PRISHTINË,20 Mars 2018-Gazeta DIELLI-B. Jashari/ Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është sot pika e vetme e axhendës së vazhdimit të nisur të seancës së jashtëzakomshme plenare të Kuvendit kosovar, e cila ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 të parlamentit 120 anëtarësh./
KRYEMINISTRI HARADINAJ: VOTA PRO DEMARKACIONIT ËSHTË VOTË PËR SHTETIN E KOSOVËS/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë seancës së sotme (20 mars 2018)
të Kuvendit të Kosovës, ka paraqitur dhe ka arsyetuar para deputetëve Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj:
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, kabinet qeveritar,
Media, qytetarë të Kosovës.
Kam nderin të paraqesë para jush Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Të nderuar deputetë, përfaqësues të popullit
Kemi kaluar një fazë jo të lehtë për të adresuar para jush një çështje ndër më të rëndësishmet për shtetin. Pas shumë përpjekjesh, bisedash e negociatash me partnerët dhe miqtë e Kosovës, por edhe me Malin e Zi, kemi arritur të gjejmë një formulë të pranueshme për të gjitha palët.
Kemi arritur që edhe ta ruajmë të drejtën për tokën tonë, ta ruajmë fqinjësinë me Malin e Zi dhe partneritetin me aleatët strategjik të Kosovës. Jam i bindur se marrëveshja ndërmjet dy presidentëve dhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror e plotësojnë marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe krijojnë bazë të pakontestueshme ligjore për korrektimin e gabimeve të bëra në procesin paraprak, posaçërisht në drejtim të Kullës dhe Çakorrit, siç është specifikuar edhe në aneks marrëveshjen e presidentëve.
Vota pro këtij projektligji sot më shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës, është votë për perspektivën euroatlantike të vendit, është votë për liri të lëvizjes. I kemi analizuar të gjitha faktet dhe rreziqet dhe ju garantoj se ratifikimi i këtij projektligji me dokumentet përcjellëse nuk e rrezikon territorin e Kosovës.
Të nderuar deputetë,
Vendimi është në dorën tuaj dhe vota pro këtij projektligji sot është edhe kërkesë e shumicës së qytetarëve. Ju bëj thirrje pa dallim partie apo etnie, apo bindje ideologjike që të votoni pro këtij projektligji.
Ju faleminderit.
***
FJALA E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË LDK-SË, AVDULLAH HOTI NË SEANCËN E SOTME (22.02.2018) TË KUVENDIT TË KOSOVËS PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES PËR SHËNIMIN E VIJËS KUFITARE ME MALIN E ZI:
I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë,
Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dua të shprehë kënaqësinë që, më në fund, gati tre vjet pas nënshkrimit, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për ta votuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, me këtë shtet fqinj, shtet mik, anëtar të NATO-s, që ka njohur shtetin e Kosovës qysh në fillim, pa asnjë hezitim.Për dallim prej herës së kaluar, seanca e sotme, siç po shihet, do të zhvillohet pa gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj Kryeministrit, deputetëve dhe policisë.Njëri nga ata që nxiste dhunë sot është Kryeministër. Por, ne nuk do ta sulmojmë atë, edhe pse kemi të drejtë morale për ta bërë.Për më tepër, kësaj radhe, si duket, nuk ka plan për të lejuar futjen e gazit në Kuvend.Sidoqoftë, Lidhja Demokratike i gëzohet faktit që Kuvendi i Kosovës sot nuk po bëhet gaz i botës.
Të nderuar kolegë deputetë,
Ne besojmë se marrëveshja është e drejtë.Përmes neneve 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, palët obligohen që të rishikojnë marrëveshjen në rast se paraqiten fakte të reja.Pra, formohen Trupa të Përbashkëta për të shqyrtuar faktet e reja.Nëse faktet validohen, atëherë përpilohet marrëveshje e re, dhe shkohet në procedurë të re të ratifikimit.Prandaj, Lidhja Demokratike e ka mbështetur qysh në fillim.
Prandaj, miqtë tanë na kanë mbështetur në këtë proces.Lidhja Demokratike është parti e themeluar nga Presidenti Rugova. Kauza jonë për shtet të pavarur dhe sovran ka nisur para tri dekadash.Asnjëherë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë veprime në dëm të shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht a jemi në opozitë apo në pushtet, të cilën gjë nuk mund ta them për disa parti që janë në Kuvend.
Të nderuar deputetë,
Deklarata e Presidentëve, është konfirmim i marrëveshjes, i neneve 7, 9 dhe 11.
Ndërkaq, marrëveshja është ajo e vitit 2015.Asnjë shkronjë e asaj marrëveshje nuk ka ndryshuar. Por, rrethanat ka ndryshuar. Dhe më vjen mirë që tani po mbështetet nga një pjesë e opozitës së atëhershme.Megjithatë, qytetarët kanë mbetur të izoluar për tri vite. Dhe është vënë në pikëpyetje gatishmëria e shtetit të Kosovës ndaj obligimeve ndërkombëtare.
Të nderuar kolegë të Lëvizjes Vetëvendosje,
Edhe ju e dini se ratifikimi i kësaj marrëveshje siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.
Marrëveshja kontribuon në rritjen e dinamikës të proceseve euro-integruese të Kosovës.Marrëveshja hap rrugë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.Në frymën e asaj që thashë më lartë lidhur me nenet 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, unë ju garantoj se ne do të jemi këtu, që bashkë me juve, të sjellim prapë këtë marrëveshje për ratifikim nëse ka fakte të reja.
Pa votën e juaj, ratifikimi i kësaj marrëveshje varet nga Lista Serbe. Prandaj, ju ftoj të na bashkoheni që të shmangim rrezikun e koncesioneve të dhimbshme për Kosovën për të ratifikuar këtë marrëveshje.
Të nderuar kolegë deputetë,
Kur Lidhja Demokratike e përkrahte këtë marrëveshje, Z.Haradinaj përdorte fjalë fyese ndaj Lidhjes Demokratike dhe Kryetarit Mustafa.
Nuk do të merrem me to. Ato fyerje le të mbesin në ndërgjegjen e tij.Por, çfarë duhet të bëjë Z.Haradinaj pas ratifikimit të marrëveshjes?Unë nuk do t’i referohem zakonit, sepse është i ashpër në këso situata.
Por, me rregullat e demokracisë, pas ratifikimit të marrëveshjes,
- Ai duhet të japë dorëheqje,
- Kuvendi duhet të shpërbëhet,
- Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja,
- Sovrani le të vendos se kush e udhëheq Kosovën drejt integrimeve evropiane.Kosovës i duhet një qeveri normale, që punon për qytetarët e jo për politikanët.Kosovës i duhet një qeveri pro-evropiane, civilizuese, me të cilën qytetarët ndihen mirë, të cilën Lidhja Demokratike mund ta sigurojë.Qeveria e Re do ta kthejë debatin në Kuvendin e Kosovës për jetën e qytetarëve, për shëndetësi, për arsim, për punësim, për bujqësi, për biznes, për njohje të reja, për ushtrinë, për integrimin e komuniteteve, për avancimin e agjendës evropiane.Nuk do të ketë debat për fatin e politikanëve, apo për pagat e tyre, siç kemi parë në këta muaj të qeverisjes fatkeqe për vendin.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni që edhe një herë të konfirmoj mbështetjen unanime të deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike për këtë marrëveshje.Të konfirmoj gjithashtu mbështetjen për Deklaratën e Përbashkët të dy Presidentëve, e cila bazuar në këtë marrëveshje, shpreh vullnetin e dy shteteve, që në mirëbesim, të adresojnë kontestet eventuale.Na vjen mirë që koalicioni qeverisës, përfshirë edhe partinë e Kryeministrit, është pajtuar që i gjithë dokumentacioni zyrtarë i Komisionit Shtetëror, i aprovuar në Qeverinë e Kosovës në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, të jetë në dispozicion VETËM për orientim të deputetëve.
T’i lëmë deputetët, që duke pasur parasysh të gjitha argumentet në këtë dokumentacion, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre.
Unë ju ftoj që të tejkalojmë dallimet dhe të shohim interesin e qytetarëve.
Faleminderit për vëmendjen.
LËVIZJA VETËVENDOSJE ME PETICION NË KUVENDIN E KOSOVËS
Lëvizja Vetëvendosje me 19 deputetët e saj solli në Kuvendin e Kosovës peticionin kundër Projekltilogjit për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.
“Qëndrimi i mbi 205 mijë qytetarëve që kishin nënshkruar kundër marrëveshjes për Demarkacion u sollën në Kuvend nëpërmjet deputetëve tanë. Nënshkrimet e peticionit që e kundërshtojnë këtë marrëveshje janë tek Kryeministri dhe para deputetëve. Ato vlejnë 205 mijë herë më shumë sesa nënshkrimi i dyfishtë i Hashim Thaçit për këtë marrëveshje”, shprehet LVV.
LISTA SERBE NUK PO MERR PJESË NË SEANCËN E JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT TË KOSOVËS
Lista Serbe me grupin e vet parlamemtar 10 anëtarësh nuk po merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.Për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk egziston”.“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”, ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka grupin parlamentar me 10 deputetë në Kuvend dhe 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.
E VESHTIRE PER 80 VOTAT
Duket se ka dështuar edhe këtë herë seanca për votimin e demarkacionit. Qeveria nuk ka mundur as këtë herë që të grumbulloj 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Burime të Klan Kosovës bëjnë të ditur se është arritur një marrëveshje mes spektrit politik, që seanca për Demarkacionin që po vazhdon akoma, të vazhdojë nesër në orën 10: 00. Sipas këtyre burimeve, në seancën e nesërme pritet që sot të përfundojë i tërë debati lidhur me këtë temë dhe nesër të hidhet vetëm në votim çështja e Demarkacionit. Në ndërkohë, në seancën e cila ka nisur pak pas orës 16:00 ishin edhe 20 deputetë të lajmëruar për të marrë fjalën.