Nga Sulejman GJANA*/
Vizita e tretë dhe sërish madhështore e Putinit në Serbi, në kuadër të 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe dhe tanket ruse, ishte sfida e hapur dhe fyese e Serbisë për Brukselin, ishte përgjigjia brutale për përqafimet dhe përkëdheljet e baroneshës Ashton për rioshët Daçiç e Vuçiç. Por mbi të gjitha ishte përgjigjia poshtëruese për aksionin diplomatik integrues të Serbisë në Europë, ndërmarrë prej shteteve anëtare të BE, në shumicë edhe anëtare të NATO-s. Shtete këto të angazhuara pothuajse totalisht (ndonëse shpesh pa dëshirë dhe me ngurrime prej interesash) në kushtëzimin e Rusisë me sanksione pas aneksimit prej saj të Krimesë, pas aksionit separatist në Ukrainën lindore dhe pas kërcënimeve ushtarake të saj për zgjerimin e konfliktit ukrainas.
Dhe përgjigjen më të mirë “shpërblyese” për dashurinë pa kundërshpërblim të europianëve ndaj serbëve, e dha presidenti Nikoliç kur i deklaroi Putinit në Pallatin e Bardhë: “Shumë gjëra ne serbët i kemi bërë në të kaluarën bashkë me ju, dhe do t’i bëjmë edhe në të ardhmen. Ne ju falënderojmë për mbështetjen tuaj kur ka qenë fjala për Kosovën, ndaj dhe Serbia e serbët do t’i mësojnë fëmijët e tyre ta duan fort Rusinë”.
Pasi theksoi se serbët presin ndihmën e Rusisë në bujqësi dhe energjetikë, por sidomos në industrinë petrokimike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në kushtet e sanksioneve, Nikoliç i deklaroi Putinit me emocion: “Rusia është një mbështetje e fuqishme për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, sidomos në lidhje me Kosovën dhe Metohinë”.
Ndërsa Putin u deklaroi miqve serbë se “Qëndrimi proserb i Rusisë është një pozicion parimor që nuk do të ndryshojë kurrë”, dhe se “Rusia është e angazhuar për problemin e Kosovës, përmes rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Si qokë për vizitën dhe pritjen madhështore, Putini kishte sjellë në Beograd një paketë financiare ndihmash prej 1.2 miliardë dollarësh dhe garancinë se “ndihmat humanitare ruse për vëllezërit e vuajtur e të kërcënuar serbë në Kosovë do të vazhdonin edhe në të ardhmen”.
Gjatë kësaj vizite, Serbia dhe Rusia nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe tejet të rëndësishme, sikundër: Marrëveshja me Hekurudhat e Rusisë për rindërtimin e pjesëve veriore të hekurudhës në Serbi; Memorandumi për efikasitetin energjetik dhe furnizimin rus të Serbisë me energji elektrike; Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar; dhe më në fund “qershia mbi tortë”, Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak-teknik.
Dhe për të dëshmuar dashurinë personale e të serbëve për Rusinë, presidenti Nikoliç u rikujtoi me mburrje të pranishmëve të përzgjedhur për ceremoninë e pritjes, se në përgjigje të vizitës përkujtimore të 70 vjetorit të çlirimit rus të Beogradit, më 9 maj 2015, me ftesë të Putinit, ai do të merrte pjesë me gëzim të veçantë në ceremonitë moskovite për kremtimin e 70-vjetorit të fitores mbi fashizmin.
Vizita e fundit e Putinit në Beograd bëri bilancin e marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyera, por njëkohësisht ishte edhe kurorëzimi në fillimshekullin XXI i aksionit të pandalshëm e shekullor rus për ruajtjen e ndikimit mbi Serbinë dhe në zhvillimet ballkanike, sidomos në kushtet e ekspansionit rus drejt Lindjes dhe Juglindjes së Europës, si kundërpërgjigje ndaj ekspansionit të NATO dhe BE drejt Ballkanit Jugperëndimor dhe Lindjes së Europës.
Ishte pikërisht Putin ai që ripromovoi dhe intensifikoi aksionin total rus drejt Ballkanit dhe Serbisë, pas zbythjes prej një dekade që shoqëroi pushtetin e Jelcinit, të cilin “delfini” Putin e rrëzoi për paaftësi dhe rrezikim të objektivave politiko-ushtarakë ndërkombëtarë të Rusisë në kushtet e triumfit të Perëndimit mbi komunizmin dhe zhvillimeve gjepolitike pas Luftës së Ftohtë.
Parë në këtë mënyrë, Putini shkoi në Beograd për të korrur të mbjellat e dekadës së fundit, të cilat i futi në hambarin rus me ndihmën e çirakëve serbë, me presidentin Nikoliç në krye, të cilin e solli në fuqi në vitin 2012 pasi e mbajti dhe përgatiti gjatë në Moskë dhe e zbarkoi në Serbi me stafe dhe premtime të shumta ndihme ekonomike, si dhe me fushata të financuara e të përgatitura nga të dërguarit e Kremlinit në Beograd.
***
Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ambasada ruse në Beograd u shndërrua në Mekë dhe Medinë të pelegrinëve ultranacionalistë serbë, të cilët përzgjidheshin dhe merrnin bekimin e Moskës për karrierë partiake e politike.
Natyrisht që ambasadorët e njëpasnjëshëm rusë nuk e humbnin asnjëherë rastin për t’u kujtuar serbëve se kishin mbështetjen e Rusisë, e cila, sipas tyre, do të përdorte veton dhe të gjitha mekanizmat bllokues në OKB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për të sabotuar pavarësimin, njohjen, anëtarësimin dhe integrimin e Kosovës. Betim të cilin Rusia e mbajti, teksa me mburrje theksonte pafundësisht se ishte ajo që, “në mbështetje të popullit dhe kombit vëlla serb, sabotoi sistematikisht të gjitha objektivat perëndimore për Kosovën, sidomos gjatë periudhës 2005-2008”.
Pohimi i ish ministrit të Jashtëm të Federatës Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviç, në vitin 2004, se “Elita jonë intelektuale dhe politike e ka të qartë se proceset integruese të Federatës në bashkësinë perëndimore (nënkupto NATO dhe BE), kanë rëndësi jetike për ardhmërinë tonë, ndaj ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë me të gjitha forcat në këtë drejtim…”, alarmoi Rusinë dhe shënoi fillimin e fundosjes dhe përfundimit të karrierës së Drashkoviçit, krahas pakësimit gradual të peshës politike dhe rezultateve të mëtejme zgjedhore të partisë që Drashkoviç kryesonte.
Ky fund fatkeq ishte edhe pasojë e kundër-reagimit adekuat të politikës dhe elektoratit serb për çdo aktor dhe faktor politik properëndimor në Serbi, objektiv ky i arritur padyshim edhe me ndihmën dhe kontributin e Rusisë, që ka dorë në të gjitha zhvillimet politike në Serbi.
***
Kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës është vektori konstant politik dhe gjeostrategjik i Rusisë, që e konsideron këtë zgjerim si kërcënim ushtarak në kufijtë e saj.
Kur në prill të vitit 2008, në samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht, SHBA-të propozuan ftesën e Aleancës për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë, Rusia u nervozua dhe menjëherë planifikoi strategjinë për sabotimin me çdo kusht të zgjerimit të NATO-s me vendet tjera të Ballkanit ende të paanëtarësuara.
Natyrisht që në krye të listës së vendeve ballkanike që nuk duheshin anëtarësuar, Rusia vendosi aleaten strategjike, Serbinë, të cilën e përzgjodhi edhe si shtetin ballkanik që do të balanconte ushtarakisht armiqtë historikë, Shqipërinë dhe Kroacinë properëndimore.
Por nervozizmi rus kaloi parashikimet dhe u shndërrua në kërcënim, pas propozimit amerikan në këtë samit, që NATO të fillonte menjëherë procedurat për anëtarësimin në Aleancë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Me këtë rast presidenti Putin deklaroi: “Zgjerimin e NATO-s në kufijtë e Rusisë do ta konsiderojmë kërcënim për sigurinë e saj dhe do të ndërmarrim kundërmasat adekuate. Dhe e mbajti fjalën, teksa Gjeorgjinë e ndëshkoi duke e sulmuar ushtarakisht dhe duke e neutralizuar totalisht po atë vit, pra në vitin 2008, ndërsa Ukrainën e tmerroi dhe e ndëshkoi pas 6 vitesh, me pasojat e njohura të një konflikti që ende nuk dihet se kur do të përfundojë… Teksa më parë aneksoi Krimenë me peshë stërmadhe gjeostrategjike, ndërsa aktualisht ka marrë peng rajonet lindore të Ukrainës (gjithashtu me peshë të madhe gjeostrategjike dhe ekonomike) me ndihmën e separatistëve rusë të armatosur dhe drejtuar me telekomandë nga Rusia.
Strategjia e vendeve kryesore të NATO-s për të anëtarësuar njëkohësisht edhe në BE të gjitha vendet ish komuniste, sikundër Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Hungarija, Çekia e Sllovakia, është dëshmi e qartë e faktit të pohuar, në vitin 2008, nga ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hop Shefer, sipas të cilit “NATO dhe BE ecin sëbashku, dorë për dore”. Por pikërisht kjo strategji ka alaramuar Rusinë, që i konsideron të rrezikshme përpjekjet e NATO-s dhe BE për të integruar në këtë proces edhe Serbinë.
***
Në vitin 2010, kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Dumës ruse, Kostantin Koshaçev, deklaroi: “Anëtarësimi i Serbisë në NATO nuk do të ishte tjetër veçse legjitimim i agresionit kriminal të vitit 1999 të NATO-s mbi Serbinë, por njëkohësisht do të ishte edhe riposhtërim i kombit dhe popullit serb, të cilit me këtë rast iu shkëput me dhunë Kosova, që është djepi ku lindi dhe u mëkua kombi serb. Këtë agresion, asokohe Rusia-aleate strategjike e Serbisë e kundërshtoi me forcë dhe e konsideroi si poshtërim i patolerueshëm”.
Para dy vitesh, pyetjes së mediave serbe se çfarë do të humbiste Serbia nëse do të anëtarësohej në NATO, ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin, iu përgjigj, qartë dhe në mënyrë lakonike: “Duke patur parasysh se Kosova është pjesa thelbësore e sovranitetit kombëtar serb dhe djep i kombit serb, si dhe duke qenë se Serbia është një vend vëlla i Rusisë, jam i detyruar t’ju ndërmend se me anëtarësimin në NATO Serbia do ta humbte përfundimisht Kosovën, duke e vetëpranuar këtë akt dhe realitet”.
Ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Konuzin, e thelloi konceptin e kolegut të tij të atashuar në Bruksel, teksa deklaroi: “Ne rusët, të dashur vëllezër serbë, do ta respektojmë vendimin tuaj për të hyrë në NATO, por duhet ta dini se, duke u bërë pjesë e NATO-s, ju do të bëheni gjithashtu pjesë e një kërcënimi për sigurinë e Rusisë, çka do ju shndërronte automatikisht, nga një vend mik, në një vend armik”.
Kushtëzimin e njëanshëm politik të marrëdhënieve ruso-serbe, me moton “ose me Moskën, ose me Perëndimin”, Rusia po përpiqet ta shtrijë edhe në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike, teksa nëpërmjet ambasadorit rus në Beograd, Konuzin, deklaroi para dy vitesh se “në qeverinë serbe ka ministra që janë pozicionuar hapur kundër firmave dhe kompanive ruse, dhe se firmat dhe kapitalet ruse trajtohen keq në Serbi, çka ne e konsiderojmë fyerje dhe kundërvënie…”.
Fakti që nga 28 vende anëtare të NATO-s, 24 vendet kryesore të saj e kanë njohur Kosovën, është përdorur dhe po përdoret vazhdimisht nga Rusia për të trembur dhe armiqësuar serbët me NATO-n.
Duke u kujtuar serbëve me ironi pikën 6 të kapitullit të titulluar “Qëllimet dhe parimet e zgjerimit”, të Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën përcaktohet qartë dhe prerë se në NATO pranohen vetëm shtetet që i kanë zgjidhur përfundimisht, apo që ndodhen në vijim të proceseve të suksesshme të zgjidhjes paqësore të problemeve territoriale me fqinjët dhe të njohjes reciproke, ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, i kujtoi publikisht Beogradit në vitin 2011, se përpiqet më kot të anëtarësohet në NATO, nëse nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nëse nuk heq dorë nga humbja e sovranitetit mbi të.
Pavarësisht klishesë “miqësore” të Putinit se “Çfarë është e mirë dhe e leverdisshme për Serbinë, është e mirë dhe e pranueshme edhe për Rusinë”, deri më tash Moska ka dëshmuar se Rusia e kundërshton haptazi dhe me force hyrjen e Serbisë në NATO, pasi kjo hyrje do të thoshte humbje e një placdarme ushtarake me rëndësi jetike e në mes të Europës. Por Rusia tmerrohet gjithashtu edhe nga ndikimi veriatlantik dhe europian në vendimet e elitës politike serbe lidhur me integrimin e saj në NATO dhe BE.
Moska ndjek me vëmendje dhe kënaqësi përdorimin e “kartës ruse” nga partitë serbe në pushtet, sa kohë që ndjeshmëria dhe dashuria për Rusinë është e lartë në mbarë elektoratin serb.
Moska gjithashtu nuk e fsheh dot kënaqësinë kur, gjatë fushatave zgjedhore, gjatë debatit politik në parlament dhe në vendimmarrjet e detyrueshme lidhur me proceset integruese të Serbisë, vërehet qartë prirja e Beogradit për të qëndruar në dy karrige, duke u përpjekur ta mbajë mirë edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin.
Madje gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Serbi në vitin 2012, kandidati radikal Nikoliç ofroi si premtimin më të fortë zgjedhor mundësinë e ndërtimit të bazave ushtarake ruse në Serbi dhe instalimin atje të testatave ruse me mbushje bërthamore, që do ta shndërronin Serbinë në fuqi kuazibërthamore në mes të Europës.
***
Aktualisht, në Perëndim dhe kudo ekziston një paqartësi e dukshme në lidhje me të ashtuquajturën “asnjëanësi ushtarake” të vetëshpallur të Serbisë, e shprehur si gjoja detyrim shtetëror, bazuar thjesht në një fjali të shkruar në tekstin e një rezolute parlamentare, para disa vitesh. Dhe kjo paqartësi rritet akoma më shumë kur vërehet mungesë vullneti politik tek mbarë klasa politike dhe shoqëria serbe, për të hapur një debat publik të njimendtë, debat ky që do të qartësonte se çfarë nënkuptohet me“asnjanësi” dhe cilat janë garancitë përkatëse!?
Askush më shumë se Rusia nuk ka interes për këtë paqartësi lidhur me “asnjëanësinë” serbe, sa kohë që shfrytëzohet maksimalisht urrejtja serbe për NATO-n dhe fushatën e saj të bombardimeve, që paraprinë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe shkëputjen e saj nga Serbia në vitin 1999.
Për ultranacionalistët dhe shumicën e serbëve, “anëtarësimi i Serbisë në NATO do të thotë jo vetëm dorëzim vullnetar i një pjese të identitetit dhe sovranitetit kombëtar, por edhe riposhtërim pas poshtërimit që NATO u bëri serbëve në vitin 1999 dhe vënie e ushtrisë nën komandën e një strukture ushtarake armiqësore”.
Mendimi që mbizotëron në qarqet intelektuale, në klasën politike, në shoqërinë civile dhe qendrat studimore strategjike serbe, është ai sipas të cilit Perëndimi duhet t’i japë dhe garantojë Serbisë një status special, si parakusht për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Thënë ndryshe ata kërkojnë gjetjen e një lloj formule të “Anëtarësimit të kushtëzuar të Serbisë”, gjithmonë me kushtin e qartë që Serbia kurrë të mos detyrohet të marrë pjesë në veprime ushtarake të NATO-s kundër Rusisë, që kurrë të mos angazhohet në sanksione ekonomike kundër saj, kundër interesave të saj, apo të përfshihet në veprime të ngjashme në zonat e saj të influencës. Kushtëzim absurd ky që, kurrsesi, nuk mund të pranohet nga Perëndimi, e që mund të shërbejë në çdo kohë si pretekst… dhe për lojë me dy porta të Beogradit, midis Moskës dhe Brukselit.
Por deri kur të merret vendimi përfundimtar, si objektiv afatshkurtër dhe afatmesëm, Beogradi do të vazhdojë të bëjë rolin koketës që flirton me Perëndimin dhe fle me Lindjen. Dhe si kurtizane e vjetër 2 shekullore, do të zhvasë sa të mundet nga mëtonjësit, sidomos nga vendet e pasura perëndimore. Shembulli i kohës së Titos është tejet i freskët, teksa diktatori komunist u vetëshpall aleat i Perëndimit në Lindje, por që kurrë nuk e pranoi pluralizmin politik dhe demokracinë. Asokohe Beogradi kishte garant Çurçillin, sot ka garant Baroneshën Ashton.
Në fundore, kuptohet se Serbia ka dijtë gjithnjë të përdorë politikën dhe diplomacinë në shërbim të interesave të shtetit dhe kombit serb. Ndërsa për fat të keq, Shqipëria zyrtare vazhdon që prej 70 vitesh të përdorë këta instrumenta të rendësishëm, në shërbim të interesave të pushtetit dhe individëve çka cënon rëndë interesin e popullit dhe kombit shqiptar…
*Kryetar i PLL
Asgjë e re nga fronti i Serbisë
Nga Sulejman GJANA*/
Veglat e Serbisë, serbofilët e vjetër e të rinj, si dhe parullaxhinjtë pacifistë panballkanistë e europeistë, që bashkërisht nuk mund ta kuptojnë Serbinë jashtë Europës dhe Shqipërinë e Europën pa Serbinë, pësuan një goditje shokuese pas zhvillimeve dramatike në stadiumin “Partizani” të Beogradit.
Ata duket se nuk arrijnë ta kuptojnë sesi dhe se ku përfunduan e përse u shkërmoqën brenda 24 orësh konsideratat serbe, sipas të cilave: me shqiptarët e Shqipërisë londineze nuk kemi asgjë, se ata janë ndryshe; se në fund të fundit, Shqipërinë londineze të parët tanë me Pashiqin në krye e pranuan si realitet politik, shtetëror e gjeopolitik, me të cilën edhe mund të bashkëpunojmë; se të gjitha hesapet i kemi me kosovarët terroristë, sidomos me ata që përkrahën dhe përkrahin ende UÇK-në; se këtë dallim midis “Kombit shqiptar” dhe “Kombit kosovar”, dijnë ta bëjnë të gjithë serbët; se për serbët dhe miqtë e tyre në Ballkan e kudogjetkë, UÇK ka qenë dhe mbetet organizatë terroriste, pavarësisht se NATO e pranoi dhe e shpalli aleate gjatë konfliktit të Kosovës, etj, etj..
Të gjithë këta nuk arrijnë ta kuptojnë përse Beogradit i lipseshin 4800 forca speciale e policë të armatosur deri në dhëmbë për të siguruar 50 tifozë shqiptarë në tribunën VIP, dhe 25 të tjerë, pjestarë të kombëtares sonë të futbollit?!
Nuk arrijnë ta kuptojnë se nga cilët trembej Beogradi dhe çfarë informacioni dispononte, teksa të gjitha pretendimet ua plotësuam, derisa edhe emrin “Albania” e hoqëm vullnetarisht nga uniformat e futbollistëve, për ta zëvendësuar me “Digitalb”?!
Nuk arrijnë ta kuptojnë përse ambasadorin tonë atje, pasi i dorëzuan notë proteste, e vendosën gati në gjendje arresti, sikurse vepruan edhe me tifozët dhe futbollistët, që i kontrolluan rreptësisht, disa herë dhe kudo?!
Nuk arrijnë ta kuptojnë sesi 4800 policë serbë nuk mundën të shohin fuçitë me “gjizë”, që shkarkoheshin nga kamionët dhe futeshin në stadium nga ultrasit paramilitarë të Arkanit, shumica e të cilëve dinte shqip, pasi ishin rritur në Kosovë, nga e cila ishin larguar në qershor 1999?!
Nuk arrinin ta kuptonin sesi 4800 policë nuk penguan dot futjen në stadium të “Ivanit të Tmerrshëm”, që duhej të ndodhej në arrest shtëpie, por që u fut në fushë i shoqëruar me policë dhe me gjeste nga fusha orkestronte ultrasit?!
Nuk arrinin të kuptonin sesi atyre u kish shpëtuar nga kontrolli droni me banderolën, nga të cilat “u provokua i gjithë kombi serb”?!
Nuk arrinin ta kuptonin sesi 32 mijë tifozë kërkonin vdekjen e gjithë shqiptarëve, pa përjashtim, duke përfshirë këtu edhe “miqtë e shtrenjtë të Serbisë”, pra edhe ata vetë, pasardhësit e tyre dhe serbofilët e tjerë të mëvonshëm?!
Nuk arrinin të kuptonin përse këtë vdekje të të gjithë shqiptarëve e kërkuan edhe të nesërmen, 16 mijë tifozë serbë në ndeshjen e basketbollit Crvena Zvezda – Gallatasaraj, dhe tre ditë më vonë sërish 30 mijë serbë e kërkuan vdekjen pa përjashtim të shqiptarëve, në derbin futbollistik midis Partizanit dhe Crvena Zvezdës, ku nuk ndodhej asnjë shqiptar?!
Nuk arrinin të kuptonin akuzën serbe sesi mundej Shqipëria të synonte t’i shpallte luftë Serbisë dhe sesi të gjitha këto ngjarje në Beograd t’i kishte përgatitur dhe zbatuar SHISH-i ynë…, apo sesi shpjegohej që kryeministri, ministri i Jashtëm dhe deputetët e maxhorancës ishin pozicionuar fort në mbrojtje të skuadrës sonë, shtetit shqiptar dhe simboleve e dinjitetit tonë kombëtar?!
Kanë menduar se padyshim që këtu fshihet një lojë e madhe, të cilën padronët dhe miqtë serbë do t’ua shpjegojnë më vonë, pasi të arrijnë ta defaktorizojnë, diskreditojnë e ndëshkojnë shtetin shqiptar dhe kombëtaren tonë në sytë e mbarë botës, Europës dhe UEFA-s.
Ditët para ndeshjes në Beograd, njerëzit e Serbisë dhe serbofilët e mallëngjyer, i vetëlëvdoheshin njëri-tjetrit se nuk kishin punuar kot dhe se e dinin që do të vinte kjo “ditë e bekuar”, kur dyert e Beogradit do të hapeshin masivisht për shqiptarët dhe se padyshim që paskëtaj do të riktheheshin “kohët fatlume” edhe për bijtë dhe nipërit e tyre. Pra bash kohët kur vetë ata ishin edukuar me “bashkim-vëllazërimin”, kur kishin mësuar serbisht, kur ishin dashuruar dhe ishin martuar me vasha serbe, kur kishin kënduar serbisht, kishin pirë shlivovicë e ishin dehur nga lumturia, e kur ishin bërë miq të ngushtë e të besuar të serbëve e të Rankoviçit, kur ishin shpërblyer me dinarë, për detyra…
Por mbi të gjitha ata nuk mund të harronin mbrëmjet e mrekullueshme në Tiranë, të ftuar në ambasadën jugosllave nga Velo Stojniçi, Milan Kupreshanin, Josip Gjergja e Savo Zllatiçi, ku këndonin këngë serbe e kujtonin komandantët e lavdishëm Miladin, Dushan e Tempo, sidomos dy të parët, që i kishin bërë me parti dhe i kishin sjellë në pushtetin e bekuar, ata vetë, fëmijët, nipërit e soj-sorollopin.
Ata qanë me dhimbje kur mësuan se Miladinin e vrau mësuesi gjakovar, irredentisti Haki Taha, në Prishtinë, më 13 mars 1945. E qanë me kuje Miladin-kryetarin e PKSH, që megjithëse tejet modest për meritat, u vetshpall i tillë kur nacionalistët e përzunë nga Konferenca e Pezës, me argumentin se kuvendi i bashkimit në luftë ishte i shqiptarëve dhe vetëm për shqiptarët.
Qanë me dhimbje kur mësuan se Savo Zllatiçin e dënuan për devijacion prostalinist dhe e burgosën në Goli Otok.
Qanë me dhimbje edhe kur u eliminua nga pushteti mësuesi dhe tutori i tyre, Rankoviçi, në vitin 1966.
Qanë nga gëzimi kur mësuan se Shqipëria do të bëhej Republikë e Shtatë e Jugosllavisë, dhe sidomos kur qëndra në Beograd i informoi se Baba Stalini, personalisht, ia kish sugjeruar këtë ide Milovan Gjilas-it në Moskë, kur i kish thënë: “Gëlltiteni Shqipërinë…”. Dhe jo më kot, sepse në rast bashkimi në Federatë, padyshim që padronët do t’i gradonin në detyrë dhe si njerëzit më besnikë do t’i emëronin në poste kyçe të pushtetit, në republikën shqiptare të Jugosllavisë, apo në Beograd, në organet federative.
Ata në shumicë ndodheshin në Vishegrad, në Sanxhak e në Kosmet, kur mësuan lajmin e gëzuar se në shkurtin e vitit 1945 Baba Stalini dërgoi në Kosovë 29 oficerë ekspertë të NKVD për themelimin e OZNA, si struktura e bekuar ku ata u emëruan dhe u hierarkuan me detyra sekrete të besuara, që u garantonin të ardhmen.
Ata kontribuan me gëzim për çarmatosjen e shqiptaromëdhenjve “reaksionarë” të Kosovës dhe dorëzimin e tyre në duart e “vëllezërve serbë”. U gëzuan dhe kontribuan personalisht në “Masakrën e Tivarit”, dhe sidomos në spastrimin e mijëra Rusëve të Bardhë, familjarisht, si dhe të mijëra irredentistëve shqiptarë në mbarë Kosovën, në bashkëpunim me kolegët e NKVD (paraardhësja e KGB) dhe të OZNA (paraardhësja e UDB), konform listave të përgatitura, duke e spastruar Kosovën prej tyre brenda pranverës së vitit 1945. Kontribut për të cilin u përgëzuan dhe hierarkuan si graduatë të shërbimit të fshehtë jugosllav, e ku natyrisht edhe u rekrutuan si agjentë të dyfishtë serbë dhe rusë.
Ata e qanë me piskamë prishjen e Baba Stalinit me Xhaxha Titon dhe u ngazëllyen nga lumturia kur Hrushovi u pajtua me Titon, pasi ky pajtim u realizonte dëshirat dhe u konsolidonte ardhmërinë.
Sidomos e paharrueshme për ta do të mbetet dita e fundit e bekuar e festës kombëtare të Jugosllavisë e vitit 1956, pas vizitës së Hrushovit në Beograd, kur të ftuar në ambasadën jugosllave ngritën dolli me shlivovicë, me në krye komandantin Hulusi Spahiu, dhe kënduan këngë serbe me sytë e përlotur, drejtuar nga portreti stërmadh i Titos, të cilin sipas rregullave të dollive me dollibash Hulusiun, e përshëndetën duke rrufitur për nder të tij dollitë e pafundme, bash në sytë e Nexhmijes, Vitos e Fiqiretit, si dhe të mbarë byroistëve.
Ata gjithashtu lumturoheshin e përbetoheshin për besnikëri ndaj Beogradit, ndërkohë që askush nuk i cënonte në karrierë e privilegje, teksa përflisnin nën zë faktin se kishin garanci, sa kohë që Feçorr Shehu, asokohe ish kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, drekën e hante në hotel “Rozafa”, ndërsa darkën e hante me udbashët në Ulqin, Tivar e Podgoricë, për t’u paraqitur të nesërmen në detyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shpesh i shoqëruar nga “tradhtarë të lidhur” e të marrë në dorëzim personalisht, ngaqë ishin kapur nga kufitarët jugosllavë pasi kishin tentuar të arratiseshin.
Ata kishin dijeni të plotë se ishin Kadriu dhe Feçorri ata që garantonin Enverin në vizitën e bujshme të tij në Tropojë, në vitin 1972, vetëm 5 kilometër në vijë ajrore me kufirin, dhe se garantët nuk mund të ishin aspak ushtarët e batalionit të Diko Zeqos.
Ata e dinin se ishin po Kadriu dhe Feçorri, garantët e Enverit dhe byroistëve në pushimet që këta bënin në Volorekë (Drilon), vetëm 100 metër larg kufirit, dhe nuk ishin aspak Sulo Gradeci e Diko Zeqo.
Ata e kuptonin mirë se e keqja Enverit të tyre dhe byroistëve mund t’i vinte vetëm nga shqiptarët e Tiranës, nga të cilët ruheshin në Bllok prej qindra ushtarë-gardistësh të Diko Zeqos dhe prej kapterave me kobure të Llambi Peçinit dhe Sulo Gradecit.
Ata e dinin mirë se “ashtu ishte loja”, kur mësuan se i gjithë zinxhiri komandues i Divizionit të Peshkopisë, në vitin 1975 u gjykua me dyer të mbyllura dhe u dënua me akuzat: “tradhti ndaj atdheut” dhe si “agjentë serbë”, teksa këta për vite e muaj të tërë kalonin kufirin dhe e hanin çdo natë darkën në Dibër të Madhe.
Ata ishin të parët që organizuan dhe udhëhoqën manifestimin e solidaritetit me juntën e gjeneralëve rusë të Ushtrisë së Kuqe dhe KGB, pas Grushtit të Shtetit të gushtit 1991, zhvilluar në bulevardin e Tiranës.
Ata ishin në anën e Millosheviçit gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë, që kish qenë çifligu dhe domeni i miqve dhe padronëve serbë.
Ata u lumturuan kur panë të ngriheshin tre gishtat në Vlorë, gjatë trazirave të vitit 1997, si lartim i simbolit serb në duart e mijëra kallashnikovsave, që mbanin armët e tmerrshme ndonëse ende nuk ishte shpërthyer asnjë depo e ushtrisë shqiptare të kohës. Madje ishin ata që dhanë ekspertizën dhe kontributin e tyre për shkatërrimin e të gjitha llojeve të armatimit luftarak, pasi në shumicë ishin ushtarakë të përgatitur në Jugosllavi, e më pas të specializuar në BS dhe Kinë.
Ata përjetuan ndjenja të përziera natën e së martës së 14 tetorit 2014 në Beograd: u gëzuan që “vëllezërit serbë dhunuan me të drejtë futbollistët shqiptarë, në shumicë kosovarë të qelbur”; u trishtuan kur dëgjuan koret fyese e raciste në drejtim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim, pra edhe në adresë të tyre; por sidomos u nervozuan nga reagimet kombëtariste të mbarë shqiptarëve, në të gjitha qytetet e hapësirës shqiptare.
Ata e kuptuan se tanimë kishin mbetur në minorancë të papërfillshme dhe mundi e djersa u ishin bjerrë, kishin shkuar kot.
Ata tashmë e kanë të vështirë të justifikohen para padronëve e të vazhdojnë të shpërblehen, pasi ndikimi i tyre ishte minimizuar skajshëm.
Ata u ndjenë të braktisuar nga të gjithë bashkatdhetarët, nga mbarë rinia, madje edhe nga miqtë, apo shokët e fëmijëve. E ndjenë se kauza e tyre pothuajse po asgjësohej, po merrte fund, bashkë me ëndrrat për privilegje e pushtet…, sepse ata ishin vetëquajtur dhe ishin konsideruar si “garantët” e serbofilisë në mbarë trojet shqiptare. Ata e kuptuan se “kuqezinjtë” që thërrasin “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej, o hej…”, ishin dhe janë varri i tyre dhe i skotës së tyre, në ardhmëri.
Ata e dinin se panjugosllavizmi kishte marrë fund bashkë me shpërbërjen e Federatës, dhe këtë e kishin pranuar edhe shefat në Beograd, kur u kishin komunikuar “strategjinë e re, në kushtet e reja…” që ishte: zëvendësimi i panjugosllaviwmit me panserbizmin.
Megjithëse ata asokohe kishin marrë si detyrë dhe ishin përbetuar për të luftuar për triumfin e panserbizmit, tashmë këtë objektiv do ta jetësonin jo si perandori territoriale, por si perandori pushtetore, ekonomike, kulturore e mendësie…, që do të garantonte përjetësisht objektivat e Beogradit.
Por nuk thonë kot se “shpresa vdes e fundit”…, pasi menjëherë në Beograd shkoi për vizitë historike vetë Baba Putini, shefi i Madh i KGB-së.
Ata u lumturuan kur mësuan se në paradën e përbashkët serbo-ruse të Beogradit parakaluan bashkërisht mijëra trupa të përziera, serbe e ruse, dhe u demonstrua forca, teknika dhe teknologjia e fundit, e sjellë nga “Rusia-mëmë” dhe “aleate strategjike e serbëve”.
Padyshim që ky demonstrim u dëshmoi atyre se UDB dhe KGB ishin dhe janë sërish bashkë, dhe padyshim edhe në anën e tyre, e kjo do të thoshte se ata nuk kishin si t’i braktisnin e harronin.
Tashmë ata ndjehen të sigurtë, madje mund të maskohen edhe nën parullat se “e duan NATO-n”, të cilën ua kanë porositur shefat.
E përse të mos i marrin pensionet e rritura si “ushtarakë rezervistë të një vendi anëtar të NATO-s”, duke bërë njëkohësisht edhe detyrën…, në favor të tyre e të shefave. Ashtu siç bënë dikur, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur nga njëra anë ngjireshin se ishin aleatë të Aleatëve të Mëdhenj: Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, ndërsa nga ana tjetër punonin me serbët e rusët dhe për interesat sllave dhe pushtetin. Ashtu sikurse kishin vepruar bashkë me UDB-në për minimin e Kanalit të Korfuzit dhe dëmtimin e luftanijeve britanike, me ç’rast lanë kokën edhe 44 marinarë britanikë.
Ata e dijnë se mund të shërbejnë duke qenë njerëzit e besuar të Serbisë dhe Rusisë brenda NATO-s.
Ata e kuptojnë se, në thelb, në Serbi e Rusi nuk na ndryshuar asgjë. Madje mund të thuhet me plot gojën se Beogradi dhe Moska janë në rrugën e vazhdimësisë. Sepse në fundore ata i janë betuar Serbisë, pavarësisht fasadave dhe ideologjive. E ç’punë u prish atyre se dikur iu përbetuan për besnikëri të përjetshme OZNA-UDB-së komuniste, ndërsa sot kanë padronë ata që mbajnë lart flamurin e çetnikëve të Mihajlloviçit, përfaqësuar nga radikalët e Sheshelit, Nikoliçit e Vuçiçit, apo ithtarit nacionalsocialist të Millosheviçit, Ivica Daçiç, që merr mësime dhe urdhëra nga gruaja e Sllobos, Mira Markoviç!
Për ta nuk ka rëndësi fasada, por thelbi. Për ta ideologjia komuniste dhe “lufta çlirimtare” ishin instrumente për grabitjen pa droje, me dhunë e me “ligj”, të pasurive të shqiptarëve, sidomos pasurive të mëdha të kundërshtarëve. Por ideologjia dhe “lufta çlirimtare” ishin instrumente veçanërisht për marrjen e pushtetit, që është qëllimi fundor, sikurse thoshte edhe Lenini: “I gjithë pushteti, sovjetëve…”. Pushteti, ama… Pra pushteti dhe vetëm pushteti, që të siguron gjithçka…
Ata e dijnë mirë dhe janë të bindur se, në kushtet e reja dhe aspak të favorshme, Beogradi dhe Moska ua kanë sërish nevojën dhe do t’i thërrasin sërish në apel, për t’u dhënë detyrat e reja, pas të cilave padyshim që vijnë të drejtat dhe privilegjet.
Pra nuk ka ndyshuar asgjë, as qëllimet dhe as synimi kryesor i vazhdimësisë sllave, që u siguron pushtetin, që është mekanizmi që lëviz interesat. Ndaj ata janë plot shpresë dhe të gatshëm…, në pritje, si rekrutë dhe ushtarë të përjetshëm, që presin zërin e borisë, urdhërin për betejat e reja.
* Kryetar i PLL(Shkrimi u dergua ne DIELLI nga autori. E falenderojme)