• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kudret Kokoshi: Vetëm shqipja le të rrojë!

April 25, 2017 by dgreca

Ne 26 vjetorin e vdekjes/

kudret.kokoshi

Kudret Kokoshi, u shua me 26 Prill 1991/

Shkruan:Reshat KRIPA/

I mbylli sytë njëzetegjashtë vjet më parë. I mbylli pa shijuar mirë aromën e lirisë që sapo kishte filluar të lulëzonte, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:

Unë po vdes!… Oh, le të vdesë!

                        Vetëm shqipja le të rrojë!

Në varrin e tij nuk u mbajtën fjalime protokollare. U thurën ditirambe, u lexuan vargje. Folën bashkëvuajtesit e tij, vëllezerit e tij, Engjëll Kokoshi si dhe Viktor e Tomor Dosti.. Ai nuk vdiq se martirët nuk vdesin. Ai vazhdon të jetojë me vargjet e tij, me veprat e tij, me personalitetin e tij.

Lindi në vitin 1908 në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhait të tij. Do të ishte përsëri ky një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946 si kundërshtar i regjimit komunist.

Historia do të vazhdonte dhe më tej. Ajo do të bënte që dora e një pinjolli të kësaj familje, Altin Kokoshit, të kishte nderin për të ngritur në Vlorë nën hundën e komunistëve mbas  dyzeteshtatë  vjet  mohimi  flamurin    dy    krenor   pa   yllin   e  urryer  të  turpit  dhe shtypjes më 28 nëntor 1991.

Që kur ishte fëmijë Kudreti, i ati  Hasan Efendiu, e kishte njohur karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet  e mesme dhe të larta, duke u laureuar ‘’Doktor në jurisprudencë‘’ në vitin 1933. Në kohën kur Kudreti studionte në Itali për drejtësi në ambjentet studentore të asaj kohe shqiptarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë.   Organizuan   një   konferencë   në   të  cilën  përveç  profesorëve   dhe  studentëve  të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.

Foli   e   foli   me   oratorinë   e   tij   për    Shqipërinë  dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit. Foli për Pirron dhe Teutën, per Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që ‘’vanë në litare vetë‘’ duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trikëmbëshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:

– Eh or mik, a e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?

Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:

– Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhë miku për darkë dhe nuk kam patun as bukë dhe as krypë per t’i nxjerrun.

Suksesi ishte i  jashtëzakonshëm. Që  nga  ajo  ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqiptarët.

Kthehet në Shqipëri  në  moshën  26  vjeçare.  Zotëronte  në  mënyrë  të  përsosur  gjuhën

italiane.  Por  jo më pak zotëronte gjuhën frënge, latine dhe greqishten e vjetër.

Karrierën juridike e filloi në  vitin  1933,  duke  hapur  një zyrë avokatie në Vlorë, aktivitet të cilin  e  vazhdoi  deri  në  vitin 1936. Po atë vit emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe më vonë në Pogradec.

7 Prilli 1939 e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë. Ishin vitet e përplasjeve të mëdha. Si në shumë situata të tjera edhe atëhere vendi pati forca që nuk i verboi demagogjia e atyre që propagandonin se do ta bënin popullin ‘’të hante me lugë të florinjtë‘’. Ishte nacionalizmi shqiptar, një nga forcat e të cilit ishte ajo e Ballit Kombëtar e drejtuar nga Korifeu i Shqiptarizmës, Mit-hat Frashëri dhe ajka e inteligjencës shqiptare të asaj kohe.

Në këtë forcë gjeti veten e tij edhe Kudret Kokoshi. U angazhua në radhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij. Me porosi të Mit-hat Frashërit në vitin 1941, Hasan Dosti i propozoi për të shkuar në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme dhe për formimin e kuadrove me njohuritë juridike bashkëkohore.

Më 28 nëntor 1942 është në ballë të demonstratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri të xhandarmërisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja duke e hequr nga kthetrat e milicisë që megjithëse i plagosur vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja  dhe  me  plagë  në  kokë,  ky kosovar patriot e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua.

Gushti i vitit 1943 e gjen ne  Mukje,  në  konferencën historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime  të tradhëtisë së madhe.

Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkon përsëri në Kosovë, ku  pas pak kohe arrestohet nga gestapua dhe internohet në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe, më pas, në kufirin Austro-Hungarez.

Lirohet pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar francez, pronarit të uzinës së makinave ‘’Renault‘’, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i  lidhur  i  dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.

Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori Selim Alimerko çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar në Prizren:

Mallkuar qofsh, Benito Musolini!

            Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,

            Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,

            Dhe nëma ushton nga mali në mal.

Kështu për Kudretin filloi kalvari nëntëmbëdhjetë vjeçar i vuajtjeve të burgut të Burrelit. Me një fizik të dobët, në konditat e tmerrshme të atij burgu, Kudreti mundi të mbijetonte në saj të forcës së rrallë shpirtërore dhe besimit të patundur për të ardhmen. Ai ruajti të paprekur shpirtin e lartë poetik. Aty për aty krijonte vargje të cilat ua deklamonte miqve të tij pa i shkruar, se rregullorja e burgut nuk lejonte të shkruaje më shumë se një  gjysmë  faqeje  letre në muaj.

Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991. Ai ishte njeri dhe poet i  madh. Ishte poet  i heroizmit kombëtar.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: kudret Kokoshi, le të rrojë!, reshat kripa, Vetëm shqipja

KUDRET KOKOSHI, POET EPIK DHE PËRKTHYES BRILANT

May 25, 2015 by dgreca

FIGURA ME DIELL TË LËNA NË HESHTJE-Kush ishte poeti, i burgosur nga fashistët che komunistët/
Nga Albert HABAZAJ/ studiues
Paraqitje: Vlora e shekullit XX paraqitet me një atlas të larmishëm letrar, sipas hierarkisë së vlerave artistike, të pasur me ngjyra dhe tinguj poetikë, që ravijëzohen sidomos në fushën e përkthimit dhe të publicisikës letrare dhe etnologjike. Poaq, ka patur figura me diell të lëna në heshtje. Mbetet një emër i paharruar për letërsinë juristi vlonjat Kudret Kokoshi – i njohur sidomos me vegimet epike, por edhe si poet i hollë lirik dhe përkthyes i zot. Profili i tij respektor lartësohet në tre plane:  intelektual, poetik dhe atdhetar. Poeti human dhe brilant Visar Zhiti e ka klasifikuar krijimtarinë letrare të Kudret Kokoshit si poezi klasike e një njeriu të martirizuar për shqiptari. Në nderimin e 100 vjetorit të lindjes së Kudret Kokoshit, shkrimtari dhe publicisti Reshat Kripa e ka cilësuar Kudretin si poet të heroizmit kombëtar, ndërkohë që nuk harrohet sentenca e R. Kripës për Kudretin: “Ai nuk vdiq, se martirët nuk vdesin”. Ai erdhi dhe iku si frymë lirie, ëndërrimtar, idealist, shqiptar i europianizuar me dinjtet, intelektual atdhetar. Por ndërkohë, më tërheq vëmendjen shqetësimi i studiuesit Muharrem Jakupi, që analizat e mundshme strukturaliste apo psikanalitike të autorëve tanë të mos rezultojnë në pamflete “komikë” për shkencën e letërsisë. Edhe në trajtesat e derisotme për shkrimtarët vlonjatë dhe vendin e tyre në letrat shqipe, për veç F. Arapit tërësisht dhe P. Markos në gjininë e romanit, të cilët janë shkrimtarë modernisët, autorët e tjerë vlonjatë klasifikohen në letërsinë shqiptare të traditës (përfshi dhe autorin Kudret Kokoshi, profilin letrar të të cilit po trajtojmë në këtë shkrim, pa përsërsitur të tjerët). Dhe kuptohet, shkrime të tilla, përfshi dhe artikujt e autorit të këtij materiali shkrimor, janë këndvështrime, nuk janë punime shteruese, por japin ndihmesë modeste e origjinale në studimet letrare shqiptare.
Jetëshkrimi:
Substanca antologjike: Studiuesi i njohur kanadez Robert Elsie shkruan në librin “Histori e letërsisë shqiptare”: “Ndër shumë poetë aktivë para ardhjes së komunistëve mund të përmenden…dhe juristi Kudret Kokoshi (vd.1991) nga Vlora, i burgosur edhe nga fashistët, dhe më pas nga komunistët” (Shih: Elsie, Robert, vep. e cit., f. 327). Dhe më tej: “Ndër shumë shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore qenë…poeti Kudret Kokoshi (1907-1991). (Elsie, R., po aty, f. 378). Emri i K. Kokoshit nuk përmendet në asnjë nga botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë “Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2008 – 2009 (me 3 vëllime), se në FESH, 1985 as që mund të bëhet fjalë. Është një botim tjetër i nivelit akademik i Qendrës së Studimeve Albanologjike (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) që në librin “Studime për autorë të ndaluar” (Tiranë, 2008), krahas Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit, Zef Skiroit, Mitrush Kutelit, Martin Camajt, Astrit Delvinës, Ali Asllanit e Pjetër Arbnorit trajton letrarisht Kudret Kokoshin. Bëhet fjalë për studimin e Ylli Borës “Vlera dhe veçori të krijimtarisë poetike të Kudret Kokoshit” (Shih: “Studime për autorë të ndaluar”, vep. e cit., f. 305 – 321).
Të dimë më tepër: Kush është Kudret Kokoshi? Ai njihet si poet shqiptar, jurist dhe i burosur i ndërgjgjes. Është lindur në Vlorë nga Asliha dhe Hasan Kokoshi, më 18 shtator 1906, (një variant ka si ditëlindje të tij 18 shtator 1908, një tjetër vitin 1907). Formimi i tij është tërësisht perëndimor, sepse që shkollën fillore, të mesmen dhe të lartën i kreu në Romë. Kurora e arsimimit të tij tij në Perëndim konfirmohet nga Roma, më 17 mars 1938, kur Kudret Kokoshi, pas  laurimit të 27 nëntorit 1933, merr diplomën Doktor i Jurispudencës. Talenti i tij i avancoi më tej ambicjet intelektuale, të cilat e futën në hullinë e studimeve të thelluara për letërsi e filozofi në kryeqytetin latin dhe shfaqet si zotërues perfekt i gjuhës italiane. Këtë e fakton edhe fitimi i çmimit në poezinë italiane. Plotësimin e tij kulturor ai e videntonte edhe me njohjen e gjuhës frënge, latine dhe greqishten e vjetër. Familjarët na thonë se Kudret Kokoshi, që dinte 12 mijë vargje përmendësh nga Komedia Hyjnore (Divina Comedia) e Dantes, të mahniste me komentet e tij shkëlqimtare e mbresëlënëse.
Ai e respektonte familjen dhe martesa e tij i fali dy fëmijë. Mbasi kreu studimet jashtë shtetit, në fund të vitit 1933 kthehet në qytetin e tij të lindjes, duke hapur një zyrë avokatie, ku ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1936 . Mandej emërohet ndihms gjyqtar në Bilisht, Pogradec dhe nga fundi i 1938-ës vijon karrierën si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, Shkodër e Tiranë. Në vitin 1941, me porosi dhe sipas vizionit kombëtar të kryeministrit të kohës z. Mehdi Frashëri shkon në Kosovë për të organizuar atje gjyqësorin dhe formimin profesional të kuadrove. Janari i 1942-shit e gjen kryeprokuror shteti në Prizren, ku shquhet për veprimtari atdhetare, në krye të lëvizjeve çlirimtare dhe përplasje me pushtuesit. Më 28 nëntor të atij viti plagoset nga policia italiane, sepse qe në ballë si udhëheqës i demonstratës së Prizrenit. Falë ndërhyrjes dashamirëse të një oficeri kosovar pranë xhandarmërisë, e kthyen në Shqipëri, ku gjendej për gati tre muaj në gjendje kome në Tiranë. Shansi i madh i gushtit 1943, i pafat për shqiptarët e gjen në Mukje, si anëtar të delegacionit nga forcat nacionaliste. Konferenca historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, u kthye së prapthi nga komunistët me vendimet e tradhëtisë së madhe dhe orientimit të gabuar.  Janari 1944 e gjen po në Kosovë, në vijim të ushtrimit të detyrës, por pas dy muajsh arrestohet nga Gestapoja dhe internohet me dijeni të serbo-komunistëve në kampet e shfarosjes në Prishtinë dhe më von në kufirin austro-hungarez.
Kudret Kokoshi ka ushtruar detyra shteterore e shoqërore; ka patur dhe aktivitet të dendur politik, por gjithmonë në shërbim të Atdheut, me tendeca perëndimore qytetarie, kulture e zhvillimi përparimtar të vendit që e lindi e të cilit iu përkushtuar deri më 26 prill 1991, kur mbylli sytë.
Duke ecur në gjurmët atdhetare deri në përmasa kombëtare të fisit me emër të Kokoshajve, edhe Kudretin monarkia e kishte trajtuar si kundërshtar (jo vetëm ngaqë xhaxhai i tij, Qazim Kokoshi ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare në Luftës e Vlorës). Kulmohet ky fakt me rastin e 7 prillit 1939, që e gjeti në Korçë, në demonstratën e madhe, duke kërkuar armë lirie. Marrëveshja e Mukjes e gushtit 1943 do të ishte shumë e dobishme po të dëgjohej mendimi i pjekur i vlonjatit 37 vjeçar. Më 1944 – ën zgjidhet unanimisht kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Prizrenit, mik me profesorin e madh Selman Riza.
Merr furi veprimtaria e palodhur e Kudret Kokoshit për komb e dituri: Boton gazetën javore “Lidhja e Prizrenit”; mbledh dokumente mbi veprimtarinë e dëmshme të serbëve dhe italianëve në tokën shqiptaro – kosovare; merret me organizimin emancipues të gruas shqiptare dhe me çeljen e kurseve për të rritur (burra e gra). Kudret Kokoshi më 19 mars 1944 shënoi veprimtarinë e parë të rinisë Intelektuale të Prizrenit dhe vetëm tre ditë më pas,  më 22 mars organizon konferencën: “Simbol i atdhetarizmës shqiptare” për nder të Plakut të Maleve Bajram Currit. Edhe pse arrestohet në mes të vitit 1944 nga serbo-nazistët dhe internohet në kampine e Prishtinës e shumë shpejt në Bycyrkli-midis kufirit austro-hungarez, Kudret Kokoshi nuk përulet, por ngrihet vigan mbi torturat psikologjike dhe fizike të katilëve të zinj a të kuq. As kur lirohet nga kampet e internimit me shumë partiotë të tjerë shiptarë, malazezë, serbë e hebrenj, edhe pse ndërhyri ushtria ruse, karakteri i Kudretit nuk metamorfozohet, se s’tutet vlonjati që i këndoi si ai bëmave të Toto Hosit e legjendarëve të tjërë të Luftës së Njëzetës. Për këto motive, në kthim, arrestohet nga komunistët serbë, të cilët e dorëzojnë me porosi të misionarit sllav D. Mugosha tek Sh. Peçi. Edhe pse e kishin zili intelektin e tij shembullor, nuk mund ta linin pa e ndëshkuar me liri të kufizuar e dënime të tjera për ndikim psikik e fizik, sepse e njihnin që ishte njeri i ditur dhe me influencë në plotësimin e radhëve nacionaliste. Si mik idealesh i Mit-hat Frashërit, korifeut të shqiptarizmës dhe ajkës së inteligjencës shqiptare të kohës, Kudreti u agazhua me shpirt në radhët dhe në ballë të Ballit Kombëtar vetëm kundër pushtuesit të huaj.
Është e veçantë dhe shembullore mbrojta që bëri Kudreti, jo si jurist, por si atdhetar me shpirt të madh duke interpretuar në gjyq poezitë e tij me frymë antifashiste. Vendimi me pushkatim nuk u realizua, si pasojë e presionit të fuqishëm mbarëshqiptar, brenda e jashtë kufirit shtetëror dhe u kthye në burg të përjetshëm, por me trysninë e vijueshme popullore më pas u ul në 21 vjet burg. Dhe pas burgut famëkeq ai nuk u tut, por vijoi me vendosmëri, eci në rrugën e dritërimit të kësaj shoqërie.
Kudret Kokoshi poet dhe përkthyes. Ishte njeri dhe inteligjent i madh, i lindur për poet epik e përkthyes klasi. Ndërkohë qe dhe një vjershëtor i përkushtuar i ndjenjës së hollë lirike për familjen, për nënën, për motrën, për peizazhin e sidomos për mbesën ermirë Mira. Kudret Kokoshi qe një adhurues i zjarrtë i Hygoit. Ai është cilësuar si poet i heroizmës shqiptare; ligjërues dhe orator, si ai, për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare; për doket dhe traditat e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit; për Pirron e Teutën; për Skënderbeun dhe Ismail Qemalin; për Faik Konicën dhe Fan Nolin; për Bilbilenjtë fodullë, që, duke dredhur cigare, “vanë në litare vetë”, për të shpëtuar fshatin që i strehoi e i ruajti nga koshadhet. Disa nga poezitë e Kudretit si “Vegim epik”,”Vlorës”, “Toto Bolena”, “Luftëtarit të Kombit ”,”Epope”, “Spartaku”, “Nënës”, “Gruas shqiptare”, “Këngën më të bukur këndoj”, poezia klasike “Të dua Shqipëri” apo dhe “Neroni” e ngritën atë njeri të martirizuar në rè më krenar. “Epitafi”mbetet vepra gjeniale e këtij personaliteti, por s’u bë i mundur botimi i tij. Si shumë poezi të tij “Epitafi” recitohej nga të burgosurit, duke ndihmuar kështu në krijimin e ndërgjegjes kundërshtuese dhe të qëndresës: “Jetova jetën pak e vojta shumë/ Po dhe në vojtje prapë dashurova/ Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë/ Oh! mos pandehni,  jo, se un’ pushova;/ Ju mos pandehni jo, se do hesht fare,/ Në varr të zi kur eshtrat të më treten,/ Sepse në vargun tim, shkrepëtimtare/ Të rrahjes zemrës time do të mbeten!/ fuqinë ja rrëmbeva un’ stuhisë/ Dhe me ‘të mbrujta vargjet pët Atdhenë/ Prej zjarrit kur u dogja të lirisë/ Dhe Vlorës i këndova epopenë”. Më të plotë, portretin letrar të Kudretit e ka gdhendur me daltën e artit poeti i dinjitetit human Visar Zhiti, që ka derdhur visaret brilante të shpirtit më bukur se çdokush tjetër, si poeti poetit. Ndërkohë emri i Kudret Kokoshit si përkthyes nga shqipja në italisht evidentohet në librin “Antologia della letteratura albanese” krahas Eugenio Scalambrinos, Renato Baldinit, L. Jeuse, Girolamo De Radës, Ernest Koliqit, Jolanda Kodrës etj., me përkthimin e romanit “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxes apo të romanit historik “Kështjella” të Ismail Kadaresë, me prozë a poezi të tjera të Kadaresë, të Fatos Arapit, Qamil Buxhelit, Adem Istrefit, Vehbi Skënderit, Elena Kadaresë etj. Veçse, në çdo libër të përkthyer prej K. Kokoshit, emri i tij si përkthyes nuk shkruhej në librin e botuar, (edhe pse, sipas shkencës së bibliotekonomisë, për nga rëndësia, përkthyesi është i dyti në hierarkinë e vlerave, pas autorit dhe para redaktorit). Përse nuk vihej emri i përkthyesit Kudret Kokoshi? Absurditet. Pse? Se ishte shqiptar i pastër?! Se ishte intelektual i mirëfilltë?! Se ishte kundër pushtuesve?! Se qe antififashist?! Se qe kundër nazizmit?! Se e donte Shqipërinë në hapësirën e saj, me trojet që ka patur qysh kur u krijua jeta njerëzore në planetin tokë?! Se u persekutua dhe u burgos për t’u shfarosur nga nazistët?! Se u persekutua dhe u burgos për t’u shfarosur nga komunistët?! Se nuk fëlliqi kurrë dorën të vriste një shqiptar?! Më thoni kë ka vrarë Kudret Kokoshi?! Poeti, ai i vërteti nuk vret. Poeti fal dashuri, shpirt, mirësi, dritë. Ja ç’shkruan poeti atdhetar, ky idealist i pandreqshëm, që donte deri në frymën e fundit të bënte Shqipërinë, që s’e ndërroi Francën me Shqipërinë e tij, kur shpëtoi nga bishat naziste në Prizren: “Mallkuar qofsh, Benito Musolini!/ Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,/ Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,/ Dhe nëma ushton nga mali në mal”. Një nga poezitë më përfaqësuese të Kudret Kokoshit është ajo me titull “Toto Bolena”. Frymëzim për autorin u bë luftëtari nga Bolena Toto Hosi, i cili, me vetmohim dhe heroizëm legjendar, luftoi e ra për popullin dhe Atdheun e vet në Luftën e Vlorës më 1920. Kjo vjershë u kushtohet gjithë heronjve të heshtur që më 1920 atdheut i dhanë dhe jetën dhe asgjë nuk i kërkuan. Toto Bolena është njëri nga ata njerëz të thjeshtë të popullit, që braktisi shtëpinë e berrat në Çipinin me trëndelinë, rroku armët, luftoi dhe vdiq për Shqipërinë. Në fushën e luftës, mitralozi i pushtuesit i çau barkun. Trimi, me zorrët zvarrë luftonte si kreshnik…Ra si burrë, si lab, si shqiptar për Shqipëri. Por “një komb për t’cilin vdiqe as nuk e di ku e ke varrë!” revoltohet e zemërohet poeti. Vjersha është shkruar në vitin 1934 dhe, në atë kohë kur Kudreti thuri këto vargje mbushur me lavdi, krenari e dhembje, jo vetëmqë nuk dihej ku preheshin eshtrat e heroit, por as emri nuk i njihej. Kjo mospërfillje dhe përbuzje karshi atyre që kishin luftuar dhe kishin rënë për nderin e Atdheut: “Jo mermerë, jo dhe këngë, o bari, ty të kujtojnë!/ Përmendore t’janë brigjet, që këtë Vlorë rrethojnë./ Këngëtar hyjnor ke detin, që ulurin e shkumëzon/ Emri yt kushtrim beteje, m’u në shpirt po më gjëmon./ Jo mermerë, jo dhe këngë, ju kujtim dhe jo një lot,/ Ky komb për t’cilin vdiqe, përmbi varr nuk të derdh
dot,/ Se nuk di ky komb, o Toto, që një ditë ti ke rarë,/ Mbi kodrat e Vlorës trime si heronjtë legjendarë!/ Një gunë hedhur përmbi supe në një natë plot gjëmime, / Flakërim nër sytë ti kishe dhe në zemër ëndërrime,/ Dhe në grushtin e çelniktë krrab’në e berrave mbërtheje…/ Me atë kërrabë historike kundrejt Historisë veje!/ Me atë kërrabë shpëtimtare mbi armikun u vërvite!/ Edhe mbi qytetin e shenjtë shkabën dykrenore ngrite!/ Njëqind plumba të goditën, po ti re me këngë n’ gojë:/ “Un’ po vdes…oh, le të vdes, vetëm shqipja le të 
rrojë!/ Barkun mitralozi t’hapi, zorrët i mbajte me dorë…/ Ti po vdisje me një pyetje: “Do vemi sonte në Vlorë?”/ Mitralozi të çau barkun, ti i hoqe zorrët zvarrë…/Por një komb për t’cilin vdiqe as nuk e di ku e ke varrë!” [Vlorë 1934]. K. Kokoshi, që bëri të flasin italisht veprat më të shquara të lëtërsisë shqipe, nuk mund të krijonte me frymëmarrjen poetike të të tjerëve. Ai qe njeri i madh, qytetar i pasur me shpirt, me prona e kapital, por që vetë iku ekonomikisht më dobët se De Rada i cironkës, ndërsa të pasmit e tij, po aq idealistë sa Qazimi, sa Kudreti bëjnë luftë me djallin ndaj padretësive. Vlora i di pronat e tij në Skelë. Vlora e sheh zaptimin e tyre “kaukazian”. Kudret Kokoshi e ka gdhendur portretin e shqiptarit në kohë dhe në hapësirë: “Kush lufton mbi ato brigje?/ Oh, kush vdes duke kënduar?/ Kush tha: Rroftë Shqipëria?/ Kush këndon duke rënkuar?”. Shkon hijshëm të jetë dhe epitafi i profilit të tij si poet, përkthyes dhe intelektual atdhetar.
Njihet krijimtaria e tij e botuar, por me që jemi angazhuar në këtë mision për shkrimtarët e Vlorës, vlen të përditësojmë një paraqitje të shkurtër të 13 regjistrimeve të gjetur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, ku përfshihen poezi dhe studime. Libër poetik i botuar me emrin e tij është vetëm një “Drithmë jete: poezi”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995, me redaktor Visar Zhitin. Ndër vjershat dhe artikujt e tij me kritikë letrare shënohen: dy vjershat e tij “Epope” dhe “Toto Bolena”, botuar te “Liria A”, Nr. 32, 5 Maj 1996, f. 4; “Epitafi” në “Rilindja Demokratike”, Nr. 942, 27 Prill 1995, f. 6; “Të dua, Shqipëri!”, “Vjena”, “Kthimi” Leka (shtojcë e “Rilindjes”, Nr. 577, 30 Prill 1995, f.7; “Vegim epik”, “Mbrëmje (Romantiçizmë)”, “E di që ka një emër…” në “Bashkimi”, Nr. 17, 29 Prill 1995, f. 5; “Lidhni besën për atdhe, ju me gjak të Kastriotit”, në “55”, Nr. 88, 18 Prill 1999, f.15; “Lasgushi, gjeniu i letrave Shqipe”, në “55”, Nr. 293, 26 Dhjetor 1999, f. 12; “Të njoha”- [poezi], në “RD”, Nr. 3132, 21 prill 2002, f. 21; “Cikël poetik”, në “RD”, Nr. 3216, 28 Korrik 2002, f. 20 – 21; “Të dua Shqipëri!” – [poezi], në “RD”, nr. 3462, 1 Qershor 2003, f. 22; “Gjuha letrare”, në “Phoenix”, Nr. 4 – 6, 2002, f. 221 – 222; “Ermirës” [poezi], në “Standart”, Nr. 881, 10 Maj 2008 f. 28; “Poezia e Lasgush Poradecit”, në “Mapo” V, Nr. 175, 31 Janar 2011, f. 23. Duke u futur në kohë, kur Kudreti ishte një shqiptar erudit, idealist dhe krijues i përkushtuar i poezisë së angazhuar atdhetare mban qëndrim ndaj poezisë melankolike e kozmike dashurore të Poradecit. Arësyeja qe nga që Lasgushi merresh më tepër dhe seriozisht me poezinë erotike dhe atë filozofike, që siç thotë Çabej, sjell një drithmë të re
Kudretin do ta studiojmë në konteks. Jemi në kohën kur Çështja Kombëtare nuk qe zgjidhur ende, kur kudo mbizotëronte fryma e bashkimit kombëtar, si dhe e një qëndrimi militantist ndaj Çështjes së Madhe, saqë Kudret Kokoshi, e cilësonte princin aristocrat të lirikës shqiptare si një “bilbil” që nuk na prish punë, prandaj le ta lejmë të këndojë, duke e nënvleftësuar atë, sikurse edhe disa të tjerë që i përkasin asaj periudhe. Ndërkohë, portretin njerëzor dhe atdhetar të Kudretit më mirë se kushdo tjetër e njohin qytetarët e Vlorës, paria e vendit, Shqipëria mbarë e Kosova. Për këto arsye, Kudret Kokoshi mbetet dhe sot e kësaj dite figurë emblematike për intelektin e spikatur dhe atdhetarizmën e vërtetë me një profil mbarërespektues, që, për meritat e tij të padiskutueshme dhe për kontributin e shquar që ka dhënë për atdhe e për kulturë, me kohë e ka merituar vlerësimin “Nder i Kombit”. Krijuesit vlonjatë, të organizuar në shoqatën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Vlorë, me ndihmën e bujarit fisnik Bujar Leskaj, japin dhe çmimin “Kudret Kokoshi” për përkthimin më të mirë në poezi, të cilin deri më sot e ka fituar përkthyesja dhe shkrimtarja Laureta Xh. Petoshati. Studiuesi Ylli Bora na jep këtë profil të autorit” Kudret Kokoshi aq sa është poet i epikës dhe i heroikes, është edhe poet i lirikës dhe I intimes, aq sa ëshët poet i motiveve të mëdha të përbashkëta është edhe i motive deri individuale, por që aspak nuk tingëllojnë sit ë tilla (Shih: “Studime për autorë tëndaluar”, vep e cit., f. 312). Poezia emblematike e lirikës familjare është ajo me titull “Ermirës (ose artit të Poezisë)”, kushtuar mbesës dhe shpresës së tij ëndërrimtare: “Kaluan kështu, papandehur,/ Vjetët dhe u bë vonë!/ Në çastin vraponjës esht’ fshehur/ E këngës një jehonë./ Që vrullshëm një ditë buçiti/ Nga zemra ime e dlirë,/ Kur jetën e zymtë ma ndriti/ Buzëqeshja jote, Ermirë!/ Kur heshtas pa droje e me besë/ Rrugën e kaltër ngjita/Dhe qiellin me gaz e me shpresë/ Në syt’ e tu sodita,/ Kur flokët mbi krye, oh lehtë/ M’i ledhatoi puhia/ Dhe flatrat e shpirtit të qetë/ M’i drodhi harmonia!/ Aherë guximshëm e mpreha/ Këngën në zjarr luftimesh,/ Në agimet e merme u deha/ Me bukuri vegimesh!/ Më lart’ e më lart unë u ngjita./ Malit me krahë të lehta:/ Me flakët e me dritë u kalita,/ Te ti jetën e gjeta./ Oh, n’ecjen, që spati më prehje,/ I gajasur nuk rashë/ Dhe dritën që mora prej teje/ Ermirë, Ermirë, e dhashë!/ Kaluan kështu, papandehur,/ Ankthe vuajtje gëzime:/ Në çastin vraponjës ësht’ fshehur/ Jehona e këngës s’ime”, nuk është eshkruar me gërma apo thjesht me frymëzim artistik. Ajo është e gdhendur me frymë ëndrrash dritërore. Ajo është e mbushur me hoje mjaltorë pë bardhësisë e mesazheve dinjitozë që jep për jetën dhe dëshirat qytetare për njeriun, që burojnë nga shpirti i bukur i qytetarit të vjetër, i itelektualit të admirueshëm, të poetit të përkushtuar ndaj familjes, atdheut, mirësisë dhe përparimit.
* drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

Filed Under: ESSE Tagged With: kudret Kokoshi, nga fashizmi dhe komunizmi, poeti i burgosur

Poezia e Kudret Kokoshit këndon duke qarë…

October 27, 2013 by dgreca

SHKRUAN: ZYBA HYSEN HYSA/

Poezia është shpirt, ndaj poeti kur shkruan provon një orgazëm shpirti, sikur vdes dhe rilind brenda një çasti që vjen si vetëtimë dhe ikën si erë me stuhi duke lënë mbi letër vargje poezie… Poezia është ajo pjesë e shpirtit që del nga poeti pak nga pak për të shpëtuar vdekjen e tij, për të ndriçuar sytë e pa dritë dhe për të ndezur shpirtrat e fikur të njerëzve.

Kur marr në dorë një libër (nuk di pse e kam këtë ndjesi, të cilën e kam dëgjuar edhe nga Novelisti turk Orhan Pamuk), që në prekjen e parë të krijohet përshtypja se çfarë karati do të ketë ai libër. Mbase kjo është mistike, mollëzat e gishtave “lexojnë” duke prekur librin, mbase aty janë grimca energjie të shpirtit të autorit, që shkenca i quan kuante, të cilat veprojnë pa vetëdijen tonë mbi ne, japin e marrin sinjale, ne vetëm provojmë ndjesi, ashtu siç ndodh në dashuritë e vërteta, ku mendja e logjika jonë kurrë nuk i japin të drejtë zemrës, ndjenjën e luftojnë pamëshirshëm, por nuk ka deri më sot asnjë tru njerëzor të shpikë shigjeta aq të holla që të ekzekutojë kuantet, të cilat janë grimca energjie, që as shihen dhe as preken, ato janë përherë në lëvizje, aq sa hyjnë në trupin e njeriut, po aq dalin e shpërndahen në Univers, ashtu si bletët në zgjoin e tyre, derisa, po si bleta, që vjen një ditë dhe e braktis zgjoin e strehohet diku tjetër, edhe këto grimca energjie që ne i quajmë shpirt, vjen një ditë dhe dalin përfundimisht nga trupi i njeriut drejt universit për të gjetur “zgjoin” tjetër për të bërë ripërtëritjen…

Siç e shohim, tek ne ndikojnë energji që flasin pa fjalë, na sjellin ndjesi nga më të ndryshmet dhe më të habitshmet, ndaj duke menduar kështu u bindem ndjesive të mia në shumë aspekte të jetës, unë veç i shijoj ato…

Dua të them, se kur mora në dorë vëllimin poetik “Drithmë Jete” të Kudret Kokoshit, poet që unë kurrë nuk kam mundur ta takoj dhe ta njoh fizikisht, pa e hapur librin, preka cilësinë e lartë të poezisë së tij, ndjeva aromën e poezisë së tij, ndjeva peshën e lotit dhe dridhmat e shpirtit të tij pushtuan edhe shpirtin tim.

Kur ndërroi jetë poeti Ali Podrimja, kur ende nuk ishte gjetur trupi i tij, shkrova poezinë: “Në lumin e Lumit shkoi”, ku vargjet rridhnin mes lotësh. Ç’na shtynë të kemi këto ndjesi? “Një dridhmë athëtime më pushtoi shpirtin/ Mornica – mornica, dhembja trupin pulsoi/ Zemra papandehur u mbyt… ndryshoi ritmin/ Poet – poeti në lumin e Lumit të tij shkoi…/ Si vallë më ndodhi kjo gjendje kaq tronditëse/ Asnjëherë se kisha parë nga afër, poetin kosovar/ Mos vallë poezia mes poetësh bëhet lidhëse/ Muza mike e përbashkët, të bashkuar na mban…/ S’di, çfarë u shkëput nga brenda qenies sime/ Ndjej një dhembje që dhemb thikë më thikë/ Lotët më vërshojnë… qaj…  gjer në klithje/ Lot rrjedhin nga  librat e tij poezitë…”

Mes njerëzve ka lidhje mistike, e pse e shpjegova më lart, por shpjegim nuk kanë, se cfarë më shtyn mua të dergjem mbi poezinë e Kudret Kokoshit dhe të rri gjatë në kompjuter të hedh refleksionet e shpirtit tim?? Atëherë them se më e veçantë, më e thellë, më hyjnore, kjo lidhje është midis poetëve, sa shpesh ata ndikohen dhe në krijimtarinë e tyre, pa kuptuar.

Unë kam qenë me fat që përveç Naim Frashërit që më ka ngjallur dëshirën për të shkruar poezi që fëmijë dhe kurrë nuk munda të shkruaja atëherë, saqë edhe sot e ndjej atë rëndesë mbi shpirt , e cila më bëri që unë ta urreja poezinë dhe poetët e kurrë nuk lexova poezi, nuk doja të njihja jetën e tyre, kurrë nuk u afrova një poeti për të biseduar. Mbase tek unë ishte krijuar “urrejtje” e kjo bëri që unë dashje pa dashje u dashurova me poezinë, këtu mbase ka vend thënia e popullit: “Atë që urren, të behet fat.” Ishte një fat që për fat unë nuk u ndikova nga asnjë poet në shkrimin e poezisë sime, ajo është imja, krejtësisht imja.

Vitet që pasuan më kanë bërë që të trokas në vepra brilante poetike botërore dhe po kaq të mrekullueshme do të veçoja poetët e shekullit XX, poetët e ndaluar, të cilët kohët e fundit më kanë thithur me poezinë e tyre sikur duan të më plotësojnë atë kohë që unë nuk kam lexuar poezi.

Ardhja ime për të jetuar në Vlorë, më ka bërë të njihem me poezinë vlonjate të Ali Asllanit, Fatos Arapit, Hyqmet Meços, të poetëve të ndaluar nga diktatura, babë e bir,  Isuf e Dalan Luzajt, Miliano Stefa… e shumë tjerë të rinj e të vjetër e më në fund kam në dorë poezinë e Kudret Kokoshit, autor që e kam ndeshur gjatë studimeve të ndryshme, kur shkrova librin “Sharrajt në Jetën e Kombit”, në dokumente që vërtetojnë fillimin e vëllavrasjes me ekzekutimin e të riut Hazis Sharra, ku njëri nga ekzekutorët e Sharrës, ndër të tjera deklaron: “Aty u bë një debat i gjatë nëse duhej vrarë Kudret Kokoshi, i cili ishte anëtar i Qarkorit të Ballit, apo Haziz Sharra që ishte përfaqësues i Rinisë së Ballit. Pas shumë diskutimeve fituan ata që mbështesnin vrasjen e Haziz Sharrës, duke arsyetuar se po të vritej Kudret Kokoshi, Hazizi si njeri i aksioneve, do të merrte hak duke vrarë krerët kryesorë të Qarkorit komunist, kurse po të vritej Kudreti, e shumta do të shkruante disa poezi si njeri i penës që ishte…”

Ashtu siç më rrinte në mendje Isuf Luzaj, që edhe atë e kam ndeshur po në këtë studim, ashtu më rrinte si hije mbi kokë imazhi i tij prej një patrioti, ndër më intelektualët e kohës, poeti zemërbeharë, që të paktën, poezia i shpëtoi jetën për ta dënuar atë me vite internim deri në Austri e më pas me vite burgim në diktaturë, e gjer kur vdiq me një xixëllim të mekët pas vitit ’90, ku nga shtëpia e tij dëgjonte thirrjet e popullit në shesh “Liri – Demokraci”.

Kudreti u bë pjesë e bisedave të mia me miq e shokë. Një ditë tek bisedoja me Fari Shaskën, ish i internuar, në lidhje me poetin kujtonte: “Në vitin 1970 erdhi në Kocul bashkë me dy tjerë të persekutuar, Dino Alemin dhe Guriun e në bisedat tona, veç tjerash ai recitonte poezitë e tij. Aty ai tha se shumë poezi i mbante mend përmendësh, ai dinte përmendësh “Komedinë Hyjnore” të Dantes, ku fillonte e recitonte me pathops të madh…”

Kështu Kudreti, një ndër poetët misionar të asaj kohe, edhe pse krijonte shumë poezi, në dorëshkrime janë gjetur pak, pra vetëm një vëllim poetik, të tjerat, ose ia kanë sekuestruar, ose nuk ka mundur t’i hedhë në letër. Bah! Sa fatkeq poeti, edhe me shpirtin e tyre nuk mund të bëjë çfarë të dojë, por Kudreti ishte nga ata poetë që dinte ta ndrydhte shpirtin e tij, por kurrë t’ia përdornin të tjerët, siç bënë disa “figura” që shkelën me dy këmbët mbi shpirt për t’u bërë vegël e komunizmit e për fat të keq, ato “figura” akoma bëjnë “figurë” në fushën e letërsisë shqiptare, ku mjaft poetë e shkrimtarë të dënuar e persekutuar, vetëm përmenden ngandonjëherë, për të maskuar komunizmin e ri që lindi pas viteve ’90, një komunizëm, që zhveshi petkun “hyjnor” dhe doli me gjithë dhëmbët e fshehur prej vampiri dhe që prej 23 vjetësh thithi e thithi gjakun dhe mundin e shqiptarëve pa mëshirë, pa pyetur nëse ekziston popull, veç kush mund të hajë më shumë, kush mund të vjedhë më shumë… o Zot i madh, se çfarë është bërë këtu!

Të flasësh për figura të ndritura që i rezistuan furtunës komuniste me dinjitet, siç është dhe Kudret Kokoshi, është në nderin e gjithsecilit, se në radhë të parë u lehtësojmë pllakën e mermerte të varrit, ua çelim sytë pasardhësve për tu ndjerë krenarë dhe në radhë të tretë, por që ka rëndësi parësore, është detyrë patriotike me rëndësi kombëtare që brezat ta dinë të vërtetën e hidhur të Kombit tonë e të hapin sytë për të çuar në vend aspiratat e tyre për pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Vëllimi poetik “Drithmë jetë” të fut dridhma në shpirt, por edhe të bën të ndjehesh krenar për pena të tilla që shkruajnë jo vetëm për të kaluar kohën, siç bëjnë shumica e poetëve të facebuku – t, por pena që lënë shenja të vyera për brezat.

Të shkruash për Vlorën, do të thotë t’i thërrasësh historisë, të shkruash për Vlorën, do të thotë t’i këndosh himn Flamurit, të shkruash Vlorës, do të thotë se i ke ndritur ballin Kombit…

Në një intervistë, thënë gazetarit Murat Gecaj, ndër të tjera jam shprehur: “Në Vlorë, ndjehem si në ndonjë vend të shenjtë… “, se vetë Vlora ka veti që të pajis me një lloj energjie, që ne e quajmë muzë, pa e kuptuar se nga vjen; nga Kanina, apo nga deti, nga shekujt, apo nga e ardhmja… Unë për Vlorën kam shkruar më shumë se për vendlindjen time, më shumë se për dashurinë, se Vlora është tempulli i Kombit tonë… këtu ka nisur udha… këtu është prerë kjo udhë… këtu duhet të rinisë për të mbërritur në triumfin e kombit. “Pasqyrë e stërmadhe, ku historia e Kombit shihet/ Nga përplasja e dallgëve/ Stërkala gjaku ngrihen…”, kam shkruar këto vargje në vitin 2002.

Çdo shqiptar duhet të vijë, të paktën 3 herë në jetën e tij në Vlorë, ashtu siç shkojnë besimtarët myslimanë në Mekë, Vlora është Meka e shqiptarisë. Cili erdhi në Vlorë e nuk u ndje krenar, cili lindi në Vlorë e nuk luftoi me zjarr…? “O Vlorë, Vlorë! Flamur, krenari/ Zemër e gjak e kombit heroik/ Ti që thyen pranga e shuan robëri/ Përherë më shfaqesh në vegim magjik!” do shkruante poeti Kokoshi të fillim të librit poezinë “Vlorës”

T’i shkruash Vlorës, t’i kujtosh heronjtë, se më shumë se Vlora asnjë vend nuk i ndjeu thikat e dhembjes, ndaj me shkrimet, poezitë i mjekojmë plagët me krenari shqiptari. “Të pashë atje, në Vlorë!/ Një flakë ta digjte zemrën/ Një këngë kishe në gojë:/ Unë fli do ta bëj jetën/ Që Komnbi i lir’ të rrojë.”, shkruan tek poezia “Luftëtarët e Kombit”, apo tek poezia “Epos” Me djersë e gjak për shekuj je vaditur/ Me djersë e gjak të bijve tu, Atdhe!/ Mbi ty rrebeshet shpesh jan’ përsëritur/ Po kurrë ti përkulur nuk u je… Ti, qe gjithnjë me llavë e shkreptima/ Si vullkan pate shfryrë për liri.”Dhe vargjet himn, do të thosha të poetit “Fuqinë ia rrëmbeva unë stuhisë/ Dhe me të mbrujta vargje për Atdhenë/ Prej zjarrit kur u dogja të lirisë/ Dhe Vlorës i këndova epopenë.”

Kurrë kombin ynë nuk ka pasur mundësi të mjekojë plagët deri në shërim e pse plagë mbi plagë, kombi ynë nuk u shua, me plagë të hapura ai është ngritur në këmbë e ka mbijetuar. Ai është si një lis që shekujt e kanë qëlluar me sopat pa mëshirë, i kanë prerë nga trungu krahët, por duke i prerë krahët, nuk kanë mundur të presin degëzën e majës që sheh drejt lirisë dhe të shkulin rrënjët e lëshuara në tabanin shekullor.

“Dhe kur shpatën mishrave ta futën/ Në re, sërish u ngrite më krenar…/ U turrën bijtë e tu Shqipëri kreshnike/ Në krye, shpatën zhveshur, Skënderbeu!” shkruan tek poezia “Epos”. Në pak vargje një histori e gjatë, një histori e madhe, sa e lavdishme, aq e dhimbshme, ku betejat përfundonin me fitore, ku fitoret prisnin beteja pa fund gjer në atë vjeshtë të tretë, që si thotë autori në poezinë “Një ditë në vjeshtë” në disa vargje: “Unë pashë një ditë vjeshte një flamur bërë çika – çika/ Një flamur me shkabë të zezë, që qe prerë me njëmijë thika…/ Oh, than’ zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!/ Unë pashë një ditë vjeshte epopenë e kombit tonë”.

Një pavarësi e brishtë “flamuri çika – çika” pra vetëm në një copë Shqipëri, por që vendosi atë pak fat për të mos u fshirë nga harta e botës e bëri Lufta e Vlorës së 1920 – ën, ku bijtë e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë luftuan duke kënduar, duke rënkuar, se lufta është një këngë e dhimbshme, por mort është robëria. “Kush lufton mbi ata brigje? Oh, kush vdes duke kënduar?/ Kush tha – Rroftë Shqipëria? Kush këndon duke rënkuar?/ Kan’ vendosur a të shuhen, a të hyjn’ doemos në Vlorë!” thuhet në poezinë “Epope”

Figurën e Neronit, perandorit romak, nga më mizorët, ashtu siç e ka përdorur edhe Isf Luzaj, për të cilën dhe u burgos, që simbolizon mbretin zog, edhe Kudreti Kokoshi, sigurisht me atë simbol e ka dhënë, por shumë mirë do t’i shkonte më për shtat Enver Hoxhës, se më mizor se ai nuk ka parë “Neron” tjetër ky vend, një Neron që fliste shqip, një Neron që vërtet e ktheu Shqipërinë në ferr, ku Dantes nuk do i duhej shumë rrugë për të bërë në botën e përtejme, se ajo botë kishte ardhur ndër ne. “Zjarri shpërthen e skuq natën e qetë…!/ Në frenezin’ e egër prej mizori/ Romaku perandor ndihet poet…”

Historikisht në shekujt e robërisë më të robëruarat kanë qenë gratë shqiptare. Ato e dinin që kur lindnin foshnjën se djemtë e tyre, kur të rriteshin do të ishin kurban të lirisë e ato me këtë i ushqenin qysh në djep parmes ninullave; “Fli… bir’ i nënës, fli… / Të më rritesh për Shqipëri…” Të rralla nëna i këndojnë fëmijëve ninulla të tilla, të rralla gra e përballojnë dhembjen e garave shqiptare. Sa nëna shqiptare kanë parë djemtë e vrarë, sa nëna janë përdhunuar në sy të fëmijëve, sa vajza janë masakruar e më pas janë vrarë, sa e sa ka duruar gruaja shqiptare e sa trimëri ka shpalosur duke luftuar përkrah burrave… Nuk llogaritet… sikur veç mallin të peshojnë nga rrëmbimi i bijve dhe syrgjynosja e tyre në kampe e burgje nëpër botë, vite e vite e së fundmi nga bijtë e zhdukur nga Serbi gjakatar, ku nuk kanë dhe një pllakë varri të shkojnë t’i qajnë bijtë e tyre… malli shtresohej dhe loti terte sytë, shpirti errësirë e frikshme për të jetuar, pa gëzime, pa këngë, veç vaj e lot, ku veç shpresa xixëllonte mekët, ajo shpresë që i mbante gjallë, ndaj poeti do shkruante në poezinë “Gruas shqiptare” vargje adhuruese: “E bukur je dhe trime, o e pandara/ Shoq’ e shqiptarit, nër gëzime e vdekje… Në syt’ e tu të thellë, si shpirti i Kombit/ Vrejtoj pavdekshmërinë e fisit tonë… /O perëndesh’ e Shqipërisë, o trime/ Grua shqiptare që s’pranon kurrë zgjedhë!”

Një shoqëri e zhvilluar njihet te respekti dhe dashuria për femrën, si pjesa më e brishtë e shoqërisë, si pjesa që shpalos bindshëm humanizëm dhe dashuri njerëzore të mbrujtura natyrshëm në zemrën e saj. Ajo shoqëri, ai komb që nuk e ruan këtë respekt, kurrë nuk ka zhvillim, kurrë nuk ka mirësi, se çdo gjë fillon nga respekti ndaj vetes dhe të respektosh veten, në radhë të parë duhet respektuar ajo që të lindi e që të rriti, më pas respekti dhe dashuria shpërndahet kudo, pa dashuri dhe respekt, nuk ka zhvillim shoqëror, duhet të duash, që të sakrifikosh mundin e djersën tënde për hir të dashurisë, se dashuria është përkushtim ndaj asaj që do, por në një shoqëri siç është shoqëria shqiptare, ku asnjëherë nuk ka mundur të jetë vetvetja e jo më të dojë vetveten. Kohërat herë na vishnin, herë na zhvishnin kostumet e tyre e gjatë kësaj veshje e zhveshje, u ftohëm, u mardhëm, na ngrinë tiparet tona shqiptare dhe kjo bëri që ne të mos njohin vetveten.

Vetëm të mençurit dinë të vlerësojnë femrën, të adhurojnë nënën, motrën, gruan, miken… vetëm të mençurit u këndojnë himn që të gjithë të çelin sytë e të ngrohin shtatin e mardhur nga veshjet e zhveshjet e kohëve antikohë për shqiptarët. E nuk mund të rrish pa lotuar nga vargjet e Kudret Kokoshit për nënën, për motrën, për gruan, për dashurinë… saqë them me ngazëllim “Sa mirë që jam grua, jam nënë, jam motër, jam mike…!”

“Një fat mizor prej vitesh na ka ndarë/ Dhe dergjemi në mall që s’ka të thënë/ Oh, ku të kam, oh, ku të kam, o nënë/ Të fshi’ me buzë lotët që ke qarë!… Nënë, sa ty tjetër krijesë s’dua!/ Të jem vetë plak e ti gjithmonë e re/ Sa dëshiroj të marr rrudhat e tua!”

 

Seç më kujtohet një këngë popullore e Librazhdit, që këndohej shpesh nëpër odat tona: “Qaje moj lule beharë/ Siç qanë motra të vëllanë…” teksa lexoj poezinë “Motra “ të këtij poeti dhe më vjen mirë që një vëlla e ka shprehur me dufin e shpirtit dashurinë dhe lidhjen e pazgjidhshme motër – vëlla, por e them me bindje që shpeshherë vëllai nuk e kupton marrëzinë e dashurisë së motrës, se për vetë faktin që ai jeton gjatë në gjirin e familjes e motra ndërron vatër e mallohet për kujtimet e saj, të cilat nuk mund ti zëvendësojë as me një jetë nga më të bukurat që mund të kalojë në familjen e burrit, por si duket largimi i autorit nga familja, larg, në internim e në burg, i dha shkas ta kuptonte më mirë motrën, ta vlerësonte me vlerën që ka dashuria e saj e veç kësaj, ai ka qenë një njeri intelektual dhe me një shpirt të ndjeshëm poetik.

Po kështu më vijnë në mend vargjet e poetit vlonjat, Dalan Luzaj, ku në katër vargje kushtuar motrës, ai jo vetëm që shpreh dashurinë, por dhe vlerësimin e saj: “Motra ka krahë e të vjen/ Motra, pas nënës na bëhet nënë/ Motra, ka zemër e të ndjen/ Motra brenda shpirtit të gjen.” Ndërsa poeti Kudret Kokoshi, jo vetëm i thur vargje kujtimeve të fëmijërisë, por bisedon me të parmes vargjeve duke kaluar ditët, netët e vitet e burgut të egër komunist në Burrel e kjo është provë e madhe e dashurisë së tyre njerëzore. “Motër! Sa lehtë/ Sa ëmbël udhëton në zemrën time/ Ky emër drithëronjës porsi fletë/ Që përkëdhel puhia/ Në të mermet agime/ Ky emër i dlirë/ Si rreze dielli që s’përlyhet kurrë!… Edhe të mitur ishim/ Në lodra gjithë gaz kohën kalonim/ Pa brenga e pa mendime/ Dhe vraponim e vraponim/ Në kaltërsinë e qiellit!… Me ngashërim në shpirt e lot’ në sy/ Të thirra në vetmin’ e dëshpëruar!…/ Ca pika loti, ( jo i dëshpërimit) është çlodhës/ I ëmbël, përkëdhelës për çdo zemër…” dhe më poshtë pasi kalon si një film lodrimet fëminore, edhe grindjet mes tyre i duken mjaltë e për t’i dhënë zemër motrës, për ta qetësuar atë dhe veten, ai përshkruan pranverën, shpresën e jetës, se një ditë do të ishte i lirë dhe vendi do çlirohej nga gaforrja komuniste. “E bukur është jeta, motra ime!/ Shiko si qesh natyra me pyjet që këndojnë/ Me lulet ngjyra – ngjyra/ Është pranvera, është pranvera motër!…/ Është jeta motër! Mua m’ep t’ëmbla ndjesi/ Edhe tash që jam me thinja dhe rrudha…/ Motër!/ Ky emër i dëlirë/ Si rreze dielli që s’përlyhet kurrë!”

Nëna, motra ishin për të ngushëllim, bisedë në vetmi, dy dashuri që kurrë nuk veniten, ato janë po aq të gjalla dhe te pastra edhe kur nuk i kemi pranë, edhe kur i harrojmë të përfshirë në vorbullën e kënaqësisë, apo të dhembjeve të jetës, pak të trokasësh në portën e mallit shpërthen dashuria e tyre, një dashur pa shpërblim, një dashuri që kurrë nuk konsumohet, nuk ndryshket, “s’përlyhet”, thotë autori. Kështu poeti me forcën e imagjinatës së tij shpërthen dyert e blinduara të burgut, sa më shumë e burgosin poetin, aq më e lirë bëhet zemra e tij, shpirti i tij prej dallëndysheje fluturon folezës së kujtimeve dhe në ato vende që asnjë nuk i di. Poeti qesh duke qarë e qanë duke qeshur, poeti është i lirë edhe në burg, poeti është më shumë i pasur në varfëri, poeti dallon dritë dhe në errësirë, shikon errësirë dhe në dritë, poeti është gjallë dhe i vdekur, poeti është i vdekur edhe në mes të gjallëve… poeti është poet dhe kështu ka qenë dhe Kudreti…

Burgosja, internimi, persekutimi i inteligjencës shqiptare prej armiqve të kombit e lanë kombin pa frymë, pa dritë, në errësirë, ku lakuriqët e natës fluturonin të lirë e dihet, lakuriqët nuk e durojnë dritën, ndaj dritën e burgosën e një dritë e burgosur shton dritë që kur të vijë koha e dritës, lakuriqët jo vetëm nuk dalin të fluturojnë më, por do të ngujohen nëpër shpellat e tyre.

Me gjithë këtë shkëlqim të dritës së shpirti të tyre, ata burra shqiptarë, për hir të së ardhmes së Kombit, humbën familjet, fëmijët, humbën dashuritë, ku njerëzit lakuriqë ngritën kurthe, bënë shantazhe duke gënjyet dhe mashtruar për nderin e grave në një anë dhe për “krimin”e të burgosurve nga ana tjetër dhe sa familje u shkatërruan, sa fëmijë mbetën jetimë, gjë që do i përjetonte dhe poeti intelektual i Vlorës martire. Dhembjet e ndarjes nga e shoqja, unë nuk ia shoh të plotë në poezi, ai nuk ka pas gjetur fjalë për t’i shprehur ato, apo ndarjes nga fëmijët. A ka fjalë fjalori? Jo, as unë nuk i gjej dot, se poshtërsia e njerëzve që ndërhyjnë për të shkatërruar një familje, gjuha shqipe nuk ka fjalë të përshtatshme për të dhënë vërtetësish ligësinë e tyre, e për pasojë nuk ka edhe për të përshkruar dhembjen e ndarjes, megjithatë, në momente “prehjeje”, poeti shkruan: “Në zemrën time akoma/ E dashur, më jehojnë/ Fjalët që ti më the:? ‘Unë agimin e parë/ e përshëndes e lumtur/ Me zemrën që më rreh për ty!’/ Kujtoj ata dy sy/ Ata dy sytë e tu/ Që s’janë as të bruztë, as blu/ Por kanë nga çdo ngjyrë diçka/ Dhe më kumbon në zemër/ Emri yt, Esma.”, do shkruante në poezinë “Kujtoj”, apo  vargjet e poezisë “Përgjigje një letrës” ku thotë me gaz e dëshpërim: “ Kaq thellë në zemrën time, kaq thellë më je futur/ O ti, që ke një emër me tingull të këputur.”

Në poezinë “Ishte një mbrëmje vere” jepet thellësisht i dashuruar edhe në ndarje… “U ndamë/ Si dy të huaj/ Ti bashkë me “atë” shkove krahë për krah/ Unë fill vetëm mbeta/ Dhe zemra ime t’thirri/ “Esma… Esma!…/ Ishte një mbrëmje vere në Tiranë.” Dhe në poezinë “Nuk të urrej” poeti shprehet i sinqertë: “Vetëm një kujtim të hidhur…/ Ja se ç’je ti sot për mua!/ Nuk të urrej/ Po… as të dua/ Në shpirt thellë ndoshta ndjej/ Pak keqardhje… Vetëm kaq.”

 

Për fëmijët është e vështirë të shkruhet, se fëmijët janë vetë poezi, sa herë mundohem të skalit fëmijët e mi nëpër vargje, zemra m’i përqesh ato, shpirti gajaset, e unë hedh lapsin tej dhe ndjej ritmin e zemrës e këngën e shpirtit për fëmijët e mi. Oh, çfarë fati është për femrën të bëhet nënë! Nuk ka ndjesi më të bukur se të qenit nënë! Një dashuri mes çiftit mund të mbarojë, por dashuria për fëmijën kurrë, ndaj vetëm ata që kuptojnë dashurinë njerëzore, edhe pas ndarjeve të çiftit, fëmijët mbeten të përbashkët. Nuk kish si të mos fliste parme vargjeve për fëmijët që ishin larg… “Oh, fjala s’mjafton për të thënë/ Atë që në shpirt unë ndjej…Oh vogëlush!/ Unë fjalë nuk gjej të them ngrohtësirën/ e zemrës që më rreh me furi…”

Shekulli i kaluar shkoi i mbytur nga dhembja e plagës së hapur prej djallit të veshur me vel engjëlli, prej një djalli që për shpirt kishte Luciferin. Të gjithë e ndjejnë këtë dhembje edhe sot, shumë më shumë poetët.

Poeti vuan edhe nga lumturia, por nga mizoria ai vdes e ngjallet për ditë dhe nga këto shndërrime kaq të shpeshta e të shpejta krijohen fërkime, ashtu si urori me strallin, ku shkëndijat e rrufeshme, ashtu si eshkë ia ndezin shpirtin flakë që ndriçon e përvëlon njëherësh, një flakë që e shkrin poetin si qiri për të ndriçuar pasardhësit ku të shohin qartas të kaluarën, të vlerësojnë të tashmen dhe ta mendojnë mirë të ardhmen.

Në poezinë e tij, autori prek realen për të dhënë universalen, se ndjenjat njerëzore një janë në gjithë globin, vetëm mënyra e të shprehurit me shkrim, na i shpalos qartazi bukuritë e tyre, vlerën dhe mrekullia e të qenit njeri. Në poezinë “Kthimi”, të cilën e shkruan kur kthehet pas 20 vjetësh nga burgu, vetëm një që ka vuajtur Burrelin me vite e vite mund ta kuptojë më mirë këtë poezi. “Tashti që thell’ shënuar ma kanë rrudhat ballin;/ Tashti që më në zemër s’më qesh vegim’ i parë/ Tek ti, shtëpi, që ndezur në shpirt ma ruajte mallin/ Po vij me hap të heshtur i mjerë prej vitesh ndarë./ Po vij ashtu siç isha, sado që dukem tjetër/ Me flokë që jan’ thinjur dhe sytë që s’kanë lot…/ Pas vitesh kthehem tek ti, shtëpizë e vjetër/ Me vrullin e dikurshëm që nuk e përmbaj dot…/ O ëmbëlsi kujtimesh në zemrën e trishtuar!? O mall prej vitesh ndrydhur në fund të shpirtit tim!”

Por krahas dramës së tij shpirtërore, ai kurrë nuk ra në pesimizëm, i mbushur me shpresë dhe me besim që do vijë koha që brezat do i japin të drejtë dhe do vijë koha e lirisë, koha e shqiptarisë… “Mendime e shpresa hapat me vrull i shoqërojnë/ Dhe buza që s’më qeshi tashti çelet në gaz.” Dhe në vuajtje, dhe kur shpresa nuk shihet as në horizont, ai përsëri jeton me shpresën të mbrujtur me plot dashuri njerëzore. “Jetova jetën pak e vuajta shumë/ Por dhe në vuajtje prapë dashurova/ Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë/ Oh! Mos pandehni jo se unë pushova/ Ju mos pandehni jo, se do hesht fare/ Në varr të zi kur eshtrat të treten/ Sepse në vargun tim shkreptimtare/ Të rrahjes zemrës time do të mbeten.”

Vlorë, 26. 10. 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: kudret Kokoshi, poezia, Zyba Hysa

KUDRET KOKOSHI:TE DUA SHQIPERI!

August 7, 2013 by dgreca

KUDRET  KOKOSHI/

 Të dua, Shqipëri!/

 Për majat e thepisura, që ngrihen/

Porsi fortesa gjer në qiell krenare;/

Për bukurinë e fushave, që shtrihen/

Pjellore nënë rrezet ledhatare./

 Për pyjet që kurorë e gjelbër t’janë,/

Për lumenjtë, që vullshëm të përshkojnë;/

Për detet dhe liqejt, që më çdo anë/

Qiellin tënd të kaltër pasqyrojnë./

 Për sytë e zes të vashave të tua

Që i japin jetën nur dhe bukuri,/

Për vuajtjet që ke psuar. Atdhe, të dua!

Të dua, t’adhuroj, o Shqipëri!

 Të dua, t’adhuroj për krenarinë

E bijve t’tu, që s’i – u përkulën kurrë

Rrebeshëve të kohës dhe lirinë

Me gjak e mbrojtën dhe lavdi të thurë.

 Një ditë vjeshte 1)

 Unë pash’ një ditë vjeshte një flamur bër’ çika – çika

Një flamur me shkabë t’zezë, që qe prer me një mij’ thitha.

Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar

I përcjell’ nga disa burra, që të gjith’ duke kënduar!

E përcillnin një mij trima me shkopinj e krraba n’dorë,

Kryet lidhur, gjokset thyer… Un’ i pash’ një ditë

n’Vlorë

 Ata luftëtar’ legjendë, ata lajmëtar; lirie,

Që i dha’ fluturim Shqiponjës pas pesë shekuj robërie!

Oh, tha; zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!

Unë pash’ një ditë vjeshte epopen’ e Kombit ton’.

 1)Një ditë vjeshte: 3 shtatori i 1920-tës, kur luftëtarët shqiptarë hyjnë si ngadhnjimtarë në qytetin e Vlorës.

 Vegim Epik

 Për fatin tënd, Europë, vringëllojnë

Shpatat në Shqipëri dhe dyndet dheu,

Ndërsa princat e tu nga larg vëzhgojnë

Me ankth shtrëngatën që egërsisht shpërtheu.

 Ushtrit’ njëra mbi tjatrën po sulmojnë

Dhe gjaku me të kuq tokën e ngjeu,

Vetëtijn’ armët, kokat fluturojnë

Zbëhet Murati, e qeshet Skënderbeu!

 O si mbi male e kodra e mbi rrafshina

Nga gjokset ngrihet britma fitimtare

Që thellë ushëton nëpër lugina

 Të mundura e me turp ushtrit’ barbare

Rrugën e kthimit marrin, po Kanina

E Kruja e Rozafa janë krenare.

 Këngën më të bukur të këndoj!

 Oh, ndjej në zemër rrahje djaloshare

Dhe gjakun përvëlonjës nëpër deje

Edhe tashti që larg un’ jam prej teje,

Në dhe të huaj, tok’ e shenjtë amtare!

 Edhe tashti që s’kam gëzim as prehje

Në larget rob i një ushtrie barbare,

Më qesh vegimi i epopes’ shqiptare,

Që djeg e ndrit si shkrepëtimë ideja.

 Ndërsa përditë shuhem në mjerim,

Me drit dhe me gjak vargun brumoj

Dhe me zjarrin e ngjesh të shpirtit tim.

 Nën kërbaçin teuton si skllav jetoj,

Po zulma jote, Atdhe, m’ep frymëzim.

Dhe këngën më të bukur të këndoj.

 Vjenë 1994 – Në fushën e përqëndrimit në Gjermani

 Vjena

 Oh, kjo ësht’ Vjena, që ëndërrova prore,

Vjena plot jetë e gaz, ku tingëlloi

E Strauss-it harmonia?

Jo, kjo s’ësht’ Vjena e netëve gazmore,

Vjena e Schubert-it që gjithnjë lëmoi

Embël ndjesit’ e mia!

T’irrej dhe të mallkoj, fatal qytet

Ku dërgjen në mjerim turmat njerëzore,

Ku s’ka më këngë e jetë

Ti nuk je Vjena, por Xhehnemi vet

Ku, skllevër, ne jetojm’ një jet’ mizore,

Një jetë që s’ësht’ jetë.

 Vjenë 1944 – në fushën e përqëndrimit

 Nënës

 Nënë, të pash’ pas kaqë vjet largimi

Të krrusur, të përlotur dhe të tretur,

Të pashë, o nën, më një shkop mbështetur,

Mermer i gjallë vuajtjesh dhe mjerimi!

 Je mplakur shumë, o nënë, por t’ka mbetur

Hiri i mëparshëm dhe nër sy trishtimi

I ëmbël, përkëdhelës, oh trishtimi,

Që në tjatër krijesë s’e kam gjetur!

 Je mplakur shumë, o nënë! Po për mua,

Për shpirtin tim që t’adhuron, ti je

Më e bukura krijesë përmbi dhe!

 Nëna, sa ty tjetër krijesë s’dua!

Sa dëshiroj të marr rrudhat e tua:

Të jem vet plak e ti gjithmonë e re.

 -Mbrëmë- – (Romantiçizmë)

 Ja, muzgu an’ e mbanë

Mbi rruzullin po shtrihet.

Trishtushme n’ajër larg qan një kambanë,

Dhe në mbrëmje e qetë

Përhap tingujt puhia

Mbi fushë, ku më pipëtim nuk ndihet!

Në zemrat lehtë lehtë

Veson melankolia

Kaloi e jetën s’ime edhe një ditë

Plot mund e dhëmbje,

Plot gaz e përtërirë,

Që thell’ jehon

Në vargun tim të lirë!

E kështu errësira, ja, po zbret…

Ëmbël fryu flladi dhe çdo send humbet.

Në ngjyrën që s’ka dritë

Dhe trupi im po shkrihet

Në hiçin që sundon pa formë e peshë.

Tash vetëm rrahja ndihet

E zënrës që përgjon

Në terrin paqëprurës!

 Agimi

 Edhe në gjoksin tim nuk kish filluar

Të më gufonte zemra me furi;

Edhe mbi libra krrusur e vetmuar

Un’ ëndërronja nam edhe lavdi.

 Kur një mëngjes tetori, të praruar

Prej dritës s’djellit, pran’ më shkove ti!

E bukur ti m’u çfaqe e shënjteruar

Me sy qiellorë e leshëra flori!

 Namin, lavdinë e ëndërrat i treta

Në lumturin’ e çastit që kalova,

Dhe bashk’ me ty e ëmbël m’u duk jeta!

 Në afshin dehës tënd shpirtin e ngrova.

Dhe sot pa ty i shkretë e i mjer’ un’ mbeta…

Përse rrugën me ty nuk e vazhdova?

 E di që ke një emër…

 Mos vallë më përhihesh vetëm kur jam në gjumë

Por dhe në je një hie, prapë të dua shumë,

Sepse në zemrën time që njeh stuhi e tmerre,

Ti depërton e dashur, si një vegim pranvere!

Me vite të kërkova plot ankth e nuk të gjeta…

Në vargjet që s’kam shkruar mallin për ty e treta,

Për ty lotët i derdha, për ty që nuk të gjeja.

Sado që pranë meje dëshpërimisht të ndeja.

Kush je, kush je? … Më thuaj!… E di që ke një emër

Me tingull të këputur, që më jehon në zemër

Që m’ep drithmën e jetës, por s’e shqiptoj, pse druaj

Mos je për mua hie, mos jam për ty i huaj.

O, lermë të gëzojë çastin e kësaj magjie

Edhe në jam i huaj, edhe në je ti hie,

Sepse për etjen time ti je e freskët gurrë!…

Po qe se ti je ëndërr… S’dua të zgjohem kurrë.

 Ermirës

 (ose artit të Poezisë)

 Kaluan kështu, papandehur,

Vjetët dhe u bë vonë!

Në çastin vraponjës esht’ fshehur

E këngës një jehonë.

Që vrullshëm një ditë buçiti

Nga zemra ime e dlirë,

Kur jetën e zymtë ma ndriti

Buzëqeshja jote, Ermirë!

Kur heshtas pa droje e me besë

Rrugën e kaltër ngjita

Dhe qiellin me gaz e me shpresë

Në syt’ e tu sodita,

Kur flokët mbi krye, oh lehtë

M’i ledhatoi puhia

Dhe flatrat e shpirtit të qetë

M’i drodhi harmonia!

Aherë guximshëm e mpreha

Këngën në zjarr luftimesh,

Në agimet e merme u deha

Me bukuri vegimesh!

Më lart’ e më lart unë u ngjita

Malit me krahë të lehta:

Me flakët e me dritë u kalita,

Te ti jetën e gjeta.

Oh, n’ecjen, që spati më prehje,

I gajasur nuk rashë

Dhe dritën që mora prej teje

Ermirë, Ermirë, e dhashë!

Kaluan kështu, papandehur,

Ankthe vuajtje gëzime:

Në çastin vraponjës ësht’ fshehur

Jehona e këngës s’ime.

 * * *

 Jetova jetën pak e vojta shumë

Po dhe në vojtje prapë dashurova

Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë

Oh! mos pandehni, jo, se un’ pushova;

 Oh! mos pandehni, jo, s’e do hesht fare,

Në varr të zi kur eshtrat të më treten,

Sepse në vargun tim, shkrepëtimtare

Të rrahjes zemrës sime do të mbeten!

 Epitafi im

 “Fuqinë ja rrëmbeva un’ stuhisë

Dhe me ‘ta mbrujta vargjet për Atdhenë

Prej zjarrit kur u dogja të lirisë

Dhe Vlorës i këndova epopenë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: kudret Kokoshi, Te dua Shqiperi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT