Kryeministri Rama në Prishtinë, shpreh përkrahjen e Shqipërisë për proceset në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 16 Korrik 2015/-Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama mbërriti sot për vizitë zyrtare në Kosovë, i pritur në kryeqytet, Prishtinë, para Kryeministrisë nga kryeministri kosovar Isa Mustafa e zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.
Gjatë takimit, ku ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, koordinimin e projekteve dhe bashkëpunimit të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës si dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri Isa Mustafa e informoi kryeministrin Edi Rama për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shqipërinë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.
Kryeministri Rama po ashtu shprehu përkrahjen e Republikës së Shqipërisë për proceset në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Kosovën.
Korrespondenti në Kosovë ishte në pritje dhe brenda takimit për një kohë, gjatë së cilës kryeministrit Rama iu shpreh e gjithë mikpritja e përzemërt dhe vëllazërore, ndërsa me kryeministrin kosovar Mustafa flisnin edhe për udhëtimin nga Tirana drejt Prishtinës, mes dy kryeqyteteve.
Takimi, pas të cilit sapo u dërgua komunikata për media e Kryeministrisë kosovare, u mbajt në ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, nga i cili mediat mundën të marrin vetëm pamje.
Sot populli nuk është sikurse dje zotri kyreminister, andaj zbatoje vullnetin e tij!
Opinion Nga Ramadan Bozhlani/
Në Kosovë, fatkeqësisht statusin e figurës kryesore politike si paraardhësi dhe tashmë pasardhësi e kanë degjeneruar deri në shkallën e qyqaris, duke ia çveshur atributet themelore siç janë dinjiteti, fuqishmëria, guximi dhe vendimarrja në favor të popullit nga i cili janë legjitimuar për të tillë.
Në horizont asnjëher nuk janë shfaqur shenja të përpjekjes për organizimin e protestave nga vet populli kundër atyre fenomeneve që e kanë tërhequr ferrin në çdo cep të vendit edhe kur e kanë verifikuar mungesën e përgjegjësis politike përball situatave delikate që e kanë cenuar krenarin kombëtare, interesin e përgjithshëm, përdorur e shpërdorur popullin në varësi të interesave të grupeve, të vet politikanëve dhe të të tjerëve.
Sot rrugët e kryeqytetit janë mbushur me pleq, plaka, nëna, burra, rini dhe fëmijë që i përndezin shkëndijat e vetëdijes, e logjikës dhe të përgjegjësis së një populli të pjekur karshi intersava të veta.
Sot përmes kësaj proteste dëshmohet dinjiteti dhe nderohen vatrat, djepat dhe varret e ketij shteti të thyer shpirtërisht.
Nënat shqiptare janë heroinat e këtij vendi, ato linden, rriten dhe frymëzuan fëmijet e tyre në emër të lirisë në kushtet e një roberie mizore.
Një sërb i priviligjuar me statusin e ministrit përmes deklaratave përligj veprimet makabre të përbindshave të races së vet duke fyer heroinat tona me një gjuhë barbare, pastaj thirret ne “Kosovë e Metohi”, pastaj edhe kundër formimit të ushtrisë sonë dhe në këtë mënyrë përfill të gjitha kriteret për ta quajtur Jabllanoviqin një shovenist të pandreqshëm.
Isa Mustafa, e pat rastin historik të ju jep një leksion atyre që kanë guximin ta fyejn simbolin e qenies më të sakrifikushme dhe më të nderushme në racen tonë, po ashtu atyre qe thirren në emrin “Kosovë e Metohi” dhe të atyre që jetojnë brenda shtetit të Kosovës dhe mundohen t’i zbatojn politikat nacionale sërbe. Por, fatkeqësisht e veproj të kundërten sepse ishte më e leht t’i nxirrte në rrugë pleqet, plakat, nënat, baballarët, rinin dhe femijët në këtë të ftohët se sa ta flakte nga ekzekutivi këtë shovenist, i cili nuk shqetesohet por rrah gjoks sepse ja keni dhën mundësin!
Sot populli nuk është sikur dje zotri kyreminister, andaj zbatoje vullnetin e tij!
NË KONFERENCËN PËR SHTYP KRYEMINISTRI RAMA I VURI NË GJUMË GAZETARËT DHE NERVOZOI PUBLIKUN
Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Opinioni publik e priti me interes daljen e kryeministrit Rama në konferencë për shtyp e cila u paralajmërua edhe si një bashkëbisedim me komunitetin e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, gjë nuk u përmbush dot. Pasi Edi Rama nuk e paska një ekip që t’i kishte përgatitur një skemë-komunikimi ndryshe nga rutina.
Që në fillim, ai shkeli ku nuk duhej. Nisi të bënte narracion për sukseset e ekipit të tij në pastrimin e plazheve apo për arritjet katrastrofale të turizmit në vitin 2014, duke përmendur si shifër faktin se Shqipëria ishte vizituar nga 1 milionë e ca vizitorë jo rezidentë, që në fakt nuk janë turistë të huaj, por shqiptarë të emigruar gjatë tranzicionit apo shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë etj.etj.
Për të pare se ku është Shqipëria sa i përket turizmit, po ju jap një statistikë nga Zvicra. Turizmi në Zvicër përbën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ose thënë ndryshe Zvicra ka rreth 40 milionë turistë në vit, ku 20 milionë janë vetë zviceranët dhe rezidentët që lëvizin nëpër konfederatën helvetike dhe 20 milionë janë të huajt. Dhe Zvicra gjithmonë synon më shumë e më shumë.
Të flasësh për turizëm dhe investitorë të huaj është si të ecësh në zonë të minuar. Shqipëria do të ishte një destinacion për miliona e miliona banorë të Europës, të cilët në vend që të zbarkojnë në Shqipëri, zbarkojnë me miliona në plazhet e Turqisë dhe Greqisë.
Dhe dihet se përse nuk vijnë. Për shkak të sigurisë. Nuk ndihen të sigurt në një vend ku vritet drejtori i Bankës private shqiptare.
Edhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, për të njëjtat arsye. Sepse kur vidhet Banka e Shtetit dhe sistemi është i përçudnuar nga kasta klienteliste-nepostiste, ata s’kanë kurrëfarë garancie për paratë e tyre.
Edi Rama e kaloi kalimthi reformën territoriale dhe atë arsimore, të cilat janë premtuese, ndërsa tek Lazarati nuk u ndal fare, që në fakt është sukses i shtetit.
Edi Rama i vuri në gjumë gazetarët në sallën e Konferencës për shtyp. Ashtu si na vuri në gjumë edhe ne të tjerët që po e ndiqnim prej televizorëve. Fliste pa ritëm, pa elokuencë, paçka se e ritha se është njeri i letrave, ndërsa shtirej se nuk e kishte idenë fare se koha ecte. Aty pranë kishte një femër tip këshilltare me flokë të ngjyera terr të zi e cila nuk pipëtinte gjumshëm.
Pra, kryeministri i Shqipërisë dukej sikur e kishte humbur nocionin kohë. Koha rrjedh dhe nuk pret e pyet askënd. Nuk do t’ja dijë se je kryeministër. Koha vepron me ligjet e veta të pamëshirëshme të cilat i tregojnë Ramës se viti i parë i mandatit të tij po mbushet.
Ose Edi Rama, duke parë natyrën e pyetjeve edhe përmes rrjeteve sociale, për t’iu shmangur temave të nxehta, kishte vendosur që të zvarritej në një prolog të pafund i cili u bë tmerrësisht monoton dhe i mërzitshëm.
Opinioni publik priti që Edi Rama të përballej direkt me realitetin e vrazhdë shqiptar, ku përfshihen edhe dy skandalet më të fundit, i BSh dhe skandalit i punësimeve të ish-sekretarit të deputetit të PS.
Por Edi Rama prapë heshti dhe hezitoi të fliste. Heshti në emrin e pavarësisë së institucionit, siç është Banka e Shtetit dhe bëri memecin nga pozitat e qytetarit. Ai mund të thosh atë që tha e të shtonte atë që duhej. Se si ndihet ai, Edi Rama si një qytetar i Shqipërisë kur përballej me faktin se Guvernatori që merr 100 fishin e rrogës të një pensionisti nuk arrin të përmbushë detyrimin si guardiani i institucionit të shtetit që drejton.
Edhe kur iu bënë pyetje rreth ekipit të Kokëdhimës në vend të një qëndrimi të prerë vazhdoi me kalambure, sipas të cilave edhe ai si kryeministër mund të mbante ekip në Vlorë, po të kishte para. Po ku t’i gjente paratë kryeministri? Po ku t’i gjejnë paratë deputetët që të paguajnë ekipe me nga 12 vetë? Kokëdhima ka para. Nëse Kokëdhima ka para, ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet e shtetit, që do të thotë se nuk mund ta përdorë paranë e tij siç e përdor sepse aty ka konflikt interesi.
Në këtë konferencë për shtyp, pritej të paktën që Edi Rama të ishte i sinqertë me publikun. Ai nuk e bëri as këtë. Ishte i kontraktuar.
Vetëm në fund të konferencës për shtyp, kur besoi se i kishte shpëtuar ankthit të pyetjeve rreth Bankës të Shtetit dhe ish-sekretarit të Kokëdhimës, Rama doli nga rutina 23 vjeçare e kryeministrave të Shqipërisë në këtij tranzicion gati perpetual, kur papritmas, kur nuk e priste askush, filloi të tregonte për takimin e tij me Kancelaren Gjermane.
Po e sjell ad literam se çfarë tha kryeministri rreth takimit të tij me Angela Merkel:
„Ishte momenti, tregoi Edi Rama, kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: ….“ Më thuaj me të njëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor….“
Dhe pikërisht këtu nga do të duhej ta niste, Kryeministri e mbylli si epilog konferencën e për shtyp.
Por, të paktën dialogu Merkel-Rama i zgjoi gazetarët nga gjumi, ndërsa opinioni publik i nervozuar, nga ana e tij i tha – „Hë mo dhe ti Edi Rama je si të tjerët, deri tani na bëre vetëm demagogji“.
Zoti Kryeministër shfuqizoni provimet për nxënësit
Provimet e maturës kanë disa ditë që kanë përfunduar dhe tashmë shkollat dhe nxënësit mund të pushojnë të qetë këtë verë, të paktën deri në datat e caktuara kur të parat do të gjallërojnë nga nxënësit për të dhënë provimet e vjeshtës dhe të dytët kur të fillojnë të bëjnë regjistrimet nëpër universitete. Relacionet e shumta pas provimeve, ka një numër rekord nxënësish jokalues, dhe mospranimi nga një pjesë nxënësish të rezultateve na bëjnë të mendojmë përsëri se shkolla shqiptare vazhdon të vuajë pasojat e reformave të mëparshme. Është e qartë se rezultatet e sivjetme nuk duhen kërkuar tek viti i fundit, por në të gjithë vitet ku nxënësit ndjekin rregullisht shkollën. Nëse qeveria do të ndjekë përsëri variantin e vjeshtës për t’i regjistruar më pas në të gjitha universitetet edhe mbetësit, atëherë nuk kemi bërë asnjë hap para. Kemi mbetur në vend numëro dhe fasada do të ishte vetëm sipërfaqja e problemit, por jo thelbi. Mendoj se duhet të ndahemi një herë e mirë nga e kaluara e afërt, duke synuar vërtet cilësinë e shkollës, por kjo duhet të fillojë nga hallkat e para të zinxhirrit, pra shkollat fillore, nëntëvjeçare e deri në të mesmen. Nëse nuk veprohet kështu atëherë arsimi shqiptar do të mbetet peng i politikës, pavarësisht rotacioneve qeverisëse. Nëse do të mbahet i njëjti qëndrim atëherë, do të shtroja disa pyetje që vërtet do të ishin qëndra e debatit për specialistët dhe vetë ministrinë. Pas viteve ’90 shkolla jonë u fut në rrugën e reformave të detyrueshme pas ndërrimit të sistemeve, por mund edhe të ishte ruajtur staus quo-ja e shkollës, pasi niveli i saj ishte shumë i mirë dhe rezultatet po ashtu. Ideatorët e shkatërrimit të zinxhirrit të arsimit shqiptar gabuan dhe gabuan rëndë, ashtu si dhe e gjithë klasa politike shqiptare që nuk diti të ngrihej në lartësinë e kohës. Por ajo që u bë, u bë dhe tash duhet të mendojmë që të riparojmë gabimet. Gabimet nuk riparohen me të njëjtën politikë, por punën dhe me përgjegjësitë se si duhen të jenë shkollat. Një shkollë e dobët, na lë prapa klasifikimit në Europë. Një shkollë e fortë dhe cilësore na bën më të vetëdijshëm drejt misionit të saj edukues dhe formues.
A kanë më peshën e duhur provimet e lirimit dhe të maturës? Të gjitha këto vite kanë treguar se provimet ishin një formalitet dhe se shumë nxënës të mirë u zhgënjyen nga rezultatet e tyre. Në këtë pikë duhet të ndalemi drejt: ose ata nuk ishin të stimuluar që të punonin shumë për to, ka shumë gjasa që mungesa e stimulit të jetë kryesore, ose notat janë anashkaluar nga stafet e korrigjimit dhe janë vendosur sa për të kaluar radhën. Ndryshe nuk ka sesi të shpjegohet se nxënësit e dobët kapin rezultate të mira. Pra në këtë pikë formalizmin e provimeve mund ta shfuqizojmë fare dhe nxënësit të mos jenë të detyruar që t’u nënshtrohen atyre. Kjo do të ishte më e ndershme, sesa marifetet e pafund për to. Nga ana tjetër është humbje e madhe kohe dhe energjie, pasi mobilizohen me qindar mësues për korrigjimet, trajnohen dhe paguhen shumë të tjerë që vetëm duhet të jenë administrator të provimeve. Në këtë kohë krize asnjë shpenzim nuk duhet të jetë i pamotivuar, aq më tepër që tek ne duket se shkojnë dëm.
Përse një vlerësim i pakuptimtë në mbarim të shkollës? Nxënësit janë pjesë e stafeve shkollore për një kohë të gjatë gati 12 vjeçare dhe një periudhë një vjeçare nga viti në vit. Kjo është kohë e mjaftueshme që mësuesit kanë në dispozicion për të kuptuar dhe vlerësuar nxënësit me notat që meritojnë. Nëse mësuesit nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë me kopetencë, atëherë problemi nuk është më i nxënësit dhe shkollës, por i vetë mësuesve. Lind padyshim një problem tjetër, ai i vlerësimit të mësuesve, i trajnimit të atyre të rinj, i formimit dhe i kualifikimit. Tradita dhe mendimi tradicional ndoshta do të alarmohet nga këto ide që do t’i konsiderojë aliene dhe çudira në vazhdën e kaosit shqiptar dhe do të shkruhen aq shumë faqe gazetash saqë besoj se deri në fillim të vitit të ri shkollor do të ketë vend për debate. Dhe mirë do të jetë. Nëse rotacionet sjellin supershpenzime nga buxheti i shtetit, paguhen të gjithë ata që hiqen nga puna, atëherë logjika e do që të ulen shpenzime të tjera të panevojshme, siç janë provimet.
Në epokën e teknologjisë moderne ku gjithçka gjendet në internet, a nuk do të ishte më mirë të punohet gjatë vitit që nxënësit të njihen me dijet? Është fat që teknologjia po na e lehtëson punë të gjithëve, por kjo duhet shfrytëzuar edhe për nxënësit që edhe ata të mos bien pre e një jete të plogësht duke u marrë vetëm me rrjetet sociale. Motivimi gjatë orës së mësimit që ata të merren me shfletime të dobishme për dije është një synim i ardhshëm për shkollën tonë, prandaj duhet ta vëmë në plan të parë. Kjo nënkupton pajisjen e shkollave më kompjutera dhe risi teknologjike për të cilat kam shkruar dhe më parë. Nxënësi duhet të jetë pjesë e mësimit në çdo moment dhe si i tillë ëkrkohet tërheqja e vëmendjes ndaj dijes dhe jo ndaj zbrazëtisë së rrjeteve sociale.
Pak ditë më parë një miku im studiues në Itali, në një konferencë me temë “Kultura, shkolla dhe trashëgimia kulturore, dje, sot, nesër. Procese formuese dhe kultura të reja”, i drejtoi një apel kryeministrit italian, duke i kërkuar shfuqizimin e provimeve dhe sipas ideve të shprehura, mendoj se ka të drejtë, shumë të drejtë. Natyrisht mes dy shkollave ka dallime thelbësore, por në këtë pikë jam plotësisht dakord me arsyetimet e tij, duke qënë edhe vetë pjesë e arsimit, poi a drejtoj të njëjtin apel kryeministrit Rama: Zoti Kryeministër shfuqizoni provimet për nxënësit !!!
Arjan Th. Kallço
KRYEMINISTRI THAÇI: ALBIN KURTI NUK ESHTE RIVALI IM!
INTERVISTE E GAZETARIT SAIMIR SULAJ ME KRYEMINISTRIN E KOSOVËS, HASHIM THAÇI/
Përshëndetje zoti kryeministër, mirëse ju gjetëm dhe faleminderit që pranuat të flisni për ne! Motoja juaj e re është “Misioni i ri”. Çfarë domethënie ka “Misioni i ri”?
Kryeministri Thaçi- Ne kemi përmbyllur dy fazat më të rëndësishme, apo sfidat më të rëndësishme që kemi pasur si vend, si qytetarë. Sfida e parë, atë të fitimit të lirisë, pra çlirimit të Kosovës, largimi i Serbisë prej Kosovës. Sfida e dytë, apo beteja e dytë ka qenë bërja e Kosovës së pavarur dhe sovrane. Sot Kosova është vend sovran, është i pavarur, i njohur prej 106 shteteve ndërkombëtare, integruar në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në shumë institucione financiare. Tani ne duhet të vazhdojmë me sfidën e tretë apo qëllimin dhe synimin tonë të tretë, atë të bërjes së Kosovës një vend edhe më i zhvilluar, mbi të gjitha me krijimin e vendeve të reja të punës. Pra, misioni i ri është përkushtimi ynë për fuqizimin dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, krijimin e vendeve të reja të punës dhe integrimin e Kosovës në NATO, Bashkimin Europian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kohët e fundit ju keni pasur një sërë vizitash në qytete të ndryshme të Kosovës, ku keni parë biznesin. Si po ecën biznesi në Kosovë?
Kryeministri Thaçi -Kosova është një vend atraktiv për biznesin. Është krijuar një klimë e mirë për investime. Kemi një partneritet shumë të ngushtë mes qeverisë së Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës, me Dhomën Ekonomike Amerikane gjithashtu dhe me Agjencionin e Biznesit Kosovar. Në të njëjtën kohë, ne zhvillojmë kontakte të vazhdueshme dhe drejtpërdrejt me komunitetin e biznesit, qoftë përmes takimeve tona që i kemi, qoftë përmes vizitave të ndryshme për t’u informuar drejtpërdrejt për gjendjen reale që ekziston në këto biznese, për mundësinë e thellimit të këtij partneriteti, sepse jam i bindur se vetëm ky partneritet mes qeverisë dhe biznesit, do të rrisë angazhimet për zhvillim ekonomik dhe për krijim të vendeve të reja të punës. Tani ne kemi lancuar edhe idenë apo projektin e krijimit të Fondit për Punësimin, që do të jetë një fond prej 1.5 miliardë Eurosh. Ky fond do të do t’i dedikohet drejtpërdrejt biznesit. Pra, investimeve që qeveria e Kosovës do t’i bëjë në ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, me qëllimin dhe synimin për zgjerimin e këtyre ndërmarrjeve, për rritjen e prodhimit dhe natyrisht kijimin e vendeve të reja të punës. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar që përfitues të këtij fondi, të jetë edhe shpirti i ri i ndërmarrësisë, shpirti i ri afarist, ata njerëz që dëshirojnë të hapin biznese të reja, por që sigurojnë dhe garantojnë që do të hapin vende të reja të punës. Pra, do të jetë një mundësi e re, një mundësi e madhe, një mundësi që vende të tjera nuk e kanë praktikuar. Dhe këtë mundësi unë kam besim që biznesi kosovar do ta shfrytëzojë maksimalisht. Jam në kontakt të vazhdueshëm me biznesnin anëkënd Kosovës. Të gjithë e presin me padurim dhe entuziazëm këtë vendim të qeverisë së Kosovës dhe unë kam besim të plotë që ne do të bëjmë hapa të rëndësishëm për të ecur përpara.
Kuvendi i Kosovës miratoi javën e kaluar ngritjen e Gjykatës së re Speciale, e cila do të merret me hetimin e dyshimeve për krime lufte. Ju jeni shprehur se kjo ishte një padrejtësi që po i bëhet Kosovës. Pse arriti çështja deri në këtë pikë?
Kryeministri Thaçi -Kuvendi i Kosovës ka votuar më shumë për të ruajtur bashkëpunimin dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës ka votuar sepse i beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe NATO-s. Mbi të gjitha i beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë edhe në fjalimin tim drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, e kam potencuar dhe e ritheksoj edhe sot: Është një padrejtësi ndaj shtetit të Kosovës, sepse gjëra të tilla nuk kanë ndodhur as në Bosnje, as në Kroaci dhe as kundër Serbisë. Por, ne nuk i frikësohemi drejtësisë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj edhe kemi votuar që të formohet ajo Gjykatë e Veçantë, me ligjet dhe juridiksionin e Kosovës. Populli i Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë, të pastër dhe të ndershme. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare. Akuza dhe shpifje të tilla kanë ndodhur edhe më herët ndaj lidershipit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotit Haradinaj, zotit Limaj. Por, edhe në Hagë ka fituar drejtësia mbi shpifjen, intrigën dhe prapaskenat e ndryshme. Por dua të potencoj se askush dhe asnjë gjykatë nuk do të mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, historinë e rajonit. Kosova e ka fituar betejën, e ka fituar pastër, me një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe NATO-n. Pra, ka qenë një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare e padrejtë në raport me institucionet e Kosovës. Por për hir të bashkëpunimit me botën perëndimore, edhe këtë sfidë mund të themi, e kemi gëlltitur që të shikojmë për të ardhmen e shtetit tonë.
Rivalët tuaj politikë si Albin Kurti, ngrenë pikëpyetje nëse ju do të jeni pjesë e hetimit të Gjykatës së re Speciale apo jo. Ju jeni një zyrtar i lartë politik në Kosovë. Nëse marrim një rast hipotetik, që ju vjen një fletëthirrje nga Gjykata e re Speciale, ju do t’i përgjigjeni?
Kryeministri Thaçi -Zoti Kurti nuk është ndonjë rival i imi. Ndërsa në anën tjetër, të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë njerëzit bartës të përpjekjeve për liri, kanë zhvilluar luftë të drejtë, kanë zhvilluar luftën për lirinë e vendit të vet. Dhe ajo është krenaria më e madhe që ndjej në jetën time. Dhe sikur të kisha edhe shumë jetë të tjera, nuk do të ndryshoja asgjë nga angazhimet e mia jetësore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kosova njihet sot nga shumë shtete. Është bërë një punë e mirë e diplomacisë së Kosovës në këtë pikë. Por për të arritur dy të tretat e vendeve anëtare në OKB, që shërbejnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, duhet ende punë. Çfarë po bën diplomacia e Kosovës për njohjen e shtetit të ri?
Kryeministri Thaçi -Ne kemi fituar 106 njohje ndërkombëtare. Njohjet do të rriten edhe në të ardhmen. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë edhe me të gjithë miqtë ndërkombëtarë. Gjithashtu edhe diplomacia shqiptare është duke ndihmuar kudo ku ka hapësirë dhe mundësi. Kështu që jam me shpresë dhe optimizëm që njohjet do të njohjet do të rriten.
Kthehemi në çështjet e brendshme të Kosovës. Në raportin vjetor të “Transparency International” për “Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit” për vitin 2013, Kosova renditet në vendin e 111-të në botë. Edhe sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se ka pasur përhapje të gjërë të peceptimit publik mbi depërtimin e korrupsionit qeveritar. Çfarë po bën qeveria për luftimin e korrupsionit në këtë aspekt?
Kryeministri Thaçi -Kosova është shembull në rajon për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeneve negative. Ne kemi pasur fat që prej 15 vitesh, Kosova është udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare, një herë prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe një herë prej misionit të rendit dhe ligjit, misionit të Bashkimit Europian. Tashmë kemi arritur një bashkëpunim të avancuar, dhe tani gradualisht institucionet e Kosovës po marrin edhe përgjegjësitë ekzekutive. Kosova ka treguar shembullin më të mirë të luftës kundër këtyre fenomeneve negative. Një betejë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe jam i bindur që këtë betejë jam i bindur do ta fitojmë bashkërisht. Por në të njëjtën kohë e theksoj që Kosova është pjesë e këtij rajoni që ka dalë nga luftëra të ndryshme të përcjella me fenomeneve negative.
Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë po afrojnë. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë largimi nga PDK i dy ish-bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë Limaj dhe Krasniqi?
Kryeministri Thaçi -Partia Demokratike e Kosovës do të shënojë fitore të thellë dhe bindëse. Partia Demokratike e Kosovës çdo ditë është duke u zgjeruar dhe masivizuar. Kemi një mbështetje entuziaste të qytetarëve të vendit. Pronari i Partia Demokratike e Kosovës është vetë elektorati i Partisë Demokratike të Kosovës. Sot PDK ka tejkaluar kornizat e ngushta partiake. Më tepër është një lëvizje qytetarë dhe sidomos një mbështetëse shumë e fuqishme e misionit të ri që do ta udhëheqë personalisht unë së bashku me gjithë ato vajza dhe djem të ri, të Partisë Demokratike të Kosovës, që janë shkolluar në botën perëndimore, dhe që kanë sjellë përvojën, dijen, eksperiencën e tyre në Kosovë dhe ndaj mbi petkun partiak do të dalë ideja perëndimore e vajzave e djemve të Partisë Demokratike e Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, të shoqërisë civile që po i bashkëngjitet Partisë Demokratike e Kosovës dhe gjithë atyre njerëz dashamirë dhe mbështetës të fuqishëm të Partisë Demokratike e Kosovës.
A mendoni se do të ketë ndikim largimi i Limajt dhe Krasniqit?
Kryeministri Thaçi – Unë mund të them Partia Demokratike e Kosovës nuk është ndonjë parti që është e varur prej individit, por varet direkt nga programi, qëllimi dhe vizioni. Sot Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që ka lidership të qëndrueshëm, një lidership që mundet dhe di ta udhëheqë vendin dhe që ka program, qëllim, vizion, që e ka misionin e ri të qartë dhe që ka një mbështetje të gjerë qytetarëve në dallim nga partitë e tjera që nuk kanë as lider, as ide me përjashtim të vullnetit që dëshirojnë të jenë ose kryeministra ose të jenë fitues të zgjedhjeve. Por, fituesin nuk e përcakton dëshira e një kryesie të një partie apo të një lideri të përkohshëm por e përcakton vullneti i qytetarëve të Kosovës. Ky vullnet është në Partisë Demokratike të Kosovës, është në anën e qeverisjes së mirë, të rendit dhe ligjit, të luftës kundër korrupsionit. Unë e kam uruar edhe mundësinë për të arritur një marrëveshje apo një Kod, të pastrimit të skenës politike, një Kod të listës zgjedhore politike që të mos kemi lista zgjedhore asnjë individ që është nën hetim për korrupsion dhe krim të organizuar, apo dukuri të tjera negative. Edhe pse jemi partia qeverisëse, përsëri partitë opozitare hezitojnë të kenë listat të pastra për qeverisje të mirë. Pa lista të pastra për kandidatë për deputetë nuk mund të kesh as qeverisje të mirë. Pra ne do të vazhdojmë betejën tonë për qeverisje të mirë, dhe në të njëjtën kohë edhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ju keni kohë që jeni në krye të qeverisë së Kosovës dhe zakonisht periudha e gjatë e konsumon qeverisjen dhe liderin e saj. Përse duhet t’ju besojnë sërish qytetarët e Kosovës?
Kryeministri Thaçi -Qytetarët e Kosovës janë duke vlerësuar punën e mirë që është bërë. Çdo herë kërkesat e qytetarit sesa realizimi i tyre. Nga premtimet që kemi paraqitur para qytetarëve ne kemi realizuar edhe më tepër. Ndaj qytetarët kanë besim se ne duhet të vazhdojmë qeverisjen. Qeverisja nuk duhet shikuar me numrat e viteve por me efektivitetin e qeverisjes në shërbimet e ofruara ndaj qytetarëve. Unë jam disa vite në qeverisje por në moshë jam më i ri se liderët e opozitës. Jam veteran i skenës politike por me moshë jam më i ri se sa liderët e opozitës. Por, nuk e lidh këtë më shumë me moshën sesa me projekte, ide, koncepte dhe misionin e ri. Kosova nuk mund të kthehet të qeveriset prej njerëzve të viteve ’89. Kosova nuk mund të qeveriset prej njerëzve që vetëm kanë dëshirë me qenë kryeministra. Kosova nuk mund të qeveriset vetëm prej njerëzve që dëshirojnë të mbijetojnë në skenën politike kosovare. Unë në misionin e ri kemi filluar mbi bazën e qeverisjes së mirë që kemi ndërtuar në këto vite. Jam i bindur se Partia Demokratike e Kosovës do të jetë fituese e zgjedhjeve të vitit 2014, një fituese bindëse. Por, mbi të gjitha fitues do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës. Këtë shpirt fitues unë e shoh kudo. E shoh tek rinia, e shoh tek studentët, mësuesit, tek punorët e thjeshtë, pensionistët, te veteranët, te familjet e dëshmorëve, te invalidët, e shoh kudo dhe anekënd Kosovës dhe tek gjithë gjeneratat e vendit.
A do të jepni dorëheqjen nga drejtimi i PDK-së nëse do të humbni zgjedhjet?
Kryeministri Thaçi -Partia Demokratike e Kosovës do të jetë fituese dhe do të vazhdojë me qeverisjen.
-Por nëse humbni?
Kryeministri Thaçi -Nuk do të ndodhë. Do të jetë vetëm fitore dhe është e sigurt.
Sa po zbatohet në veri Marrëveshja e Brukselit?
Kryeministri Thaçi -Marrëveshja e Brukselit është duke u implementuar. Ne me Marrëveshjen e Brukselit e kemi shpëtuar pa u ndarë Kosovën. E kemi shuar ëndrrën njëherë e përgjithmonë të Serbisë për ndarje të Kosovës, apo krijimit të ndonjë autonomie, apo modeli të Republika Srbska. Tashmë janë funksionale edhe Pikat 1 dhe 31, pika doganore mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Kemi organizuar zgjedhjet e para lokale sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri, pra sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Tashmë kemi lidershipin atje të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës. Mendoj se ky është sukses i madh. Në të njëjtën kohë, komuniteti serb është integruar në Policinë e Kosovës sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa tashme duhet të vazhdojmë me sistemin e drejtësisë. Progres po ndodh por ende ka punë për t’u bërë.
Opozita ju akuzon për lëshime të tepërta në Marrëveshjen me Serbinë dhe se pakti po i shërben integrimit të Beogradit dhe jo Kosovës. Si i komentoni këto akuza?
Kryeministri Thaçi – Unë nuk dëshiroj të merrem me deklarata ditore elektorale. Falenderoj liderët e opozitës dhe deputetët e opozitës që e kanë votuar Marrëveshjen e Brukselit me dy të tretat e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i kanë besuar atij vullneti, i kanë besuar atyre vendimeve që kam marrë në Bruksel dhe kam sjellë në Kuvendin e Kosovës. Gjithçka është sipas ligjeve të Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ka qenë një mbështetje e gjërë e gjithë spektrit politik kosovar.
Në janar u mbajt në Prizren mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Cilat janë nismat konkrete të bashkëpunimit?
Kryeministri Thaçi -Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë është fat që ka filluar pas një periudhe të gjatë pas rënies së komunizmit. Kemi pasur fat që ra komunizmi dhe arritëm që sado të kemi një komunikim prej viteve ’90 deri në ’98. Ndërsa me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitoren e saj, fitoren e popullit të Kosovës, kontributin e jashtëzakonshëm të shtetit shqiptar në atë kohë, u krijuan kushte më të mira të komunikimit. Por mos të harrojmë se edhe pas fitores së lirisë së Kosovës, nga Prishtina për në Tiranë, është dashur që të bëhen nëntë orë apo 10 orë me makinë për të mbërritur atje. Unë personalisht atë rrugë e kam bërë shpesh edhe gjatë viteve ’91 deri në vitin ’98-’99. Do të thotë Tiranë apo Durrës deri në Kukës. Por edhe pas luftës kam udhëtuar nga Prishtina deri në Sarandë me makinë që ka qenë me të vërtetë një rrugë tmerrësisht e keqe dhe torturuese për çdo qytetar. Por pas fitores së luftës ia arritëm të intensifikojmë komunikimin tonë, të intensifikojmë angazhimet tona institucionale dhe arritëm që në projektet që kishim të përbashkëta, të fillojmë edhe infrastrukturën më moderne në rajon. Unë dëshiroj të falenderoj edhe kryeministrin Berisha për fillimin dhe përfundimin e autostradës nga Tirana deri në Kukës dhe pastaj që u krijua mundësia që edhe në të përmbyllim autostradën deri në Prishtinë. Pas fitores së lirisë së Kosovës, mendoj se ky ka qenë hapi tjetër më i rëndësishëm në komunikimin Prishtinë-Tiranë. Ndërsa për të vazhduar edhe tashmë me një intensifikim të raporteve me kryeministrin Rama. Tashmë kemi një intensifikim më të shpeshtë, rezultativ dhe më konkret në bashkëpunimet ndërministrore. Unë dëshiroj të theksoj që ky intensifikim do të ketë rezultatet e veta konkrete në të gjitha fushat, qoftë në kulturë, qoftë në sport, qoftë në edukim, qoftë në ekonomi, qoftë në turizëm dhe në të gjitha aspektet. Është një komunikim shumë normal, shumë vëllazëror, por edhe institucional, gjithmonë në frymën euroatlantike.
Sfida e radhës është jo barriera ekonomike dhe ndoshta një sistem arsimor i njësuar?
Kryeministri Thaçi -Ne duhet të shikojmë edhe përtej njësimit Prishtinë-Tiranë. Ne duhet të shikojmë për njësimin e sistemit të edukimit në nivelin europian, por duhet të marrim edhe modelet amerikane. Unë nuk jam që të mbyllemi vetëm si shqiptarë në sistemin e edukimit. Ne duhet t’i tejkalojmë vijat etnike që të ecim me trendet bashkëkohore. Duhet ta tejkalojmë tashmë folklorin e abetares. I kemi tejkaluar ato procese. Kosova dhe as Shqipëria nuk rrezikojnë qenien kombëtare shqiptare. Kurrë më mirë shqiptarët nuk kanë qenë. Ne duhet të vazhdojmë të ecim me trendet bashkëkohore, me trendet euroatlantike, me kriteret dhe standardet euroatlantike. Ky bashkëpunim vetëm sa do të rritet prej të gjitha institucioneve edhe të shtetit të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ekziston një vullnet shumë i mirë, por edhe një përgjegjësi në komunikim dhe në kryerjen e obligimeve. Është fat që edhe kryeministri Rama, edhe unë personalisht, jemi duke përcjellë nga afër implementimin e çdo zotimi dhe marrëveshjeje që po arrihet mes ministrive, në mënyrë që të kemi periudha të caktuara të marrjes së obligimeve, por edhe të implementimit të atyre obligimeve. Unë dëshiroj të falenderoj kryeministrin Rama, edhe kryetarin e Parlamentit, zotin Meta, edhe liderin e opozitës, zotin Basha për mbështetjen që i kanë dhënë gjithë këtij procesi. Ky bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës ka përkrahjen e gjithanshme politike, pozitë, opozitë. Por, mbi të gjitha, një mbështetje të gjërë qytetare.
Shenim: Falenderojme gazetarin Saimir Sulaj qe e dergoi Intervisten per Gazeten Dielli