• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESE PER KOMPOZITORIN BERATAS ASQERI KADENA

May 24, 2017 by dgreca

KUJTOJ ARTISTIN BERATAS, KOMPOZITORI I SUKSESSHËM, I NDRITURI:
1 KadenaASQERI KADËNA- 12 JANAR 1934 – 8 KORRIK 2001/
Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Artistët kanë të veçantën e tyre; ata krijojnë art, artin e pavdekshëm që trashëgohet ndër breza. Atyre u shkëlqen fytyra, janë njerëz fisnikë, artistë në shpirt, në komunikim.
“Rri e derdhur ti në bronx
Margaritë moj, në mes të qytetit.
Rri vështron e nuk çmallesh dot,
Njerëzit i përshëndet me buzë të qeshur.
Ëmbël vështron ti lagjen tënde,
Dyert që të pritën, të përcollën,
Vijn’ pranë teje nëna, motra, vëllezër,
Ti e qeshur u ke zgjatur dorën…!”
Këto vargje të thjeshta i kam shkruar shumë vite më parë, në fillimvitet 80-të, në moshën time të adoleshencës.
Duke qenë shumë i pasionuar pas muzikës, këngës së bukur shqiptare, interpretues në instrumentin e trombës, sigurisht, në ato vite kisha pasion edhe letërsinë.
Në qytetin tonë sapo ishte vendosur busti i Heroinës së Popullit Margarita Tutulani në lulishten pranë shëtitores së bukur përpara Shtëpisë së Kulturës që mban emrin e heroinës, punuar mjeshtërisht nga artisti Vangjel Papa. (Nëse jam gabim për emrin e artistit Papa, ju lutem më korrigjoni)
Në shëtitjet (xhirot) e mbrëmjeve të bukura e të paharuara të Beratit në atë bulevard kryesor, Margarita e derdhur në bronx, e bukur, e qeshur, e heshtur, vërtetë të duket se të përshëndet, madje edhe në ditët e sotme.
Pikërisht, nisur nga kjo, në ato vite, i ri në moshë, më lindi dëshira të shkruaja disa vargje në formë vjershe. Edhe për vetë faktin se, shtëpia e heroinës me shtëpinë time, ndahen me një murr, ku dritaret e dhomave të shtëpisë sime, shikohen në avllinë e shtëpisë së heroinës.
Pasi e kisha përfunduar vjershën, më lindi një ide tjetër; pse mos të kompozohej e të bëhej këngë?
Një vit më parë kisha bashkpunuar me kompozitorin Fatmir Agalliu dhe kënga jonë fitoi çmimin e dytë në një nga festivalet e rretheve që zhvilloheshin në ato kohë.
Duke e lexuar vjershën e saposhkruar, mendja menjëherë më shkoi tek kompozitori i mirënjohur i qytetit tonë, artisti i talentuar që vetëm buzëqeshja i lulëzonte në fytyrën e tij, njeriu i urtë dhe punëtor me shpirt të mirë që ndihmën për njerëzit e shumtë e kishte të veçantë në karakterin e tij, i ndrituri, ASQERI KADËNA.
Pse më shkoi mendja te kompozitori Asqeri Kadëna?
Sepse, ai ishte paraqitur edhe në anketën muzikore të vitit me këngën “Erdhën djem e vajza” kënduar nga këngëtarja Luljeta Përbasha dhe kishte fituar çmimin e parë, ku në atë anketë ishin konkuruese edhe kënga: “Erdhi nusja nga qyteti” kompozuar nga Agim Prodani dhe kënduar nga Naile Hoxha, apo kënga “Marinarë të Atdheut tim” kënduar nga këngëtari durrsak Petrit Dobjani.
Pa u menduar thellë, një mbasdite, nisem drejt Shtëpisë së Pionierit, ndërtesë e bukur dykatëshe, e ndërtuar në një lulishte tjetër të Beratit, pranë Bibliotekës Publike “Vehxhi Buharaja”
Sa e sa talente të shumtë artistë të qytetit Berat e kanë nisur udhën e tyre të bukur, të gjatë e të vështirë, udhën e artit nga ajo shtëpi pionieri.
Mjeshtri i talentuar Asqeri Kadëna, kishte pak vite që ishte emëruar Shef i Seksionit Artistik në Shtëpinë e Pionierit ku punoi për 20 vjet rresht. Ka meritën e madhe që, përveçse ngriti kurset e para të instrumenteve të ndryshëm, dolën edhe këngëtarë të mirënjohur e të suksesshëm të skenës kombëtare shqiptare si: Tenori i Teatrit të Operas dhe Baletit, i ndjeri Ruzhdi Karaj, tenori, pedagog në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” Berat, i mirënjohuri Dhimitër Dushi, e talentuara këngëtare profesioniste e Estradës së Beratit dhe tani e Estradës së Vlorës, Ludmilla Baballëku, i mirënjohuri këngëtar i suksesshëm i skenës shqiptare, Kozma Dushi…
Artistët në qytetin tonë janë të njohur, pavarësisht njohjeve personale, jo për faktin se jemi vendas dhe e njohim njëri tjetrin brez pas brezi, por, ata kanë të veçantën e tyre; ata krijojnë art, artin e pavdekshëm që trashëgohet ndër breza. Atyre u shkëlqen fytyra, janë njerëz fisnikë, artistë në shpirt, në komunikim.
Edhe pa u njohur personalisht me artistët, kur shkëmbehesh në rrugë, përshëndetesh buzagaz.
Në shtëpinë e pionierit kisha shkuar përpara orës kur ai duhet të vinte. Po e prisja tek dera kryesore; në dorë mbaja letrën ku kisha shkruar vjershën.
Nuk vonoi shumë dhe mjeshtri artist u shfaq në bulevard, u kthye djathtas dhe eci në udhëkalimin përmes lulishtes. Kur iu afrua derës për të hyrë brenda, më përshëndeti ngrohtësisht.
Ndërsa ai hyri brenda, unë i heshtur, po e ndiqja nga pas dhe nuk po më dilnin fjalët se si do t’ia filloja mendimin tim.
Ai ndaloi hapat, u kthye nga unë:
– Pret ndonjë njeri? – më pyeti.
– Jo! – thash, gjithmonë i druajtur. – Ty po të prisja!
Ai buzëqeshi. – Do këndosh? – më pyeti në formë shakaje.
– Jo! – iu përgjigja prerë. – Kam diçka këtu për ty dhe vështrimin e hodha nga letra që mbaja në dorë.
– Çfarë është kjo letër? – dhe zgjati dorën.
Ia dhash letrën, por, ndërkohë, në hyrjen kryesore u dukën disa nxënës të hyjnë brenda.
Me të folurën dhe të qeshurën e tyre, ata na u afruan, e përshëndetën maestron dhe qendruan aty, si për të mësuar diçka rreth bisedës sonë.
Asqeriu, i hodhi një shikim asaj çfarë unë kisha shkruar dhe, pasi u përshëndet me nxënësit e ardhur, më thotë, ngjitemi lart.
Ndërsa ne gjitëm shkallët për në katin e dytë, nga pas dëgjuam hapat e nxënësve që po ngjiteshin edhe ata sipër. Na ndoqën nga pas edhe kur ne hymë në dhomën e tij të punës.
Me urtësinë e tij, me dashurinë për fëmijët, për talentet e rinj, nuk i kundërshtoi ata nxënës, vetëm, pasi u ul, tha: – Ju lutem, dua qetësi!
Asgjë nuk pipëtinte. Pasi e lexoi, më pa në sy, sikur donte të më pyeste e të më thoshte diçka.
– Nëse të pëlqen kjo vjersha që kam shkrur, kam shumë dëshirë, nëse do jetë e arsyeshme nga ty të bëhet këngë dhe nëse do jetë e pranueshme të këndohet në festivalin e këngës në Berat. Jam frymëzuar nga busti i Margarita Tutulani-t, vazhdova t’i flas.
Ai tundi kokën në shenjë pohimi; shikimin e hodhi përsëri nga ajo ç’kisha shkruar. Ishte i përqendruar dhe, pas disa sekondash na tha pa iu drejtuar askujt.
Tani, duhet të dilni të gjithë jashtë; më duhet të punoj pak…
Ne u çuam dhe pa zhurmë, me hapa të ngadaltë dolëm nga dhoma e tij e punës.
Unë zbrita poshtë dhe nuk dija ç’të bëja; po mendoja: të rrija aty e të prisja, apo të ikja.
Nga lart në katin e dytë, u dëgjuan tinguj të panjohur të fisarmonikës. Kisha ndjesinë, sigurisht, maestro Kadëna po kompozonte vargjet e mija. Filluan emocionet të ndjehen në qënien time; kuptova se po ndjeja dridhje trupi. Eca drejt lulishtes në anën e majtë dhe u ula në një stol.
Nuk mund ta përcaktoj dot me saktësi se sa minuta apo orë kishin kaluar, kur pash nxënësit që po më thërrisnin: – Hej, o çuni, po të kërkon mësues Asqeriu. Shpejt, hajde se po të kërkon…
Nuk e mohoj, emocionet m’u shtuan! Ndërsa i afrohesha derës, ata vazhdonin të më thoshin: – Shpejt, shpejt, po të thërret mësues Asqeriu.
U ngjita në katin e dytë. – Ulu! – më tha maestroja. – Dëgjoje tani këngën.
Gishtat e tij filluan të lëviznin mbi tastjerën e fisarmonikës.
Po dëgjoja një vijë melodike të panjohur për mua pa kuptuar asgjë. Ishte introduksioni i këngës dhe, kur unë nuk e prisja, maestro filloi ta këndojë vetë këngën, njëkohësisht duke lëvizur gishtat mbi fisarmonikë dhe syt i mbante në letrën përpara vjershës. Ai këndonte shumë bukur. Kishte zë të kthjellët, intonativ. Ishte hera e parë që e dëgjoja nga afër mjeshtërin Asqeri Kadëna të këndonte. Ai zë melodioz më ka shoqëruar shumë vite dhe shpesh mendoja me vete: Pse nuk u bë edhe këngëtar artisti Asqeri Kadëna!
Kush i ka provuar emocionet në krijimtarinë e tij letrare artistike, duhet të më kuptojë shumë mirë edhe mua, emocionet që po jetoja në ato çaste, emocion dhe gëzim.
Pasi mbaroi interpretimin e këngës së sapokrijuar, më pa në sy dhe, si gjithmonë, duke qeshur, më tha: – Hë, të pëlqeu kënga apo jo?
Unë buzëqesha dhe tunda kokën në shenjë pohimi edhe pse vija melodike ishte e panjohur për mua.
– Ja, u krijua edhe kënga, – vazhdoi maestro. – Kjo është fillimi i këngës, por do ta punoj edhe pak, jo vetëm në vijën muzikore, por edhe mund të shtoj dhe të heq diçka nga kjo që ke shkruar.
Unë përsëri tunda kokën në shenjë pohimi. Isha gati ti thoja, bëj ç’të duash, vetëm kënga të dalë bukur dhe të këndohet. Kujtoj që e falenderova.
Atë vit, Estradës së Beratit, i ishin shtuar edhe dy artiste të reja në moshë këngëtare dhe aktore; vajza të bukura si vetë mosha e bukur e rinisë, elegante, që binin në sy, të sjellshme, të respektuara, interpretuese të talentuara: Mirela Langore dhe Pranvera Belliu.
Pa u menduar shumë, e pyes: – Kush do ta këndoj këngën, Mirela Langore?
Mirela këndonte qetë, bukur.
– Të shohim, m’u përgjigj maestro Kadëna. Nuk e kam menduar…
……………………………………………………………………………………..
Në një nga sallat e mëdha të Shtëpisë së Kulturës “Margarita Tutulani”, artistët beratas të moshave të ndryshme anëtarët e Grupit Karakteristik të Këngës dhe Valles Qytetare Beratase i krijuar në vitin 1979 nga Mjeshtri Asqeri Kadëna që ishte edhe drejtues dhe udhëheqës artistik i grupit, vinin për të bërë prova për premierën e radhës.
Kënga Qytetare Beratase, thesar i Artit dhe Kulturës Shqiptare, vlerësuar si Pasuri Kombëtare, Trashëgimi e Pasurisë Botërore të UNESCO-s. Është nder dhe krenari për cilindo ne, pavarësisht është apo nuk është qytetar beratas.
Një mbasdite, ndërsa ngjitesha sipër për në katin e tretë për të bërë prova në instrumentin e trombës me mësuesin e sukssesshëm Fatos Hazizi, pedagog në instrumentin e trombës në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” Berat, pjesëmarrës në orkestrën simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar në Festivalin e 15-të dhe në Festivalin e 17-të të Këngës në Radiotelevizion, por, që e mallkuar biografi ia ndaloi të drejtën e punësimit në Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar, qendrova pak çaste përpara sallës ku bëheshin provat.
Drejt meje, vjen artistja Xheni Kadëna, bashkëshortja e mjeshtrit Asqeri Kadëna, ajo zonjë grua, fisnike, aktore e talentuar dhe e mirënjohur e Estradës së Beratit, njëkohësisht edhe prezantuese e Grupit Karakteristik të Këngës dhe Valles Qytetare Beratase.
E qeshur, ashtu siç ishte gjithmonë edhe në jetë (Zoti i kishte bekuar ata dy bashkëshortë artistë të mrekullueshëm, të qeshur, të dashur, të respektueshëm, të komunikueshëm) u afrua tek mua dhe më tha: – Kënga ka dalë shumë e bukur. Urime! Do ta dëgjosh vetë.
Po ndjeja gëzim, emocione. Artistja Xheni Kadëna, sikur e kuptoi atë që unë po përjetoja në ato çaste, më ra tre herë shpatullave: – Tani ngjitu lart, bëj prova, se edhe ne do fillojmë provat tona…
……………………………………………………………………………………..
Shkruajta këto kujtime të bukura, emocionuese dhe të paharuara për artistin e ndritur, i ndjeri Asqeri Kadëna që me punën e tij të palodhur për vite e vite me radhë, me krijimtarinë e tij artistike të larmishme, mbetet Gjerdan i Artë i Artit dhe Kulturës Beratase, Pasuri Kombëtare.
E kujtojmë mjeshtrin e suksesshëm Asqeri Kadëna, beratasin e ndritur, ish anëtarin prej shumë vitesh i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vlerësuar me dekorata urdhër të lartë nderi nga Shteti Shqiptar, nga Këshilli Bashkiak i Beratit, Laureat i çmimit kombëtar, vlerësuar me çmime të shumtë nga juritë në aktivitetet e ndryshme artistike…

Filed Under: ESSE Tagged With: Asqeri Kadena, Kujtese, Pierre-Pandeli Simsia

REVOLTA E SPAÇIT & E QAFË BARIT DO TË PËRKUJTOHEN NË VATËR

May 12, 2017 by dgreca

1 OK RevoltaKUJTES Ë – REVOLTA E SPAÇIT DHE E QAFË BARIT DO TË PËRKUJTOHEN NË VATËR/

5 RevoltaMe nismën e një grupi ish të burgosurish dhe të përndjekurish politik, nën drejtimin e Pëllumb Lamaj në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet me 20 Maj 2017, përkujtimi i Revoltave të Spaçit dhe të Qafë-Barit.

Do të shfaqet dokumentari historik, që përjetëson revoltën e Spaçit i realizuar nga Pëllumb Lamaj” “Spaçi, Simboli i Rezitences Anti- Komuniste, në Shqipëri”. Dokumentari zgjat 30 minuta.

Tubimi perkujtimor organizohet në Selinë e Vatrës dhe do të nisë  në orën 2.00 pm.Adresa: 2437 Southern BLVD, BRONX, NY 10158.

***

KUJTESË: REVOLTA E SPAÇIT nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati 3 ditë, të burgosurit shpalosën në tarracën e burgut një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak. 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

REVOLTA E QAFË-BARIT– Nisi me 20 maj1984. Në këtë burg ishin 500 të burgosur politikë që ishin dënuar mbi 25 vite burg, të cilët shfrytëzoheshin egërsisht dhe punonin nëpër galeritë e minierës me tre turne.Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revolta më 20 maj 1984. I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake.Të plagosurit hiqeshin zvarre…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan.Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Kujtese, Pellumb Lamaj, Revolta e Spacit

Kujtesë e diasporës në SHBA – Ago Shero Agaj

May 4, 2017 by dgreca

Ne kuadrin e 120 vjetorit te lindjes/         1 Ernest-Koliqi-permes-fotografise_Publikim-Albert-Vataj-12

Ne Foto: Ago Agaj ne te djathte te Ernest Koliqit ne festimet e 60 vjetorit te Gazetes”Dielli”, organizuar me 28 dhe 29 Nentor 1969 ne Hotel “Americana”, New York/

Nga Reshat  Kripa/

Lindi më 7 mars 1897 në Smokthinë të Vlorës, në një familje të njohur për patriotizmin e saj. I ati i tij, Shero Emin Agaj, pjesmarrës në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë, ka kryer detyrën e komandantit të xhandërmarisë shqiptare në vitet 1913-1914.

Shkollën fillore Agua e kreu në vendlindje. Kurse shkollën e mesme dhe atë të lartën në Vjenë të Austrisë, ku u diplomua në degën e ekonomisë agrare. Pasi përfundoi studimet, për shkak të Luftës së Parë Botërore,  duke mos pasur mundësi të kthehej në atdhe, punoi një vit në Moldavi dhe një vit në Poloni si agronom. Mundi të kthehej në vitin 1919.

Në janar të vitit 1920 merr pjesë në delegacionin e rrethit të Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në qershor të atij viti bëhet pjesmarrës aktiv i Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Në qershor 1924 bashkohet me lëvizjen fanoliste. Ji si shkruan ai lidhur me qendrimin e tij perkrah Nolit”.

“Unë, edhe pse admiroja Zogun për veprimet e tij, e pashë se Noli ishte idoli ynë i lirisë së bashku me Gurakuqin, Fishtën e Koçulin. Dhe, u bëra me ta. Më ftuan dhe më ngarkuan të organizoja krahinat e Vlorës. I thirra lebërit dhe ata erdhën, më dëgjuan e nuk më kthyen fjalën. U formua batalioni i Vlorës dhe shokët më zgjodhën sekretar. Kështu, të organizuar, arritëm deri në Tiranë.”

Pas vendosjes së mbretërisë shqiptare punoi si Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje dhe si agronom kudo ku ishte nevoja e atdheut. Në vitin 1929 ishte antar i komitetit për reformën agrare. Në vitin 1932 arrestohet si pjesmarrës në lëvizjen kundër Zogut, por lirohet përsëri. Nga viti 1932-1941 punon si ekspert i agrikulturës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.

Në kohën e Luftës së dytë botërore, kur më 17 prill 1941 mbretëria jugosllave u dorëzua dhe viset shqiptare të Kosovës dhe Metohisë iu bashkuan Shqipërisë, shumë patriotë shqiptarë u drejtuan për atje, për të  ngritur administratat shqiptare në vend të atyre serbe. U emërua prefekt në prefekturën e Mitrovicës që përmblidhte edhe nënprefekturat e Vushtrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri.

Atje ai filloi shqiptarizimin e administratës së Kosovës. Kryetar gjykate caktoi Shefqet Shkupin, prokuror Kudret Kokoshin, komandant xhandërmarie Bajazitin, djalin e Isa Boletinit, mjek Ibrahim Dervishin dhe të tjerë, të gjithë vullnetarë të ardhur nga Shqipëria. Për një kohë të shkurtër Mitrovica përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë. Kjo liri e ndezi aq shumë popullin e krahinës sa edhe gratë, gjë nuk kishte ndodhur më parë, morën pjesë në kremtimin madhështor që u bë më 28 nëntor 1941.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ai shpëtoi mjaft hebrej të cilët i vendosi në një godinë të mirë dhe më pas, kur gjeti mundësinë, mundi t’i dërgonte në Shqipëri si dhe mjaft jevgj dhe ciganë të cilët ai i paraqiste me origjinë nga Egjypti dhe India dhe që ishin nomadë. Për të vërtetuar këtë shërbeu libri i profesor E. Novak i cili ishte marrë me studimin e tyre. Kështu ata shpëtuan dhe në shenjë mirënjohje dhanë një koncert siç dinin vetëm ata.

Në qershor 1943 merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes se Dytë të Prizrenit së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë patriotë, midis të cilëve Bedri Pejani që u zgjodh kryetar i saj. Kjo lidhje ishte nje kundërpeshë e lëvizjes komuniste në Kosovë dhe Shqipëri. Lidhur me këtë Ago Agaj shpreh një vlerësim të veçantë për komandantin trim nacionalist Shaban Polluzha që tregoi heroizma të papara në luftën kundër çetnikëve serbë. I gjithë ky aktivitet në të mirë të Kosovës, bëri që vendasit mos ta thërrisnin më me emrin e tij por me epitetin “Kosovari nga Vlora”

Ja si shkruan ai per Kosoven:“Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën. Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor – martir i shqiptarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”.

Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën.

Më prapa kthehet në Shqipëri ku në shtator 1943 merr pjesë në qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica ku i ngarkohet posti i Ministrit të Ekonomisë Agrare, detyrë të cilën e kreu me përkushtim.

Në fundin e vitit 1944, kur forcat komuniste po hynin në qytetet shqiptare detyrohet të lerë atdheun dhe të emigrojë fillimisht në Egjypt, ku qëndroi për gati njëzet vjet dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u vendos ne Detroit pranë teqesë së famshme të Baba Rexhepit, një qendër e madhe e patriotizmit shqiptar.

Në librin “Milloshi Heroi i Kosovës”, në kundërshtim me studiuesit sllavë, që heroin që vrau Sulltan Muratin në Betejën e Fush Kosovës e paraqesin si serb, Ago Agaj dokumenton se ai është shqiptar, madje edhe origjinën e tij e nxjerr nga Blloshmajt e Librazhdit.

Në librin “Lufta e Vlorës”, një libër përmendore, një enciklopedi e trimërisë, një shembëlltyrë se si duhet shkruar historia, paraqitet gjendja aktuale e vendit, përgatitja, personazhet, dëshmorët dhe të plagosurit e kësaj lufte legjendare të një populli që nuk duron dot robërinë.

Libri “Si e njoha Xhafer Devën” është një kronikë e vërtetë e luftëtarëve të lirisë dhe bashkimit kombëtar në Shqipërinë etnike.

Ago Agaj ndërroi jetë më 24 dhjetor 1994, në Clearëater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkluara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë në shërbim të Shqipërisë së vërtetë. U përcoll në banesën e fundit nga qindra bashkatdhetarë dhe personalitete të tjera të ardhur nga të katër anët e Shteteve të Bashkuara, madje edhe nga Kanadaja.

Ja si shkruan ai ne ditet e fundit te jetes se tij:“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë na kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjtë keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast e Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”.

Ky ishte Ago Agaj. Po si konsiderohet ai sot në atdheun e tij, pas njëzetegjashtë vjetësh pas përmbysjes së sistemit totalitar? Për fat të keq ka ende të indoktrinuar nga mentaliteti komunist që vazhdojnë ta quajnë kolaboracionist duke e lënë në harresë dhe duke harruar majat e larta që ai arriti me karakterin dhe inteligjencën e tij. Madje midis tyre ka edhe intelektualë të shquar që i shohim përditë në faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv.

Një miku im  më ka thënë një shprehje që nuk do ta harroj kurrë: “Të huajtë e kthejne baltën në njeri kurse shqiptarët njeriun e kthejnë në baltë”.Kjo shprehje u dedikohet kryesisht atyre trundryshkurve që nuk duan të shkëputen nga mentaliteti komunist.

Si figura e Ago Agajt shqipëria ka edhe plot të tjera që qëllimisht lihen në harresë. Do të përmendja ato të Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës,  Hasan Dostit, Ernest Koliqit, Lef Nosit, Patër Anton Harapit, Xhevat Korçës dhe të tjerëve.Ja si është shprehur Patër Anton Harapi para trupit gjykues që e akuzonte si kolaboracionist të pushtuesve të huaj:“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.Duke i mbyllur këto rreshta dua t’iu drejtohem lexuesve dhe t’iu them

  • A mund të quhet kolaboracionist Ago Shero Agaj apo figurat  e   tjera  të  përmendura më sipër? A nuk ka ardhur koha që këto mentalitete të një sistemi totalitar të hidhen poshtë? Kur do të vijë kjo kohë?

Ju lutem, më ktheni një përgjigje!

Filed Under: Histori Tagged With: Ago Shero Agaj, Kujtese, reshat kripa

Kujtese – Viti 1946

October 28, 2016 by dgreca

1946 KRIMINELËT  NË  SHQIPNI, USHQEHEN  VETEM  ME  GJAK  ATDHETARËSH/

Nga Fritz RADOVANI/

 Ne Foto: 1946 E.HOXHA dhe J.B.TITO/

1-hoxhatito1

 ■HENRY KISSINGER I LIBRIT “DIPLOMACIA”…/

■Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Sh.B.A. Ai shkruen në faqe 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore, pa ndermarrë një rrisk të  tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona. Por, kur puna erdhi për të imponuar regjime të tipit sovjetik në këto territore, ai u tregua shumë më i kujdesshëm. Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”

■“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”

■Ndersa, At Gjergj Fishta, na la një porosi:

                                    “Ma mirë me vdekë me u shue nën hije

                                      T’ Flamurit tonë, në fushë të mejdanit,

                                      Se me rrnue një jetë robnije

                                      Përnën sukuj t’ huej t’ Ballkanit,

                                                Bini, Toskë, ju, bini Gegë!.”.(Hymni i Flamurit kombtar)

■U ndalue At FISHTA, “Lahuta” e Tij dhe “Hymni i Flamurit kombtar” i vitit 1913…

■U ndalue Don Ndre ZADEJA, po, edhe u pushkatue me 25 Mars 1945, se ka deklarue: “…Populli Shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)

Rinia Shqiptare ka njoh disa nga veprat e Tij, kryesisht melodramat e vume nder skena si: “Ora e Shqipnisë”, Rrethimi i Shkodres”, “Hijet e Zeza”, Ruba e Kuqe” etj…

■Me 20 Shkurt 1946 pushkatohet At Anton HARAPI, i cili “E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE (1943), ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!” As sot Shqiptarët nuk e dijnë këte kusht! Kush ua mëshef?!

■Ja dhe disa thanje të Tij: “Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena e as tjetra pa Shqipni! Me gjak e dasi jena ngopë! Kena pa e provue edhe se çka asht kthetra e huej dhe e kena prekë se një popull i përçamë asht i gjykuem me mbarue! Të ngrihemi pra në kambë! Për një Zot të vërtetë e për një Shqipni të lumtun – Na jena vllazen! A sëbashku e të pështuem a të ndamë e të mbaruem!”

■“Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqë dhe Drejtësi do të fitohet!”

■“Na lajmëroni daten e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit…

Ministri i Luftës dhe Mbrojtjes Kombëtare Gjeneral kolonel Enver Hoxha…”

■“Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje At Gj. Fausti me shokë, u ekzekutuan sot me dt. 4 Mars 1946, ditën e henë, ora 5 paradreke… Kryetari i Gjykatës Ushtarake M. Iljazi.”

U pushkatue: At Gj. Fausti, At D. Dajani, At Gj. Shllaku, Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash Bajraktari, dhe në Korrik 1946 Frano Mirakaj, që nuk pranoi agjenturen.

■23 Mars 1946, vritet tradhtisht në Vrith dijetari Don Nikollë GAZULLI.

■17 Korrik 1946, pushkatohet Don Alfons TRACKI…Shkak bahet vrasja e Ndoc Jakovës.

■Mbas qendresës së Kelmendit në Janarin e 1945, ku drejtoi trimi Prekë Cali, dhe forcat e Mehmet Shehut të ndihmueme nga jugosllavët vrane 118 Burra të Maleve, ua dogjën edhe shtëpijat e i plaçkitën edhe gjanë e gjallë, e Prekën e pushkatuen pranë Rrëmajit…

■Në Janarin e 1945 u ba edhe Kryengritja e Llesh Marashit, i cili u var me 18 Korrik 1946.

Kur partizanët u pritën me pushkë në Berdicë, ku u pushkatue Arif Selimi, në krahinat e Malit Kolaj ishte Hasan Isufi, ndersa në Dukagjin e Shllak rezistenca vazhdonte nga një grup i organizuem me “Beslidhjen e Veriut” të Kapiten Gjelosh Lulit, Martin Sheldija, Major Gjergj Vata, Mark Mala, Pal e Mark Thani, Gjon Destanishta, Nik Sokoli dhe sa Trima të Pathyeshëm, që sakrifikuen jeten, familjen nder interrnime dhe t’ ardhmen që sot, pothuej, asht arkivue në “Dosjet e Harresës”… Bashkë me Markagjonët e Mirditës dhe Mirakajt e Pukës. Mark e Llesh Gjomarkagjoni janë një liber në vete per Historinë!

■Me 9 Shtator 1946, shperthen “para kohe” Lëvizja e Postribës”, per të cilën as sot nuk asht publikue “shkaku i këtij shperthimi të parakohëshem…”. Vriten faj e pafaj disa qinda vetë, dhe pushkatimet vazhdojnë per disa vite… Dihet se, urdhnoi Jup Kazazi. Por duhet shenue se Familja Kazazi pothuej u shue nga vrasjet e masakrat komuniste, fat të cilin e patne edhe Dedëjakupët me Burra e Gra Heroina, që dhane jeten në luftë…

■Veriu antikomunist nuk i uli armët! U vranë dhe u burgosën nacionalistë, profesorë, sa e sa qytetarë e fshatarë të thjeshtë, nga familjet ma në za si Gurakuqi,  Dani, Gjylbegu, Kurti, Harapi, Meta, Prennushi, Pipa, Boletini, Rusi, Serreqi, Kiri, Derguti, Laca, Suma, Kakarriqi, Topalli, Darragjati, Barbullushi… E sa të tjerë që nuk zehen as me gojë!

Nder masakrat e paharrueshme në Shkoder mbetën gjithnjë në kujtesen tonë Avokatët Muzafer Pipa, Paulin Pali, Ndrekë Kakarriqi, profesorët Kolë Prela, Qemal Draçini, Kolë Margjini, Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Gjergj Martini, Simon Deda, Kolec Deda etj.

■Vajzat Heroina nuk u harruene kurrë prej Marije Shllakut, Marije Zojzit, Maria Tuci, Adile Boletini, Agime Pipa, Frida Sadedini, Marta Doda, Bardha Gjomarkaj, Terezina e Liza Pali, Drita Kosturi, Viktore Kuka, Ana Daja, Luçia Kola, Laura Keçi etj…

■Hoxhallarët që u masakruen dhe nuk pranonin me u shpifë kunder Klerit Katolik ishin: Hafizët: Myftia, Ali Tari, Derguti, Bushati, Sabri Koçi, Xhemal Najpi etj…  

■Të gjitha këto vrasje dihet e sigurtë se gjithmonë ishin të organizueme nga forcat e sigurimit jugosllav, në bashkpunim me sigurimin e shtetit shqiptar. Kur frika ishte e madhe nga qendresa e Maleve, atëherë, nderhymja jugosllave bahej si per Prekë Calin.

■Vepra ma e shemtueme kunder Klerit Katolik Shqiptar mbetet edhe sot “Futja e armëve në Kishen e Fretenve të Shkodres”, me 17 Nandor 1946, ku tragjedia fillon në 2.00 nade… 

■Me grupin “Katoliçeskaja Banda” në Prizren, me daten 15 Nandor 1946 pushkatohen: At Bernardin Llupi, Marije Shllaku, Prof. Kol Parubi, Mësuesi Gjergj Martini, dhe asht tradhtue ato ditë edhe një nga ma të njohunit Atdhetar Prof. Ymer Berisha.

■Me daten 27 Tetor 1946 arrestohet në Tiranë At Pjeter MESHKALLA e Don Shtjefen KURTI, që mbas një qendrimi Burrnor, do të arrestohen me “Revolucionin Kultural” dhe do të ridenohen, atëherë kur Don Shtjefni edhe do të pushkatohet…

***

VETEM HAPJA E DOSJEVE TREGON TË VERTETEN E GJENOCIDIT…

EDHE “KONFERENCA ISLAMIKE” PO MERZITET ME JU QEVERITARË!..

TË GJITHË KËTA VIKTIMA TË KOMUNIZMIT KANË AUTORËT E KRIMIT !

            Melbourne, Tetor 2016.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Kujtese, viti 1945

Kujtesë për veten dhe miqtë

February 5, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Ne Foto:Godina ku u ngrit flamuri kombëtar./
Në Ankara, ku u ndodha ditë më parë me një grup audituesish të KLSH-së për shkëmbim eksperience, miqtë turq na çuan të vizitonim dhe Kompleksin Muzeal të Ataturkut ose thënë ndryshe, babait të krijimit të Turqisë së Re. Ishte një vepër moderne e shtrirë në disa hektarë tokë, e ndarë në disa pavione. Pasqyrohej aty lufta heroike e popullit turk për pavarësinë e Turqisë së re, reformat për një shtet të fuqishëm, ngritur mbi gërmadhat e perandorisë otomane. Është një Muze mahnitës, i kuruar deri në detaje, nga reliket e shumta, jeta private, nëna, babai, të afërmit, shokët e luftës dhe të pas-luftës, pamje madhështore të betejave luftarake, ku bijtë e Turqisë jepnin jetën për atdheun e shumë e shumë hollësi të tjera, që nxjerrin në dritë dhe e bëjnë të pavdekshme atë figurë historike. Sigurisht një ‘’ditë pune’’ tetë orëshe nuk mjafton ta vizitosh, por përshtypja dhe mbresat të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Mendon: ja vlen një jetë e tillë dhe si qytetar kujtohesh që edhe ti ke një atdhe, që ja vlen ta duash, ta respektosh, të punosh dhe të ndjehesh krenar për të. Sot nuk kërkohet të japësh jetën për Shqipërinë por është detyrë të jesh e të bëhesh më i mirë për të e shoqërinë shqiptare. Shëmbulli i Ataturkut dhe ai muze madhështor, të çojnë të mendosh për atdheun tënd dhe babanë e kombit, Ismail Qemalin. Mendja, duke vizituar Muzeun fluturon vetvetiu atje në Vlorën e Dashur, në një shtëpi tepër modeste dykatëshe, (flamuri nuk është ngritur këtu) në breg të detit, ku ndodhet muzeu i Babait të Kombit, themeluesit të Shqipërisë. Janë gjashtë dhoma gjithsej, që pasqyrojnë një luftë 500 vjeçare për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Nuk është vendi të përmendim përpjekjet mbinjerëzore të popullit shqiptar kundër grekëve, serbëve e malazezëve për ta mbrojtur atë Shqipërizë, që njohën Fuqitë e Mëdha. Do të duheshin të paktën dyzetë pavione nga një për secilin firmëtar të Kartës së Pavarësisë, një dyzinë për ata që nuk firmosën me penë por me pushkë dhe disa të tjerë për heronjtë që dhanë jetën në mbrojtje të trojeve shqiptare. Më ka shkuar edhe më parë mendja, në një pyetje , në një shqetësim në një merak, në një të drejtë që kërkoj ta did he ta kërkoj me zë të lartë: Përse nuk ndërtohet një Muze që të pasqyrojë atë epope që përfundimisht çoi në Themelimin e Shtetit Shqiptar? Si fillim është e domosdoshme të ringrihet godina e vërtetë që sot nuk ekziston (foto 1), ku u ngrit flamuri dhe u vendos përkohësisht Qeveria e Parë Shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin. Sa kushton kjo godinë trekatëshe e ndërtuar me gurë me gjithë anekset e saj? Nuk duhen shumë para, kjo është e sigurt, por më shumë dashuri e kujdes për veten, për figurat dhe historinë tone kombëtare.
Shikoni se ç’kanë bërë disa bijë të Vlorës, ata të sotmit, kanë ngritur një përbindësh betoni, atje ku mund të ngrihej e të sundonte Sheshin (foto 2) kompleksi Muzeal i Pavarësisë, ku të ndodhej edhe godina mëmë. Ndoshta do të gjendet aq tritol (mendimi im) që kjo godinë-qelbësirë që i ka zënë frymën Sheshit të Flamurit të hidhet në erë.
Një vit më pare, një grup patriotësh vlonjatë me shpenzimet e tyre, me nismën e vlonjatit e mirë, Bujar Leskaj, e çuan Ismail Qemalin në atdheun e munguar, në Kosovë. Shtatorja e tij e punuar nga skulptori Luan Mulliqi ngrihet madhështore në një nga sheshet e bukura të Prishtinës. Mos ndoshta duhet të përsëritet historia? Në gazetën ‘’Kombi’’ të vitit 1920 është një listë e gjatë, ku tregëtarët por edhe qytetarët vlonjatë, dhuruan shuma në Franga Ar, për Avni Rustemin para se ky të nisej për në Paris.
Jam dyshues, por prap dua të besoj se një Kompleks Muzeal ashtu si e kanë gjithë kombet e qytetëruara do të ngrihet një ditë. Monumenti i Pavarësisë, Lulishtja dhe Varri, ku prehen eshtrat e Ismail Beut, Monumenti i Ushtarit të Panjohur, Shtiza e Flamurit, janë aty. Duhet ngritur përballë pjesa që mungon por… duhet marrë leje te pronari i ri i ‘’Sheshit të Flamurit’’, ose ‘’Mister Çimentua’’, nëse ky ja ka haberin se ç’është Atdheu dhe historia e tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Zilja, Kujtese, për veten dhe miqtë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT