• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës nis pushimet verore

July 31, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës mbyll sesionin pranveror, nuk kishte kuorum për propozimrezolutën pas debatit për dialogun me Serbinë/1 Kuvendi 2

-Shtyhet për në sesionin vjeshtor Mbledhja e  Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike/

PRISHTINË, 31 Korrik 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Lajmi më i ri, i ditës së sotme, nga Kuvendi i Kosovës, është ky: Mbledhja e  Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, e paraparë për sot, për shkak të përfundimit të sesionit pranveror, shtyhet  për t’u mbajtur në fillim të sesionit vjeshtor.

Kështu, Kuvendi i Kosovës nis sot pushimet verore, pasi në mbrëmjen e djeshme njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të vazhdimit të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, të nisur e të ndërprerë të enjten e javës së kaluar.

Pas debatit edhe me shumë replika, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës nuk kishte kuorum për votimin e prejektrezolutës për dialogun me Serbinë, që u paraqit mbrëmë nga grupi parlamentar i Partisë Social Demokrate, e paharmonizuar me grupet e tjera parlamentare.

Propozuesi nga kjo parti e re  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare të partive tjera që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim.

Zhvillime të tjera në Kuvendin e Kosovës rreth debatit dhe propozimrezolutës lidhur me dialogun me Serbinë priten në sesionin vjeshtor, ndërkohë që për në shtator është paralajmërur një takim i ri i presidentëve të dy shteteve në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënive të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Filed Under: Politike Tagged With: Kuvendi i kosoves, nis pushimet

Kuvendi i Kosovës, debat për dialogun me Serbinë

July 31, 2018 by dgreca

-“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë faktori vendimtar për marrëveshjet në dialogun me Serbinë”, u theksua në  debatin e gjerë që po vijon edhe me replika, ndërkohë që ka edhe një propozim rezolute/

3Kuvendi

PRISHTINË, 30 Korrik 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot punimet e seancës plenare me vazhdimin e debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, të nisur e të ndërprerë të enjten e javës së kaluar.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë faktori vendimtar për marrëveshjet në dialogun me Serbinë”, u theksua në  debatin e gjerë që po vijon edhe me replika, ndërkohë që ka edhe një propozim rezolute.

Ndërsa, para nisjes së debatit për dialogun, nuk kishte vota të mjaftueshme për asnjërin nga projektligjet në axhendë, pasi opozita edhe pse e pranishme në sallën e seancave plenare me mospjesëmarrje në votim shkaktonte mungesë kuorumi duke pretenduar të demonstrojë kështu se “maxhoranca nuk i ka numrat dhe ka mbetur pakicë”.

Lista Serbe me grup parlamentar prej 10 deputetësh në Kuvendin 120 anëtarësh nga fundi i marsit ka deklaruar largimin nga koalicioni qeverisës që kishte 62 deputetë, ndërsa tre ministrat e saj, një prej tyre edhe zëvendëskryeministër,  kanë thënë se janë “në dorëheqje” dhe nuk marrin pjesë në mbledhje të qeverisë së Kosovës, por ata vazhdojnë punën nëpër ministritë që udhëheqin.

Në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës për sot është edhe shqyrtimi i parë i tre projektligjeve – për mbrojtjen e të dhënave personale, për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së  pajustifikueshme, si dhe projektligji për mbrojtjen e fëmijës.

 Seanca të enjten e 26 korrikut është ndërprerë pas njoftimit të kryesuesit për vdekjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili u nderua edhe me tre ditë zie në Kosovë, ditën e premte, të shtunë dhe të diel, të shpallura nga Presidenti i Republikës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Debat, Dialogu me Serbine, Kuvendi i kosoves

KUVENDI I KOSOVES, seancë komemorative për Adem Demaçin

July 27, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës mbajti seancë komemorative në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi/

-Haradinaj: Gjithë jetën për atdhe. Lavdi heroi ynë, Baca Adem/

1 Demaci Kuvendi zi1 qeveria ngush1 ramushi ngush

PRISHTINË, 27 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Republikës së Kosovës, është mbledhur sot për të nderuar figurën e veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë të enjten.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij, tha se Kosova ka humbur simbolin e gjithë lëvizjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Veseli tha se Adem Demaçi ishte i kombit dhe do të mbetet i tillë përjetë e mot.

“Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vaselika Hysi, shprehu ngushëllimet në emër të parlamentit të Shqipërisë.

“Kosova e lirë humbi një ndër frymëzuesit dhe martirët e saj. Ndarja nga jeta e Adem Demaçit thërret për t’u bërë të gjithë më të fortë”, tha nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se vepra e Adem Demaçit nuk do të harrohet kurrë.

“Nuk u ndal kurrë së menduari për atë se si të ndërtohet një shtet i pavarur, demokratik dhe i barabartë me të tjerët. Ndarja e Adem Demaçit nga jeta është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzimin. Personaliteti i tij unik është i pazëvendësueshëm dhe vepra e tij nuk do të harrohet kurrë”, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë.

Në fund, mori fjalën djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, i cili falënderoi të pranishmit.Pas mbledhjes komemorative, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, deputetë dhe drejtues të tjerë të institucioneve, bën homazhe para trupit të Adem Demaçit.

1 a Ramushi ademi

Haradinaj: Gjithë jetën për atdhe. Lavdi heroi ynë, Baca Adem/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë komemorative dhe bëri homazhe pranë arkivolit të trupit të pajetë, si dhe u shënua në librin e zisë, pas ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e cila u organizua në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, në librin e zisë shkroi “Gjithë jetën për atdhe. Lavdi heroi ynë, Baca Adem”. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin, përveç përfaqësuesve më të lartë të shtetit të Kosovës, edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe personalitete të tjera.

Filed Under: Featured Tagged With: Demaci, Kuvendi i kosoves, seance kremorative

Kosovë-Kuvendi për bashkëpunimet me Shqipërinë

May 17, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës në seancë me 23 pika në axhendë, tre për raportet e bashkëpunimet me Shqipërinë/

1 Behlul Kuvend.JPG1 Kuvendi kosove.JPG

 -Nuk kalon vendimi i President të Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 17 Maj 2018/ Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në një seancë plenare me 23 pika në axhendë, mes të cilave tre për për raportet e bashkëpunimet me Shqipërinë – dy propozim-rezoluta dhe një debat parlamentar.

“Propozim-rezoluta për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë” dhe “Propozim-rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë”, janë pikat 18 dhe 19.

Ndërsa, nën 21 është “Debati parlamentar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre, sipas kërkesë së deputetit Visar Ymeri, mbështetur edhe nga 11 deputetë”.

Pjesë e axhendës është edhe “Shqyrtimi i Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, në pikën e 10-të.

Seanca nisi me Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare për të vijuar me shqyrtimin e Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare. Ky vendim i Presidentit nuk kaloi, pasi nuk mori votat e nevojshme, nga Kuvendi 120 anëtarësh 28 votuan pro, 32 kundër e 7 abstenuan, derisa në sallë ishin 83 deputetë, por votuan jo të gjithë – vetëm 67.

“Për miratim kërkohen së paku 61 vota pro”, siç u theksua para votimit nga kryesuesi, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili citoi edhe Kushtetutën në Nenin 80, ku thuhet: “Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur”.

Në 4 prill 2018  bëhej e ditur se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ligji për Shoqëritë Tregtare ishte miratuar në Kuvend  bashkë me me amendamentin e 12 që përcakton pjesëmarrja e grave në borde me dyzet për qind.

“Për shoqëritë tregtare duhet gjetur forma të arritjes së mundësive të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën ekonomike, duke krijuar lehtësira për arritjen e barazisë gjinore dhe me këtë edhe në raste të caktuara arritjen e kuotës gjinore, por jo duke ndërhyrë në lirinë e aktivitetit ekonomik të shoqërive tregtare, mirëpo duke i stimuluar ato”, thuhej në njoftimin nga Presidenca për mosdekretimin Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe kthimin në Kuvend për rishqyrtim.

Në axhendën e seancës së Kuvendit, në punimet e pasditës pas pushimit që u dha, sot janë edhe gjashtë projektligje, mes të cilëve shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, si dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën.

Gjatë punimeve të seancës së nisur sot Kuvendi shqyrton edhe Strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020, si dhe raporteve për vitin 2017 të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe të Agjencisë për ndihmë juridike falas.

Seanca e Kuvendit të Kosovës e nisur sot pritet të zgjasë më shumë se një ditë. Ndërsa të mërkurën e ardhshme, në 23 maj, Kuvendi do të mblidhet në vazhdim seancash me pikat e papërfunduara në 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe  në 3 maj 2018.Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 është konstituuar pas gati tre muajsh – në  7 shtator, kur u zhvillua vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të nisur në 3 gusht.Dita e 7 shtatorit 2017 ishte dita e 27 vjetorit të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, me të cilën Kuvendi në seancën në Kaçanik shpallte Kosovën Republikë në vijimësi të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.

Filed Under: Rajon Tagged With: bashkepunim me Shqiperine, Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves

Kuvendi i Kosovës në seancë për demarkacionin, Lista Serbe bojkoton

March 20, 2018 by dgreca

 PRISHTINË,20 Mars 2018-Gazeta DIELLI-B. Jashari/ Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është sot pika e vetme e axhendës së vazhdimit të nisur të seancës së jashtëzakomshme plenare të Kuvendit kosovar, e cila ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 të parlamentit 120 anëtarësh./

1 Kuvendi

 KRYEMINISTRI HARADINAJ: VOTA PRO DEMARKACIONIT ËSHTË VOTË PËR SHTETIN E KOSOVËS/

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë seancës së sotme (20 mars 2018)

 të Kuvendit të Kosovës, ka paraqitur dhe ka arsyetuar para deputetëve Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. 
Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj:

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, kabinet qeveritar,
Media, qytetarë të Kosovës.

Kam nderin të paraqesë para jush Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Të nderuar deputetë, përfaqësues të popullit

Kemi kaluar një fazë jo të lehtë për të adresuar para jush një çështje ndër më të rëndësishmet për shtetin. Pas shumë përpjekjesh, bisedash e negociatash me partnerët dhe miqtë e Kosovës, por edhe me Malin e Zi, kemi arritur të gjejmë një formulë të pranueshme për të gjitha palët.

Kemi arritur që edhe ta ruajmë të drejtën për tokën tonë, ta ruajmë fqinjësinë me Malin e Zi dhe partneritetin me aleatët strategjik të Kosovës. Jam i bindur se marrëveshja ndërmjet dy presidentëve dhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror e plotësojnë marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe krijojnë bazë të pakontestueshme ligjore për korrektimin e gabimeve të bëra në procesin paraprak, posaçërisht në drejtim të Kullës dhe Çakorrit, siç është specifikuar edhe në aneks marrëveshjen e presidentëve.
Vota pro këtij projektligji sot më shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës, është votë për perspektivën euroatlantike të vendit, është votë për liri të lëvizjes. I kemi analizuar të gjitha faktet dhe rreziqet dhe ju garantoj se ratifikimi i këtij projektligji me dokumentet përcjellëse nuk e rrezikon territorin e Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Vendimi është në dorën tuaj dhe vota pro këtij projektligji sot është edhe kërkesë e shumicës së qytetarëve. Ju bëj thirrje pa dallim partie apo etnie, apo bindje ideologjike që të votoni pro këtij projektligji.
Ju faleminderit.

 ***

 FJALA E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË LDK-SË,  AVDULLAH HOTI NË SEANCËN E SOTME (22.02.2018)  TË KUVENDIT TË KOSOVËS PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES PËR SHËNIMIN E VIJËS KUFITARE ME MALIN E ZI:

I nderuari Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Qeverisë,

 Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dua të shprehë kënaqësinë që, më në fund, gati tre vjet pas nënshkrimit, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për ta votuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, me këtë shtet fqinj, shtet mik, anëtar të NATO-s, që ka njohur shtetin e Kosovës qysh në fillim, pa asnjë hezitim.Për dallim prej herës së kaluar, seanca e sotme, siç po shihet, do të zhvillohet pa gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj Kryeministrit, deputetëve dhe policisë.Njëri nga ata që nxiste dhunë sot është Kryeministër. Por, ne nuk do ta sulmojmë atë, edhe pse kemi të drejtë morale për ta bërë.Për më tepër, kësaj radhe, si duket, nuk ka plan për të lejuar futjen e gazit në Kuvend.Sidoqoftë, Lidhja Demokratike i gëzohet faktit që Kuvendi i Kosovës sot nuk po bëhet gaz i botës.

 Të nderuar kolegë deputetë,

 Ne besojmë se marrëveshja është e drejtë.Përmes neneve 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, palët obligohen që të rishikojnë marrëveshjen në rast se paraqiten fakte të reja.Pra, formohen Trupa të Përbashkëta për të shqyrtuar faktet e reja.Nëse faktet validohen, atëherë përpilohet marrëveshje e re, dhe shkohet në procedurë të re të ratifikimit.Prandaj, Lidhja Demokratike e ka mbështetur qysh në fillim.

Prandaj, miqtë tanë na kanë mbështetur në këtë proces.Lidhja Demokratike është parti e themeluar nga Presidenti Rugova. Kauza jonë për shtet të pavarur dhe sovran ka nisur para tri dekadash.Asnjëherë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë veprime në dëm të shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht a jemi në opozitë apo në pushtet, të cilën gjë nuk mund ta them për disa parti që janë në Kuvend.

 Të nderuar deputetë,

 Deklarata e Presidentëve, është konfirmim i marrëveshjes, i neneve 7, 9 dhe 11.

 Ndërkaq, marrëveshja është ajo e vitit 2015.Asnjë shkronjë e asaj marrëveshje nuk ka ndryshuar. Por, rrethanat ka ndryshuar. Dhe më vjen mirë që tani po mbështetet nga një pjesë e opozitës së atëhershme.Megjithatë, qytetarët kanë mbetur të izoluar për tri vite. Dhe është vënë në pikëpyetje gatishmëria e shtetit të Kosovës ndaj obligimeve ndërkombëtare.

 Të nderuar kolegë të Lëvizjes Vetëvendosje,

Edhe ju e dini se ratifikimi i kësaj marrëveshje siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.

 Marrëveshja kontribuon në rritjen e dinamikës të proceseve euro-integruese të Kosovës.Marrëveshja hap rrugë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.Në frymën e asaj që thashë më lartë lidhur me nenet 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, unë ju garantoj se ne do të jemi këtu, që bashkë me juve, të sjellim prapë këtë marrëveshje për ratifikim nëse ka fakte të reja.

Pa votën e juaj, ratifikimi i kësaj marrëveshje varet nga Lista Serbe. Prandaj, ju ftoj të na bashkoheni që të shmangim rrezikun e koncesioneve të dhimbshme për Kosovën për të ratifikuar këtë marrëveshje.

Të nderuar kolegë deputetë,

 Kur Lidhja Demokratike e përkrahte këtë marrëveshje, Z.Haradinaj përdorte fjalë fyese ndaj Lidhjes Demokratike dhe Kryetarit Mustafa.

Nuk do të merrem me to. Ato fyerje le të mbesin në ndërgjegjen e tij.Por, çfarë duhet të bëjë Z.Haradinaj pas ratifikimit të marrëveshjes?Unë nuk do t’i referohem zakonit, sepse është i ashpër në këso situata.

 Por, me rregullat e demokracisë, pas ratifikimit të marrëveshjes,

  • Ai duhet të japë dorëheqje,
  • Kuvendi duhet të shpërbëhet,
  • Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja,
  • Sovrani le të vendos se kush e udhëheq Kosovën drejt integrimeve evropiane.Kosovës i duhet një qeveri normale, që punon për qytetarët e jo për politikanët.Kosovës i duhet një qeveri pro-evropiane, civilizuese, me të cilën qytetarët ndihen mirë, të cilën Lidhja Demokratike mund ta sigurojë.Qeveria e Re do ta kthejë debatin në Kuvendin e Kosovës për jetën e qytetarëve, për shëndetësi, për arsim, për punësim, për bujqësi, për biznes, për njohje të reja, për ushtrinë, për integrimin e komuniteteve, për avancimin e agjendës evropiane.Nuk do të ketë debat për fatin e politikanëve, apo për pagat e tyre, siç kemi parë në këta muaj të qeverisjes fatkeqe për vendin.

Të nderuar deputetë,

 Më lejoni që edhe një herë të konfirmoj mbështetjen unanime të deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike për këtë marrëveshje.Të konfirmoj gjithashtu mbështetjen për Deklaratën e Përbashkët të dy Presidentëve, e cila bazuar në këtë marrëveshje, shpreh vullnetin e dy shteteve, që në mirëbesim, të adresojnë kontestet eventuale.Na vjen mirë që koalicioni qeverisës, përfshirë edhe partinë e Kryeministrit, është pajtuar që i gjithë dokumentacioni zyrtarë i Komisionit Shtetëror, i aprovuar në Qeverinë e Kosovës në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, të jetë në dispozicion VETËM për orientim të deputetëve.

 T’i lëmë deputetët, që duke pasur parasysh të gjitha argumentet në këtë dokumentacion, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre.

 Unë ju ftoj që të tejkalojmë dallimet dhe të shohim interesin e qytetarëve.

Faleminderit për vëmendjen.

LËVIZJA VETËVENDOSJE ME  PETICION NË KUVENDIN E KOSOVËS

 Lëvizja Vetëvendosje me 19 deputetët e saj solli në Kuvendin e Kosovës peticionin kundër Projekltilogjit për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

“Qëndrimi i mbi 205 mijë qytetarëve që kishin nënshkruar kundër marrëveshjes për Demarkacion u sollën në Kuvend nëpërmjet deputetëve tanë. Nënshkrimet e peticionit që e kundërshtojnë këtë marrëveshje janë tek Kryeministri dhe para deputetëve. Ato vlejnë 205 mijë herë më shumë sesa nënshkrimi i dyfishtë i Hashim Thaçit për këtë marrëveshje”, shprehet LVV.

LISTA SERBE NUK PO MERR PJESË NË SEANCËN E JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT TË KOSOVËS

Lista Serbe me grupin e vet parlamemtar 10 anëtarësh nuk po merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.Për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk egziston”.“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”,  ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka grupin parlamentar me 10 deputetë në Kuvend dhe 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.

E VESHTIRE PER 80 VOTAT

Duket se ka dështuar edhe këtë herë seanca për votimin e demarkacionit. Qeveria nuk ka mundur as këtë herë që të grumbulloj 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Burime të Klan Kosovës bëjnë të ditur se është arritur një marrëveshje mes spektrit politik, që seanca për Demarkacionin që po vazhdon akoma, të vazhdojë nesër në orën 10: 00. Sipas këtyre burimeve, në seancën e nesërme pritet që sot të përfundojë i tërë debati lidhur me këtë temë dhe nesër të hidhet vetëm në votim çështja e Demarkacionit. Në ndërkohë, në seancën e cila ka nisur pak pas orës 16:00 ishin edhe 20 deputetë të lajmëruar për të marrë fjalën.

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, Kuvendi i kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT