Nga Kozma GJINI/Vendlindja, Bishqethmi, një çast mbajti frymën. Ndërsa bilbilat nga degë lisash gjelbëruar të fshatit, përcjellin vajtueshëm kortezhin e gjatë të njerëzve për në kishë. Një kontrast pamjesh: Njerëzit kokulur në heshtje varri, bilbilat në cicërima mozaik orkestral funebre. Një lajm i beftë ta trondit shpirtin, si me ta shkul zemrën nga vendi. Se të vjen si shkreptima në qiellin pa re. Të dhemb xhani dhe të njomen sytë teksa përjeton ikjen e papritur të njeriut që dje ke qënë duke pirë një kafe, që ke udhëtuar në rrugëtim diku për në Tiranë të botoje një libër, të bëje muhabet më shokë e miq, të bëje një shaka. Por s’ka realitet të dytë për atë që ikën e s’kthehet më. Krahas qindra miqve, ndodhen pranë arkivolit të tij me një kurorë lulesh e kokulur: Fatbardh Rustemi, Elmaz Qerreti, Irakli Papa, Lambrini Nano… Kurse Faslliu Haliti me një sms do të na njoftonte i pari lajmin e kobshëm me ngushëllimin që t’ia përcillnim familjes “Bello”. Shoku më i afërt i tij, mësuesi Trifon Bame tregon: “Kur Themiu emigroi në vitet ‘90 në Itali edhe pse pa lekë në xhep, pyeste se ku ndodheshin varrezat e arbëreshëve. “Janë larg. Ke ndonjë të afërm atje që je kaq i vendosur?” e pyeti një rrugëtar. “Po, tha ai. Jeronim De Radën”. La pas të habiturin dhe ec e ec i gjeti varrezat dhe preku me dorë mbi qivurin e De Radës ku vuri një tufë lulesh me aromë Shqipërie. Pa lekë në xhep miqtë e mi. Ja, ky ishte Themi Bello ”E pra, ky njeri na iku nga duart pak ditë më parë. Me keqardhje e dhimbje të thellë nëpërmjet internetit, e morën vesh lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta, aksidentalisht, të shkrimtarit dhe mikut tonë të mirë, Themi Bello (një postim i vëllait, Vlashit) dhe nisën qindra ngushëllime nga jashte vendit: Raimonda Moisiu, Fatmir Terziu, Petraq Risto, Kristaq Papa, Bexhet Jacellari… e pafund emra te njohur të letrave shqipe. Nuk ishte një vdekje nga zoti, si i thonë, nuk ishte një vdekje nga ndonjë sëmundjeje, se sëmundjet janë shënja që të gatitesh, por qe një fatalitet dhe fataliteti vetëm pranohet. Dorëzohemi pa kushte përpara tij. Ishte një tragjedi. Si e tillë edhe këto radhë janë vetëm si homazh dhe vlerësim për njeriun që ia morën jetën pabesisht në mes të rrugës, në mes të ditës, teksa shijonte bukuritë e Divjakës, nga kishte edhe njerëzit e gruas, Letës.
Është kjo arsyeja që shumëkush fajin për këtë fatkeqësi ia faturonte shtetit.Se shteti e ka në dorë jetën tonë e së paku, nëse nuk na e mbron dot, të të mos na e marrë mizorisht. Po nejse. Mjerë ai që iku. Se nuk është as i pari, e as i fundit. Me shpirt e zemër e themi se jemi të prekur thellë nga largimi i “detyruar” i tij prej kësaj bote. Iku i miri Themi Bello, në një kohë kur kishte shumë e shumë vepra ndër duar.Se ai këto vitet e fundit ka botuar thuajse çdo vit nga një libër. Dukej sikur po nxitonte të arrinte stacionin, si një parandjenjë se nuk do t’i botonte dot sa të ishte gjallë. A thua se e dinte se do t’ia prisnin jetën në mes. Pak ditë më parë pikërisht në Shtëpinë Botuese “Nacional” ai piu një kafe e bëri marrëveshjen me botuesin për një libër të ri që është në prag botimi. Si një fëmijë jetim do të jetë ky libër.
Atë ditë u pershendetem miqesisht me drejtorin e gazetes “Nacional” me shkrimtarin Mujë Bucpapaj.
Vullneti dhe talenti e radhiti Themi Bellon ndër shkrimtarët e pëlqyer të fëmijëve.Edhe pse në emigrim, ai nuk reshti së shkruari e së botuari libra në shqip dhe italisht për të cilat kishte kënaqësinë t’i promovonte në qytetin e tij të lindjes, në Lushnjë. ”Në vëndlindje ndjej kënaqësinë e lexuesve”, thoshte autori.Se, sa i takon pronës…ai nuk reshti se trokituri zyrë më zyrë po nuk e bëri dot të tijën atë që ta fal dhe zoti.Vinte me mendësi evropiane i gjori Themi, po s’e dinte se këtu ka një mijë yçkla e spërdredhje labirintesh korruptive që të hysh në derën e drejtësisë.Themi Bello e ka nisur krijimtarinë letrar që në fillim të vitit 1970, në fshatin e tij të lindjes, Bishqethëm.Si kokëshkretë që ishim, ai nga Bishqethmi e unë nga Shakuj, mateshim me të mëdhenjtë që nga faqet e të rrallës revistë kritike të kohës : “HOSTENI” duke marrë edhe reston me vete.Fabulat, përrallat dhe tablotë muzikore të Themi Bellos mirëpriteshin nga organet botuese dhe skenëvënëse. Në një kohë të shkurtër ai mundi të krijonte stilin e tij duke u bërë një autor i spikatur. Themiu e njihte botën e brendshme të të vegjëlve, kërkesat e tyre dhe për këtë e ndihmoi profesioni i mësuesit, arsim të cilin ia rrëmbeu shtetit të kaluar, pasi nuk iu dha e drejta e studimit për shkak të një “klecke” në biografi.Qënia mësues e ndihmoi të hapte portën e kësaj letërsie nga ku që në vitet e para u vlerësua me çmime lokale dhe kombëtare, duke u bërë me emër e i radhitur krahas shkrimtarëve të njohur të vendit.Edhe pse në emigrim, ai s’rreshti së shkruari për të vegjëlit e për të rriturit.Me gjithë epërsinë cilësore krijuese, Themiu i përkiste atyre njerëzve që nuk i bënin reklamë punës së tyre. Ai dëshironte çuditërisht që çdo gjë ta prekte, ta njihte sa më imtësisht, si një fëmijë që prish lodrën e re të sapoblerë, sepse kurioziteti për të marrë informacion e tjetërsonte. Shokët e redaksive të kohës do t’i kërkonin vjersha, fabula, fejtone, tregime, përralla….”Fjala u lidh me këngën, shkronjat me pentagramin” do të thoshte mësuese Ana në nekrologjinë prekëse. Sepse ai nuk e hoqi nga supet fizarmonikën.Një botues arbëresh i kishte dhuruar një “oliveti” dhe Themiu sikur kishte prekur qiellin me dorë.Më 1993 tërhoqi familjen në Cezena të Italisë.Themiu është krenaria e fshatit të vendlindjes.Ai botoi disa libra si: “Pasqyra magjike” “Kujtime fëmijërie”, “Haremi”, “Hakmarrja”, “Takim me Danten”, “Shfaqja e madhe”, “E çmendura”, “Vdekja e parlamentit”etj. Themiu është vlerësur me çmimin e dytë për filmin vizatimor. Në kompjuter ka lënë ende mjaft shkrime e libra të cilat vetëm i zoti ua dinte kur do t’u vinte dita e botimit….Në moshën 70 vjeçare ia prenë jetën. Një çast mirënjohjeje, një minutë heshtje! Një grusht dhe, duartrokitje, lule dhe lotë…
Ky ishte poeti që u përcoll në varr me duartrokitje. Ti nuk ke vdekur, Themi!Se njeriu vdes, kur harrohet.Ne nuk do të harrojme sa të kemi jetën.Lamtumirë miku ynë i dashur, Themi Bello!
Gazeta Nacional ngushëllon familjen Bello
Të nderuar anëtarë të familjes Bello,
Jam thellësisht i prekur nga lajmi i vdekjes së parakoshme dhe tragjike të mikut tonë të shtrenjtë dhe njërit prej simboleve të prozës bashkëkohore shqipe, shkrimtarit brilant Themi Bello.
Në këtë kohë të pikëlluar, pranoni ngushëllimet e mia, të gazetës “Nacional” dhe “Nacional Media Group”për Ju dhe gjithë familjen e nderuar Bello në Lushnje dhe kudo që ndodhen.
Ne miqtë e tij, por besoj edhe lexuesit e gazetës “Nacional” ku Themi Bello bashkëpunoi prej vitesh, nuk do të harrojnë kurrë letërsinë e tij, mirësinë e Tij, fisnkërinë dhe kontributin e tij në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Lutem që perëndia t’i japë atij prehje të përjetshme dhe familjes Bello forcën për të duruar dhembjen e madhe!
Ngushëllimet e mia dhe të Grupit Mediatik “Nacional”
Mujë Bucpapaj
Drejtor
Tiranë me, 7. 6. 2017
Familjes së shkrimtarit Themi Bello
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dega Lushnjë, me dhimbje të madhe e të thellë, i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së poetit dhe shkrimtarit tonë, Themi Bello, për ndarjen e tij të parakohshme dhe aksidentale nga jeta.
Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve
Kryetari
Faslli Haliti
Lushnjë, më 07/06/2017
(Kortezi:GAZETA NACIONAL)
GAZETA DIELLI NGUSHELLON FAMILJEN, MIQETE, TE AFERMIT, KOLEGET! SHPIRTI NE PAQE THEMI BELLO!
EDITORI
DALIP GRECA