Mitrovicë- Kryeparlamentari Veseli: Rruga e nisur nga Isa Boletini nuk ka mbaruar ende/
-Akademi Përkujtimore në 103 vjetorin e heroit kombëtar, krah i Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë/
-Presidenti Thaçi: Amaneti i Isa Boletinit na obligon edhe sot/
– Kryeministri Haradinaj: Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/Per me Hume foto shihni ne Facebook(Dielli vatra)
MITROVICË, 23 Janar 2019/ Rruga e nisur nga Isa Boletini nuk ka mbaruar ende, tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në Mitrovicë, në Akademinë Përkujtimore me rastin e 103 vjetorit të rënies së heroit kombëtar.
“Ka kaluar më shumë se një shekull nga rënia e Isa Boletinit, por koha dhe vitet nuk kanë arritur ta zbehin kujtimin e tij, as peshën historike të veprimtarisë së tij, as porosinë e një jete të kaluar në luftë për liri kombëtare”, u shpreh ai në qytetin më të madh verior të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli tha se sa herë vjen janari kujtohen rëniet dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj të kombit tonë: Skënderbeut e Ismail Qemalit, por edhe luftëtarët e vonshëm të lëvizjes sonë kombëtare, që ranë po në janar: Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.“Sot jemi bërë bashkë për të kujtuar e nderuar një personalitet të madh të Kosovës, i cili po ashtu ra në janar, heroin e Mitrovicës, heroin e Kosovës, heroin e gjithë kombit shqiptar, Isa Boletinin. Sot porosia jetësore e Isa Boletinit na flet qartë dhe drejtë, më shumë se kurrë: nuk ka jetë të mirë për individin, pavarësisht gjendjes së kombit. Ne mund të jemi mirë, veç kur kombi dhe shteti i kanë punët mirë. Kjo është dashuria e vërtetë për atdheun”, theksoi Veseli.Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se gjenerata e tanishme ka për mision që Kosova përgjithmonë të jetë e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, anëtare në familjen e shteteve sovrane, në OKB, NATO dhe BE.“Ne si gjeneratë e dimë se nga kemi ardhur, çfarë trashëgojmë dhe ku duam në shkojmë. Ne i dimë detyrat me të cilat na ka ngarkuar historia dhe nuk e kemi ndërmend, për asnjë moment, të heqim dorë prej tyre. Dhe nuk ka vend ma adekuat se sa Mitrovica për ta dhënë këtë zotim. Nuk ka, sepse Mitrovica është qyteti emblemë i kombit. Mitrovica është testamenti i Isa Boletinit. Sot dhe përgjithmonë, andej dhe këndej Ibrit do të jetë një Mitrovicë dhe një Kosovë”, tha Veseli.Ai shtoi se Kosovën nuk e frikësojnë sfidat që i dalin përpara dhe as dialogu e ballafaqimi me Serbinë.“Ne hyjmë në dialog për ta fuqizuar Kosovën, shtetin dhe kombin tonë. Bashkë me partnerët dhe aleatët tanë të mëdhenj në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe të jeni të sigurtë se kemi me ia dalë. Do të fitojmë”, theksoi kryeparlamentari kosovar Veseli.
Akademia u mbajt në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës, në vitin 1864. U vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Mal të Zi, Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, në 23 janar 1916.
Në vitin 1998, institucionet e Kosovës të lëvizjes për liri e pavarësi, të informuara se në vendin e varrezave në Podgoricës do të ngriheshin ndërtesa banimi, vendosën për një organzim që fshehurazi të sjellin në Mitrovicë eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftetarëve të tij për t’i ruajtur në fshehtësi, në rrethanat e rënda të okupimit e të luftës. Mëse 17 vite eshtrat qëndruan në thasë për shkakun e vetëm se familjarët e Isës donin që rivarrimi të bëhej me ceremoni ushtarake dhe u bë me manifestimet me moton “Prapë, na erdhi Baca Isë”, pjesë e të cilave ishte Garda Kombëtare Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në 10 Qershor 2005 në ditën e 137 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u kthye përgjithmonë të prehet në Boletin, vendin e lindjes në rajonin e Mitrovicës në Kosovë, prej nga para më shumë se 100 viteve me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.
PRESIDENTI THAÇI: AMANETI I ISA BOLETINIT NA OBLIGON EDHE SOT
Amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot, deklaroi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.“U bënë 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i kombit tonë ishte porosia që na e la Isa Boletini. Përpjekjet e tij një shekull më parë për çlirimin e trojeve etnike përbëjnë ende frymëzim për shumë breza të rinj dhe amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot që të punojmë pareshtur për përmbushjen e aspiratave tona”, ka shkruar Presidenti Thaçi.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: ISA BOLETINI E IDENTIFIKOI VETEN ME FATIN E ATDHEUT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj shkruan sot: Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut. “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria” edhe sot duhet të na udhëheqë në kërkimin për të drejtën tonë. Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat më të larta atdhetare, ato i gjejmë në figurën e Isa Boletinit. Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar. Roje dhe dëshmi është vet prehja e tij në Boletin. Figura e Isës edhe tani le të jetë shembull për të gjithë se interesi kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër. Lavdi e përjetshme!