për autorë vetë Zogun, sejmenë që i thurrën lavde si shpërblim për përfitimet personale, një numër kundërshtarësh (si ata që u pezmatuan me Zogun, pasi ai ua drodhi, ashtu edhe opozitarin-bashkëpunues Konicën, vitrioli i të cilit nuk motivohej thjesht nga hatërmbetje personale), dhe autorë të huaj, veçanërisht studiuesin amerikan Bernd Fischer.
Mënyra se si Frashëri e trajton në librin e tij kontributin e Fischer-it për sa i përket studimit të Zogut dhe regjimit të tij përbën një shembull të shkëlqyer se si studiuesit shqiptar duhet të angazhohen me veprat e kolegëve të huaj. Frashëri e vlerëson objektivitetin e Fischer-it, por edhe ofron kritikë konstruktive në lidhje me ndonjë mangësi në veprën e tij, gjë të cilën e bën jo në mënyrë tendencioze dhe me qëlllim denigrues, por gjithmonë brenda etikës akademike, duke u përpjekur të shpjegojë se çfarë mund ta ketë kufizuar perceptimin e Fischer-it në kohën kur shkroi librin e tij për Zogun, të botuar për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 1984. Me qëndrimin e tij ndaj veprës së Fischer-it, Frashëri përcjell mesazhin në kohën e duhur se ndaj studiuesve të huaj nuk duhet të sillemi si inferiorë patologjikë, se studiuesit e huaj kanë po aq të drejtë sa studiuesit shqiptarë të merren me studimin e historisë dhe figurave historike shqiptare, dhe se të gjithë së bashku si studiues mund të përfitojmë nga arritjet dhe mangësitë e botimeve të njëri-tjetrit.
Përfundimisht, mund të them se unë e shijova leximin e monografisë së Frashërit për Zogun. Uroj që ky libër të tërheqë vëmendjen e lexuesve, veçanërisht të brezit të ri, që nuk di shumë për këtë figurë kontraversale, enigmatike dhe ekzotike si për ne shqiptarët, ashtu edhe për të huajt, një personalitet që është nxirë krejtësisht dhe padrejtësisht nga kundërshtarët e tij, si dhe lartuar kohët e fundit në një piedestal të diskutueshëm.
Edhe ndonjë mangësi e vogël e këtij studimi si, për shembull, përsëritjet që vihen re aty këtu, veçanërisht në lidhje me dy veprimet antikombëtare të Zogut apo të tre reformave progresive të përmendura më lart, mund të evitohen lehtë në një ribotim të edituar. Këto përsëritje nuk janë gabime stilistikore; ata dëshmojnë dëshirën e Frashërit për të bindur ata që e glorifikojnë plotësisht apo e përçmojnë në ekstrem Zogun se ai nuk është as kundër, as në favor të tij. Si historian me integritet dhe respekt për historinë si shkencë, qëllimi i parë dhe i fundit i Frashërit është të shikojë nëpërmjet mikroskopit të objektivitetit një figurë që luajti rol të rëndësishëm në fatet e vendit në një kohë kur përpjekjet e intelektualëve në diasporë për të sendërtuar ndërgjegjen kombëtar, për fat të keq nuk infektuan sa duhet drejtuesit e shtetit shqiptar që doli nga rrënojat e një kombi që kishte jetuar të shumtën e kohës ose i pushtuar, ose nën rrezikun konstant të pushtimit për afro 20 shekuj. Duke lexuar veprën e Frashërit, mendja nuk ka se si të mos të të shkojë në pazarllëkun e viteve të fundit të Tiranës me Greqinë në lidhje me kufirin detar, ryshfetin, që mbetet tipar dallues i kohës tone po aq se edhe gjatë regjimit zogist, dhe parlamentin shqiptar, dikur nje instrument oborri, ndersa sot nje kuvend kunatash grindavece te diplomuara ne vulgaritet. Monografia e Frashërit duhet tju shërbej si paralajmërim drejtuesve të Kosovës që të mos sillen si sekserë prostitutash në kurriz të vendit tani kur po diskutohen kufijtë. Asnjë kompromis me serbët dhe malazezët nuk vlen po qe se për çmim ka tkurrjen e mëtejshme të trojeve. Çdo kompromis i tillë ka vetëm një emër: tradhëti kombëtare.
Thuhet se Çërçilli dikur ka thënë se Ballkani gjeneron më shumë histori se ç’mund të përtypë. Ndoshta. Eshte me vend të kujtojmë këtu edhe klishenë se historia përsëritet ngaqë njerëzimi nuk nxjerr mësime nga gabimet. Kjo është e vërtetë, veçanërisht për gadishullin Ballkanik. Por gjërat duhet dhe mund të ndryshojnë, veçanërisht në Shqipëri. Një mënyrë për të sjellë këtë ndryshim është tua besosh historinë historianëve. Të kuptohemi drejt: historianëve që nuk kanë çmim. Libri i Frashërit për Zogun tregon se ka të tillë.
***
*Kristo Frashëri, “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, Tiranë: Botimet M&B, 2014, ISBN: 978-9928-172-22-8, Çmimi 1000 lekë.
*Gëzim Alpion u lind në Peshkopi më 1962. Ai ka studiuar në Kajro për BA dhe MA, dhe në 1997 mbrojti doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ai ishte lektor në Universitetet e Huddersfield, Sheffield Hallam, dhe Newman përpara emërimit në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit ku aktualisht është Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisjes dhe Shoqërisë. Alpion është anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge.Fillimisht ai tërhoqi vëmendjen e mediave britanike me botimin dhe vënien në skenë në disa qytete angleze të dramave ‘Vouchers: A Tragedy’ (2001) dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008). Monografia ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ është botuar në gjuhën angleze nga Routledge në Londër dhe New York (2007), New Delhi (2008), dhe në gjuhën italiane nga Salerno Editrice në Romë (2008). Kjo vepër dhe vëllimet me esë ‘Foreigner Complex’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, botuar në Indi (2008) dhe Amerikë (2009 dhe 2011) nga Transaction Publications, janë vlerësuar shumë nga kritika akademike. Autor i një numri studimesh në revista shkencore dhe përmbledhje akademike, Alpion konsiderohet si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Ai ka botuar artikuj në disa gazeta ndërkombëtare si ‘The Guardian’, ‘Hindustan Times’, ‘The Middle East Times’, and ‘The Hürriyet Daily News’.
A DUHET TE PRANOJME SE BUTRINTIN DHE FOENIKEN I KANE THEMELUAR HELENET?
ADRESUAR PROFESOR KRISTO FRASHERIT/
Nga Kozma Taho-Clearwater, Florida/
I nderuar Profesor ! Unë përfshihem ndër ata shqiptar që i lexojnë me kënaqësi dhe respekt shkrimet tuaja të shumta duke i vlerësuar si thesare të çmuara te historiografisë shqiptare.Natyrisht ndodh që në këtë mal të lartë të shkrimeve tuaja, ne amatorët dashamir të historisë apo “diletant entuziast” siç duan të na quajn disa nga koleget tuj, të mos biem në një mëndje për ndonjë çështje.E, doemos këto nuk mund ta errësojnë vlerësimin dhe rrespektin për punën tuaj titanike në fushat e ndryshme të letrave shqipe. Inderuar Profesor ! Anash shkrimit tuaj “Shtrëmberime të Historisë së Epirit” kisha shënuar — edhe prof. K. Frasheri e do qe Butrintin dhe Foeniken ta kenë themeluar e banuar helenët . Ju rikujtoj për këtë , pjesën e cilësuar –
“ Tashmë historikisht është pranuar se në shek. VIII p.e.s., me ekspasionin ekonomik që pësuan qytet shtetet e Helades, është e lidhur historia e themelimit te kolonive helene në brigjet e Jonit dhe Adriatikut. Pasi kolonistët e Korinthit dëbuan Liburnët nga Korkyra , krijuan këtu kolonin e parë tregetare në ishujt e Joint. Nga Korkyra u hodhën në stere. Këtu në trevën e Kaonëve Ilire , themeluan në Buthrotum (Butrint ) kolonin e tyre të parë. Buthroti mbeti si një ishull helen në detin ilir. Plini Sekundi, shkrimtar romak i shek. II të e.s., kur përshkruan gjeografinë e Epirit, ndërsa të gjitha qytetet i cilëson si vënd banime Epirote, kur zë në gojë Buthrotum ( Butrintin ) e quan ashtu siç qe në të vërtet koloni helene . …… Ne brigjet perëndimore të Epirit u themeluan edhe koloni të tjera helene , si Foenika (Finiqi i sotem ) në tokën e Kaonëve . “
I nderuar Profesor ! Me qënse nuk jam i një mëndje me ju, do ti lejoj vetes tju paraqes argumentet e mia si më poshtë.
Se pari — I pari dhe i vetmi dijetar helen qe pat vizituar Butrintin dhe Foeniken (ne shenimet e mia Foenika dhe Baiiakea jane i njejti qytet ), aty rreth viteve 520—515 p.e.s., ishte historiani dhe gjeografi helen Hekatu I Miletit . Ai I konsideron këto qytete, Polis (skurse Dursin dhe Apolonine), përcaktuar qartë , të popujve e trojeve Kaon . Hekateu do tju a rekomandoj Portin e Buthrotit tregëtareve gjith helen për të hyrë ne mardhënie tregëtare me të . Skylaksi shek. VI- V p.e.s. apo pseudo Skylaksi I shek. IV p.e.s. ngjan të mos I ket shkelur këto qytete sepse nuk I përmënd. Por ai do të përmënd para tokën e Butrintit nën emrin Eurithea apo Erithea , lidhur kjo me një nga bëmat e Herakliut , I cili sipas mitologjisë pat ardhur këtu për të rrëmbyer Qet e Gerionit , Mbretit të Thesprotëve . Edhe Tuqididi nuk I ka shkelur këto troje , Në veprën madhore të tij “Lufta e Peloponezit “ na e bën të qartë se në rreth vitet 470 p.e.s., me rrastin e strehimit të Themistokliut në Epir , Butrint , nënkuptohet , ai nuk banohej apo kontrollohej nga helenet. Autor të tjerë , qoftë edhe greko – Helen , visitor të këtyre trojeve janë të periudhes romake. Kështu, per deri sa grekët e lashtë, nuk e pranojnë të quhen themelues dhe kolonizator të Butrintit , përse duhet ta pranojmë ne këtë ?
Së dyti—Butrinti është përfshir në legjendat që bëjnë fjalë për një themelim të tij prej trojanëve refugjat që supozohet se kaluan nëpër Epir , Dodon Butrint e Ankizem. Legjendat janë sajime të shek. I p.e.s. , pra të periudhës romake , dhe Sipas Stefan Bizantini mbajnë për autor Teukrin nga Kyziku. Ndër të tjera ato thon se emir I Butrintit vjen nga fjala e greqishtes së vjetër “ δovζ “ që lexohet Bous e që emërton Buallin ,Demin Kaun . Gjëresisht e kam trajtuar prejardhjen e emrit të Butrintit në një shkrim në gazetën Dielli, e që rrjedh nga e folura shqipe e para tokës së tij . Po ashtu arkeologjia hedh poshtë edhe faktin se keto troje në ato mote kanë qënë të pa banuara , mjafton ti referohesh gjetjeve arkeologjike . Legjendat madje edhe vet Butrinti u bën te famshem se pse u përfshin nga Virgjili në “Eneiden “ etij të famëshme . Dionisi I Halikarnasit I përfshiu në “Historia e Romes se Vjetër “ Por për Dionisin e Halikarnasit të gjith popujt e botës ishin me orgjinë Greko –helene. Sido qoftë edhe D. Halikarnasit edhe Virgjili e tregojnë Butrintin të themeluar në momentin e mbritjes se refugjatëve trojanë .
Së treti – Butrinti dhe krejt Epiri janë përfshir gjërësisht në veprat madhore të Apolodorit ( 180 -109 p.e.s. ) “Kronikat “ dhe “mbi Perënditë “, siç na vënë në dijeni autorët helen dhe e latinë, e që fatkeqësisht nuk kan mbritur në ditët tona . Në këto vepra, thon ata, janë përfshir të gjitha kronikat që I referohen Akilit dhe birit të tij Pirro Neoptolemit, si dhe popujve e trojeve Epirote, prej Luftës Trojane e deri në pushtimin romak. Apolodori , sikurse edhe Eskili e shumëtë tjerë, e sjellin Pirro Neoptolemin e bashk me të edhe Andromarkën , të venë e Hektorit, dhe Helenin birin e Mbretit te Trojes Priamit ,ne Butrint . Ndoshta edhe si themelues të tij . Për Eskilin dhe Apolodorin , pa numuruar autor të tjerë helen , Neoptolemi ishte themeluesi I dinastise Mbreterore Molose.
Së katerti –Një shënim shumë të rëndësishëm që e lidh Butrintin dhe paratokën e tij me burime mitologjike tejet të lashta, gjthsesi para Helene na e percjell Stefan Bizantini . Ai na përcjell se Çuka e Ajtoit banohej nga Kammanojt dhe duhet të jetë quajtur Kammania , emër që e mbante tërë Krahina e cila më pas është quajtur Kestrinë . Burimet rrëzë saj ne sot I quajm “Burimet e Kammares “. Lumi I Pavllos së sotëm në mote shumë të lashtë është quajtur Lumi I Kadmit e më pas Lumi I Kestrinës . Po ky Lum, I Nderuar Profesor , është quajtur nga Homeri Selloj, nga Apolodori Seelent dhe nga Virgjili Simoent. Dy parcela në mesfushën e Mursisë mbajnë edhe sot emrat, Kandale e Bundo, çka mund të lidhen me Ka dhe Buall. Studiuesi arvanitas Aristidh Kola I lidh me udhëtimin e Kadmit për në Buthrot. Midis Butrintit dhe Xarrës ndodhet një kodër e stërzgjatur që mban emrin Bular. Ky emër qëndron shume afër me emrin Bullar me të cilin popullsia rrënjëse e Fushe Mursisë emërton një gjarpër trup madh ngjyrë rozë të cilin e konsideron të shënjtë e nuk duhet vrare. A nuk thotë mitologjia se Kadmi dhe Harmonia u shndruan në gjarpërinj Bolla dhe u dërguan në Fushat Eliziane ? Pranë Foenikës janë burimet e Syrit të Kaltërt, të cilat lidhen me vrasjen e nje Kuçedre ose Dragoj . A nuk thotë mitologjia se Kadmi vrau Dragoin që ruante burimin , e që sipas saj ishte I biri I Aresit , Perendië së Luftës ? A ka ndonjë Burim të tillë në Tebë ? Cilat janë arsyet që s’na lejojnë ti quajm Kadmin , Kiliksin, Feniksin dhe motrën e tyre Europën , dhe vetë të atin e tyre Agenorin,- Foenikas , Finiqas ? Mitologjia thotë se Feniksi në kërkim të motrës ,Europës , do të përfundoj në brigjet perëndimore të Azise së vogël ku do të themeloj Fenikinë . Po të ishte Fenikas, I Azise se Vogel ç’ kuptim ka të thuhet se themeloj Fenikinë? Ju kujtoj me kete rrast , Inderuar Profesor , se dy studiues nga Universitetet e Libanit e te Sirise – thotë prof Mathieu Aref – kanë mendimin se Feniksit kanë lidhje gjaku me Pellazget.Prandaj , i nderuar Profesor, une mendoj se vend lindja e Kadmit ishte Foenika dhe vend varrimi Buthroti .
Së Pesti –Mitologjia Arbërore , bledhur nga dijetari Dhrovianit , Delvinjot, Me origjine Vithkuqare, e sjell lindjen e Zeusit në këto anë , në stanet e Kronit, në Palavli dhe e përcjell për tu rritur në Kretë nëpërmjet Limanit të Butrintit . Unë besoj se Ju duhet ti keni kaluar nëper duar këto materiale . Kohë më vonë Zeusi do të rikthehet këtu për të rrëmbyer më të bukurën femër vdektare, Europen, e nëpërmjet Butrintit do ta çoj e bashkohet me të në Kretë , duke lënë mbrapa Mbretërinë e famëshme Minoike të këtij Ishulli. I nderuar Profesor ! Janë me dhjetra element mitologjik që i bëjnë trojet Epirote të rreth Pindit të jenë kërthiza e asaj që bota e qyteteruar e njeh për Mitologjinë Greke apo Helene . Unë mahnitem me madhësinë , madhështinë dhe bukurinë e saj , ashtu siç mahnitem për bukurinë dhe madhështinë e qytetërimit helen , për shekullin e artë e të pa arritshëm të Perikliut. Rreth admirimin që rezervoj ndaj qyteterimit helen , do të isha i kenaqur që Butrintin dhe Foenikën ta kishin themeluar Helenët. Por kjo nuk është aspak e vërtet . Atë e themeluan stërgjysherit tanë Kaonë qe ishin detar të shkëlqyer të cilët i binin kryq e terthor Mesdheut e Adriatikut si dhe mjeshtra të përsosur të ndërtimit të mureve dhe qyteteve (sipas Herodotit). Dhe domosdo që jam shume krenar.
Së gjashti — Arkeologjia na vërteton se rreth trojet e Foenikes e Butrintit janë pëlqyer e banuar prej njeriut pandërprer qysh njëqindë mijë vite më pare. E konfirmojnë këtë Kodër Kroi i Xarrës , Shpellat e Milesë,Shpellat e Konispolit dhe Butrintit, Varrezat e Bajkajve , vetë Koder Foenika e Koder Butrinti ,Kalivoj, Çuka e Ajtoit që nxorrën në dritë vegla të epokes se gurit, të Neolitit ,të Bronzit e hekurit. Mjafton ti hedhësh një sy faqeve 70-73 në librin “Butrinti, History, Monuments and Museum “ të prof Dh. Çondit , ku janë paraqitur shumë pake nga ato vogëlsira që jane gjetur. Do të shikoni aty se Prof. Çondi ka harruar të datoj çekiçin apo sopatën prej guri , per të cilen ndojnë autor tjetër që e shet profesionin për politike , na thote se është një prodhim i Epokës se Bronzit të Vonë , madje të fillim epokes së hekurit.
Arkeologjia na ka dhënë edhe disa datime për muret rrethus , që për mua janë krejtësisht të gabuara për dy arsye tejet të thjeshta . Kodër Butrinti me të dy rrethimet e tij është ende i pa prekur ( ashtu si edhe Foenika ) prej gërmimeve arkeologjike . I vetmi objekt i zbuluar këtu është një kishë e periudhës Bizantino Mesjetare . Amund të flitet për lashtësinë e tij kur nuk ke zbuluar e nxjer në dritë asgjë ? Me gjith këtë Qiriaku del Pizzicoli i Ankonës që ishte dhe një vizitor i hershëm i tij, murin e rrethimit të pare (arkaik ) e konsideron para helen.
Përsa i përket mbishkrimeve të Butrintit nuk po ndalem ,. Dëshiroj vetëm tju rekomandoj të hapni faqen e facebook –ut dhe do te shikoni se sa mirë e shkruajnë bashkfshatarët e mi greqishten me alfabetin e shqipes . A të mos e kenë shkruar stërgjishërit tanë shqipen me alfabetin e greqishtes , i vetmi më i thjeshti në përdorim në ate kohë ?
Së fundi, me të drejtë Ciceroni do të konstatoj se : –“….Anti është për Romën si Buthroti për Korkyren . Homeri në Odisea na tregon mardhëniet e ishullit Skera (Korfuzit te sotem) ku detarët e Alkinout mitiko – legjendar ankoroheshin lirisht ,duke njohur cdo skut të vijes bregdetare e duke pasur mardhënie të shkëlqyera , nga ku nuk mund të përjashtohet Butrinti . Pas Feakasve ishin liburnet qe e zotruan këtë ishull, të të njëjtes rracë e gjuhë me paratokën e Ishullit e që medoemos duhet të kenë patur mardhënie të shkëlqyera. Helenet me pas zotruan ishullin , floten dhe tregjet e liburneve dhe doemos edhe me Butrintin.Venetikasit po ashtu tregëtonin lirisht me ishullarët edhe kur Butrinti u rrudh në një qendër peshkatarësh. Flota tregëtare Buthrotase deri vonë në shek . e X të erës sonë sic del në rastin e Mrekullis së Shen Iliut ( te Riut ) rrihte brigjet e Adriatikut e Mesdheut . Ali Pash Tepelena përdori molin e Kataetos i cili bëri si qendër tregëtare Mursinë , që vazhdoj e tillë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
I nderuar Profesor . Keto jane disa nga vrëjtjet që dëshiroja tja u bëja të ditur me qëllim që të rishikoni edhe njëher problemin e zanafillave , themelimit dhe përkatësis etnike të Foenikes e Butrintit . Falenderoj me këtë rrast historianët ,hartues të Historise se Shqiperisë të cilët me të drejtë nuk e kanë përfshirë Butrinti në listën e qyteteve koloni helene. Unë nuk e di se ku jeni mbeshtetur ju që e pranoni Butrintin të theme luar nga helenët . Por e di shumë mirë që Butrinti ështe perfshirë në burimet e shkruara të cilat konsiderohen historike; është përfshirë gjërësisht në kronikat e herëshme të mbledhura e përpunuara e përshtatura në veprat e autoreve helen nga më të shquarit sikurse Euripidi , Pindari, Eskili, Apolodori Aristoteli etj ; ështe përfshir në mitologjinë e pranuar për helene si dhe në atë arbërore ; po ashtu edhe në ato legjenda që kanë harritur deri në ditet tona , pa perfshirë këtu një numur gojë dhënash që sigurisht i ka shformuar koha. Arkeologjia ka gati një shekull që punon aty por gjithsesi jashte rrethimit të parë dhe të dyte të tij . Ajo ka zbuluar aty qytetërime bashkohore të njëjtë me ato të helenëve , romakëve e deri të periudhave bizantino mesjetare . Disa vogëlsira tregojnë se Koder Butrinti është një vënd banim më i hershëm se këto. Sinqerisht, I Nderuar Profesor jam rezervuar tju drejtohem për hir të moshes suaj të thyer; por mësoj se gëzoni një shëndet të mirë, dhe ja u uroj edhe për shumë mote. Dijet tuaja janë ku e ku shumë më të larta se ato të miat dilentante .
FALSIFIKATORI I I HISTORISË
Nga Uran Butka/
Kristo Frashëri, i cili për gjysëm shekulli e politizoi dhe skajshëm historinë e Shqipërisë, sidomos atë të Pavarësisë e të Luftës së Dytë Botërore( aq sa edhe vetë regjimi hoxhist e dënoi për falsifikim të dokumenteve e të ngjarjeve), në vend që të kërkojë falje për dëmet e shkaktuara në këtë fushë të qenësishme të kombit dhe të përpiqet të ndreqë diçka nga glorifikimi apo nga përbaltja, vazhdon edhe sot e kësaj dite të njëjtën gjë, tashmë jo duke paraqitur dokumente dhe interpretime të tyre, por përmes kujtimeve të hamendësuara, të cilat bijen ndesh me të vërtetat historike, mirëpo që janë në sinkron të plotë me delirin, iluzionin dhe egocentrizmin e tij, sikur ai vetë, ka qenë në qendër të veprimeve antifashiste kur ishte student dhe të luftës nacionalçlirimtare, dhe sikur fjala e tij të jetë fjala e fundit që i vë vulën historiografisë shqiptare!
Historia nuk bëhet me “kujtime”, as me trillime e falsifikime, siç përpiqet pseudo-historiani Kristo Frashëri, por me dokumente dhe trajtesa shkencore mbi bazën e tyre. Në shkrimin e gjatë “Shoku Qemal Stafa na porositi nga burgu që të bënim rezistencë”, botuar para dy ditësh, Kristo Frashëri rreket të hamendësojë, në mungesë të dokumenteve, se ishin komunistët ata që organizuan protestat e para antifashiste dhe nisjen e rezistencës kundër pushtimit italian, se “shoku Qemal Stafa na porositi nga burgu që të bënim rezistencë”. Cili është dokumenti? Me letër apo me gojë ju porositi nga burgu Qemal Stafa? Kujt ia dërgoi porosinë? Në të vërtetë nuk ekziston një dokument i tillë. Kristoja thotë se na i dërgoi “neve” porosinë, duke nënkuptuar vetë nxënësin e gjimnazit Kristo Frashëri dhe ndonjë tjetër anonim. Dhe këta, mbasie e morën porosinë, organizuan demonstratat e protestat në qytetin e Tiranës nga data 4-6 prill 1939 !?
Nga ana tjetër, duke e ditur mirë se kush i nxiti dhe kush i drejtoi protestat e studentëve dhe të qytetarëve të Tiranës ( sepse janë dokumentet), Kristo Frashëri përpiqet përmes “kujtimeve” të tij, të tjetërsojë të vërtetën, për të nxjerrë veten, nxënësin tjetër Isuf Keçi e ndonjë nxënës tjetër anonim ( një nxënës, një djalosh, dikush nga nxënësit, një zë tjetër, etj ) të cilët paskan nxjerrë studentët e gjimnazit në protesta dhe i kanë drejtuar ato. Me këtë rast, edhe një herë ai, mundohet të mohojë, duke mashtruar, rolin e drejtorit të gjimnazit shtetëror, Safet Butkes dhe profesorëve antifashistë në këto protesta: Sotir Papakristo, Vasil Andoni, Mehmet Vokshi,Perikli Mborja e të tjerë . Kristo Frashëri thotë në shkrimin e tij të cituar se “drejtori Safet Butka na pengoi neve nxënësve për të bërë demostratën”. Në cilin dokument e mbështet ai këtë hamendësi? Në asnjë dokument dhe në asnjë dëshmi. Po të ishte ashtu, përse do ta arrestonin dhe do ta internonin fashistët italianë?
Po e vërteta është krejt ndryshe. Ishte drejtori i gjimnazit Safet Butka dhe profesorët e tjerë antifashistë, që ndërprenë mësimin dhe nxorrën studentët në demonstrata kundër qeverisë, që heshtëte dhe kundër pushtuesve italianë.
Në ditarin me titull ”Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun” të Mirash Ivanajt, antifashist dhe themelues i arsimit kombëtar shqiptar, që gjindet në Arkivin e Shtetit, shkruhet tekstualisht:
“E martë, 4 prill 1939.
Edhe sot, të tanë ditën dhe natën, deri pas mesnatës, shfaqjet e popullit ndoqën njena-tjetrën… Ke nxanësit e shkollave të mesme, të primun prej Safet Butkës, gjakut trimosh e dëshmorësh, po pasqyrohen Shqipnia dhe populli shqiptar… Për këto shfaqje të popullit thuhet se, edhe sot, ministri i Italisë i asht ankue qeveris sonë, për të cilën nuk dihet çka ban dhe çka mendon. Radio dhe fletoret heshtin…E vërteta asht se qeveris nuk poi pëlqejnë aspak shfaqjet, qi, pa reshtun, po zhvillohen me bujë gjithnji e ma shurdhuese…”[1] (AQSH, Fondi 836, D.17)
Në dokumentin e arkivave italiane, thuhet tekstualisht
“R.Kuestura Tirana
24.04.1939
ELEMENT STUDENTOR
Na sinjalizohet përsëri qëndrimi i ftohtë dhe veprat penguese, që profesorët e gjimnazit të Tiranës përmbushin nëpërmjet nxënësve të tyre vartës.
Tashmë është e ditur që disa prej tyre ( prof. Butka dhe prof.Papakristo) i kanë këshilluar të rinjtë që të mos përshëndesin sipas mënyrës fashiste.
Mësuesit që dallohen për ndjenjat kundërshtare ndaj italisë, janë: Safet Butka, gjimnaz, Mehmet Vokshi, gjimnaz, Perikli Mborja, gjimnaz dhe prof. Papakristo, ish-Instituti “Nana Mbretneshë” (AQSH, Fondi 295, D.565, v.1939 fl,1)
Janë nxënësit e tjerë të Safet Butkës, dëshmojnë të kundërtën e Kristo Frashërit.
Prof. Besim Daja, arkitekt injohur, pjestar i Luftës NÇ, shkruan:“Periudha para pushtimit fashist ka qenë një nga më të shquarat e shfaqjes së nacionalizmit shqiptar. Në këtë kohë, gjimnazi Shtetëror i Tiranës u bë një nga vatrat më të rëndësishme të patriotizmit, të luftës kundër pushtimit të huaj dhe më pas, të rezistencës antifashiste. Drejtori i gjimnazit, Safet Butka dhe disa profesorë të tjerë gati e ndërprenë mësimdhënien sipas programeve, duke i zëvendësuar ato me temën e ditës “Atdheu në Rrezik!”. Më kujtohet fare mirë dhe e kam parasysh si tani, kur drejtori hynte në klasë i vrenjtur, pa regjistër dhe me “Lahutën e Malcis” nën sqetull. Me zërin dhe gjestet sit ë Aleksandër Moisiut, me fjalën poetike dhe profetike dhe me forcën e interpretimit të vet, professor Butka na trondiste shpirtin dhe na bënte të na rridhnin lotë në heshtje… Këto mësime të vyera të Butkës, e bënë punën e tyre. Gjimnazi ynë gumëzhinte brenda dhe jashtë. Pakënaqësia dhe revolta e nxënësve shfaqeshin sheshit. Pikërisht, në ato ditë, erdhi me ngut në shkollën tonë ministri i Brenshëm, Musa Juka, i cili desh t’u imponohej drejtorit dhe studentëve. Mirëpo, Safet Butka e kundërshtoi hapur dhe gjendja u acarua më shumë. Ne, as u gënjyem, asnuk u trembëm, por me drejtorin dhe me profesorët më të vendosur në krye, vërshuam për disa ditë rresht nëpër rrugët e Tiranës në demonstratë të fuqishme me thirrjet: “Duam armë! Duam armë!”
Ish-nxënësi tjetër i gjimnazit të Tiranës, Alfred Kazanxhiu, ish-partizan i Brig.IV, vëlla dëshmori, në shkrimin “Njerëzit duhet të dinë të vërtetën”, thotë: “Në vitin shkollor 1938-1939 kam pasur drejtor të gjimnazit të Tiranës, Safet Butkën… Janë të paharrueshme për mua dhe shokët e mi ditët e manifestimeve studentore kundër pushtimit fashist. Frymëzuesi dhe drejtuesi i tyre ishte drejtori Safet Butka…Më datën 4 prill në mbrëmje, ne konviktorët morëm pjesë në shfaqjen “Vdekja mbi flamur” që u organizua enkas në kinema “Gloria”. Kishte edhe studentë të shkollave të tjera, profesorë e qytetarë. Pas shfaqjes dolëm në rrugët e Tiranës. Konviktorët ishin të gjithë. Na kishte dhënë zemër takimi me drejtorin disa ditë më parë në konvikt si edhe drama patriotike e Vincens Prendushit. Në krye ishin studentët e klasave më të larta si Teli Ndini, Hadi Kasimati, Islam Kadesha, Jup Jella, Ibrahim Dakli, Besim Daja, Bardhyl Pojani, Vasil Biçaku, Pirro Dodbiba, Murat Angoni e të tjerë…Protestuam në rrugë përpara ministrive dhe përpara legatës italiane me thirrjet : “Larg duart nga Shqipëria!” dhe këngën “Sa të rrojë gjithësia / do të rrojë Shqipëria…”. Ditën tjetër, pas mësimit do të delnim sërish në protesta, por nëndrejtori i konviktit, Namik Resuli, kishte vënë roje te porta dhe na urdhëroi të mos dilnim, perndryshe do të përjashtoheshim nga konvikti. Menjëherë erdhi Safet Butka, që bëri fjalë me nëndrejtorin dhe na lejoi të dilnim bë demonstratë. Ajo që neve na entusiazmoi ishte se Safet Butka erdhi me ne në protestë. Këtë herë manifestuam edhe përpara pallatit mbretnor…Pjesa më e madhe e studentëve rrëmbeu armët dhe luftoi për çlirimin e Shqipërisë. Edhe unë dola partizan në Brigatën III, dhe batalionin IV dhe luftova kundër pushtuesve. Më 5 maj 1944 u plagosa ne Çalebërzeshtë. Edhe vëllai im, Koço Kazanxhiu, fali jetën për atdheun. Tani jam te të tetëdhjetat dhe meraket e mija për Shqipërinë janë të mëdha. Një nga këto merake është edhe ky : njerëzit duhet të dinë të vërtetën për Safet Butkën!” (A.Kazanxhiu, 28 nëntor 2002)
Veprimtarinë kundërfashiste, Safet Butka e vazhdoi edhe në gjimnazin e Shkodrës. Ish-nxënësi i tij, Sitki Bushati, mjek dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, pjesëmarrës në Luftën NÇ, shkruan: “Unë isha nxënës i gjimnazit të Shkodrës, kur erdhi profesor Safet Butka. Ishte viti shkollor 1939-1940. Në klasën tonë e shoqëroi drejtori, i cili na e paraqiti si profesor të shqipes…Mbas një heshtjeje të gjatë, ai na pyeti:
– A e dini që jemi një vend i pushtuar?
– Po, iu përgjigjën disa.
– A e dini që Shkodërlokja dhe ju nuk jini më të lirë?
– Po.
– Atëherë, ç’prisni?
Lëvizën bangat, sikur krisën eshtrat dhe ne u gjindëm më këmbë. Mua më vlonte gjaku dhe më rrihte zemra. Isha gati të dilja jashtë dhe t’u hidhesha fashistëve në fyt…Por profesori na tha se duhet të organizoheshim. Dhe kështu bëmë. Në krye të demonstrartave antifashiste në Shkodër ishin profesorët Safet Butka, Preng Kaçinari, Tahir Shkreli etj.”
Po le t’u kthehemi dokumenteve:
Në dok.e policisë Shkodër, dt.6.04. 1940, shënohet nga organizatori i policies Luigi Battalia:
”I internuari politik , profesori i gjuhës shqipë, Safet Butka, një nga përgjegjësit kryesorë të manifestimeve studentore të verifikuara në Shkodër, duke u demonstruar kështu një element i rrezikshëm për rregullin e sigurinë publike”.( AQSH F>253, D31/5, v.1940)
Në dokumentin tjetër “Manifestimet dhe sfondi politik në Shqipëri”, 0985 J, dt.10.04.1940, ndër të tjera shkruhet:”Në demonstratën e 28 nëntorit profesori Shkreli ishte në korent të githçkaje.. Për demonstratën e datës 30.01.1940 ka punuar shumë gjithashtu edhe drejtori i postë-telegrafës…Në këtë lëvizje bëjnë pjesë edhe profesorët Butka dhe Taho Shkreli…” (AQSH, F.253, D.31 v.1940)
Për pjesëmarrjen aktive në demonsratat antifashiste më 28 nëntor 1939 dhe 30.01,1940, Safet Butka, i cilësuar në dokumentet e kuesturës italiane si një nga drejtuesit kryesorë të manifestimeve studentore në Shkodër, u arrestua më 5.02.1940 dhe u intenua në Ventotene të Italisë për tre vjet.( AQSH F.253, d.31/5 v.1940)
Falsifikatori i historisë, Kristo Frashëri, mohon edhe rolin e Mehdi Frashërit në kundërshimin e agresionit fashist dhe gënjen kur shkruan: “Ish-kryeministri i Zogut, Mehdi Frashëri, me fraza të errëta dhe me pozë politikani, filloi të na fliste me një gjuhë diplomatike pa kripë, fjalë tërë flluska, të cilat njeriu sapo i dëgjon i harron se nuk lënë asnjë mbresë…”
Ndërkohë që e vërteta historike e njohur botërisht është që deputeti i Parlamentit shqiptar, Mehdi Frashëri, e ngriti zërin fuqishëm në mbledhjen e posaçme të Parlamentit të datës 6 prill, ku u kundërshtua agresioni Italian, si edhe në mëngjesin e datës 7 prill 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Mehdi Frashëri shkoi në Radio-Tirana dhe që andej iu drejtua gjithë popullit shqiptar duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi, i cili u ndoq me interes të madh brenda e jashtë Shqipërisë, Mehdi Frashëri e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidental, modern dhe i motorizuar, që sulmon një vend independent, anëtar të Lidhjes së Kombeve”.
Pas atij fjalimi patriotik, Mehdi Frashëri i kërcënuar, kërkoi strehim politik në Legatën turke në Tiranë, por autoritetet pushtuese italiane e nxorrën forcërisht nga Legata dhe e internuan në Itali në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943.
Pseudo-histotiani Kristo Frashëri mohon edhe faktin e dokumentuar tanimë se në Durrës majori Abaz Kupi, në krye të një pjese të vogël të ushtrisë shqiptare, u bëri qëndresë me armë në dorë pushtuesve, ku vra edhe kapteri Mujo Ulqinaku. Po ashtu, në Vlorë nacionalistët me Hysni Lepenicën e Skënder Muçon në krye, luftuan me armë kundër italianëve, në Sarandë ushtaraku Nazif Mero me një grusht njerëz luftoi trimërisht. Në Shkodër, te ura e Bahçallëkut, shkodranët i pritën po me armë këmishëzinjtë.
Ndërsa Lec Kurti, përfaqësuesi i shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, më pas ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, nga Radio Londra protestoi kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Zëri i Lec Kurtit ishte zëri i parë dhe i vetëm në Evropën e asaj kohe, kur zërat e tjerë të politikës evropiane heshtën. Gjithashtu, Lec Kurti bashkë me Miss Durhamin, mbrojtësen e madhe të Shqipërisë dhe miq të tjerë të Shqipërisë në Londër, protestuan përpara Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe kundër agresionit ushtarak fashist ndaj një vendi anëtar i Lidhjes së Kombeve.
Shekulli i ri i frytshëm i akademikut Kristo Frashëri
Nga Prof. Emil Lafe/
Më 4 dhjetor, Kristo Frashëri hyri në vitin e 94-t të jetës. I urojmë nga zemra që të arrijë të kapë edhe njëqindvjetorin, e më tej! Unë shkoj e vizitoj herë pas here, sidomos të dielave pasdite, sepse profesori im i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës e ka kohën shumë të çmuar dhe të kursyer. Nuk duhet penguar kur është në orët më të mira të punës, nuk duhet shqetësuar kur ka orët e çlodhjes! Me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën e nderuar, nuk i reshtet punës. Tryezën e ka plot me dosje dorëshkrimesh, që njëra pas tjetrës marrin aty formën e librave. Ky shekull i ri ka qenë veçanërisht i frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara prej tij në veprën kolektive “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (2008-2009), në këta 12 vjet të shekullit të ri (2002-2013) ai ka botuar edhe 16 libra studimorë, që janë fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe i materialeve të grumbulluara me kujdes e me durim për studimet e shumta të mëparshme. Ai ndërkaq ndjek me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit.
Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se ç’është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë.
Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet gjithashtu nga ndjenja e dinjitetit kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergjimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar.
Prof. Kristo Frashëri meriton jo vetëm urimet tona më të mira për jetë të gjatë, të qetë e shëndet të mirë që të çojë përpara projektet e tij shkencore. Ai meriton, në radhë të parë, një përkrahje të përshtatshme e të përhershme shtetërore për t’i krijuar kushte më të mira jetese e pune dhe për të siguruar botimin e veprave të tij me kritere shkencore akademike dhe me cilësi teknike bashkëkohore.
Libra të Kristo Frashërit të botuar në 12 vjetët e fundit (sipas viteve)
1) Skënderbeu. Jeta dhe vepra. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002, 571 f. ;
2) Historia e Tiranës. Vëll. I. 2004, 472 f. ;
3) Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime dokumentare shqiptare. Vëll. I. 2005. 380 f.
4) Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj. 2005, 101 f.
5) Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (Vështrim historik me një shtojcë dokumentare). 2006, 471 f.;
6) Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera. (Ndërhyrje në debatin Ismail Kadare – Rexhep Qose). 2007, 211 f.;
7) Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008, 364 f.;
8) Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008, 284 f.;
9) Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zviceran dhe disa analistë shqiptarë. Vështrim kritik. 2009, 198 f.;
10) E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit. 2010. 111 f.;
11) Frashëri – shkëlqimi dhe rrënimi i tij (vështrim i shkurtër). 2010, 201 f. ;
12) Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Botohet me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë. 2012, 755 f.;
13) Historia e Dibrës. Që nga lashtësia deri në mars 1939. 2012, 621 f.;
14) Ismail Qemali (Album). Botohet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 2012, 107 f.;
15) Abdyl Frashëri Jeta, veprimtaria dhe shkrimet (1839-1892). 2013, 430 f.
16) Etnogjeneza e Shqiptarëve. Vështrim historik. 2013, 272 f.