• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI NISHANI:KUMANOVA, JO KONFLIKT NDERETNIK

May 26, 2015 by dgreca

SEECP, Nishani: Kumanova, të frenohet përpjekja për ta shndërruar në konflikt të paqenë ndëretnik/
Në Tiranë mbahet sot Samiti i Krereve te Shteteve dhe Qeverive te Procesit te Bashkepunimit te Vendeve te Evropes Juglindore (SEECP).
Për herë të parë Kosova e përfaqësuar nga presidentja Jahjaga merr pjesë me të drejta të plotë në këtë samit dhe presidenti Nishani i uroi mirëseardhjen.
Një pjesë e shteteve ishin përfaqësuar nga presidentë, kryeministra, ndërsa disa shtete të tjera ishin përfaqësuar në rang zv/ministrash të Jashtëm apo ambasadorë të atyre shteteve të akredituar në Tiranë.
Vendet fqinje si Greqia dhe Maqedonia ishin përfaqësuar nga zv/ministrat e Jashtëm ndërsa Serbia me ambasadorin serb në Tiranë
Presidenti Nishani hapi samitin duke i uruar mirësjeardhjen dhe duke vënë theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë. Ndërsa u ndal në ngjarjet e Kumanovës kreu i shtetit shqiptar duke kërkuar hetim të plotë tha : ” kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet lejuar të përshkallëzohet më tej”
Kumanova
Presidenti Nishani u ndal në ngjarjet në Kumanovë ku kërkoi hetim të plotë të ngjarjes dhe bëri thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episode të paqartë, gjithsesi të izoluar në një burim konflikti të paqenë ndëretnik.
Bujar Nishani: “Ngjarjet efundit në Kumanovë na dëshmuan dhe një herë për brishtësinë e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Me këtë rast dua të përcjell ngushëllimet për humbjet tragjike e jetëve në Kumanovë dhe duke dënuar dhunën se kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet lejuar të përshkallëzohet më tej. Pritshmëria jonë legjitime është që të ketë një hetim të plotë dhe të shpejtë për këtë ngajrje që ka tronditur jo vetëm për Kumanovën dhe qytetarët e saj të pafajshëm por të gjithë rajonin dhe partnerët tanë ndërkombëtar. Bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episode të paqartë, gjithsesi të izoluar në një burim konflikti të paqenë ndëretnik dhe në vend të saj përqëndrimin e energjive në zgjidhjen e të gjtiha cështjeve mes palëve me dialgo përfshi dhe zbatimin pa ekuivok të Marrëveshjes së Ohrit.
Nishani: Me rëndësi bashkëpunimi rajonal e fqinjësia e mirë
Kreu i shtetit shqiptar vuri theksin në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të cilat jo vetëm garantojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, por gjithashtu “jemi të ndërgjegjshëm se janë parakusht për integrimin e të gjithë vendeve të rajonit në BE”
Nishani vuri theksin në realizimin e projekteve të përbashkëta rajonale infrastrukturore dhe energjetike
Bujar Nishani:“Bashkëpunimi rajonal nuk mund të jetë i plotë pa një zhvillim të qëndrueshëm e bashkëpunim të mirë ekonomik. Për këtë arsye është e nevojshme që projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë të jenë në focus të bashkëpunimit tonë të ardhshëm. Sigurisht që për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi me BE-në dhe vendet e BE-së”

Nga kush perfaqesoheshin shtetet
Shqipëri- Bujar Nishani -President
Turqi- Ali Babacan- Zv/ Kryeministri turk
Greqi -Nikolaos Choutis -Zv/ Ministër i Jashtëm
Serbi- Miroljub Zaric ambasadori serb në Tiranë
Rumani- Victor Ponta – Kryeministër
Moldavi – Nikolae Timofti- President
Sllovenia- Bojan Bertoncelj- Ambasadori slloven në Shqipëri
Mali i Zi- Igor Luksic- Zv/ Kryeminister e Ministër i Jashtëm
Kosova- Atifete Jahjaga – Presidente
Bullgari- Rosen Plevneliev – President
Maqedonia- Draguna Kripijanovska – zv/ministre e Jashtme

Jahjaga: Perspektiva europiane e rajonit të jetë konkrete. Na duhet stabilitet
Kosova përfaqësohet për herë të parë me të drejta të plota në Samitin e Krereve te Shteteve dhe Qeverive te Procesit te Bashkepunimit te Vendeve te Evropes Juglindore (SEECP) që mbahet sot në Tiranë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga foli për nevojën e bashkëveprimit mes vendeve të rajonit që kanë një qëllim integrimin në BE.
“Ndryshimet e fundit në rajonin tonë kanë qenë të mundura vetëm përmes qëllimit të qartë të integrimit europian. Për këtë arsye kemi nevojë që prespektiva europiane e rajonit që na bashkon të gjithëve të jetë konkrete e të ofrojë nxitje për reformat e brendshme” tha Jahjaga.
“Kosova- shtoi Jahjaga- mbetet e përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore duke kontribuar në avancimin e këtij bashkëpunimi”
“Vendeve tona u duhen më shumë investime dhe investitorët u shmangen vendeve që nuk ofrojnë stabilitet për të zhvilluar ekonominë. Rajoni duhet të flasë në një zë në krijimin e projekteve të përbashkëta të zhvillimit posaçërisht në infrastrukturë dhe energji.
Na duhet një bashkëpunim më i ngushtë që nxit zhvillimin ekonomik dhe konkurencë si dhe ndërveprim në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit tejkufitar”
Presidenti bullgar, Plevneliev: Të mos lëvizen kufijtë e Ballkanit
Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev deklaroi se nuk duhet të lëvizen kufijtë e Ballkanit. “Si kryesuese e radhës e SEECP Bullgaria- tha Plevneliev-do të ketë një axhendë të ngjeshur për stabilitetin në Ballkan. Presidenti bullgar në Samitin e Krereve te Shteteve dhe Qeverive te Procesit te Bashkepunimit te Vendeve te Evropes Juglindore të zhvilluar në Tiranë dhe se kufijtë në Ballkan nuk duhet të jenë të dukshëm.
Rosen Plevneliev: Aktivitetet e fundit në Maqedoni kanë dëshmuar nevojën për të afirmuar mbështetjen tonë për pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit. Bullgaria do të punojë për një deklaratë për të rikonfirmuar parimin e moscënimit të kufijvë kombëtare. Ne nuk duam që te këtë lufra në Ballkan, por duam paqe dhe stabilitet. Ne nuk duam që kufijtë të lëvizen më, por duam që këto kufij të mos jenë më të dukshëm. Ne duam që zgjedhja sovrane e popullit të ballkanit të respektohet. Ne duam që nejrëzit ti bëjmë bashkëpunëtorë dhe jo luftëtorë. Më 1 qershor Bullgaria merr kryesinë e radhës së SEECP, ne do të kemi një agjende të ngjeshur për stabilitetin në rajon. Ndërveprimi i SEECP është i rëndësishëm për integrimin e Ballkanit. Duhet të bashkëpunojmë më shumë me SEECP dhe me shumë institucione të tjera.
Çdo komb të kontribuojë për një Ballkan të zhvilluar
Ne duhet të punojmë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kemi përshpëjtuar marrëdhëniet ndërkufitare pasi marrëdhëniet fqinje përbëjnë një instrument të rëndësishëm në Ballkan. Nëqoftëse do të shohim si rajonet e izoluara dhe të varfëra eksiztojnë kjo do të na bëjë të kuptojmë se duhet të jemi sëbashku. Çdo komb në Rajon duhet të kontribuojë për një Ballkan të zhvilluar dhe të paqtë. Ne besojmë se Ballkani është një pjesë interesante e Eruopës. kemi një natyre të bukur dhe mendoj se të gjithë se bashku mund të realizojmë stabilitetin. bashkë mund të hapim tregje të rjea, mund të nxisim turizmin dhe bashkërisht mund të luftojmë terrorizmin dhe varfërinë.
Kriza në Ukrainë
Kriza në Ukrainë dhe Lindjen e mesme kanë ndryshuar rrënjësisisht situatën e sigurimit dhe kanë prezantuar kërcënime të rieja. këto janë probvleme që shkojnë përtej kufijve tanë dhe problemet e tyre janë botërore. ballkani është një rast i shembullit të mirë. nëse mbani mend përmbytjen në Bosnje vitin që shkoi dhe jam shumë i lumtur për fakton që bullgaria ka ofruar ndihmë për qindra mijëra banorë në rajon.
Samiti me pas
Do jenë dy sesione të këtij samiti që do të mbahen gjatë ditës së sotme. Pas përfundimit pritet të ketë edhe një deklaratë për shtyp. Këtij samiti i parapriu edhe ai i ministrave të Jashtëm të vendeve të Europës Juglindore, ku u arrit që Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kumanova, Nishani, samiti

Incidenti në Kumanovë, mund të tendosë raportet Shkup-Prishtinë

May 24, 2015 by dgreca

Nga Zërijeta Hajro Jajaga/
Analistët në Maqedoni konsiderojnë se raportet Maqedoni – Kosovë mund të tendosen në pikë kritike, nëse rasti i Kumanovës nuk zbardhet tërësisht.
Kjo, sipas tyre, mund të arrihet vetëm me inkuadrimin e faktorit ndërkombëtar.
Raportet Maqedoni-Kosovë që nga fillimi ishin të brishta, madje të tendosura me atë që njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Maqedonisë u kuptua si një akt i presionit nga ana e faktorit ndërkombëtar, dhe jo si vullnet për të krijuar raporte të mira ndërfqinjësore, thotë analisti politik, Alajdin Demiri.
Ai shton se ngjarjet në Kumanovë, duke ngërthyer më vete enigma të shumta, në masë plotësuese do të rëndojnë raportet Maqedoni-Kosovë.
“Tendosja e mëtejme e raporteve Maqedoni Kosovë do të jetë strategjike, sepse e vërteta e Kosovës do të jetë diçka tjetër – nga ana tjetër, e vërteta e Maqedonisë do të jetë krejtësisht diçka tjetër, dhe e vërteta e Serbisë dhe Rusisë do të jetë krejtësisht diçka tjetër, ngase Rusia është pozicionuarnë mbrojtje të kryeministrit Nikolla Gruevski”.
“Në Maqedoni, aktinë Kumanovë përjetohet si agresion i Kosovës, përkatësisht kosovarëve ndaj pavarësisë së Maqedonisë si shtet, edhe pse ky akt më vete ngërthen shumë të panjohura, të cilat, mbase për më shumë arsye edhe nuk do të sqarohen në të ardhmen, edhe pse do të ishte shumë mirë të ndriçohet plotësisht rasti i Kumanovës, e para se do ta shfajësonte Kosovën si shtet dhe fajësia do të orientohej diku tjetër”, vlerëson Demiri.
Dy ditë më parë, edhe ndihmëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ivan Shimonoviq, pas një vizite dyditore në Maqedoni, është shprehur se nevojitet ndihmë ndërkombëtare për hetimin e rastit të Kumanovës me atë që hetimi të jetë i besueshëm në sytë e popullit.
“Duhet të bëhet një hetim i menjëhershëm dhe i pavarur për rastin e Kumanovës, si dhe për rastin e përgjimeve. Kam biseduar me prokurorin për rastin e Kumanovës dhe ai më tha se disa prej hetimeve janë në progres. Por, mendoj se për këtë do të jetë e nevojshme që të ketë një ndihmë ndërkombëtare. Ky hetim ka dimensionin e tij ligjor, por ka edhe dimension politik. Me rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë”, ka deklaruar Shimonoviq.
Por, prokurori Publik në Maqedoni, Marko Zvërlevski, lidhur me këtë kërkesë, ka deklarua për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria Publike e Maqedonisë dhe institucionet e shtetit disponojnë me kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar një hetim të pavarur dhe kompetent rreth asaj se çfarë ndodhi në Kumanovë dy javë më parë.
“Nuk dua t`i komentoj propozimet e tilla, të cilat vijnë nga faktori ndërkombëtar, por do të theksoja me këtë rast se institucionet në Republikën e Maqedonisë disponojnë me kapacitetin e nevojshëm për të realizuar një hetim të plotë dhe të pavarur”, është shprehur Zvërleski.
Me këtë qëndrim nuk pajtohet ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Pavle Trajanov, partia e së cilit është pjesë e koalicionit qeveritar, duke theksuar se raportet Maqedoni-Kosovë hyjnë në një fazë tejet të komplikuar, madje siç shprehet ai, edhe të rrezikshme nëse nuk ndriçohen më shumë aspekte që kanë të bëjnë me ngjarjet e Kumanovës.
“Si e para duhet shihet si është e mundur që në Kosovë të organizohen formacione paraushtarake, të cilat kanë për qëllim të veprojnë në Maqedoni, pra kjo çështje duhet të ndriçohet, më pas duhet të mësohet cilat janë motivet e tyre, në kanë një agjendë politike këta njerëz, madje dhe kush qëndron pas tyre”.
“Pastaj, është me rëndësi që të mësohet a është, ose sa është e rrezikuar Maqedonia në aspektin e sigurisë pas këtyre ngjarjeve nga grupet e armatosura, sepse informacionet tona flasin se ka lëvizje nga ana e tyre në Kosovë dhe Serbinë Jugore, me atë që destabilizimi i Maqedonisë të vazhdojë edhe më tej ngase shokët e tyre mbeten në paraburgim në Maqedoni”, thekson Trajanov.
Ai thekson se me rëndësi të veçantë është bashkëpunimi i Maqedonisë me Kosovën në këtë situatë të ndjeshme, në bashkëpunim edhe me vendet me ndikimsiç është Gjermania dhe SHBA-ja, sepse siguria e Ballkanit është përgjegjësi jo vetëm e Maqedonisë, por e të gjithëve.
Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armartosur.

Filed Under: Featured Tagged With: acarim, Kumanova, raportet, Shkup-Prishtine

Shërbimi sekret i bllokut rusë fitimtar në betejën e Kumanovës!

May 24, 2015 by dgreca

Cili gazë do ngrohë Evropën? Gazi Rusë, apo Azerbajxhanas!/
Nga Ramiz Selimi/
Rusia dhe Turqia partnere në furnizimin e BE-s me gazin Rusë! Ky gaz ka një çmim më të lartë se sa ai Azerbajxhanas. Të gjithë treguesit thonë se lufta e Kumanovës ishte lufte e shërbimeve sekrete.
Maqedonia me sa duket evoluon në një vend të ri për luftën e energjisë mes SHBA-ve dhe Rusisë. Sipas të gjithë ekspertëve ekonomik dhe politik në Maqedoni fuqitë e mëdha po luftojnë për të fituar Tregun Energjetik me gaz. Për shkak të problemeve të pazgjidhura etnike në këto hapësira, këtë vend fuqitë e mëdha e shohin si çelës për depërtimin e gazit të tyre në Evropë.
Pushteti aktual në Maqedoni është luajal dhe thellë i lidhur me Rusinë. Jo vetëm për Kremlinin, por edhe për shumë vende tjera është e qartë se SHBA-ja dëshiron ta përmbysë qeverinë e tanishme në mënyrë që të krijojë një qeveri pro-perëndimore.
Turqia në këtë treg me gaz luan rrol të rëndësishëm, pasi ajo ka arritur marrëveshje me Rusinë, që gazi rusë përmes tubacionit të rrjedhës turke ta furnizojë Evropën. Prandaj Turqia është jashtëzakonisht e përmbajtur kur janë në pyetje problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Rusia me gazin e saj dhe Turqia me tubacionin e saj janë në anën e Gruevskit dhe ato duan që projekti i tyre të realizohet.
Në fakt, kryeministri Nikolla Gruevski është konsideruar politikan nacionalist dhe pro-rus i cili kryesisht mbështet ndërtimin e tubacionit turk në vendin e tij. Gazi Rusë është planifikuar të kalojë përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë në Evropën Qendrore.
Por, Amerikanët duan medoemos ta pengojnë realizimin e këtij plani Rusë. SHBA-t dëshirojnë të ndërtojnë tubacionin e tyre të gazit që quhet Trans Adriatik (TAP), ku do të furnizonte Evropën me gaz nga Azerbajxhani. Atëherë SHBA-ja do të kishte një ndikim të madh kontrollues mbi furnizimet me gaz mbi tërë Evropën, sepse Azerbajxhani politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht konsiderohet si aleat i ngushtë SHBA-s dhe i cili bashkëpunon me NATO-n. Qëllimi përfundimtar i SHBA-ve është të largojë kompanitë ruse të energjisë nga tregu Evropianë.

Shërbimi sekret i bllokut rusë fitimtarë në betejën e Kumanovës!

Pasi qeveria aktuale nga Maqedonia është pro Ruse, SHBA-t dhe Perëndimi të vetmen shpresë për të bërë ndryshime në ketë shtet e kanë të Zaevi dhe Shqiptarët. Interesi i tyre është që Maqedonia të ndryshojë kurs për 180°! Grupi i luftëtarëve nga Kosova me përvojë luftarake ishin të vetmit që mund e destabilizonin Maqedoninë, pasi ata këtë e kanë vërtetuar në vitin 2001.
Amerikanët përmes njerëzve të tyre në Kosovë ishin të sigurt se çdo gjë e kanë ndër kontroll, por në realitet ata gabuan pasi partneri i tyre kosovarë, besonte se çdo gjë është si në vitin 2001. Shumë nga luftëtarët e 2001-s në Maqedoni kishin ndryshuar mendim dhe kurs, kurse luftëtarët e idealit nga Kosova nuk e kanë kalkuluar këtë mundësi.
Nuk është se grupi i armatosur i shqiptarëve në Kumanovë është organizuar në mënyrë spontane. Djemtë më të mirë nga luftërat e fundit, morën sinjale edhe nga shërbimet sekrete perëndimore, për një organizim të mundshëm kundër pushtetit të Gruevskit. Organizatori nga Kosova është treguar amator, të cilit i ka humbur rruga në oborr. Ai jo vetëm që nuk ka verifikuar kandidatët dhe situatën në Maqedoni, por më shumë ka qenë i interesuar për përfitime të cilës do formë të jenë ato, i dërgojë djemtë në vdekje të sigurt.
Njëkohësisht edhe shërbimet sekrete të bllokut Rusë, si shërbimi sekret i Maqedonisë dhe ai i Serbisë u aktivizuan 24 orë për të ju kundërvu qëllimeve amerikane dhe në anën tjetër për të përfituar nga ndonjë konflikt i mundshëm etnik në realizimin e qëllimeve të tyre territoriale. Ata u futen edhe me thellë duke depërtuar në radhët e luftëtarëve të vitit 2001. Sa do i mirë që të ketë qenë qëllimi i luftëtarëve kosovarë, shërbimi sekret i bllokut rusë doli fitimtarë nga beteja e Kumanovës. Së pari u eliminuan luftëtarët më të mirë të shqiptarëve, që është një humbje e madhe edhe në anën morale! Arritën që një pjesë të maqedonasve të pavendosur ta bëjnë për vete dhe kundër shqiptarëve e perëndimit, si dhe paraqiten Kosovën si de stabilizuese të rajonit, sidomos ky bllok rusë po i fryn shumë teorisë së “Shqipërisë së Madhe”. Pozitive nga këndi i shqiptarëve është se lufta e Kumanovës tregoj se sa e lehtë është të ndezët një luftë në Ballkan, në një vend ku nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe i tregoj qartë faktorit ndërkombëtar se marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: gazjelllsi, Kumanova, sherbimi sekret rus

A u bind Zoti Blushi se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen me zgjidhje ushkurësh?

May 20, 2015 by dgreca

Vizita që i bëri deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben Blushi Lagjes së Trimave në Kumanovë është vizitë që zuri vendin e merituar në mediet e vendit. Krahas asaj se ishte vizitë tejet domethënëse për banorët e terrorizuar nga një shtet terrorist mediet aktualizuan qëndrimin e z. Blushi se “zgjidhja e mundshme e problemit etnik në Maqedoni do të bëhet përmes martesave të shqiptarëve dhe maqedonasve”.
Ajo që më bëri përshtypje nga deklaratat e tij kanë të bëjnë me konstatimin e z. Blushi se “banorët e Kumanovës u sulmuan nga një shtet i pabesë” dhe se kjo “ditë e shëmtuar në historinë e Ballkanit modern, që nga koha e luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë u përsërit në Kumanovë për arsye që ende janë të pashpjegueshme”!
Fillimisht desha të theksoj se pabesia mund të vij nga dikush që nuk e pret. Sa u përket shqiptarëve Maqedonia ka pasur një politikë konsekuente të aplikimit të terrorit shtetëror dhe shqiptarët e kanë pritur dhe presin vetëm të këqija nga ky shtet terrorist.
Po sqaroj për lexuesit që nuk e dinë se me shtet terrorist në shkencat politike definohen ato shtete që nuk synojnë legjitimitetin e popullit në përgjithësi, apo të një grupi të caktuar etnik, racor, kulturor apo fetar në veçanti.
Që nga themelimi i saj, Maqedonia nuk e ka dëshiruar legjitimitetin e shqiptarëve. Përkundrazi, që nga fillimi i funksionimit të këtij shteti Maqedonia ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarë.
Madje, ky diskriminim vazhdoi edhe pse më 18 janar 1994 Maqedonia nënshkroi Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Paktin Lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.  Përkundër zotimeve se nuk do të kryej asnjë veprim apo praktikë të diskriminimit racial kundër personave, grupe personash apo institucionesh dhe se do tё sigurojë që të gjitha autoritetet publike dhe institucionet publike, kombëtare dhe lokale, t’i përmbahen këtij detyrimi dhe u zotua se do të heq diskriminim racial, që me Konventat ndërkombëtare nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike,  gjuhën apo fenë Megjithatë,  në praktikë diskriminimi racial ndaj shqiptarëve në Maqedoni vazhdoi me intensitet edhe më të madh.
Përkundër nënshkrimit dhe ratifikimit të Kartës Evropiane për gjuhët nga shteti i Maqedonisë (25 korrik 1996) gjuha shqipe, si kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politikë shqiptarë,  nuk u zyrtarizua në nivel shtetëror. Asgjësimi i gjurmëve ilire, që dëshmonin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje, vazhdoi, ashtu siç vazhdoi ndërrimi i toponimeve dhe imponimi që toponimet të shkruhen dhe shqiptohen vetëm në gjuhën maqedonase. Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar dhe simboleve tjera me të cilat identifikohen shqiptarët; u shkatërrua Instituti për Trashëgimi Kulturore Shqiptare, si i vetmi institucion ku duhej të përcaktohej mënyra e sistemimit të vlerave historike dhe kulturore, pa gjykuar për statusin politik të shqiptarëve, dhe u krijua «Muzeu i Lirisë»,  hipokrizi e pashembullt  për një popull të robëruar!…
Të gjithë e dinë se për shkak të dhunës dhe politikës së diskriminimit racial, që Maqedonia aplikonte ndaj shqiptarëve, shpërtheu Lufta e vitit 2001. “Marrëveshja e Ohrit” përfundoi luftën por nuk ndërtoi paqen!
–         Në vend të rregullimit të statusit të dëshmorëve të kombit dhe përkujdesjes 
 institucionale të familjarëve të tyre, kemi privilegje të panumërta për “branitelët maqedonas”;
–         Në vend të riparimit të dëmeve materiale të luftës në territoret shqiptare, u zhdukën gjurmët e 500 milion eurove, që Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001;
–         Në vend të ndarjes proporcionale të buxhetit, nuk u bë asnjë investim në vendbanimet shqiptare;
–         Në vend të paqes dhe sigurisë, u ushtrua dhunë e paparë në territoret e banuara me shumicë shqiptare (mbi 500 shqiptarë u vranë dhe u plagosën në rrethana ende të pandriçuara pas përfundimit të luftës);
–         Në vend të respektimit të ligjit për amnisti, term që nuk është adekuat për luftëtarët e lirisë, kemi burgosje masive të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
– Në vend të lirimit nga burgu i shqiptarëve që padrejtësisht janë dënuar, ndodhi montimi i procese të reja gjyqësore gjatë të cilëve u dënuan me burg të përjetshëm me dhjetëra persona të pafajshëm…
Zoti Blushi e di se Maqedonia është nënshkruese e Konventës për të drejtat e fëmijëve. Neni i 16 i kësaj konvente përcakton qartë se “asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi …”
Megjithatë, që nga përfundimi i luftës së vitit 2001 dhe ardhjes së VMRO-së në pushtet, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit u ushtrua dhunë dhe terror shtetëror në Tanushë, në Brodec dhe në Kumanovë. Gjatë këtyre operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë në prezencën e familjarëve të tyre. Posaçërisht fëmijët shqiptarë përjetuan tmerret, duke qenë dëshmitarë të dhunës shtetërore edhe ndaj prindërve të tyre.

Vizita e z. Blushi në Lagjen e Trimave në Kumanovë është një vizitë me vlerë të madhe simbolike për popullin e terrorizuar. Shpresoj se ai gjatë kësaj vizite e kuptoi hendekun e madh ndëretnik që ka krijuar pushteti maqedonas përmes politikës së diskriminimit racial kundër shqiptarëve. Shpresoj se ai është bindur se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave por përmes instalimit të një shteti demokratik që do të respektojë diversitetin etnik, kulturor dhe fetar.

Zotit Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si intelektual me peshë në hapësirën kulturore shqiptare mund të kërkojë që institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës të ngrenë zërin në të gjitha institucionet ndërkombëtare kundër torturës dhe institucionet politike të BE-së dhe të kërkojnë krijimin e një komisioni të veçantë ndërkombëtar për hetimin e tërësishëm të asaj që ndodhi në Kumanovë.
Në Kumanovë janë ekzekutuar njerëz të grupit të armatosur shqiptar që u dorëzuan;
Në Kumanovë janë ekzekutuar edhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me grupin e armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar çnjerëzisht të arrestuarit, pjesëtarë të grupit të armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar njerëz që nuk kanë lidhje me grupin e armatosur vetëm e vetëm për të pranuar veprat që nuk i kanë bërë.
Bashkimi Evropian e ka për obligim të ndriçojë këtë krim të rëndë që pushteti i VMRO-së dhe BDI-së e bënë kundër shqiptarëve në Kumanovë.
Ajo që është tepër urgjente e që z. Blushi mund të ndikojë të bëhet është krijimi i një ekipi mjeko ligjor të ekspertëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të kërkojnë ndihmën e BE-së në këtë drejtim për të vërtetuar pohimet se të dorëzuarit janë ekzekutuar dhe gjymtuar pas dorëzimit. Ky është hapi i parë i domosdoshëm për ndriçimin e një pjese të asaj që ndodhi gjatë terrorit shtetëror në Kumanovë.

Bardhyl Mahmuti
20 maj

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmati, Ben Blushi, Kumanova

Terrorizëm i pamëshirshëm shtetëror mbi popullatën e pafajshme shqiptare

May 14, 2015 by dgreca

Më shumë politikanët shqiptarë merren me grupin e armatosur se sa që shprehin interesim për terrorizimin e më së 40 mijë shqiptarëve, vrasjen dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.- Befason rënia në heshtje e liderëve shqiptar në Maqedoni që nuk e panë të arsyeshme të gjenden afër qytetarëve kumanovas në këto momente të rënda për ta/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Secili që ka gjak shqiptari dramën tmerruese në Kumanovë e priti me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë në zemër e shpirt. Si mund të mos jetë kështu kur një ushtri e tërë barbare me armë më bashkëhore e tanke kishin sulmuar pamëshirshëm pa kurrfarë paralajmërimi mbi 40 mijë shqiptarë të këtij qyteti duke shkatërruar dhjetra shtëpi, duke vrarë shumë civil, duke burgosur fëmijë, gra e pleq dhe duke terrorizuar qindra të tjerë në mënyrën më të vrazhdë që njeh njerëzimi. Në cilin vend në botë do të kishte ndodhur një sulm i këtillë mbi një popullatë duarthatë në emër të luftimit të një grupi, i cili po të kishte profesionalizem do të kishte mundur lehtë të izolohet e jo që me shprazjen e lloj lloj armësh të goditën shtëpitë në të cilën banojnë qytetarë të pafajshëm. Mirëpo, për pushtetin e këtij shteti kur janë në pyetje shqiptarët mund të veprohet në këtë formë të panjerëzishme pa dhënë kurrfarë përgjegjësie, bile as morale.
Pjesëtarët e UÇK-së nuk luftuan për të shitur mend
Ata trima ishin të gatshëm për të vdekur vetëm e vetëm për t’u dalë në ndihmë vëllazërve nga një skenar shfarosës që kishte planifikuar antishqiptari i përbetuar, Gruevski, me kriminelët Jankullovska dhe shefi i shërbimit sekret të këtij shteti të brishtë. E konsideronin jetën e qytetarëve të shenjtë dhe më të çmuar se sa të tyren dhe ajo luftë e tyre mbinjerëzore, ajo trimëri e treguar dhe ajo përpjekje për të shpëtuar banorët nga një masakër e mundshme dhe e përgatitur mirë do të mbetët gjithnjë në kujtesën e çdo shqiptari si një shembull i shkëlqyer se si sakrifikohet jeta për komb dhe atdhe. Këta trima, pjesëtarë të UÇK-së, nuk erdhën e nuk luftuan për të shitur mend. E dinin këta heronjë të ditëve tona se kur i hynë kësaj rruge do të kenë vështirësi të mëdha, por kur politikanët shqiptar rrinë duarkryq dhe nuk e bëjnë edhe një hap më të vogël në drejtim të barazisë kombëtare dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, atëherë dëshmorët e rënë dhe ata që u arrestuan morën forcë dhe nga dashuria për atdheun e kombin, për qytetarët e nëpërkëmbur morën armët në duar në mënyrë që të shembet kjo qeveri antishqiptare dhe që vuajtjet e padrejtësitë që iu bëhen shqiptarëve në të gjitha porët e jetës të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Pra, këto veprime shtypëse sllavo- maqedonase, po kërkojnë forca të reja të cilat pa dyshim se do të lartësohen aq sa do të mjaftojnë që populli shqiptar në Maqedoni të jetë faktor i rëndësishëm e vendimmarrës në të gjitha proceset. Rreth këtyre forcave patriotike do të mblidhen shumë më tepër shqiptar që do të dinë e shohin më mirë rrugën e prosperitetit e të ardhmës më të mirë për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike. Jeta po na mëson se drejtësia për shqiptarët po vonohet, por një gjë dihet se ndryshimi do të ndodh e deshën apo nuk e deshën hordhitë antishqiptare. Po ashtu një gjë po merret vesh ashiqare se dikush i kishte thirrur, dikush i kishte mashtruar dhe dikush edhe i kishte tradhtuar këta trima. Kjo gjë herët a vonë do të merret vesh. Për dikë shumë lehtë është të përbalt këtë sakrificë të madhe që dhanë pjesëtarët e UÇK-së, por asnjëri ama asnjëri kurrë nuk e dëshiron e as që e ëndrron të ishte në lëkurën e tyre sidomos të atyre që janë të arrestuar mbi trupin e të cilëve shprazët dhuna çnjerëzore e kriminelëve maqedonë.
Ku jeni o politikanë shqiptarë?
Derisa popullata shqiptare përjetoj momentet më të vështira nga terrori sllavo-maqedonas politikanët shqiptarë më shumë po merren me grupin e armatosur se sa që po shprehin farë dhimbje e interesim për pasojat tejet të rënda në këtë komunë shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk u dëgjua të thotë një fjalë të vetme se aksioni barbar i policisë ishte tepër i vrazhdë, tepër i dhunshëm, por mund të thuhet e terror i shfrenuar dhe se për këtë dikush do të duhej të jap përgjegjësi, ndryshe këtë barbari nuk do të mund të pranohet dhe të lejohet as tash, as kurrë. Me një fjalë, as politikanët në Kosovë e as ata në Shqipëri nuk reaguan konform situatës së krijuar në Kumanovë, por deklaratat e tyre ishin të vakëta duke u angazhuar që të mbretëroj arsyeja dhe të ulën gjakrat, shprehje këto tashmë rutinë që mund t’i dëgjosh edhe nga ndërkombëtarët. Politikanët tanë do të duhej pa kurrfarë ngurrje t’ia tërheq vërejtjen antishqiptarit të përbetuar Gruevskit se ai nuk mund të “ luaj” si të do me fatin e shqiptarëve dhe t’i terrorizoj kaq keq sikur që ndodhi në Kumanovë. Të përkrahesh Gruevskin në këto momente është barazi me gjunjëzim para tij dhe soldateskës së tij ndëshkuese që bëri ndaj shqiptarëve. Kjo nuk duhet të ndodh në asnjë moment dhe rrethanë. Më së shumti befason rënia nën hije e politikanëve shqiptar në këtë shtet fqinjë të cilët i ka kapluar frika deri në palcë dhe popullatën shqiptare në Kumanovë e kanë lënë nën mëshirën e të tjerëve, përkatësisht të Zoevit, i cili i vizitoj këta njerëz të traumatizuar jo se ka ndonjë dhimbje për ta, por ai këtë e ka bërë për interesin e tij personal, për karrierën e tij politike. Ndaj edhe shtrohet pyetja se si është e mundur që asnjëri prej tyre të mos gjendet në mesin e këtyre njerëzve me halle të mëdha.
Menduh Thaçi duhet të jap dorëheqje!
Në momentin kur në medie doli se Menduh Thaçi i kishte thënë shefit të shërbimit sekret se më të do jetë deri në vdekje, ky politikan shqiptar do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme nga partia që e drejton. Kjo do të ishte puna më e vogël që do të mund të bënte ky njeri, i cili edhe ashtu nuk e meritonte të udhëheqte këtë parti për shkak se sa e sa herë humbi në zgjedhjet e organizuara në këtë shtet dhe se nuk mbahet mend që ka dhënë farë kontributi që edhe shqiptarët t’i gëzojnë të drejtat e barabarta me “ maqedonët”. Ky, pra, do të ishte një akt moral dhe asgjë më shumë, ndërsa historia do të flas kur të dalin edhe tjera punë të fshehura që ka bërë ky njeri. Edhe në partitë tjera shqiptare ka nevojë për një freski me kuadro të reja e profesionale, sepse në politik një dihet fare mirë politikani konsumohet pas një periudhe. As ministrat shqiptarë nuk di të duhej të rrinin ulur në kabinetin qeveritar të urdhërdhënësit të atij terrorizmi shtetëror mbi popullatën e pafajshme shqiptare.
E egër je ti Jankullovska e jo shqiptarët
Ministrja e Punëve të Brendshme të “ Maqedonisë” tashmë është njohur për shprehjet e saj raciste në drejtim të shqiptarëve. Ajo madje këtë popullatë shtetformuese e quan edhe të egër dhe e krahason me indianet e Amerikës Veriore. Mirëpo, urdhëri i dhënë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare në Kumanovë dëshmoi qartë se sa e egër është Jankullovska, se sa e pashpirt është kjo grua karshi shqiptarëve. Zatën, nuk mund të pritet më shumë nga një përfaqësuese e një popullate që nuk ka as identitet kombëtar, as flamur, as kulturë e as histori të saj. Vjedhja e identitetit, ndërtimi i statujave të personaliteteve të kombeve tjera, nuk të bënë të fortë, përkundrazi të bën qyqar, të bën të qesh bota më këtë naivitet ballkanas. U bë mirë që shkove për të mos u kthye kurrë në atë pozitë që shumë familjeve shqiptare ua nxive jetën. Mallkuar qofsh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kumanova, shkaterrimi i pasurive, vrasjet e shqiptareve, Xhavit Citaku

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT